Shkruan Bukra Hysenukaj Kastrati
Duke pretenduar se po i shërbej një jete të shëndetshme, shumë prej ushqimeve bazë të përditshmërisë, i përgatis vet në shpi, pasi siguroj me shumë mund, lëndën e parë në fshat tek njerëz të besuar. P sh, prej vitesh gatuaj vet bukën, zë djathin e kosin, bëj gjizën, turshitë, reçelrat, kompostot etj. Këto ditë bukën e bëra me miellin e ri të grurit, siç i themi i zi, pra me krunde. Kur u poq, gjithë shpia mbante një aromë, që të zgjonte padurimin për ta pritur, e dëshirën për ta shoqëruar qoftë dhe vetëm me një copë djathë, për të arritur kulmin e kënaqësisë së shijes. Aromat shkaktojnë gjendje që na kthejnë pas në kohë, si asgjë tjetër.
M’u kujtue kur isha fmij shkolle. N’qendër t’katundit ku kishim shkollën, ishin t’vendosuna edhe furra e buks, dyqani, mensa, qendra mjeksore, posta, shpia e kulturs e tjera shërbime t’kohs. Kur dalshim prej shkolle, t’uritun, t’i çante hundt era e buks s’nxehtë te furra që i kalojshim për skej. N’kohë t’kooprativs, buka nga qendra e katundit, n’dyqanet e lagjeve, u transportojke me kuaj, tre vaktet e dits. Orari i daljes prej shkolle, përkojke me kohën kur u ngarkojke buka e dreks. Sa t’gatshëm ishim me ndihmue Zojën (Hyrë e kish emnin) që kish për detyrë transportin. Ndërsa mbush’shim arkat për t’dy ant e kalit, kputshim koret e nxehta t’bukve. O Zot çfarë shije ! Hyra e ngrat, nuk kish takat me u ba ballë nji tufe fmij, tan unshëm, që kputshin copa buke, vjedhtas e ashiqare. Mandej kali i ngarkuem e na mbrapa tij merrshim rrugën si gjarpnojke përpjetë kshtajve t’katundit, tuj u ndal për çdo stacion (grumuj shpijash) ku banort dalshin n’rrugë e blejshin bukën e dits. T’tan u ankojshin për bukt e cikàtune rreth e rreth. Nji ditë, nji plakë zevzeke n’vllazni teme, e hollë, e gatë e n’takat, mbasi kontrolloi n’dy arkat e nuk gjet bukë t’pa cikatune, i bërtiti Hyrs, tuj e kërcnue se kish me u ankue për te. Hyra iu kthye:
“Sa merreni me mue, msoni fmijt tuj me u sjell, se janë kta si i deshin bukt cullak, jo une”.
Promoted Content