Debati mbi Erion Veliajn dhe një kërkesë publike drejtuar SPAK-ut

0

Shkruan Zef Preçi

Qysh prej arrestimit me vendim të GJKKO-së të kreut të Bashkisë së Tiranës në fillim të javës që shkoi, shoqëria shqiptare duket se është polarizuar në mënyrë të rrufeshme, duke nxjerrë në sipërfaqe “shkifterët” e të gjitha ngjyrave, të paguarit me taksat e qytetarëve apo me paratë e biznesit dhe të krimit të organizuar që bëjnë protektorin dhe militantin pa tru, entuziastët e paduruar të ndëshkimeve, etj., duke lënë pak ose aspak hapësirë mediatike për neutralitetin që duhej të sundonte në këtë rast. Kjo sepse foli gjykata (GJKKO) dhe asaj i duhet qetësia e duhur e jo presioni që të konkludojë mbi përgjegjësitë apo pafajësinë e z. Veliaj, shpurës së drejtorëve të tij dhe zyrtarëve të tjerë të lartë në hetim.

Mirëpo, anatemimi në kor i SPAK-ut dhe prirja e bashkimit të aktorëve kryesorë politikë rreth një kauze që synon nga njëra anë vënien nën kontroll të tij dhe nga ana tjetër zhberjen e mbështetjes publike që gëzon dhe ndoshta edhe asgjësimin institucional të këtij institucioni, shtron nevojën e zgjerimit të debatit në opinionin publik. Sipas një ankete të Institutit Ndërkombëtar Republikan, të publikuar vetëm dy javë më parë, afro 86% e qytetarëve shqiptarë të intervistuar mendojnë se korrupsioni në Shqipëri është një problem serioz, ndërsa 69% e tyre pohojnë se kanë besim që SPAK-u mund ta bëjë punën e vet pa ndikime politike.

Sulmet e paprincipta individuale ndaj prokurorëve të SPAK-ut apo gjyqtarëve të GJKKO-së që po merren me dosjen e kreut të Bashkisë së Tiranës, përveçse shqetësojnë, nuk besoj se intimidojnë zyrtarët e drejtësisë në fjalë; ato dëshmojnë frikën kolektive të elitës politike dhe mungesën e vullnetit të saj për t’u përballur me të vërtetat e keq-qeverisjes së instaluar prej dekadash në vendin tonë dhe pasojat e saj. Gjithsesi, ky debat na sjell pashmangshmërisht te veting-u, teknikisht i përfunduar për gjyqtarët dhe prokurorët, proces që aktualisht sipas ligjit ka kaluar te SPAK-u, i cili prej disa javësh ka marrë atributet e institucionit të vetingut.

Pyetja shtrohet: ç’farë e pengon këtë institucion (SPAK) që për të gjithë politikanët në hetim prej tij, të aplikojë të njëjtat standarde të vetingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve të zbatuara deri më sot? Duke qenë i bindur se nuk ka asnjë pengesë kushtetuese apo ligjore, institucionale dhe morale për të bërë një gjë të tillë, personalisht mendoj se ky do të ishte edhe një kontribut real për të rritur efektivitetin dhe ligjshmërinë e veprimtarisë së SPAK-ut në shërbim të interesit publik, duke filluar me shmangien kështu të logorës politike e mediatike dhe të mesazheve çoroditëse të politikanëve të dyshuar për korrupsion, të cilët, duke u shmangur thelbit të dyshimit apo të akuzave, guxojnë të përgojojnë gjyqtarët e prokurorët që e kanë kaluar këtë proces (vetingun). Në këtë mënyrë do të ofrohej edhe një efekt i dukshëm parandalues ndaj pretenduesve për të qenë pjesë e politikës në zgjedhjet e 11 Majit 2025, duke kontribuar në një kulturë të përmirësuar politike që nuk do të ketë në themel pasurimin e shpejtë personal duke grabitur me dhe pa ligj asetet publike dhe buxhetin e shtetit si deri më sot, por vënien e tyre në shërbim të interesit publik, si kudo në botën demokratike.

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu