Mjekët psikiatër evidentojnë një fenomen shumë të përhapur në popullatën tonë, të vizitohesh dhe të mjekohesh nga shoqëria, farefisi, miqësia dhe jo nga mjeku.
“Ne i ndajmë shqetësimet me miqtë dhe të afërmit dhe një person që është trajtuar për shembull për ankthin është fare e lehtë këtu tek ne, që t’ia adresojë mjekimin e tij një miku apo shoku të vet, apo qoftë një familjari. Por kjo në vend që ta ndihmojë, e dëmton shumë, sepse sëmundja është individuale, ne bëjmë vlerësim individual, trajtimi është individual, pra ajo që i bën mirë dikujt, dikë tjetër në vend që ta shërojë e përkeqëson. Kjo bën që të vonojë periudha e paraqitjes tek mjeku dhe sigurisht të vonojë trajtimi mjekësor dhe sëmundja të agravojë”.
Gjatë punës 20-vjecare në fushën e Psikiatrisë, Asabella veçon shumë raste kur pacienti ka treguar se ka përdorur doza shumë të larta të një medikamenti.
“Për shembull, nëse unë do t’i rekomandoja si fillim 2.5 miligramë, ai e ka nisur me 20 miligramë me kokën e tij apo me këshillën e të njohurve. Kjo ka shkaktuar problematika të mëdha, sepse mund të shkojnë deri në arrest kardiak nga përdorimi i dozave të pakontrolluara. Ose mund të përdorin anksiolitikë apo benzodiazepina që i quajmë ne, që cilat pastaj shkaktojnë varësi”.
Ajo ka një këshillë:
“Këshilla ime është që të drejtohen te mjeku, te specialisti i shëndetit mendor sa më parë, dhe të shmangin vizitat dhe këshillat e mikut, shokut, internetit, farmacistit, dhe atyre që në gjuhën popullore i quajnë njerëz të mirë”