Kultura e konfliktit

0

Shkruan Zef Ndreka

Vazhdon ende sot problemi i vjetër dhe i ndjeshëm në politikën shqiptare, raporti mes protestës si instrument demokratik dhe përdorimit të dhunës.
Dihet se protesta është një e drejtë themelore në një demokraci funksionale dhe fiton legjitimitet kur mbetet qytetare, kur është paqësore dhe e orientuar drejt kauzave konkrete. Por çdo herë po shohim momente që protestat dominohen nga molotovë, nga përplasje fizike dhe të lënduar si nga protestuesit apo efektivët e policisë.
Dhe vëmendja sapo ndodhin këto, zhvendoset nga mesazhi politik që duhet të përcjellë protesta, tek incidentet. Kjo zhvëndosje vëmendjeje, më shumë i dëmton vetë organizatorët, sepse opinioni publik priret të reagojë më fort ndaj dhunës sesa ndaj arsyeve të protestës.
Nga ana tjetër edhe vetë shteti mban përgjegjësi të madhe. Menaxhimi profesional i turmave, proporcionaliteti në reagim dhe transparenca pas ngjarjeve janë thelbësore për të mos e përshkallëzuar situatën. Çdo i lënduar, pavarësisht palës, është tregues se diçka nuk ka funksionuar siç duhet.
Kjo lidhet fort me strategjitë e përzgjedhura të opozitës, të cilat dukshmëm shihen si konsumuara.
Po ta bëjmë një vlerësim politik, opozitës shqiptare dhe çdo lloj opozite në vendet demokratike, nuk duhet ti mbarojnë strategjitë, të cilat ndryshojnë, riformatohen ose zhvendosen në terrene të tjera psh. në beteja institucionale, zgjedhore, ligjore, komunikime publike, koalicione, etj.
Historitë politike tregojnë se rrëzimet e qeverive apo rotacionet, zakonisht vijnë nga kombinimi i shumë faktorëve, jo vetëm nga protesta në rrugë apo nga përdorimi i dhunës.
Problemi më serioz në Shqipëri mbetet polarizimi shumë i fortë, mungesa e besimit tek institucionet dhe kultura e konfliktit që shpesh zëvendëson debatin racional. Sepse, fatkeqësisht nga opozita dhe liderët e saj, politika perceptohet si përballje fizike, pa garë idesh, ku humbës kryesor mbetet gjithnjë publiku.
Pyetja në këtë rast që kërkon reflektim dhe përgjigje është:
A i afrojnë këto skena qytetarët me zgjidhjet, apo vetëm thellohen ndarjet?
Përgjigjja është e qartë.

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu