“300 mijë rezervistë thirren për luftë” – Rusia shpalos planin për aneksimin e Ukrainës, rrezik për përplasje me NATO-n

0

Rusia ka shpalosur planin e saj për aneksimin e Ukrainës në qendër të së cilit janë referendumi dhe mobilizimi i 300 mijë rezervistëve ushtarakë.

Sa i takon referendumit, lajmi u bë i ditur më 20 shtator dhe do të mbahet në rajonet e vetshpallura të Donjeckut dhe Luhanskut.

Referendumet, në këto dy rajone lindore ukrainase, sipas separatistëve ruse do të organizohen nga 23 deri më 27 shtator.

Rajonet e Hersonit dhe Zaporizhjës, që ende nuk janë njohur si shtete të pavarura nga Rusia, thanë po ashtu se do të mbajnë referendume.

Rusia nuk ka kontrollin e plotë e asnjërit prej këtyre katër rajoneve dhe vetëm rreth 60 për qind e rajonit të Donjeckut është nën kontrollin rus.

Sa territor mund të humbë Ukraina?

Territori që Rusia ka nën kontroll është mbi 90.000 kilometra katrorë apo 15 për qind e gjithë territorit të Ukrainës. Kjo hapësirë është sa madhësia e Hungarisë ose Portugalisë.

Rusia aneksoi Gadishullin ukrainas të Krimesë më 2014. Me Krimenë dhe territorin e katër rajoneve të tjera, Rusia do të përfitonte një territor sa përafërsisht sipërfaqja e shtetit amerikan të Pensilvanisë, shkruan REL

Cila është rëndësia?

Nëse Moska vazhdon përpara me planet për mbajtjen e referendumeve dhe arrin të bashkojë këto katër rajone me Rusinë, atëherë Ukraina – dhe potencialisht edhe mbështetësit e saj perëndimorë – nga perspektiva ruse, do të luftonin kundër vetë Rusisë.

Kjo do të rriste rrezikun e një konfrontimi të drejtpërdrejtë ushtarak midis Rusisë dhe aleancës së NATO-s. Ky është një skenar, i cili, siç ka thënë presidenti amerikan, Joe Biden, mund të çojë në Luftën e Tretë Botërore, sepse anëtarët e NATO-s po furnizojnë me armë dhe po i japin informacione të inteligjencës Ukrainës.

Por, një veprim i nxituar nga ana ruse për të aneksuar zyrtarisht një pjesë tjetër të madhe të territorit ukrainas do të ishte një përshkallëzim i madh. Njoftimi për planet për organizimin e referendumeve vjen disa ditë pas humbjes, potencialisht më të rëndësishme ruse, në fushëbetejë në Ukrainën lindore.

Kjo pasi një kundërofensivë e nisur nga forcat ukrainase ka larguar trupat ruse nga shumica e territorit të rajonit ukrainas të Harkivit.

Doktrina bërthamore e Rusisë lejon që shteti të përdorë armë bërthamore nëse sulmohet me armë të njëjta apo me armë të shkatërrimit në masë.

Po ashtu, përdorimi i armëve bërthamore, sipas doktrinës ruse, lejohet nëse shteti përballet me krizë ekzistenciale nga armët konvencionale.

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu