Gjykata Kushtetuese bllokon paktin Rama-Meloni për emigrantët, merr në shqyrtim padinë e opozitës

0

Gjykata Kushtetuese ka bllokuar paktin Itali-Shqipëri për emigrantët. Ajo ka njoftuar se ka marrë në shqyrtim padinë e bërë nga deputetët e opozitës kundër kësaj marrëveshje.

Në këtë mënyrë, gjykata ka njoftuar se pezullohet automatikisht procedura e ratifikimit në Kuvend të marrëveshjes me Italinë, e planifikuar për tu votuar ditën e nesërme. Ndërkohë mësohet se seanca për vendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur për këtë çështje do të mbahet në 18 janar, në orën 10:00.

Kujtojmë se më 6 dhjetor, 30 deputetë të grupit Berisha-Bardhi dorëzuan në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për deklarimin të papajtueshëm me Kushtetutën të marrëveshjes mes Shqipërisë dhe Italisë për emigrantët, të nënshkruar në 6 nëntor në Romë nga kryeministrat Rama e Meloni. Grupimi Berisha-Bardhi kërkoi njëherazi nga gjykata ndalimin, si dhe pezullimin e procedurave për ratifikimin e protokollit nga Kuvendi.

Gjithashtu në të njëjtën ditë edhe Lulzim Basha, në cilësinë e kryetarit të Partisë Demokratike iu drejtua me një kërkesë Gjykatës Kushtetuese, ku i kërkon deklarimin si të papajtueshme të marrëveshjes me Kushtetutën dhe pezullimin e procedurës parlamentare për ratifikimin e protokollit nga parlamenti.

Vlen të theksohet se në padinë e tyre, deputetët që mbështesin Berishën e Bardhin kanë ngritur pretendime se marrëveshja është negociuar dhe nënshkruar në mungesë të autorizimit nga Presidenti i Republikës që bie ndesh me Kushtetutën, Konventën e Vjenës për të Drejtën e Traktateve dhe jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese.

Nga ana tjetër pavarësisht pretendimeve të opozitës, mazhoranca është treguar e qetë dhe ka deklaruar se marrëveshja nuk shkel në sanjë moment Kushtetutën. Lidhur me pretendimet e palëve, mbetet për tu parë se si do të shprehet Kushtetuesja më 18 janar.

Njoftimi i plotë i Gjykatës Kushtetuese:

Në datën 06 dhjetor 2023, 30 deputetë të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, kanë paraqitur në Gjykatën Kushtetuese kërkesë për kontrollin e kushtetutshmërisë së Protokollit të nënshkruar midis Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës Italiane, “Për forcimin e bashkëpunimit ne fushën e migracionit”.

Kjo kërkesë është paraqitur para ratifikimit të këtij Protokolli, bazuar në nenin 131, pika 1, shkronja “b”, të Kushtetutës.

Grupi i deputetëve ka ngritur pretendime se nuk është respektuar procedura e negocimit dhe e nënshkrimit, pasi Protokolli i bashkëpunimit bën pjesë në ato kategori marrëveshjesh që kërkojnë autorizimin e Presidentit, pasi prek çështje të territorit dhe të të drejtave themelore, sipas nenit 121, pika 1, shkronjat “a” dhe “b”, te Kushtetutës.

Po ashtu, ata kanë paraqitur edhe tre kërkesa të njëjta për pezullimin e procedurave parlamentare për ratifikimin, mbi shkakun se shqyrtimi dhe votimi i Protokollit ishte planifikuar nga Kuvendi për seancën plenare të datës 14 dhjetor 2023.

Kolegji i Gjykatës Kushtetuese, në datën 11 dhjetor 2023, pasi mori në shqyrtim paraprak çështjen vendosi ta kalojë atë për shqyrtim në Mbledhjen e Gjyqtareve.

Mbledhja e Gjyqtarëve, e mbledhur sot, në datë 13 dhetor 2023, vlerësoi se kërkesa plotëson kriteret paraprake të pranueshmërisë dhe vendosi kalimin e çështjes per shqyrtim në seancë plenare, mbi bazë dokumentesh.

Bazuar në nenin 52, pika 3, te ligjit nr. 8577/2000, shqyrtimi në seancë i çështjes pezullon automatikisht procedurat e ratifikimit në Kuvend të Protokollit të bashkëpunimit, deri në vendimin përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese.

Duke mbajtur parasysh parashikimin e së njëjtës dispozitë ligjore (neni 52, pika 3), që kërkon përfundimin e shqyrtimit të çështjes brenda 3 muajve nga paraqitja e kërkesës, Mbledhja e Gjyqtarëve vendosi që seanca të zhvillohet në datën 18 janar 2024, ora 10:00./Pamfleti

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu