Artur Zheji midis pasurimit të paligjshëm dhe bixhozit (VIDEO)

0

Shkruan Foti Cici

Nuk kisha ndërmend të shkruaja për vdekjen e gazetarit Artur Zheji, por ama nuk heshta me mendësinë primitive vendore, “se nuk duhet të flitet për të vdekurin”. Përkundrazi, në çdo shoqëri të qytetëruar dhe sidomos në ato perëndimore, është e detyrueshme që në vdekje të bëhet një vlerësim hetues i çdo figure publike mbi kontributin, cilësinë dhe integritetin, apo mungesën e integritetit. Është e pashmangshme edhe tek ne, pavarësisht standardeve të dyfishta me të cilat na shtrëngojnë të lidhemi.

Duhet qartësuar se urdhëresat shqiptare për të mos folur në vdekje, nuk janë pjesë e traditës së krishterë, nëse pandehni se më ndalohet të flas si prift dhe teolog, por vijnë nga një mendësi e trashëguar dhe vërtet primitive. Ky zakon shqiptar përdoret e shpërdoret sot sipas interesit të të gjallëve, rëndom nga fajtorët dhe shkelësit e mëdhenj, me shpresë për të blerë solidaritet heshtjeje në vdekjen e tyre; për vjedhjet, paudhësitë dhe krimet që kanë bërë.
Nuk desha të shkruaja, pra, jo vetëm se Artur Zheji ka treguar pabesi dhe ligësi ndaj meje, pa pasur asnjë kontakt me të dhe pa i përmendur kurrë as emrin, siç do të shpjegoj më poshtë, por se nuk gjeja dot diçka për ta lavdëruar.
Gjithsesi, pas disa ankesave kanosëse këto ditë, se përse nuk bëra asnjë postim për Artur Zhejin, një autori që më shkroi me mirësjellje dhe dyshim njëherësh, i thashë se nuk di çfarë të shkruaj. Ai pa përtim më dërgoi disa këshilla e udhëzime atërore, se duhet shkruar që ishte “nga një familje e shquar, nga të dy prindërit”, “patriot i madh dhe me integritet”, si dhe “antigrek në mbrojtje të Autoqefalisë Shqiptare”.
Në bindje të kërkesave dhe ankesave, atëherë, u nxita për të shkruar mbi këto “të vërteta”, të cilat qarkulluan e vijojnë në një mori shkrimesh të shumëfishuara marramendthi gjatë javës së fundit.
Si drejtor i televizionit shtetëror, Artur Zheji vodhi e shpërdoroi fonde, plus tenderave dhe marrëveshjeve të paligjshme me kanale televizive private, për të cilat nuk i hyu gjemb në këmbë, edhe pse pritej të arrestohej, pasi u ngritën e folën publikisht shumë funksionarë e qytetarë të ndershëm!
Shkeljet dhe aktivitetet e tij të paligjshme, deri te fajdet në vitin 2019, atëherë kur e pa sërish burgun t’i avitej, vetëm në vende ku mbizotëron mafia e bëjnë fajtorin të famshëm për zotësi dhe prandaj të pakapshëm nga ligji.
Si gazetar, Artur Zheji jetonte dhe mbijetoi midis të vërtetës dhe përfitimit rrethanor, midis pasurimit të paligjshëm dhe varësisë nga bixhozi, një art që e nisi që në vitet 1980 dhe e vijoi i kompromentuar deri në fund të jetës.
* * *
Në fotot bashkëngjitur po paraqes dy dëshmi, prej shumë e shumë paudhësive të Artur Zhejit, të cilat rrëzojnë jo vetëm patriotizmin e tij të rremë, por dhe integritetin e tij profesional e njerëzor.
E para është një intervistë me pagesë që i mori Agimit të Artë në Athinë, në vitin 2013, ku mbi 95% e lëndës është propogandë antishqiptare, me teza të ekstremit të djathtë grek (Shih lidhjen në fund; me përkthimin shqip).
Sipas marrëveshjes së Agimit të Artë dhe Artur Zhejit, kjo intervistë u transmetua e plotë në televizionin shqiptar.
Një nga udhëheqësit e Agimit të Artë, pra, Kristos Pappas, i cili sot është në burg si nazist i papenduar, vajtoi faktin se Greqia nuk ia lejonte intervista të tilla, por ja që këtë ia mundësoi një gazetar shqiptar, i paguar nga shërbime të fshehta greke.
Në videon më poshtë nazisti grek nxjerr nga çanta flamurin tonë kombëtar dhe e flak përdhè, flet me fyerje e shpifje kundër komunitetit çam, thërret për copëtimin e Shqipërisë, e të tjera qëndrime antishqiptare, ndërsa Artur Zheji i thotë me gjakftohtësi dhe buzëqeshje se “unë jam gazetar; jam i paanshëm”…
A ka paanësi kur përdhoset flamuri yt kombëtar para syve të tu?

Për të kuptuar se sa e paguar është kjo intervistë, ku Artur Zheji pritet me nderime dhe siguri në zyrat e partisë naziste greke, le të kujtojmë me dhimbje dhe lutje shqiptarët që janë futur në policinë greke për një shkresë dhe nuk kanë dalë më që andej. Nuk dihet se si e ku u zhdukën, pikërisht nga policë dhe njerëz të Agimit të Artë, të cilët janë infiltruar në shërbimet e errëta të prapashtetit grek.
Nuk është koincidencë që pas kësaj interviste Agimi i Artë nisi krijimin e një rrjeti agjenturor në jug të Shqipërisë, ku më parë në fshatrat tona as që bëhej fjalë për një rrezik të tillë kombëtar. Agimi i Artë u shpall i paligjshëm në Greqi, por hodhi rrjetat në Shqipëri…
Dëshmia e dytë është një shkrim shpifës kundër meje, pro Janullatosit, i sponsorizuar nga shërbimet sekrete greke që veprojnë në Shqipëri.
Nëse Artur Zheji kishte integritet si gazetar, siç e thonë me hipokrizi këto ditë, a nuk duhet të më drejtohej edhe mua, për të vërtetuar akuzat, para se të botonte një shkrim të tillë, pa autor e madje dy herë? Sepse kjo duhet të ishte edhe etiketa profesionale, sigurisht nëse Artur Zheji kishte minimumin e integritetit profesional dhe njerëzor.
Si ka mundësi që një “kriminel dhe përdhunues”, të jetë i akredituar si përkthyes dhe punon me çertifikatë sigurie në Australi dhe në Kanada, në agjensi shtetërore, duke qenë shtetas për dekada me radhë në këto dy vende?
Nuk më shkroi as mua dhe as autoriteteve përkatëse në dy vendet ku punoj dhe jam shtetas, por e shkeli profesionin dhe integritetin, vetëm e vetëm për përfitim e madje duke marrë para të pista!
* * *
Për sa i përket mitit të “familjes së mirë”, ky koncept është i papranueshëm për të plotësuar kontributin e një figure publike. Është mbetje e ideologjisë klasore të diktaturës komuniste. Njeriu duhet të gjykohet dhe të vlerësohet nga përmbajtja, cilësitë dhe veprat e tij dhe jo të familjes. E vërteta shqiptare duket sheshit: ka njerëz të këqinj nga familje “të mira” dhe ka njerëz të mirë nga familje “të këqija”.
Nga tradita e shkrimit të “biografisë së keqe” dikur, ndërsillet arti me antiteza për të arritur “biografinë e mirë” sot, nga të njëjtit shkrues.
Për hir të historisë, Artur Zheji ishte i biri i përkthyesit Petrit Spiro Ballo, i njohur me pseudonimin letrar Petro Zheji. Babai i Arturit ishte ushtrues i besimit ortodoks, ndërsa nëna, Besa Imami, ishte aktore dhe pinjolle e një fisi hoxhallarësh nga Gjakova.
Martesa e prindërve nuk ishte funksionale dhe ata u divorcuan shpejt, gjë tepër e rrallë dhe skandaloze në shoqërinë shqiptare të viteve 1960-1970. Divorci nuk bëhej pa lejen e Partisë, por në këtë rast shteti nuk mund ta pengonte se bashkëshorti ishte i paaftë mashkullorisht dhe kjo u interesonte fort disa funksionarëve të Partisë…
E dëbuan, pra, të gjorin Petro nga shtëpia që kishte trashëguar nga i ati, Spiro Ballo, ish-ushtarak zogist i diplomuar në Romë. Përkthyesi i divorcuar u shpërngul dhe jetoi si vetmitar në periferi të Tiranës.
Kjo ishte një zgjidhje e përkryer për aktoren e famshme, e cila jetonte tashmë me fëmijën e vetme në zemër të Tiranës, duke ushtruar më së miri liritë dhe profesionin e saj, duke udhëtuar vetëm edhe jashtë shtetit, etj.
Në një kohë kur regjimi komunist i futi burgjeve kosovarët që arratiseshin nga Jugosllavia dhe kërkonin strehim në Shqipëri, Besa Imami bënte lidhjen e informimit me artistët kosovarë, gjë që iu shpërblye edhe me bursë për djalin në Institutin e Arteve, një degë dhe karrierë e lakmuar edhe për më të talentuarit e Shqipërisë, shumica prej të cilëve as që mund ta ëndërronin.
Një ndërkallje: Nëse babai ishte i paaftë për martesë, përtej thashethemeve mbi lidhjet intime të nënës së tij me aktorë shqiptarë e të huaj, cila është atësia biologjike e Artur Zhejit?
* * *
Për sa i përket mitit të “kishës së nëndheshme” që drejtonte Petro Zheji, është një mashtrim puro shqiptar. I morën gruan dhe i dhanë të drejtën për të ushtruar besimin fetar haptas, duke e paraqitur si shembull për ambasadat, se shqiptarët nuk e dashkan fenë, vetë populli i prishi tempujt, por ata që e duan fenë, e paskan këtë liri.
Të tjerë i futën në burg me akuza të rreme a të vërteta për gjeste të vogla, se mbanin libra fetarë a sende të shenjta në shtëpi, apo se “e pashë që bëri kriqin para qishës”, e të tjera vogëlsira qesharake, ndërsa Petro Zheji e kishte kthyer shtëpinë në kishë, me ikona e libra fetarë, ku hynin e dilnin njerëzit me dijeninë dhe madje praninë e Sigurimit! Në këto rrethana e në këtë gjendje klinike, pra, përkthyesi pa asnjë specializim gjuhësor, na shpiku teorinë e “shqipes kozmike”.
Mbërritëm tashmë ballë për ballë me paradoksin e pashmangshëm dhe madhështor: Petro Zheji ishte kaq besimtar kur feja ishte e ndaluar me ligj, duke u jetëshkruar si bartësi parësor i Ortodoksisë në Shqipëri gjatë regjimit ateist, por me rivendosjen e lirisë fetare nuk e ushtroi besimin ortodoks dhe vdiq e u varros si ateist; në kohë paqeje dhe lirie të plotë besimi…
* * *
Duke folur për familjen e vet në disa intervista, Artur Zheji thoshte se kishte vetëm dy fëmijë, një djalë dhe një vajzë, por ditët e fundit ngushëllimet përcillen “për vajzat dhe djalin”.
Të dyja janë të vërteta. Artur Zheji kishte një vajzë jashtë martese, me një grua shumë më të madhe në moshë për një djalë të ri, të cilën fëmijë fillimisht e mohoi, por me “dorën e ngrohtë” të Sigurimit, mori përgjegjësi prindërore dhe paguante për rritjen e saj.
Përse të gënjente publikisht, deri para një muaji, duke thënë se kishte vetëm dy fëmijë, kur ai kishte tre?
Për parantezë, i përkëdheluri i diktaturës quhet “dramaturg”, por nuk dimë se sa drama shkroi ky autor, për arsimimin e të cilit shteti shqiptar investoi kaq shumë.
Nuk dimë gjithashtu se si ka mundësi që pas diplomimit, të gjithë e bënin stazhin nëpër rrethe, nga ku shumica nuk u kthyen në Tiranë e të tjerë përfunduan në burgje e internime, ndërsa për “të djathtin” Artur Zheji “dora e ngrohtë” e Partisë bëri përjashtim dhe e mbajti afër, për ta bërë stazhin në Tiranë?!
* * *
Për çështjen ortodokse dhe raportin e Artur Zhejit me të, nuk kemi parë asgjë dobiprurëse, përveç dëmit që ka shkaktuar, jo vetëm duke më luftuar mua që nuk pranoj të rekrutohem nga shërbimet sekrete greke, të cilat komandojnë kishën tonë kombëtare, por edhe duke mbështetur e promovuar shkelësit dhe vjedhësit nominalë ortodoksë, personazhe sharlatanë të ngjizur dhe të paguar, gjithmonë me fjalor shqiptaromadh; për të manipuluar vulgun shqiptar.
Në të njëjtën kohë, thoshte në TV se “unë nuk shkoj fare në kishën ortodokse, por në kishën katolike”, për të treguar se në komunitetin ortodoks nuk ka qëndresë të mirëfilltë kishtare ndaj shkombëtarizimit, por vetëm nga njerëz që nuk janë ortodoksë, ose që e kanë mohuar besimin ortodoks. Dëmin e bëri.
Meqë u përmend kisha katolike, nëse i ndjeri nuk ishte ateist dhe meshohej e integrohej në atë kishë që gjoja i pëlqente, do të ishte çliruar nga varësia ndaj bixhozit dhe mbi të gjitha do të ishte shëruar nga shpirtligësia e tij.
Lutem që Zoti ta ndjejë Artur Zhejin për vjedhjet e tmerrshme, tradhtinë kombëtare dhe imoralitetin e përveçëm, si dhe t’u japë ngushëllim e ndriçim familjarëve të tij, për ta përdorur sa më mirë pasurinë e paligjshme që kanë trashëguar prej tij.
* * *
Artur Zheji interviston një nga udhëheqësit e Agimit të Artë, Kristos Pappas, i cili sot është në burg si nazist (2 nëntor 2013):

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu