Melpo

0
Shkruan Jani Malo
Gjithmonë kam pasur përshtypjen se njeriu luan kukafshehtas me kujtimet e moshës së tij të hershme. Ato, trillane e dhelatare, siç janë vetë fëmijët, bëjnë sikur flenë dhe ne, të mrekulluar nga pamja engjëllore e vegimtare, u afrohemi me kujdesin e prindit, i kundrojmë në fytyrë, i puthim në ballë dhe i mbulojmë përsëri nga frika se mos na ftohen. Me pak fjalë, ne sillemi me kujtimet tona si prindi me fëmijën, duke harruar për një çast se çdo njeri i rritur është personazhi kryesor i kujtimeve të tij të fëmijërisë.
Isha i vogël. Vetëm shtatë vjeç isha kur dashurova për herë të parë. As ajo nuk ishte e madhe, edhe pse mosha e saj duhet të ketë qenë nëntë apo dhjetë vite më shumë se e imja. Unë vija nga skaji më i largët i Zvërnecit, ajo ishte në zemër të tij. Atje ishte shkolla, një ndërtesë e vogël, e bardhë, gjithë diell. Fare pranë ishte kisha me varrezën ngjitur. Ca qiparisa të lartë, që sikur kanë mbirë nga varret, janë akoma atje. Atëherë më dukeshin të pakuptimtë, madje edhe pak të frikshëm. Më vonë, kur ika nga fshati, qiparisat dhe varret m’u larguan, m’u zvogëluan kaq shumë, sa më dukej se i kisha pasur atje në çantën e klasës së parë, të shndërruara në kallamarin dhe në penën time…
E pra, isha vetëm shtatë vjeç, atëherë.
Thashë që vija nga skaji më i largët i fshatit. Përfytyroni një fëmijë të imët që çdo ditë bën dyzet minuta rrugë në këmbë për të shkuar në shkollë. Ka dëgjuar për çizmet magjike të atij maçokut të famshëm të përrallës dhe çdo mbrëmje fle me mendimin se të nesërmen do të zgjohet edhe ai me një palë të tilla. Por vinte mëngjesi dhe unë fusja këmbët e mia të vogla në çizmet e ftohta prej llastiku, të cilat përherë dilnin të humbura në betejën e përditshme me llucën ngjitëse të Putanjasë apo baltën e bardhë rrëshqitëse të Allonjit. Prandaj, kur arrija në klasë, i kisha të gjitha shenjat e mjaftueshme që gjithkush të kuptonte se isha rrëzuar e çuar disa herë. Rrobat, duart, por shpesh edhe fytyra e flokët e mi të përbaltur mjaftonin që të gjithë të më vështronin me keqardhje, por, ashtu marrakë e të padjallëzuar, siç janë fëmijët, nuk i fshihnin dot as të qeshurat. Vetëm ajo ishte ndryshe nga të tjerët. Në fytyrë i pikonte shqetësim. Përpiqej t’i merrte dy grushtet e mi të vegjël brenda grushteve të saj. Edhe ata nuk ishin më të mëdhenj. Më mbështillte me vështrimin e saj të ngrohtë, sikur donte që unë të mos ftohesha, derisa të dy bashkë të mbërrinim te soba në skaj të klasës.
Kur ulesha në bankë dhe hapja çantën, qëllonte që kallamari të ishte derdhur dhe boja e tij të kishte njollosur librat e fletoret. Doçkat e mia dridheshin. Më dridhej edhe zemra nga turpi e frika. Skuqesha gjer në majë të flokëve. Në klasë përsëri kthenin kokën nga unë. Qeshnin përsëri. Ajo u hidhte një vështrim qortues, përkulej mbi supin tim, diçka më thoshte me zërin e saj të ëmbël e të butë, hiqte kallamarin, merrte librat e fletoret dhe i nderte pranë sobës për t’u tharë. Pastaj pastronte çantën dhe përsëri nuk harronte të më mbështillte me atë vështrimin e saj të ngrohtë, që bënte të avullonin edhe frika, edhe droja.
E pra, atëherë, duhet të ketë lindur ndjenja që më ka tërhequr tek ajo vajzë. Gjithë ditët e javës shihja fytyrën e saj të bardhë, të tejpashme, të mbuluar me mirësi, ndërsa të dielave në kishë më bëhej sikur e gjeja po atë fytyrë, po atë mirësi të përhapur nëpër ikonat e bukura që vareshin mureve.
Unë e vështroja atë me përgjërim e adhurim, si një engjëll.
Por nuk i paskësha zbuluar të gjitha…
Një tjetër njeriu i dridhej zëri e zemra para saj. Një djalë, atëherë në moshë të rritur, kishte vënë re tek ajo po aq bukuri e mirësi sa edhe unë. Madje ai pat shkuar shumë më larg, në ato vise të përfytyrimit mashkullor ku nuk mund të arrinte fantazia, sado çapkëne, e një fëmije si unë. Dhe as shija ime e paarrirë. Ai djalë kishte kërkuar e gjetur tek ajo vajzë vetë të ardhmen. Ndërsa ajo mbështolli dhe mbajti ngrohtë ëndrrën e tij.
Në katër dekadat që pasuan ne shiheshim rrallë. Në krahë të burrit të saj, djalit të atëhershëm, asgjë nuk humbi tek ajo. Përsëri rrezatonte dashuri, mirësi dhe lartësim. Tani mbase edhe më shumë.
Unë vazhdova ta dua. Si atëherë. Vitet hidhnin një vesë malli mbi dashurinë time të parë. Shkundej ajo vesë sa herë e shihja, sa herë e takoja dhe mbetej vetëm dashuria, e tejdukshme, e pastër, e pafajshme.
Si atëherë.
Ishte Melpo, mësuesja ime e parë.
Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu