Shqipëria është e detyruar të ndërmarrë reforma në sektorin e medias për të përmbushur kriteret që kërkon Bashkimi Europian në procesin e integrimit. Ndër kërkesat kryesore janë garantimi i lirisë së shtypit, mbrojtja e gazetarëve dhe ndërtimi i një sistemi më transparent dhe të pavarur mediatik.
Në këtë kuadër, Departamenti i Gazetarisë, në bashkëpunim me Zyrën e BE-së në Tiranë dhe Këshillin e Europës, kanë punuar për gjashtë muaj për ngritjen e një platforme dialogu, e cila synon të identifikojë problemet ekzistuese dhe të propozojë zgjidhje konkrete.
“Shqipëria duhet të ndërmarrë një sërë reformash sa i takon medias. Kemi ambicie që procesi të mbyllet në vitin 2027, pra nuk kemi kohë për të humbur. Por, në të njëjtën kohë, shpejtësia nuk duhet të dëmtojë transparencën”, tha ambasadori i BE në vendin tonë, Silvio Gonzato.
Ndër rekomandimet kryesore të platformës janë: siguria fizike dhe ligjore e gazetarëve, njohja e statusit të gazetarit, ndërtimi i kontratave kolektive dhe fuqizimi i gazetarëve të pavarur. “Nevojitet një strukturë që mbron të drejtat e gazetarëve, garanton kontrata pune të drejta dhe krijon një ambient të sigurt për raportim të lirë”, tha Blerjana Bino, eksperte e medias.
Një tjetër çështje e trajtuar në platformën e dialogut ishte reformimi i Radiotelevizionit Shqiptar, institucion i cili ka një rëndësi të veçantë në kuadër të kapitullit të medias për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Pluralizmi i medias dhe financimi transparent i reklamave u evidentuan si sfida kryesore nga ekspertët. “Reklamat duhet të jenë transparente dhe autoritetet shtetërore duhet të bëjnë transparente të gjitha reklamat që shkojnë në televizione. Mediat online duhet të deklarojnë sasinë dhe burimin e reklamave që marrin”, tha gazetari Erblin Jaku.
Brenda muajit korrik, këto rekomandime do t’i dërgohen Parlamentit për të ndërtuar më tej kuadrin ligjor.