Aleksandër Çipa, opinionisti i njohur, e sheh kritike situatën si brenda mazhorancës qeverisëse, ashtu edhe brenda Partisë Demokratike. Përmes një interviste për Gazetën “Panorama”, ai shprehet se qeverinë socialiste po e bren mbipushteti dhe se nuk ka kush ta rrëzojë për shkak të copëzimit të opozitës. Në këto kushte, shprehet z.Çipa, skena politike mbetet pa rivalitet udhëheqësish.
Sipas tij, është shembur struktura politike bipolare dhe jemi në shenja të plota autokracie.
“Në pikën e kësaj periudhe ndjejmë zhbërjen e pluralitetit”, – thekson analisti Aleksandër Çipa. Sa i përket drejtësisë së re, ai shprehet se miti i pandëshkueshmërisë ka rënë, por ndëshkueshmëria ende nuk është frymë.
Z.Çipa! Është një pyetje retorike që dominon pritmërinë publike sot në Shqipëri: Ç’po ndodh? Ku po shkon politika dhe si do të jetë e nesërmja e këtij vendi? Ju a e mendoni dhe a e ndieni këtë dilemë publike të shoqërisë së sotme shqiptare?
Padyshim, e ndiej dhe e përjetoj këtë dilemë politike të shoqërisë. E nisa përgjigjen nga fundi i pyetjes suaj. Jam pjesë e kësaj brenge që ka kapluar shoqërinë dhe opinionin shqiptar. Thelbi i saj lidhet me mendimin dhe raportin e marrëdhënieve me fatin tonë të nesërm dhe veçanërisht me aktualitetin e vendit tonë. Kjo është dilemë jo vetëm për sot, por kryesisht për të nesërmen tonë të afërt e më tej. Duke punuar në media dhe sidomos në sipërmarrjen afatgjatë të opinionbërësit, duke ndjekur në angazhimin tim profesional, kronikisht, zhvillimet politike të këtyre tri dekadave të fundit, brenga është më e shtuar dhe dilemat më të shumuara.
Në këtë vend, sidomos këto dy vitet e fundit, është shembur struktura politike e bipolaritetit partiak të 32 viteve të shkuara. Partitokracia jonë postkomuniste është degraduar. Ajo ka shembur strukturën e vet më të shëndoshë të funksionimit përgjatë periudhës së tranzicionit. Në pikun e kësaj periudhe të shkuar ne kemi shijuar si shoqëri, apo qoftë edhe kemi ndjerë, hidhësinë e zhbërjes së institucionalizmit funksionues dhe kontrollues. Shumica politike qeverisëse ka fituar mbipushtet.
A është më kjo shumicë politike socialiste si përkatësi?
Mendoj se jo, në përcaktimin e përkatësisë. Kryeministri i vendit është person i fuqishëm politik dhe imponues vendimmarrës. Këtë rol e ka vetëfituar apo marrë për shkak të disa arsyeve, por më së shumti për shkak të Partisë Socialiste. Kjo, pra PS, është parti e tij. Kur them parti e tij, nuk kam parasysh kuptimësinë hipotekore të fjalës, por vlerën kontrolluese, funksionuese dhe autoritetin pa kundërshti të kryeministrit si lider i partisë. Socialistët, në historinë e tyre politike kanë pasur në periudha të evidentimit të ansamblit konkurrues spikatjen e karaktereve politike në nivelet e larta të udhëheqësisë, brenda vetvetes, si dhe në strukturat e në forumet e tyre kombëtare. Sot nuk e kanë më këtë aftësi, nuk e dëshmojnë më këtë vlerë dhe, fatkeqësisht, po shpërfaqin tipologjinë e një partie politike nën hijen dhe bindshmërinë e kryetarit-kryeministër, ose më saktë të një force nën autoritet Një-shi.
Përballë kësaj shumice të patundur është një opozitë në krizë historike. Si e shihni zhvillimin e mëtejshëm të opozitarizmit politik në vend?
Përballë kësaj shumice politike, (në qeverisje afatgjatë), opozita është në gjendjen dhe momentin më tragjik të saj. Është realisht në fatin ekzistencial. Udhëheqësi historik politik i saj ka shpërfillur me një kryeneçësi vrastare dialektikën dhe raportin e individit me kohën fizike. Politikani Sali Berisha, si kryesues prej themelimi i PDSH-së, në kapitullin epilogues të tij, nuk dëshmoi dy largpamësi: atë të periudhës pas tij dhe atë të trashëgimisë politike.
Por, duke qenë vetëgabues për pasardhësin në vitet pas 2013-ës, për shkak të një drame të re të investuar, të sajuar, të imponuar apo qoftë edhe të inskenuar, zgjodhi rikthimin e vet në krye të partisë, duke marrë si fryt të vetëm dhe të pazhbëshëm shpërbërjen e Partisë Demokratike. Kjo nuk është pasojë vetëm për partinë e tij, por shembje dhe pësim fragmentarizimi për strukturën më themelore të opozitarizmit politik në vend. Kjo është gati e pariparueshme. Për këtë arsye, struktura kryesore opozitare që përfaqëson të djathtën postkomuniste në vend ka hyrë në një kapitull pa rrugëdalje dhe pa zgjidhje të shpejtë.
A kemi të bëjmë me një “hall” të elitës politike në vend dhe, për rrjedhojë, a e mban vetë shoqërinë tonë në dilema ky “hall”?
Natyrisht kemi të bëjmë me një dilemë serioze të ecurisë dhe zhvillimit të mëtejshëm politik. Ka shumë të panjohura realiteti aktual politik dhe partiak në Shqipëri. Për këto të panjohura nuk janë më përcaktuese të tre apo katër personalitete politike dhe ky është një fakt i rëndësishëm.
Arresti në shtëpi i zotit Berisha apo hetimet për figura determinante të tranzicionit politik, si ish- presidentë, ish-kryeministra, ministra apo krerë partish, ka shembur realisht mitin e pandëshkueshmërisë në Shqipëri. Kjo shembje tentohet të eklipsohet prej qëndrimeve ripolitizuese, apo edhe prej asimetrisë së qëndrimeve mes palëve dhe protagonistëve në pozicione të ndryshme, por jemi në një kohë tjetër. Pushteti i Drejtësisë nuk është si në pozitën e drejtësisë së para vitit 2016. Me këtë konstatim nuk pretendojmë se ka triumfuar shteti ligjor. Nuk mund të kemi iluzionin se është vendosur regjimi i plotë dhe stabiliteti juridik i Republikës. Për këtë duhet ende kohë dhe nevojiten dëshmi të ndëshkueshmërisë për qeverisësit abuzues të dekadës së fundit. Proceset dhe aktet juridike ndaj disa protagonistëve politikë, “hallet” e tyre vijuese dhe të pritshme me gjyqësorin shqiptar, janë një nisje e procesit të qarkullimit të elitave politike dhe sidomos atyre partiake në vend.
Duhet thënë se kjo status quo e udhëheqësve si zoti Berisha është një arsye thelbësore pse tranzicioni postkomunist u zgjat dhe herë pas here, edhe është trazuar për këtë qëllim. Megjithatë, tashmë kemi të bëjmë me një gjendje të re, e cila lidhet me qeverisjen e kryeministrit Rama. Proceset hetimore, akuzuese dhe gjyqësore për aktorët e mbështetur dhe të promovuar prej tij në mandatet qeverisëse të kësaj dekade po e gërryejnë thelbësisht imazhin politik të tij dhe socialistëve, sikundër po realizojnë edhe një qarkullim të figurave socialiste në qeverisje dhe në strukturat partiake. Ndryshe nga më herët, ky është një qarkullim i figurave të katapultuara dhe jo të investuara dhe meritokratike si në dy dekadat e para të jetës së PS.
Pse reziston ende zoti Berisha? Cilët janë faktorët që përcaktojnë këtë mbijetesë politike ende pas tri dekadave?
Zoti Berisha nuk është më faktor kryesor, por është komponent i rëndësishëm politik. Qëndrestaria e tij apo, sikundër e konsideroni ju, mbijetesa, është e lidhur me disa faktorë specifikë të historisë së afërt, të investimit dhe strukturës politike të shoqërisë së këtyre tri dekadave, me entitetet e përfaqësimit politik dhe partitokracinë tranzicioniste shqiptare. Përmes karakterit vetjak dhe protagonizmit të gjatë në politikë, zoti Berisha diti të përdorte dhe ripërdorte mjete atipike të politikëbërjes dhe luftës partiake. Në kohën e këtij tranzicioni, edhe konfliktin (të cilin e pati natyrë politikëbërëse), edhe rotacionin, ai i përdori me aftësi për të qenë determinues dhe imponues.
Zoti Berisha zotëroi një mekanizëm baltëhedhës ndaj kundërshtarëve dhe oponentëve të vet, të cilin jo vetëm që e shfrytëzoi në kapacitetin më maksimal, por e përdori për t’i kompleksuar kundërshtarët. I vetmi që ia ndryshku dhe ia vjetroi me strategji këtë metodologji mbetet “armiku” i tij i sotëm dhe sipas gjasave edhe i ardhëm, kryeministri aktual, Edi Rama.
Që në fillesat e tij politike, zoti Berisha e kapi pushtetin me uri dhe arrogancë. Shfrytëzoi likuidimet politike të kundërshtarëve brenda partisë së vet dhe sidomos mentalitetin e mbështetësve. Pushteti politik i tij u fuqizua prej autoritetit mbi mbështetësit e ndjekësit e tij, duke shfrytëzuar influencën mbi komunistët antikomunistë apo edhe demokratët që besuan si komunistë rolin e udhëheqësit autoritar.
Izolimi i zotit Berisha ndodh kur Shqipëria po rrëshqet gjithnjë e më shumë në autoritarizëm. Kush do ta luajë rolin potencial të opozitës tani e tutje?
Nevoja jonë tronditëse për strukturë, kapacitet potencial dhe rol udhëheqës opozitar është si asnjëherë më parë. I pari që e artikulon politikisht këtë është vetë zoti Berisha, teksa ripërsërit domosdoshmërinë e rikthimit të pluralizmit dhe të opozitarizmit si pushtet kontrollues përballë shumicës qeverisëse. Në këtë aspekt, politikani Berisha ndërton raportin e vet përdorues me të vërtetën, në momentin kur prej shumëkujt konstatohet se pushteti i kryeministrit Rama sa shkon e bëhet më i pakufizuar. Mirëpo përpjekjet e opozitës deri tani kanë dështuar.
Si mund ta fitojë rolin ndryshues apo qoftë edhe sfidues të kryeministrit Rama opozita, apo qoftë edhe një tjetër që mund të profilizohet?
Opozitarizmi aktual në vend është nënshtruar dhe mbetet në një pritmëni prej zotit Berisha. Po e mban gjatë pritmëninë e fatit personal politik, si shpresë të vetme për ndryshim të vetvetes dhe për tejkalim të gjendjes. Kjo është qasje plotësisht e gabuar. Roli i zotit Berisha në politikëbërjen e mëtejshme është vetëm në funksion të vetvetes, jo të ardhmërisë politike të opozitarizmit tonë politik.
Nuk përbën më asnjë mundësi, si për opozitarizëm aq edhe për kontribut demokracie për të nesërmen e shoqërisë. Madje, në këtë rezistencë pengmbajtëse të opozitës po shkakton kosto dhe kohë-vonesë, me pasoja jo vetëm për partinë tashmë të shpërbërë, por specifikisht edhe për strukturat dhe kapacitetet opozitariste të vendit. Zoti Berisha është bashkautor i dobësimit të demokracisë në vend dhe i lënies e saj në një udhëkryq të rrezikshëm.
Refuzimi apo paaftësia e tij për të lënë një pasardhës të besueshëm dhe funksional brenda grupit të tij partiak shton shpresën e jetëgjatësisë qeverisëse të zotit Rama. Opozita ka nevojë për një hop të madh ristrukturues dhe kryesues. Në këtë pikë, zoti Berisha nuk mund të ketë rol vijues, por nuk po dëshmon as kontributin e nevojshëm delegues.
Ju flisni për opozitarizmin, por askush nuk po jep një formulë se si duhet strukturuar opozita institucionale pas dy vjetësh të fraksionimit të forcës kryesore të saj, Partisë Demokratike. Si mund të dilet prej kësaj krize?
Shoqëria shqiptare ka nevojë të investojë për ristrukturimin e pluralizmit në konceptin përmbajtësor të tij. Shoqëria jonë ka nevojë për rikthimin e elitës cilësore, morale dhe kapacitative për kontribut funksional opozitar. Kjo mund të vijë, madje duhet, edhe si kontribut prej diasporës apo emigracionit tonë.
Aq më tepër kur tashmë statistikat demografike flasin për një popullsi gati 40 për qind jashtë territorit të Republikës. Është e domosdoshme të rikonstruktojmë edhe një herë raportin e përfaqësimit politik midis entiteteve partiake dhe politike dhe strukturave doktrinare, si në këndvështrimin përkatësor, ashtu edhe atë historik dhe promovues. Në pikëpamje të përfaqësimit sot jemi në një moment impasse tronditëse, të pandodhur më parë në harkun kohor të këtyre 33 viteve.
Aspekti tjetër i cili duhet konsideruar, mendoj unë, ka të bëjë me faktin se si përfaqësohet kualiteti i administratës publike në Shqipëri në raport me nevojat që ka vendi në procesin e integrimit dhe sidomos në ambicien për të qenë një anëtar, i afërt në kohë, në Bashkimin Europian. Të gjitha këto së bashku kanë të bëjnë me mentalitetin dhe mendësinë e rindërtimit të ri gjithë-shqiptar në suazën e një vendi pjesëtar të bashkësisë europiane. Sigurisht, kjo na është bërë edhe më e vështirë, pasi jetojmë në epokën e doktrinave të tradhtuara dhe të braktisura. Mbi të gjitha kjo e dyta, pra braktisja e doktrinave, është problem madhor me të cilin përballen të gjitha shoqëritë aktuale dhe, në mënyrë specifike, shoqëritë e kombeve të vogla si kjo e jona.
Institucioni më i fuqishëm i drejtësisë në vend po evidentohet SPAK.
A po tentohet, apo hyn në një “rrethim” politizues ky institucion i ri i drejtësisë shqiptare?
Pas ndryshimeve të Kushtetutës në vitin 2016, me një dakordësi të imponuar midis dy kaheve, me votim aprovues prej 140 deputetëve, SPAK është institucioni që nuk duhet dhe nuk ka përse të ketë role për kontekstet dhe aq më tepër funksionet politike në vend. SPAK është institucion i ri i drejtësisë që varësinë më evidente ka atë prej kushtetutës dhe përmbajtësisht prej SHBA. Është institucion i ri, të cilin e projektuan dy aleatë dhe oponentë në marrëdhënien mes tyre: aktorët vendimmarrës politikë të vendit dhe partnerët strategjikë ndërkombëtarë.
Mes tyre ka pasur bindshmëri, por jo sinqeritet. Këtij institucioni i janë grumbulluar shumë çështje dhe i është përgatitur qëllimisht një pritmëni e lartë publike, për shkak të realitetit të tmerrshëm korrupto-politik të trashëguar në këto tri dekada. Klasa aktuale politike ka mësyrë dhe po intensifikon mësymjet politizuese, për këtë institucion. Është rezistenca e fundit që kjo klasë bën për ta tejkaluar besueshmërinë dhe për të ndërtuar sadopak bjerrjen e besimit publik ndaj tij.
Në këto kushte, SPAK duhet të shumëfishojë provat ndëshkuese, pavarësisht se prej cilës palë politike janë ose do të jenë të ndëshkuarit. Kurthi për politizim është me kohë i përgatitur. Megjithatë, ky institucion duhet ta kapërcejë me qetësinë dhe olimpizmin e një strukture profesionistësh, e cila dëshmon dhe jo deklamon lartësinë e standardit ligjor dhe atë të investigimit apo provëdhënieve. Zhdukja e pandëshkueshmërisë në shoqërinë tonë është e lidhur me shpresën publike për ikje nga koha e mosndëshkimit dhe e konsiderimit të politikanëve si zotër mbi ligj.
Si vlejnë këto zhvillime parë në një kontekst më të gjerë rajonal e, pse jo, global?
Kjo është shpresa jonë për më të domosdoshmen e më jetiken për shtetin dhe sistemin tonë të demokracisë hibride. Kohët e fundit një profesore, filozofe dhe politologe shqiptare e shumë-mediatizuar nëpër botë, zonja Lea Ypi, në një artikull të publikuar në të mediumin britanik “The Guardian”, nënvizonte “dyshimin tonë të arsyes për shpresë”. Ypi hedh për diskutim, duke e vendosur në kontekstin semantik të iluminizmit, nevojën për shpresë. Sot ndihet thellë rënia e valencës ndikuese të fjalës dhe thellësisë analizuese të intelektualëve.
Nuk kemi protagonistë të fuqishëm ndriçues. Nuk kemi predikues të kohës që vjen dhe të sistemeve që mund të ngrihen apo të na sundojnë. Dilemat e botës janë më të mëdha se kurrë. Madje, janë dilema që do ta shtojnë edhe më tepër ankthin e komunitetit global në muajt dhe vitet që po vijnë. Cili sistem do të lindë? Këtë as e shohim në horizont dhe as po e përgatisim përmes përçimit të debatit publik botëror. Mendo se sa mikroskopikë dhe të pa gatitur jemi ne përballë kësaj padijenie.