Shkruan Qamil Gjyrezi
Po lexoja dje në F.B., një status të drejtorit të Shkollës artistike ‘Prenk Jakova’, Anton Kaftalli për babain e tij, violinistin, kompozitorin dhe dirigjentin Mark Kaftalli. Ai shkruante: …i dashtun babë , sot do të festonim 92 vjetorin e lindjes , megjithatë të kujtojmë çdo ditë e jo vetem në përvjetore. Kujtojmë këshillat, mençurinë, humorin tënd , e mbi të gjitha violinistin brilant, (më i miri i gjithë plejadës tënde), drejtuesin pedant e kompozitorin melodioz të sa e sa këngëve , operetave e komedive muzikore…orkestrues e harmonizues i palodhur….
Jemi krenar me ty, Mark Kaftalli, jo vetëm ne, ( familja ) , por e gjithë Shqiptaria,
Komentuesit, kolegët, bashkëpunëtorët e Antonit dhe Mark Kaftallit, shkruanin me shumë respekt për violinistin e talentuar Mark Kaftalli, duke e quajtur ‘Paganini shkodran’.
Edhe unë në këtë shkrim modest, e titullova Mark Kaftallin ‘Paganini shkodran’.
Me të vërtetë Mark Kaftalli, luante me një teknikë të lartë në instrumentin e violinës, me pasion, me tingull të mbështetur, jo vetëm muzikën e Shkodrës dhe këngë të huaja, por edhe pjesë të repertorit violinistik klasike.
Por ishte një foto me violinistin Mark Kaftalli në një Juri, para gadi 45 vitesh në ish-kinema verore, që po shkruaj disa reshta në fomë kujtimesh.
Në vitet 70-të Mark Kaftalli drejtonte me shumë pasion e profesionalizëm Orkestën e estradës së Shkodrës. Unë luaja në këtë orkestër si fillim trombën e II-të në Operetën e Mark Kaftallit, me ish-trombistin e shquar Gani Tahiri dhe më vonë trombën e I-rë në cfaqjet e Estradës së Shkodrës. Më kujtohet solo e trombës tek kënga e Mark Kaftallit ‘Lumturia nuk dhurohet’, që e luaja me shumë pasion.
Mark Kaftalli me të vërtetë ishte një drejtues shumë profesional dhe autoritar, por gjithashtu shumë i dashtun dhe i komunikueshëm me muzikantët e rinj, duke i mbështetur artistikisht dhe psikologjikisht.
Qyteti i Shkodrës, studjuesit, gazetarët e kulturës duhet të kujtojë dhe shkruaj për këta personalitete të muzikës në Shkodër e Shqipëri.
Violinisti Mark Kaftalli ishte me të vërtetë më i miri i plejadës së tij, jo vetëm në Shkodër, por edhe në Shqipëri.
Violinisti dhe pedagogu i shquar Profesor Ibrahim Madhi, vlerësonte dhe respektonte shumë kontributin violinistik dhe talentin e padiskutueshëm muzikor e krijues të Mark Kaftallit.








