Berisha kërkesë SPAK-ut: Më lini të marr pjesë në Kuvend! Caktoni ju kohën dhe mënyrën e lëvizjes

0

Avokati i Sali Berishës Sokol Mëngjesi , me një kërkesë drejtuar Prokurorisë së Posaçme, ka kërkuar leje për lejimin e deputetit Sali Berisha që të marrë pjesë në seancat plenare të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.

Në shkresën drejtuar dy prokurorëve të SPAK, Enkeleda Minollait dhe Arben Krajës, dy prokurorë të cilët sulmohen vazhdimisht nga ish-kryeministri, thuhet se pjesëmarrja në seancë është në përmbushje të detyrimit që buron nga funksioni i deputetit.

‘Për këtë arsye duke qenë se ju jeni organ procedues, kërkojmë nga ana juaj miratimin dhe dhënien e lejes që z. Berisha në mënyrën dhe kohën që është aboslutisht e domosdoshme të shkojë, të marrë pjesë dhe të ushtrojë funksionet e tij në seancat plenare të Kuvendit të Shqipërisë, në përmbushje të të drejtave lirive politike të parashikuara nga Kushtetuta e vendit, por edhe të përmbushë detyrimet e veta kundrejt elektoratit që e ka zgjedhur.’- thuhet në argumentet e mbrojtjes.

Më tej avokatët thonë se nëse e konsiderojnë të arsyeshme të përcaktohet edhe modaliteti i lëvizjes së Berishës nga banesa në sallën e seancave plenare si dhe kohën e nevojshme për të realizuar këtë lëvizje vetëm për të marrë pjesë në sallën e seancave plenare ku zhvillon punimet Kuvendi i Republikës së Shqipërisë.

Argumenti i mbrojtjes:

Me Vendimin nr. 112, datë 20.10.2023, Gjykata e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ka caktuar masat e sigurimit të “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”, parashikuar respektivisht nga nenet 233 dhe 234 K.Pr.Penale ndaj deputetit z. Sali Berisha.

Me Vendimin nr. 117, datë 26.10.2023, Gjykata e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ka vendosur vijimin e masave së sigurimit personal “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”, ndaj deputetit z. Sali Berisha.
Me Vendimin nr. 56, datë 21.11.2023, Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka miratuar vendimet nr. 112, datë 20.10.2023 dhe nr. 117, datë 26.10.2023 të Gjykatës së Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar përsa i përket z. Sali Berisha.
Me Vendimin nr. 520 datë 30.12.2023, Gjykata e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ka vendosur zëvendësimin e masave të sigurimit personal “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” me masën shtrënguese të sigurimit personal “arrest në shtëpi”.

Për ekzekutimin e vendimit të sipërcituar është ngarkuar Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, përfaqësuar nga prokurorët Arben Kraja dhe Enkeleda Millonai.

Ky vendim është ekzekutuar po në datën 30.12.2023.

Për mbikëqyrjen dhe zbatimin e masës së sigurimit “arrest në shtëpi” është caktuar Prokuria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe shërbimet e policisë gjyqësore pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

Në kushtet kur z. Sali Berisha është deputet i Kuvendit të Shqipërisë i zgjedhur nga sovrani, është e domosdoshme që të ushtrojë funksionet e tij si Deputet i Kuvendit të Shqipërisë. Për këtë arsye duke qenë se ju jeni organ procedues, kërkojmë nga ana juaj miratimin dhe dhënien e lejes që z. Berisha në mënyrën dhe kohën që është aboslutisht e domosdoshme të shkojë, të marrë pjesë dhe të ushtrojë funksionet e tij në seancat plenare të Kuvendit të Shqipërisë, në përmbushje të të drejtave lirive politike të parashikuara nga Kushtetuta e vendit, por edhe të përmbushë detyrimet e veta kundrejt elektoratit që e ka zgjedhur.

Kërkojmë që të merret në konsideratë nga ana juaj kjo kërkesë jona legjitime dhe nëse e konsideroni të arsyeshme të përcaktoni edhe modalitet e lëvizjen së z. Berisha nga banesa në sallën e seancave plenare si dhe kohën e nevojshme për të realizuar këtë lëvizje vetëm për të marrë pjesë në sallën e seancave plenare ku zhvillon punimet Kuvendi i Republikës së Shqipërisë.

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu