Ish-Presidenti Ilir Meta duket se do ta fitojë mandatin për deputetet nga qelia. Sali Berisha, aleati i tij besnik, e ka konfirmuar se janë në negociata me Partinë e Lirisë për të dalë në një listë të përbashkët për deputetë në zgjedhjet e 11 majit. Ai gjithashtu poremtoi se nëse ka marrëveshje, disa përfaqësues të PL-së do të jenë në listat e sigurta të PD-së.
Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka lënë të hapur mundësinë e një koalicioni mes Partisë Demokratike dhe Partisë së Lirisë për zgjedhjet e 11 majit. Gjatë një konference për gazetarët, ai u shpreh se negociatat me PL-në janë në vazhdim dhe se ndarja e vendeve në listën e kandidatëve është pjesë e diskutimeve. Lidhur me pyetjen nëse Ilir Meta do të jetë në një pozicion të sigurt në listën e kandidatëve për deputetë në Tiranë, Berisha nuk dha një përgjigje të drejtpërdrejtë, por la të kuptohet se Partia e Lirisë do të ketë hapësirën e saj në këtë bashkëpunim. “Ne jemi të hapur për koalicion me Partinë e Lirisë. Kur bëhet koalicion, nuk ka diskutim që ndahen edhe ato vendet e sigurta. Kjo nënkupton atë që thoni ju, por si do jetë e sa do jetë, kjo është çështje negociatash”, tha ai. Burime pranë PD tregojnë se Partia e Lirisë kërkon të sigurojë disa vende të rëndësishme në listën e kandidatëve të opozitës, përfshirë Tiranën. Nga ana tjetër, Partia Demokratike është duke llogaritur forcën elektorale të secilit kandidat dhe ndikimin që mund të ketë një bashkëpunim i tillë në rezultatin e zgjedhjeve. Duke folur për klimën politike, Berisha u shpreh se opozita është në rrugën drejt fitores dhe se qeveria po përdor çdo mjet për të mbajtur pushtetin. Sipas tij, strategjia e Edi Ramës është e ngjashme me atë të regjimeve autoritare, duke mobilizuar administratën dhe burimet shtetërore për të favorizuar Partinë Socialiste në fushatë. “Shikoni fushatën e tyre. Mbushin salla me nxënës të sjellë nga e gjithë Shqipëria, ashtu siç bëjnë regjimet autokratike. Rama është në shuarje, ai e di këtë dhe po përpiqet të fshehë panikun,” deklaroi Berisha. Ai theksoi se opozita do të mbështetet tek vota e shqiptarëve dhe se beson se rezultati i zgjedhjeve do të sjellë ndryshim të qeverisjes në vend. Nuk dua të prononcohem për nivelin. Janë 3 propozime për primaret. Një është në rang kombëtar, por sistemi rajonal. Tjetrit është në rang dege dhe i treti është sistemi rajonal, në rang qarku. Cila do të pranohet do vendoset nga forumet e partisë.
“Non grata” e Berishës
Ish kryeministri Sali Berisha ka komentuar edhe marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës pas marrjes së Presidencës nga republikani Donald Trump. Berisha gjithashtu komentoi mbi marrëdhëniet e opozitës me Shtetet e Bashkuara dhe ndryshimet e fundit në politikën amerikane. Ai përshëndeti vendimin e administratës Trump për të ndalur financimet e USAID dhe për të rishikuar ndërhyrjet në vendet e tjera, duke e cilësuar këtë si një hap të rëndësishëm për transparencën dhe shmangien e ndikimeve të padëshiruara. “Ne kemi parë sesi fondet e huaja janë përdorur në mënyrë të njëanshme në Shqipëri. Kam ngritur shqetësimin tim te përfaqësuesit amerikanë më parë, dhe tani po shohim se ky fenomen po vihet në dyshim edhe nga vetë administrata e re,” tha Berisha. Sa i përket shpalljes së tij “non grata” nga SHBA, ai deklaroi se nuk ka nisur ende ndonjë lobim për ta ndryshuar këtë vendim, duke pritur formimin e plotë të administratës së re amerikane. *“Nuk besoj se ky është një përparësi për ta në këtë moment,”* u shpreh ai, duke lënë të kuptohet se do të presë zhvillimet e mëtejshme në Uashington për të ndërmarrë hapa konkretë. Berisha ndau gjithashtu përshtypjet e tij nga vizita e fundit në Gjermani, duke e cilësuar atë si një sinjal pozitiv për Partinë Demokratike dhe për mbështetjen ndërkombëtare që opozita mund të marrë. Ai rikujtoi një udhëtim të ngjashëm 32 vite më parë, kur PD doli fituese në zgjedhje, duke paralelizuar situatën e atëhershme me atë të sotme. “Udhëtimi im drejt Berlinit ishte udhëtim drejt fitores. Kam qenë kryetar i PD 32 vjet më parë, kur jam nisur drejt kryeqytetit gjerman dhe atëherë fituam zgjedhjet. Këtë herë PD fiton zgjedhjet,” deklaroi ai. Megjithatë, ndryshe nga Gjermania, marrëdhëniet me SHBA mbeten më të ndërlikuara. Berisha pranoi se ende nuk ka pasur kontakte të drejtpërdrejta me administratën e re amerikane për të adresuar çështjen e tij, por la të kuptohet se kjo do të ndodhë në një moment të dytë, kur ekipi i Trump të ketë konsoliduar plotësisht strukturat e tij. “Jo, unë nuk e kam filluar lobimin sepse janë gjithësej 14 ditë që ka nisur administrata e re, dhe unë nuk besoj se në ditët e para të saj të jetë përparësi ky problem,” tha Berisha. Ndërkohë, disa deputetë të Partisë Demokratike, përfshirë Gazment Bardhin, kanë zhvilluar takime me zyrtarë të administratës Trump, por Berisha nuk e komentoi këtë fakt në mënyrë të drejtpërdrejtë. Ai vijoi të këmbëngulë se vendimi për shpalljen e tij “non grata” ka ardhur si pasojë e ndikimeve politike dhe jo për arsye të bazuara në prova konkrete.