Shkruan Letizia Tortello
“Për shkak të një marrëzie të ish-kryeministrit tim David Cameron, dhe me dëshirën për të eliminuar krahun e djathtë brenda konservatorëve, ai thirri referendumin mbi Brexit duke menduar se do ta fitonte atë, unë jam sot një qytetar jo i BE-së. Ndërkohë në fundjavë do të doja si ju!”.
Donald Sassoon nga Londra, është spektatori njëherazi më i afërt dhe më i largët i zgjedhjeve të fundit në Bashkimin Evropian. Për një nga historianët më të njohur bashkëkohorë, profesor në Universitetin Mbretëresha Meri dhe autor i librit “Quo vadis, Europa?”, distanca nga fati i komunitetit tonë, është sa një palë dylbi. Nga bregu përtej Kanalit, ai bën një kritikë të pamëshirshme ndaj asaj që ndoshta ne evropianët nuk jemi në gjendje të shohim.
Profesor, për fat të keq edhe këtë herë fitoi partia e abstenuesve. A krijon kjo një problem legjitimiteti demokratik të Parlamentit të BE-së, për 450 milionë qytetarët evropianë që kanë shprehur mendimin e tyre?
Është një lajm i keq, por jo befasues. Pjesërisht, kjo ndodh sepse krahasuar me ato kombëtare, zgjedhjet e Parlamentit Evropian u premtojnë pak kompetenca anëtarëve të zgjedhur. Edhe pse euro deputetët kanë më shumë kompetenca sesa 20 vjet më parë. Por problemi i vërtetë është abstenimi i madh edhe kur ka zgjedhje kombëtare.
Abstenimit i shtohet edhe euro skepticizmi, i përfaqësuar nga shumë parti ultra të djathta që fituan në fundjavë…
Ne flasim për Parlamentin e BE-së sikur BE-ja të jetë një shtet. Por Evropa nuk zotëron asnjë nga fuqitë jetike të shteteve kombëtare. Fjalën e kam për kompetencat e vendosjes së taksave dhe mbledhjes së tyre, për të vendosur një politikë të jashtme, për të kontrolluar ushtrinë si dhe sistemet e mirëqenies sociale. Siç e theksoi me të drejtë dikur Margaret Thatcher, e cila sigurisht nuk ishte një pro-evropiane por euros keptike, rritja e numrit të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian e bën gjithnjë e më të vështirë ndërtimin e një Evrope të fortë.
Po thoni se zgjerimi i BE-së në 27 anëtarë që ka aktualisht, ka qenë dhe do të jetë e keqja e tij?
Jam shumë pesimist mbi të ardhmen e unionit, dhe do ta shpjegoj arsyen. Sot jemi në një moment kur politika botërore po luhet në akse të ndryshme: nga konflikti ruso-ukrainas tek rritja e fuqisë kineze, sidomos nga pikëpamja ekonomike. Pastaj është e panjohura në SHBA. Ne duhet të parashikojmë një perspektivë sigurisht jo të këndshme, nëse Donald Trump do të fitojë zgjedhjet në nëntor.
Ndër të paktat gjëra të qarta, është se ai shqetësohet shumë pak për Evropën. Sigurisht BE-ja duhet të vazhdojë të zgjerohet me Ballkanin. Por kjo nuk do të thotë se ajo mund të besojë vërtet, se do të bëhet një fuqi globale apo një shtet federal. Kjo është një utopi, një ëndërr iluzive.
Pra jemi drejt shpërbërjes? A nuk është paksa tepër katastrofik si parashikim, pas një votimi kaq të rëndësishëm?
Euro skepticizmi është pjesë e mendimit evropian. Me dallimin që dikur kritikët ishin majtas, tani janë në të djathtë. Dhe kjo s’duhet të na habisë. Nuk ka shembuj të dekadave të fundit të shteteve që arrijnë të bashkohen, ashtu si BE-ja nuk mund të pretendojë të mendojë si një shtet. Nëse analizojmë historinë evropiane, në shekullin XIX kishte shumë pak shtete që ekzistonin më herët, pra në shekullin e 18-të. Pas Luftës së Parë Botërore, i vetmi shtet që u formua nga bashkimi i shteteve të tjera ekzistuese ishte Jugosllavia, dhe ne e pamë se si përfundoi. Perandoria cariste që arriti të dalë nga rrënojat e Bashkimit Sovjetik u nda në shtete të ndryshme. Ajo që mund të ndodhë edhe me Evropën, është një ndarje e mëtejshme midis shteteve ekzistuese. Nga ana tjetër, diçka e tillë po ndodh: Skoci dëshiron të shkëputet nga Mbretëria e Bashkuar, apo mendoni për Katalonjën në Spanjë, për Belgjikën e ndarë në flamandë dhe valonë.
Pra BE është një krijesë anti-historike?
Unë mendoj se ne po ecim në drejtim të zgjerimit të shteteve të vogla dhe jo të bashkimit. Është e vërtetë:BE është një krijesë anti-historike. Kjo nuk do të thotë se nuk mund të ndodhin reforma që e bashkojnë atë më shumë se sa sot. Por në mënyrë paradoksale, BE-ja e lehtëson ndarjen e brendshme midis shteteve të ndryshme:Katalonja mund të thotë “E pse duhet të jemi ende pjesë e Spanjës, nëse mund të shkëputemi dhe të mbetemi ende brenda Evropës, duke pasur një zë në vendimmarrje?”. Të njëjtën gjë mendojnë edhe nacionalistët skocezë, të cilët janë shumë pro-evropianë.
Përparimi i së djathtës ekstreme është realiteti ynë i ri politik. Si e shpjegoni këtë votë dhe çfarë do të ndodhë tani?
Shumë votues janë të pakënaqur me tendencën e politikës normale, dhe po pozicionohen më shumë djathtas sesa majtas. Edhe sikur të marrim parasysh suksesin e Mélenchon në Francë, që doli më mirë se Partia Socialiste. Në rritje është edhe e majta ekstreme. Por në qendër, dallimet janë gjithnjë e më pak të dukshme.
E majta tradicionale është zhvendosur drejt zonës së moderuar. Ndërkohë në rastin e të djathtës e re, shohim se me Georgia Melonin, partia e vetme ekstremiste në pushtet, u moderua menjëherë. Pushteti e qetësoi. Sepse kur të duhet të qeverisësh, të duhen fanatikët e tu, por edhe qendra, edhe votuesit e së nesërmes. Unë parashikoj që e njëjta gjë do të ndodhë edhe me Marine Le Pen.
Si mund të thoni se s’do të ketë ndonjë tronditje të madhe? Nga pikëpamja e prioriteteve politike, e djathta është skeptike për ndryshimin e klimës, ka qëndrime të ashpra ndaj emigrantëve, dhe paqartësi ndaj Putinit…
Unë them se partitë e djathta janë të përçara mes tyre, dhe kjo do të thotë se nuk do të ndryshojë shumica në Parlamentin e BE-së. Prandaj, përparimi i ultra-të djathtëve, nuk do ketë një rëndësi të madhe në jetën e përditshme të votuesve evropianë.
Vizita e Joe Biden në Normandi për 80-vjetorin e zbarkimit aleat, duket se e ka kurorëzuar Macron si liderin e Evropës. Ai shpalli zgjedhjet e parakohshme parlamentare pas humbjes në zgjedhjet evropiane. Sa i rrezikshëm është ky kaos?
Është shumë e çuditshme që Biden e kurorëzon Macron si lider… kur vetë ky i fundit nuk është në gjendje të garantojë stabilitet në Francë… Sot në union, nuk ka asnjë zonë që të më duket më interesante dhe më e denjë për besim për një kurs tjetër të BE-së. Aksi tradicional Francë-Gjermani nuk ekziston më, për shkak të dobësisë së të dyja vendeve. Më vjen keq që ua them: për momentin Evropa nuk ka një udhëheqës./Përshtati Pamfleti nga “La Stampa”