I përkas asaj vetmije

0

Shkruan Albert Vataj

Paralajmërimi i Dostoevskyt për vetmitarët dhe domethënia e vetmisë si ndriçim, sipas mendjeve të nditura
“Mos e sfido kurrë njeriun që është në paqe me vetminë e tij dhe nuk ka problem të jetë vetëm, sepse gjithmonë do të humbasësh.”, shkroi Dostoevsky, sepse nuk duhet kurrsesi.
Në këtë sentencë që duket e thjeshtë, fshihet një prej të vërtetave më të thella të natyrës njerëzore: ai që ka pushtuar vetminë, ka pushtuar veten. Vetmia, e cila për shumë njerëz është një dhimbje e padurueshme, një boshllëk ku humbin e dridhen, për të tjerë është një territor i shenjtë, një hapësirë ku shpirti merr frymë lirshëm dhe mendja rigjen qetësinë.
Njeriu që nuk trembet nga vetmia është i pathyeshëm, sepse nuk ka frikë nga humbja; është i pashantazhueshëm, sepse nuk i duhet turma; është i palëkundshëm, sepse forca e tij është e brendshme, jo e huazuar. Siç shkruante Nietzsche: “Ai që ka një PSE të fortë për të jetuar, i përballon pothuajse çdo SI.”
Dhe ai që e ka gjetur këtë PSE brenda vetes, nuk e kërkon më tek të tjerët.
Në psikologji kjo gjendje njihet si pavarësi emocionale, një fazë e rrallë e zhvillimit, ku individi çlirohet nga nevoja për miratim, vlerësim apo përkrahje të pandërprerë. Carl Jung e quante këtë “individuim”, faza kur njeriu bëhet i plotë me veten dhe i jep formë fatit të tij, jo sipas zërave të botës, por sipas zërit të brendshëm.
Jung thoshte: “Vetmia nuk vjen nga mungesa e njerëzve përreth teje, por nga paaftësia për të komunikuar gjërat që për ty janë të rëndësishme.”
Njeriu që e ka arritur paqen me veten nuk e vuan më këtë hendek; ai e di se komunikimi më i rëndësishëm është ai me vetveten.
Filozofia ekzistencialiste e shpjegon edhe më thellë këtë fenomen. Kierkegaard e quante vetminë “portën e së vërtetës”, sepse vetëm i vetmuar njeriu e sheh qartë vetveten, pa maska, pa rolet që i vesh shoqëria. Camus shkruante se njeriu i lirë është ai që ka hequr dorë nga frika e përjashtimit, dhe se vetmia e përpunuar bëhet një formë e lartë dinjiteti.
Edhe Hannah Arendt theksonte se: “Vetmia është gjendja në të cilën unë jam me veten time; izolimi është kur unë jam i ndarë nga të tjerët.”
Dhe kjo dallim është thelbësuar se njeriu i pajtuar me vetminë nuk është i izoluar, ai është i ndriçuar.
Shkrimtarët e kanë pasqyruar shpesh si një dhunti të pakompromentueshme. Rainer Maria Rilke këshillonte të rinjtë të “durojnë vetminë me dashuri”, sepse aty lind arti i vërtetë dhe njeriu i vërtetë.
Në një nga letrat e tij më të bukura ai shkruan: “Dashuroni vetminë, sepse ajo është e vetmja që ju lejon të rriteni.”
Në këtë kuptim, njeriu që është pajtuar thellësisht me vetminë nuk është thjesht i fortë, ai është i lirë. Lirë nga frika e braktisjes, nga varësia emocionale, nga pasiguria e miratimit shoqëror. Lirë të zgjedhë, të mendojë, të jetë.
Prandaj Dostoevsky kishte të drejtë kur shprehej se njeriu që nuk druan nga vetmia është i pamposhtur, sepse nuk ka më asgjë që mund t’i merret.
Ai ka gjetur veten, dhe kush e gjen veten, ka gjetur gjithçka.
Ajo që dua dhe ajo që unë bëj është udha që më shpie te kjo liri.

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu