Punoi: Qamil Gjyrezi
Ka disa vite që kam shkruar pë disa artistë të qytetit të Shkodrës, muzikantë, aktorë dhe piktor. Në këtë ese do të shkruaj disa rreshta për aktorin e Teatrit ‘Migjeni’ të Shkodrës, Agron Dizdari. Me Agron Dizdarin kemi miqësi prej vitesh gjatë aktiviteteve artistike e kulturore në qytetin e Shkodrës në Teatrin ‘Migjeni’, prandaj vendosa të përshkruaj për kontributin, personalitetin artistik dhe anën njerëzore të Dizdarit.

Agron Dizdari ka qenë gjithashtu edhe mik i vëllait tim Sokol Gjyrezi, ish-aktorit të Teatrit ‘Migjeni’ me të cilin kanë bashkëpunuar artistikisht dhe kanë qenë miq shumë të dashur. Jeta artistike dhe personale e një aktori teatri është e mbushur plot me ndjenja, emocione, përjetime, sfida, me qëllim për të tranmetuar mesazhe tek publiku i teatrit. Denis Didëro shkruan: ‘Skena e teatrit është vendi ku lotët e virtuozëve dhe të dobtëve janë të përzier bashkë’. Në këtë kontekst misioni artistik i aktorit është shumë i rëndësishëm për të lënë ‘gjurmë’ në mendjen dhe psikikën e publikut. Agron Dizdari ka qenë aktor ne disa drama të luajtura në Teatrin ‘Migjeni’ të Shkodrës si dhe në disa filma të Kinostudios ‘Shqipëria e Re’. Agron Dizdari është një nga figurat më përfaqësuese të skenës teatrore shkodrane dhe shqiptare në përgjithësi, i cili me talentin, përkushtimin dhe dinjitetin artistik ka lënë një gjurmë të pashlyeshme në historinë e Teatrit “Migjeni” të Shkodrës. Aktori që mbeti besnik i skenës për dekada me radhë, u shqua për rolet e tij të larmishme, që përfshinin nga drama, komedia deri tek drama psikologjike e moderne. I lindur dhe i formuar në Shkodër, Dizdari është përfaqësues tipik i asaj plejade aktorësh që përveç talentit, sollën në skenë edhe frymën e qytetarisë dhe kulturës së vjetër shkodrane. Rrugëtimi i tij artistik përkon me lulëzimin e jetës teatrale të qytetit, në një kohë kur Teatri “Migjeni” përfaqëson jo vetëm artin e skenës, por edhe ‘shpirtin’ e një qyteti me histori të thellë kulturore. Agron Dizdari është djali i Profesor Feti Dizdari, figurë e shquar e sportit të atletikës në Shkodër. Agron Dizdari është një aktor me një prani të veçantë në skenë. Është pikërisht kjo veçanti që e bën Dizdarin, aktor me ndjenja, emocione e ‘psikikë artistike’ po të veçantë.

Eleganca në interpretim, qartësia në shqiptim, kontrolli emocional dhe aftësia për t’u transformuar nga një rol në tjetrin pa e humbur identitetin e vet artistik, janë tiparet që e kanë dalluar. Ai ka interpretuar me sukses role të shumta nga dramaturgjia shqiptare dhe ajo botërore, duke i dhënë jetë personazheve me një ndjeshmëri të veçantë dhe duke ndërtuar figura të besueshme e të fuqishme. Në shumë prej roleve të tij, Dizdari përfaqëson njeriun e zakonshëm, të përditshmin, me dramën dhe humorin e tij. Ai ishte mjeshtër i detajit dhe i nuancave , jo vetëm në tekst, por edhe në gjeste, qëndrim apo shikim. Kjo e ka bërë atë jo vetëm të pëlqyeshëm nga publiku i Shkodrës dhe Shqipërisë, por edhe një model për brezat e rinj të aktorëve që e kanë pasur fatin ta ndjekin ose të punojnë me të.

Është shumë e vërtetë që Dizdari është model për brezat e rinj të aktorëve. Agroni me sjelljen e tij, komunikimin shumë miqësor, ka mbështetur shumë aktorë të rinj në rrugën plot sfida të artit dhe të rinj nga Shkodra që kanë marrë pjesë në jetën artistike të qytetit të Shkodrës si amator, dashamirës të teatrit. Kontributi i tij nuk u kufizua vetëm në aktrim, por shërbeu edhe si një urë lidhëse mes traditës dhe inovacionit në teatër. Agroni është një nga mbështetësit e brezit të ri, gjithnjë i gatshëm të këshillonte dhe të ndante përvojën e tij me kolegët më të rinj. Për këtë arsye, emri i Agron Dizdarit përmendet me respekt jo vetëm për arritjet artistike, por edhe për integritetin dhe njerëzinë e tij. Vepra e tij është një pasuri e vyer për teatrin shqiptar dhe për publikun shkodran. Agron Dizdari është një emër që i përket ‘panteonit’ të artit skenik shqiptar, një aktor që e nderon Shkodrën dhe teatrin ‘Migjeni’, duke u bërë pjesë e historisë së tij. Agron Dizdari – ‘Zëri i heshtur’ i madhështisë skenike. Psikologjia e teatrit eksploron se si performanca teatrale, veçanërisht aktrimi, angazhon dhe përdor proçese të ndryshme psikologjike. Ajo shqyrton se si aktorët shfrytëzojnë emocionet, perceptimet dhe aftësitë e tyre njohëse për të krijuar personazhe të besueshëm dhe si audienca, nga ana tjetër, reagon ndaj këtyre shfaqjeve në një nivel emocional dhe njohës.

Në historinë e artit skenik shkodranë e shqiptar, Agron Dizdari mbetet një nga figurat më të veçanta të teatrit “Migjeni” të Shkodrës. Me një karrierë që shtrihet në dekada, ai mishëroi tipin e aktorit që nuk kërkonte asnjëherë protagonizëm të jashtëm, por e fitonte respektin me forcën e brendshme të lojës së tij dhe me karakterin e tij fisnik. “Agroni ishte nga ata aktorë që nuk lëshonin ‘zë më shumë se duhet’, por e bënin spektatorin të dëgjonte edhe heshtjen e personazhit,” kujtonte një prej kolegëve të tij të afërt, duke nënvizuar ndjeshmërinë dhe përmbajtjen që karakterizonte lojën e tij. Dizdari shquhet për përkushtimin ndaj rolit, për një përgatitje të thellë psikologjike të personazheve që ka interpretuar. Ai nuk ka improvizuar në kuptimin ‘sipërfaqësor’ të fjalës. Përkundrazi, çdo fjalë, çdo gjest i tij është i peshuar me kujdes. Për Agron Dizdarin kanë shkruar artikuj në revista, gazeta të Shkodrës.

Sipas një kritiku tjetër të teatrit të Shkodrës: “Dizdari kishte një prani në skenë që nuk kërkonte zhurmë. Ai ishte si një ‘monument’ i heshtur në skenë, i patundur, i vendosur, por emocionalisht i fuqishëm.” Në galerinë e tij të roleve, gjejmë figura të ndryshme: nga njeriu i zakonshëm me hallet e përditshme deri te karakteri tragjik që përballon fatin me dinjitet. Një ish-regjisor i Teatrit “Migjeni” është shprehur: “Nuk kishte nevojë t’i thoje shumë Agronit. Ai e kuptonte tekstin më shpejt se kushdo dhe e ndërtonte personazhin me një thjeshtësi që vetëm mjeshtrit e vërtetë mund ta arrijnë.” Kolegët e kujtojnë me respekt jo vetëm si aktor, por edhe si njeri dhe drejtues i Teatrit ‘Migjeni’. Agron Dizdari ka qenë edhe drejtor i Teatrit ‘Migjeni’ dhe ka punuar me shumë përkushtim për rritjen e cilësisë artistike. Ishte i përulur, gjithnjë i gatshëm të ndihmonte më të rinjtë, pa bërë kurrë të ndjehej si “veteran”. Një aktore e re në kohën kur punonte me Agronin tregonte: “Ai nuk fliste shumë, por çdo këshillë e tij ishte si një leksion që nuk e gjeje në asnjë shkollë drame.”

Agron Dizdari përfaqëson atë brez të artë të teatrit shqiptar, ku arti nuk bëhej për famë, por për publikun dhe për ndjenjën e misionit kulturor. Ai nuk është një ‘yll i zhurmshëm’, por një ‘dritë e qëndrueshme’ që ndriçoi skenën shkodrane e shqiptare me integritet, ndjeshmëri, talent dhe qytetari. Agron Dizdari lindi më 22 gusht 1949 në Shkodër. Ka mbaruar studimet për Histori e Gjeografi në Insitutin “Luigj Gurakuqi” në qytetin e tij të lindjes. Më pas është diplomuar në Insitutin e Lartë të Arteve në Tiranë për aktrim. Menjëherë pas diplomimit i bashkohet trupës së teatrit legjendar “Migjeni” të Shkodrës, dhe duke filluar që nga viti 1968 luan një numër të konsiderueshëm shfaqesh në këtë institucion. Nëpërmjet shumë shfaqjesh përkrah ikonave të skenës së këtij Teatri, nuk mund të lihen në harresë dramat si “Çështja e Blertës” apo dhe ajo më e famshmja “Gjaku i Arbërit” ku mbahet mend tek spektatori mjaft mirë edhe pse në role episodike. Kontributi i tij në gjininë teatrore ka vazhduar edhe mbas viteve 2000, me: “Ylli i dritës” ; “Kandili i argjendtë” ; “Shën Gjon kryepremi”. Po kështu një kontribut të konsiderushëm ka dhënë edhe në kinematografi në filmat e kinostudios.

Deputon në moshën 24 vjeçare në filmin “Operacioni Zjarri” në vitin 1973 ku interpreton në këtë film me artistë të medhenj të skenës sonë si Ndrek Luca e Tinka Kurti, Llazi Sërbo etj. Dy vjet më vonë luan në rolin e një mësuesi tek filmi “Lumë dritë” (1975) . Më pas vijon në vitin 1976 me filmin “Thirrja”, në vitin 1979 tek filmi televiziv “Ditët që sollën pranverën”, “Nusja” në vitin 1980 ; 1981, “ Një natë pa dritë” etj. Në vitin 2002 ka një rol në filmin “Women without wings” , po kështu interpreton në 2012 tek “Shqipe” me regji të Greta Zenelajt. Ka marrë pjesë edhe në disa emisione të ndryshme artistike me temë poezinë duke interpretuar në recitim. Duke i urur aktorit Agron Didari jetë të gjatë dhe krijimtari artistike po citoi Arthur Miller. Miller ishte një dramaturg, eseist dhe skenarist amerikan në teatrin amerikan të shekullit të 20-të. Miller shkruante: ” Teatri është kaq pafundësisht mahnitës sepse është shumë aksidental. Eshtë kaq shumë i ngjashëm me jetën ”.
Eseja për aktorin e Teatrit Migjeni, Z Agron Dizdari ishte një refleksion personal, për të dhënë një mesazh, për contribute të artistëve shkodranë. Materialin e shkruaja nga përvoja ime personale dhe ishte thjeshtë një opinion vlerësues. Nëse do të ishte një material që ka të bëjë me një C.V. zyrtare, patjetër do të duhej të citoja dhe i referohesha studjuesve të teatrit dhe arkivës së Teatrit ‘Migjeni’. Opionioni, refleksioni ishte vetëm një filim i një pune, të cilën do ta pasuroj me prova dhe fakte, foto, dhe aktorë e aktore të tjerë të Tearit ‘Migjeni’. Po botoj reagimin në adresën personale të F.B, të Zotit Dizdari, për ndonjë pa saktës në opinion: ‘Faleminderit për opinion. Nuk kam mbaruar Insitutin e Arteve në Tiranë, por kam marrë pjesë në studion 2 vjecare te Teatrit ‘Migjeni’. Roli tek ‘Gjaku i Arbërit’ nuk asht episodik. Roli tek ‘Vizita e Inspektorit’ e Pristit apo Profesori tek ‘Big Brother1’ dhe dy tre role tjera (jane 80 role ne Teatër) duhen përmendur. Kur kam qenë drejtor në teatër janë punësuar 9 artistë dhe rritja e të ardhurave financiare kapi rritjen me 3.9 herë më shumë. Numri i spektatorëve u rrit me 4.2 herë. Kam kontribue edhe si regjisor jo vetëm në shkollat e mesme të qytetit tonë ndër vite duke fituar dhe çmime të I-ra, por edhe me shqiptarët e Malit të Zi, duke vënë drama. Edhe si autor drame kam fituar çmimin I-rë në Bjello Polje’.
Promoted Content