Një fjalë e urtë popullore thotë: “Menja e Gashit, syni i Krasniqit, inati i Berishës, trimnia e Kelmendit, gjarpnia e Thaçit.”
Historia e fiseve shqiptare është mjaft e lashtë, ashtu si çdo vend tjetër edhe vendi ynë është i përberë nga fise të ndryshme.
Shqiptarët janë organizuar gjithmonë në fise, dhe në po atë mënyrë kanë ndërtuar dhe emërtuar madje edhe tokat e tyre.
Sipas Fjalorit të Gjuhës Shqipe të vitit 1980, fisi apo siç edhe njihet në mesin e shqiptarëve si farefis, është grup njerëzish në shoqëri me lidhje të afërta gjaku, me gjuhë të përbashkët e me zakone të njëjta, që mbështetej në pronën e përbashkët, dhe që ishte njësia bazë e organizimit të jetës së njerëzve e të prodhimit deri në lindjen e klasave. Në etnografi, fisi është grup njerëzish me gjuhë dhe zakone të përbashkëta, që jetojnë si një bashkësi me një prijës në krye.
Me kalimin e kohës në territoret shqiptare fjala fis, ashtu si dhe shkrirja e dy fjalëve tradicionale (farë+fis) është përdorur për njerëzit që kishin prejardhje nga një stërgjysh i përbashkët.
Nga fiset të cilat jetojnë në trojet shqiptare më të njohurat, dhe ato të cilat historia shpesh i ka përmendur për specifika të veçanta janë: Gashi, Krasniqi, Berisha, Thaçi dhe Kelmendi.
Sipas albanologut të njohur kanadez Robert Elsie në librin “Fiset shqiptare – historia, shoqëria dhe kultura”, në trevat shqiptare jetojnë 69 fise të ndryshme. Në këtë libër ai ka përfshirë edhe të dhëna për pozicionet, përkatësinë fetare, strukturat fisnore dhe relacionet ndërmjet tyre, statistikat e popullatës, folklorin e fisit, legjendat, doket dhe historinë e fisit.
Nga të dhënat e librit, fisi Gashi është specifikuar për mendje të ndritura përgjatë historisë. Gashi është një mbiemër shumë i përhapur, veçanërisht në Prishtinë, rreth Gjilanit, Klinës dhe Ferizajt.
Megjithëse, mendohet se Gashi ka qenë fisi i parë në rajonin e Tropojës, para ardhjes së fisit Krasniqi.
Fisi Gashi është konsideruar si një fis i mençur dhe i urtë, madje, shpesh ftoheshin në tryeza për të zgjidhur probleme e mosmarrëveshje me urtësinë e tyre.
Ashtu si fisi i Gashit edhe ai Krasniqëve e ka prejardhjen nga Tropoja në verilindje të Shqipërisë.
Sipas librit të Elisie-s, stërgjyshi i fisit të Krasniqëve ishte Kolë Mekshi, prej të cilit u formua edhe dega e Krasniqëve. Ky fis është i njohur si fis malësorësh dhe shquhet për syçeltësi. Të kthjellët dhe të shkathët në tregti ata kanë zotëruar tregun kryesor në Gjakovë.
Nga verilindja e Shqipërisë historia na shpie në jug të lumit Drin, tek rajoni i fisit të Berishës, në qarkun e sotshëm të Pukës.
Berisha është mbiemër shumë i njohur në Kosovë. Në mesin e fiseve malësore, fisit Berisha i ka dalë nami për inatin dhe mërinë që mban, thuhet në veprën e shkruar nga Robert Elisie.
Rajoni i fisit të Kelmendit gjendet në rrethin e sotshëm të Malësisë së Madhe, në pjesën veriore dhe më të izoluar të Shqipërisë. Kelmendi, i cili është edhe emër i zakonshëm familjar, veçanërisht në Kosovë, lidhet me emrin e Shën Klementit në saje të ndikimit të kishës katolike.
Sipas shkrimtarit venedikas, Marino Bolica, ky fis përbëhej nga burra të armatosur deri në dhëmbë, burra të paepur, të rreptë, trima dhe grabitqarë të mëdhenj.
Dhe i fundit, por jo më pak i njohuri është fisi Thaçi, i cili thuhet se i përket qarkut të Pukës, në anën jugore të Lumit të Drinit, në Shqipërinë e Veriut. Thaçi ka qenë fis katolik, ashtu si fiset e tjera në kohën e paraardhësve të parë në trungun familjar. Me prejardhje nga fisi i Thaçit është fisi i Vokshit, i cili u vendos në Kosovë.
Përveç këtyre fiseve, në trojet shqiptare janë të njohura edhe shumë fise të tjera si fisi Morina, Shala e Kastrati.