Vijojnë prej disa ditësh protestat në disa qytete të mëdha të SHBA-së, ndërsa autoritetet në Teksas kanë vendosur Gardën Kombëtare për të parandaluar përshkallëzimin e situatës.
Tubimet, të cilat nisën në mënyrë paqësore, kanë marrë një ton më të tensionuar pas përplasjes mes protestuesve dhe policisë në Austin, ku u përdor gaz lotsjellës dhe spërkatës piperi. Si përgjigje, Guvernatori i Teksasit, Greg Abbott, ka paralajmëruar masa të ashpra ndaj çdo akti dhune apo dëmtimi prone. Abbott, ka konfirmuar se Garda Kombëtare do të vendoset në disa zona të shtetit për të garantuar rendin dhe sigurinë publike përpara protestave të planifikuara këtë javë kundër shërbimit të imigracionit, ICE.
“Protesta paqësore është e ligjshme. Dëmtimi i një personi ose prone është i paligjshëm dhe do të çojë në arrestim. Garda do të përdorë “çdo mjet dhe strategji” për të mbështetur forcat e rendit”, deklaroi Abbott.
Një protestë e madhe e quajtur “Pa Mbretër” pritet të zhvillohet në San Antonio këtë fundjavë, ndërkohë që mobilizimi i Gardës Kombëtare është parë si një përpjekje për të ruajtur kontrollin në zonat më të ndjeshme.
Protestat kundër politikave të imigracionit të SHBA-së janë përhapur në disa qytete të mëdha si Los Angeles, Neë York, Atlanta dhe Chicago. Në Nju Jork, megjithëse shumica e demonstratave kanë qenë paqësore, janë raportuar “arrestime të shumta”.
Ndërkohë, autoritetet në Los Angeles kanë shpallur shtetrrethim të pjesshëm nga ora 20:00 deri në 06:00 në një zonë të kufizuar të qytetit, për të ruajtur qetësinë pas tensioneve në rritje.