Gazetarja e njohur e ekonomisë, Ola Xama ka publikuar një status në rrjetet sociale ku njofton se ka depozituar një padi për “Gazetën Dita” dhe portalin “Prapaskena” sepse sipas gazetares këto dy media kanë shpifur duke më quajtuar të paguar, vrasëse me pagesë dhe epitete të tjera.
Postimi
Disa ditë më parë depozitova një padi civile për portalin “Prapaskena” dhe sot sapo firmosa një tjetër padi për “Gazetën Dita”. Të dy këto kanale mediatike kanë shpifur duke më quajtuar gazetare të paguar, vrasëse me pagesë dhe epitete të tjera të pavërtetë.
Nuk kam dashur dhe nuk do të kisha vendosur asnjëherë të ngrija padi ndaj askujt që flet, shpif apo jo. Patjetër që shpifjen e konsideroj si një dëm të madh që i bëhet besueshmërisë të profesionit tonë dhe pasojave të jetës të çdokujt, por pyetjes nëse do të çoja në gjyq sulmet që u bënë verën e shkuar iu përgjigja me Jo. Nuk doja të merresha me askënd dhe të vazhdoja këtë histori.
Situata u bë e padurueshme, kur dëm kolateral i sulmeve u bënë familjarë të mi. Për këtë arsye kërkova korrigjimin e lajmeve dhe heqjen e tyre përmes një emaili, por askush nuk më ktheu përgjigje. Ndaj vendosa që të vërtetën publiku ta mësojë në gjykatë.
Padia u depozitua në Gjykatën Civile, pasi nuk jam te rrethi i njerzve që kërkon të kriminalizojë fjalën e lirë e të kërkoja dënim për shpifje. I ftoj të gjithë ‘denoncuesit’ që më kanë bërë të paguar mua dhe familjarë të mi, që të sjellin në gjykatë çdo dokument që kanë i cili vërteton akuzat që ngrejnë në hartimet e tyre.
Interesi im nuk është përfitimi monetar dhe nuk synoj të marr asnjë qindarkë, por të çoj në vend të drejtën dhe të heq baltën e hedhur kot.
Këtë sqarim po e bëj për të gjithë ata që më kanë shkruar të çuditur me lajmet e sotme ku unë trajtohem si ‘kriminele’ me dy emra. Të mbaj emrin tim shkurt dhe të marr mbiemrin e bashkëshortit nuk është krim, ndaj nuk ka asnjë habi apo të fshehtë në këtë mes. Të fshehtat që mendojnë se kanë, i ftoj dhe madje u lutem t’i nxjerrin!
Në historinë e luftës së njerzve që kanë vjedhur te inceneratori dhe kanë korruptuar media e gazetarë, unë u bëra dëmi koletaral… Ata që ia njohin pazaret, e kuptojnë shumë mirë kur shohin që të dy frontet që zihen për inceneratorët më kanë quajtur të paguar.
Por kjo nuk më ndal, as më firkëson apo intimidon. I them se kush shkruan dhe porosit shkrime, po lodhet kot! Integriteti nuk blihet me para, por fitohet.
Se sa integritet kam unë, këtë nuk e dinë vetëm ata që më njohin, por dhe porositësit e lajmeve që nisën sulmet pasi kuptuan se nuk më blejnë dot.