Shkruan Kolec P. Traboini
Sot do të shkruaj për njëshin, për njëshin që pas vetes kishte shumë zero, – kuptohet të tillë njerëz quhen milionerë.
Kushdo që kalon pranë tyre ndjehet i vogël, ndjehet një njësh pa zero pas, i humbur në botën e pafundme të shifrave që s’duan të dinë për mendjet e ndritura – as për talente jashtë tabelës së shumëzimit.
Ne të gjithë e filluam nga njëshi, ai si ne po ashtu, ishim në një burg popujsh e racash dhe nr. matrikullit për të gjithë ishte një – por jeta paskësh qenë më e thjeshtë nëse gjendesh numër i vogël.
Kur portat e ferrit u hapën, i madh ishte zemërimi i shtypjes, e marramendshme ishte ikja prej trojesh, – por kishim përpara një mal pamundësish.
Ca fatlumë u ngjitën, ca u vranë, të tjerët
mbetën aty ku ishin në kthinat e vjetra,
në shtëpitë me suva të rënë e lagështirë e
me pak liri më tepër – por aspak mundësi më shumë.
Ai vazhdoi të ngjitej, sa më lart aq më shumë zero pas njëshit, shifrat tregonin marramendshëm shkëlqimin verbues të ambicies së madhe – por dhe zilia që gërryen shkëmbin diku priste.
Sepse dihet, sa më lart të ngjitesh
aq më shumë i shkon rrezikut për skaj,
e për milionat, zerot pas njëshit, – të japin gjysmën e lekut e të nisin në botën tjetër.
O Zot sa transaksion i lemerishëm,
të rrëzuan në rrugë me gjashtë plumba,
t’i numëruan një e nga një si para të thata
pa lënë kohë ndërmjet t’u ktheje faturën –
kuponi tatimor nuk vlen për botën tjetër.
Aty ishin policët, kalimtarët aty motori me kapuçonët e zinj, skafandrat edhe ata me ambicien kryeneçe që duke të vrarë ty t’i shtonin njëshit të tyre zero të pafundme, – sepse pagesa për vrasjen tënde ishte e majme.
Ti ike, të përcollën hipokritët, ata që të shiteshin si miq e u pastroje paratë të lanë vetëm, por dheun ta hodhën përsipër rëndë-rëndë,- duke mbuluar transaksionet e tua në heshtje.
Ti dije aq shumë sa veç varri jepte garanci që ti më s’do të flisje, ndaj ta blen vdekjen me çmim më të lartë, kësisoj edhe në vdekje të nderuan duke respektuar ligjet e Mafies, – vrasësit e tu kurrë të mos gjenden se ikin në mes të ditës në drejtim të paditur.
Sa lule hodhën mbi varrin tënd, sa pikëllime të shtirura u gjendën, sa gra ledhatare i nxinë sytë me lot, sa burra të politikës medituan, – i kishte të gjitha e tani nuk ka asgjë.
Tani je një asgjë, edhe njëshin ta morën,
zerot nga pas ranë si të mos ishin, veç krimbat t’u gjenden si milionat, erdhën edhe ata të merrnin, çfarë mbetet si trup kur shpirti ka ikur, – edhe ai në drejtim të paditur.
Tanimë banka punon pa ty, bankierët shtojnë masat e sigurisë që babëzinë ta mbrojnë nga krimi që shfaqet me skafandra e motor Suzuki,- kësisoj dhe ata, qetësisht, të shtojnë zerot pas njëshit të vet.