Shkruan Spartak Ngjela
Sot, si pasojë e nivelit të ulët të shkollës në Shqipëri, në shoqërinë shqiptare po zë vend jo të vogël fatalizmi.
Fatalizmi është… the belief that all events are predetermined and therefore inevitable… besimi se të gjitha ngjarjet janë të paracaktuara dhe prandaj të paevitueshme.
Njeriu primitiv ka qenë fatalist, sepse e ka parë të ardhmen të vijë me shkatërrimin tërësor të jetës mbi tokë. Dhe nuk ka pasur faj, se ajo ka qenë koshienca e tij.
Natyrisht, në mesjetë dhe para saj, tani është e provuar se koshienca e shoqërisë ishte e mbërthyer te frika. Natyra, njeriut në mesjetë, i është dukur vijimisht që ajo do të sjellë fatalizëm, fundin e jetës dhe të vetë botës.
Por të jesh sot fatalist, kur shkenca ka dhënë dijen e vërtetë për gjithçka natyrore, sigurisht që fatalizmi është frikë e errët mesjetare dhe pasojë e injorancës.
Është e vërtetë se sot universitetet e mëdha në Amerikë, në Britani dhe në Evropë e kanë mbyllur përfundimisht përrallën e fatalizmit. Prandaj sot, fatalizmin, si frikë njerëzore, e studion me kriticizëm vetëm filozofa.
Në Shqipëri është i çalë arsimi në krijimin e idesë moderne të kohës, të hapësirës dhe të universit. Vetëm dija e lartë të shkëput nga paragjykimet që të çojnë në fatalizëm, ose te ideja primitive e shkatërrimit të plotë të jetës apo të botës. Por kjo ide mbetet si përrallë nëse këtë ti nuk je në gjendje ta provosh shkencërisht.
Madje shkenca sot e ka përllogaritur edhe shuarjen e diellit, por jo si fatalizëm, por si një reaksion bërthamor që pas shumë miliarda vjetësh do të pushojë. Dhe vetëm si proces bërthamor, dhe jo si fatalizëm që pritet të vijë nga çasti në çast.
Prandaj të vjen për të qeshur kur dëgjon fatalistët tanë naivë dhe keqdashës nëpër media, tek-tuk, sigurisht, që na flasin “me kompetencë” për përrallat e fatalitetit. Por ajo që provohet me ta, tregon që shkolla shqiptare ka prapambetje dhe nuk e ka ende aftësinë për të krijuar argumentin filozofik që fatalizmi është injorancë.
Sepse fatalistët shqiptarë, ndonëse janë të pakët, kanë nxjerrë në pah injorancën për argument.
Argumentet për natyrën, hapësirën dhe kozmosin i jep vetëm shkenca e lartë, të tjerat janë përralla.
Por, fakti që në Shqipëri vijon të ketë ende një përqindje të vogël që beson te fatalizmi, kjo nuk e dëmton shoqërinë, por ka dëmtuar personalitetin e medias aty këtu dhe të shtëpive botuese që i botojnë si revista apo si libra.
Të anosh nga fatalizmi jashtë argumentit shkencor të shkencave të sakta, është injorancë. Dhe media shqiptare duhet të jetë shumë e kujdesshme, sepse askush nuk ka të drejtë të çorientojë dinjitetin njerëzor dhe vetë shoqërinë shqiptare me përrallat fataliste të shkatërrimit të përgjithshëm të botës, të epidemive, të tërmeteve etj., që priten të vijnë pa dhënë për këtë provën shkencore.
Pse u duhet futur në shpirt shqiptarëve një frikë fataliste!! Kush e dëshiron këtë?
Ka ardhur koha që media duhet të jetë e përgjegjshme në raportin midis shkencës dhe përrallës. Metafizike është pjesë e rëndësishme e filozofisë moderne, por nuk ka lidhje me destinacionin apo fatin e shoqërisë si përrallë për vetëshkatërrimin e saj që po pritet të vijë nga çasti në çast.