Shkruan Qamil Gjyrezi
Para një muaji më datë 13. Shtator 2024 u nda nga jeta kompozitori, studiuesi, pedagogu e drejtuesi i departamentit të KMDP pranë Fakultetit të Muzikës, Prof. Asoc. Dr. Edmond Buharaja . Ai ishte një studiues dhe kompozitor i përmasave botërore. Krijimtaria dhe puna e tij kolosale studimore me botime tepër të vlerëta do të mbeten trashëgimi dhe thesar për sot dhe brezat që do të vijnë. Simfonia ‘Alpine me Interlud’, u vlerësua me çmime dhe mirënjohje nga disa prej figurave më të shquara të artit ndërkombëtar.
Po ashtu, përveç studimeve të tjera, botimi i ‘Analiza Schenkeriane’ dedikuar interpretimit organik të strukturave muzikore, u vleresua nga tre prej studiuesëve më të njohur si E. Pozzi, W. Drabkin dhe S. Pasticci, me urimet e vlerësimet më të mira për Prof. Buharanë. Njëkohësisht, kontributi i tij në të gjitha trevat shqiptare, përkatësisht në Universitetin e Arteve Tiranë, Akademinë e Shkencave në Shqipëri, Institutin Albanologjik Prishtinë, Universitetin e Pejës, etj., do të mbetet një vlerë e shtuar dhe do të nderohet dhe kujtohet me shumë respekt. Ai do të mbahet mend edhe si njeriu i mirë, i drejtë, i thjeshtë dhe i kudondodhur, si mbështetje për këdo që i ka besuar aspektit njerëzor duke gjetur tek Prof. Edi besimin, fjalën e këshillën e mençur e të urtë të mikut, profesorit dhe njeriut me virtytet më sublime të karakterit njerëzor. Në opinionin tim citova njoftimin e marrë nga faqja e Universitetit të Arteve Tiranë, për ndarjen e parakohëshme nga jeta të Prof. Buharasë.
Kam patur fatin e mirë si studjues i muzikologjisë psikanalitike të bashkëpunoj me Prof. Buharanë në disa prezantime në Shkodër dhe së fundi në Akademinë e shkencave në Tiranë. Aktivitetin e parë e kemi zhvilluar në Bibliotekën ‘Marin Barleti’ në Shkodër më datë 21. Nëntor.2018. me temën: ‘Përjetim artistik i Skënderbeut në kulturën italiane, franceze dhe shqiptare’. Me rastin e 550- vjetorit të vdekjes Gjegj Kastriotit, Skënderbeu-Hero Kombëtar, më datën 24 nëntor në bibliotekën “Marin Barleti” në Shkodër u zhvillua aktiviteti me titull “Përjetim artistik i Gjegj Kastriotit, Skënderbeu në kulturën italiane, franceze dhe shqiptare”. Në aktivitet referuan Dr. Edmond Buharaja, Universiteti i Arteve Tiranë dhe Qamil Gjyrezi, studiues i muzikologjisë.
Aktivitetin e dytë në Shkodër e kemi zhvilluar në vitin 2020 me Prof. Buharanë në Universitetin ‘Luigj Gurakuqi’ në bashkëpunim me Fakultetin e shkencave shoqërore me temë: ‘Estetika muzikore, semiotika e muzikës dhe semiotika e përgjithshme’. Aktivitetin e tretë e kemi zhvilluar së fundi me Prof. Buharanë në akademinë e shkencave në Tiranë me temë: “Hyrje në Muzikologjinë Konjitive”. Më datë 22.05.2024, u zhvillua promovimi i librit “Hyrje në Muzikologjinë Konjitive”, me autorë Niels Trusbak Haumann dhe Qamil Gjyrezi në sallën ‘Akademikët’, në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë. Bisedën me bashkautorin dhe përkthyesin Qamil Gjyrezi e moderoi Prof. Asoc. Dr. Edmond Buharaja.
Profesor Edmond Buharaja ka botuar disa punë me shumë vlera artistike dhe shkencore si: ‘Semiotika’ Libri I-rë. Bazat dhe parimet e përgjithshme. ‘L’integrale polisemismo morfologico, studio monografico’. ‘Historiogarfia e artit të tingullit në botën shqiptare. Nga mesjeta deri në Rilindjen Europiane. Libri I-rë. Niceta i remiesiana-s, teomuzika e tij në kulturën Niceane’ dhe Enrico Fubini, ‘Estetika e muzikës, Libri I-rë, nga antikiteti deri në ‘700-tën’.
Në këtë kontekst propozoj Titullin ‘Nderi i Kombit’ për Prof. Edmond Buharaja. Një institucion në Universitetin e Arteve në Tiranë duhet të mbajë emrin e tij dhe gjithashtu një institucion kulturor ose shkollë në qytetin e Durrësit. Mendoj dhe besoj e R.T.SH. duhet të bëjë një dokumentar me veprën dhe kontributin e Prof. Buharasë. Me rastin e 1 vjetorit të vdekjes propozoj të organizohet një konferencë shkencore në Universitetin e arteve në Tiranë me temë: ‘Edmond Buharaja, studjues i përmasave botërore’, me studjues nga Shqipëria, Kosova dhe Italia. Për Prof. Edin duhet të flitet gjatë, ndaj duhet të themi: ‘Prehu në Paqe Profesori i nderuar Edmond Buharaja’.