Grua…

0
Shkruan Ndue Lazri
Në këmbë zotërinj, përpara një gruaje,
shkruante dikur i madhi Shekspir,
e për Shekspirin nuk ishin fjalë të huaja,
se ai gratë, zotërinj, i njihte shumë mirë.
Shekspirit nuk mund të mos i bindem,
ai është gjeneral e unë thjesht një ushtar,
në këmbë para teje, e dashur do të gjindem,
le të më thonë i krisur, apo dhe i marrë.
S’kam turp të ngrihem në këmbë para gruas,
grua qe nëna që më solli në jetë,
gra janë motrat që më duan dhe i dua,
gruaja frymëzon artin e vërtetë.
Gruaja-hyjni që matet me perënditë
duke ngritur zërin sa të tundë dynjanë,
dhe ato i binden si të ishin të bijtë,
se para tyre është Bija me emrin Nanë.
Në këmbë ta sjell kafenë në mëngjes,
në këmbë të puth kur të përcjell tek dera,
në këmbë kur kthehesh, tek dera të pres
e me ty hyn brenda vetë pranvera.
Ti nuk ke nevojë në këmbë të të rri,
se di të biesh e të ngrihesh qindra herë,
se di të falësh një qiell me dashuri,
përkulem para teje e i bëj vetes nder.
Ndaj, në këmbë zotërinj, siç Shekspiri na thotë,
në emër të fjalës së shenjtë: Grua,
E dashur, për ty sonte e zbraz këtë gotë,
me një tufë trëndafilash të them: Të dua!
Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu