Instituti Amerikan i Ndërmarrjeve ka publikuar një artikull, ku godet kryeministrin Edi Rama dhe ish-ambasadoren e SHBA, Yuri Kim. Shkak i artikullit janë bërë zërat se Kim mund të emërohet ambasadore në Filipine. Shkrimin e ka bërë një emër i njohur si Michael Rubin, i cili e ka sulmuar fort diplomaten, duke thënë se ajo ishte dështim në Shqipëri. Po ashtu shprehet se Edi Rama, është një populist që po ndjek rrugën e Erdoganit.
Pjesë nga artikulli
Nëse Presidenti, Donald Trump dhe Sekretari i Shtetit, Marco Rubio janë seriozë për t’iu kundërvënë Kinës, ata duhet të vendosin ambasadorët e tyre më të mirë, qofshin ata të emëruar politikë apo ambasadorë karriere, si në Pekin dhe Taipei, ashtu edhe në shtetet e vijës së parë me Kinën.
Trump e nisi mirë duke emëruar David Purdue, një ish-senator me një histori të gjatë me Kinën. E njëjta gjë është me George Glass, kandidatin e Trump për të qenë ambasador i SHBA në Japoni. Departamenti i Shtetit tradicionalisht dërgon oficerë karriere në shtete të tjera të vijës së parë si Filipinet, Vietnami, Mongolia.
Filipinet janë padyshim shteti më i rëndësishëm në Detin e Kinës Jugore për sigurinë kombëtare të SHBA. “Linja me nëntë pika” e Kinës mund të jetë trillim historik, por Republika Popullore e Kinës e ka përdorur atë të justifikojë dekada agresioni kundër shteteve bregdetare dhe kombeve ishullore. Kina pretendon ishuj dhe atole që kanë qenë gjithmonë filipinase që nga koha kur Shtetet e Bashkuara morën territorin nga spanjollët më 1898 dhe më pas i dhanë Filipineve pavarësinë më 1946.
Mjerisht, thashethemet brenda Departamentit të Shtetit sugjerojnë se një nga ambasadorët e tij më të dobët dhe më të pasuksesshëm që mund të marrë së shpejti titullin ambasador i SHBA në Manila është Yuri Kim. Ajo dështoi të merrte propozimin për të qenë asistent sekretar i Shtetit për Çështjet Evropiane ose të emërohej ambasadore në Turqi.
Një gabim që Trump duhet të shmangë
Yuri Kim u bë famëkeqe kur, më 14 shtator 2023, ajo u përball me pyetje të ashpra në lidhje me politikën e Departamentit të Shtetit ndaj Nagorno-Karabakut, pasi mbeti pasive gjatë bllokadës së paligjshme dhjetë-mujore të Azerbajxhanit, rajonit të populluar armen. “Ne nuk do të tolerojmë asnjë veprim ushtarak. Ne nuk do të tolerojmë asnjë sulm ndaj popullit të Nagorno-Karabakut. Kjo është shumë e qartë”, i tha ajo Komisionit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë.
Pesë ditë më vonë, forcat e Azerbajxhanit pushtuan Nagorno-Karabakun dhe spastruan etnikisht popullsinë e saj të krishterë armene 1700-vjeçare. Kim dhe kolegët nuk bënë asgjë, duke refuzuar madje ta etiketojnë si “spastrim etnik” atë që ndodhi, duke preferuar në vend të kësaj të flisnin për “shpopullim”.
Nëse ka pasur ndonjë ambasador që personifikon një tigër prej letre, ajo është Yuri Kim.
Misioni në Shqipëri
Problemi, nuk ishte vetëm qendrimi i saj si ushtruese e detyrës së ndihmës sekretares. Kim po ashtu ka dështuar si ambasadore në Shqipëri.
Shqiptarët janë pro-amerikanë dhe vlerësojnë qendrimet e ambasadorit amerikan më shumë se shumë vende të tjera evropiane. Megjithatë, jo gjithçka është mirë në demokracinë shqiptare. Kryeministri Edi Rama po ndjek rrugën populiste të Recep Tayyip Erdoğan.
Ashtu si Erdogani, Rama synon pakicat etnike dhe kërkon të përdorë pushtetin politik për përfitime personale. Pikërisht në këtë kontekst, ai burgosi Fredi Belerin, kryebashkiakun e zgjedhur të një prej qyteteve më piktoreske të vendit.
Vendimi i Kim-it për të injoruar dhe lejuar që skemat korruptive të Ramës të forcohen, ndonëse ky arrestim u shndërrua në një krizë diplomatike midis Shqipërisë dhe Greqisë, dëmtoi procesin e integrimit dhe bashkëpunimin ballkanik, ndërsa shpërtheu kriza në Ukrainë. Fakti që Kim po lobonte hapur në Departamentin e Shtetit për postin e ambasadorit në Turqi, në të njëjtën kohë që po peshonte kundër Greqisë në një mosmarrëveshje, ishte e pahijshme në rastin më të mirë.
Shtetet e Bashkuara nuk kanë nevojë për një tjetër Glaspie, as diplomatët që dështojnë dy herë nuk duhet të kenë një mundësi të tretë në vijën e parë të politikës amerikane. /Përshtati “Pamfleti” nga “American Enterprise Institute”
*Michael Rubin është një bashkëpunëtor i lartë në Institutin Amerikan të Ndërmarrjeve, i specializuar në politikën e jashtme për Iranin, Turqinë dhe Lindjen e Mesme. Një ish-zyrtar i Pentagonit, Dr. Rubin ka jetuar në Iranin e pas-revolucionit, Jemen dhe në Irakun e para dhe të pasluftës. Ai gjithashtu kaloi kohë me talebanët para 11 shtatorit.