Donald Trump ka mbështetur kërkesën e Vladimir Putinit që Ukraina t’ia dorëzojë rajonin e saj më të vlefshëm Rusisë në mënyrë që t’i japë fund luftës.
Udhëheqësi rus dëshiron kontroll të plotë të Donetskut, rajonit lindor të pasur me minerale, duke përfshirë pjesë që aktualisht mbahen nga Ukraina brenda rajonit më të gjerë të Donbasit.
Në këmbim, Putin tha se do të ngrinte vijën e frontit dhe premtoi të mos merrte më territor.
Putin i përcolli kërkesat e tij në një takim të nivelit të lartë në Alaska me zotin Trump, i cili do të takohet me Volodymyr Zelenskyn nesër në Uashington për të diskutuar ofertën.
Trump do t’i thotë Zelenskyt se heqja dorë nga toka është pjesë e çmimit për paqen dhe mënyra më e shpejtë për t’i dhënë fund luftës.

Një burim me njohuri mbi çështjen tha se Putini “de facto kërkon që Ukraina të largohet nga Donbasi”, i cili përbëhet nga rajonet e Donetskut dhe Luhanskut në Ukrainën lindore. “Trump është i prirur ta mbështesë këtë”, tha burimi për The Telegraph.
Në këmbim, presidenti i Shteteve të Bashkuara i ka ofruar garanci sigurie Ukrainës nëse sigurohet një marrëveshje paqeje. Ashtu si me klauzolën e mbrojtjes së ndërsjellë të Nenit 5 të NATO-s, garanci të tilla do të thoshin se aleatët evropianë të SHBA-së dhe Ukrainës do të ishin të detyruar të reagonin ndaj një sulmi të ardhshëm rus.
Ndërsa mbrojtjet e propozuara nuk e bëjnë Ukrainën anëtare të NATO-s, kjo shënon herën e parë që zoti Trump ka lënë të kuptohet se do të bashkohet me Koalicionin e të Gatishmëve, të udhëhequr nga Britania, Franca dhe Gjermania.
Ndërsa Rusia mban shumicën e Donetskut, Ukraina është ende nën kontroll të pjesëve të mëdha të rajonit, i cili përbën vijën e saj kryesore të mbrojtjes në lindje.
Kiev ngriti mbrojtjet e saj kryesore, të njohura si “brezi i fortesës”, rreth katër qyteteve pranë kufijve të rajonit në vitin 2014.
Dorëzimi i Donetskut pa luftë do t’i jepte Rusisë një pikënisje për sulme të ardhshme në rajonet e Zaporizhzhisë dhe Dnipropetrovskut në drejtim të Kievit.
Në këmbim të cedimit të këtij territori, Putin i tha zotit Trump se do të ishte i gatshëm t’i ofronte lëshimet e tij territoriale Kievit, por nuk dha hollësi.
Moska më parë pretendoi se aneksoi rajonet jugore, së bashku me dy rajonet që përbëjnë Donbasin, pavarësisht se i pushtoi vetëm pjesërisht.
Nuk ka gjasa të dëshirojë të heqë dorë nga kontrolli i saj mbi territoret jugore sepse, së bashku me Donetskun dhe Luhanskun, ato i ofrojnë Rusisë një urë tokësore për në Krime, gadishullin që Putini e aneksoi ilegalisht në vitin 2014.
Një burim republikan pranë zotit Trump i tha The Telegraph: “Presidenti dëshiron të ndalojë vrasjet dhe t’i japë fund luftës. Ky është qëllimi. Negociatat për territorin janë pjesë e këtij procesi. Topi është në fushën e Zelenskyt.”
Keir Starmer dhe udhëheqës të tjerë të koalicionit do të takohen të dielën përpara samitit të Uashingtonit.
Kuptohet se udhëheqësit evropianë janë të shqetësuar se zoti Zelensky do të refuzojë çdo ofertë që përfshin lëshimin e tokës dhe do të provokojë një reagim të zemëruar nga zoti Trump, me të cilin u përplas në Zyrën Ovale më parë këtë vit.
Mbetet e mundshme që Ukraina do t’i refuzojë kushtet e Putinit. Zelensky e ka bërë të qartë se nuk është i gatshëm të diskutojë për heqjen dorë nga territori ukrainas, dhe qeveritë evropiane kanë thënë se çdo vendim në lidhje me shkëmbimet e tokës duhet të merret vetëm nga Kievi.
Sipas mediave të huaja, Putin i ka kërkuar të gjitha zonat e Donbasit, përfshirë territoret që ushtria uuse nuk i ka pushtuar ende. Trump e mbështet planin, “sepse Rusia është një fuqi e madhe, Ukraina jo”.