Hakmarrja, ndjenjë zemërimi
Muahmedi, në kohën e tij, luftoi Politeizmin nën parullën: Nuk ka tjetër por vetëm një Zot!… Muhamedi në këtë mes luftoi sasinë por nuk ndryshoi asgjë në cilësinë e konceptit të “Qënjes Supremë”. Për ta kuptuar drejtë këtë, po i referohemi koncepteve që vetë Muhamedi na paraqet në Kur’anin e tij, me pretendim t’ardhur prej qiellit. Vetë koncepti i prejardhjes /Materiale/ të librit të Kur’anit, është një koncept tepër Materialist (i pohuar ky fakt mbi vetë bazën e paraqitur prej Pejgamberit të Allahut. T’i referohemi Kur’anit, Sura II, 163: “Zoti i juaj është një, Allahu. Nuk ka zot posë Atij që është mëshirëplotë, gjithnjë mëshiron.” Ky është neni nr. një i kredos Islame… Njitasi shtohet karakteristika kryesore e kësaj fuqije të mbinatyrshme: “I Mëshirshëm… Mëshirplotë, gjithnjë mëshiron!… Veç kësaj, të gjitha Suret fillojnë me shprehjen: “Me emrin e Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit.” Mëshira bëhet me ata të cilët janë “Njohur për fajtorë”. Për të pafajshmit përdoret shpërblimi (ndër të rriturit) dhe, përkëdhelja ndaj të vegjëlve. Prandaj mendohet se duhet marrë gjithmonë në këtë kuptim përdorimi i kësaj shprehje: mëshirë (për fajtorët). Në disa Ajete përpara se të përcaktohet faktika Mëshirues është shpallë hakmarrja: Sure II, Ajeti 7: “Allahu ua mbyll atyre zemrat, veshët e tyre dhe në të pamurit e tyre ka nji perde, e ata kanë nji dënim të madh.” Hakmarrja është një ndjenjë me burim nga zemërimi që përdoret si kundraveprim për fajtorët apo sulmuesit e padrejtë. Ky fakt konstatohet tek ata të cilët mundet të dëmtojnë të sulmuarin, por jo me ata të cilët nuk mund ta sjellin këtë dëmtim. Mendo fëmijët e vegjël, të cilët mund të fyejnë, por nuk arrijnë tek dëmtimi. Me fëmijët mund të përdoren masa të tjera, por jo hakmarrëse! Njerëzit përpara Zotit janë fëmijë. Me sjelljet e tyre të dobëta, ata dëmtojnë veten, jo Zotin. Fajtorët dënohen nga Zoti, por jo në prizmin hakmarrës, pse në Zotin nuk ka pasione si tek njerëzit. Në qoftë se “Allahu ua mbyllë atyre zemrat… të parët… të dëgjuarit, njerëzit nuk mbajnë pikë përgjegjësie për veprimet e tyre të këqia. Koncepti i shprehur në Ajetin 7 të Sures së dytë është një koncept jo vetëm egoist, që frymëzon një hakmarrje të pavend e cila është në kundërshtim me lejtmotivin e përgjithshëm: “Allahu, Mëshirues, Mëshirëbërës, i Urtë…” Prandaj, nuk gabojmë nëse vërejmë diçka të nxitur nga pasionet e botës njerëzore, si veprues dhe zbatues i këtyne pasioneve. Këto mund të jenë mendime të Muhamedit apo të shkruesve të tij, të cilët orientohen si gjithmonë nga pikësynimet e epshevet njerëzore dhe kurrë nga pozita mëshiruese e Krijuesit të gjithësisë, i cili nuk ka çka të ketë frikë krijesat e veta për t’u hakmarrë kundra tyre. Kjo, një pikëpamje e shprehur në Kur’an, e cila jo vetëm është kontradiktore me Ajetin 2 të kësaj Sure, si Kushtetuta Shqiptare sot, por në të njëjtën kohë është kundra logjikës pse në kundërshtim me vetë natyrën hyjnore si krijuese e gjithësisë, kur nuk ka çka i bën as bota materiale as ajo shpirtërore e njerëzve, të cilët me veprat e veta dëmtojnë vetveten. Koncepti i hakmarrjes që na paraqet Muhamedi (apo tjetër kush në vend të tij) është një materializëm ikakohë. Jo vetëm kaq, por mendojmë (dhe të mendojmë, të paktën besojmë kemi të drejtë), se një veprim i tillë është në kundërshtim me vetë natyrën hyjnore e cila na paraqitet si nga zbulimet paraprirëse, ashtu edhe nga vetë praktika vepruese e Provanisë Hyjnore, në pozita krejt kontradiktore me pozitën e Kur’anit. Këtë materializëm ikanik e gjejmë edhe në raste të tjera si: Suretu El Bekare, 25: “I përgëzoi ata që besuan dhe bënë vepra të mira, se ata do të jenë në xhennetë në të cilën rrjedhin lumenj. Sa herë që u jepet ndonjë ushqim nga frutat e tij, ata thonë: “Ky është që me të u ushqyem edhe më parë… Aty do të kenë edhe bashkëshorte të pastra…”. Nuk mund të jenë thënie të Allahut pse ai e njeh shumë mirë botën materiale dhe atë shpirtërore. Prandaj duhet të pohojmë: ose mohimin e autorësisë së Kur’anit nga ana e Allahut ose prodhimin e këtyre koncepteve nga ana e njerëzve, Muhamedi apo kushdo tjetër, duke mos pranuar as Ajetin 2, të Sures II: “Ky është libri që nuk ka dyshim në te”. Mirëpo kështu bie e gjithë kështjella Islame, dhe Muhamedi nuk është më Pejgamberi i dërguar nga Allahu, por vetëm i vetëshpallur profet, i cili lufton me aq sa di, pozitën politeiste. Edhe këtu merita nuk është e vogël. Është meritë njerëzore, me koncepte njerëzore. Po Allahut ç’i ngelet? Mbase të konsultohet me Osamën. Një tjetër anë që na e pohon haptas këtë pozitë objektive, është koncepti fëmijëror i “betimeve” të Allahut. Betimi bëhet atëherë kur bashkëfolësi nuk beson në thëniet tona dhe, na për t’ia vërtetuar i betohemi në diçka që është më e madhe se gjendja jonë. Po të betohesha unë p.sh. “Pasha shkronjat e këtij shkrimi”… ju do të qeshnit. Te betimet e Allahut: Kapt. 95, Ajeti 1-2 etj., thuhet: “Pasha fikun dhe ullirin”… Gjithashtu në Kapt. 91, 92: “Pasha diellin dhe dritën e tij… Pasha ditën… Pasha natën… Pasha qiellin… Pasha tokën…” Këto të gjitha mund të jenë betime të drejta për racën njerëzore, por për natyrën hyjnore janë qesharake. Prandaj nuk është Kur’ani ai që na paraqitet si “Libri i shkruar në epërsitë qiellore dhe i zbritun në tokë, pasi qielli nuk ka shtypshkronjë dhe Allahu nuk përdor laps e letër. As shprehjet e përmbajtura në të nuk e justifikojnë me prejardhje qiellore. Këto shprehje janë përdorur prej Muhamedit për të siguruar besimin tek populli arab. Në Kaptinën 66 nuk mund të besojmë se Allahu ka patur kohë të merret me gratë e Muhamedit dhe veprimtarinë e tyne në haremet e Pejgamberit. Allahu njeriut i dha arsyen, prandaj për gjëra që i përkasin veprimtarisë njerëzore, Allahu nuk duhet të ndërhyjë, pse atëherë njeriu do të dilte jashta sferës së përgjegjësisë. A është kjo e vërteta? “…Fjala Allah është emri i përveçëm i qenies (hyjnore) supreme. (Dial. f.). Kjo fjalë nuk ka as shumës as gjini, me një fjalë nuk kemi Allahët, as Allahun mashkull a femër siç kanë të krishterët perëndi, perëndia, perënditë. Për më tepër përdorimi i fjalës perëndi, është tepër i ngatërruar, pasi shumë kristianë që flasin anglisht, vazhdojnë ta konsiderojnë Jezusin si Perëndi. Të ndalemi e të gjykojmë: Koncepti i shprejes Allah, pse emër i përveçëm i qënies supreme? Nuk justifikon asgjë në drejtimin e tezës së marrë duke iu kundërvënë emërtimit perëndi (gjoja si emërtim ndër kristianë). Po a mendoni se ky emër “perëndi” nuk i përket kristianizmit… pse ne shqiptarët jemi shumë të pakët në numër e për më tepër, këtë emër nuk e kemi nga bazat tona shprehorike, por e kemi të ardhur. Fjala perëndi u përdor në Jug të Shqipërisë dhe së pari në ambiente Islame të Jugut, e më vonë shtegtoi në Veri, gjithmonë nën udhëheqjen Islame. Për më tepër në Jug ky emër iu vendos një fshati: “Perondia”, të cilin përdorimi popullor e kaloi në Perëndia! Doni edhe ndonjë tjetër fakt? Dakord jemi. Ky emër pat emërtuar hyjni “balto-sllave” në kohën e politeizmit. Kjo hyjni përfaqësonte “shkrepjen e rrufesë”: “Peron”. Kësaj shprehjeje iu shtua përcaktuesi: “Dia = hyjni” dhe përfundoi në: “Peron+Dia”. Përfaqësonte pra hyjninë e zjarrit në konceptin e kohës politeiste. Logjika çalon sërish kur pretendohet se “Allah = qënie supreme!… Edhe “Zeusi” grek, Jupiteri romak… përcaktonin qënien supreme si Allah. Por me kaq do të përfundojmë?! Asgjë objektive. Janë të gjitha supozimet të cilat nuk konkretizojnë asgjë objektivisht reale. Pra ta hedhim edhe pak gjykim. Allah: thuhet se vjen nga arabishtja “Al+llah”. Por prapëseprapë transferohet në Palestinë. Mendohet se shprehja: Islam është e përbërë nga: “Iss+la+ham” me kuptimin e vetëm: (ham + shif Ad’ham = njerëzit e parë, në latin, njeri i të lartit Isside (= hyjni i dritës). Emri “Allah” aq i reklamuar, d.m.th. “El+ach” drita e epërsisë… dhe i modelizuar sipas eufonetikës arabe: Al.lah. Në kuptimin primar ishte: “Zoti i zotave që pastaj iu rezervua vetëm Zotit të lartë, Zotit të vetëm: Allah. Mbase përforcohet në autoritetin e Kur’anit; 2:140: “A pretendohet se Ibrahimi, Ismaili, Is’haku, Jakubi kanë qenë jehudi ose të krishterë? Ne pohojmë se “Allahu din gjithçka!”. Por pyesim cilat prova sjell Kur’ani për qënien supreme, për Allahun, me përjashtim të pohimit gratuit të Muhamedit? Në përforcim të pozitave po citojmë thëniet në faqe 45,46. Psalmi 110:1: “Dikit dominus domino meo: sede a dektris mei, donec ponam inimicos tuos, scabellum peduum tuorum”. Dikush e përkthen dhe e interpreton kështu: “Zoti i tha Zotit tim: Ulu në të djathtën time deri sa ti bëj armiqtë e tu fron ku të vendosësh këmbët.” Përmenden në këtë rast dy Zotër. Në qoftë se Zoti i dytë (ai të cilit i drejtohen fjalët nuk mundi të jetë edhe ai Perëndi mbasi Davidi njihte vetëm një Perëndi, pra ky varg duhet të qe shkruar: “Perëndia i tha Zotit tim…” Kujt pra i drejtohet Davidi me fjalët “Zoti im”? Kisha do të thoshte: Jezusi. Por ama kjo është mohuar nga vetë Jezusi në Ungjillin e Mateut 22:45. Ai e përjashtoi veten nga ky titull pasi ai ishte bir i Davidit. Si do të mundte Davidi ta quante birin e tij Zoti im? Jezusi tha (Luka 20: 41-44): Si mund të thuhet se Mesia është pasardhës i Davidit? Në të vërtetë vetë Davidi në librin e Psalmeve thotë: Zoti i tha Zotit tim: “Ulu në anën time të djathtë, gjersa t’i vë armiqtë e mundur nën këmbët e tua. Davidi pra e quan Zot. Si mund pra të jetë ai pasardhës i tij?” Jezusi duhet të ketë dhënë një përgjigje e cila nuk është regjistruar në të katër ungjijtë kanonikë, por në ungjillin e Barmebasit thuhet hapur se ky premtim iu bë Ismailit dhe jo Isakut. Kështu pra zoti i Davidit ishte Muhammedi, të cilin ky e pa në shpirt. Asnjë profet tjetër nuk ka përmbushur aq shumë sa Muhammedi (PQMT)… Paralel, citojmë Kur’anin, Kaptina 60:1: “…i besoni Allahut, Zotit tuaj… Edhe këtu kemi dy Zota: Allahu dhe Zoti i juaj!… Tashti, ju që doni të jeni aq të përpiktë si me Davidin, këtu sa zota keni me Allahun dhe Zotin? Problematika shtrohet: 1- Së pari nuk kemi dy Zota, siç thuhet, por kemi një Zot! Ky Zot është ai që i drejtohet (Zotërisë = Mbretit) të popullit të Israelit: “Ulu në të djathtën time!”… Natyrisht ne e dimë që Zoti nuk ka as të djathtë as të majtë. Pra, kuptimi është alegorik, pasi e djathta paraqet forcën. Natyrisht duhet të nënkuptojmë: Mbështetu në forcën time… e cila do të përulë të gjithë armiqtë tuaj si Shkëmb për nën këmbët tuaja. Iluzionet se “Zoti i Davidit na qenka Muhammedi” nuk e zhdukën rrezikun e politeizmit: Allahu nga njëra anë e Muhammedi Zoti i Davidit nga ana tjetër. Pastaj Muhammedi vetë nuk do ta pranonte një “absurditet të tillë” pse lufat e Tij për: një monoteizëm të pakushtëzuar nuk do të kishte patur kuptim, po të përdorej teoria e famshme: “Çou prift, të ulet hoxha!” Duke mos harruar se Davidi nuk ka njohur fare një Muhamed që do të vinte disa shekuj pas tij. Duket se profetizmi është mbështetur në Bibël. Baza fillestare: Ikre… është një përulje për Muhamedin po të merrej me të vërtetë ashtu si pretendohet! Dëgjoni Isaian 29: 9-13: Habituni e mrekullohuni! Mbyllni sytë e bëhuni të verbër! Dehuni, por jo me verë! Trullosuni por pa e pirë asnjë pikë! Zotu ju ka vënë në gjumë e shpejt do t’ju kapë një gjumë edhe më i rëndë! Jua ka mbyllur sytë o profetë! Jua ka mbuluar kokën o profetë! Çdo profeci i përngjan fjalëve të një libri të dyllosur! Jepjani në dorë njërit që di të lexojë, e thoni atij: “Lexo!” Dhe ai do t’ju përgjigjet: nuk kam se si pse libri është i dyllosur. Jepjani në dorë njërit që nuk di të lexojë dhe i thoni: “Lexo!” Dhe ai do t’ju përgjigjet: “Nuk di të lexoj!”. Zoti ka thënë: “Ky popull më afrohet për të më nderuar. Mirëpo ai më nderon vetëm me fjalë, ndërsame zemër qëndron shumë larg meje. “Kështu dija e dijetarëve” do të gjendet përballë vështirësive aq sa zgjuarsia e tyre nuk do të vlejë asnjë grosh. Sidomos në shekullin e internetit. Në qoftë se do ta analogojmë Muhamedin me gjendjen e profetëve që na paraqet Isaia, kjo është nënvleftësim. Tërheqim vëmendjen me urimin: “Paqja qoftë me të!… Po të pranohej Muhamedi si Profet, Pejgamber apo të zgjedhur të Allahut, del jashtë kuadrit logjik, meqë nuk mund t’i urosh paqe e mirësi atij që është i lidhur ngushtësisht me mirësinë e Qënies Supreme!… Kjo mund tëbëhet me një, me të cilin mund të dyshohet kushti i ndihmës hyjnore. Apo jo? Po në të njëjtën faqe, 18 thuhet: “Me që kristianizmi ishte shmangur shumë nga mësimet e vërteta të Jezusit, Allahu atëherë dërgoi si pjesë të planit të Tij profetin e tij të fundit, Muhammedin për të ringjallur dhe për ti vënë në vend të gjitha këto ndryshime: Kalendarin Julian, i cili përcaktoi erën kristiane; ngrënien e mishit të derrit, synnetin e ndaluar nga Pali… Gjithashtu benë Kufur (haram) ata që thanë: “Allahu është i treti i të tretëve…” Dallojmë problemet e kundrasulmuara në këtë kontekst: a) Kalendari Julian… b) Problemi i mishit të derrit… c) Synneti d) Problemi i Shenjtes Trini! Po i marrim radhazi: Problemi Julian: (Kalendari Julian). Problemi i kalendarit nuk ka lidhje me fenë. Ngatërrohen problemet fetare me ato historiket apo të tjera. Me përjashtim të tendencës së fanatizmit fetar nuk shohim asgjë përtej këtyre kufinjve. Kjo rrjedh nga se problemet shikohen në kuadrin e një materializmi të paprinciptë. …Zoti krijoi gjithësinë në mënyrë të përsosur! …Po ja që dikush kritikon Allahun pse në organet e mashkullit tek njeriu i ka lënë vend synetllekut! Përse! Nuk ka ditur Zoti vetë ta bëjë në atë mënyrë që e kërkon synetlleku… Po kështu, në Kur’an, Muhamedit i lihet liri të marrë sa gra të dojë. Madje nuk i kufizohet as prejardhja e këtyre grave (qofshin këto nga daja, axha, halla, apo tezja) ndërkohë që në Bibël tërhiqet vëmendje për incestet. Lidhur me këtë shohim se si duke u nisur nga liria e tepruar arrihet përmes materializmit inkompetent të rrënjoset padrejtësisht një fondamentalizëm fanatik. Vazhdojmë me konstatimet: “Mishi i derrit”! Sikur të ishte reale pozita e mishit të derrit, do të dilte më e fortë krijesa se Krijuesi i saj. Nga ana tjetër edhe ajo Fe që prishet nga mishi i një kafshe, nuk është e mbinatyrshme, por koncept ultra natyror i cili poshtëron mbinatyrën në bazë të “revizionizmit” të Veprimtarisë Hyjnore në proçesin e krijimit të natyrës. Ndalimi i mishit të derrit është në proçes i nënshtrimit të efektit të mishit të majmë në zonat e nxehta, gjë për të cilën njeriu duhet të ruhet që të mos dëmtojë shëndetin e vet, ndërsa po të ndërlidhet me proçesin e Krijuesit, këtu dalim jashtë logjikës. E zëvendësojmë dijen Hyjnore me efektet kimike, të cilat kanë orientimin logjik në mendjen njerëzore, e cila duhet të dijë t’i përdorë dhuntitë e Allahut sipas kushteve natyrore… Por jo të kritikojë Krijuesin, duke ngatërruar në këtë mes proçesin kimik me normativën e përshkrimit fetar. Sokol Pepushaj Karnavalet e Shkodrës, spektakël madhështor Për të pestin vit radhazi, duke e kthyer në traditën e vet, Shoqata Kulturore “Illyricum” me përkujdesjen e Bashkisë Shkodër e të Provincës Françeskane si dhe në bashkëpunim edhe me të tjera OJQ e Institucione, organizon festimin e Karnavaleve në Shkodër. Një ditë e gëzueshme me drita optimiste, gazmore, kurajuese në shumën e 365 ditëve të vitit të zymtë që përjeton qyteti sa i lashtë dhe i ri. Shumë pak për çfarë meriton ai. Kështu, në ditën e parë të marsit, ditë pranverore, në ora 1000 nis startimin e vet “Karvan Karnavali 2003” me një pjesëmarrje masive prej 140 vetësh. Që në dalje, ai mirëpritet me harenë e një populli që e shoqëron atë në të gjitha rrugët kryesore të qytetit që lëviz plot zhurmë e gaz. Nga lagja “Gjuhadol” në “Sheshin Gjon Pali II”, “PERash”, tregu i shumicës “Xhabijej”, “Parrucë”, “Dugajtë e Reja” për të përfunduar tek sheshi qendror i qytetit “Luigj Gurakuqi”. Një prezantim shumë dinjitoz në kushtet e sotme, çdo herë në rritje cilësore e sasiore. Ishte një gërshetim i demonstrimit karnavalesk i karvanit që lëviz në të shumtë formacione si ai i akrobatëve “lepurushë”, grupit të valleve “Pula e gjela”, gjimnastëve me xhufka, fshesaxhinjëve, zhurmuesve si dhe të tri makinave që mbartin aktorët e këngëtarët interpretues, dekorisht, përfaqësonin terrin që ka mbuluar qytetin. Makina e dytë mbarte “dordolecin” dhe karnavale tim që përfaqësonin të këqijat e shoqërisë, dhe makina e tretë përfaqësonte Shkodrën që kërcënohet të asfiksohet. Mbas xhiros së gjatë nëpër rrugët kryesore të qytetit, Karvani bëri ndalesën në qendrën e qytetit për të shpalosur spektaklin e madh ku vendin kryesor e zinte batuta-bejtë e interpretuar bukur nga aktorët e trupës së shoqërisë “Illyricum”. Të gjitha këto në mbështetje të idesë për të demaskuar të metat e kohës si në shoqëri e në pushtet qendror e lokal. Gjatë gjithë rrugës zhurmuese të karvanit, atij i shtoi humorin dhe muzika e gëzueshme që transmetohet në altoparlantët lëvizës. E tani pak për kryesorët që mundësuan këtë veprimtari: regjisor – Artisti i Merituar Zef Deda, që njëherësh është edhe interpretues së bashku me të madhen Zyliha Miloti e shoqen e saj Drande Xhai e Zef Ndojën, Paulin Ujkën, Gac Kodrinën që aq bukur përcollën bejtat e një libreti shumë-autorësh ku spikat ai i Tonin Çekliqit që njëheri grumbulloi e sistemoi atë. Piktorët ideatorë të dekorit të karvanit Pjerin Sheldija e Gjovalin Stefa si dhe piktorët zbatues, të rinjtë Luçian Bedeni e Lek Gjeloshi. Manaxherin e përkushtuar At Marian Lumçi. Të gjitha këto të dirigjuara me maturi e përkushtim nga drejtori artistik organizativ Gjovalin Stefa. Gjejmë rast të falënderojmë të gjithë ato që mbështetën këtë veprimtari: Provincën Françeskane, Bashkinë Shkodër, Fabrikën e mishit e sallamit “Meat Master” e të tjerë, si dhe të gjithë popullin e Shkodrës që inkurajoi këtë veprimtari. Gjithashtu vëmë në dukje qëndrimin aspak të mirë, për mos të thënë keqdashës të medias së shkruar dhe asaj vizive që ose nuk e prezantuan fare këtë aktivitet madhor, ose e prezantuan shtrembër, qofshin këto lokale apo qendrore si: gazeta “Panorama”, dt. 2. 3. 2003, “Gazeta Shqiptare”, dt. 2. 3. 2003, TV “Rozafa”, TVSH, etj. Falënderojmë TV “Antena Nord” që bëri jehonë para dhe mbas aktivitetit. Gjovalin Stefa Fëmijët na i vrau politika, kjo politikë që po hesht Drejtuar: Presidentit Moisiu, ish presidentit Meidani, Kryetarit Kuvendit Popullor z. Pëllumbi, ish Kryetarit Dokle, Kryeministrave Nano, Meta, Majko, Prokurorit të Përgjithshëm Sollaku, ish Arben Rakipi, Gjykatës Kushtetuese Abdiut, të gjitha partive politike, të gjithë Trupit Diplomatik në Shqipëri. Për dijeni: Deputetëve të prefekturës Shkodër: Lek Çukës (PS); Pjetër Arbnorit, Jozefina Topallit, Ferid Hotit, Astrit Bushatit, Valentin Palajt, Gjovalin Bzhetës (PD). Ngjarja e 4 majit 2000, një ngjarje e përsëritur dhe e dëgjuar për shtetin dhe politikanët shqiptarë e prokurorin tonë e italian ku motovedetat italiane në Kanalin e Otrantos po godasin gomonet me klandestinë shqiptarë të varfër e të pambrojtur nga shteti shqiptar që çuditërisht hesht? Ju drejtohemi zotëri të shtetit dhe politikës shqiptare me këtë letër, ne prindërit Shkodranë që humbëm fëmijët në tragjedinë e Otrantos 4 maj 2000, ku gjetën vdekjen 17 vetë me faks, ku numri i tyre është më i madh, mbi 22 vetë, sipas dëshmitarëve, në mes tyre nëna fierake Eva Cicollari, humbet burrin, dështon fëmijën në ujëra të Otrantos nga goditja, shtrohet në spitalin e Leçes, ku mbas 8 ditësh gjen vdekjen. Kështu kishte urdhëruar padroni italian, goja e kësaj nëne të mjerë që s’arriti ta prekte fëmijën e saj, duhet të pushojë, që e vërteta të mos dihet! Gazetat e kanalet TV shqiptare bënin jehonë lindjes së djalit k/Ministrit shqiptar Meta (trashëgimtarit të fronit), dhe heshtnin para vrasjes masive të shqiptarëve, një realitet sa i dhimbshëm, aq i turpshëm. Mëngjesin e datës 5 maj 2000 në orët e para të mëngjesit kanalet televizive italiane japin lajmin e rremë dhe dizinformues, se një gomone me klandestinë shqiptarë, të gjithë të rinj, përplasen me një skaf të policisë së shtetit italian, e si rezultat gjetën vdekjen 5 vetë. Lajmi i dhënë ishte i detyruar të jepej, sepse rrjetat e peshkatarëve nxirrnin trupat e pajetë të fëmijëve tanë, e çuditërisht ky lajm u ndërpre në paraditen e kësaj date nga kanalet italiane. Kur trupat e pajetë të fëmijëve tanë ishin në fund të detit, anija turke me mbi 500 klandestinë zbarkojnë në brigjet italiane, jo që nuk qëllohen si shqiptarët, por priten, strehohen në ndërtesat e plazheve italiane. Parlamentarët shqiptarë e italianë luanin futboll të qetë e trokitnin gotat në hotelet luksoze të Tiranës, kur Otrantoja ishte e skuqur nga gjaku i shqiptarëve të vrarë. Çfarë kontrasti. Fytyra e vërtetë e një shteti mik dhe e Europës së Bashkuar. Nga zyra e Prefektit të Shkodrës, z. Gjok Jaku, me kërkesën tonë, iu drejtuam me faks Kryeministrit z. I. Meta, Ministrit të Jashtëm z. P. Milo, shtetit italian, përfaqësisë diplomatike të dy vendeve, dhe për çudi faksi drejtuar k/Ministrit Ilir Meta mbahej në sirtaret e sekretares së tij dhe nuk i dorëzohet k/Ministrit, faksi drejtuar Ministrit të Jashtëm z. Milo, fati i tij edhe sot nuk dihet se ku ka përfunduar, Kryeministri shqiptar njoftohet me datë 18. 5. 2000 nga Ministri i Brendshëm S. Poçi me kërkesën e familjarëve, që na priti me ndërhyrjen e deputetit të Laçit. Dhe me datën 19. 05. 2000 ora 1000 njoftohemi se na priste k/Ministri z. Meta. Me shpresë se problemi ynë do merrte zgjidhje, trupat e fëmijëve tanë do nxirreshin nga deti u paraqitëm në k/Ministri, ku në vend të Kryeministrit nga priti një këshilltar i tij njeri i mirë por i pa fuqishëm, na njoftoi se k/Ministri ishte i zënë në Parlament. Mbas kësaj pritje të mërzitëshme u larguam nga Kryeministria me shpresë, por u befasuam kur në lajme z. Meta në vend që të na priste ne, trokiste gotat dhe vendoste dekorata peshëngritësve. Ky ishte preokupimi i z. Ilir Meta, Kryeministër i Shqipërisë, mjerisht njeriu i idealeve të dhjetorit. Kurse historiani dështak z. Paskal Milo, ish Ministri i Jashtëm, humbet faksin drejtuar nga Prefekti dhe ruan me fanatizëm letrën e fundit të lënë nga Mehmet Shehu. Çfarë kontrasti, që edhe sot jemi ne në pritje të autopsisë së viktimave që po mbushen 3 vjet, ata s’i kemi marrë megjithë kërkesën tonë të herëpashershme. Duke parë neglizhencën e dy shteteve shqiptar e italian, me një letër të hapur që shtypi shqiptar nga frika nuk e botonte, iu drejtuam Parlamentit Europian, Gjykatës së Hagës, Ambasadorit të OSBE-së, Amerikan, Gjerman, Italian në Tiranë që e detyruan shtetin italian që një pjesë të trupave të viktimave t’i nxirrnin të coptuar nga goditja e skafit, pa duar, pa kokë, pa këmbë, na detyruan kufomat t’i blejmë me disa milion lireta edhe të vrarë. I drejtohemi Shtetit dhe Parlamentit Shqiptar, ambasadave në Tiranë. A jeni në dijeni që numri i viktimave në Otranto të vrarë nga kjo ushtri është afërsisht me ato që shkaktoi kasapi i Ballkanit Millosheviçi. Ky i fundit doli hapur, kurse policia e shtetit italian i vret në errësirë shqiptarët, me njërën dorë jep ndihma në sy të botës, me dorën tjetër vret shqiptarët e varfër e të pambrojtur, e nga ana tjetër na quan popull mik. Për t’i prerë rrugën kësaj (ushtrie mike) që po vret rininë shqiptare, Shoqata “4 Maji 2000” e tragjedisë së Otrantos me letër Nr. 376/1, datë 14. 4. 2002, drejtuar Presidentit Meidani, që fati i kësaj letre nuk dihet se në çfarë koshi plehrash ka përfunduar nga sekretaret e një kopje të saj i jemi drejtuar Parlamentit Shqiptar, dërguar dorazi me deputetin e Shkodrës z. Astrit Bushati, drejtuar z. N. Dokle, Arben Malaj (PS), zotërinjve Sali Berisha e B. Topi (BF), ku në emër të qindra të vrarëve, i kemi kërkuar një interpelancë në parlament në mënyrë që të pritet rruga këtij krimi që përveç heshtjes, kësaj sëmundje të politikanëve shqiptarë nuk kemi marrë asnjë përgjigje. Jemi drejtuar Presidentit Moisiu me letër Nr. 437 datë 27. 07. 2002 dhe Parlamentit Shqiptar z. Servet Pllumbi e Neritan Cekës letër Nr. 438 datë 27. 07. 2002. Letra drejtuar Presidentit edhe sot rri në heshtje. Ajo drejtuar Kryetarit të Parlamentit z. Pllumbi njoftohemi nga z. Frrok Gjoka, drejtor pranë Kuvendit për ankesa, në përgjigjen Nr. 2-2 Prot., datë 19. 02. 2002 që Kryetari u njoh me ankesën tuaj, që u bë një vit që hesht, kjo sëmundje kronike e politikanëve shqiptarë. Dhe u befasuam me interpelancën e kërkuar nga z. Gjinushi për faljen e skafistëve (amnisti) pavarësisht se nuk u miratua. Kemi takuar Prokurorin e Republikës z. A. Rakipi 10 ditë mbas ngjarjes, na premtoi se do të na ndihmonte, dhe do fillonte hetimet për këtë ngjarje, na mashtroi. Jemi drejtuar Prokurorit të ri Sollaku me tre letra, edhe ky, si paraardhësi i tij Rakipi, heshti. U desh ndërhyrja e Avokatit të Popullit që të fillojë hetimi edhe përse flitet për 10 jetë shqiptarësh të vrarë, dhe paguhen nga ky shtet, dhe kanë bërë betimin para flamurit dhe kombit që nga Presidenti, Kryeministri, Prokurorët e deri tek deputeti i thjeshtë. Duke parë këtë neglizhencë të politikanëve shqiptarë, ne si prind të viktimave të Otrantos, 4 Maj 2000, me të drejtën njerëzore, kushtetuese i drejtohemi Presidentit, k/Ministrit, Kryetarit dhe Parlamentit, Prokurorit të Përgjithshëm, deputetëve, kryetarëve të partive politike, me një pyetje: Çfarë detyre ka policia e shteti italian në Kanalin e Otrantos. A ekziston ndonjë marrëveshje e fshehtë në mes të shtetit shqiptar e italian, që po qëllohen klandestinët. Vetëm 5 mujorin e parë të shekullit të ri janë goditur dhe mbytur nga kjo ushtri 127 vetë. Në qoftë se nuk e dini këtë numër, pyesni gjeneralin e kësaj policie Xhuzepen, për fatin e 59 vetëve dibranë natën 31. 12. 1999 apo skafet me 18 vetë, 12 vetë, 13 vetë, e së fundi tragjedia jonë me 4 maj 2000 (dëshmi e Drejtorit të Policisë me familjarët). Përgëzojmë nga zemra k/Ministrin Nano dhe Ministrin L. Rama që parandaluan këtë trafik që veshi në zi me mijëra nëna e motra shqiptare dhe të gjithë ato persona që na ndihmuan qofshin shqiptarë apo të huaj që na ndihmuan në gjetjen dhe kthimin e kufomave të fëmijëve. Kërkojmë nga shteti e politikanët shqiptarë që fajtorët të vihen para përgjegjësisë për krimin e bërë (drejtësisë). Kjo do të jetë në të mirën e të dy palëve. Të shpëtuarit e kësaj tragjedie u mbajtën në burgjet italiane, larg gazetarëve dhe mediave për 3 muaj dhe u desh faksi dërguar nga prindërit shkodranë Papës Gjon Pali II që bëri të mundur lirimin e të shpëtuarve, duke i përpunuar nga hetuesia italiane në mënyrë që e vërteta të mos dalë, pra ndihma e shtetit shqiptar ishte e pamjaftueshme dhe indiferente për shtetasit e vet, gjë që lëkund besimin tek kjo drejtësi dhe shteti. I drejtohemi edhe një herë deputetëve të Shkodrës që nga kjo prefekturë pati fatkeqësisht 10 kufoma të vrarë, dhe asnjeri nga këta nuk mori mundimin të shprehë ngushëllimin familjeve të viktimave, jo ta ngrinte zërin e tyre në Parlament e Qeveri, kjo do të ishte në nderin e secilit nga ju, e kush më mirë se ju duhet t’i dinë hallet tona. Ka deputetë nga ju që ka 4 viktima në zonë, kjo është paturpësi nga ana juaj, këtë mos e harroni! Së shpejti do i drejtohemi drejtësisë europiane dhe Interpolit botëror për zbardhjen dhe hetimin e këtij krimi të paparë nga shteti italian dhe shqiptar. Jemi të pambrojtur nga drejtësia dhe Kushtetuta shqiptare. Nga Shoqata e Tragjedisë “Otranto 4 Maj 2000” dhe familjet e viktimave Zadrima, shtrirja dhe popullsia Duke u mbështetur në shumë dokumente, del se deri para një shekulli kjo krahinë ndahej në dy pjesë: Zadrimën e Sipërme (ose të malit) dhe në Zadrimën e Poshtme (ose të fushës). Këtë të dhënë e gjejmë në shumë dokumente të familjeve feudale të Mesjetës si të Blinishtëve, Dukagjinëve, Zahariajve, Dushmanëve etj. Sa kemi arritur të shfletojmë, duke vështruar dokumente të familjeve feudale të lartpërmendura, dokumente që pasqyrojnë marrëdhëniet e këtyre familjeve me Venedikun apo serbomalazezët, si dokumente shumë të vlefshme të klerit katolik, mendoj se Zadrima e Sipërme shtrihej në thellësi të maleve në rrethinat e Fierzës, duke u kufizuar me përrenjtë që marrin rrugën për në Drin dhe në Fanin e Madh, duke u shtrirë nga Drini deri përtej malit të Benit si dhe nga Gryka e Gjadrit dhe përsëri në Drin, duke kaluar pranë Sardës dhe Kamanit. Në dokumentin kishtar të datës 20. 12. 1638 nënshkruar nga ipeshkëvi i Lezhës Ursini dhe ai i Sapës F. Bardhi, vërtetohet se Dioqeza e Sapës shtrihej ndërmjet Lumit Gosta dhe Va Spas. Më 6. XI. 1671 relatori Shtjefën Gaspari shkruan: “Kufinjtë e Dioqezës së Sapës shtriheshin nga Veriu deri në Iballë, nga Jugu deri në Bushat, nga lindja me malet e Benit dhe nga perëndimi me lumin Drin”. Edhe Gaspari e ndante këtë dioqezë në dy pjesë, sipas ndarjes krahinore që e shënuam më lart. Në pjesën e sipërme të kësaj treve përfshihet e gjithë zona e Iballës, Apripa, Astri, Alsicja, Mataj, Trueni, Dardha dhe zona e Pukës me Kabash, Kçirë, Gomsiqe, Kurthpulë dhe të gjithë periferia e malit të Benit. Në Jug të saj ishin Kamani, Vjerdha, Sarda, Mlloja, Karma dhe Gryka e Gjadrit që e lidhnin me zonë fushore. Zona e Iballës sipas këtij relacioni të Gasparit, kishte 317 shtëpi me 4080 banorë. Por në dokumentin e datës 16. 10. 1834 kishte 678 shtëpi me 6300 banorë dhe në këtë zonë përfshihej edhe Dushi, Kçira, Kamani, Karma deri në Grykën e Gjadrit. Qendra e famullitarit ishte Gralishta, për të cilën mësojmë se u dogj, kur turqit sulmuan Iballën, Puka që ishte një qytet i rëndësishëm më përpara, nëpër të cilin kalonte rruga që shkonte nga Dardani dhe e bënte një qytet urban, në këtë kohë është katandisur në një fshat dhe ka vetëm tri kisha: Kaman, Qerret, Dush, por pa famullitar. Dikur ishte Abaci me 250 shtëpi në nëtëmbëdhjetë katunde me dymijë banorë. Në të gjithë këtë trevë dhe në atë të fushës në fillim të mijëvjeçarit të dytë të erës sonë sundoi familja feudale e Blinishtëve, e cila pati tri qendra banimi me të njëjtin emër: në Kabash, në zonën që sot quhet Mirditë dhe në Zadrimën e Poshtme. Po Zadrima e fushës? Për shtrirjen dhe banimin e saj ka shumë dokumente të familjeve feudale, të shteteve t huaja dhe të klerit katolik shqiptar. Po mundohemi të mos i shënojmë për të mos e mbingarkuar materialin dhe për të mos rënë në përsëritje. Sapa ka qenë për një kohë të gjatë qendër e rëndësishme e kësaj zone, por, kur përmendet del si një qytet i rrënuar kaherë. Ajo përmendet për herë të parë më 11 qershor 1291. Në një letër që i dërgojnë Papës Nikolla IV, Mëhilli, ipeshkëvi i Tivarit dhe Helena e Rashës, bijë e kontit francez Balduin dhe mbretëreshë e Serbisë. Ata i luten Papës për t’i dhënë një ipeshkëv këtij qyteti “të rrënuar kaherë, thirrë Sapë” (A. Alb. 515). Sipas presbiterit Pjetër (Ipeshkëv i Sapës i sapoemëruar) dioqeza e Dejës dhe e Sardës iu dhanë Dioqezës së Sapës. Kuptohet se ajo i kishte pasë ato më parë se të rrënohej. Të shprehurit “i rrënuar kaherë” të jep të kuptosh se ajo ishte një qendër, mbase shumë e vjetër banimi, mundet e periudhës së Gajtanit dhe të Sardës ose të paktën i periudhës së Mesjetës së hershme. Edhe qenia si qytet “kaherë” dhe Dioqezë e tregon si qendër të rëndësishme që herët. Asnjë zonë nuk mund të kishte ipeshkëvi, nëse nuk do të kishte një qytet në zonë, ndryshe do të mbetej Abaci si Mirdita, apo shekujt e fundit Puka. Sipas ndarjes si Dioqezë shtrirja e fushës ishte nga Kamani e Sarda deri në Bushat dhe në lindje në Blinishtin e nënurës dhe në veriperëndim me lumin Drin. Kohën e Koncilit të Arbërit në Merqin (1703) Zadrima fushore kishte 910 shtëpi katolike dhe 9 shtëpi myslimane, duke përfshirë edhe Kallmetin. Në statistikën e Pjetër Borcit të datës 20. 12. 1832 Zadrima e fushës e përfshirë në Dioqezën e Sapës kishte 21 fshatra, duke përfshirë edhe Sardën, Kamanin, Karmën si dhe Shllakun dhe Mazrekun përtej Drinit. Këto ishin të shpërndarë në 1158 shtëpi me 10083 banorë. Po në këndvështrimin krahinor jashtë termit “Dioqezë”? termi “Përtej Drinit” duket se e kufizon plotësisht shtrirjen e saj si tegues i gjerësisë si krahinë. Në këtë zonë në kohë shumë të vjetra ka qenë një pellg ujor lundrues, të cilin e furnizonin me ujë lumenjtë Drin e Gjadër, pavarësisht nga lidhjet që kishte me detin. Por edhe pasi është tharë fusha, Drini e ka lëvizur shtratin disa herë. Historianët e gjeografët si ti Livi, Ptolemenu, Plini, M. Barleti etj., pas erës sonë dhe për Mesjetën e hershme na informojnë se Drini kalonte pranë kështjellës së qytetit në pjesën fushore. Por edhe në mijëvjeçarin tonë shohim se rruga e Drinit është afër qytetit të Shkodrës. Studiuesi K. Zgegu na thotë se Drini e nisi rrugën e Lezhës nëshek. IX. Në një libër për veshjet shqiptare mësojmë se në Portin e Drinit, afër Shkodrës, i grabitën plaçkat një marinari. Por Drini e ka ndryshuar shtratin, disa herë. Prof. Farudin Hoxha në një kumtesë, mbajtur në Lezhë (Maj 2000) shkruan se më 1846 pas një plote të jashtëzakonëshme që shkaktoi përmbytje të mëdha, lumi Drin formoi një shtrat të ri që kaloi nga ana e Shkodrës dhe u derdh në Bunë. Edhe anglezja Edith Durham na thotë të njëjtën gjë, por e shtynë më vonë në vite. Duket se lumi ka bërë shumë lëvizje shtrati nëpër fushë sa duke shkuar në drejtim të Shkodrës, sa në drejtim të Lezhës. Këtyre të dhënave u vijnë në ndihmë edhe toponime që gjenden nëpër fushë si Balladrini (Balli i Drinit), i cili është fshat zadrimor më afër qytetit të Lezhës, Beledrine një copë fushë në mes fshatrave Hajmel, Nenshat dhe Kotërr, e cila si terren nuk është shumë bindëse se mund të ketë kaluar Drini aty, kurse Bregdrinë e gjen në disa vende që janë afër rrjedhës së sotme, por edhe larg saj. Studiuesi I. Zamputi ka vërtetuar me dokumente se në rrethinat e Plezhës e fshatrave përreth në kohën e Ilirisë së hershme ka qenë një qytet-port, i cili quhej Zhavarrina. Në veri të këtij pellgu ishte Meda e poshtme, e cila kryente funksionet e një porti të vogël dhe në lindje të tij mendoj se ishte Motri (në kodrat e fshatit të sotëm Kotërr), për të cilin studiuesit ende nuk kanë përcaktuar se ku ka qenë qendra e tij. Shumë afër, në Veri dhe në Lindje të tij ka pasë qendra shumë të vjetra banimi si Gajtani, Mazreku, Sarda, Kastria, Sapa etj. Studiuesit nuk janë marrë ose janë marrë fare pak me këtë zonë, se shpresoj se do të zbulohen rrugët që i kanë lidhur këto qendra banimi me portet apo me Pukën, Prizrenin e deri me Justinianën. Pellgu ujor për të cilin bëhet fjalë nuk ishte i shkëputur nga ujërat e detit. Shtrirja e kodrave dhe e luginave nëpër fushë tregon shtigjet se ky pellg është lidhur me detin, duke e kuptuar pellgun të shtrirë edhe në Zonën e bregut të Bunës. Rrugët e lidhjes me detin nëpërmjet pjesës së zonës bregdetare. Ato janë ndërmjet kodrave të Berdicës dhe kodrës së kështjellës. Pas mbushjes së pellgut këtu ka kaluar edhe Drini, kurse tani kalon përsëri. Rruga tjetër është ndërmjet kodrave të Beltojës dhe të Melgushës. E treta kalon në mes të kodrave të Bushatit dhe e fundit është ajo që kalon përmes qytetit të sotëm të Lezhës. Në shumë pika në Zadrimë gjatë hapjes së kanaleve janë gjetur në thellësi të tokës 1,5-2m mbeturina qymyri druri, copa qeramike dhe objekte të tjera që vërtetojnë banimin e hershëm të kësaj zone. Shkrimtari i mirënjohur Kolë Jakova shkruan se Zadrima është një fushë e begatë me kodra të buta (pa gurë) vende-vende. Si kufi perëndimor ka Bunën, jugor Detin Adriatik, rrjedhën e sotme të Drinit e deri në qytetin e Lezhës. Si kufi verior dhe lindor Shkodra, mali i Rrencit, Gajtanit, Hajmelit, Kreshtës, Velës deri në qytetin e Lezhës. Kuptohet se shkrimtari ka njohur edhe shënimet e lëna nga studiues të ndryshëm të gjeografisë, historisë, etnografisë etj. Shqipëria është e ndarë në krahina që dallojnë nga njëra-tjetra në veshje, zakone, rite dhe deri në psikologji. Por ndryshimet janë edhe në këngët e vallet, në tërë traditën kulturore, këndëvshtrimet, edukata shoqërore e qëndresa janë të një oazi të pafund. Shtrirja e këtyre elementeve kalon kufirin e sotëm të Drinit, biles edhe ato kufinj që e vendosin në mes qyteteve Shkodër dhe Lezhë, duke kaluar Bunën dhe rrethinat në Veri të Shkodrës si fshati Bardhaj. Siç dihet Drini nuk është kufi ndarës as natyror, as në fushën e veshjes, të zakoneve, riteve, traditave e mbarë normave të tjera krahinore. Midis fshatrave Blinisht, Kakarriq, Piraj e Balldre kalon lumi Drin, por të katër janë fshatra zadrimor, pavarësisht nga të ardhurit nga Malësia e Madhe dhe Mirdita në fillim të këtij shekulli e në vazhdim. Zadrimorët e këtyre fshatrave (Balldre dhe Kakarriq) kanë ruajtur veshje, zakone e tradita të krahinës që i përkasin, pavarësisht se shumica e banorëve të sotëm janë nga Malësia e Madhe. Kështu pra Drini nuk është një kufi i përhershëm i kësaj krahine, vetëm mund të ketë qenë në një periudhë të caktuar, duke mos u rezistuar zhvillimeve krahinore. Po popullsia? Është vendase, apo e ardhur? Ka pasë mendime nga më të ndryshmet. Ndonjë studiues i huaj, apo shqiptar, që ka mohuar kombësinë, e ka quajtur popullsi malazeze, se, sipas tyre, dikur ka qenë principatë Cernagorase. Është fakt historik se, kur erdhën sllavët në Ballkan zunë fushat dhe u morën me blegtori. Kemi theksuar në kapitullin e parë se serbomalazezët mund t’i kenë vënë emrin fushës “Zadrimë” në njërin nga rastet e përmendura më lart, duke filluar nga viti 592, kur mendohet se e pushtuan krahinën dhe në rastet kur luftërat dhe marrëdhëniet ndërshtetërore e vunë kufirin në lumin Drin. Shumë qendra banimi në këto zona janë të banueshme shumë më parë se të vinin sllavëtnë Ballkan. Të tilla janë Gajtani, Trashani, Blinishti, Dajçi, Sapa, Guri i Zi, Sarda, Beltoja, Bushati, Kakarriqi etj. Asnjëri prej emërtesave të këtyre qendrave banimi nuk kanë origjinë sllave. Shqipe i kanë emërtesat edhe qendrat me banim më të vonë. Nëse do të ishin banorët cernagoras, do t’u kishin vënë emrat në gjuhën e tyre. njëkohësisht Zadrima ka veçoritë e saj krahinore, por në totalin kombëtar ato janë veçori të kombit shqiptar pa as edhe një influencë sllave siç mund të vërehet te ndonjë zonë pranë serbëve ose malazezëve. Edhe kjo zonë ka ndonjë emërtesë të pushtuesve të ndryshëm, të cilat janë vënë gjatë pushtimit. Kështu kemikroni Grek (greke), Shandërtat, praromi (latine), Manite (italiane), Beqire, (truke), Dragie (sllave). Gjenden edhe emërtesa të huazuara si në mbarë Ballkanin si suka (kodër), rjeka (lum i vogël), etj. Ka edhe emërtesa ku ata ndërtuan ose riparuan si Ura e Shkinës në Blinishtin e Vjetër, por në të njëjtën rrugë është edhe Ura Plakgjon, emër i cili është mirëfilli shqip. Më gjatë këtë mendim e kam argumentuar në artikullin e gazetës “Republika”, datë 28. 07. 1998. Dihet se Zadrima është shpopulluar disa herë, por edhe populluar nga banorë të tjerë, njëkohësisht me banorë të rinj. Ajo nuk është shpopulluar asnjëherë plotësisht dhe njëkohësisht as populluar me tërë banorët të ardhur. Ruajtja e zakoneve, traditave, veshjes, riteve të vdekjes e të dasmës dhe tërë etnisë krahinore, del se vendasit kanë qenë gjithnjë shumicë dhe më të zhvilluar, se ardhësit janë asimiluar plotësisht në mënyrë të vazhdueshme. Asimilimi i të ardhurve ka qenë shumë i shpejtë nga detyrimi i integrimit. Të ardhurit në këtë krahinë kanë qenë nga Zadrima e sipërme, nga Kosova, nga Mirdita e sotme. Ka patur ndonjë studiues mediokër që banorët e saj i ka quajtur mirditorë ose kosovarë. Emri Mirditë është më i ri se emri Zadrimë. Ajo është një krahinë me banim të hershëm por themelimi i traditave është i etnisë krahinore të saj është Nderfandia. Kurse emri i sotëm krahinor lidhet me feudalin dibran Myrr Didi, i cili sundoi në Nderfandi dhe në tërë zonën e Kastries. F. Noli aludon se zona e gjerë nga Va Spasi duke pasur kufi Fanin e Madh dhe deri në Mat ishte Kastria. Në Zadrimë shumica e të ardhurve janë nga Zadrima e Sipërme dhe nga Mirdita dhe Kosova si dhe një numër relativisht i vogël kanë ardhur nga Kruja, Kurbini, Miloti. Disa familje mbajnë llagapet e vendeve nga kanë ardhur, si Kurbinët e Trashanit, Milotët e Dajçit, megjithëse janë asimiluar plotësisht. Rrugët e ardhjes së tyre kanë qenë të ndryshme: 1. Si shërbëtorë të fshatrave zadrimorë, duke u integruar e asimiluar kanë hyrë në jetën e popullsisë vendase; 2. Duke blerë prona vendasve të larguar për në qytete. Duke përjashtuar Blinishtin, gjithë emrat e fshatrave të tjerë bartën si mbiemra familjesh ose fisesh në qytetin e Shkodrës. Ndonjë rast vërehet edhe në Ulqin, Tivar apo Durrës; 3. Ka pasë banorë të sjellë si kolonë nga turqit, por numri i tyre ka qenë i pakët. Në kohën e Koncilit të Arbërit statistikat na japin vetëm nëntë shtëpi myslimane në fushën përtej Drinit. Të ardhurit në shekullin XX nuk janë asimiluar, jo vetëm për arsye të kohës së shkurtër të ngulimit, por se kanë zbritur në një ngulim të përbashkët mbasi janë larguar krejtësisht vendasit. Kështu ka ndodhur plotësisht në fshatin Dragushë edhe pjesërisht në lagje të veçanta dhe të vetmuara në fshatrat Paçram, Dheu i Lehtë, Ndaraç, Nenshat, Krajen, Fishtë, Tashan, Kallmet, Raboshtë etj. Për periudhën e pushtimit turk kemi të dhëna më të sakta si nga kronikat ashtu nga regjistrat e ndryshëm të asaj kohe. Në shekullin XVI shumë banorë të kësaj fushe u larguan për t’u shpëtuar raprezaljeve turke e dhunës për t’i detyruar të ndërronin fenë. E gjithë fusha pothuajse u shkretua, u prishën vreshtat dhe pemëtoret, tokat mbetën djerr. Zona kishte fare pak banorë dhe këta më shumë të moshuar pa mundësi ripërtëritje të popullsisë. Qeveritarët turq tentuan të sjellin kolonë të myslimanizuara brenda e jashtë vendit. Kleri katolik dhe rrethet patriotike në zonë e jashtë saj nxitën dhe përshpejtuan ardhjen e malësorëve nga malësitë përreth si: Zadrima e Sipërme, Malësia e Madhe, Dukagjini, Mirdita dhe deri nga Rrafshi i Dukagjinit, kryesisht në ato zonao ku turqit kishin të vështirë të hynin e të myslimanizonin. Në fillim të shekullit XVII të ardhurit u bënë mbështetje e fuqishme e vendasve në luftën antiturke. Atëherë fshatrat e kësaj zone organizuan kryengritje të fuqishme dhe me kërkesa të mençura, të orientuara dhe të mbështetura nga Vatikani. Atëherë Sulltani turk, duke parë rrezikun, e shpalli këtë krahinë Vakëf të tij (Pronë direkte e Sulltanit, të cilit i shkonin të ardhurat). Feudalët vendas nuk u kënaqën me taksën e vogël që paguanin zadrimorët dhe, duke shfrytëzuar mundësitë që u jepte ligji i kohës, mbase edhe toleranca e qëllimshme Sulltanit, periodikisht i shtuan ato, duke e bërë jetën e fshatarëve gjithnjë e më të varfër. Këto rethana u bënë shkak për një pakësim të ri të popullsisë në shekullin XVIII. Ajo u largua nga kjo krahinë, duke shkuar brenda dhe jashtë atdheut. Kjo ikje e popullsisë nuk qe e shpejtë si në fund të shekullit XV dhe në fillim të shekullit XVI. Ajo filloi në gjysmën e parë të shekullit XVII dhe zgjati deri në fillim të shekullit XIX, pra zgjati rreth 200 vjet. Me shpalljen e Tanzimatit kristjanët e perandorisë otomane fituan të drejta ligjore të njëllojta me myslimanët. Kjo bëri që në Zadrimën e braktisur nga afro gjysma e popullsisë, të vërshonin banorë nga malet e krahinave përreth dhe deri nga Kosova. Ky është popullimi i tretë i kësaj krahine gjatë pushtimit turk. Në fillim të shekullit të njëzetë do të shohim se do të ketë një largim të banorëve të besimit mysliman dhe zëvendësimin e tyre me banorë nga krahinat malore. Këtë vërshim të banorëve të krahinave malore në Zadrimë do ta shohim si të vazhdueshëm në gjysmën e dytë të shekullit XX e veçanërisht dhjetëvjeçarin e fundit të tij. Arrijmë në përfundimin se kjo krahinë shtrihet nga Shkodra deri në Lezhë. Meqenëse ka qenë krahinë e begatë dhe me veprimtari të shquar patriotike dhe kulturore e fetare rrezatimi i saj ka qenë shumë i fuqishëm në qytetin e Shkodrës e në rrethinat e saj si dhe përtej Bunës deri në afërsi të Ulqinit. Popullsia është vendase dhe e ardhur, por ka dominuar ajo vendase dhe e ardhura është asimiluar plotësisht. Pjetër Gjoni Shqipëria, kjo shoqe e pashoqe e otomanizmit Për komunizmin “shqiptar” është folur e shkruar mjaft që në vitet kur ai ishte bishë e tërbuar, e gatshme të shqyente këdo, qoftë edhe këlyshët e tij që guxonin të kundërshtonin sadopak politikën e pushtetin me të cilën “kollonisnin” Shqipërinë “Londineze”. Por është shkruar e folur edhe pasi kjo bishë e kuqe ngrodhi, pas vitit 1990, kërma e së cilës ndonëse kaloi në mauzoleumin e historisë ende kundërmon erë të keqe, e cila bezdis Europën, por mjerisht edhe tmerron shumë shqiptarë. Ndërsa pasardhësit e komunizmit të veshur “SHIK”, por edhe të parfumuar për të mbytur erën e keqe që trashëgojnë, e që përsëri dallohet, por nga ne shqiptarët mjerisht harrohet, pasi vazhdojmë të kemi hundët tona tepër të zëna nga parfumi dehës i përzier shpesh me drogë e elementë të tjerë gjumëndjellës e pse jo kobndjellës. Gjithsesi, për të vërtetuar se çfarë shkruhej e si vlerësohej komunizmi “shqiptar” para vitit 1990 po riprodhojmë një fragment nga revista franceze e vitit 1986, e destinuar për lexuesin e huaj me titull “Afrika e Re”, e cila ndër të tjera shkruante për Kadafin e Libisë: “Përfytyro i dashur lexues se ç’njeri është ky drejtues shteti, se në çfarë shkalle ka arritur marrëzia e tij, aq sa kërkon të ndërtojë në vendin e tij një Shqipëri të Saharasë…” Se mos i kujtohet ndokujt ajo kohë kur qengjat e kecat e rritur me mund nga “skllevërit” shqiptarë i dërgoheshin si shenjë mirënjohjeje po Kadafit, për të festuar në vendin e tij Ramazanet e Bajramet, ndërsa ne të gjithë shkonim drejt ngrënies së barit. Ndërsa sot kemi trashëgimi shëmbëlltyrën më të përçudnuar që komunizmi shqiptar e la pas, dhe e quante vepra më e shkëlqyer e tij, “Njeriu ynë i ri”. Është pikërisht ky njeri, që në vend të kërkojë ndihmë nga Europa për gjëmën që e ka gjetur në këtë periudhë post-komuniste, vazhdon të “qetësojë” Europën me qetësinë e tij olimpike, madje duke u bërë garant mbi të cilin pushon sot “Tranzicioni” plot nyje, plot gunga. Për të justifikuar titullin e shkrimit le të shkelim në “shtigje” të pashkelura, duke krahasuar komunizmin “shqiptar”, jo me komunizmat sallvo-lindorë nga edhe erdhi fara, e cila nën veprimin e kushteve ekologjike shpërtheu në mutacione të cilat nuk i ngjanin as komunizmit e as fashizmit, madje për këtë unë mendova jo pa “vështirësi” t’i “gjej” vetëm një “shoqe” të pashoqe Otomanizmin. E ndonëse ky Otomanizëm kishte sunduar këtë trevë mbi dhjetë herë më shumë, bëmat e gjëmat ngjajnë si dy vëllezër siamezë, aq sa sot këto dy “periudha” përmblidhen me shifrat 450 + 50 vjet baraz me 500 vjet, të cilat na hëngrën jetë nga jeta jonë europerëndimore. E si rezultat i kësaj vonese tragjike, shpesh ne shqiptarët ngutemi me vrap për të zënë vëllezërit tanë europerëndimorë. Por mjerisht nga këto ngutje shpesh jemi rrëzuar e gjymtuar. Natyrisht, për të vazhduar krahasimin mes Komunizmit e Otomanizmit duhet të korrigjojmë diçka që të jetë më mirë në korelacion me kohën, duke e quajtur otomanizmin (e kohëve të reja, pra komunizmin), neo-otomanizëm, pasi shumë taktika ndryshonin për kohën, paçka se strategjia ishte thuajse e njëjtë. I njëjtë ishte edhe vlerësimi “standart” i popullsisë së veriut të Shqipërisë, që për këto dy periudha pushtimi apo sundimi thotë: “Kur hyri turku, apo kur hyri partia (komuniste)”. E hyrja e tyre në këto treva të Europës na kushtoi aq shumë sa për t’i “kujtuar” po riprodhojmë diçka nga “Historia e Shqipërisë” e Tajar Zavalanit, ku në faqen 136, në kapitullin e nëntë me temë “Kthimi në mesjetë”, ndër të tjera shkruan: “Vendosja e turqve në Ballkan çeli një fazë të re në historinë europiane. Kufinjtë e Orientit u shtrinë përmes kontinentit në vend që të ndaleshin në grykat e Bosforit dhe Dardaneleve si në kohën e Romës dhe të Bizantit. U krijua një kontrast i vajtueshëm në mes Europës Perëndimore dhe Europës otomane. Ndëra në botën kristiane filloi rilindja e arteve, letërsisë dhe shkencës, dhe u vunë themelet e qytetërimit të sotëm, në Ballkanin e sunduar prej osmanllinjëve pllakosi dekadenca dhe u zhdukën deri mbeturinat e qytetërimeve të mëparshme. Prandaj mund të themi me të drejtë se vendi ynë u kthye përsëri në errësirën e mesjetës…” Padyshim, ky kontrast negativ për Shqipërinë u thellua në vitet e sundimit komunist apo neo-otoman (1944-1990), ku është i zbuluar si drita e diellit, për të dalluar çdo shqiptar që ende i funksionojnë shqisat dhe truri që Zoti ia fali për t’i ruajtur e vënë në punë e jo për t’i “humbur” në pafundësi. Shqipëria mbas vdekjes së kryeheroit Gjergj Kastrioti, nuk mundi të qëndrojë më shumë se dhjetë vjet pa rënë në kthetrat e çallmës së verdhë otomane, ndonëse qëndresa e saj ishte e pashoqe përballë kësaj perandorie të stërhatashme për kohën. S’po shënojmë të gjitha kryengritjet e pareshtura që bëri arbëri, nga lindja në perëndim, nga jugu në veri, pasi ato janë sa vetë shekujt, por për krahasim po marrim vetëm trevat Veriore të Shqipërisë, të cilat ishin bastioni e promotori i qëndresës e mbijetesës, madje edhe atëherë kur Jugu i Shqipërisë i ishte nënshtruar plotësisht pushtimit otoman dhe ishte bërë pjesë e gjakosjes së Veriut kryengritës nga ushtritë otomane. Le të shkëputim një fragment nga libri shumëautorësh “Krishtërimi ndër shqiptarë”, ku referati i Petrika Thëngjillit me titull “Katoliçizmi në Shqipëri përballë shtetit Osman, (Shek. XVI-XVIII)”, në fq. 230, ndër të tjera shkruan: “…Jo rrallë kthimi i katolikëve në fenë Islame është bërë edhe me dhunë të drejtpërdrejtë. Kështu më 1658 Mehmet Pasha nga Sanxhaku i Vlorës në krye të 12.000 vetëve shkoi në malet kryengritëse të Veriut dhe i detyroi njerëzit e atyre anëve të bëhen turq, d.m.th. musliman ose robër të Vezirit të madh”. (Vepra e cituar nga ky autor është e O. Marquet… fq. 74). E për ta vazhduar këtë tmerr që hoqi Veriu i Shqipërisë po citojmë përsëri një fragment nga faqja 140 e “Historisë së Shqipërisë” të shkruar nga Tajar Zavalani, i cili ndër të tjera thotë: “… von Hammer Purgstall, autor i një historie klasike të perandorisë Otomane, përshkruan kryengritjen e fisit Kelmendi në fillimin e shekullit XVII: Guvernatori i Bosnjës Xhuxh Pasha u dërgua me një ushtri turke për të shtypur kryengritjen. Gjysma e kryengritësve pranuan të pushojnë luftën,mbas një sigurimi se do të respektoheshin liria dhe të drejtat e tyre tradicionale, gjysma tjetër vazhduan luftën deri në pikën e fundit. Guvernatori fitues dërgoi në Stamboll si provë të suksesit të tij shumë “krena rebelësh” të therur me të pabesë.” Gjithsesi raste të tilla ka me dhjetra që nga pushtimi i kryeqendrës së Veriut të Shqipërisë, Shkodrës, (1478), por unë theksova dy momente të dokumentuara mirë dhe sinjifikativë që siç paralajmërova janë identike për nga realizimi i masakrave e pushtimit të trevave veriore të Shqipërisë. Për këtë kujtojmë se ishin pikërisht trevat Veriore (Malësisë së Madhe, Shkodrës, etj.) që u ngritën të parët në kryengritjen antikomuniste, që në dhjetor 1944, Janar 1945, 1946 e vazhdim. Padyshim masakrat që u përdorën kundër kësaj popullsie liridashëse janë të njëjta me ato të Otomanëve të cilësuar më sipër, ku si dhuratë “Padishahut” të ri nuk i dërguan koka të prera, por trupa të vrarë, të djegur e të masakruar. Madje ky masakrim nuk kurseu as ata që u dorëzuan në “Besë” të komunistëve, si stërgjyshërit e tyre tek Otomanët. Ndërsa ndërrimi i besimit përsëri ishte shkaku, por tashmë nuk kërkohej të bëheshin muslimanë, pasi dishepujt e kuq kërkonin që shqiptarët të bëheshin besimtarët e “fesë” së re Komunizmit, që mjerisht përsëri mbaronte me Izëm dhe vinte po nga Lindja… E si për inat të skeptikëve të këtij krahasimi emri i komandantëve masakrues në dy kohërat ishte “Mehmet”, edhe pse mbiemrat ndryshonin, ata vinin nga i njëjti vend, “magazinat” e antishqiptarisë të “ndërtuara” prej shekujsh në Jug… Gjithsesi një nga masakrat e padëgjuara as në regjimet më gjakatare të shekujve ishte lufta e pa princip që u është bërë institucioneve shpirtërore të besimeve dhe klerit që i drejtonte këto institucione, ku më i sulmuari e i persekutuari ishte besimi kKatolik. Qindra klerikë dhe hierarkë të besimeve të ndryshme, Katolik, Ortodoks e Musliman, u pushkatuan, u burgosën, u internuan e u poshtëruan, me të vetmin faj se i qëndronin besnik binomit shumëshekullor Fe e Atdhe. Por kulmi arriti pas vitit 1967, kur besimet u ndaluan me ligj, dhe shteti shkatërroi ose tjetërsoi të gjitha objektet e kultit, duke përfshirë edhe ato që akumulonin e rrezatonin histori e autoktoni të trojeve tona. E nëse në kohën e pushtimit Otoman mbi rrënojat e kishave e manastireve u ngritën xhami e objekte të tjera të kultit Islam, ndërsa ato pak që shpëtuan u përshtatën po në objekte të këtij besimi, në kohën e komunizmit ose këto rrënoja që i shkaktuan i lanë në shenjtërinë e “harresës”, ose ato që nuk i prishën i përshtatën në objekt të kultit komunist, si vatra kulture, kinema, zyra apo diçka tjetër, nga ku propagandohej e predikohej besimi “i Ri”, si i vetmi “besim” e “zhvillim” për Shqipërinë. Tashmë mungonin hoxhallarët apo imamët e kohës otomane, por në vend të tyre “predikonin” hierarkët e kuq, sekretarë të parë, e sekretarë të tjerë të niveleve të ndryshme që “besimi i ri” kishte pjellë pas barsimit me frymën e “shenjtë” të Lindjes. E nëse në kohën otomane njerëzit dënoheshin me ligjin e shenjtë (Sheriad), në kohën e komunizmit ky ligj që dënonte kundërshtarët e tij quhej Diktatura e Proletariatit (Diktatur = Hu, ndërsa Proletare = Hore, pra me hurin e horit) e cila ishte bibla apo kurani i “besimit të ri”. Ndërsa “shenjtorët” apo pejgamberët e komunizmit ishin ca surrogato me emra të njohur, por zëvendësi i Jezu Krishtit apo Muhametit u kërkua të na imponohej komunisti me origjinë të dyshimtë E. Hoxha, që “fillimisht” filloi të paraqitej si një Sulltan e më vonë shejtan. Të gjithë “heretikët” e këtij besimi kaluan në kalvarin e ferrit komunist që më e lehta do të thoshte “riedukim” që zgjaste deri me dhjetra vjet në kampe apo burgje që kishin për “mbiemër” vetëm tmerrin. Pa llogaritur privimet pafund për punësim, shkollim e vendbanim. Dhe për të bërë një krahasim më konkret për tragjedinë që është luajtur mbi kurrizin e atyre që nuk i përkisnin besimeve sunduese detyrohemi t’i referohemi faqes 146 të “Historisë së Shqipërisë” nga ku sjellim: “…Por kristianët e perandorisë Otomane vuanin nga shfrytëzimi ekonomik pa kufi, dhe nuk kishin të drejtë as të ankoheshin, as të kërkonin drejtësi nga qeveria e sulltanit. Një i krishterë mund të pësonte poshtërime, grabitje dhe bile vrasje nga dora e një muhamedani (kupto në krahasim nga dora e një komunisti N.B.) pa pësuar asnjë dënim. As ankimi e as dëshmia e një kristiani nuk pranohej në gjyqin e një kadiu. Kleri Ortodoks i kryesuar nga Patriku i Fanarit ishte bërë në shumë raste aleat që të mos themi vegël e qeverisë Otomane…”. Ndërsa të zezat e Otomanizmit që kanë për shoq vetëm të zezat e Komunizmit vazhduan pa mbarim, të bën përshtypje shpronësimi e grabitja e pronave të të gjitha niveleve, ku edhe këto ka një përputhshmëri në një përqindje shumë të lartë në mes të Otomanizmit dhe Komunizmit, ku për ta vërtetuar këtë fillimisht po citojmë pak rreshta nga faqja 423 e librit, “Pjetër Bogdani, letra e dokumente” (Shkodër 1997) të O. Maruqet, ku ndër të tjera shkruhet: “…Kështu ndodhi më 1571, më 1683 etj. Më 1688 Jegen Pasha, në krye të një ushtrie prej 100 mijë vetësh hyri në Kosovë duke bërë plaçkitje dhe fitoi aq shumë pasuri, sa thuhet se ia kaloi edhe thesarit të Kostandinopojës. Kudo mbolli shkatërrim, pikëllim, çoroditje dhe hidhërim. Kishat u mbyllën dhe populli iku në male…”. Ndërsa në kohën e komunizmit kemi dëshmi e fakte të jetuara e dokumentuara që pikërisht me këtë metodë e tmerr u krye shpronësimi e grabitja e milionave napolona e relike të tjera ari e argjendi, ku sipas shtypit të kohës ky ar peshonte tonelata të tëra, ndërsa në dokumentet e shtetit komunist figurojnë disa kilogram! Natyrisht “Jegen Pashët” e rinj, E. Hoxhët, H. Kapot, e tjerë ishin ata që me pasurinë e grabitur sfiduan jo vetëm kryeqytetin e tyre, por edhe kryeqytete me traditë e zhvillim të Ballkanit e të Europës. E si për “koinçidencë” në të dy regjimet këto bëheshin gjoja me ligj (e maliq) të kohës, ndërsa pronat e tjera jo vetëm u grabitën e tjetërsuan, por u sakatuan e gjymtuan pa derman. Konkretisht në kohën e Otomanëve u shpronësuan me mijëra pronarë të ligjshëm që nuk pranuan besimin e ri Islam, dhe këto toka iu dhuruan besimtarëve të rinj të tyre, duke i quajtur me tituj të ndryshëm fisnikërie, që mjerisht disa i trashëgojnë edhe sot, ndërsa në kohën e komunizmit këto toka u rishpërndanë me të famshmen reformë agrare, e deri duke i bërë kooperativa, ndërmarrje apo diçka tjetër ku skllevërit e rinj punonin si dikur (në otomanizëm) në Timarë, Ziamete e të tjerë të bejlebejve të rinj me emra modernë. E po të vazhdohet kështu me citime librash e shkrimesh do vijohej në pafundësi me krahasime e “barazime” të metodave antinjerëzore që përdorën këto dy sundime e pushtime. Por, për të mos mërzitur lexuesin do të vazhdojmë me disa argumente “telegrafikë” të cilat përveç kohëve që u përdorën nga dy sundimet ngjasojnë si dy pika loti. Shkollimi në dy periudhat përshkohej, në kohën Otomane nga boshti i verdhë i mësimeve dhe filozofisë të Kuranit, ndërsa në kohën Komuniste po nga boshti i kuq i filozofisë të “Besimt të ri” Mark-Leninizëm. Lufta kundër familjeve intelektuale e të shkolluara në perëndim, dhe familjeve të fisme, e në vend të tyre u krijuan intelektualë e familje të tjera mbi të cilat mbështeteshin dy pushtimet, ku në përgjithësi njerëzit që drejtonin ishin nga më horët e kriminelët, madje në shumicë edhe të paarsimuar, kovaçë, karrocierë, fshesaxhi, ku u bënë hierarkë të partisë e shtetit komunist, por edhe vezirë, pashallarë e deri kryevezirë u bënë në perandorinë Otomane. Në krye të punëve të dy pushteteve shpesh kur nuk gjenin shqiptarë përdorën mercenarë; Otomanët i sillnin diku nga Iraku, Egjipti, Turqia etj., ndërsa komunistët morën me bollëk nga minoriteti greko-ortodoks. Në kohën e perandorisë ziente lufta e brendshme në mes vezirëve, pashallarëve e hierarkëve të tjerë, ku intriga ishte leva që ngrinte e zbriste karrieristë të etur për pushtet, por edhe komplotet ishin “kripa” që mbante të shijshëm vetë pushtetin, e si për mrekulli, po intriga dhe komplotet ishin levat që ngrinin e zbrisnin edhe hierarkë e pushtetarë komunistë, madje edhe përdorimi i këtyre dy “levave” ka fare pak ndryshime, pra vetëm ato që u impononte koha. Izolimi i vendit nga bota e zhvilluar europerëndimore, madje moslejimi i futjes dhe përdorimit të mjeteve moderne të botës Kristiane, kujtojmë se Otomanët nuk lejuan që të përdorej makina e shkrimit dhe as lugët metalike, madje nuk lejohej as fotografimi e tjerë, ndërsa komunistët jo vetëm nuk lejonin futjen në Shqipëri teknologjia e përparuar europerëndimore, por në vend të saj sillnin teknologji të shekujve të kaluar, ku kampion do të mbetet “kovaçhania” moderne kineze që u ble për një kombinat modern (Metalurgjik) e tjerë. Në të dy kohërat u ndërhy edhe brenda familjes, ku Otomanët nuk lejonin martesat e Muslimanëve me Katolikët, ndërsa komunistët nuk lejonin martesat në mes komunistëve dhe shtresave të tjera jo komuniste. Në kohën Otomane kërkohej të mbulohej e përçudnohej gruaja e vajza shqiptare, ndërsa në komunizëm duhej të visheshe me një tip veshje që e kishte “miratuar” Partia Komuniste, ku shpesh përçudnonin jo pak hijeshinë e bukurinë që vetë Zoti i kishte falur racës sonë. Për të kontrolluar çdo cep të jetës njerëzore e shoqërore, Otomanët krijuan hafijet, ndërsa komunistët spiunët, ku të dy palët nuk kursenin për të spiunuar tek shefat e tyre askënd, duke përfshirë edhe njerëzit e tyre më të afërt të gjakut… Në të dy sundimet në vend të shpresës për një jetë më të mirë, u kultivua smira dhe inati për këdo që punon, përparon e jeton, aq sa sot shpesh thuhet (si qesh ngjesh), se, nëse popujt e Europës Perëndimore i mban shpresa, shqiptarët (natyrisht jo të gjithë) i mban inati. Edhe shitja e interesave kombëtare e deri e trojeve safi shqiptare janë një karakteristikë e përbashkët e Otomanizmit e Komunizmit, ku sa për ilustrim kujtojmë “shitjen” e trevave shqiptare nga Jugu në Veri, por më sinjifikative, do të mbesin “shitja” tek Sllavët e Jugut e trevave të Malësisë së Madhe dhe Kosovës… E së fundi vjen promotori, forca lëvizëse e shoqërisë komuniste, Lufta e Klasave, ndërsa në Otomanizëm kjo quhej Lufta e Shenjtë (Xhihadi), ku pa as më të voglin dyshim ishte vërtetë forca lëvizëse e shoqërisë, por jo drejt progresit e mirëqenies, por drejt mjerimit e greminës që na kishin përgatitur këta dy pushtues apo sundues, mbeturinat e të cilëve janë pengesa numër Një që na lënë pas dyerve të Europës së zhvilluar e të qytetëruar. Përveç argumentave që “renditëm” gjatë pushtimeve e sundimeve të Otomanizmit dhe Komunizmit, themi se “kapakun” e ekuivalencës ja vë për bukuri edhe një fenomen “shoqëror” post-Otoman e post-Komunist, që vringëllinte armët e një lufte civile të paprecedent. Së pari, pas rrëzimit të pushtimit Otoman në Shqipërinë e Mesme u krijuan çetat rebele të dallkaukut Haxhi Qamili, të cilat me zjarr e hekur kërkonin të shkatërronin pavarësinë e lirinë, me “parullat” “Duam Babën”, ku me këtë kuptohej Sulltani e Otomanizmi. Së dyti pas rënies së sundimit komunist (shkurt 1991) u krijuan çetat e “reja” rebele me emrin Vullnetarët e Enverit (pra të sulltanit të kuq), të cilët po me zjarr e hekur kërkonin të “kthenin” Baba Enverin e komunizmin, pra, me këtë rast neo-otomanizmin, por vetëm me një ndryshim, se Haxhi Qamilët ishin disi më të shumtë. Natyrisht, argumente të tilla mund të gjenden pambarim, por mbase vetë këto dy perandori (Otomanizmi dhe Komunizmi) kanë “mbaruar” themi se janë të mjaftueshme për të justifikuar jo vetëm titullin e shkrimit, por edhe për të krahasuar më realisht Komunizmin “shqiptar”, i cili u largua nga vetë komunizmat e tjerë aq larg sa i akuzonte si revizioniste, social-imperialiste e shërbëtore të Kapitalizmit, duke përfshirë edhe vetë djepin ku u përkund e u rrit fara e kuqe, Bashkimin Sovjetik, e cila u mboll edhe në Shqipërinë “Londineze”. Gjithsesi, këto që thamë më sipër duhet të jenë si “këmbanë” për të rinjtë e Shqipërisë, që siç thuhej dikur (rëndom), ata janë e ardhmja, dhe do të marrin në dorë stafetën e shqiptarisë. Për ta mbyllur këtë analizë, këtë gjykim pikërisht për këta të rinj, po citojmë Papa Gjon Palin e dytë, ku në librin me intervista të Vittorio Messorit, në faqen 138, Shenjtëria e Tij ndër të tjera thotë: “…Në këtë vështrim të rinjtë e sotëm, rriten në rrethana të tjea. Ata nuk kanë përvojën e Luftës së Dytë Botërore. Për më tepër shumë prej tyre, nuk kanë njohur ose nuk mbajnë mend luftën kundër Komunizmit, kundër shtetit totalitar. Ata rrojnë në lirinë që të tjerët e kanë fituar për ta, dhe në një pjesë të madhe kanë rënë pre e kulturës së konsumit…”. Padyshim edhe kujtesa për të kaluarën e ka një çmim, por shumë më të lehtë se harresa. Ndue Bacaj Françesko Santori, arbëreshi që bëri histori brilante Vëllezërit tanë arbëresh, ky thesar i çmuar i vlerave më të spikatura të kombit tonë, vazhdon të gjallërojë dhe sot pas më shumë se pesë shekujsh duke ruajtur karakterin tipik të trungut (1800-vjeçar) Arbër. Arbëreshët, kjo pjesë ndër më cilësoret dhe më vitalet e kësaj toke të lashtë, ndonëse dallgët e jetës i përplasën në anën tjetër të Adriatikut, si fanarë të pashuar rrezatuan dritë në tokën amë, gjatë natës së gjatë dhe të errët pesëqindvjeçare të pushtimit osman. Aty u ruajt i pacënuar morali kristian-arbënor, në atë moral religjioz që pati ligjëruar që në fillimin e shek. IV, dardani i shquar Konstandini i Madh. thellësitë e Adriatikut, asnjëherë nuk arritën të ndërpresin atë fill të artë, që bashkon vëllezërit me njëri-tjetrin. Kontributi moral dhe kulturor qe i madh, dhe i pandërprerë në ngritjen e moralit dhe të ndërgjegjes kombëtare për qëndresën ndaj asimilimit, për ruajtjen e kulturës, gjuhës dhe traditave më të mira që kombi ynë i ka trashëguar. Në fushën e letrave, arbëreshët kanë një kontribut parësor, sidomos në shekujt XIX-XX. Dhe padyshim njëri ndër këta figura është dhe autori që do të citojmë më poshtë: “Santori u lind më 16 shtator 1819 në Shën Katerinë të Kozencës-Arbëreshe. Ndonëse pjesën më të madhe të jetës e kaloi si murg, ai mori pjesë aktive në të gjitha ngjarjet e kohës së vet duke simpatizuar lëvizjen çlirimtare për bashkimin e Italisë dhe duke treguar interes dhe preokupim të veçantë për lëvizjen kombëtare në Shqipëri. Dhe, natyrshëm, miqësia e tij me De Radën e përforcoi dhe e ngriti në një nivel akoma më të lartë interesin e tij për t’iu përkushtuar atdheut të të parëve. Këtë interesim e shfaq që në veprat e tij të para që mundi të botonte: përmbledhjen me vjersha “Këngëtorja arbëreshe” (11 canionere albanese – 1846-47), poemat “Vallja e haresë së madhe” (botuar më 1848 tek numri i parë i të përkohëshmes “Arbëreshi i Italisë”), poemën italisht me disa pjesë shqip “I burgosuri politik” (1855) në një vjershë të botuar në përmbledhjen poetike kushtuar Dora d’Istrisë më 1870 dhe në ndonjë botim tjetër. Vlen të theksojmë se Santorin e shqetësojnë edhe plagët shoqërore të realitetit të kohës. Dhe, pikërisht njërës prej këtyre plagëve të dhimbshme, – cubërisë – ai i kushton një dramë, të cilën mundi ta botojë në gjallje vetëm pjesërisht, “Emirën”. Santori, qe gjithashtu njëri ndër folkloristët tanë të parë, dhe iu vu edhe hartimit të një fjalori të shqipes. Santori botoi edhe dy libra me karakter fetar, në njërin prej të cilëve, “I krishteri i shejtëruar” (1855), ai riprodhoi disa faqe nga vepra e Pjetër Bogdanit, gjë që konfirmon interesin e tij për letërsinë e zhvilluar që herët në Shqipëri. Dorëshkrimet e Santorit i ruan, shumicën, Biblioteka e qytetit të Kozencës, ndërsa fabulat gjenden në Arkivin tonë të Shetit. Vlen të sqarojmë, se në Arkivin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë ndodhen gjashtë novela në vargje të Santorit, dhe që autori i quan “romanceta”, disa prej të cilave, mbas shumë vitesh (apo mbas një shekulli) dhe pikërisht në vitin 1977, u botuan në Kozencë nga L.K. Fostino, si p.sh. “Brisandi Letizia e Udhalleni”, ndërsa “Panaini e Dellja” e “Familja pushtjerote” u botuan së bashku në një vëllim më 1979 në Romë nga Xh. Gradilone, (të dy studiues arbëreshë). Në poemën “I burgosuri politik”, në formë mbizotëron karakteri përshkrues e retorizmi dhe natyrisht ndihet edhe ndikimi i letërsisë italiane. Vepra trashëgon disa mjete shprehëse të klasicizmit por në thelb është romantike për patosin e saj ideoemocional. Pjesën më të qenëshme të saj, e përbëjnë vjershat lirike të shkruara arbërisht, që shërbejnë si intermezo dhe, duke marrë jetë nga poezia popullore, janë të çiltëra, të sinqerta, me një lirizëm të spikatur. Siç e thamë më lart, Santori ka lëvruar dhe “Novelën në vargje”. Subjektet e novelave të tij janë të kërkuara me plot të papritura e pasione të trazuara. Ndër të gjitha këto depërton fryma e kohës dhe kemi mjedisin Arbëresh. Novelat e Santorit përshkohen nga një dramatizim i vrazhdë, që buron më shumë nga situatat sesa nga karakteri. Në këto krijime narrative në vargje ndihet prirja romantike për të përshkruar pasione të fuqishme. Nga ana artistike, novela më e realizuar (nga gjashtë novelat e tij) është “Panaini e Dellja”, që çoi më tej aftësinë prej psikologu të autorit, dhënien e tabllove të zakoneve arbëreshe dhe të natyrës, figuracionin poetik. Në këto “romanceta” ndihet mjeshtëria narrative e Santorit, që do të zhvillohet në mënyrë më të dukshme te romanet, si dhe mjeshtëria dramatike e cila do të gjejë shtjellimin e vet të plotë në krijime dramatike të mirëfillta. Santori ka shkruar lirika dhe satira ku mund të shquajm “Këngëtorja arbëreshe”. Ajo përbëhet nga 14 vjersha të rimuara, 4 këngë (kantika), dy balada dhe një odë. Ndërsa në satirë, në 31 krijimet e tij, problematika shoqërore është më e thellë se te “romancetat” dhe tehu i kritikës më i mprehtë. Humori i Santorit, i lehtë, i këndshëm, si vjersha “Berberi” ku, problemet e mprehta shoqërore dhe sociale trajtohen me mjaft korrektësi, duke goditur çdo element negativ të shoqërisë borgjeze. Më e fuqishme nga kjo pikpamje është vjersha “Zarritasi”. Aty shigjetat satirike të autorit godasin me mjaft mjeshtëri artistike, qeverinë dhe demagogët e saj. Santori, ndër të parët në letërsinë tonë, krahas Pashko Vasës, lëvroi llojin e vështirë të romanit duke shkruar vepra voluminoze. Ai është autor i romaneve “Sofia Kominiate”, “Bija e mallkuar”, “Ushtari arbëresh”. Nga kritika jonë Santori njihet kryesisht si dramaturg. Edhe në këtë gjini ai ka dhënë disa krijime, të cilët ende nuk njihen të gjitha. Kështu nuk njohim tragjedinë “Jeroboam” dhe melodramën “Aleks Dukagjini”. Tek ne njihen dramat “Emira”, si dhe tragjedia “Neomenia”. Duhet theksuar se “Emira” është e para dramë e njohur në gjuhën shqipe. Aty trajtohet gjerësisht ajo dukuri e shpeshtë shoqërore në jetën e Italisë së Jugut, që u prek nga Santori edhe ndër novelat në vargje dhe në roman, veprimtaria e cubave. Ajo që vlen të theksojmë është se arbëreshët e ruajtën dhe e kultivuan traditën tonë Arbëre dhe se dhanë një kontribut të vyer në ngritjen e ndërgjegjes tonë kombëtare. Nës hek. XVIII-XIX, kur tek ne “lulëzonin” bejtat arabe, vllezërit tanë arbëreshë lëvronin poezinë e kohës, dhe kjo falë kulturës dhe tolerancës së popullit fqinj italian, i cili është pararendës i kulturës europiane dhe asaj botërore. Atij populli nga gjiri i të cilit dolën kolosët e Rilindjes Europiane, në të gjitha fushat e artit e të kulturës. Arbëreshët, duke ruajtur dhe kultivuar kulturën e të parëve, faktojnë se ata, janë pinjollë të vërtetë të bujarisë dhe artistokracisë së Arbërit. Në pjesën arbëreshe të Kalabrisë gjer në shek. XVIII, hasim vetëm ndonjë sprovë të rrallë të shkrimit të arbërishtes. Por me themelimin në Shën Benedikt Ulano, të Kolegjit (1732), transferuar në shënmitër Koronë më 1796, nisi tek arbëreshët e asaj krahine një lëvizje letrare, e cila megjithatë nuk ishte në nivelin e asaj të Sicilisë, por që pati përfaqësues të zot, midis të cilëve Françesk Avati, mbledhës i parë i këngëve arbëreshe para vitit 1756 dhe veçanërisht poeti Jul Variboba. Në këtë vazhdë kemi arbëreshët tjerë të shquar si Dhimitër Kamarda e J. De Rada (1866). Arbëreshëve nuk iu munguan eroditët, si një Pompilio Ridota. Ky, duke shkruar mbi historinë kishtare, na ka lënë shumë faqe mbi historinë e arbëreshëve, ku një vend i veçantë i kushtohet kohës së lavdishme të Gjergj Kastriotit. Në gjurmët e këtyre arbëreshëve të mëdhenj eci edhe Santori duke lënë pas vepra me vlerë të madhe artistike. Tek arbëreshët gjejmë vëllezërit tanë të vërtetë të një gjaku, gjejmë dhe emrin origjinal të nacionalitetit tonë – Arbëri. Nuk duhet harruar se Letërsia Arbëreshe e ka origjinën që në vitin 1592, kur Lekë Matranga përktheu një katekizëm, nga italishtja dhe u botua në Romë, me titull “E mësuame e Krishterë”. Arbëreshët mbeten model në ruajtjen e fesë së krishterë dhe madhështia qëndron, kur edhe Katekizmi i sipërshënuar me siglën “Doktrina Kristiane” përkthehet në gjuhën amtare. Jam i mendimit se komunikimi dhe forcimi i marrëdhënieve me vëllezërit arbëresh, më shumë se sa përfitues, është një detyrë morale ndërvllazërore. Mark Bregu Shqiptaro-amerikani Lec Zojzi, para vdekjes testamentin ia la Universitetit “Luigj Gurakuqi” Në një kohë kur korrupsioni ka pushtuar sferat më të larta të Pushtetit dhe Qeverisë shqiptare, në një kohë kur me dhjetra shkolla janë pa çati, kur analfabetizmi i ka shtrirë metastazat anekënd Shqipërisë, qeveritarët ndërtojnë grataçela, madje edhe ish-ministrat e Arsimit! Pikërisht në këtë klimë ku absurdi bën ligjin, na shfaqet një fytyrë intelektuali i cili edhe mbas vdekjes, na jep “leksion” tepër të çmuar. Janë pikërisht bijtë e Shkodër-loces, kësaj Nane të madhe e cila, bashkë me qumështin u mëkoi dashurinë për arsimin dhe kulturën. Nga ky djep ka dalë edhe intelektuali dhe atdhetari i shquar Lec Zojzi. Nga Bostoni i Shteteve të Bashkuara, që në vitin 1998 (para vdekjes), lë një “testament” për të pasuruar laboratorin e Gjeografisë së Universitetit “Luigj Gurakuqi”, të qytetit të tij të lindjes. Kjo ndihmë prej 30.000 dollarësh, është një akt qytetari i shkallës së lartë dhe sinjifikati i shpirtit kristian. Në të njëjtën kohë dhe një sfidë për pushtetarët, të cilët po e bastardojnë kapitalizmin në mënyrë të skajshme, duke e kthyer në një kapitalizëm “vulgar” dhe tepër agresiv. Siç e thamë më lart, ky akt thellësisht qytetar dhe human, tregon shkallën maksimale të kulturës së trashëguar, të asaj edukate kristiane e cila në të gjithë parametrat e saj udhëhiqet nga parimi i dashurisë për njëri-tjetrin dhe për dijen, larg çdo koncepti të ngushtë materialist. Sot, kur Shkodra lëngon nga plagët e thella sociale, nga krimi, korrupsioni, papunësia dhe errësira, zëri i (të ndjerit) Zojzi duhet të trokasë në “portat” e zemrës dhe mendjes së çdo qytetari. Shkodra ka më shumë nevojë për arsim, kulturë e mirëqenie sesa për taverna dhe alkool, ku rinia shkodrane “drogohet” çdo ditënën “avujt” e alkoolit (“traditë” e re) jashtë moralit tonë qytetar. Qyteti i Rozafës sot ngjason me qytetet e Indisë, Bombein e Kalkutën, ku ndër “këmbët” e pallateve shtrihen trotuaret e pista e me pllaka të thyera, ku me dhjetra duar të shtrira presin lëmoshën. Është dhe duhet të jetë detyrë parësore morale për çdo qytetar të mëkëmbur, investimi i të gjitha energjive fizike, mendore dhe materiale për t’ia ndryshuar fytyrën qytetit të Rozafës, Dasho Shkrelit e Gurakuqit. Shkodra ka më shumë nevojë për arsim, kulturë, dashuri dhe harmoni, sesa për alkool, duhan e drogë. Jam gjithashtu i mendimit se tek qytetarët dhe intelektualët e shquar si (i ndjeri) Lec Zojzi, duhet të gjejmë “Krenarinë e qytetit” apo “Qytetarin e Nderit”. Jap po i mendimit se Lec Zojzi (në de jure) e ka fituar apriori të drejtën për të qenë “Qytetar Nderi” i Shkodrës, kjo do të ishte më shumë për të nderuar Shkodrën. Së fundi, mendoj se akti i lartë dhe shembulli qytetar i Lec Zojzit, duhet të bëhet frymëzim për biznesmenët shkodranë për të investuar më shumë në favor të artit e kulturës, kësaj “arme” të fuqishme, të cilën askush më mirë sesa ne shkodranët nuk di ta përdorë. Ler të mbesë Lec Zojzi një shembull fisnikërie dhe dashurie për arsimin dhe një bir i shkëlqyer i Shkodrës. Tashmë, Këshillit Bashkiak të qytetit tonë, nuk i mbetet asgjë, veçse në Librin e njerëzve të nderojnë Shkodrën, të rendisin dhe emrin e mirënjohur të Lec Zojzit. Mark Bregu Vazja që u trafikua për transplantim ogranesh në Itali. Rrëfen i ati E nderuara Redaksi, unë që po ju shkruaj jam një qytetar i Bashkisë Koplik, i cili si shumë shqiptarë të tjerë u detyrova të marr (më 1997) udhët e trazuara të mërgimit. E këto udhë më ndalën në Italinë fqinje, ku unë qëndrova rreth katër vite, duke punuar e jetuar si një qytetar korrekt, por që vetë mosha dhe ëndrrat e një të riu bënë që të krijoj lidhje me një vajzë italiane, pra lidhje të një dashurie serioze, me qëllim martesë, e ku frut i dashurisë, për mua u kthye në një frut të helmët për arsyet që do t’i spjegoj më poshtë, e vazhdon të helmojë edhe sot shpirtin tim si Baba i mohuar dhunshëm nga segmente të Mafies italiano-shqiptare, që mjerisht janë të lidhura edhe me vetë shtetin e dy vendeve. Po filloj të spjegoj konkretisht tragjedinë time shpirtërore, e cila me gjithë letrat e kërkesat e mia ka rënë në vesh të shurdhër të Ministrisë së Brendshme Italiane dhe Ministrisë së Rendit Publik të Shqipërisë. Së pari, unë qytetari shqiptar Qemal Meta, pasi kalova peripecitë e emigrantit në Itali, u vendosa në Lecce, nga ku u transferova për 6 muaj në Sicilia a Viagrande (CT). Pas kësaj u transferova në Isola Capo Rizzuto, më saktë në lokalitetin Capo Picolo, ku edhe qëndrova e punva deri në janar të vitit 1999, pastaj u detyrova për arsye pune të rikthehem në Sicilia, pra qëndrova përsëri në lokalitetin Anastasi, ku edhe sigurova punë në “Ndërmarrjen” e Chisari Gaetano i Isola Caporizuto. Zoti Chisari më siguroi punë, por edhe dokumentacionin përkatës për të legalizuar qëndrimin tim si emigrant legal. Gjithsesi këto dokumente u dorëzuan në rregull në Kuesturën e Krotonës (Zyra për të huajt). Siç e thashë më sipër gjatë kësaj kohe unë krijova lidhje intime me italianen zonjushën Anxhela Kurcio (Angela Curcio) me banim në Lokalitetin Anastasi. E nga këto lidhje serioze lindi një fëmijë (vajzë) që u regjistrua rregullisht në regjistrat e Komunës të Isola Caporizzuto, por që mua nga ky moment m’u mohua atësia, por edhe filloi kalvari i fshehjes e deformimit të dokumentacionit që siguronin vend-qëndrimin. Fatkeqësisht ky frut i dashurisë sonë të pastër, nuk u bë “themeli” i lidhjes tonë baskëshortore në mes meje Qemalit dhe znj. Anxhela, por u bë “humnera” ndarëse, jo me dëshirën e ne të dyve, por me dëshirën e mafies raciste italiane, që mjerisht ka lidhje me mafien shqiptare të instaluar në gjymtyrët e këtij pushteti. Dokumentacioni im i ardhur nga Shqipëria në Itali, konkretisht nga Komisariati i Policisë së Malësisë Madhe kishte ardhur i zi sterrë, pra ashtu siç e deshi Mafia italiane. Dhe unë në këto kushte, të cilat filluan të acarohen, pasi merrja shumë telefonata e kërcënime edhe për jetën në Itali, u detyrova të rikthehem i dëshpëruar për në vendin tim, me shpresë se do të sqaroja gjithçka. Por, kur unë erdha për t’u sqaruar në Komisariatin e Malësisë së Madhe, jo vetëm nuk u sqarova, por u kërcënova nga Shefi i Komisariatit se nëse këmbëngul do të arrestojmë… Për të gjitha këto që thashë më sipër unë kisha informuar organet më të larta italiane deri Ministrinë e Brendshme, por nuk kam marrë asnjë përgjigje, edhe pse letra i është dërguar që më 6 gusht 2001. Por letra i kam dërguar edhe Ministrit të Rendit Publik të Shqipërisë, zotit Luan Rama, por edhe këtu vazhdon heshtja, ndonëse letra është dërguar që më 21 tetor 2002. Gjithsesi unë, për sa thashë më sipër, disponoj dokumentacionin përkatës, por me sa duket segmentet mafioze të dy shteteve nuk janë të interesuara të zgjidhin hallin tim, si baba i mohuar i fëmijës tim tashmë dyvjeçar, fati i së cilës nuk dihet nga unë, pasi sipas disa njerëzve të mi në Itali, ky fëmijë është adaptuar, por për çfarë, për t’u rritur në një ambient mashtrues apo për të mos jetuar, pasi mund t’i merren organet e saj për transplantim. Gjithsesi në këto kushte të një tronditje psiqike e shpirtërore të një babai të mohuar dhunshëm jo vetëm për t’i njohur atësinë, por mbi të gjitha për të parë e përqafuar frutin e dashurisë tashmë të mohuar padrejtësisht, nga Shteti Italian, por edhe pa asnjëlloj ndihme nga shteti im. Unë me këtë letër kërkoj të sensibilizoj sadopak opinionin, por edhe organet kompetente shqiptare e italiane, që nëse u ka mbetur një pikë ndjenjë njerëzore e prindërore të më ndihmojnë mua për të parë e përqafuar familjen time të parë, frutin e gëzimin e parë të jetës sime. Por përsëri unë dyshoj se mafia do të bëjë që unë të vazhdoj fatin tim të mjerë që prej kohësh, duke dëshmuar edhe njëherë se segmente të shtetit italian e mbi të gjitha atij shqiptar janë nën influencën e Mafies së kuqe, të zezë apo çfarëdo ngjyre. Duke e mbyllur këtë letër disi dëshpëruese, unë edhe njëherë u bëj thirrje autoriteteve shqiptare e veçanërisht Ministrit tonë të Rendit, z. Luan Rama, që të më ndihmojë mua babanë e mohuar, shtetasin shqiptar, i cili kërkon të shohë krijesën e lindur nga dashuria vërtetë me një të huaj, por ama me një qytetare të Europës Perëndimore, të cilës i përkasim, e për të cilën pretendojmë të jemi pjesë e saj. Me respekt e shpresë për redaksinë e Gazetës “Shqipëria Etnike”, e cila ka një rol të pazëvendësueshëm në mediat shqiptare që u rreh zemra për Demokraci e Shqiptari Qemal Metaj “Oborret e Shkodrës”, një libër që dëshmon një dekor të bukur kombëtar… Një njeri i urtë i Shkodrës ka thënë: “-Mos thuaj se kur ke ardhë në Shkodër, por kur je bërë shkodran”. Ky postulat i urtësisë popullore, ka në thelb një filozofi bindëse dhe domethënëse. Nuk ka rëndësi se kur e ngre çerdhen tënde në këtë qytet zulmëmadh dhe hallemadh! Rëndësi ka ka se sa e do atë, e sa përpiqesh ta njohësh atë, dhe së fundi, çka dhe sa bën për të. Dhe, nëse për të tri këto pyetje përgjigja është pozitive, atëherë të thotë edhe Shkodra: “-Të pranoj në gjirin tim të lashtë, ti je biri im, ti je shkodran.” Kisha lexuar vite më parë një kumtesë të Trifon Ziut dhe më pati bërë përshtypje kujdesi dhe dashuria e autorit për të përshkruar diçka që dalëngadalë po humbet në kujtesën tonë dhe sidomos të brezave që vijnë. Por, kur lexova librin dinjitoz (e them me plot gojën) të profesor Trifon Ziut, m’u kujtua ajo fjala e urtë e të urtit të Shkodrës, se vetëm një njeri mund të na dhurojë një vepër të tillë. Them vepër, sepse ajo do të mbesë në kujtesën tonë si një dekor i rindërtuar me kujdesin e një inxhinieri, me dhimbjen e një poeti, me tingujt e një muzikanti. Sepse, në libër ka edhe rikonstruksion historik e shkencor, ka edhe vargjet edhe muzikën që frymëzuan ato detaje të bukura, të shumta dhe karakteristike të oborrit shkodran, duke filluar që nga dyert me reze dhe ganxhë, me arkapijat si gra të strukura mes gjelbërimit, me puset që ndezën zemrat e sa e sa djemve të rinj, me lulevilet e shermashekun, me drandofillet e luleborat që u ulën këmbëkryq në mbi 200 këngë shkodrane, me shteret dhe lugjet, rrasat dhe çikrikët, shkallët aq të ngrohta, megjithëse të gurta, me gurin e kalit që edne ruan ngrohtësinë e zemrës së trimave, me kullat e sanës dhe jerevitë, mullinjt dhe hauret, mandat që pikonin ëmbëlsi dhe që tundin shtregullat e të dashuruarve… një dekor madhështor i rrethuar me gurët e një lumi të kulluar. Ndoshta, motet që gjithnjë e më tepër të rëndojnë në shpindë, shtjnë nostalgjinë dhe notat e sentimentalizmit, më bëjnë entuziast për këtë libër, sepse, siç thotë Hygoi: “-Kur dëshirat fillojnë të shterrojnë shpërthejnë nga burimi kujtimet”. Por, një e vërtetë e madhe duhet thënë: Diçka vërtetë e bukur dhe poetike e Shkodrës po humbet,, për të mos thënë se humbi tashmë nga era betonuese e kohës moderne. Dhe, të rindërtosh atë që humbi apo po humbet, ta rindërtosh së paku për kujtesën e brezave, është diçka e bukur, fisnike, një detyrë, një borxh që çdo intelektual i këtij qyteti duhet t’ia kthejë këtij qyteti. Që brezat e rinj dhe të mirëseardhur, të mos harrojnë se cilit qytet i përkasin dhe ç’bukuri mahnitëse kishte ai në vatrat poetike të banorëve të tij, vatra të cilave me aq mall të pashuar i kanë kënduar dhe i këndojnë figurat e shquara të letërsisë dhe artit kombëtar. Shkodra i ka dashur dhe mirëpritur gjithëherë banorët e saj të rinj, ngado që vinin ato. I ka dashur, respektuar sepse historikisht, në pesë shkeujt e fundit këtë qytet e rilulëzuan dhe ia shtuan namin e vlerat në shkallë kombëtare dhe ndërkombëtare banorë të ardhur nga rrethinat e kurorës së Shkodrës, por edhe nga krahina të tjera, qytete e fshatra nga gjithë atdheu, bile edhe të huaj që me kohë janë bërë shkodranë të vërtetë. Ndaj, Sali Nivica, në gazetën e tij “Populli” thoshte në një ese të vetën: “-Në Shkodër, jabanxhiu vjen tue qa dhe largohet tue qa”. Ndërsa Koliqi, të cilin profesor Trifoni e ka në zemër dhe e citon sa e sa herë në libër, bile edhe në ftesën e promovimit, ka shkruar një dramë, në Bari të Italisë, ku qe strehuar. Në këtë dramë “Shtregullat”, Koliqi, me një profeci të admirueshme e shtjellon temën kështu: “Në Shqipëri u rrëzua komunizmi. Ata që e braktisën Shkodrën të ndjekur nga terrori i kuq, tani kthehen në Shkodër. Kanë mall për qytetin e dikurshëm të lanë, për shtëpitë me arkapia, për jargavanet dhe shermashekët, për puset dhe avullitë, për shtregullat, për dritaret me kafaze, por ngelen të zhgënjyer. Këta relike të dikurshme nuk i gjetën. Kanë humbur, duke ngelur vetëm në kujtesën e të moshuarve. S’ka gjë, – u thotë të bijve pesonazhi i dramës. -S’ka gjë që nuk i gjeta. Ata jetojnë në kujtesën time. Shtregulla lëkundet këtu brenda meje.” Që të lëkunden shtregullat brenda nesh, që të erëzojnë luleborat e drandofillet ndër këngë, na bën thirrje libri i profesor Trifonit, i cili me modesti në parathënie pranon se nuk e ka ezauruar çdo detaj të oborreve shkodranë, se megjithëse përpjekjet e mundimshme nuk e ka dhënë të plotë këtë dekor kombëtar. Por, unë po i kthehem atij plakut të urtë të Shkodrës dhe postulatit të tij filozofik. Unë e mbaj mend Trifonin kur erdhi së pari në Shkodër, posa kish mbaruar fakultetin. Ishte i urtë, disi me frikë dhe i etur që të ingranohet në jetën e Shkodrës. Këtu u martua, këtu krijoi çerdhen dhe u dha krahë dy bijve të tij. Këtu urrit si pedagog dhe tani largohet prej Shkodrës me titullin e Profesorit. Duke perifrazuar Sali Nivicën, unë besoj se ai largohet nga ky qytet me lotë malli dhe gëzimi, sepse la këtu një gjurmë, la librin e tij për një pasuri të çmuar të Shkodrës. Dhe Shkodra, kudo që ta degdisë jeta Trifonin, do t’i thojë dhe rikujtojë atij dhe familjes së tij: “-Kudo që të shkosh, nuk ikën dot nga unë. Ju jeni tashmë shkodranë”. Fadil Kraja Letër një fëmije që kurrë s’u lind Nga Oriana Fallaci Nuk i druhem dhimbjes, as vdekjes Sonte mësova që ti ishe: një pikël jete arratisur nga hiçi. Kisha mbetur me sytë çapëlyer në errësirë dhe papritmas, në atë errësirë, shkrepi një vetëtimë sigurie: po, ishe. Ekzistoje. U ndjeva si të më kishin shkrehur në kraharor një breshëri plumbash. M’u ndal zemra. Dhe kur nisi sërish të rrahë me goditje të mbytura, gjëmime topash lebetije, kuptova se po vithisesha në një pus ku gjithçka i përkiste pasigurisë e tmerrit. Ja ku jam, tani, e ndryrë brenda një firke që më njom fytyrën, flokët, mendimet. Dhe në të unë përhumbem. Përpiqu të më kuptosh: nuk është frikë nga të tjerët. Unë nuk merrem me të tjerët. Nuk është frikë nga Zoti. Unë nuk besoj në Zot. Nuk është frikë nga dhembja. Unë nuk i druhem dhembjes. Është frikë nga ti, nga rastësia që të shkuli prej hiçit për të të ngulur tek unë. Nuk kam qenë asnjëherë gati të të përbuj, ndonëse të kam pritur shumë. I kam bërë gjithmonë vetes pyetjen e lemerishme: po sikur mos të të pëlqente të lindeshe? Po sikur një ditë të më qortoje duke bërtitur “Kush ta kërkoi të më sjellësh në këtë botë, pse më solle, përse?” Është sfilitje jeta, vogëlush. Është luftë që përsëritet çdo ditë, dhe çastet e saj të haresë janë ndalesa të shkurtra që paguhen me një çmim mizor. Si ta kuptoj që nuk do të ishte më e drejtë të të hidhja tutje, si ta marr me mend që ti nuk kërkon t’i kthehesh heshtjes? Ti s’më flet dot. Pikla jote e jetës është vetëm një syth qelizash të sapozëna fill. Ndoshta nuk është as jetë, por mundësi jete. E prapëseprapë nuk di ç’do të jepja vetëm e vetëm që ti të më kumtoje një shenjë. Ime ëmë thotë se unë ia paskam dhënë, se prandaj më solli në këtë botë. Ime ëmë, siç e sheh, nuk më donte. Kisha zënë fill gabimisht, në një çast hutimi të tjetërkujt. Dhe çdo mbrëmje, që unë të mos lindesha, treste një bar në ujë. Pastaj e pinte, duke qarë. Vazhdoi ta pinte deri ditën kur unë lëviza, në barkun e saj, dhe i këputa një shkelm për t’i thënë të mos më hidhte. Ajo po afronte gotën në gojë. Menjëherë e hoqi dhe e derdhi përtokë. Disa muaj më vonë kollotumbesha ngadhënjimtare në rrezet e diellit, dhe nëse kjo ishte gjë e mirë apo e keqe, unë nuk e di. Kur ndjehem e lumtur mendoj se ishte gjë e mirë, kur ndjehem e pikëlluar mendoj se ishte gjë e keqe. Mirëpo, edhe kur jam e trishtuar, mendoj se do të më kishte ardhur keq po të mos isha lindur sepse hiçgjë nuk është më e keqe se hiçgjëja. Unë, po ta përsëris, nuk i druhem dhembjes. Ajo lindet me ne, rrite me ne, me të mësohemi njësoj siç mësohemi që kemi dy duar e dy këmbë. Unë, tekefundit, nuk i druhem as vdekjes: ngaqë nëse njeriu vdes do të thotë që është lindur, që ka dalë nga hiçi. Unë i druhem hiçit, të mosqenit, të thënit që nuk ke qenë, qoftë edhe rastësisht, qoftë edhe gabimisht, qoftë edhe për shkak të hutimit të tjetërkujt. Shumë femra pyesin veten: të lindësh fëmijë, e pse? Që të ketë uri, që të ketë ftohtë, që ta tradhëtojnë e ta fyejnë, që të vdesë i vrarë në luftë apo nga ndonjë sëmundje? Dhe i mohojnë shpresën që uria e tij të ngopet, që i ftohti i tij të ngrohet, që besnikëria dhe respekti t’i bëhen shokë, që të jetojnë gjatë për t’u përpjekur të fshijë sëmundjet dhe luftrat. Ndoshta kanë të drejtë ato. Por a mund të zgjidhet hiçi në vend të vuajtjes? Unë deri edhe në çastet kur qaj mbi dështimet e mia në jetë, zhgënjimet e mia, sfilitjet e mia, arrij në përfundimin se vuajtja është më mirë se hiçi. Dhe nëse e shtrij këtë për jetën, për mëdyshjen të lindesh a të mos lindesh, arrij në përfundimin se të lindesh është më mirë se të mos lindesh. Sidoqoftë, a është e drejtë ta shtroj këtë arsyetim edhe për ty? Nuk do të ishte sikur po të sillja në këtë botë veç për veten time? S’ka ç’më duhet të të sjell në këtë botë veç për jetën time. Aq më shumë që nuk kam asfare nevojë për ty. 18 ditësh në barkun e nënës, fëmijës i punon zemra Nuk më qëllove me shkelma, nuk më dhe përgjigje. E si do të mundje? U bë kaq pak kohë që je: po të pyesja mjekun të ma vërtetonte, do të buzëqeshte qesëndisës. Por e kam vendosur unë për ty: do të lindesh. E vendosa pasi të pashë në fotografi. Nuk ishte krejt fotografia jote, merret vesh: ishte fotografia e një embrioni tre javësh, e botuar në një gazetë bashkë me një reportazh mbi formimin e jetës. Dhe, ndërsa e shihja, frika m’u davarit: me të njëjtën shpejtësi me të cilën kishte ardhur. Dukeshe si një lule e mistershme, një orkidé e tejdukshme. Në majë shquhej njëfarë koke me dy xhungat që do të bëhen truri. Më poshtë, njëfarë gropëze që do të bëhet goja. Trijavësh je gati i padukshëm, shpjegon shënimi nën foto. E megjithatë te ti lindet një nojmë sysh, diçka qëi ngjan një shtylle kurrizore, një sistemi nervor, një stomaku, zorrëve, mushkërive. Zemra është e bërë që tani, dhe është goxha e madhe: në përpjestim, nëntë herë më e madhe se imja. Pompon gjak dhe rreh rregullisht që prej ditë së tetëmbëdhjetë: a mundem të të hedh? Ç’më hyn në punë në paske zënë fill rastësisht apo gabimisht, edhe vetë bota ku jetojmë a nuk zuri fill rastësisht apo ndoshta gabimisht? Sipas disave në krye të herit nuk kishte asgjë përveç një qetësie të thellë, një qetësi e madhe e palëvizshme, pastaj shpërtheu në shkëndijë, dhe ajo që nuk ish, u bë. Nuk vonoi dhe shpërthimin e pasuan të tjera shpërthime: gjithmonë më të paparashikueshme, gjithmonë më të pakuptimta, me pasoja gjithmonë më të panjohura. Dhe midis pasojave çeli një qelizë, edhe ajo rastësisht, ndoshta gabimisht, që shpejt u shumëfishua në miliona, në miliarda, derisa u lindën pemët e peshqit e njerëzit. Thua të jetë ndërdyshur ndokush para shpërthimit apo para qelizës? Thua ta ketë pyetur veten në do t’i pëlqente apo jo? Thua ta ketë vënë ujët në zjarr mbi urinë e tij, mbi të ftohtin e tij, mbi fatkeqësinë e tij? Unë e përjashtoj. Edhe sikur të kishte ekzistuar dikush, për shembull një zot i krahasueshëm me zanafillën e zanafillës, përtej kohës e përtej hapësirës, unë druhem se ai nuk do ta kish vrarë mendjen mbi të mirën dhe të keqen. Gjithçka ndodhi ngaqë mund të ndodhte, pra duhej të ndodhte, sipas një përdhunìe që ishe e vetmja përdhunì e ligjshme. Dhe e njëjta gjë vlen për ty. Marr përsipër përgjegjësinë e të zgjedhurit. E marr pa egoizëm, vogëlush: të të sjell në botë, betohem, nuk më argëton. Nuk e shoh dot veten të eci rrugës me barkun te goja, nuk e shoh dot veten të të jap gji e të të laj e të të mësoj të flasësh. Jam grua që punon: jam shumë e zënë, shumë kureshtare. Ta kam thënë njëherë që nuk kam nevojë për ty. Por do të të mbaj daç të pëlqeftë, daç jo. Do t’i nënshtrohesh të njëjtës përdhunì së cilës iu nënshtrova edhe unë, edhe prindërit e mi, gjyshërit e mi, gjushërit e gjyshërve të mi: deri te qenia e parë njerëzore që pjellë nga një qenie njerëzore, daç t’i pëlqente, daç jo. Ndoshta, nëse atij apo asaj do t’i ishte lejuar të zgjidhte, do ta kishte zënë frika dhe do të ishte përgjigjur “nuk dua të lindem, jo”. Por askush nuk i kërkoi pëlqimin, dhe kështu u lind e jetoi e vdiq pasi kishte sjellë në jetë një tjetër qenie njerëzore së cilës nuk i kishte kërkuar të zgjidhte, dhe kjo e fundit bëri të njëjtën gjë, për miliona vjet deri te ne, dhe ishte çdoherë një përdhunì pa të cilën ne nuk do të ekzistonim. Bëj kurajo vogëlush. Ti kujton se një pemë nuk nevojë për kurajë kur shpon dheun e mugullon? Mjafton një e fryme ere dhe këputet, mjafton këmbëza e një miu dhe shkalafitet. E megjithatë ajo mbin dhe e mban veten dhe rritet duke hedhur fara të tjera. Dhe bëhet pyll. Nëse një ditë do të më bërtasësh “Pse më solle në këtë botë, pse?”, unë do të të përgjigjem: “Kam bërë atë që bëjnë dhe e kanë bërë pemët për miliona e miliona vjet me radhë përpara meje, dhe besoja se po bëja mirë.” Rëndësi ka të mos ndryshosh mendim po të të vijë në mend se qeniet njerëzore nuk janë pemë, se vuajtja e një qenieje njerëzore është njëmijë herë më e madhe se vuajtja e një peme ngaqë jemi të vetëdijshëm, se askujt prej nesh nuk i vyen të bëhet pyll, se jo të gjitha farat e pemëve prodhojnë pemë: në shumicën e rasteve humbasin… Sepse, të ndryshosh mendiim, ka të ngjarë, vogëlush: logjika jonë është plot me kundërshtì. Sapo thua diçka, sheh të kundërtën. Dhe, ca më shumë, vëren se e kundërta është po aq e vlefshme sa ajo që thoshe. Arsyetimi im i sotëm mund të përmbyset tak-fak, sa hap e mbyll sy. Njëmend, ja ku më ke: ndjehem e turbulluar, e çoroditur. Ndoshta ngaqë nuk mund t’i hapem tjetërkujt veç teje. Jam femër që ka vendosur të jetojë vetëm. Yt atë nuk rri me mua. Dhe kjo nuk më ligështon, ndonëse, herë pas here, vështrimi im kërkon derën nga ku ai doli, me hap të vendosur, dhe nuk nuk e ndalova, si të mos kishim më asgjë për t’i thënë njëri-tjetrit. Të jesh nën nuk është zanat Të çova te mjeku. Më shumë se pohimin e tij, kërkoja ndonjë këshillë. Si përgjigje ai tundi kryet duke më thënë se jam e padurueshme, se nuk mund të shprehet ende me siguri, që të dukem pas nja dy javësh i gatshëm të zbulonte që ti ishe fryt i fantazisë sime. Do të kthehem vetëm për t’i treguar që është një copë injoranti. Gjithë shkenca e tij nuk vlen sa intuita ime, si mund të arrijë një burrë të kuptojë një grua që thotë parakohe se pret një fëmijë? Një burrë nuk mbetet shtatzënë dhe, meqë ra fjala, më thuaj: është epërsi apo kufizim? Deri dje më dukej si epërsi, madje privilegj. Sot më duket kufizim, e madje mjerim. Seç ka diçka të madhërishme kur përbujt brenda trupit një jetë tjetër, kur e sheh veten si ty dhe jo si një. Herazi të pushton deri edhe një ndjenjë ngadhënjimi, dhe në qetësinë që shoqëron ngadhënjimin, asgjë nuk të shqetëson: as dhembja fizike që duhet të përballësh, as puna që duhet të flijosh, as liria që duhet të humbësh. Do të jesh djalë apo vajzë? Do të doja të ishe vajzë. Do të doja të provoje një ditë atë që provoj edhe unë: nuk jam aspak i një mendjeje me time ëmë, e cila mendon se është mynxyr të lindesh vajzë. Ime ëmë, kur është e trishtuar, psherëtin: “Ah, të isha lindur djalë!” E di: bota jonë është e ndërtuar nga burrat për burrat, diktatura e tyre është aq e lashtë sa shtrihet deri te gjuha e folur. Thuhet “bir” për të thënë bir e bijë, thuhet “djalë” për të thënë djalë e vajzë, thuhet “njeri” për të thënë burrë e grua. Në legjendat që meshkujt kanë sajur për të shpjeguar botën, qenia e parë e kësaj bote nuk ishte grua: ishte një burrë me emrin Adam. Eva ia mbërrin më vonë, për ta argëtuar e për të prishur punë. Në pikturat që stolisin kishat e tyre, Zoti është një plak me mjekër të bardhë, kurrë plakë me flokë të bardhë. Dhe tërë heronjtë e tyre janë meshkuj: që nga ai Prometeu që zbuloi zjarrin deri tek ai Ikari që u rrek të fluturonte, e me radhë kështu deri tek ai Jezui që e quajnë bir të Atit e të Shpirtit të Shenjtë: thua se gruaja që e lindi ishte një inkubator a ndonjë mëndeshë. E megjithëkëtë, apo ndoshta pikërisht për këtë, të jesh grua është gjë e mahnitshme. Është një aventurë që kërkon aq shumë guxim, një sfidë që nuk të mërzit kurrë. Do të të duhet të bësh shumë gjëra po të lindesh grua! Sa për fillim, do të të duhet të luftosh për të treguar se, nëse Zoti ekziston, ai mund të jetë një plakë flokëbardhë ashtu si edhe një vajzë e pashme. Pastaj do të të duhet të luftosh për të shpjeguar se mëkati nuk u lind kur Eva këputi mollën: atë ditë u lind një virtyt i madhërishëm që quhet mosbindje. Mësëfundi, do të të duhet të luftosh për të treguar se brenda trupit tënd të lëmuar e gjithë trajta, ka një zgjuarsi që kërkon t’i vihet veshi. Të jesh nënë nuk është zanat. Nuk është as detyrë. Është vetëm një e drejtë mes shumë të drejtash. Do të lodhesh shumë duke e përsëritur. Dhe shpesh, pothuajse gjithmonë, do humbësh. Por nuk duhet të ligështohesh. Të luftosh është shumë më bukur se të fitosh, të udhëtosh është shumë më argëtuese se të mbërrish: kur ke mbërritur apo ke fituar, ndjen një zbrazëti pafund. Po, shpresoj që ti të jesh vajzë: mos ma vër re në të thërras vogëlush. Dhe shpresoj të mos arrish kurrë të thuash atë që thotë ime ëmë. Unë nuk e kam thënë kurrë. Të jesh burrë s’mjafton të kesh një bisht përpara Por edhe nëse ti lindesh djalë, unë njëlloj do të jem e lumtur. E mbase më shumë, sepse nuk do të të duhet të kalosh shumë përulje, nënshtrime, shkelje me këmbë. Po të lindesh djalë, për shembull, s’do kesh frikë se mos të përdhunojnë në errësirën e një rruge. Nuk do të të shërbejë një fytyrë e bukur për t’u pranuar që me vështrimin e parë, një trup i bukur për të fshehur zgjuarsinë tënde. Nuk do t’u nënshtrohesh gjykimeve të egra kur të flesh me kë të ta dojë qejfi, nuk do të dëgjosh të të thonë që mëkati u lind ditën kur këpute një mollë nga pema. Do të lodhesh shumë më pak. Do ta kesh më të lehtë të luftosh për të thënë se, nëse Zoti ekziston, ai mund të ishte një plakë me flokë të bardhë apo dhe një vajzë e bukur. Nuk do të të tallin kur të ngresh krye, do dashurosh pa u zgjuar një natë me ndjenjën se po vithisesh në një pus, nuk do të të fyejnë kur të mbrohesh. Merret vesh, do të të takojnë të tjera skllavëri, të tjera padrejtësi: edhe për një burrë jeta nuk është shesh me lule, ta dish. Meqë do të kesh muskuj më të bëshëm, do të të kërkojnë të ngresh pesha të rënda, do të të vënë përballë përgjegjësish. Meqë do të kesh mjekër, do qeshin nëse ti qan, e madje edhe nëse ke nevojë për ledhatime. Meqë do të kesh një bisht përpara, do të të urdhërojnë të vrasësh e të vritesh në luftë dhe do të kërkojnë bashkëpunimin tënd për të trashëguar rendin tiran që vendosën qysh nga koha e shpellave. E megjithëkëtë, ap ndoshta pikërisht për këtë, të jesh burrë do të përbëjë një aventurë po aq të mrekullueshme: një sipërmarrje që nuk do të të zhgënjejë kurrë. Të paktën shpresoj të jetë kështu sepse, nëse lindesh djalë, shpresoj të bëhesh një burrë si ata që unë kam ëndërruar gjithmonë: i butë me të dobëtit, i ashpër me përdhunuesit, bujar me ata që të duan, i pamëshirshëm me ata që të urdhërojnë. Së fundi, armik i kujtdo të thotë se Jezui është bir i Atit dhe i Shpirtit të Shenjtë: jo i gruas që e lindi. Vogëlush, unë po përpiqem të të shpjegoj se të jesh burrë nuk do të thotë të kesh një bisht përpara: do të thotë të jesh njeri. Dhe para së gjithash, mua më intereson që ti të jesh njeri. Është fjalë e mrekullueshme, fjala njeri, sepse nuk i vë sinorë burrit a gruas, nuk vë sinorë midis kujt ka bisht e kujt nuk ka. Nga ana tjetër, filli që ndan ata që kanë bisht nga ata që nuk e kanë, është i hollë krejt: tekefundit përmblidhet në aftësinë për të rritur apo jo një krijesë në bark. Zemra dhe truri nuk kanë gjini. Dhe as sjellja. Nëse do jesh njeri me zemër e me tru, mbaje mend, mua nuk do të më gjesh në radhën e atyre që do të të porosisin të sillesh në një mënyrë a në një tjetër sipas asaj në je mashkull apo femër. E vetmja gjë që do të të kërkoj është të shfrytëzosh mirë mrekullinë e ardhjes në jetë, të mos i epesh kurrë ligësisë. Është një bishë që rri gjithmonë në pritë, ligësia. Na kafshon të gjithëve, përditë, dhe janë të paktë ata që nuk bien në nofullat e saj. Në emër të kujdesit, në emër të volisë, herazi në emër të urtësisë. I lig kur i kanoset rreziku, njeriu bëhet sypatrembur vetëm pasi rreziku ka kaluar. Nuk duhet t’i ikësh rrezikut, kurrë: edhe kur të vë frerë frika. Vetë ardhja në këtë botë është një rrezik. Ndoshta është tepër herët për të të folur kështu. Ndoshta, hëpërhë, nuk duhet të t’i rrëfej shëmtitë dhe trishtimet e botës, ndoshta duhet të të tregoj një botë të pafajshme e të hareshme. Por do ishte njësoj si të të mashtroja, vogëlush. Do ishte njësoj si të të shtyja të besoje se jeta është një qilim i butë mbi të cilin mund të ecet zbathur dhe jo një rrugë me gurë. Gurë ndaj të cilëve përplasesh, rrëzohesh, plagosesh. Gurë ndaj të cilëve duhet të mbrohesh me këpucë të hekurta. Por as kjo nuk mjafton sepse, ndërsa ti ruan këmbët, dle gjithmonë dikush që kap një gur e ta vërtit kokës dhe… Dhe për sot mbarova, biri im, bija ime. E nxure mësimin? Kushedi ç’do të thoshin disa po të më dëgjonin. Do më padisnin se jam e çmendur apo thjesht e pashpirt? Pashë fotografinë tënde të fundit dhe, gjashtëjavësh, je më pak se një centimetër i gjatë. Po ndryshon shumë. Më shumë se një luleje të mistershme tani ti i ngjan një larve tejmase të hijshme, madje një peshku që po i dalin me të shpejtë feltthat. Katër flettha që do të bëhen këmbë e krahë. Sytë janë që tani dy kokrriza të zeza, me një rreth përqark, dhenë fund të trupit ke një bishtth! Shënimi nën foto thotë se në këtë periudhë je pothuajse i padallueshëm nga embrioni i çfarëdo gjitari: po të ishe mace, do të dukeshe pak a shumë siç je tani. Njëmend, fytyra mungon. Mungon edhe truri. Unë të flas, vogëlush, dhe ti nuk e di. Në errësirën që të mbështjell ti nuk di as edhe që ekziston: mund të të hedh dhe ti nuk do ta merrje vesh kurrë që të kam hedhur. Nuk do ta merrje vesh kurrë në ta kam bërë mirë apo keq. Fëmija im është jetë, babën e tij as e dua, as e kam dashur Dje u mërzita dhe e lëshova ca veten. Duhet të ma falësh që të thashë se mund të të hedh dhe që ti nuko ke për ta marrë vesh kurrë në ta kam bërë mirë apo keq. Ishte thjesht sa për muhabet. Nuk kam ndryshuar mendje aspak, ndonëse përreth meje kjo ngjall habi. Sot fola me tët atë. I thashë që ti ishte. Ia thashë në telefon sepse ndodhet larg dhe, me sa dëgjova, nuk i dhashë lajm të mirë. Dëgjova, para së gjithash, një heshtje të thellë: thua se ishte këputur filli. Dhe pastaj dëgjova një zë që belbëzonte, i ngjirur: “Sa duhet?” Iu përgjigja me qyfyre: “Nëntë muaj, ma merr mendja. Madje më pak se tetë, tashmë.” E atëherë zëri pushoi së qeni i ngjirur për t’u bërë i ftohtë: “E kam fjalën për paratë.” “Çfarë parash?” iu ktheva. “Paratë për ta hequr, apo jo?” Po, tha pikërisht “për ta hequr”. Si të ishe ndonjë çiban. Dhe kur, sa më qetë mundesha, zura t’i shpjegoja se kisha krejt tjetër gjë ndër mend, u përhumb në një arsyetim të gjatë ku lutjet ua linin vendin këshillave, këshillat kërcënimeve, kërcënimet lajkave. “Mendo për karrierën tënde, mbaj parasysh përgjegjësitë, një ditë mund të pendohesh, ç’do të thonë të tjerët.” Unë buzëqeshja, gati-gati po argëtohesha. Porse u argëtova shumë më pak kur, meqë unë nuk flisja, ai mori zemër dhe nxitoi të thoshte se shpenzimet mund t’i përballonim gjysmë për gjysmë: tekefundit ishte “faji i të dyve”. M’u përzie. Më erdhi turp për të. Dhe ula dorezën e telefonit duke menduar se dikur e doja. E doja? Një ditë unë dhe ti duhet të ulemi e të flasim shtruar mbi këtë muhabetin që quajnë dashuri. Sepse, ndershmërisht ta them, nuk e kam kuptuar ende për se bëhet fjalë. Më bren dyshimi se kemi të bëjmë me një mashtrim gjigant, të shpikur për të mbajtur urtë njerëzit e për t’i hutuar. Mbi dashurinë flasin priftërinjtë, afishet e reklamave, njerëzit e lëçitur, politikanët, ata që bëjnë dashuri, dhe duke folur për dashurinë, duke e paraqitur si melhemi që shëron çdo tragjedi, plagosin dhe tradhtojnë shpirtin dhe trupin. Unë e urrej këtë fjalë që e has kudo dhe në të gjitha gjuhët. Dua-të-shëtis, dua-të-pi, dua-të-pi-duhan, dua-lirinë, dua-të-dashurin-tim, dua-tim-bir. Unë përpiqem të mos pyes veten nëse çfarë trazon mendjen apo zemrën time qenkësh ai gjësendi që quajnë dashuri. Njëmend nuk e di nëse të dua. Ty nuk të mendoj në suazën e dashurisë. Të mendoj në suazën e jetës. Kurse tët atë, dëgjo: sa më shumë mendohem, aq më shumë besoj se nuk e kam dashur. E kam adhuruar, e kam dëshiruar, por nuk e kam dashur. Pokështu edhe ata që kishin ardhur par tij, fantazma zhgënjyese të një kërkimi të dështuar. Të dështuar? Një dobi e pati, fundja: më bëri të kuptoja që asgjë nuk e kërcënon lirinë tënde sa tërheqja e mistershme që një qenie ndien ndaj një tjetre, për shembull një burrë ndaj një gruaje, apo një grua ndaj në burri. Nuk ka në botë, as kanxha, as zinxhirë, as dritare me shufra hekuri, që të të nështrojnë në një skllavëri më të verbër, në një harresë po aq të verbër të të drejtave të tua, të dinjitetit tënd, të lirisë sate. Mjerë ti po ia dhurove veten ndokujt në emër të asaj tërheqjeje. Si një qen që kapet pas rrathëve të ujit duke u lodhur më kot të arrijë një breg që nuk ekziston, bregun që ka emrin Të-Dashurosh dhe Të-Të-Dashurojnë. Dhe përfund i asgjësuar, i përtallur, i zhgënjyer. Në rastin më të mirë përfundon duke pyetur veten ç’të shtyu që u hodhe në ujë: pakënaqësia nga vetja, shpresa për të gjetur te një tjetër atë që nuk shihje te vetja? Frika nga vetmia, nga mërzia, nga heshtja? Nevoja pr të patur e për t’u patur? Sipas disave kjo është dashuria. Por unë kam frikë mos është shumë më pak: një uri që, sapo nginjet, të lë me njëfarë dhembjeje barku. E megjithatë, megjithatë, duhet patjetër të ekzistojë diçka në gjendje të më zbulojë kuptimin e asaj fjale të mallkuar, vogëlush. Duhet të ekzistojë diçka në gjendje të më zbulojë çfarë është, dhe se është. Kam shumë nevojë, shumë uri. Dhe në këtë nevojë mendoj: ndoshta është e vërtetë ajo që ka thënë përherë ime ëmë. Dashuria është çfarë një grua ndien për birin e vet kur e merr në krahë dhe e ndien të vetmuar, të brishtë, të pambrojtur. Të paktën për sa kohë është i pambrojtur, ai nuk të fyen, nuk të zhgënjen. E, nëse të takon pikërisht ty të ma zbulosh kuptimin e atyre gjashtë germave absurde? Pikërisht ty që merr nga trupi im, që më thith gjakun, që më thith frymën? Ekziston një shenjë. Të dashuruarit e largët ngushëllohen nëpërmjet fotografive. Dhe unë mbaj në dorë fotografitë e tua. Tashmë më është bërë fiksim. Sapo hyj në shtëpi rrëmbej atë gazetën, llogaris ditët, moshën tënde, dhe të kërkoj. Sot ke mbushur gjashtë javë. Ja ku je, gjashtëjavësh, i fotografuar nga shpina. Nuk je më peshk, nuk je më larvë, nuk je më send i patrajtë. Që tani dukesh si njeri: me atë kokë të madhe tullace ngjyr trëndafili. Shtylla kurrizore është përcaktuar për së mbari, në shirit i bardhë dhe i sigurtë aty në mes, krahët e tu nuk janë më xhunga të turbullta, as flettha, por flatra. Të kanë dalë flatrat! Më vjen të t’i përkëdhel, të të përkëdhel. Rrihet rehat aty në vezë? Sipas fotografive, je pezull në një vezë të tejdukshme që të sjell ndërmend vezët e kristalta branda të cilave vihet një trëndafil. Në vend të trëndafilit, ti. Nga veza zë fill një litarth që mbaron në një topth të bardhë, të largët, me dejeza të kuqe e njolla të kaltra. Në këtë vendosje topthi duket si Toka e parë nga mijëra e mijëra kilometra larg. Po, është njësoj sikur nga toka të nisej një fill pafund, i gjatë sa koncepti i jetës, dhe nga ato vise të largëta të mbërrinte te ti. Në një mënyrë aq logjike, aq të plotkuptimtë. Si ua nxe goja kur thonë se njeriu qenkësh incident i natyrës? Mjeku kish thënë të kthehesha për vizitë pas gjashtë javësh. Do të shkoj nesër. Dhe gjilpëra shqetësimi ma shpojnë shpirtin duke ua lënë herë pas here vendin afsheve të haresë. Dashuria mashtrim, burrat mashtrues Me një ton që lëkundej midis madhështisë dhe gëzimit, ngriti një fletë letre dhe tha: “Urime, zonjë”. Automatikisht ndreqa: “Zonjushë”. Si t’i kisha rënë me shpullë. Madhështia dhe gëzimi u zhdukën, dhe duke m’i ngulur sytë me një shpërfillje të tepruar, u përgjigj: “Ah!”. Pastaj mori penën, fshiu “zonjë” dhe shkroi “zonjushë”. Kështu, në një dhomë të bardhë akull, nëpërmjet zërit të një njeriu të veshur në të bardha akull, Shkenca më shpalli zyrtarisht që ti ishe. Nuk më bëri pikë përshtypjeje, ngaqë e dija, madje kohë para saj. Porse u habita që i dhanë kaq rëndësi gjendjes sime civile dhe që bënë atë korrigjim në fletë. Ngjante si një paralajmërim, si një ndërlikim i ardhshëm. Deri edhe mënyra me të cilën menjëherë më pas Shkenca më urdhëroi të zhvishesha e të shtrihesha mbi shtratin e vizitave nuk ishte aspak e përzemërt. Si mjeku ashtu edhe infermierja silelshin sikur unë i bezdisja. Nuk më shihnin në fytyrë. Shkëmbenin vështrime për t’i thënë njëri-tjetrir kushedi çfarë. Kur rrija shtrirë, infermierja unxeh ngaqë nuk kisha hapur këmbët mbi dy mbështetëset metalike. M’i vuri ajo, e bezdisur, e duke më thënë: “Këtu, këtu!”Mua më dukej vetja qesharake dhe disi e pacipë. Iu ndieva mirënjohëse kur më mbuloi barkun me një peshqir. Por atëherë ndodhi e pabëra, sepse mejku veshi një dorashkë gome dhe shtypi, dhe rrëmoi, dhe shtypi prapë, thua desh të të vriste ngaqë nuk isha e martuar. Në fund nxori dorën dhe shpalli: “Gjithçka mirë, gjithçka në rregull.” Më dha edhe disa këshilla: të mos pi shumë cigare, të mos kryej sforcime të tepruara, të mos lahem me ujë shumë të nxehtë, të mos më shkojnë nëpërmend zgjidhje kriminale. “Kriminale?” pyeta, e habitur. Dhe ai: “Ligji i dënon. Mbajeni vath në vesh!” Për të përforcuar kërcënimin më shkroi edhe një recetë luteine dhe më vuri si detyrë të kthehesha për vizitë tek ai çdo pesëmbëdhjetë ditë. Ma urdhëroi pa një buzëqeshje, para se të më vinte në dijeni se pagesa bëhe pranë arkëtares. Ndërsa infermierja as që më përshëndeti. Dhe, teksa po mbyllej dera, m’u duk se po tundte kokën në shenjë mohimi. Druhem se do të të duhet të mësohesh me gjëra të tilla. Në botën ku bëhesh gati të hysh, lëre ç’thonë se kohët po ndryshojnë, një grua që pret një fëmijë pa qenë e martuar shihet, në shumicën e rasteve, si një e papërgjegjshme. Në rastin më të mirë, si ekstravagante, provokatore. Apo heroinë. Kurrë si nënë e njëjtë me të tjerat. Farmacisti nga i cili bleva hapet e luteinës më njeh dhe e di mirë që nuk jam e martuar. Kur i dhashë recetën ngriti vetullat dhe m’i nguli sytë i shastisur. Pas farmacisë shkova te rrobaqepësi, për të bërë një pallto me porosi. Po afron dimri, dua që ti të rrish ngrohtë. Me gojën plot gjilpëra duke mbërthyer në trup pëlhurën, rrobaqepësi zuri të merrte masat. Dhe kur i thashë që duhej t’i merrte shumë të bollshme pasi isha me barrë, se në dimër do të isha fryrë, u skuq furishëm. Çapëleu gojën dhe më zu frika mos gëlltiste ndojnë gjilpërë. Nuk i gëlltiti, desh zoti, por i ranë përdhé. I ra edhe metri e u ndieva ligsht që e trondita aq shumë. E njëjta gjë edhe me komendatorin. Na pëlqen neve apo jo, komendatori është ai që më ka punësuar dhe që na jep paratë për të jetuar: do të kishte qenë gjë e pandershme të mos e vija në dijeni që pas ca muajsh nuk do të mundem të punoj më. Kështu i hyra në zyrë dhe ia thashë. Mbeti pa frymë. Pastaj e mblodhi veten dhe belbëzoi se e respektonte vendimin tim, madje më admironte tejmase që kisha marrë këtë vendim, më quajti guximtare, por bëja mirë të mos ua thosha të tjerëve. “Tjetër gjë është kur flasim midis nesh, njerëz që marrim erë nga jeta, tjetër kur flet me kë nuk arrin të kuptojë. Aq më shumë që ju mund të ndërroni mendim, apo jo?” Nguli këmbë goxha në këtë punën e të ndërruarit mendim. Së paku deri në muajin e tretë kisha tërë atë kohë për t’u menduar, thoshte, dhe po të mendohesha do të tregohesha e mençur: karriera ime ka filluar më së mirë, pse ta ndërpresës për një sentimentalizëm? Po ta mendoja hollë-hollë, nuk bëhej fjalë për një ndërprerje disamujore apo njëvjeçare. Bëhej fjalë për ndërrimin kryekëput të jetës sime: nuk do ta kisha më në dorë veten. Dhe të mos harrojmë që ndërmarrja më kishte mbështetur duke marrë parasysh sidomos gatishmërinë time për punë. Kish ndër mend projekte të mëdha për mua. Vërtetë, po të ndërroja mendim, mjaftonte të hapja gojën. Dhe do të më ndihmonte. Yt atë telefonoi për herë të dytë. I dridhej zëri. Donte të dinte nëse mjeku e kishte vërtetuar që kisha mbetur shtatzënë. Iu përgjigja se po. Më pyeti për të dytën herë se kur kisha ndër mend “ta rregulloja atë punë”. E ula për herë të dytë dorezën e telefonit pa e dëgjuar. Çfarë nuk kuptoj është pse, kur një grua shpall se është zyrtarisht me barrë, të gjithë e festojnë me të madhe, nuk e lënë të prekë gjë me dorë e i përgjërohen të mos lodhet, të rrijë e qetë. Ua sa bukur, urime, uluni këtu, çlodhuni. Me mua nuk tunden vendit, rrinë gojëkyçur apo nisin e më flasin mbi dështimin. Të duket se një puç, një komplot për të na ndarë. Dhe ka çaste që jam e trazuar, që pyes veten kush do të fitojë: ne apo ata? Ndoshta më ndodh për shkak të asaj telefonatës. Bëri të gjelbërojnë hidhërime që i dija të harruara, fyerje që i dija të kaluara. Ato që më kanë ngjallur fantazmat, falë të cilave kuptova se dashuria është një mashtrim. Plagët janë mbyllur, blanat mezi dallohen, por mjafton në telefonatë si kjo që t’i bëjë të të dhembin sërish. Si kockat e thyera prej kohësh, kur ndërron moti. Fëmija 3 gramësh ka sy Gjithësia jote është veza brenda së cilës ti pluskon, i kruspullosut dhe pothuajse pa pesh, që prej gjashtë javësh e gjysmë. E quajnë qeskë amniotike dhe lëngu që e mbush është një tretësirë kripe që shërben për të të shmangur përballjen me forcën e rëndesës, të mbron nga goditjet që shkaktojnë lëvizjet e mia, dhe të ushqen. Deri para katër ditësh, madje, ishte burimi yt i vetëm i ushqimit. Me një proces mjaft të ndërlikuar dhe gati-gati të pakuptueshëm, ti një pjesë e gëlltisje, një tjetër e thithje, ndërsa një tjetër e nxirrje, dhe prodhoje lëng të ri. Kurse, që prej katër ditësh, burimi yt i ushqimit jam unë: nëpërmjet litarthit kërthizor. Kanë ndodhur shumë gjëra këto ditë: unë ngazëllehem dhe të adhuroj, të them të drejtën. Placenta që si një gëzof i ngrohtë mbështjell vezën tënde është përforcuar, numri i qelizave të gjakut është rritur, dhe gjithçka përparon me një shpejtësi të furishme: dellëzimet tani janë të dukshme. Shquhen qartë edhe dy arteriet, dhe vena e litarthit kërthizor që të përçon oksigjenin tim, dhe lëndët kimike për të cilat ke nevojë. Përveç kësaj të është zhvilluar mëlçia, të janë ravijëzuar të gjitha organet e brendëshme: deri edhe seksi dhe organet riprodhuese kanë nisur të çelin! E di që tani, ti, në do jesh djalë a vajzë. Por ajo që më ngazëllon më shumë, vogëlushi im, është që je bërë me duar. Të dallohen gishtat. Dhe ke një gojëzë të vogël, tashmë: me buzë! Ke një fillesë gjuhe. Ke gropëzat për njëzet dhëmbë. Ke sytë. Kaq i vockël, as një centimetër e gjysmë, kaq i lehtë, as tre gram, ke sy! Mua më ngjan thuaj e pamundur që tërë këto gjëra të kanë ndodhur gjatë pak javësh. Më duket joreale. E megjithatë fillimi i botës, kur u formua ajo qelizë dhe gjithë çfarë lindet e merr frymë e vdes për t’u lindur sërish, duhet të ketë ndodhur siç po ndodh me ty: në një gëlim, një fryrje, një shumëfishim jete gjithnjë e më të ndërlikuar, gjithnjë e më të vështirë, gjithnjë e më të shpejtë e më të rregullt e më të përkryer. Sa punon ti, vogëlush! Kush është ai që thotë se ti fjetke i qetë, i përkundur në ujrat e tua? Nuk fle kurrë, ti, nuk çlodhesh kurrë. Kush është ai që thotë se ti u prehkesh i qetë aty në membranën tënde, i mbështjellë nga harmoni tingujsh të pambuktë e të ëmbël? Jam e bindur që duhet të ketë shumë çaf-çufe aty breda, me të pompuara, me të shfryra, me llokoçitje, me shpërthime zhurmash të egra. Kush është ai që thotë se qenkëshe materie e plogët, gati-gati një bimë që mund të shkulet me lugë? Nëse duhet të të heq qafe, thonë, kjo është koha e duhur. Madje koha fillon tani. Me fjalë të tjera, duhet të prisja që ti të bëheshe një qenie njerëzore, me sy e gishta e gojë, për të të vrarë. Më parë jo. Më parë ishe tepër i vockël për t’u dalluar e për t’u shkulur. Janë të çmendur. Pushteti i plehrave Prej disa vitesh banorët e lagjes Tepe, lagjes Marlula dhe të zonave të tjera përreth vazhdojnë të ushqehen me tymin helmues që rezulton nga djegia e dhjetra ton plehërave që Bashkia e Shkodrës ju dhuron çdo ditë bashkëqytetarëve të vet si masë shpërblimi. Janë tymra që në përbërjen e tyre ndodhen një mori oksidesh dhe gazrash helmuese duke krijuar një ambient mbytës dhe të pabanueshëm për zonat përreth. Nga djegia e këtyre plehrave përftohet një erë shumë e rëndë dhe shoqërohet me mungesë frymëmarrje dhe me pasoja dhimbje koke, marrje mendësh, dhimbje barku me të vjella dhe ndërprerje oreksi, sidomos tek fëmijët. Era është aq e rëndë sa ndjehet në rrobat e lara dhe në ambjentet e brendshme shtëpiake edhe për shumë kohë pas largimit të tymrave. Tymi është i pranishëm në të gjitha mjediset ku punohet dhe jetohet në pjesën më të madhe të ditës dhe pothuajse gjatë gjithë natës. Tymi është aq i dendur sa të jep pamjen e një mjergulle natyrale. Tymi bëhet tepër kërcënues gjatë natës dhe sidomos gjatë verës me ngritjen e temperaturave. Imagjinoni një natë korriku se sa e tmerrshme është të qëndrosh në shtëpi me dyer dhe dritare të mbyllura. Në veçanti helmin vdekjeprurës e ndjejnë fëmijët bebe, të moshuarit dhe njerëzit e sëmurë. simptomat që shkakton tymi janë të dukshme me pasoja shëndetësore në shkurtimin e jetës. Thuhet që rreziku më i madh qëndron në sëmundjet kaceroze që shkakton ai. Në këtë ambjent ndjehesh i dhunuar shpirtërisht dhe me pasoja stresi. A thua këtyre banorëve nuk iu mjafton vetëm papunësia ekstreme, mungesa e ushqimit, e ujit, e energjisë elektrike dhe infrastruktura rrugore tërësisht e pakalueshme. Çfarë faji dhe mëkati kanë bërë këta njerëz? Çfarë thotë ndërgjegja, kultura qytetare, civilizuese. A nuk është padrejtësi dhe turp që plehërat e shtëpisë tënde t’ia hedhësh në pragun e derës komshiut, bashkëqytetarit, vëllaut tënd. Këtë dënim nuk e meritojnë as kafshët po njerëzit si durojnë. Cili është reagimi i qytetarëve autoktonë të Tepes, po të ardhurit e lagjes Marlula të cilët erdhën këtu për një jetë më të mirë. Si të mos mjaftonte dënimi që shekujt u shkaktuan aytre duke treguar në mbijetesë të shkëlqyeshme përballë natyrës së egër të maleve dhe në luftë me djallin që për breza të tërë i ndoqi nga pas. Këta njerëz të mrekullueshëm me një vitalitet të pashoq për pak vite kanë bërë atë që të tjerët s’e kanë bërë me shekuj. Dhe duresa e tyre dëshmon qytetari dhe maturi që s’duhet të shfrytëzohet për ligësi. Por durimi ka kufi, ka masë dhe nëse kalon limite ekstreme pasojat janë tepër negative. Qytetarët shkodranë ju kanë borxh këtyre njerëzve të vuajtur në të shkuarën e tyre jo për fajin e tyre. qëndresa e tyre tregon vlerat qytetëruese të atyre njerëzve që i përkasin vetvetes dhe sakrifikojnë shumë për të mos u tjetërsuar. Bërta këtë ekspoze që të ardhurit këtu meritojnë të ndihmohen dhe jo të shpërblehen në këtë mënyrë, kjo jo për lëmoshë, por si obligim. Ky është moment prove që njerëzit e këtij qyteti të tregojnë qytetarinë dhe kulturën e vet që asnjëherë s’ju ka munguar. Banorët e këtyre dy lagjeve dhe zonave përreth bëjnë lutje, bëjnë apel por edhe shprehin protestë, zemërim ndaj këtij indiferentizmi të pashembullt që mban pushteti qëndror dhe sidomos ai vendos i cili ka për detyrë t’ju shërbejë qytetarëve të vet dhe jo t’ju shkaktojë fatkeqësi si kjo më lart. Ç’bën deputeti i zonës që i ka dalë për zot këtij komuniteti? Si mund ta hajë bukën e turpit. Ku është premtimi, besa e fjalës koshienca qytetare e kthyer në vepër. Përse heshtin ambjentalistët, shëndeti publik, shoqatat e ndryshme që nuk ofrojnë as ndihmën më minimale. Media e shkruar dhe vizive duhet të bëjë më shumë për një skandal të këtyre përmasave me pasoja jetën e qytetarëve të vet. Ndoshta nuk e teproj të them që edhe institucionet fetare duhet të apelojnë për këta njerëz të mjerë të cilët gjenden në nevoja për jetën. Problemi në fjalë kërkon urgjencë, një ditë ky problem duhet zgjidhur patjetër, më mirë sot, e nesërmja është vonë dhe me pasoja të pakthyeshme. Mjerë kujt t’i bjerë mallkimi i këtij populli për shkak të kësaj padrejtësie. Apeloj ndaj atyre që e kanë për detyrë ndryshimin e kësaj gjendjeje, apeloj që shurdhët të dëgjojnë dhe të verbërit të shohin, ndryshe ndëshkimi i vuajtjeve tona do të kthehet mbi ta. Ne jemi njerëz dhe duhet të veprojmë në dashuri me njëri-tjetrin që të shpëtojmë nga dënimi i vetvetes. Bëni të gjithë këtë që bëra unë dhe nëse bëni më shumë shpejtojmë të ardhmen tonë. Unë trokita njëherë, përsëri do të trokas, trokitni të gjithë dhe të jeni të sigurtë se dera do të hapet. Ne kemi obligim dhe përgjegjësi ndaj vetes, familjes dhe krejt shoqërisë me shpresë për një jetë më të mirë për të nesërmen. Ing. Vasel Zefaj Arrihet marrëveshja e madhe; tre partitë demokristiane formojnë grupimin politik Aleanca Kristiane Partia Demokristiane e Shqipërisë Partia Bashkimi Demokristian Shqiptar Partia Kristian Demokrate e Shqipërisë Pas negociatave të Kryetarve të Partive të orientimit Kristian (PDK; PBDK dhe PKD), pas vendimeve të Këshillave Kombëtar të secilës parti më vehte u arrit kjo marrëveshje politike. 1. Krijimi i Grupimit politik Aleanca Kristiane i përbërë nga këto tre parti. 2. Grupimi politik Aleanca Kristiane, ka pozicionin e vet politik Qendra e Djathtë, aleate e Grupimit politik Bashkimi për Fitore. 3. Kryesia e Grupimit përbëhet nga 7 (shtatë) anëtarë, tre kryetarët, Kordinatori dhe tre sekretar. 4. Kryetari i Grupimit u zgjodh Z. Sokol Frroku. 5. Kordinator i Grupimit u zgjodh Z. Kujtim Gjuzi. 6. a. Sekretar Organizativ u zgjodh Z. Fatmir Xharri. b. Sekretar Juridik u zgjodh Z. Dhimitër Muslia. c. Sekretar i Mardhënieve me Jashtë u zgjodh Z. Shpresa Proseku. 7. Vendimet për aleanca politike merren me shumicë votash nga Kryesia e Grupimit. 8. Grupimi Politik Aleanca Kristiane, përfaqësohet nga Kryetari i Grupimit ose prej njërit nga Kryetarët së bashku me Kordinatorin. 9. Vula e Grupimit do të përdoret vula e subjektit politik Partia Demokristiane. 10. Shkresat firmosen nga tre Kryetarët ose nga Kryetari i Grupimit së bashku me Kordinatorin. 11. Kryesia e Grupimit lejon hapsira për flukset e tjera demokristiane të cilat pranohen me shumicë votash. Partia Demokristiane Kryetari Sokol Frroku Partia Bashkimi Demokristian Kryetari Agron Prebibaj Partia Kristian Demokrate Kryetari Fran Dashi Një vdekje tragjike në Shqipërinë e tragjizmave Vermoshi, kjo trevë e veshur me “gjerdanin” e trimërisë e të patriotizmit, me zakonet dhe traditat më të lakmueshme. Ky vend alpin me panorama nga më tërheqëset, i lënë në baltën, dhe pluhurin e harresës së shekujve, edhe sot “rënkon” nga plagët e një infrastrukture të pa planifikuar, duke u bllokuar në muajt e dimrit. Malësorët e kësaj zone nuk kanë shumë pretendime, ata nuk vuajn për luks apo për diskoteka, ata duan vetëm një garanci: hapjen e rrugës për furnizim me mjetet më të nevojshme, siç është buka dhe ushqimi i përditshëm. E pra çuditërisht, në një kohë kur në Vermosh ndodhen tri mjete të dhëmbëzuara (traktorë), shteti nuk ju siguron karburant dhe në këtë mënyrë, Vermosh-Lepusha dhe gropat bllokohen nga bora dhe akulli. Sot, në qafën e Perdolecit, lartësia e dëborës e kalon një metër e gjysmë. Për sa folëm më lart ishte vetëm ana vizuale dhe përgjithësuese për të cilën nuk do ta kishim marrë “mundimin” për të shkruar këto rreshta, por është një rast episodik dramatik dhe me plot kuptimin e fjalës një tragjedi e shek. 21. Më konkretisht: Nga data 25 shkurt e në vijim paraqiten katër pesona në gjendje të rëndë. Ajo që përfundon në një tragjedi është rasti i vajzës 14-vjeçare Agetina Lumaj, vajza e Viktorit dhe e Lezes, e cila përpëlitej në shtrat me dhimbje të forta dhe të padurueshme. Ajo vuante nga Apandisiti i cili i kishte plasur (sipas mjekut) dhe infeksioni kishte përshkuar të gjitha qelizat e vogëlushes e cila qëndroi në gjendje tepër të rëndë 12 ditë. Dymbëdhjetë ditë vuajtje dhe “tortura” të kësaj vogëlusheje, janë “pasqyrë” e tranzicionit të brishtë shqiptar, dymbëdhjetëvjeçar. Pra, siç e thamë më lart, pakujdesia dhe indiferentizmi i pushtetit lokal dhe qendror, humbi jetën e bijës së Kelmendit, vajzës së Vermoshit. Po, si ndodhi kjo ngjarje tragjike? Bashkëfshatarët tregojnë: Mbasi nuk na u dha asnjë ndihmë nga ajri, atëherë të afërmit dhe bashkëfshatarët “improvizojnë” një barrelë (vig), objekt që përdorej nga malësorët në raste emergjente (lufte), të cilat asnjëherë nuk ju hoqën nga supet, kësaj krahine plot luftëra dhe qëndresë të pakundshoqe. Vogëlusha që luftonte me vdekjen, rënkonte thekshëm nga dhimbjet të cilat, si “breshër” binin mbi supet e njerëzve më të dashur të saj, që mbanin përveç peshës së njeriut të tyre të dashur edhe emocionet e kësaj dhimbjeje, të cilët ishin mbi 20 burra, mes tyre Nikollë Grishi, Gjekë Nocaj, Gjon Lumaj, Sokol Nocaj, Ndoc Aliaj. Këta, mbasi presin në “Bashkim” për rreth katër orë se mos vjen ndihmë nga ajri (helikopter), më në fund i drejtohen qafës së Perdelecit për të zbritur në gropa të Selcës, ku arrin ndihma nga Shkodra (autoambulancë). Më dt. 28 Shkurt në orën 1830, e sëmura kalon në Repartin e Kirurgjisë në Spitalin Rajonal të Shkodrës. Mjeku (kirurg) i mirënjohuri Ardian Dajti drejton operimin e vogëlushes, i cili zgjat 4 orë të mundimshme. Mbas operimit kaloon në Reanimacion, ku mbas 24 orësh ndërron jetën vajza 14 vjeçare e Vermoshit, viktimë e pakujdesisë dhe indiferentizmit të pushtetarëve, për fëmijët e të cilëve i kanë të hapura dyert klinikat luksoze të botës!… Lekë Luma Berisha në burg për agjitacion, Edvin Rama Monument Kulture për hajdutëri Parlamenti sot i ngjan Komitetit Qendror të ish PP-së. Dallimi është në dy pika. E para, mund të flasësh lirshëm, e dyta mund të dënohesh pa ligj, pra pa të treguar nenin 55. Parlamenti duket shumë më keq se ish Komiteti i PP-së, pra më hajdut, më i pafytyrë, më kontrabandist, më hakmarrës, pra shumë më i pakëndshëm dhe natyrisht i çarë më dysh. Meqë shërbëtorët janë keq, pra në krizë, me që sovrani është “mirë”, rehat-rehat duke shijuar humor dhe budallallëqe, duket se gjithçka shkon fjollë. Po edhe sovrani duket është infektuar paksa nga shërbëtori i tij, është më dysh. Kur nis një seancë parlamentare fëmijët e vegjël s’duan t’ia dinë fare ç’thuhet. Ata kënaqen e duartrokasin deputetët: -Unë kam xhan Agron Dukën, megjithëse e tërheq këmbën zvarrë si Rindi i zi, e kam Van Dam, ti rreh kundërshtarët fët e fët, – flet njëri. -Jo, – bërtet një fëmijë tjetër, i madh është Ben Blushi. Është Sandokan. Mes shumë preferencash, një fëmijë thotë se ka për zemër Spartak Brahon, pasi ai ka para më shumë se babi i tij që s’ka t’i blejë një çokollatë. Një tjetër vogëlush ka xhan Gramoz Ruçin. Ai ua mbledh penjtë të gjithëve. U ngërdhuzet, i shan, i tremb. Ky fëmijë bile shpreson që vëllai i tij i lindur ditët e fundit dhe që ia ka vënë emrin Sadam, të bëhet trim jo vetëm si Gramozi, por si Sadam Hyseni. Nejse, punë fëmijësh janë këto. Fëmijët janë të pafajshëm pse u kanë vënë emra të ndryshëm deputetëve që kanë për zemër. Makbule Çeçon e kanë pagëzuar Nënëmadhja e Parlamentit, Jozefina Topallin, Borëbardha, Fatos Nanon e Ilir Metën, disa Tomi e Xherri, disa Oli e Steli, Ndre Legisin, Arturo Ui, Servet Pëllumbin Qazim Mulleti, Bardhyl Agasin, Doktor Allamulli, Arta Daden Sina e Parlamentit… Mund të vazhdohej gjatë deri tek xhuxhërit, por nejse shërbëtorët e popullit janë këta, për popull e kanë. Po të rriturit si reagojnë kur ndjekin Parlamentin? -Berishë, mos fol se të futin në burg për agjitacion e propagandë, janë bijtë e etërve që na patën marrë gjithçka kishim, edhe pronat, edhe lirinë, edhe dinjitetin… -Berishë, fol se s’kemi ç’humbim më shumë. As kemi drita, as punë, as rrugë, as shohim një perspektivë me këta hajdutër e mashtrues… -Berishë, thuajua haptas të gjitha se na ke pas, nuk ua mban të të cënojnë… Pra, kur opozita ua thotë gjëta me gojë, shqip, aty në arenën e cirkut politik të Tiranë, se fjala vjen Ben Blushi ka përfituar afera, se Edvin Rama ka vjedhur e spekulluar, se Arta Dade s’ka qenë e zonja as të edukojë fëmijët e vet, të cilët kanë probleme me prokurorinë, por që natyrisht do të dalin të pafajshëm, se…, vërshojnë paditë e kërcënatat për burg, thua se ato fjalë nuk u thanë në Parlament, por në kafene mes rrugaçërish që e bëjnë ligjin aty për aty. Fët e fët, bijtë e etërve nxjerrin kushtetutën e Enverit, i referohen nenit 55 për agjitacion e propagandë, ndërsa Qazim Mulleti i Parlamentit bërtet me sa zë ka: Berishë, mos ma prek Benin, mos ma nguc Spartakun, mos ma gjuaj Edvinin, mos ma thumbo Musanë, mos ma gicilo Artën. Mulleti i Parlamentit më fort nxihet për Edvinin, pasi akuzat janë të drejtpërdrejta, bile nëse s’do ndikonin strukturat perëndimore jo vetëm s’do krijohej komisioni hetimor parlamentar, por do ishte gati ta hidhte në votë për ta bërë Edushin të paprekshëm, “Monument Kulture”. Mirë e tha Abdi Baleta, ky parlament ka aftësinë vetëm për të prodhuar peripecira, gjëra të pakëndëshme, të bujshme dhe që nuk zgjidhin asgjë. Brenda asaj buje pa bereqet po don të hyjë edhe Aleksandri i Meksajve, të cilit i bëjmë me dije se shumë shpejt do i botojmë një dosje shumë sekrete që ka të bëjë me historinë e një anijeje që sot dergjet diku andej ku fshehen skafet. Eh, mor Aleksandrush, nëse Baletën don ta zësh për fjalën e lirë që ka thënë, bën mirë të shohësh mustaqet e tua se shtypi atë punë ka, të shtyp të keqen e të këqinjtë. Por le të kthehemi këtu në parlamentin që mustaqet e Meksit ia kanë ndier erën lëvizjes. Dadusha, ose Sina e Parlamentit, këlthet se burrin ia vranë koburet e Berishës. Po kujt ia thotë bre? Natyrisht vogëlushëve, se të rriturit i dinë mirë gjërat prej vërteti, ashtu si për Meksin. Pa pretenduar të bëjmë shumë moral me këtë shtet të pamoralshëm, pa kërkuar shkaqet për vrasjen e mbi pesë mijë shqiptarëve në pak vite pasi s’ke kujt t’ia kërkosh, Artës së kulturës së “artë” do i kujtonim ish oficerin Lekë Çoku që shoqja e saj e idealit Luiza Hoxha i piu gjakun pasi e vranë në Sheshin e Flamurit në Vlorë. Nejse, për peripecira e sherre, jo për tjetërgjë duket se është ky Parlament. Ky Parlament që po zbaton nenet e Kanunit gjashtëqind vjeçar publikisht. -Të kam gjobitur 100 000 000 para, i dua në dorë, bërtet me të madhe Beni i Kiços në Parlament, duke iu gërmushur Berishës. Sovrani që është i “lumtur” kur sheh shërbëtorët ashtu, qeshet e vetëm qeshet. Përveç shumë hamendjeve, ke të drejtë të pyesësh se si ky Sandokani këta qindmilionëshat i paska hiçgjë? Por një hiçgjë duket është edhe besimi që ka sovrani tek shërbëtorët. Gjithsesi, këtij parlamenti, këtij shteti u duhet besuar thjesht se janë të pabesueshëm. S’është ndonjë gjë e madhe apo jo, mjaft që kënaqen fëmijët… Editorial nga Sokol Pepushaj Acarohet politika Ditët e fundit janë pasqyrë e asaj përplasje mes diktaturës së pashoqe dhe opozitës konstruktive. Parlamenti shqiptar tashmë është shndërruar në një arenë, ku partia në pushtet po këput edhe ato fije të holla që jepnin një shpresë të vogël të kompromisit politik. Komunistët shqiptarë, bij të etërve diktatorë, po shpërfillin kërkesat e opozitës për një transparencë të korrupsionit e veçmas të kryebashkiakut të Tiranës Edvin Ramës, i cili ka spekulluar me tenderat. Komunistët shqiptarë po tregojnë dhunë ndaj kundërshtarëve politikë, duke i kërcënuar me gjyqe, burgje, etj. Por kjo metodë, të mos harrojmë, se edhe i pat sjellë në pushtet në pranverën e zezë të vitit 1997. E, është po kjo metodë që ka bërë të pushkatohen shumë demokratë. Anarshia përmes dhunës sot është e lexueshme nga gjithkush. Por më të dëmtuarit janë ata demokratë që për bindjet e tyre u bënë viktima. Po të shikosh në një dokument me numër prot. 18/2 të degës së Partisë Demokratike të qytetit verior të Shkodrës, do vëresh me dhimbje se demokrati Sander Ndue Qarri, lindur 12 janar 1978; anëtar e veprimtar i kësaj partie që më 20. 01. 1996, është kërcënuar seriozisht vetëm për bindje politike të djathta. Kështu vepronte edhe Enver Hoxha! Madje ai të dënonte me ligj! Ndryshe nga këta që shkelin edhe Kushtetutën e të dënojnë si në Mesjetë. Sander Qarri është dalluar si kryetar i Forumit Rinor të PD-së, të sektorit Reç i Vjetër në komunën e Velipojës, duke kryesuar edhe Shtabin Elektoral të Forumit Rinor të kësaj partie në zgjedhjet parlamentare të 29 qershorit, zgjedhje të cilat u uzurpuan me dhunë, me armë, me tritol, me burgje, vrasje, ku tanket ishin në plan të parë. Aso kohe qenë burgosur komisionerë të PD-së, qenë dhunuar shumë e shumë, midis tyre edhe Sander Qarri, i cili u bë viktimë e grushtave, shqelmave të policisë si dhe kërcënatave me rrezikshmëri për jetën. Ky i ri shqiptar gjatë rebelimit fashist, ku në Vlorë e Lushnje i ndezën urët e zjarrit që shumë shpejt u përhapën në tërë Shqipërinë, vetë deputetët e ministrat që kemi sot, aso kohe dha një kontribut të përshëndetshëm në ruajtje të institucioneve shtetërore. Kështu e kish pësuar edhe i ati Ndue Qarri, i cili përkushtimin për një Shqipëri të lirë e demokratike e ka paguar me kërcënime të tij dhe të familjes së tij. Ai vazhdimisht ka qenë komisioner i përhershëm i komisioneve zgjedhore si përfaqësues i PD-së. Ai që pas rënies së Murit të Berlinit ka organizuar në Shqipëri aktivitete politike dhe që në krijimin e PD-së në Shqipëri ka kontribuar duke investuar pjekuri politike e guxim. Kështu, për bindje të djathta e kishin pësuar edhe paraardhësit e tij. Kështu, pra, në Shqipëri ish diktatorët mbesin po në pushtet dhe diktatorë, ish të përndjekurit po të dhunuar e të përndjekur. Edhe sot, biri i tij Sander Qarri jetën e ka të rrezikuar, pasi është futur në rrethin e kuq, për të vetmin “faj”, se është antikomunist. Ashtu si Sandri janë shumë shqiptarë që jetojnë në ilegalitet ose kanë marrë rrugët pa rrugë të mërgimit. Albert Vataj Dhimbje Kosove Eh, plagët e Kosovës djegin shumë. Eh, kështu duket do djegin edhe për disa kohë. Krimet janë të tilla sa zor t’u gjesh shembuj në tërë botën. Ja, tragjedia e një çifti të ri, sa e dhimbshme është. Fjalën e kemi për të renë Lela Selimi të lindur në Rajnicë të komunës së Preshevës më 27 qershor 1983 dhe burrin e saj Arben Selimi të lindur po në të njëjtin vend më 6 korrik 1980. Duke qenë se në Preshevë popullsia është e përbërë 60% shqiptarë, 30% serbë dhe 10% ashkali, diferencimet etnike kanë rënë ashpërsisht mbi këtë çift. Lela që fëmijë kaloi trauma të rënda. Ishte nxënëse në shkollën shtetërore “Talat Baraku” nga shtatori 1990 deri në mars 1991, ku serbët patën mbyllur shkollat dhe patën ngritur popullin kosovar në protesta masive. Kjo vajzë e vogël, sipas burimeve të besueshme që morëm në Preshevë nga të afërm të saj, deri më 1994 u edukua ilegalisht e privatisht, pasi fëmijët e serbëve i mbysnin fëmijët e etnive të tjera. Një ditë policia serbe e kishte parë në rrugë, e kish gjuajtur dhe pyetur për të mësuar se mos ajo shkonte në ndonjë shkollë. Por në maj 1994, kur ajo pra ishte njëmbëdhjetë vjeçe, policia serbe kish zbuluar bazën që shërbente si shkollë dhe e kish rrethuar me policë të armatosur, madje edhe të droguar, siç na thanë këto ditë dëshmitarë okularë që ruajnë kujtime shumë të tmerrshme. Ishte shkatërruar ndërtesa dhe djegur të gjitha materialet mësimdhënëse. Mësuesin, që na thanë quhej Gëzim, por mbiemrin nuk na e dhanë për arsye sigurie, e kishin rrahur, e kishin çuar në stacionin e milicisë ku kishin regjistruar emrat e nxënësve dhe prindërve të tyre. Veç këtyre, ky fëmijë kishte patur edhe një dramë familjare. Ish rritur me të atin Lin Maliqi me origjinë etnike shqiptare dhe njerkën Drita Maliqi, ashkalie shqiptare si dhe me vëllain prej babe Agron Maliqi. Nëna e Lelës, e quajtur Lepe Maliqi, që ishte me origjinë serbe, e kish lënë të shoqin që kur vajza në fjalë ishte një vjeçe dhe ajo as sot e kësaj dite nuk e ka parë e as e njeh të ëmën. Por vitet rrjedhin, shtati i kësaj vajze rritet, “aksidentet” bëhen më antinjerëzore. Në dhjetor të vitit 1998, kur ajo ishte afro 16 vjeçe, një tufë policësh serbë i thyejnë derën e shtëpisë, kthejnë mbrapsht çdo gjë nën pretekstin e kontrollit për armë, i marrin të atin dhe vëllain në stacionin e policisë. Ndërsa katër civilë serbë dhe oficerë e përdhunojnë kafshërisht Lela Selimin (Maliqi). Ndihmën e parë ia kish dhënë një komshi, e quajtur Dita Celi, edhe ajo një grua ashkali. Gjithsesi më 1 korrik 1999 Lela u martua me të riun Arben Selimi. Edhe në shtëpinë e burrit e ndjekin ndëshkimet antinjerëzore. Duke qenë se vjehrri i saj Sel Selimi ishte i etnisë shqiptare dhe e vjehrra Lie Selimi ashkalie që don të thotë nuk ishin në sy të mirë as për shqiptarët e aq më shumë të luftuar nga serbët, jeta e tyre rrezikohet, madje është e kërcënuar edhe sot e gjithë ditën, ku kërkohen të vriten. Kështu më 20 janar 2000, forcat e policisë serbe mësohet të kenë vrarë vëllain e saj prej babe, ndërkohë që babain ia kishin arrestuar në të njëjtën ditë dhe duket nuk e ka parë kurrë më. Më 20 shtator 2000, një grumbull policë serbë dhe civilë, gjithsej dhjetë vetë, shpërthyen forcërisht shtëpinë, arrestuan të vjehrrin e saj që akuzohej si bashkëpunëtor i shqiptarëve. Vjehrrën ia lanë në shtëpi të rrethuar me forca të shumta të armatosura. Edhe plakën e kishin përdhunuar. Por ajo që është tejet tronditëse është përdhunimi i nuses që edhe vajzë kish kaluar të njëjtën dramë fatkeqe. Thuhet se Lela Selimi është përdhunuar rreth katër-pesë orë dhe kjo për ti shpërlarë dinjitetin, për ta poshtëruar si njeri. Më 27 shtator të po atij viti, pra të vitit 2000, burri i saj vjen në shtëpi shumë i sëmurë nga të rrahurat e masakrimet që i kishin bërë në stacionin e policisë. Ai kishte treguar me dhimbje se të atin e kishin hedhur si leckë në periferi të fshatit. Të nesërmen e asaj dite ata morën kufomën dhe e varrosën. Edhe sot e kësaj dite Arben Selimi nga goditjet në kokë me qytë automatiku vun nga depresioni e dhimbja e kokës. Është kjo një nga dhimbjet kosovare që gazeta jonë i ka zbuluar e trajtuar vazhdimisht, pavarësisht presioneve edhe ndaj nesh. Sokol Pepushaj Krimi me imunitet Më fort se kurrë, sot krimi i organizuar është bërë problem për Shqipërinë. Prononcimi dhe akuzat e Ambasadorit Amerikan në Tiranë James Jeffrey mbi shkeljen e të drejtave të njeriut, krimin e organizuar dhe korrupsionin, duke iu kujtuar shqiptarëve përgjegjësinë për votën, flasin shumë. Socialkomunistët në pushtet janë bërë bllok për të mbajtur karriget. Bllok kanë qenë gjithmonë ata. demokratët e vërtetë i kanë penguar me tërë format më antinjerëzore në udhën e tyre. Luigj Nilaj lindur në zonën e thellë malore Vukel të Malësisë së Madhe më 22 gusht 1996, pinjoll i një familjeje bajraktarësh me gen antikomunist, disa herë është vënë në shënjestër të bandave me prapavijë politike për t’u eleminuar fizikisht. Gjatë fushatës së nxehtë të votimeve parlamentare të 29 qershorit 1997, duke qenë vëzhgues i Partisë Demokratike në Vukel, u dhunua nga bandat e kuqe. Më 23 shtator 2000, gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet në pushtetin vendor të 1 tetorit 2000, policia e ka keqtrajtuar për më shumë se pesë orë, për të vetmin veprim se është demokrat. Por ajo që duam të theksojmë është fakti se Luigj Nilaj e kishte “prishur” punën me komunistët që në korrik-gusht të 1997-ës, kur kish guxuar të shkruajë parulla maleve si “Poshtë komunizmi”, “Poshtë diktatura”, “Demokracia do të fitojë”, etj. Sidoqoftë, nga 23 shtatori i vitit 2000, deri në maj 2001, u largua për t’u fshehur në shtetin fqinjë, Greqi, nga ku segmente të inkriminuara të shtetit shqiptar të lidhur me mafien greke e zbuluan dhe ai u kthye forcërisht në Shqipëri. Sërishmi ky anëtar i Partisë Demokratike që në fillimet e saj, ingranohet në veprimtari politike, pranë fushatën zgjedhore për deputetë të 24 qershorit 2001. Më 20 qershor 2001, pesë persona me maska i futen në shtëpi, ku e dhunojnë atë dhe familjen e tij. Demokrati Nilaj futet forcërisht me këmbë në zjarr në oxhakun e shtëpisë. Gruaja e tij kushtrimohet dhe vetëm falë fatit ai shpëton pa u djegur. Raste analoge kemi takuar vetëm në trevat e Kosovës ku serbët kanë qenë po kaq të ashpër. Mësojmë se me atë rast Luigj Nilaj i është nënshtruar një mjekimi të kualifikuar në spitalin e Tamarës. Duke qenë kaq shumë i rrezikuar me jetë, ku sipas burimeve tona të besueshme edhe gruaja i kish lindur dy muaj para kohe nga traumat e dhuna, detyrohet të marrë udhët e largëta të mërgimit, ashtu sikundër shumë shqiptarë të tjerë që braktisjen e vendit të tyre e shohin si të vetmen mënyrë shpëtimi. Pra, me plot gojën mund të thuash se krimi në Shqipëri ka imunitet. Vasel Gilaj Konfliktet e vjetra edhe në kohë të reja Te shumë shtetas shqiptarë konfliktet e vjetra paraqesin rrezikshmëri për jetën. Ato sot e gjithë ditën janë një ndër problemet më të rënda në shoqërinë shqiptare. Në këto dymbëdhjetë vjet tranzicioni të dhimbshëm, shteti shqiptar, asnjëherë s’arriti të përcaktojë e ndërtojë një strategji për të ndikuar në zhdukjen e këtij fenomeni mesjetar. Hakmarrja e gjakmarrja pra, janë kudo, si në fshat ashtu edhe në qytet. Jetët e pafajshme janë shumë që u bënë pre e këtij fenomeni. Veçmas veriu shqiptar po vuan rëndë pasojat e konflikteve të vjetra e të reja si rrjedhojë e mentaliteteve të lashta të kanunit të Lekë Dukagjinit. Ne u ndalëm në një rast konkret, siç është familja e shtetasit Arben Zef Gjini, i datëlindjes 10. 10. 1971, i lindur në fshatin Vig të komunës Vig-Mnelë, por banues në lagjen “Mark Lula” të qytetit Shkodër. Jeta e këtij njeriu të pafajshmë është tejet e kërcënuar, megjithëse është i martuar dhe baba i dy fëmijëve. Ngujimi familjarisht ka qenë e vetmja mënyrë për t’i shpëtuar plumbit hakmarrës që nuk fal. Dhe pse, do thotë dikush? Gjyshi i Arbenit, i quajtur Ndue Gjini, shumë vite më parë, në qershor 1974, për konflikt pronësie kish vrarë shtetasin Prend Paloka, nga Bashkia Laç Vau i Dejës. Por vitet rrjedhin e hasmëria nuk shuhet. Me datën 23 korrik të vitit 2002, familja e dëmtuar ka tentuar të hakmerret ndaj familjes Gjini, duke qëlluar me armë automatike banesën e tyre. Fati e Zoti duket kanë qenë me ta dhe nuk është dëmtuar asnjë jetë njeriu. Si rrjedhojë e këtij konflikti të nxehtë, tre familje të fisit Gjini janë detyruar të vetëngujohen pasi pushka mund t’i priste nga çasti në çast, ashtu sikundër sot një lagje e tërë në Shkodër është e ngujuar, në periferi të Kirasit, afër ish Ndërmarrjes së Zooteknisë. Pra, Arben Gjini duket se ka patur fat që është larguar nga Shqipëria për të shpëtuar jetën, por shumë të tjerë sot i kërcënon plumbi i hakmarrjes. Zog Hysenaj Gjakmarrja, plagë e pashërueshme në shoqërinë mbarëshqiptare Jo më larg se në datën 20 shkurt të këtij viti rreth orës 1730, një tjetër incident tragjik ka ndodhur në qytetin e Fierit. Ngjarja makabër që ka tronditur gjithë shoqërinë shqiptare, kudo që vrasja e tre pjestarëve të familjes Shehaj në qytetin e Fierit në datën 3 mars 2001 është bërë prezente, është përsëritur vetëm dy vjet më pas dhe pikërisht më datën 20 shkurt 2003. Ashtu sikurse është bërë e ditur në shtypin e përditshëm dhe në televizionin lokal të qytetit të Shkodrës, në datën 20 shkurt 2003, në qytetin e Fierit një tjetër vrasje që ka lidhje me vrasjen e zotit Ilirjan, Florian dhe Guri Shehaj. Kjo vetëm për faktin se drejtësia shqiptare nuk funksionon dhe se krimi i organizuar i ka rrënjët tek qeveria dhe partia socialiste në pushtet. Pas gjyqit që është zhvilluar në qytetin e Fierit në datën 18 shkurt, Gjykata e Apelit ka vendosur që të nxjerrë të pafajshëm vrasësit e Ilirjanit, bashkëshortit të vajzës shkodrane Lindita Shehaj (Curri). Të dy vëllezërit Arapi, autorët e këtij krimi politik janë lënë në gjendje të lirë dhe totalisht të pafajshëm. Gjykata ka vendosur vetëm dy vjet burg dhe se në konsideratë është marrë dita e arrestit të tyre dhe koha që ata kanë qenë për hetim në stacionin policor. Si rrjedhojë e kësaj ata janë bërë viktimë e armëve të familjes Shehaj. Në lidhje me fjalët e dëshmitarëve okularë dhe të zëdhënësit të policisë të qytetit të Fierit, vëllezërit Arapi kanë qenë duke pushuar në “Bar-Resorant Shkëlzeni”. Papritur një makinë e tipit “benz” me ngjyrë të bardhë dhe pa targa, ka ndalur para lokalit të lartpërmendur. Me shpejtësi dy perosona me maska kanë dalë prej makinës ndërsa shoferi ka vazhduar të qëndrojë në makinë. Të dy personat, që mendohet se kanë qenë të udhëzuar prej dikujt që ishte ende brenda në lokal, kanë shkuar me shpejtësi në drejtim të tavolinës ku po pushonin Altin dhe Vilson Arapi dhe kanë hapur zjarr kundër tyre me pistoleta. Ata kanë vazhduar të qëllojnë mbi trupat e tyre edhe pse ata ndoshta mund të kishin mbetur të vdekur prej plumbave të parë. Pas kësaj ata janë larguar me shpejtësi në drejtim të paditur. Grupi i gatshëm i policisë së Fierit ka arritur në vendngjarje 35 minuta pas incidentit dhe se ka marrë në pyetje disa nga dëshmitarët okularë. Gjithçka është e qartë se kjo vrasje ka lidhje me vrasjen e anëtarëve të familjes Shehaj gjithashtu dhe se ky problem nuk do të ketë kurrë zgjidhje përderisa të dy fiset Arapi apo Shehaj të largohen në të dyja anët e globit. Shtrohen pyetjet: Çfarë do të ndodhte nëse shteti nuk do të kishte lidhje me krimin e organizuar; kur do të shërohet plaga e vjetër e gjakmarrjes që tashmë po përhapet me shpejtësi edhe në jugun e Shqipërisë. Rifat Ymeri Frikën nga pushka e hasmit Quhet Gëzim Rasim Hysaj. Ka lindur më 24 shkurt 1971. Është martuar me një vajzë nga fisi i njohur i Lacajve, Rudinën dhe rritin një djalë të bukur e të shëndetshëm Erisnalidin që ka lindur më 12 shkurt 2000. Së bashku me ta jeton edhe nëna shëndetligë Hajrija e të katërt së bashku ka 5 vjet që erren e gdhihen me ankthin e frikës nga pushka e hasmit që rrin ngrehur për t’u shkrehur mbi Gëzimin e djalin e tij të vetëm Erisnaldin i cili ka lindur, ka nisur të flasë e po rritet në kushtet e tmerrshme të ngujimit. Rasimi, babai i Gëzimit, pikërisht ai që shkaktoi konfliktin, ka vdekur në vitin 1999, duke iu lënë djalit e nipit që akoma s’kishte lindur, hijen e rëndë të gjakut të pafalur. Ngjarja tragjike ka ndodhur paraditen e 17 marsit 1998. Ndonëse ishte ditë me diell, përsëri bënte shumë ftohtë e frynte një erë e fortë që të merrte frymën. Ndërsa Rasimi ishte çuar herët e po rrethonte me tel e shtylla tokën e tij në kufi me fqinjin e tyre familjen Haxhiaj, papritur drejt tij afrohen dy djemtë e Sejdinit, Fetahu e Fatbardhi, e nisin ta fyejnë e shajnë me fjalë të rënda Rasimin, me pretekstin se ku po rrethonte tokën e tyre. Pasi kanë shkëmbyer për disa minuta sharje e kërcënime me njëri-tjetrin, Rasimi është kthyer në shtëpi e ka dalë me një automatik në dorë, të cilin e ka drejtuar me shpejtësi nga dy vëllezërit, djemtë e Sejdin Haxhisë. Më shumë se njëzet plumba janë derdhur me breshëri në Fetahun e Fatbardhin që kanë vdekur në vend, ndërkohë që vrasësi ka mundur të largohet nga vendi i ngjarjes për t’u strehuar tek disa të afërm të tij. Qysh prej atij momenti nuk ka më qetësi për pjestarët e tjerë të familjes Hysaj. Për ta nis jeta e mundimshme e ngujimit, fjalë e ardhur nga thellësitë e shekujve deri në ditët tona. Tashmë dy varret e reja të fisit Haxhijaj në bazë të ligjeve të tmerrshme të kanunit të maleve nuk prehen të qeta përderisa të hapen edhe dy të tilla në familjen Hysaj. Gjaku lahet me gjak thuhet në nenet e pashkruara të kanunit që në 12 vitet e fundit, i ndihmuar edhe nga mungesa e shtetit, është ulur këmbëkryq e bën ligjin në rrethet e veriut të vendit. E ndërsa Rasimi ka vdekur, gjakun duhet ta shlyejnë Gëzimi me djalin e tij të vetëm Erisnalidin. Ata kanë pesë vjet që rrijnë të ngujuar e më kot presin ndihmë e përkrahje nga shteti. Edhe misioni i pajtimit mbarëkombëtar të gjaqeve, përveç dëshirës, asnjë mundësi tjetër nuk ka për të ndihmuar në zbutjen e këtij fenomeni që dukshëm po gërryen jetën e rilindur veçanërisht në tervat e veriut të vendit. Armët e Haxhiajve rrinë ngrehur për tu shkrehur mbi Gëzimin e të birin, të cilët nga frengjitë e kullës së ngujimit shohin me lakmi rrezet e diellit e pranverën që rilind. Eh… sa mall e dëshirë kanë të dalin prej aty, por… pushka vrastare është gati me gishtin te këmbëza. Një realitet i hidhur, një tragjedi e dhimbshme në shekullin e ri! Rifat Ymeri Shuhet familja e Riza Hebaj nga Drevari i Mitrovicës! -Dosja e krimit serb në Kosovë- Ndoshta pluhuri i harresës do të kishte mbuluar gjithçka e kurrë s’do të merrej vesh se jo më shumë se para 5 vitesh në një fshat malor disa km përtej qytetit shqiptar të Mitrovicës kishte jetuar edhe familja Hebaj. Rastësia e solli që para disa ditësh, në rolin e gazetarit të “Shqipërisë Etnike” së bashku me kolegun tim nga Prizreni Nexhat Çoçaj të vizitonim Mitrovicën e njëheraz të mësojmë një pjesë të këtyre krimeve makabre të kryera nga paramilitarët serb gjatë vitit 1998. Një tjetër koleg i yni në këtë qytet, përveç shumë fakteve e ngjarjeve të mbledhura për krimet e luftës, na la në dorë edhe një tufë letrash pa përgjigje që djali i mbetur gjallë, Eltioni, që kishte ikur nga Kosova para fillimit të luftës, i dërgonte babait të tij Rizasë, nënës Naxhije e motrës së vetme Armanda. Ka lindur më 17 qershor 1980. Ishte pikërisht ky djalosh, Eltion Riza Hebaj që në këtë foto që ilustron shkrimin, e para pesë viteve, buzëqesh pafajshëm dhe as që e di se ç’ka ndodhur me njerëzit e tij më të dashur. Ka ikur nga Drevari, para luftës e qysh prej asaj kohe, ndonëse ka shkruar shumë letra, asnjëherë s’mundi të lidhej ose të merrte vesh diçka për fatin e familjes. Ai edhe sot rri me shpresën se ndoshta një ditë do të takohet me sytë e përlotur të Rizasë, nënës shëndeligë Naxhijes e motrës së tij të dashur Armanda, por… Ishte nxehtë, kohë vere, jo më larg se katër vjet më parë. Kishte pak muaj që ushtria serbe kishte nisur ofensivën kundër shqiptarëve për t’i detyruar të braksitin trojet e të parëve. Atë natë dhjetra paramilitarë serbë, me urrejtje patologjike kundër shqiptarëve, mësynë banorët e pambrojtur të Drevarit. Vranë, prenë, grabitën, përdhunuan e shkatërruan gjithçka. Pre e dhunës shtazarake ranë edhe tre pjestarët e familjes Hebaj. Dhjetra thika u ngulën egërsisht në trupat e tyre të pafajshëm që u tërhoqën zvarrë nëpër rrugët e pluhurosura të Drevarit, ndërkohë që flakët e zjarrit shkrumbuan tërësisht shtëpinë. Dikush i varrosi kufomat e shpërfytyruara. …Tre varre janë edhe sot pa emër në një bregore pak metra mbi shtëpinë e drevarëve të sotëm… Ky ishte njëri ndër krimet makabër që naziskinët serbë kryen mbi mijëra familje kosovare gjatë luftës. Të tjera fakte të tilla tronditëse, do të sjellim në numrat e ardhshëm të “Shqipërisë Etnike”. Ndërkohë që Eltioni do ta mësojë përmes gazetës historinë tragjike të familjes së tij. Sytë e tij do të mbushen me lot, do të trishtohet, por tashmë s’do të shkruajë më letra. Ai s’ka kujt t’ia çojë dhe as ku të shkojë. Tre varre pa emër pak metra mbi shtëpinë e djegur në Drevarin e tij të shtrenjtë… E historia vazhdon. E ndërsa Nexhati mbeti në Prizrenin e tij, unë me dëshminë e krimeve u ktheva në Shqipëri e nisa të botoj pjesë nga dosja kriminale e dorës gjakatare serbe kundër shqiptarëve! Rifat Ymeri Fati i shqiptarëve në Kosovë e Maqedoni është tragjik Fati i shqiptarëve kudo qofshin ata të vendosur, në Kosovë, Maqedoni, Preshevë, është tragjik. Problemet akoma nuk janë zgjidhur përfundimisht. Shqiptarët gjithmonë kanë luftuar e derdhur gjak për të qëndruar e jetuar në tokën e tyre. Luftuan kundër serbëve për të qenë të lirë e të pavarur. Çështja e shqiptarëve të Preshevës e Maqedonisë ende nuk është zgjidhur, persekutimi dhe keqtrajtimi akoma vazhdon në lloj-lloj mënyrash. Persekutimi serb i detyroi një pjesë të tyre të shpërngulen nga shtëpitë e veta dhe të kërkojnë ndihmë nëpër botë. Po shumë prej tyre duan të kthehen në shtëpitë e veta, në tokat e veta stërgjyshërore. Propaganda sikur gjendja është normalizuar është një gjurmë fallco, një tymnajë e qëllimshme. Qeveria e Beogradit po gënjen kur thotë se mënyra e trajtimit ndaj shqiptarëve ka ndryshuar, se ata gëzojnë të drejtat e tyre. Ne e pamë me sytë tanë se e vërteta është tragjike, saqë edhe gazetarët e “Shqipërisë Etnike” nuk mund të paraqesin dokumentin, se mund të rrezikohet jeta. Duke dëgjuar e besuar propagandën e Beogradit, shqiptarët e larguar nga Presheva e Bujanovci, filluan të kthehen në tokat e pronat e tyre. Por ç’ndodhi me ta? Ata i priti pabesia serbe, i priti e papritura, vdekja. Kështu ndodhi edhe me zotin Emrush Veseli i cili që nga koha e luftës ishte larguar nga shtëpia e tij në Preshevë dhe jetonte në Maqedoni. Ndërsa djali i tij Gzim Vaseli është larguar nga Presheva për t’i shpëtuar tiranisë serbe dhe sot nuk i dihet as adresa, as fati, në është i gjallë apo i vdekur. Duke i besuar verbërisht propagandës serbe, Emrushi vendosi ta linte Maqedoninë dhe të shkonte në shtëpinë e tij në Preshevë. Por për fat të keq ai u gjet i vrarë pas dy ditësh, dhjetë metra larg shtëpisë së tij, me datën 2. 03. 2003. Po me të tjerët që duan të kthehen në vendin e tyre ç’do të ndodhë? Një zot e di. Sokol Pepushaj TV “Malësia”, telelvizioni i sfidave. Rrugë të mbarë. Malësia e Madhe është djepi ku është përkundur një pjesë e rëndësishme e kulturës shqiptare. Madje më brilantja. Gjergj Fishta aty nisi vargjet e “Lahutës së Malcisë”. Por që para tij, kur Shqipëria njihej veç përmes Gjergj Kastrioti e Lekë Dukagjinit, ishte skulptori erodit Françesko Albanessi, kelmendasi që në shekullin 15-të gdhendi altarin e kryekishës së Milanos që edhe sot qëndron i paarritshëm si një kryevepër e artit të kulturës botërore. Pa përmendur dhjetra e dhjetra shembuj brilantë të tjerë që i dhanë ndriçim gjerdanit shqiptar, Angjelin Prelocaj, njëshi i baletit në botë, Gjekë Marinaj që i ka hypur me revan të pandalshëm “Kalit” të poezisë, Aleksandër Frangaj, Ramiz Lika, Lukë Kaçaj, Tomë Therçaj, Dakë Keqaj, Fitore jonuzi, Kadri Ujkaj, Qazim Lika, Sokol Zekaj, Dodë Kaçaj, gjuhëtari Gjovalin Shkurtaj e mjaft të tjerë që para se të jenë shqiptarë të mëdhenj, ishin apo janë malësorë të mirë, qytetarë të mirë të botës së letrave. Pikërisht këtu, në këtë amfiteatër të kulturës shqiptare, nisi rrugën telelvizioni me emrin kuptimplotë “Malësia”. Në qoftë se sot e tërë kultura shqiptare, konkretisht mediat e shkruara e vizive meqë jemi në këtë pikë, kanë “pakëz” Malësi brenda, nëse edhe Parisi e Nju Jorku po kështu kanë malësi elitare atje, televizioni “Malësia” s’ka kurrsesi arsye që shumë shpejt të mos jetë vetëm një interlokutor i problemeve mbarëshoqërore të shoqërisë shqiptare, por edhe një tribunë e mendimit të lirë, një tribunë e rrezatimit kulturor. Malësorët ngado që janë sot, nëpër tribunat e kulturës shqiptare, do investojnë dijet e tyre në këtë televizion. Edhe diaspora e malësisë, është normale të investojë. Se paratë nuk pjellin mend, por mendja lind paranë. Dhe diaspora malësore i ka të dytat se nuk i kanë munguar të parat, ashtu sikundër ideatorit të kësaj nisme, Shaban Danit. Televizioni “Malësia” nuk prezantohet si një fillestar, pasi dy gazetarët e tij Rifat Ymeri e Vasel Gilaj që janë edhe gazetarë të gazetës sonë, shtruan shinat e para në dy televizione të Shkodrës. Dhe i shtruan mirë. Valët e TV “Malësia” përmes programeve shumë serioze do futen si pjestarë të familjeve tuaja, në shtëpitë tuaja. Ky televizion do jetë miku i të gjithëve, edhe i fëmijëve që do përpiqet t’i edukojë me atdhetarizëm, t’i pajisë me kulturë t’i ketë xhan. Ky televizion shumë shpejt do mbulojë hapësirën e gjithë Botës përmes një faqeje interneti që do ia çelë mikja e saj, gazeta “Shqipëria Etnike” si e vetmja medie në Shqipërinë e Veriut që ka akses të vetin në internet, të abonuar e të kontraktuar për një periudhë shumë-vjeçare në Amerikë. Ja pra, me ç’synime hyn TV “Malësia” në rrugën e vështirë e të shenjtë të informatikës. Hyn më autoritarja e tërë mediave të shkruara të Veriut Shqiptar. Dhe normalisht do jetë më e shikueshmja, më simpatikja, më e respektuara, më e paanshmja, më profesionalja. Kështu shpresojmë ne, kështu urojmë ne. Rrugë të mbarë. Albert Vataj Sokol Pepushaj Edhe ushtarakët të cilët sakrifikuan që të kenë një ushtri të fortë të niveleve perëndimore detyrohen të lënë atdheun Një ndër ushtarakët e shumtë që shërbyen në Ushtrinë Shqiptare ishte nënoficeri me gradë kapterr I-rë, z. Nini Sanaj i datëlindjes 20 Janar 1956, i cili ka kryer detyra të ndryshme nga viti 1976-1995. Qeveria totalitare i kërkoi garanci për të qenë ushtarak dajës së tij Kol Kola i cili kishte detyra të larta në ushtri. Kështu dhe më 13 dhjetor 1990 u arrestua dhe u lirua brenda 4 ditësh duke e nxjerru nga qelitë e Ministrisë së Punëve të Brendëshme po nga daja i tij. Në gusht të vitit 1995, është liruar nga ushtria nga segmente të majta ndërhyjnë si person që ishte aktiv i PD duke e justifikuar në kuadrin e reformës nëushtri. Më 2 dhjetor të këtij viti rreth orës 1900 është therur me thikë nga persona ekstremistë të majtë duke e kërcënuar që të heqë dorë nga PD, ose jeta e tij do të marrë fund. Në zgjedhjet likale, më 01. 10. 2000 për pushtetin vendor duke qenë vëzhgues për PD në qendrën e votimit nr. 56, nën kontrollin e mbrojtjen e votës së lirë është grindur nga persona të pa identifikuar të cilët donin të manipulonin zgjedhjet të cilët nuk njiheshin zyrtarisht nga komisioni. Kështu e kanë qëlluar me thikë duke u therur për të dytën herë. Policia në fakt i dinte kush janë por nuk iu interesonte t’i identifikonin dhe procesi hetimor ende është në hetim. Në këto rrethana është shtruar në Spitalin Rajonal të Shkodrës duke qëndruar deri më 6 tetor 2000 për kurim pranë familjes që jeta e tij të jetë më e sigurtë. Në zgjedhjet e 24 qershorit 2001 ka qenë përsëri vëzhgues në zonën elektorale nr. 7 për PD në koalicionin për fitore ku ishte rrezikuar prapë jeta e tij. Ka marrë pjesë në të gjitha lëvizjet demokratike si më 2 prill 1991, 14 shtator 1998. Në këto rrethana të krijuara është detyruar të lërë nënën, të afërmit e vendin e tij dhe të emigrojë me gjithë familje në një shtet të sigurtë. Zef Nika |