Shkruan Albert Zadrima
Kur drejtësia pushon, nis vetëgjyqësia”
Ok, ngjarje e rëndë pa dyshim.
Vetëgjyqësia është model i mesjetës, një dështim i plotë i shtetit modern.
Kur një njeri merr ligjin në dorë, s’është vetëm tragjedi personale, por është akt dëshpërimi ndaj një sistemi të kalbur.
Por sot, më shumë se deklarata emocionale, duhet një investigim i thellë mbi realitetin e dosjes, provave dhe procesit gjyqësor.
Nuk është e vështirë të kuptohet nëse aty u dha drejtësi, apo u dhunua e drejta e pronarit.
Sepse drejtësia e vërtetë nuk është letra e vendimit, por është ndjenja e drejtësisë që ndjen qytetari.
Autori i ngjarjes e kishte paralajmëruar publikisht tragjedinë, kishte folur në media, kishte kërkuar ndihmë.
Shteti heshti.
Policia nuk ndërhyri.
Gjyqtari nuk u thellua sa duhet tek provat.
E në fund, një sallë gjyqi u kthye në varr të drejtësisë.
“Kur drejtësia blihet, krimi shet moralin.”
“Një shtet që nuk dëgjon viktimat, i prodhon vetë kriminelët.”
• “Kur qytetari humbet besimin tek ligji, ai gjen armën, jo zgjidhjen.”
Një sistem drejtësie që mbrohet vetëm me kamera, jo me ndërgjegje, është sistem i vdekur.
Sepse drejtësia nuk mbron dot askënd kur e humb shpirtin e vet.
Në një vend ku drejtësia varet nga urdhri, ku vendimet blihen dhe fajtorët paguajnë për t’u quajtur të pafajshëm, vetëgjyqësia nuk është më rastësi, është pasojë.
Dhe derisa shteti të ngrihet si garant i ligjit e jo si spektator i tragjedive, do të vazhdojmë të kemi krime që s’janë kundër njerëzve, por kundër shpresës.








