Ambasadorja e Bashkimit Europian në Tiranë, Christiane Hohmann, në takimin e përbashkët të kësaj të premteje me pjesëmarrjen e ministrit të Brendshëm Bledi Çuçi, prokurorit të Përgjithshëm Olsian Çela dhe kreut të SPAK Arben Kraja, po prezanton programin “EU4LEA”; “Bashkimi Europian për Zbatimin e Ligjit në Shqipëri” të financuar nga BE për sigurinë.
Në fjalën e saj, diplomatja e BE-së renditi pesë çështje kritike, sa i përket institucioneve të BE-së, që sipas saj do të kërkojnë vëmendje të veçantë nga ana e institucioneve të BE në procesin e integrimit. Sipas Hohman, ecuria në fushën e sundimit të ligjit do përcaktoje ritmin e përgjithshëm të negociatave me Bashkimin Europian.
‘‘Më lejoni të përmend çështjet kritike sa i përket institucioneve të BE. Së pari do të shikohet se si po konsolidohet reforma në drejtësi, formimi i institucioneve të pavarura të drejtësisë. Së dyti ,do të monitorohet nga afër historiku i hetimeve, ndjekjeve penale dhe i dënimeve në luftën kundër korrupsionit dhe krimit. Së treti, do të priten më shumë rezultate në fushën kundër pastrimit të parave. Duhet të punojmë së bashku për të bërë të pamundurën që Shqipëria të dalë nga lista gri e FATF-së. Së katërti, do të duhet një angazhim në luftën kundër luftës së prodhimit të kanabisit, armëve apo trafikimit të qenieve njerëzore. Së pesti, zhvillimi i bashkëpunimit me shtetet e BE, me agjencitë e tyre të zbatimit të ligjit, me EUROPOL, etj, vijimësia e bashkëpunimit është thelbësore për të zhvilluar atë besim që është i nevojshëm, ndaj kërkon përdorimin e kanaleve të sigurta”.