Kur gjykata harron historinë

0

Shkruan Zef Ndreka

Dëshmia e Rybin dhe hija e paragjykimit mbi luftën e Kosovës.
Në sallën e Gjykatës Speciale në Hagë, dëshmia e Rybin, njohës i zhvillimeve të luftës në Kosovë, ka lënë mbresa të forta, jo vetëm për çka tha, por për mënyrën si iu drejtuan gjyqtarët.
Në vend që të kërkonin të kuptonin realitetin e një lufte çlirimtare, ata duket se ishin të ngarkuar me një perceptim të ftohtë, gati të gatshëm se UÇK-ja, Ushtria Çlirimtare e Kosovës, ka vepruar si një organizatë terroriste që, rastësisht, u ndihmua nga ndërhyrja ushtarake e Amerikës dhe NATO-s.
Ajo mënyrë pyetesh nuk është e pafajshme, pasi bart një paragjykim të thellë politik dhe një prirje për të riskenarizuar historinë.
Sepse, viktima dhe agresori barazohen dhe kjo është e pa tolerueshme.
Nqs një trup gjykues ndërkombëtar e nis hetimin me hipotezën se UÇK-ja ishte organizatë e paligjshme, atëherë bie dallimi themelor ndërmjet viktimës dhe agresorit.
Ky është gabimi më i madh moral që mund të bëjë drejtësia duke barazuar atë që rezistoi ndaj pushtimit me atë që vrau, dogji e dëboi popullsinë nga trojet e veta.
UÇK-ja nuk lindi për pushtet, as për hakmarrje. Ajo lindi nga dhimbja e një populli të shkelur, që për dekada i ishte mohuar çdo e drejtë njerëzore e kombëtare.
Lufta e saj nuk ishte agresion, por reaksion ndaj një regjimi që e kishte kthyer Kosovën në kamp të mbyllur.
A ka rrezik riskenarizimi i historisë?
Nqs në Hagë po përpiqen ta vendosin UÇK-në në bankën e të akuzuarve si “organizatë kriminale”, atëherë po ndërtohet një rishkrim i ri i historisë së Ballkanit.
Sipas këtij skenari, çlirimtarët dalin fajtorë, ndërsa aparati shtetëror serb që organizoi spastrim etnik, shfaqet si “mbrojtës i rendit”.
Ky do të ishte një sukses i dytë për propagandën serbe, jo në fushëbetejë, por në sallën e gjyqit.
Dhe nëse kjo ndodh, drejtësia ndërkombëtare do të ketë humbur një nga betejat e saj më të rëndësishme: betejën e së vërtetës.
Po NATO dhe morali i saj i ndërhyrjes?
Është paradoksale që të njëjtët që përfaqësojnë “vlerat perëndimore” duket se po harrojnë se vetë perëndimi ndërhyri ushtarakisht për të ndalur krimin.
NATO nuk bombardoi Serbinë për të mbështetur terrorizmin, por për të shpëtuar një popull nga zhdukja.
Në atë kuptim, UÇK-ja ishte krahu tokësor i ndërgjegjes ndërkombëtare, ndërsa ndërhyrja e NATO-s ishte mburoja qiellore e humanizmit.
Prandaj, çdo tentativë për ta kriminalizuar luftën e UÇK-së është, në thelb, kriminalizim i ndërgjegjes perëndimore.
A ishte Rybin, dëshmitari që u trondit?
Rybin, si shumë të tjerë që e kanë parë me sytë e tyre luftën, u trondit nga mënyra sesi pyetjet e gjyqtarëve nuk kërkonin të kuptonin kontekstin, por të gjenin fajtorë të paracaktuar.
Ai e pa vetë se UÇK-ja nuk ishte një strukturë terrori, por një organizatë e mbështetur nga njerëzit e thjeshtë, nga fshatrat, nga nënat që dërgonin djemtë në luftë për liri.
Pyetjet që mohojnë këtë realitet, janë pyetje që vrasin kujtesën.
Ndaj Gjyqi i Hagës sot është test për drejtësinë, jo për UÇK-në.
Në thelb, procesi ndaj Hashim Thaçit dhe bashkëluftëtarëve të tij është më shumë një test për drejtësinë ndërkombëtare sesa për individët që po gjykohen.
Do të tregojë nëse bota ka mësuar nga historia apo jo.
Nqs UÇK-ja shpallet e dyshimtë, atëherë shpallet e dyshimtë edhe vetë ndërhyrja e NATO-s, edhe vetë morali i ndërhyrjes për të mbrojtur të pafajshmit.
Historia nuk mund të gjykohet me sy të verbër.
Drejtësia që harron kontekstin, kthehet në padrejtësi.
E në këtë rast, në Hagë nuk po gjykohet vetëm UÇK-ja, por po gjykohet vetë ndërgjegjja e Europës.

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu