Shkruan Zef Ndreka
Në pamje të parë, duket se në Shqipëri sapo ka nisur fushata elektorale normale për zgjedhjet parlamentare.
Në një vëzhgim më të mprehtë, dallon lehtësisht se kjo betejë politike e para e këtij lloji në vendin tonë, me lista të mbyllura dhe të hapura tashmë me ligj, e ka transferuar fushatën drejt një modeli të ri, që mund të quhet pa dyshim fushatë territorësh, model ky i përzier ndërmjet sistemit mazhoritar për një votë më shumë dhe atyre zgjedhjeve vendore.
Shpesh, votuesit e majtë hasin kërkesën për të votuar nr 5 të fletës së votimit, pra PS-në, ndërsa nga pala tjetër, pra nga koalicioni i PD-së, po kërkohet votë nominale për kandidatin.
Kjo lloj fushatë, sigurisht i shkon më për shtat PS-së dhe është më e favorizuar, për faktin e thjeshtë e të mjaftueshëm sepse zotëron mbi 90% të pushtetit lokal në gjithë territorin e vendit.
Kështu, veç të tjerash që lidhën edhe me elitën politike apo liderët e partive konkuruese, elektorati po polarizohet rreth këtyre partive kryesore, duke dëmtuar shumë përfaqësimin real të votuesve dhe vullnetit të tyre. Do të shikojmë disa parti të reja politike që nuk pranuan të bëjnë koalicione paraelektorale, vetëm për ego përsonale të drejtuesve të tyre, të humbasin tërësisht votat, duke i trafikuar ato me ligj drejt partive fituese.
Këtë do e shikojmë shumë shpejt, sapo të mbaroje fushata dhe me dt 12 Maj, megjithë rezultatët e pritshme, PD-ja dhe koalicioni i tij mashtrues, do të marrë goditjen më të madhe të radhës, dhe vendi do të përballet me akuza për manipulim të zgjedhjeve, për vjedhje të votave, si përherë.
Pa dashur të futemi në detaje, apo në zona konkrete për të analizuar këtë që po ndodh dhe çfarë do të ndodhë pas zgjedhjeve, kjo fushatë aktuale ka ashpërsuar më tej luftën brënda llojit, në të gjithë forcat politike konkuruese. Kandidatët po luftojnë përsonalisht, pa arritur dot të dalin hapur kundër kolegut të tyre rival brenda listës, por që lufta e fshehtë brenda territoreve është realisht e firtë, e ashpër, kundërshtuese, sa nuk është çudi të arrijë deri në krime elektorale.
Zonat e caktuara elektorale, apo më saktë territoret e caktuara më parë nga liderit politik, e kanë dobësuar luftën politike, idetë dhe programet dhe modeli i ri i fushatës për një votë më shumë, vetëm sa përçanë më tej partitë dhe mbështetësit e tyre.
Në qarkun e Lezhës psh, kjo lloj beteje elektorale territorësh është e theksuar.
Kandidatët, kryesisht të PD-së i kanë vënë me mendjen e vet “kufirin tek thana” kandidatit koleg të partisë së tij, duke “forcuar” fushatën e territoreve, duke ngushtuar hapësirat e luftës apo betejes së tyre elektorale.
Ndaj, rezultati 4 me 3 në favor të PS-së në këtë qark, nuk do të mund të quhet sukses, edhe pse historikisht ky qark ka votuar djathtas.