Nr. 51 i gazetës në print

0
Kokaweb
Kur do të investohet politikë për të patur shtet?!

Duket paradoksal opinioni, sipas të cilit politika shqiptare ka investuar shumë në rrëzimin e konceptit të shtetit, në tërë këto vite të tranzicionit. Ky investim, për hir të së vërtetës, duhet pranuar se ka ardhur nga të dy krahët e politikës, pra si nga e majta edhe nga e djathta. A me dashje, a pa dashje, në fund të fundit, koncepti i shtetit tek ne shqiptarët është tronditur aq shumë, saqë do të duhet kohë për të rifituar edhe ato vlera që pati krijuar periudha e drejtimit të shtetit nga mbreti Zog, e që i keqpërdori ei dhunoi regjimi totalitar dhe që i “zbërtheu vidash” periudha e tranzicionit të lindjes së vështirë të demokracisë shqiptare. Kulm është viti 1997, ku politika shqiptare mori namët e të gjithë shtetasve, madhe edhe të atyre që po lindnin nën efektin e zhurmës së armëve. Megjithatë edhe pse s’duam ta kujtojmë atë vit, 1997-a rri pezull mbi kokat tona.

Shembulli më domethënës i kohëve të fundit, në përpjekjet investuese të politikës në cënimin e konceptit të shtetit, është lufta mediatike që i bëhet nga një pjesë e shtypit institucionit më të besueshëm brenda e jashtë vendit, atij të Presidentit.

Paanshmëria e Presidentit të Shqipërisë, forcimi institucional i tij, rritja e kredibilitetit brenda dhe jashtë vendit, por më shumë në opinionin e gjerë mbarëpublik, me sa duket dikujt nuk i intereson. Të mësuar me paqëndrueshmërinë e institucioneve, e kanë të vështirë të mësohen me qëndrueshmërinë institucionale, me normat e demokracisë. Në këtë lojë ka hyrë edhe media, kryesisht një pjesë e vogël e shtypit të shkruar. Kështu “Tema” dhe “55” ka pak kohë që sulmojnë Presidentin dhe stafin e tij, me përpjekje dhe objektiv dobësimin e këtij institucioni. Si të “pavarura” që janë, ato në mënyrë periodike po përpiqen të “mësojnë” Presidentin se ku ka bekuar mirë e ku ka bekuar keq, se çfarë duhet të bëjë që të mos jetë vegël e Fatos Nanos dhe çfarë duhet të bëjë të dëgjojë Sali Berishën. Por kur Presidenti Alfred Moisiu konfirmoi publikisht se në institucionin që ai drejton nuk ka as Bibël, as Kur’an, vetëm Kushtetutë të Republikës së Shqipërisë, sikundër pat deklaruar pesë muaj më parë edhe gazeta “Shqipëria Etnike”, atëherë të pavarurat e sipërcituara iu vërsulën këshilltarëve të Presidentit me devizën “shpif, shpif, se diçka do të mbetet”, njëlloj si dikur me ato sulmet banale ndaj kapitalizmit e revizionizmit.

E tërë kjo nuk mund të kalojë pa pasojë në politikën shqiptare. Por mbi të gjitha, ajo çka ne marrim në vëmendje të analizojmë është se qëllimi ka mision të lëkundë përsëri konceptin e shtetit tek qytetarët, tek shpresa se ata do të kenë një ditë shtet.

Është vërtetë e habitshme se si politikanë që nuk u kanë ofruar asnjë ide votuesve qytetarë, nuk e kanë problem se çfarë pëson opinioni, se çfarë humbet kur dobësohet shteti, mjafton që ata të jenë të “përfolurit” e ditës, të frymëzojnë militantët, të mbajnë të “ndezur”, mbi të gjitha të ngopin interesat e tyre mbi ato publike. Kështu pra, Fahri Balliu e Mero Baze, me pseudoargumenta, pasi kanë provuar shumë herë se populli as nuk i voton (dhe keq na vjen se nuk i voton), po marrin pak baltë nga çizmet e komunizmit, po e përpunojnë atë dhe po përpiqen ta hedhin mbi institucionin e Presidentit e stafin e tij, me qëllim që të dobësojnë shtetin demokratik. Madje, “analisti” i kohërave moderne, M.B., guxon në një emision të TV “Shijakut” të vejë deri atje sa të shpallë shqiptarët “injorantë”, që s’dinë të marrin përsipër përgjegjësi në kutitë e votimit. Në fakt, të “mëdhenjtë” e kohërave moderne që sot na mbajnë leksione demokracie, para jo më shumë se 14-15 viteve shkruanin edhe kundër Nënë Terezës. Nejse, koha ka të mirat e të ligat e saj. E rëndësishme është se ajo çka gatuhet në trutë e anarshisë, nuk gatuhet në trutë e njerëzve të mirë.

Pra, të vazhduarit e rrugës në të njëjtën “hulli”, në atë të investimit në dobësimin e konceptit të shtetit, sjell atë që nuk e dëshiron asnjëri prej shqiptarëve të vërtetë.

Gjithandej flitet për shtet të dobët, madje disa flasin edhe për inkriminim të shoqërisë shqiptare duke kaluar kufinjtë e arsyes, e deri për ndonjë “infarkt” të mundshëm të Presidentit!

Së fundi, shtetin duhet ta forcojmë dita-ditës ne qytetarët, votuesit, intelektualët, që më shumë se vetë politikanët duam shtet të fortë. Shtet të fortë që të na mbrojë lirinë për të jetuar, bizneset për të punuar, kohën që na jep hapësirë për të menduar, për të lindur…

Sokol Pepushaj

Letër publike, drejtuar Kryetarit të Bashkisë së Shkodrës, z.Artan Haxhit

Para ca muajsh u organizua në Teatrin “Migjeni” një takim me intelektualët e Shkodrës, ku mori pjesë dhe lideri demokrat, zoti Sali Berisha. Nga selia lokale e PD-së më erdhi edhe mua një ftesë, në të cilën ish caktuar edhe radha dhe vendi ku do të rrija. Më erdhi mirë, jo vetëm për ftesën, por pikërisht për vendin. Në mënyrë simbolike mendova: -Më së fundim tani edhe krijuesit, edhe njerëzit e artit dhe të kulturës kanë vendin e tyre.

Shkova një çerek ore para se të fillonte mbledhja. Me dy shokë të mij artistë iu drejtuam vendit të caktuar. Por, për çudi, vendet ishin të zëna dhe ata që i kishin zënë, jo vetëm që nuk na i liruan, por na përcollën edhe me fjalë fyese. Natyrisht ne nuk iu përgjigjëm dhe dolëm nga salla me keqardhjen se për ne nuk kishte vend.

Nuk po i etiketoj ata që na kishin zënë vendet. Po i quaj vetëm “militantë”. Ata janë njerëz të mirë, ushtarë të bindur ndaj një ideali… por, simbolikisht atë ditë ishin ulur në vendin e dikujt tjetër.

Mjerisht, kjo e bën të vuajë edhe sot kulturën dhe artin në Shkodër. Vendi që duhet të zërë arti dhe kultura në një qytet ka ngritur themelet e artit dhe kulturës kombëtare, historikisht.

Vijnë udhëheqës shteti dhe lider partishë në Shkodër. Në mbledhje dhe mitingje, kurrë nuk harrojnë t’i përmendin Shkodrës të kaluarën. E quajnë djepi i artit, kulturës, sportit, apo djep ngjarjesh historike dhe revolucionesh. Kur i dëgjoj, them të drejtën më duket sikur i këndojnë litaninë Shkodrës, sikur i këndojnë një të vdekuri. Sepse të kaluar pa të sotme dhe pa perspektivë nuk ka, nëse flasim për diçka që jeton ende, që merr frymë ende, që shpreson dhe ëndërron ende. E harrojnë të sotmen dhe të ardhmen e këtij qyteti ata të qendrës, pra shteti dhe partitë që shtetërojnë. Ose premtojnë si zakonisht dhe pastaj harrojnë, ose bëjnë fare pak, për të mos thënë aspak. Kjo është një e keqe e madhe, harresa, braktisja nga qendra e një qyteti. Por, një e keqe jo më pak e vogël është harresa e jonë, braktisja që i kemi bërë ne artit dhe kulturës në Shkodër. Harresa se djepi duhet të përkundë ende… vazhdimisht. Harresa për atë që duhet dhe kemi në dorë të bëjmë ne, dhe nuk e kemi bërë. Përkundrazi, duke i mënjanuar nuk kemi bërë gjë tjetër veçse t’i tkurrim, t’i trembim dhe t’i bëjmë të tërhiqen artistët dhe njerëzit e kulturës. Dhe, kur tërhiqen ata, e pëson vetë kultura e një qyteti.

Winston Churchill thotë: “Po deshe të shohësh kulturën e një qyteti, shiko gjelbërimin, varrezat dhe nevojtoret e tij”. Le t’i referohemi kësaj thënieje duke parë qytetin tonë. Lulet në Shkodër kanë qenë një bashkëudhëtare dhe zbukuruese e gjithë jetës së këtij qyteti, aq sa numërohen dyqind e ca këngë shkodrane që i kushtohen luleve. Kemi patur lulishte të mrekullueshme dikur, në çdo kënd të qytetit, për të mos përmendur qindra shtëpi dhe oborret e tyre i kishin kthyer në lulishte. Kurse sot, qyteti nuk ka asnjë, e përsëris, asnjë lulishte. U zhdukën lulishta 102 vjeçare në qendër, ish miletbahçja, sepse aty bashkia lejoi të ngrihen dy kafene. U zhduk lulishtja 75 vjeçare, Luigj Gurakuqi, e ngritur më 1928 për nder të shpalljes së vendit Mbretëri. Kështu mund të themi për lulishten e Gjimnazit, ajo para stadiumit, deri tek ajo më e reja, në ish Pazarin e Vjetër. Ishte bashkia ajo që lejoi zënien e tyre me ndërtime me dhe pa leje. E të mendosh se vetëm lulishta e ish shtëpisë së Kakarriqit, Shtëpia e Pionierit, numëronte mbi 80 lloje trëndafilash… Kishim pesë nevojtore publike dhe sot nuk ka asnjë. Ndërsa rruga që të shpie në varreza është një kalvar i tillë vuajtjesh sa një humorist pat thënë me të drejtë “Mirë se nuk kanë respekt për të gjallët, por së paku të kenë respekt për të vdekurit!”

Kush duhet të interesohet dhe të bërtasë për probleme të tilla kur në Këshillin Bashkiak vetëm një njeri i përket sferës së kulturës? Biblioteka e qytetit, një ndër më të vjetrat dhe më të pasurat e vendit, dikur gumëzhinte nga lexues dhe nga veprimtari letrare. Sot, ose më mirë prej gati një dekade është shndërruar në një shurdhmemece, një vend që i ngjet varrezave. Qendra e kulturës vuan nga letargjia. Ajo është vendosur në një ndërtesë të zymtë, me një hyrje që është kthyer në nevojtore publike. Në këtë ndërtesë po myken vlerat kombëtare të galerisë së qytetit, më e pasura pas asaj kombëtare. Po të pyesësh njerëzit nuk dinë ku është Fototeka “Marubi”, më e pasura jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Ballkan e më tej. Banda e Shkodrës, më e vjetra në Shqipëri, nuk ekziston më, kur edhe Lushnja ka bandë. Për të mos kaluar tek Orkestra Sinfonike, që tani mund të quhet një ëndërr luksi, krijimi i këtij formacioni që vuri të parën opera shqiptare.

Kërkojmë me të drejtë që Universiteti “Luigj Gurakuqi”, me mbi 1000 studentë, të ketë grupe artistike dhe sportive, si dikur, pra të ingranohet në veprimtarinë dhe jetën artistike e sportive të qytetit me këtë fond rinor që ka. Kërkojmë që teatri të mos i braktisë spektatorët dhe të mos i zhgënjejë ato duke mos u dhënë atë që është mësuar t’u japë për dekada, sepse është teatri më i vjetër në vend. Kërkojmë që estrada profesioniste të dëgjohet, sepse ka aktorë të shkallës kombëtare, ndërsa ka disa vjet që nuk jep asnjë premierë, megjithëse rrogat i marrin rregullisht regjia dhe aktorët. Nuk them të mos shkojnë në veprimtari artistike private aktorët e estradës, nuk them që të mos kenë edhe bizensin e tyre tregtar, por ama punën për të cilën paguhen ta kryejnë sadopak. Unë jam dakord se ata janë si të përbuzur, sepse vetëm Teatri i Shkodrës nuk e ka zbatuar ligjin shtetëror për teatrin, dhe se shërbyesi i Teatrit të Vlorës merr më tepër se regjisori Serafin Fanko i Shkodrës. Bashkia ka faj për këtë neglizhencë. Por, ama zëri i teatrit duhet të ndihet. Dhe lind pyetja: -Nëse të gjitha sa përmenda administrohen nga Bashkia, pse nuk monitorhen? Pse lejohen të heshtin, të mos funksionojnë kur jeta e qytetit ka aq nevojë për ta? Përgjigja është e thjeshtë: Arti dhe kultura në Bashki është një apendisit i bezdisshëm i kupolës udhëheqëse të qytetit, ndaj edhe i është lënë njerëzve apatikë ta drejtojnë duke na mësuar me këtë jetë të vagullt artistike dhe me një rini që sytë i ka jo vetëm përtej Urës së Bahçallekut, por edhe përtej deteve, jo vetëm të rinjtë, por edhe shimë intelektualë dhe artistë të mirëfilltë.

Dje përcollëm trupin e Akademikut dhe Artistit të Popullit Tish Daia. Nga Bashkia e Shkodrës nuk kishte asnjë përfaqësues. Pse ky nënvleftësim për një njeri të madh që aq shumë i dha Shkodrës? Ndërsa lista e qytetarëve të nderit është bërë çarçaf në Shkodër, dhe nga përzgjedhjet që bëhen janë krijuar edhe barceleta. Njerëz si Tishi, apo Tinka, apo sa e sa të tjerë që nderojnë kombin dhe janë bij të Shkodrës, nuk nderohen, së paku sa janë gjallë, siç bëjnë rrethet e tjera me bij të tillë që nuk janë aspak më lart se bijtë artistë të Shkodrës!

“Mos me lër të bëj krahasime”, thotë Seneka. Dhe që të mos bëhen krahasime, duhet që në Bashki, njerëzit që përzgjedhin titujt, duhet të jenë të aftë, dhe jo veetëm “militantë”.

Kthehem tek ajo që thashë në fillim. Artistëve, njerëzve të kulturës duhet t’u jepet vendi që meritojnë, sepse ata janë pasqyra e vërtetë e një qyteti, që nuk i shuan koha. Le të jetë kjo një promemorie për kandidatin për Kryetar Bashkia. Të çmojë mbi të gjitha artin e kulturën, sepse atëherë ndihmohen edhe problemet e tjera akute që ka qyteti. Të mos harrojë thënien e një koke të madhe botërore që thotë: “Sa më shumë njerëz të merren me art e kulturë, aq më pak punë do të ketë gjykatësi dhe polici”.

Fadil Kraja

Përjashtime të papranueshme

Duke lexuar jetëshkrimin e Nikollë Dakës, shtjelluar nga i biri Anton Daka në librin Fedri, Përralla Ezopiane, shihen të përjashtuar me qëllim dashakeq njerëzit më të përzemërt të përkthyesit, të cilët e fituan atë përzemërsi duke i qëndruar pranë në kohët më të vështira të jetës së Nikollës. Anton Daka, i biri i Nikollës me grua të parë, e përmend Emilinë, Njerkën e tij të përsosur vetëm si numër rreshtor e asgjë më shumë, e cila për dashurinë ndaj të shoqit braktisi një nga jetesat më komode të asaj kohe duke pranuar të bëhet edhe viktima e kalvarit komunist me lidhjen bashkëshortore me një intelektual të porsa liruar nga burgimi politik, e duke qenë motra e një personi publik, si Thanas Shkurti e vëllezërit e tij, me këtë vendim kaq të guximshëm ajo rrezikoi hedhjen e famlijes së saj në gojën e kuçedrës komuniste e quajtur ndryshe “lufta e klasave”, veç si e si të gjendet përkrah Nikollës në atë kohë aq të vështirë për të. Duhet përgëzuar familja Shkurti që megjithë rrezikshmërinë e kësaj martese për ta, gjithsesi e bekoi bashkimin e këtij çifti. Një shkak i këtij bekimi qe edhe njohja e gjatë e Nikollës nga kjo familje, pasi kur Nikolla jepte mësim në Liceun e Tiranës, Thanas Shkurti qe nxënësi i tij. Emilia, 3 vitet e para të jetës bashkëshortore i kaloi në shtëpinë shumë të varfër të Nikollës, në fshatin Hot i Ri, duke iu nënshtruar punëve të shtëpisë si një fshatare e kushteve më të varfra të asaj kohe. E kur Nikolla u shpërngul për në Shkodër, e vetmja pasuri në shtëpinë e tij qenë librat që mundën t’i shpëtojnë sekuestrimit të burgimit të parë. Ky krijues e përkthyes i përmasave që mund të shihen në përkthimin e Përrallave të Fedrit, arriti me vështirësi të hynte në Fabrikën e Tullave, në një punë të rezervuar për njerëzit më të deklasuar. Për këtë punë sfilitëse, shteti i paguante veç, si thotë populli, “Sa me mbajtë shpirtin gjallë”, e me aq para i duhej të mbante vogëlushët e nënën e tyre, së cilës nuk i ofronte shteti kurrfarë lloj pune për të qenë. Kështu uria u bë fantazma më kërcënuese e shtëpisë së tyre. Veç fëmijët të kishin të hanin, thonte kur vuajtja për ta e çonte pranë cakut të padurimit e kjo s’ishte punë ditësh, por punë vitesh. Në vitin 1958, më rastisi të njihem me Nikollë Dakën, të cilin ma prezantoi kompozitoi Zef Leka. Pas disa ditëve të kësaj kohe, Filip Gjergji, që asokohe drejtonte grupin artistik të artizanatit në Shkodër, më propozoi të kompozoja diçka të avancuar për grupin e tij artistik për të mundur të zënë vend sa më të mirë në festivalin e ndërmarrjeve të Shkodrës. Unë i kërkova Nikollës të më shkruante një libret për një veprim muzikor, e ai e pranoi me shumë kënaqësi. Ky bashkëpunim nxori në dritë veprimin muzikor “Klasë e ladvishme”. Filipi e vuri në skenë me trupën e artizanatit. Ky veprim muzikor u nderua me çmimin e parë e jo vetëm në Shkodër, por edhe në festivalet e të gjitha ndërmarrjeve të Shqipërisë. Për çudinë më të pakuptueshme, autori i muzikës nuk përmendet as nga Filip Gjergji, as nga Anton Daka, pa u ardhur turp as nga dhjetra dëshmitarë të trupës së atëhershme, as nga mijëra spektatorë që ngriti peshë veprim muzikor me titullin “Klasa e lavdishme”, shfaqur disa herë në Shkodër, Tiranë, Durrës, Elbasan, Pogradec e Korçë, ku korri suksese të bujshme. Unë nuk e di të ketë ndodhur ndonjëherë të përmendet ai që e vë në skenë e jo autori i asaj që vihet në skenë, dhe nuk e kuptoj çfarë e detyron Filip Gjergjin e Anton Dakën të injorojnë kaq pa kuptim autorin e muzikës “Klasë e lavdishme”. Megjithëse ky injorim do të ishte i turpshëm edhe sikur të vuanin urrejtjen e ndonjë armiqësie ndaj meje, por unë nuk mbaj mend të kem pasë me asnjërin prej tyre as edhe fërkimin më të pandjeshëm, përkundrazi, i kam respektuar, Filipin si punëdhënësin tim në rrethana të vështira për mua e Antonin si djali i mikut tim më të ngushtë. Por sa para bën, ky injorim kaq i pamotivuar, kur unë disponoj motivacionin e dhënies së çmimit si dhe tekstin e muzikën e veprimit muzikor “Klasë e lavdishme”. Filip Gjergji do të duhej të ma dinte për nderë që i kam dhënë rastin më të favorshëm në jetën e tij të artit që i mundësoi vënien në skenë veprimin muzikor të çmimit të parë, mbasi po të dojë të mburret për atë kontribun të tijin, i takon pas meje e Nikollë Dakës. Por le të kthehemi tash tek lidhja ime miqësore me Nikollë Dakën. Unë mund të them me plot gojën s eu bëmë miq krye kreje që në ditën e parë të njohjes sonë, e në ditët e mëpastajme na ndante vetëm turni i punës së Nikollës. Mirëbesimi i miqve të vërtetë na bëri një me njëri-tjetrin. Me qenë se shtëpia ime ishte më e përshtatshme për të lexuar deri natën vonë, Nikolla shumë e shumë net flinte në shtëpinë time. Ne të dy, thonte Nikolla, kemi nga dy shtëpi e një familje. Kurrë s’do ta kisha besuar se një mik do të mund të më zinte kaq shumë vend në zemër sa më ke zënë ti. Në korrikun e 1960-ës, më tha: “Megjithëse miqësisë tonë s’ke çfarë i shton më shumë, sado të mundohemi, unë dua me të ba kumbarën e djalit tim të porsalindur, në mënyrë që Agroni të mos të quajë vetëm mik i babës, por edhe kumbarë të tij të pagëzimit. Natyrisht unë e prita me shumë kënaqësi. Disa vite më parë, Agroni më bëri dhe kumbarë martese. Nikolla është edhe kumbarë kurore i martesës sime e duke qenë miku im më i ngushtë, është edhe njëri nga personazhet më kryesorë të ditarit tim. Ja, ndonjë rresht nga ky ditar: “E mërkurë, 15 qershor 1977. Sot pasdreke Nikollë Dakë erdhi e më solli 3 fletore me dorëshkrimin e përkthimit të Përrallave Ezopiane të Fedrit. Unë, tha, siç mund të merret me mend, pres dita-ditës të më arrestojnë, jo se ia kam ba vendin arrestimit, por unë jam ndër ata me të cilët sigurimi i shtetit plotëson planin e arrestimeve. Këta, artin e vërtetë e ndjekin si ujku qengjin, jo pse iu këndet si qengji ujkut, por ngase të bukurën e kanë armike si e keqja të mirën. Ndër këto ditë, kur ta gjej rastin më të përshtatshëm, tash po të sjell edhe përkthimin e sonetave të Petrarkës e të disa poetëve latinë e krijimet e mia e m’i fsheh me shkrimet e tua, e dashtë Zoti e të na shpëtojnë deri sa t’u vijë dita e tyre.” Meqenëse parandjenja i doli pas 3 ditëve, të tjerat shkrime i ranë në duart e Sigurimit të Shtetit, ndërsa Përrallat Ezopiane të Fedrit, familja ime i ruajti si sytë e ballit gjatë 10 viteve të burgimit të përkthyesit të tyre. Anton Daka, jo vetëm injoron këtë fakt, por edhe vëllanë e tij, Agronin, i cili kur i ati u arrestua për herë të dytë, qe vetëm 17 vjeç, e bëri çmos e zëvendësoi babain e vet në Fabrikën e Tullave, që të mund ta ndihmonte të atin gjatë burgimit, duke u bërë shembull sakrifice, ndërsa Emilia punoi në repartin e Zhugës. Antoni, sigurisht, i di të gjitha këto edhe pse ai nuk ka jetuar me Nikollën e Emilinë, që kur ishte fëmijë e jo pse Nikolla e Emilia nuk iu përgjigjën si çdo fëmije të tyre, kaq se mua nuk më përket të hyj në hollësi që s’janë as për mua. Një tjetër përshtypje jo e këndëshme e bën mospërmendja e të vetmit vëlla të Nikollës, Palokë Daka. Këtë e them se më bie në sy si lexues. Sidoqoftë është mirë të jesh avokat i së vërtetës. Tash po nxjerr ndonjë rresht nga një faqe e ditarit tim: “E mërkurë, 10 shkurt 1987. Sonte unë e ime shoqe shkuam ta takonim Nikollë Dakën, me rastin e lirimit nga burgu. Kur hymë në dhomën ku po rrinte Nikolla, e mbushur me vizitorë me të njëjtin qëllim, e të gjithë qenë të afërmit e gjakut, sapo na pa, u ngrit me shumë nderim, u tha të pranishmëve: Lironi kryet e vendit për Gjokën e Bardhën. Dua t’ua tregoj mirënjohjen time për gjithçka kanë bërë për mua gjatë gjithë kohës së burgimit tim. Këta, çdo muaj e kanë shpenzuar një pjesë të rrogës së tyre për mua. Këta janë bërë një me familjen time për sa i përket sakrificës. S’ka mirënjohje që mund ta shpërblejë bujarinë e tyre kaq të gjatë e të vështirë. Për fat të mirë, përveç vëllait të gjakut, paskam pasë edhe Gjokën vëlla shpirti, e Bardhën vajzë përmbi vajzë. Mos me qenë tjetër, boll që më shpëtuan Përrallat e Fedrit, e jo më u bënë copë pas meje.” E vërteta nuk është për t’u mburrur me të, por asaj i nevojitet paprekshmëria nga gënjeshtrat e s’ka gjë më të dëmshme se atë modesti që lë në errësirë të vërtetën. E di mirë Anton Daka, kush i ka qëndruar afër e larg babait të tij. E di mirë se unë kam shkruar i pari dhe i vetmi për të në shtypin e pas ’90. Antoni nuk ka të drejtë të sajojë preferenca të Nikollës. Të preferuarit e tij ndër poetë shqiptarë kanë qenë Fishta, Mjeda e Poradeci. Me prozën nuk ka qenë i afërt, pasi siç thonte, i vetmi roman që kam lexuar në jetën time është Quo Vadis. Përsa i përket rrethit të miqve të tij, i vetmi për të cilin më ka folur gjithmonë me të njëjtën dashamirësi është Zef Leka. Në qoftë se ekziston ndonjë rast kur sinqeriteti duhet të jetë më i pashmangshëm se kurrë është kur biografia e një të vdekuri në trajtimin e një të gjalli. Të gjithë ata që e njohin Nikollë Dakën më për së afërmi, sapo të lexojnë jetëshkrimin e tij shtjelluar nga Anton Daka, do t’u duket sikur dëgjojnë zërin e Nikollës duke pyetur qortueshëm: “Si, more bir, i përjashtove nga jetëshkrimi im njerëzit e mi më të përzemërt?!” Ja, pra i dashur Nikollë, në vend që të isha i pari në radhën e atyre që iu dhurua libri Përrallat Ezopiane të Fedrit, nuk m’u dha as i fundit libër i dhuruar, por e bleva në librari.

Gjokë Vata

Zgjedhjet e tetorit, testi i zhgënjimit. Partia më e besueshme nuk fitoi më shumë se 13% të votave

Asnjë forcë politike në Shqipëri nuk mund të mburret se ka fituar në këto zgjedhje, ku mbi 70% e popullatës nuk ka votuar. Aty ku 70% e popullit nuk voton, do të thotë se ka humbur besimin ndaj forcave politike. Pra, duhet të pranojmë se partia më e besueshme nuk ka fituar më shumë se 12% të votuesve! Atëherë lind pyetja, po 70% e popullatës nga kush do të drejtohen?! Ky fakt, sa i vërtetë aq dhe i dhimbshëm tregon se të vetmet zgjedhje të lira dhe të ndershme ishin ato të vitit 1992, kur pjesa dërmuese e shqiptarëve në mënyrë plebishitare votuan për Partinë Demokratike, duke e konsideruar atë si forcën absolute të shembjes së diktaturës. Me këtë votë të “sinqertë” (ku nuk munguan dhe ish-komunistët), shqiptarët treguan se ishin ngopur duke ngrënë me lugën e “arit” të premtuar gjatë më shumë se 45 viteve. Por kjo fitore ishte si fitorja e Pirros, sepse zhgënjimi do të “trokiste” pas tre muajsh dhe pikërisht në zgjedhjet e pushtetit lokal të po atij viti, kur Partia Demokratike ia “dhuroi” fitoren Partisë Socialiste, duke humbur mbi 20% të elektoratit dhe duke balancuar forcat e pushteteve, (një kompromis vërtetë i pamoralshëm), i cili uli në maksimum besimin tek Partia Demokratike dhe zbehu në mënyrë të ndjeshme reputacionin e saj. Po në këtë vit, të shpronësuarit u futën në grevë urie, por këtë protestë paqësore e paguan duke ua “përkëdhelur” kurrizin me shkopinjtë e gomës… Pas dy vjetësh, dhe pikërisht në gushtin e vitit 1994, të persekutuarit dhe të përndjekurit politikë u ngujuan në “kullën” e grevës së urisë, por edhe këtyre ua “përkëdhelën” plagët që u pati hapur diktatura, duke ua “mjekuar” me shkopinjtë e gomës, që kishte sjellë “demokracia”, madje i etiketuan “spiunë” të sigurimit!… Ky qëndrim anti-demokratik dhe anti-civilizues, ku u gjakos dhe njëri nga demokratët e orëve të para (i ndjeri) Ernest Perdoda dhe pikërisht dhjetë muaj mbasi kishte dhënë dorëheqje të parevokueshme si kryetar i Partisë Demokratike të degës së Shkodrës, duke deklaruar se: “demokracia nuk mund të ndërtohet mbi rrënjët e komunizmit”, u bë “test” i mosbesimit nga të gjitha real-forcat demokratike, ndaj Partisë Demokratike, dhe Presidentit Berisha. Kjo “aksiomë” e të ndjerit Perdoda u bë “prelud” i humbjes së thellë të Partisë Demokratike dhe të Presidentit Berisha në nëntorin e vitit 1994, kur mbi 66% e popullit votuan kundër projekt-Kushtetutës. Vlen të kujtojmë me shumë respekt qëndrimin burrëror të ish-shefit të Komisariatit të Shkodrës, z. Sulë Petku, i cili nuk pranoi të godasë të persekutuarit në grevën e urisë, duke dhënë një dorëheqje dinjitoze. Qytetarët shkodranë dhe në veçanti të persekutuarit dhe të përndjekurit politikë nuk duhet të heqin nga kujtesa veprën e këtij burri të rrallë, i cili mbart dhe përcjell vlerat dhe virtytet më të larta të qytetarit dhe atdhetarit të vërtetë.

Në zgjedhjet e pushtetit lokal të vitit 1996 në Shkodër, shohim një skenar të vërtetë të pahijshëm dhe që thellon mosbesimin ndaj Partisë Demokratike, duke na zhgënjyer me format më bizare. Në turin e parë, shohim fitoren e ekonomistit, intelektualit dhe pedagogut të Universitetit “Luigj Gurakuqi”, z. Artur Luka, i cili ishte pothuajse i fituar. Por çuditërisht, në turin e dytë (ndonëse ishte përballë një arsimtari të thjeshtë dhe pa “format”) në këtë garë të pandershme “fitoi” arsimtari gjysmak, injoranca! Po, si ndodhi kjo? Kur ishte fjala për të “eklipsuar” djaloshin (tridhjetenjë vjeçar) zotërues të tri gjuhëve kryesore të qytetërimit europian, u gjen “konsensusi” i të gjitha forcave politike, madje duke përfshirë dhe ato të majta!…

Të tilla manipulime u aplikuan dhe në zgjedhjet e 12 tetorit 2003, ndonëse pjesëmarrja ishte shumë më e vogël. Shkodra është vërtetë qyteti i çudirave, i të papriturave dhe i sensacioneve, nga të cilat fiton pakkush, dhe humb shumëkush! Duke kaluar sërishmi në retrospektivë, do të kujtojmë zgjedhjet e pushtetit lokal të vitit 2000, kur Partia Demokristiane u rradhit në vendin e tretë, si forcë politike. Ky “fenomen” u shkaktoi “alergji” dy forcave të “mëdha” politike dhe këtë pakënaqësi e manifestuan pas dhjetë muajsh, në zgjedhjet e përgjithshme të qershorit 2001, kur ish kryetari i PD-së, dega Shkodër, në njërën nga mediat lokale deklaron: “Partia Demokristiane është një fantazëm!” Ndaj këtyre deklaratave absurde dhe të papërgjegjëshme, nuk ka patur asnjë reagim, nga Partia Demokristiane e Shqipërisë, as nga kryesia e degës së Shkodrës! Por, këtë “enigmë” e zgjidhën më 12 tetor 2003, kryetari dhe sekretari i saj, duke hedhur kandidaturën për këshilltarë të Bashkisë, në listën e kandidatëve të Partisë Demokratike dhe duke deklaruar botërisht se reputacioni i tyre në Partinë Demokristiane është konsumuar deri në shpërbërje.

Në qoftë se në vitin 2001 kjo direktivë antidemokristiane vinte nga z. Zef Bushati, këtë rradhë vjen nga z. Nikollë Lesi. Lesi, deklaroi se në këto zgjedhje, PDK do të dalë forcë e tretë, por me sa duket kjo forcë politike “minohet” nga dy forcat e mëdha politike. Jam i bindur se ky zhgënjim i elektoratit demokristian nuk i shërben europianizimit të Shqipërisë dhe integrimit të shoqërisë shqiptare në Europën e qytetëruar.

Mark Bregu

Greqia ngre flamurin helen në Shqipëri, Shqipëria thotë: Të lumtë!

Në të gjitha kohërat, qoftë kur Shqipëria ndodhej e pushtuar, qoftë edhe më pas, çështja kombëtare e shqiptarëve është vënë në rrezik, kryesisht nga forcat e jashtme, por është gjetur edhe ndonjë bastard shqipfolës për t’u ardhë në ndihmë pushtuesve, ose më vonë armiqve të tjerë, duke filluar me Kongresin e Berlinit e duke vazhduar me Konferencën e Ambasadorëve në Londër, me qëllim copëtimin e Shqipërisë pa asnjë të drejtë, e për t’ua shpërndarë ujqërve të uritur: Greqisë, Italisë, Malit të Zi dhe Serbisë.

Dihen nga historia se sa e si i ranë në qafë Shqipërisë pa patur borxh, por një tablo edhe më e qartë dhe konkrete lidhur me pushtimet dhe vendimet për copëzimin e Shqipërisë na e jep Mis Edith Durham. Shqipëria ia ka parë sherrin Europës në të gjitha kohërat. Na sulmoi, kur duhej të na ndihmonte, na përçmoi kur duhej të na nderonte! Ndaj, me të drejtë, shqiptarët në atë kohë, Europën e quajtën “kurva e motit”.

Shqipërinë dhe shqiptarët në këto kohëra të vështira i ruajti dhe i mbrojti Mis Edith Durham, Mbretëresha e Malësorëve, shkrimtarja, historianja, etnografja, ambasadorja, bamirësja që u bë shqiptare me zemër e me shpirt që kur i shkeli këmba në tokën tonë. Ajo grua e lavdishme e Anglisë, por mikeshë e madhe e Shqipërisë, reflektoi vlera, duke zbuluar tradhëtinë e tyre ndaj popullit shqiptar. Protestat e saj të vazhdueshme drejtuar Fuqive të Mëdha, për mbrojtjen e Shqipërisë nuk i pushoi kurrë, duke nxjerrë në pah e duke i demaskuar padrejtësitë djallëzore që kurdiseshin në fshehtësi kundër Shqipërisë.

(Për informacion më të gjerë dhe më të saktë, lexoni librin monografi me titull “Mbretëresha me zemër e shpirt shqiptar”, që i kushtohet Mis Edith Durham, me rastin e 140 vjetorit të lindjes, botuar këto ditë.)

Ngjarjet e hidhura të 12 tetorit në Himarë na bëjnë edhe një herë t’u kthehemi shkurtimisht historisë së popullit tonë dhe për të ditur kush kanë qenë dhe kush mund të jenë edhe sot në kohërat moderne ata që nuk ia duan të mirën Shqipërisë. grekëve, detyrohemi që t’u kujtojmë edhe një herë pse nuk po e heqin ligjin e luftës me Shqipërinë?! Tani jemi popuj miq, jemi vende demokratike dhe synojmë familjen e madhe europiane, apo jo?

Po t’u referohemi ngjarjeve të turpshme dhe të qëllimshme që ndodhën në Himarë më 12 tetor 2003, nga segmente të ndryshme të politikës greke kundër Republikës së Shqipërisë, të kujtohen armiqësitë e vjetra, sot, në kohëra të reja. Këto veprime të shtetit grek, anëtar i familjes së madhe evropiane kundër një shteti fqinj demokratik, siç është Shqipëria, janë të papranueshme. Sjellja me autobuza të një pjese të emigrantëve shqiptarë, pa pagesë, organizimi i mitingut-protestë, shpërndarja e flamujve grekë, sharjet, fyerjet deri edhe simboleve kombëtare, pra për poshtërim të Republikës së Shqipërisë. veprime të tilla nuk janë parë e dëgjuar ndonjëherë brenda territorit të Shqipërisë.

Siç mësohet edhe nga Prokuroria shqiptare, organizatorët kryesorë të kësaj veprimtarie armiqësore në Himarë, janë: Vangjel Kolila, Koço Llazari, Vasil Dano dhe një grua. Kemi mendimin se prokuroria shqiptare duhet të përshpejtojë punën që emrat e këtyre bastardëve shqipfolës dhe të atyre që me siguri mbështeten mbas tyre, të kalojnë sa më parë të jetë e mundur në duart e interpolit grek, për ekstradimin e tyre në Shqipëri…

Këto veprime të organizuara ditën e zgjedhjeve lokale në Himarë kanë edhe “vulën” e padiskutueshme të një pjese të fqinjëve tanë të pagdhendur dhe ç’është më e keqja, të një pjese të bashkëkombasve tanë pa moral…

Nuk e dinë ose më mirë të themi se s’duan ta dinë, se sa gjak është derdhur ndër shekuj për të ruajtur flamurin shqiptar (ai mban ngjyrën e kuqe se është larë me gjak shqiptari që u derdh me okë)… Kurse sot, në kohërat moderne, në kohëra demokracie, vijnë bastardët shqiptarë së bashku me ata që i organizuan dhe i vënë këmbën flamurit tonë kombëtar dhe ngritën në vend të tij flamurin grek dhe vetëm grek…! Kjo është e pafalshme. Ishte shumë i drejtë reagimi i shpejtë i vlonjatëve, prej të cilëve më shumë të rinj që u nisën me makina me flamurin shqiptar para për ta vendosur aty ku u përdhos, pra në Himarë. Ishte shumë gabim dhe i jashtëligjshëm veprimi i policisë që i ndaloi vlonjatët për të shkuar në Himarë. Ata nuk ishin as të armatosur, as të vendosur për të krijuar incidente, por vetëm për të rivendosur flamurin shqiptar aty ku u zëvendësua me flamurin grek.

Në ngjarjen e hidhur, të shëmtuar dhe antishqiptare të Himarës më 12 tetor 2003, ngarkon me përgjegjësi të padiskutueshme edhe një farë Vangjel Dule – kryetar i PBDNJ-së, i cili çnderoi tërë ditën e votimeve nëpër qendrat e votimit, duke bërë biles edhe propagandë elektorale, në kundërshtim direkt me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, në favor të kandidatit të tij, i cili para tre vjetësh pat deklaruar gjatë fushatës elektorale se “po fitova, do të bëj referendum për shkëputjen e Himarës nga Shqipëria!”. Por gabohet rëndë ky shqipfolës, se ky njeri mund të shkojë e të punojë kudo, të jetojë kudo, por Himarën shqiptare nuk mund ta marrë me vete. Tokën shqiptare nuk mundën ta copëzojnë dhe t’ua japin ujqërve të uritur, as Kongresi i Berlinit, as Bismarku, as Konferenca e Ambasadorëve në Londër, as luftërat ballkanike, as… sepse kjo tokë u mbrojt me gjakun e jetën e shqiptarëve e jo më sot që kemi arritur të bëhemi shtet demokratik, dhe të jetojmë me familjen e madhe europiane.

Vazhdojmë më tej me z. Vangjel Dule. Sido që të jetë që ndrimi i tij për ngjarjet e Himarës, ai ngarkohet me përgjegjësi direkte dhe indirekte dhe konkretisht për mendimin tim:

Zgjedhjet në Himarë nuk kanë qenë të rregullta, të lira dhe demokratike. Ditën e votimeve, siç dihet nga gjithë opinioni shqiptar e më gjerë, se u zhvillua një miting para Bashkisë së Himarës, nga persona që flisnin greqisht, duke sharë Shqipërinë, si Alkaeda, ky grup demonstruesish, pra shumica shqiptarë, duke folur greqisht puthnin flamurin grek dhe bërtisnin: “Rroftë Greqia!”, si dhe hodhet dinamit nga një aktivist i PBDNJ-së. Në këtë rrëmujë kishte edhe qytetarë grekë? Thuhet se rrëmuja mori flakë, kur Vangjel Dule shkeli në qendrën e votimit?!

Është gjithashtu e çuditshme, kur në këto ngjarje kanë marrë pjesë edhe anëtarë të organizatës famëkeqe MAVI… Pse?!

Në këtë miting-rrëmujë, u shpërndanë me bollëk vetëm flamuj grekë, të vegjël dhe të mëdhenj! Pse nuk pati të paktën edhe flamuj të BE-së apo SHBA-së? Pra ishte ngritur ai grek në shenjë fitoreje? As historia dhe askush tjetër nuk mund të pohojnë dhe të argumentojnë se Himara është banuar nga minoritarë dhe është pjesë e minoritetit.

Kemi gjithashtu mendimin se z. Vangjel Dule të paktën me këtë rast ka humbur shumë pikë si shqiptar dhe si kryetar i një partie serioze politike shqiptare. Shqiptarët nuk janë shquar për shovinizëm. Ata janë njerëz tolerantë, trima e të zgjuar. Ata nuk i kanë rënë askujt në qafë, kanë qenë të tjerët që u kanë rënë atyre në qafë gjatë gjithë shekujve, – shkruante Mbretëresha e Malësorëve, historianja, shkrimtarja, etnografja dhe bamirësja, Edith Durham, e cila  bëri më shumë se askush tjetër për Shqipërinë dhe shqiptarët.

Prokuroria shqiptare ka nisur hetimet ndaj Vangjel Dules dhe nuk duhet të tolerojë për asnjë arsye. Çështja kombëtare është mbi të gjitha.

Opinione janë dhënë shumë, por po përmend vetëm disa: Ditën e dielë, më 12 tetor, kanë ardhur nga Greqia, siç dihet me autobus falas shumë emigrantë shqiptarë, për të cilët zoti Ruçi deklaroi se i kishte organizuar sekretari i rinisë të një organizate antishqiptare dhe ndodhi siç ndodhi. Kurse gazetari analist Mustafa Nano, e ka quajtur aleancën e zotit Duleme z. Berisha, si një kontribut i madh në krijimin e kësaj situate në Himarë. Fakti, asnjë prononcim as nga Dule as nga Berisha. Shumë e çuditshme?!…

Kur bëhet fjalë për çështjen kombëtare, populli s’të fal dhe është shumë e drejtë që të mos falë! Shqiptari më parë të falë djalin se sa simbolin kombëtar.

Nikë Bunjaj

Shkrimtar dhe publicist

Shkodranët mësuan shqiptarët të shkruajnë shqip

Duke “mësuar” pa paragjykime historinë të paktën tash 2500 vjeçare të Ilirisë, nuk mund të lihet pa vënë re kryerolin e kryeqendrës së saj Shkodrës. Roli i kryeqendrës së Ilirisë, e më vonë i Gegërisë, është i padiskutueshëm në tëra proceset civilizuese, zhvilluese, shtetformuese por mbi të gjitha edhe të mbijetesës së gjatë në udhët shpesh katarakte që përshkuan historinë mijëravjeçare të Shqipërisë Etnike në përgjithësi e trevave veriore në veçanti. Natyrisht në këtë shkrim unë nuk do të merrem me të gjitha ato vlera që madhërojnë Shkodrën, Gegërinë e Shqipërinë, por vetëm me një vlerë të papërsëritëshme të kultivimin e gjuhës shqipe me anë të shkrimit shqip, që Shkodra është vendi ku lindi e rriti ata burra që gjuhën shqipe të folur ta lëvrojnë me shkrimet e tyre. Ku me këto vepra jo vetëm përjetësuan këtë gjuhë të bukur indo-europiane, si ndër më të vjetrat e kontinentit, por dëshmuan autoktoninë e popullit tonë si popull i civilizuar, zhvilluar, kulturuar e arsimuar. Deri tani, në analet e historisë e historianëve tanë, thuhej se libri i parë i shkruar në gjuhën shqipe është “Meshari” i Gjon Buzukut, i vitit 1555. Ku edhe ky meshtar katolik ishte nga Shkodra. Ndërsa, pak fjalë ishin të shkruara në gjuhën shqipe që ishte formula e pagëzimit e Pal Engjëllit (Durrës) edhe ky meshtar ishte po nga trevat e Gegërisë. Gjithsesi kishte “hamendje” për ndonjë shkrim të vogël dhe gjatë shekullit 14-të, por edhe më herët në vitin 1284 që në arkivat e Dubrovnikut bëhej fjalë për gjuhën shqipe të shkruar, por për këtë mungoni shkrimet konkrete. Gjithsesi protagonistët ishin nga Gegëria (atëherë e besimit të palëkundur katolik). Nga albanologë të huaj shpesh është folur e shkruar se në arkivat e Vatikanit duhet që patjetër të kishte materiale shumë më të hershme të shkruara në gjuhën shqipe.

Madje vetë i madhi Eqrem Çabej e pohon këtë, por siç thotë studiuesi dr. Musa Ahmeti këtë “sekret” e mori me vete në varr. Dhe është pikërisht ky studiues që na sjell konfirmimin zyrtar e “befasues” se në arkivat e Vatikanit eksizton një libër prej 208 faqesh i shkruar në gjuhën shqipe nga shkodrani Teodor Shkodrani.

Madje studiuesi dr. Musa Ahmeti jep hollësitë e këtij libri të shkruar në vitin 1210, ku për këtë shkruan: “…Kemi patur fatin të kishim në dorë një vëllim të lidhur me kopertina të forta druri… Vëllimi i tëri është në pergamenë… dimensionet janë 28 x 39, 5 cm. Komplet i ruajtur shumë bukur dhe pa dëmtime… Dorëshkrimi (sepse atëherë ende nuk ishte shpikur makina e shkrimit – N.B.) është autograf i shkruar nga një dorë. Ndërsa në fund fare, në faqen 208, autori e ka firmosur vetë me emrin Teodor Shkodrani, duke shkruar: “Me ndihmën dhe dëshirën e fort të lumturit Zot, përfundova në vitin 1210, ditën e 9 marsit. (Mee nihemen zze dessirnnee e phorte t’lummnumit Zot e Mbaronjj n vitte MCCX dittn ee IX t’Mmaexxitee. Theodor Sscodraannittee) (Sipas shqipes, gegërishtes së vjetër – N.B). Për këtë autor (Teodor Shkodranin) studiuesi M. Ahmeti thotë se ishte mjaft i njohur në rrethet kulturore, shkencore të kohës jo vetëm në Shqipëri, por edhe në bizant, Romë e Raguzë. Po gjithnjë sipas Dr. M. Ahmeti që e ka parë, prekur e studiuar këtë libër shqip, libri është i ndarë në tre kapituj, ku në kapitulli e parë shkruhet mbi teologjinë, në të dytin mbi filozofinë dhe në kapitullin e tretë për historinë. Madje për këtë libër janë bërë edhe përgatitjet për botim, ku së shpejti shqiptarët (ata të vërtetë) kudo që janë do të kenë në dorë një dëshmi autentike të kultivimit të gjuhës së tyre me shkrime shumë më parë se popujt jabanxhi fqinjë të zbritur turma-turma, apo edhe se shumë popuj të tjerë në kontinent e më gjerë. Natyrisht shkronjat siç edhe shkruhet janë tërësisht latine… Duke u bazuar në këtë shkrim ne mund të themi jo pa “mburrje” se shkronjat që përdorim sot e të konfirmuara nga Kongresi i Manastirit (1908), po edhe këtu nga famulltari e Poeti Kombëtar, At Gjergj Fishta (edhe ky nga rrethinat e Shkodrës) janë trashëgimi e hershme e shkrimit shqip, që konfirmon jo vetëm shkrimin, por edhe besimin e qytetërimin tonë europerëndimor. Gjithsesi me këtë libër të shkruar në gjuhën shqipe krenohemi (por edhe me shkrime të tjera të mëvonëshme) në një kohë kur trevës që shpëtoi shqipen e Shqipërinë, Gegëria i ka “humbur” gjuha, por jo historia…

Ndue Bacaj

Emërimi i drejtorit Spartak Lame nga Tirana, në drejtorinë rajonale të shërbimit të transportit në Shkodër, është fyerje dhe poshtërim që i bëhet këtij qyteti

Kemi trajtuar edhe herë të tjera për problemet abuzive që bën drejtoria e përgjithshme e shërbimeve të transportit rrugor, Tiranë ndaj drejtorive rajonale nëpër rrethe. Dhe këtë herë po ndalemi, në Drejtorinë rajonale të shërbimit të transportit në Shkodër.

Konrektisht: Ish drejtori pranë kësaj drejtorie Xhelal Shkenza largohet pa asnjë motiv, dhe zëvendësohet nga Spartak Lame. I cili është me shkollë të mesme (i pa diplomuar në profesionin e duhur për t’i shërbyer këtij institucioni të rëndësishëm). Drejtori i ri Lame është me profesion elektriçist, pa përvojë në fushën e transportit. Për kërkesat e sotme është një UFO i eksportuar nga fshatrat e Vlorës, me banim në Tiranë (simpatizant dhe militant i Partisë Socialiste). Dhe emërohet drejtor në Drejtorinë Rajonale të Shërbimit të Transporteve në Shkodër, sikur në veri të Shqipërisë s’ka asnjë inxhinier të zot, të specializuar në këtë fushë, siç është inxhinieri (ish Drejtori Shkenza) i cili ka punuar 4 vjet drejtor, më parë inxhinier transporti në SMT (me karrierë 20 vjeçare në këtë fushë). Bashkë me Xhelal Shkenzën, largohet kryekontrollori i qendrës së kontrollit teknik, inxhinier Muharrem Bushati, me përvojë pune 35 vjeçare, dhe pas vitit 1992, ka bërë specializime jashtë shtetit për qendrat e kontrollit teknik si Hollandë, Amerikë, Itali. Ardhja e drejtorit të ri Lame ka krijuar çrregullime, presione, kërkesa e tij për t’i dhënë para. I cili i thotë punëtorëve troç “Unë vij nga Tirana, hala s’kam nxjerrë paratë e naftës, se shkoj e vij përditë në Tiranë”. (E ka fjalën për automjetin e tij personal).

Gjithashtu drejtori i ri Lame, ka krijuar çrregullime duke pezulluar punonjës nga puna pa arsye. P.sh. si Kujtim Zeka (inxhinier), Mazllumi (inxhinier), Agron Permeza (inxhinier), Sabri Saiti (kolaudator i mjeteve në qendër të kontrollit), i cili vdiq nga depresioni i largimit nga puna, ku brenda një muaji e pushoi pesë herë nga puna (specialist  ky me 30 vjet në këtë profesion). Drejtori i ri Lame provokon sherr e debat të ashpër me punonjësit Kujtim Prroni (inxhinier), Elmaz Lezha, Tom Dragani (specialistë të kontrollit në administratë).

Në oborr të ndërmarrjes dëgjon nga goja e drejtorit (sipas punonjësve pranë kësaj drejtorie) fjalë nga fjalori më banal. Dhe e “veçanta” e tij  (thonë punonjësit) është drejtor civil, që vjen me pistoletë në brez.

Ky person me autoritetin e drejtorit, ka krijuar probleme në sportelet e qytetarëve, të cilëve nuk iu kryen shërbimet duke i sorollatur me javë të tëra.

Paaftësia intelektuale e drejtimit, organizimit dhe menaxhimit në këtë sektor mjaft të rëndësishëm jetik për qytetarët, ka krijuar shumë probleme serioze nga sjellja e tij provinciale, ku veset që mbart një drejtues stimulant, që e kalon kohën klubeve e restoranteve të qytetit me “duar të shtrira” nëpër “xhepat” e profesionit. Kujtojmë se në një gjendje të dehur, (në muajin gusht) ka bërë aksident me makinë në Torovicë, ku ka nxjerrë autoveturën e ndërmarrjes komplet jashtë përdorimit.

Për të gjitha këto është në dijeni drejtoria e përgjithshme në Tiranë, dhe s’ka marrë asnjë masë për stabilizimin e drejtorisë së rajonit Shkodër.

Drejtori i ri ka sjellë një “eskortë” inxhinierash me vete në Shkodër, me banim në Tiranë, Rrëshen, Tropojë e Kukës, i cili kërkon të ketë situatën nën kontroll për interesat e veta dhe atyre që e kanë emëruar nga Tirana. Thjeshtë mendoj, për interesa fitimi, siç janë “Tenderat”, se dhe vetë drejtori Lame në Shkodër ka ardhur me “Tender”, fenomen i njohur tashmë për emërime Drejtorash, shefash në shumë dikastere.

Një gjë të bën përshtypje kjo sfidë, që i bën Tirana, Shkodrës:

A thua se në Shkodër janë zhdukur nga faqja e dheut specialistët, inxhinierët, kuadrot me përvojë mbi 20 vjeçare në këtë profesion.

Dhe punonjësit pranë Drejtorisë rajonale të shërbimit të transportit Shkodër, vazhdojnë të pyesin: Deri kur ju zotëri të Ministrisë së Transporteve, të drejtorisë së përgjithshme të kryeqytetit, do të talleni, do të na përçmoni me ironitë e vendimet tuaja hakmarrëse ndaj Shkodrës. Ju kujtojmë zotëri (ashtu si në të gjitha fushat) edhe në këtë profesion, nëse do të na jepet mundësia e testimit profesional, me siguri do të na lironi vende edhe në Tiranë. (vazhduan të pezmatuar specialistët e “dëmtuar” nga drejtori Lame).

Fatime Kulli

Dhunohet liria e demokratit Gjon Gjelaj

Në fakt, zgjedhjet për pushtetin vendor të 12 tetorit dhunuan lirinë e tërë demokratëve shqiptarë, që janë shumica. U manipulua me listat, u vodhën kutitë e votimit dhe u mbushën me vota, u përdor dhunë fizike, u fallsifikuan procesverbale etj., etj., fakte këto tashmë të bëra prezent edhe organizmave ndërkombëtare nga opozita shqiptare. Demokratët ngado u dhunuan rëndë. Njëri ndër ta është edhe ky i ri që shihni në fotografi, Gjon Tomë Gjelaj nga fshati Vukël i Kelmendit në Malësi të Madhe, lindur më 31. 07. 1982. Ky djalosh, i rrjedhur nga një trung familjar me taban antikomunist, ku gjyshi i tij Gjergj Nika ishte i dënuar politik, ku axha i babait Ujkë Nik Gjelaj dhe tre kushërinjtë e parë të tjerë Dedë Gjeloshi, Zef Lula e Fran Gjoku, i janë pushkatuar pa gjyq nga genocidi i pashembullt komunist gjatë periudhës së Enver Hoxhës, që i ri u vu në vëmendje të diktaturës për t’u eleminuar fizikisht. Që nga viti 1946, deri më 1990, kur në Shqipëri lindi pluralizmi, kjo familje provoi genocid të egër, mesjetar. Që në fillim të vitit 1990, kjo familje u përfshi ndër të parat në lëvizjen demokratike për rrëzimin e komunizmit të pafe, gjakatar, antinjerëzor. Babai i Gjonit, Tomë Gjelaj, ka qenë veprimtar, madje edhe komisioner i Partisë Demokratike në të gjitha votimet nga viti 1991. Pas vitit 1997, kur socialkomunistët uzurpuan me dhunë pushtetin, jeta e kësaj familjeje u bë shumë më e kërcënuar. Gjon Gjelaj ka dhënë një kontribut të çmuar për instalimin e demokracisë në Shqipëri dhe kështu është vënë në shënjestër të segmenteve të errëta të sigurimit famëzi të shtetit fashist që vetëm gjatë gjashtë viteve të fundit ka pushkatuar mbi 6000 shqiptarë të pafajshëm. Kjo familje është kontrolluar e dhunuar disa herë nga policia politike, patericë e krimit. Gjon Gjelaj është dhunuar e keqtrajtuar nga policia dhe është arrestuar e rrahur barbarisht, ku shenjat e traumave të marra në fytyrë, madje në pjesën e ballit, i kanë mbetur si kujtim i keq, si shenjë apelimi, ndoshta për tërë jetën. Edhe vëllai i tij Nikë Gjelaj është dhunuar kafshërisht dhe ndodhet i fshehur, bën jetë ilegale. Ndërsa Gjoni, që në prag të votimeve të 12 tetorit nuk ka fare adresë. Është i fshehur, i larguar nga vendi i tij për të cilin ai dhe të afërmit e tij sakrifikuan shumë për të krijuar një terren demokratik pa padrejtësi, pa dhunë, pa hakmarrje, pa krime, pa trafik, pa dhunim të të drejtave e lirive të njeriut, apo edhe i zhdukur.

Ja pra, kjo është pamja e vërtetë e jetës shqiptare, ku liria e demokratëve dhunohet, ku jeta e tyre është tepër e rrezikuar, ku vendi i tyre është shumë herë edhe varr.

Korresp. i “Shqipëria Etnike

Mbizotëron dhuna

Zgjedhjet përpushtetin vendor të 12 tetorit treguan edhe një herë se Shqipëria nuk është e lirë, se dhuna dhe incidentet, se tritoli e votëvjedhja, përcaktojnë edhe ata  që administrojnë pushtetin vendor. Tritoli në Himarë, ku tentohet të hidhet në erë një qendër votimi nga anëtari i Partisë së të Drejtave të Njeriut, Kozma Pelo, plagosja rëndë e një polici atje si dhe e dy qytetarëve, valëvitja e flamurit gek duke shkelur  haptas edhe kushtetutën shqiptare, vendosja e pistoletës në kokë deputetit të Partisë Demokratike Valentin Palaj në komunën e Velipojës së Shkodrës, tentimi i dy oficerëve të policisë K.Ç dhe S.P. për të vjedhur 100 fletë votimi, tentativa për të eleminuar fizikisht një komisioner të PD-së në Shkodër, Miri Kraja si dhe shumë e shumë incidente të tjera tashmë të paditura nga opozita shqiptare edhe pranë organizmave ndërkombëtare, i japin kësaj fushate pamjen më të keqe dhe më të trishtueshme, ku vullneti i sovranit jo vetëm nuk respektohet, por dhunohet. Këtij të fundit, pra Miri Krajës, madje i është djegur edhe shtëpia. E, përmes peripecive të tilla po kalon jeta e rrezikuar e tërë demokratëve të vërtetë shqiptarë. Miri që fëmijë, pasi rrjedh nga një familje me tradita antikomuniste është e përfshirë në protestat paqësore kundër diktaturës. Xhaxhai i tij Shefqet Kraja kish bërë shtatë vjet, shtatë muaj, shtatë javë e shtatë ditë burg gjatë periudhës së diktaturës së Enver Hoxhës. Burg politik pra. Më 2 prill 1991, Shefqeti, i biri Flamuri, që ka marrë një plumb, si dhe nipi Miri, ishin në protestë kundër votëvjedhjes së Ramiz Alisë. Aty u vranë katër vetë Bujar Bishanaku, Nazmi Kryeziu, Besnik Ceka dhe Arben Broci, tashmë dëshmorë të demokracisë, i plagosën 163 të tjerë, mes tyre edhe Miri Kraja, që mori dy thika në anën e djathtë të barkut, pra në dy vende, por që desh perëndia e shpëtoi. Por ama ai dhe e shoqja Jasemina Kraja nuk i shpëtuan dot hakmarrjes dhe kërcënatave deri me jetë disa herë dhe pak ditë pas votimeve skandaloze të 12 tetorit, largohen nga Shqipëria, si shumë të tjerë që nuk kanë asnjë shpresë jete në Shqipëri. Ata që dhunuan votën, kanë dhunuar e po dhunojnë përditë e më egërsisht jetën e njerëzve të mirë demokratë, po errësojnë shpresën për ditë më të mira.

Albert Vataj

Ngujimi kolektiv dhe gjakmarrja vazhdojnë të jenë problemi më shqetësues në shoqërinë shqiptare

Gazeta jonë shumë herë ka prekur këtë problem, duke bërë publik hapur shqetësimin e qindra familjeve të ngujuara në mënyrë të pafajshme, kryesisht në veri të vendit. Janë të shumta konfliktet që sjellin pasojat e ngujimit, si për shembull konfliktet e pronësisë, grabitjes, hakmarrjes, gjakmarrjes, etj.

Rasti në fjalë ku u ndalëm flet për ngujimin e disa familjeve ku shkaku qe një aksident automobilistik.

Nga ky konflikt që lindi më pas, shtetasi Engjëll Pashuk Pemaj, i datëlindjes 7. 02. 1970, lindur dhe banues në fshatin Dajç, Komuna Dajç të rrethit Shkodër, i martuar, është detyruar të qëndrojë i ngujuar për disa kohë së bashku me familjen dhe të afërmit e tij.

Theksojmë se shtetasi Pashuk Pemaj, babai i Engjëllit, ka aksidentuar me makinë shtetasin Vehbi Beqi nga fshati Mushan i Komunës Dajç.

Ngjarja ka ndodhur me datë 5. 02. 1998 ku shtetasi Vehbi Beqi po udhëtonte me motorçikletën e tij dhe gjeti vdekjen si pasojë e përplasjes me makinën e shtetasit Pashuk Pemaj.

Që nga kjo datë tre familje të fisit Pemaj janë detyruar të vetngujohen nga frika se familja e dëmtuar mund të hakmerrej ndaj tyre.

Me datë 15 qershor 2003, disa persona të familjes Beqi kanë kërcënuar Silvana Pemaj, bashkëshorten e Engjëllit duke i thënë se ato do të hakmerren ndaj familjes së saj.

Gjithashtu me datë 24 gusht 2003, tre persona me një makinë Benz-Mercedey të bardhë kanë tentuar të grabisin me forcë Silvana Pemaj, por pa ia arritur qëllimit.

Sipas Silvanës njëri nga grabitësit ishte pjestar i familjes Beqi.

Në këtë konflikt bie në sy jo vetëm ngujimi i familjes por hakmarrja arrin deri në atë shkallë saqë tentohet të grabiten edhe gratë. Por më të pafajshmit në rastet e ngujimit janë fëmijët, ku vetëm në Prefekturën e Shkodrës me qindra fëmijë janë detyruar të braktisin shkollën si rrjedhojë e kërcënimeve dhe pasigurisë për jetën që ato kanë. Deri kur do të vazhdojë kjo gjendje? Ne si gazetarë do të vazhdojmë të denoncojmë hapur raste të tilla.

Vasel Gilaj

Lumturimi i Nanë Terezës afroi Shqipërinë me Zotin

-Nga të dërguarit specialë të gazetës “Shqipëria Etnike” në Vatikan, Sokol Pepushaj, Albert Vataj e Yef Nika-

E, ç’rëndësi kanë të tjerat? Sot që Shqipëria e vogël i dha botës një shenjtëreshë, Nanë Terezën, ne kemi të drejtë të themi: Nuk kanë asgjë më shumë amerikanët, gjermanët, britanikët, francezët, italianët. Madje ata sot kanë shumëçka më pak se shqiptarët. Po as kjo nuk ka dhe aq rëndësi. Njerëzit e këasj toke janë qytetarë të kësaj tole dhe kaq. Për ne shqiptarët rëndësi ka që Nana Terezë, kjo figurë kulmore e botës tokësore e jetës Hyjnore, sot lutet atje në Qiell, për të tërë njëlloj, pra për qytetarët e kësaj bote, siç edhe veproi kur ishte në Tokë, duke u bërë shembull nga më të veçantët e shekullit të kaluar. Bile i vetmi shembull i tillë kaq hyjnor.

Nëse në këtë botë kaq hipokrite, ende mjaft të padrejtë, Ajo e bëri gjithë rruzullin të kthejë sytë, vëmendjen, respektin prej Saj, edhe tashti përtej jetës tokësore po kështu. Ndoshta me fjalët e para që i mësoi nëna e vet, me fjalët në shqip.

Në qoftë se Shqipëria, vendi i Saj, u afrua vonë, shumë vonë me Nanë Terezën, për së gjalli, tashti ndryshe duhet të ngjasë. Të gjithë shqiptarët, pa dallim, jemi krenarë që emri i Shqipërisë tashmë njihet, respektohet, nderohet, që Nanë Tereza ka gjak nga i yni…

 

Gjithë bota vrapon për në Vatikan

Po, po. Askush nuk ka kohë, askush nuk ka jashtë vëmendjes ngjarjen më të madhe që mund të regjistrojnë analet e historisë së kësaj toke. Bota e madhe lëviz për nder të Nanës trupvogël, imcake, por të papërsëritshme, Terezës. Disa ditë para 19 tetorit, gjithë Globi vrapon drejt Sheshit San Pietro, drejt Kapella-s Papale. Vrapojnë të gjitha besimet, të gjitha racat, të gjitha shtresat e klasat, sepse Nanë Tereza u përkiste të gjithëve, sepse Nanë Tereza i kishte e do i ketë të gjithë të njëllojtë.

Natyrshëm, shumë e dinë se Nana ishte shqiptare, por të gjithë ama e dinë se ishte më e madhja e më e mira, më e drejta e më e vëmendshmja e kësaj Bote tash qindra e qindra vjet. Njerëzimi mbarë e di se Nana Terezë, atje në botën qiellore do lutet për jetë më të mirë, për ekonomi më të mirë, për drejtësi më të drejtë, për gjithçka i nevojitet jetës të jetohet në këtë tokë.

Italia është vendi mikpritës për pelegrinët nga gjithë bota. Vatikani është po aty. Është ai Vatikan që i pat dhënë pasaportën e parë Nanës. Është kjo Itali që i pat dhënë të dytën Nanës. E, kjo Itali e bekuar edhe prej dorës e zemrës së Nanë Terezës, sot ka marrë përsipër barrën më të madhe e më të bekuar të shumë shekujve. Po, po, e gjithë Bota, por edhe vetë Perëndia janë aty, në Itali, ku pjesë e të tërëve jemi edhe grupi shqiptar i ftuar në Vatikan nga Papa Gjon Pali II. Pra, kjo Itali, ka marrë përsipër një detyrim e shërbim të papërsëritshëm.

 

Po Shqipëria?

E ndjejmë veten pjesë kryesore të kulturës më të mirë të Botës. Pelegrinët, pra të ftuarit nga Shqipëria kanë ardhur në Itali disa ditë para meshës së madhe, ndërsa politikanët shqiptarë edhe kësaj here jo dhe aq të ndjeshëm, jo edhe aq njerëzorë, jo edhe aq krenarë. Ata kanë ardhur këtu në Itali vetëm për pak orë, as për të kryer ritet ceremoniale dhe janë larguar shpejt, për t’u marrë si duket me kolltuqet e interesat për të cilat Nana Terezë u përpoq t’i sheshonte gjërat e tilla sa qe e gjallë dhe shpresojmë të lutet për ta edhe tashti atje në qiell. Por le t’i lëmë kësaj here politikanët e të vazhdojmë me ata që jan shqiptarë prej vërteti. Grupi ynë që bëri udhën me avionin Titograd-Romë, dy ditë para meshës së madhe, ofron për lexuesin realitetin e thjeshtë, ashtu siç na mësonte Nana Terezë. Deri në doganën malazeze ngado pamë portretet e Nanë Terezës dhe nuk mund ta ndjeje kënaqësinë e një udhëtimi drejt Romës së Lashtë e Vatikanit të shenjtë, përballë kënaqësisë së një madhështie, substancës së gjakut shqiptar. Pader Marjan Lumçi e Monsinjor Luçiano Agustini hapin një bisedë se kush ishte veçantia e Nanë Terezës, e Nanës së gjithë botës. Jepen mendime të sinqerta nga të gjithë. Bkur, shumë bukur. Janë harruar problemet, janë harruar shqetësimet, nuk ka mëri, është Nanë Tereza nëmes.

Në avion e ngado, në Romë, Bolonja, Napoli, Rimini, Ankona, Milano… e ndjejmë veten diçka e shumëçka ndryshe nga të tjerët nga shumë shtete, por edhe nga italianët që na respektuan deri atje ku nuk shprehet me fjalë edhe në shkruash disa libra. Kënaqësi të veçantë ndjenim kur shtetasve perëndimorë që patëm shumë e shumë kontakte e biseda meta, u shpjegonim me durim jetën e Nanë Terezës shqiptare. Shumica nuk e dinin.

Një studente e Universitetit të Bolonjës, e atij kolosi të kulturës botërore, kur mësoi jetën e Nanë Terezës, pyeti: Po sa milion është Shqipëria?

Ne i thamë se jemi një popull mbi 13 milion, por padrejtësitë e të tjerëve na kanë sakatuar.

-Po a ka figura të tjera madhështore? – vijoi ajo.

-Po, kemi nxjerrë një Papë.

Deshëm të vazhdonim gjatë, por ajo u përlot me lotët e pafajësisë së një studenteje dhe tha se mjaftonte kaq për të krijuar bindjen se Shqipëria është një vend i mirë e i bekuar prej Zotit.

-Ah, të isha edhe unë shqiptare, – tha ajo.

 

Mes shqiptarëve emigrantë në Itali

Dëshira është e shumëvetë marrin pjesë në Piazza San Pietro më 19 tetor në orën 10:00, por jo mundësia. Nga brenda kufijve territorialë të Shqipërisë ishte bërë mjaft, më të zgjedhurit e të zgjedhurve. Po më tej, pasi shumë më shumë, jemi të shpërndarë? Me presidentin e emigrantëve të të gjithë botës shqiptare me qendër në Rimini të Italisë, kolegun tonë të letrave Alban Kraja që u kishte siguruar në mundësitë maksimale shqiptarëve marrjen pjesë në lumturimin e Nanë Terezës, udhëtojmë me një flamur shqiptar përmes Riminit të thjeshtë e madhështor, Riminit modern dhe antik, nën brohoritjet e shumë njerëzve, “Albania, Albania, Albania”. Ndoshta shumëkush nuk e dinte se ç’lidhje kishim ne me Nanë Terezën, por ajo është një vlerë e përbërje e tërë botës dhe kaq.

Alban Kraja atje ishte figura qendrore e fytyrës shqiptare. Administronte një agjenci të madhe biznesi e privatizimi si dhe lokal, në të cilin dëgjoje vetëm muzikë shqiptare. Punoni në biznesin e tij Kristina Zoli, një italiane xhentile që grupit tonë të gazetarëve u kaloi në moment fotot dhe objektivat në faqen e internetit të kompanisë si dhe tre bashkëpunëtorë të tjerë. Në këshillin e kompanisë së Alban Krajës veç shumë të tjerëve, punonin dhe paguheshin mirë dhjetë këshilltarë nga dhjetë shtete të botës. Por ajo çka ishte më kryesorja, më njerëzorja, Kraja ngrinte me kompetencë e autoritet zërin në mbrojtje të dinjitetit emigrant jo vetëm pranë strukturave të shtetit italian, por ngado. Edhe Leonard Duka, president i shoqatës “Iliria”, me qendër në Pezzaro-Udine, ishte mjaft aktiv. Pra, ky djalosh shqiptar nuk kishte se si të mos na krijonte atmosferë pritjeje, nuk kishte se si të mos organizonte udhëtimin e shumë shqiptarëve drejt qytetit të largët të Romës, për të hipur pastaj në autobusët specialë të prenotuar nga shteti i Vatikanit.

Natën para ceremonisë së madhe, tërë Italia kishte festë. Kitarra, mandolina, dajre, buqeta lulesh, fotografi, zëra që këndonin lirshëm, banderola, flamuj nga e gjithë bota, ku jo vetëm të ngjante, por ashtu duhej të ishte se ti Shqipëri ishe qendra e ndera e këtij rruzulli tokësor. Ne nuk e dimë çfarë ka ngjarë atë natë në Shqipëri, sa masive ishte festa, se vërtetë ishim në një botë tjetër, në botën e perëndimit që festonte më së pari për Shqipërinë e Nanë Terezës, këndonte për Shqipërinë e Nanë Terezës, udhëtonte drejt shtetit të Vatikanit, për të patur fatin e papërsëritshëm të marrjes pjesë në Lumturimin e një shqiptareje dhe marrjes përsipër të një dëshire-betim, për të qenë secili prej tyre të paktën paksa Nanë Terezë, çka na pëlqen ta themi, pak shqiptar.

 

Kappella Papale dhe Shqipëria

Piazza San Pietro, ka filluar të marrë frymë përmes zërit të njeriut, të mbushet herët, duke zbardhur drita e Zotit. Në atë shesh të mrekullueshëm, në atë tokë të bekuar brenda shtetit të Vatikanit, ka ardhur Kalkuta e gjithë India, ka ardhur Shkupi e gjithë Shqipëria, kanë ardhur Amerika, Britania, Spanja, Italia po e po, Franca, Belgjika, Kanadaja, Kina, Australia… Ka ardhur tërë bota në qendër të botës, në një shesh.

Qendra e krishtërimit të botës, qendra e paqes së botës, qendra e mrekullive të botës, zemra e qytetërimit e kulturës së botës, Vatikani, ka për herë të parë aty, aq afër, shumë e shumë Shqipëri. Një Shqipëri me pak përfaqësi që rri në krye të botës, duke valëvitur flamurin e Gjergj Kastriotit.

E, vjen momenti më kulmor. Shenjtëria e Tij, Papa Gjon Pali II e hap ceremoninë e lumturimit të Nanë Terezës me fjalët e Saj në gjuhën italiane: “Di sangue sono Albanese. Di cittadinanza indiana. Di fede una suora cattolica. Di chiamata appartengo al mondo. Il mio cuore appartiene totalmente a Gesu”, që në shqip do të thotë: “Me gjak jam shqiptare. Me nënshtetësi indiane. Përsa i përket besimit, jam murgeshë katolike. Sipas thirrjes, i përkas Botës. Por zemra ime i përket plotësisht Jezusit”.

O Perëndi. Në ato momente tërë bota mbarë e mëson se Nanë Tereza është me gjak shqiptar, pra është shqiptare. Kështu në pesë gjuhë, në atë Shesh të madhërueshëm, edhe në shqip, Giovanni Paolo II, por edhe vetë Perëndia në Qiell që tashmë ka nj[ shenjtëreshë nga ky gjak yni, duket se i thërret njerzimit, ndoshta e patjetër edhe atij që do të vijë pas mijëra e mijëra vitesh e shekujsh, se është edhe një Nanë Terezë që mund t’i lutet, se është një Shqipëri e mirë që ka një shenjt, ka një madhështi mbi të gjitha madhështitë, ka atë që do e kishte lavdi edhe zoti i tokës, Amerika, Nanë Terezën, mbretëreshën e tokës e të qiellit, atë që gjithë jetën ua kushtoi të varfërve më të varfër, të sëmurëve më të sëmurë, por edhe të diturve më të ditur e të kulturuarve më të kulturuar.

Për shembull, për studentët e gjithë botës nana kishte thënë: “Lutem që gjithë ata studentë që janë diplomuar, nuk mbartin me vetem vetëm një copë letër (diplomë), por dashuri, paqe dhe gëzim”.

Pra, sheshi San Pietro është plot e përplot Shqipëri. Shteti më i mrekullueshëm në botë, Vatikani, përgjatë tërë ditës së 19 tetorit, foli me Zotin, afroi edhe një Lumturim që u pranua prej të Lumnuemit, u lut edhe për këtë botë me trazira, siç bëri Nana Terezë. U thanë ato fjalë, ato lutje, ato uratë që mund të thuheshin në kor aq të madh vetëm për Nanë Terezën. E, përgjatë kësaj ceremonie të papërsëritëshme të paktën në një jetë njeriu, shfaqet mrekullia e Zotit, mrekullia e Nanë Terezës. Edhe të moshuarit, edhe të sëmurët që janë shumë aty, për rreth nëntë orë i ndihmon Zoti të rrinë në këmbë pa probleme, megjithëse kanë udhëtuar ditë e netë për aty. Zoti e e Lumturuemja Nanë Terezë bëjnë lutje e ndihmë. E, bekimi ka ardhur shpejt, në moment në tërë atë “detë” njerëzish, në ato “dallgë” kombesh, kulturash, flamujsh, besimesh. Pra, ky bekim ka substancë shqiptare.

Ceremonia vazhdon deri në orën 14:00, për të çuar një meshë të madhe në buzëmbrëmjen e asaj dite të paharruar për Shqipërinë e tërë botën.

 

Shtypi italian për Shqipërinë

Të nesërmen, tërë shtypi italian ka në vëmendje dhe në plan kryesor lumturimin e Nanë Terezës, shqiptares së madhe. Presidenti shqiptar Alfred Moisiu, kryetari i opozitës Sali Berisha, shefi i demokristianëve Nikollë Lesi dhe gjithnji në krye të tyre Alban Kraja. Madje Albania qysh në tituj. Vetëm këta janë figurat e përfaqësisë shqiptare që lakohen në ceremoninë e lumturimit. Të gjithë këta politikanë vihen me të drejtë pas Alban Krajës, pasi erdhën e ikën shpejt, se natyrisht i prisnin punë e zullume postesh. Perëndimi është tepër i vëmendshëm! Vlerëson atë që meritohet dhe jep atë që meritohet. Ambasadori shqiptar në Vatikan, Zef Bushati, nuk është lakuar fare në shtypin italian. Gjithsesi, le të jemi të gjerë, si Nanë Tereza et’u drejtohemi politikanëve tanë me fjalët e saj: “Unë mendoj se politikanët harxhojnë shumë pak kohë në gjunjë (lutje). Jam e bindur se ata do të ishin politikanë më të mirë nëse do të bënin kështu”.

Megjithatë, Shqipëria tashmë është vërtetë një shtet që si me politikanë, si pa ta, është e bekuar, është krenare.

 

Epilog

Me emocione të natyrshme e krenari të ligjshme, marrim avionin për Shqipëri, për të zbritur po në një tokë të bekuar, në aeroportin “Nanë Tereza”. Gjithsesi, këtu nuk gjetëm atë atmosferë festive që kishte Italia, atë atmosferë që u përcoll në tërë botën nga Vatikani. Lusim Perëndinë që tashti e mbrapa edhe Shqipëria jonë të jetë pjesë e botës së lirë, ashtu siç lutej e do lutet më e madhja e më madhështorja e këtij shekulli, Nanë Tereza.

 

Albania e krenarisë, dashurisë, humanizmit

(Me rastin e lumturimit të shenjtores së ardhshme – Nanë Terezës)

Shqipëria, kjo tokë e vaditur me gjak të kulluar martirësh dhe shenjtorësh, duke filluar tek Asti (i shekullit të parë pas Krishtit), Shën Jeronimi dhe plot martirëve të tjerë, sot feston në kufinjtë më të lartë të madhështisë, lumturimin e shenjtërimit të ardhshëm të krenarisë së kombit, Nënë Terezës. Asnjë “pelerinë” tjetër mbas asaj të Gjergj Kastriotit nuk mund të mbështjellë me lavdi tokën tonë të shenjtë, veçse ajo e Nënë Terezës. Do të mjaftonin këta dy “korifej” për t’i dhënë tokës arbërore “Kurorën e Artë” të lavdisë, në harkun kohor të gjashtë shekujve dhe veçiminsi tokë e shenjtë dhe e bekuar.

Mesazhi i lumturimit të Nënë Terezës duhet të trokasë në “portën” e shpirtit të çdo bashkatdhetari, si një sinjal ogurmirë, për më shumë dashuri, më shumë humanizëm, më shumë harmoni mes njëri-tjetrit dhe së fundi, më shumë shpresë për një të ardhme më të begatë.

Portreti i shquar i kësaj Nëne të Madhe, duhet të hyjë në çdo vatër arbërore, si simbol i shpresës dhe dashurisë dhe si një “amortizator” në shuarjen e çdo konflikti në familje dhe shoqëri. Ndonëse ndodhemi në një gjendje amullie dhe të mbërthyer nga “prangat” e një politike pa skrupull, ku idealet e shenjta të atdhedashurisë janë drejt shuarjes dhe lakmia për botën materiale të konsumizmit po arrin kulmin e saj, gjithsesi një “qiri” i vogël shprese ndriçon në fundin e “tunelit” të çdo shpirti, sado mëkatar që mund të jetë. “Dallgët” e oqeaneve dhe mjegullnajat qiellore të botës do të zhdavariten nga shkëlqimi hyjnor i shenjtëreshës së ardhshme. Lumturimi i saj do të jetë lumturimi i çdo krijese, shkëndia më e përflakur, në “bunkerët” e errët të atyre shpirtrave të vegjël që ushqejnë urrejtje ndaj njerëzimit me mjetet më të sofistikuara, të rracizmit dhe përçarjes fetare që është më i madhi turp i shekullit. Mesazhet dashamirëse të krerëve më të mëdhej të njerëzimit, duke filluar me ish-presidentët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Regan e Klinton, nga Shiraku i Francës, Toni Bler i Anglisë dhe së fundi, Shenjtëria e Tij, Papa Gjon Pali II, janë shpresëdhënëse dhe mjaft bindëse për një të ardhme më të lumturm, më të sigurtë dhe të begatë. Le të rriten vogëlushët tanë dhe të mbarë globit, me dashurinë dhe humanizmin që mishëron vepra humane e Nanës më të Madhe të Botës – Nënë Terezës, këtij fenomeni që di të lindë vetëm toka e bekuar e Gjergj Kastriotit.

Le të jetë lumturimi i Nënë Terezës, sinjali fatlum i lumturimit të çdo bashkatdhetari, kudo që të jetë, në çdo cep të globit tokësor. Krenohuni vëllezër e motra, kudo që të jeni në pesë kontinentet, se jeni “bimë” të asaj toke të shenjtë që di të lindë e rrisë shenjtorë e apostuj.

Mark Bregu

Socialistët rikthejnë kohën e diktaturës ne  zonën e Kelmendit

Socialistët e rikthyer dhunshëm në pushtet pas revolucionit te armatosur të 97-s, gradualisht po bëhen po aq të rrezikshëm, të pashpirtë e gjakpirës si baballarët e tyre të 50 viteve të diktaturës komuniste të Enver Hoxhës. Ata e kanë të pamundur tua falin kelmendasve kryengritjen e parë antikomuniste ne Evropën Lindore të pas luftës së Dytë Botërore dhe qysh prej rikthimit në pushtet kanë nisur dhunën shtazarake kundër gjithë banorëve demokratë të kështjellës antikomuniste te Klemendit.

Ky djalosh me fytyrë të imët dhe disi i trembur ne foton që ilustron shkrimin, quhet Pëllumb Marash Rrukaj. Ka lindur në fshatin Brojë të Komunës malore të Kelmendit me 2 korrik 1974 dhe i përket trashegimisë së një familje atdhetare e patriote që luftuan me armë në dorë kundër komunistëve në vitin 1945. Në vazhdimësi deri në vitet 1990, familja e Pëllumbit ka provuar vuajtje e mjerim të skajshëm për shkak të bindjeve e veprimit të tyre antikomunist. Në periudhën e ndryshimeve të mëdha historike, familja e Marash Rrukaj, ashtu si thuajse gjithë banorët e trevës u radhitën familjarisht në krah të forcave demokratike-progresiste te udhëhequra nga Sali Berisha. Vetë Pëllumbi bëhet anëtar i PD në vitin 1994 dhe zgjidhet kryetar i Forumit Rinor demokrat për fshatin Brojë. Pas vitit 1997, Pëllumbi vihet ne krye të luftës demokratike për denoncimin e pushtetarëve të rinj, të cilët i etiketon si neokomunistë, gjakpirës e bij të diktaturës. Aktiviteti i tij pro forcave demokratike bie në sy të strukturave të inkriminuara të shtetit që nisin presionin psikologjik, letrat anonime dhe telefonatat  kërcënuese deri me eleminimin e tij fizik. Në zgjedhjet e përgjithshme e lokale, Pëllumbi vazhdimisht ishte në detyrën e kryetarit zonal të qendros së votimit ku gjithmonë votohej pro përfaqësuesve të forcave demokratike. Më 17 janar të vitit 2002, Pëllumbi keqtrajtohet egërsisht nga civilë të armatosur, që pasi e shajnë, e rrahin e kërcënojnë për zhdukje fizike, e lënë ashtu pa ndjenja në një rrugë qorre larg shtëpisë së tij. Kalimtarë të rastit e marrin Pëllumbin dhe e çojnë në spitalin e Tamarës ku i jepet ndihma e parë në mjekimin e gërvishjeve dhe hematomave në të gjithë trupin, më të dukshmë në zonën e fytyrës. Tërhiqet po atë ditë nga familjarët dhe pas disa kohësh i frikësuar nga presionet e strukturave kriminale të shtetit arratiset përfundimisht nga Shqipëria. Pëllumbi nuk është i vetëm. Janë më qindra të rinj dhe të rritur nga komuna e Kelmendit që janë të detyruar vitet e fundit të braktisin atdheun për ti shpëtuar dhunës, persekutimit dhe eleminimit fizik nga socialkomunistët e rinj që drejtojnë sot shtetin shqiptar.

Rifat Ymeri

Ora e rëndë e diktaturës

Asgjë s’po mund ta frenojë dorën e rëndë socialiste në Shqipëri. Situata sa vjen dhe po rëndohet. Populli është dëshmitari i drejtpërdrejtë i kësaj situate që po i merr frymën kujtdo që po banon në këtë vend që ngjan të mbajë brenda diku në tokë, si farë të keqe mallkimin socialisto-komunist. Një gjë e tillë u dëshmua dhe me zgjedhjet e fundit lokale të 12 tetorit 2003, ku situata qe mjaft e rënduar. Askund në botë s’mund të bëjë vaki si në Shqipëri, ku në sy të të gjithëve, ditën për diell, të vidhen 100 vota. E konkretisht tek Shkolla Pyjore, ishin dy oficerë të policisë së bashku me sekretarin e Partisë Socialiste Tren Xhabinë, që kërkuar me zor që situata të degradojë. Një gjë e tillë krijoi një kaos jashtëzakonisht të madh dhe votimi u detyrua të ndërpritej për orë të tëra, derisa insistimi i përfaqësuesve të Partisë Demokratike dhe i forcave të tjera të djathta bëri që të sillej vula e re. Po kështu kontestime të tjera në Shkodër pati edhe në zona të tjera ku edhe aty pati të tilla ndërprerje. Pati edhe dhunë fizike.

Por situata të tilla nuk kanë ndodhur vetëm në këtë raund zgjedhjesh. Populli nuk harron 24 qershorin 2001 ku u keqtrajtuan edhe vëzhguesit e qendrës nr. 5 të lagjes “Guerrile”, ku një ndër të keqtrajtuarit ishte edhe Gjin Camaj, për të cilin folën edhe mediat e asaj kohe dhe pat protestuar Partia Demokratike. Gjini edhe më përpara ishte në aktivizim për t’i dalë zot jetës së lirë dhe pa mashtrime, manipulime dhe korrupsion siç është edhe sot në kryefjalën e ditës. Thjeshtë keqtrajtimi i tij u bë vetëm se ai po i dilte zot votës së lirë dhe mbronte që zgjedhjet të mos manipuloheshin. E keqtrajtimet ndaj personave të tillë nuk zgjasin vetëm një ditë, por ç’është më e keqja është se kërcënimet vazhdojnë derisa i detyrojnë njerëzit të largohen nga Shqipëria pasi vihet në rrezik jeta e tyre si dhe e familjes së tyre. Kështu ngjau me demokratin Gjin Camaj, kështu me gjithë antikomunistët.

Korrespondenti i “Shqipëria Etnike

Kërcënohet me jetë familja Bakalli

Familja Bakalli është ndër më të njohurat në Shqipëri për kontributin e saj në zhvillimet demokratike në epoka të ndryshme të historisë. Nga gjiri i saj, kanë dalë pinjollë të denjë që nuk kanë kursyer asgjë për atdheun. Në Shkodër, është familja e Lulzim dhe Lirije Bakallit, përfaqësuesja më e spikatur e këtyre vlerave. Prej 10 vitesh, duke nisur nga koha e demokracisë së vërtetë në Shqipëri, atëherë kur në pushtet ishte Partia Demokratike, kjo familje ka filluar të merret me tregti. Gjatë fushatave të ndryshme të Partisë Demokratike, Lulzimi dhe Lirija nuk kanë ngurruar të sponsorizojnë aktivitete dhe spektakle të ndryshme. “Dimri” i diktaturës neokomuniste i vitit 1997 mbuloi me acar të gjithë Shqipërinë, veçanërisht Shkodrën, e në këtë kuadër familjet më demokrate, si ajo e Lulzim Bakallit. Vit pas viti, peshën e këtij persekucioni të hapur, kërcënimeve të shtetit dhe personave afër tij, filluan ta ndjejnë edhe fëmijët: Belma 14 vjeçe, Nensi 10 vjeçe dhe Jetoni 6 vjeçar. Disa herë biznesi i tyre i ngritur me mund e djersë u cënua dhe madje jeta e të gjithë pjestarëve të familjes rrezikohej. Megjithatë, demokratët nuk u stepën. Pas pjesëmarrjes aktive në fushatën parlamentare të vitit 2001, çifti Lulzim e Lirije Bakalli , u rreshtuan në stafin elektoral të kandidatit për kryetar bashkie në Shkodër, nënkryetarit të PD-së, Artan Haxhi. Pikërisht në këtë kohë ata pësuan edhe shantazhin, fyerjet dhe kërcënimet më të hapura të klikës në pushtet. Represioni i shtetit me dhe pa uniformë u rrit veçanërisht pas 12 tetorit 2003, kur Partia Demokratike fitoi postin e kryebashkiakut të Shkodrës, përmes kandidatit, prof. dr. Artan Haxhi. Si një nga sponsorizuesit dhe mbështetësit më të flaktë të fushatës, çifti Lulzim dhe Lirije Bakalli u vunë në shënjestër, madje deri me eleminim fizik. Në këto kushte, demokratët e paepur, Lulzimi 45 vjeç dhe Lirija 40 vjeçe, bashkë me tre fëmijët, e kanë të pasigurtë jetën në vendlindje. Klika në pushtet i ka në shënjestër si edhe demokratët e tjerë.

Albert Durgaj

 

Komisioneri Lek Ulaj dhunohet duke mbrojtur votat e Partisë Demokratike

Edhe pse kanë kaluar pak ditë nga përfundimi i zgjedhjeve lokale të 12 tetorit 2003. Meqenëse gazeta “Shqipëria Etnike” del dy herë në muaj, gjatë këtyre ditëve kanë qenë të shumta problemet, ankesat dhe shqetësimet që kanë mbërritur në redaksinë tonë për të parë nga afër dhe dokumentuar të gjitha ato dhunime që ditën e 12 tetorit janë kryer nga Partia Socialiste në pushtet ndaj komisionerëve të qendrave të votimit, përfaqësues të Partisë Demokratike. I tillë është rasti i zotit Lek Ulaj, nga fshati Bogë, komuna Shkrel në Malësinë e Madhe i cili është dhunuar dhe kërcënuar më 12 tetor 2003, rreth orës 19.00, pikërisht në kohën kur sapo mbyllej kutia e votimit në Qendrën e Votimit Nr.1, në fshatin Bogë. Pasi Lek Ulaj nuk ka pranuar që të lejojë strukturat e Partisë Socialiste dhe të sigurimit të shtetit për të manipuluar rezultatin e zgjedhjeve në qendrën e votimit ku Lek Ulaj mbronte e fituara nga kandidati i Partisë Demokratike. Në këto kushte, çka e dëshmon edhe raporti mjeksor së bashku me një deklaratë të degës së Partisë Demokratike në Malësinë e Madhe të lëshuar për shtyp që më dt.13.10.2003, Lekë Ulaj, komisioner i Partisë Demokratike është rrahur dhe kërcënuar deri dhe me eliminim fizik, vetëm e vetëm se kërkoi që të mbronte votën e lirë. Përballë hajdutëve dhe mafiozëve të Partisë Socialiste në pushtet,dhe jo vetëm kaq, por presionet dhe survejimet ndaj Lek Ulajt nuk kanë të ndaluar sepse ai është ndër më aktivët e Partisë Demokratike, anëtar i së cilës është që në vitin 1994, ku Leka është shquar si pjesëmarrës në të gjitha protestat paqësore të organizuara nga Partia Demokratike për rikthimin e demokracisë në Shqipëri, ku herë pas here ka denoncuar korrupsionin e qeveritarëve të sotëm që bënë çmos për të manipuluar zgjedhjet e 12 tetorit 2003, viktimë e të cilave është edhe komisioneri demokrat Lek Ulaj.

Vasel Gilaj

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu