Kryetari i Nismës Thurje, Endrit Shabani, ka kërkuar sot zyrtarisht zhvillimin e një interpelance urgjente me Kryetaren e deleguar të Bashkisë, Anduela Ristani.
Kërkesa vjen pas raportimeve të bëra publike në emisionin investigativ “Piranja”, ku pretendohet se një automjet zyrtar i Bashkisë së Tiranës është përdorur për transportin e familjarëve të Ristanit, në kundërshtim me ligjin dhe me etikën e funksionit publik.
Në dokumentin zyrtar drejtuar Këshillit Bashkiak, Shabani thekson se “Bashkia nuk është pronë private dhe mjetet publike nuk janë për shërbimin e familjarëve të pushtetarëve.”
Ai shton se transparenca nuk është zgjedhje, por detyrim ligjor, ndërsa shpërdorimi i detyrës përbën vepër penale të parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
Krahas interpelancës, Shabani ka kërkuar gjithashtu që Bashkia të vërë në dispozicion të Këshillit një listë të plotë të automjeteve në pronësi të saj, informacion mbi personat që i përdorin këto mjete, si dhe regjistrat zyrtarë të lëvizjeve dhe itinerareve, siç e kërkon legjislacioni në fuqi.
Shabani kërkon që Këshilli Bashkiak të marrë përgjegjësinë që i takon dhe të thërrasë seancën dëgjimore dhe të ushtrojë funksionin e tij kushtetues për kontroll dhe transparencë.