Afua Kyei, drejtoresha financiare e Bankës së Anglisë (Bank of England), është shpallur personi me ngjyrë më me ndikim në Mbretërinë e Bashkuar për vitin 2026. Në moshën 43-vjeçare, ajo konsiderohet një nga figurat më të larta në botën financiare britanike. Kyei është përgjegjëse për qeverisjen financiare të bilancit gjigant prej 1 trilion paund të Bankës së Anglisë dhe për zbatimin e reformave të rëndësishme të financimit.
Ajo kryeson listën prestigjioze “Powerlist 2026”, e cila rendit njerëzit me origjinë afrikane, afro-karaibe dhe afro-amerikane që kanë ndikimin më të madh në Mbretërinë e Bashkuar. Ndër emrat e tjerë të përfshirë në listë janë ish-futbollisti Ian Wright, artistja e grimit Dame Pat McGrath dhe aktori i njohur Idris Elba. Afua Kyei u rekrutua nga ish-guvernatori i Bankës së Anglisë, Mark Carney, në kohën kur ai ishte Kryeministër i Kanadasë. Ajo tha se të kryesojë listën është “një nder i jashtëzakonshëm dhe përulës”.
Nëna e katër fëmijëve tregon se gjatë rritjes dhe karrierës së saj shpesh pa mungesë të grave në pozicione të larta që kishin njëkohësisht edhe familje.
Kur isha e re, nuk shihja shumë gra në role udhëheqëse që kishin familje. Shumë gra mendojnë se duhet të zgjedhin mes karrierës dhe familjes. Ajo që më pëlqen te Banka e Anglisë është se mbështet fort prindërit dhe familjet punëtore.
Afua Kyei studioi kimi në Universitetin e Oksfordit dhe më pas fitoi një bursë kërkimore nga Universiteti Princeton në fushën e kimisë organike. Gjatë krizës globale financiare ajo punoi si bankiere investimesh dhe më pas iu bashkua Barclays Bank, ku shërbeu si Drejtore Financiare për sektorin e hipotekave.
Në vitin 2019 ajo iu bashkua Bankës së Anglisë, ku sot është në qendër të vendimmarrjes dhe udhëheqjes së institucionit. Kyei tregon se prindërit e saj, të cilët u transferuan nga Gana në Mbretërinë e Bashkuar për studime universitare kur ishin vetëm 18 vjeçe, janë modeli i saj më i madh.
Nëna ime erdhi në Liverpool, u trajnua si mami dhe punoi mbi 40 vjet në NHS. Babai im ka pasur një karrierë të gjatë në industrinë e naftës. I kam parë të balancojnë punën dhe familjen, dhe ata na kanë mësuar vlera të forta.








