Lubonja: Bajram Begaj zgjatim i Ramës, gjeneral i kthyer në ushtar

0

Shkrimtari dhe publicisti Fatos Lubonja thotë se Presidenti i Republikës, Bajram Begaj u bë nga gjeneral në ushtar duke dekretuar ligjin për komisionet hetimore, që sipas tij, janë politikë e Ramës për të mbyllur çdo zë kundër.

“Presidentët zgjatime kanë qenë. Ka edhe një lloj ligjësie natyrore që tregon gjatësinë se sa je zgjatim. Vërtet këta zgjatime kanë qenë, por Rexhep Meidani kishte një lloj personaliteti dhe kontributi dhe aq sa e dimë ka pasur konflikte me Nanon. Pastaj, erdhi Moisiu që u vu nga ndërkombëtarët. Kishte një ligj që të zgjidhej me 85 vota. U hoq ai ligji. Pastaj, erdhi Bamir Topi që kishte konflikte me Berishën.

Pastaj, erdhi Bujar Nishani që kishte kryeministër Edi Ramën dhe kishte një lloj balance. Pastaj, erdhi Ilir Meta që ishte si kundërpeshë, pra që nuk ishte një zgjatim ndaj mazhorancës. Tani kemi një zgjatim që bën ndryshim cilësor. Nga të gjitha këto që përmenda kemi raste kundërshtimesh. Ilir Meta duke qenë President që kishte qeverinë kundër, bënte kundërshtime të argumentuara, siç ishte Teatri etj.

Tani, kemi një zgjatim që nuk quhet më zgjatim, por pjesë, nga gjeneral është ushtar. Pa asnjë kontribut politik dhe intelektual, por i zgjedhur në projektin që ka Edi Rama për të mos pasur fare kundërshtim. Unë gjykoj që projekti i Ramës nuk është vetëm Presidenti, por të gjitha institucionet. Iu kujtohet kemi pasur në SHISH, Visho Ajazin që i dha një detyrë dhe e zhduku fare. SHIK-u i çon informacione kryeministrit dhe Presidentit. Tani SHIK-un e ka të vetin, Presidentin e ka të vetin dhe nuk del më asgjë.

Dje pashë një emision për censusin dhe rezultati do të jetë në qershor, ndërkohë në 2011 e dhanë pas dy muajsh. Kush do të na e thotë të vërtetën. Dalin fjalë që jemi nën 2 milionë dhe ne jemi një katastrofë e madhe, një krim i madh ndaj kombit shqiptar që e bën kjo bandë, e cila nuk do t’i zbulohen krimet. Në këtë logjikë janë edhe komisionet dhe si klimë të çon në kohën e qoftëlargut.

Është politikë kjo! Qëndrimi i Presidentit është qëndrim që politikisht vë alarm përpara gjithë shoqërisë. Ne presim në njeri të pavarur që të thotë një fjalë për interesin e shqiptarëve. Ai duhet ta dinte shumë mirë që komisionet nuk duhen hequr. Ky bën qëllimin e Edi Ramës. Çështja është se si i bëhet me këtë bandë që do të mbyllë çdo gojë. Kur katandiset Presidenti në këtë situatë, është tregues për të gjithë ne ku jemi”, – tha Lubonja i ftuar në emisionin “Open” në News24.

Ai tha se sot nuk ka më rotacion dhe ka vetëm një “parti-shtet”.

“Më duket se e bëra të qartë, zgjatime ishin presidentët, por jo në këtë masë. Ka pasur rotacion Shqipëria në atë kohë. Edhe Bamir Topin e vuri Berisha bashkë me ca të Nanos ama, edhe u prish me të në ngjarjen e “21 janarit”. Presidenti kishte më shumë kundërshti me mazhorancat. Tani ndryshimi cilësor është që kemi një parti – shtet. Nuk ka më rotacion apo drejtësi të jetë e 2-3 palëve.

Sot nuk ka më as opozitë, janë shkatërruar të gjitha. Po të ishte si thua ti, pse i ndryshon ligjet ky, pse nuk i lë? Ky ka një projekt, që të mos jetë siç ka qenë, pra siç ka pasur rotacion. Tani nuk duhet të ketë më” – tha Lubonja

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu