Shkruan Zef Ndreka
Sigurisht që një dorë e zezë ku fshihet gjithçka kundër integrimit të mbarë shqiptarisë në BE, ka guxuar të merret me bustin e Gjergj Kastriotit në Prizren. Turp i madh!
Ky nuk është rast i vetmuar!
Por një fenomen, që disa shqiptarë të Kosovës dhe të Maqedonisë së Veriut, si zakonisht të ndikuar nga një version ekstrem dhe i importuar i islamit, shajnë dhe venë dorë në figura të ndritura kombëtare si Gjergj Kastrioti (Skënderbeu) apo Nëna Terezë.
Këto janë plagë që kanë rrënjë të thella dhe pasoja të rënda për vetëdijen tonë kombëtare. Ndikimi bëhet nga të huajt dhe për ta na shkëputur nga rrënjët tona të vjetra.
Dihet se shqiptarët, për shekuj me radhë, kanë bashkëjetuar me fe të ndryshme, por gjithnjë mbi këtë dallim kanë mbizotëruar ndjenja kombëtare dhe një frymë tolerance.
Sot, fatkeqësisht, në disa qarqe, janë përhapur ideologji fetare të huaja që kërkojnë të zëvendësojnë identitetin shqiptar me një identitet fetar panislamik apo arabizues, që nuk ka lidhje me historinë, gjuhën dhe trashëgiminë shqiptare.
Përçmimi i figurave kombëtare në thelb është një formë vetëmohimi.
Ofendimet, sharjet, prekja e bustit të Skënderbeut apo i Nënës Terezë është më shumë sesa një mospranim i tyre personal!
Më keq e më tej akoma, është një përçmim i vetvetes, një mohim i asaj që jemi si komb. Skënderbeu përfaqëson qëndresën shqiptare, ndërsa Nëna Terezë përfaqëson humanizmin dhe përkushtimin pa dallime feje apo kombi.
Të përbaltësh këto figura është të prishësh pasqyrën ku shihet krenaria kombëtare.
Por është e thënë me mijra e mijra herë dhe jo pa mburrje se shqiptaria është mbi fetë.
Kështu, shqiptarët i kanë paraprirë gjithmonë unitetit përmbi ndarjet fetare.
Deviza “Feja e shqiptarit është shqiptaria” nuk ka qenë thjesht slogani i Rilindjes, por thellë thellë ka qënë busull orientimi për mbijetesë në shumë shekuj.
Fenomeni i ekstremizmit sot e minon këtë bosht kombëtar duke prodhuar përçarje dhe vetë urrejtje.
A duhën lënë të përçmohen kështu figura kombëtare me të cilët identifikohemi si komb dhe çfarë duhet bërë, cilat janë zgjidhjet?
Së pari duhet arsimimi i shëndoshë mbi historinë dhe kulturën kombëtare që është themeli ynë.
Së dyti duhet urgjentisht të bëhet rivlerësimi i figurave kombëtare në të gjitha trevat shqiptare, pa komplekse dhe pa censurë fetare. Në këtë pikë duhet të prononcohen historianët dhe akademikët .
Dhe së treti, duhet të bëhet me forcë kundërshtimi i çdo ideologjie që mohon shqiptarinë apo nxit urrejtje për arsye fetare, qofshin ato nga jashtë apo të brendshme.
Duhet theksuar se nuk përbën asnjë kontradiktë të qenit shqiptar dhe besimtar (musliman, katolik, ortodoks apo ateist). Por kur feja, si në rastin konkret në Prizren apo diku tjetër, përdoret për të fshirë rrënjët tona, për të mohuar historinë tonë dhe për të ndarë shqiptarët, ajo kthehet në armë kundër vetes. Dhe këtë, asnjë shqiptar me ndërgjegje nuk duhet ta pranojë.