Shkruan Zef Ndreka
Sot, më 17 janar, në Lezhë, pranë Muzeut të saj, përkujtohet dita e ndarjes nga jeta e Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Gjon Kastrioti – Skënderbeu.
Kanë kaluar disa shekuj, por koha nuk e ka zbehur figurën e tij, përkundrazi, e ka lartësuar. Skënderbeu mbetet një simbol i pashtershëm i lirisë, qëndresës dhe vizionit shtetformues, jo vetëm për shqiptarët, por edhe për historinë europiane. Ai është nderuar ndër breza dhe kontinente, me buste e monumente, me opera e vepra muzikore, me studime historike, romane, poezi dhe art, që dëshmojnë se vepra e tij i ka kapërcyer kufijtë e kohës dhe të hapësirës.
Lezha, si vendi ku u mbyll jeta tokësore e Kryeheroit, mbetet një pikë kujtese kombëtare, ku përulja ndaj historisë shndërrohet në reflektim për të tashmen dhe përgjegjësi për të ardhmen. Përkujtimi i 17 janarit nuk është vetëm një rit, por më tepër është ripohimi i identitetit tonë, i unitetit përtej dallimeve të çdo lloji dhe i besimit se liria kërkon sakrificë, por edhe urtësi.








