Mes luksit dhe kaosit, Shqipëria turistike e betonit, propagandës dhe mbeturinave

0

Shkruan Artan Cena

Shqipëria është një vend plot me kontraste.

Kullat dhe kasollet bashkëjetojnë në Tiranë.

Super të pasurit, makinat e tyre luksoze dhe endacakët ecin në të njëjtën rrugë.

Një vijë bregdetare mahnitëse, por e shkatërruar nga ndërtime pa kriter dhe pa asnjë plan.

Male të egra e të paprekura, por me mundësi të kufizuara për ti vizituar.

Qytete me histori të lashtë, por që po shkatërrohen nga ndërtimet pa asnjë projekt dhe plot beton të financuar me para të krimit, drogës dhe korrupsionit.

Me një kulturë mahnitëse mikpritëse, por me një shërbim mizerabël dhe një pushtet qendror dhe lokal që e ka mendjen veç tek propaganda.

Ajo ka gjithçka për të qenë një destinacion i preferuar turistik në Ballkan, por nëse kjo gjë do të trajtohej seriozisht e jo vetëm si një fushatë stinore.

Pra përkundër këtyre pasurive të çmuara natyrore dhe kulturore, Shqipëria ende nuk ofron garancitë minimale që një turist i huaj apo vendas do të kërkonte, si siguri, standarde, organizim dhe respekt për trashëgiminë.

Shqipëria ka përjetuar një rritje të ndjeshme të numrit të vizitorëve, veçanërisht gjatë sezonit veror, por rrugët brenda dhe jashtë qendrave urbane nuk përballojnë dot fluksin.

Trafiku është i kudondodhur, thuajse në çdo segment rrugor.

Nëse largohesh nga Rruga e Kombit apo rrugë të tjera kryesore, me shumë mundësi të përballesh me rrugë të shkatërruara, mungesë sinjalistike, apo edhe rrugë që mbarojnë në mes të askundit. Transporti publik është minimal, i paorganizuar dhe shpesh i papërshtatshëm për një udhëtar që nuk flet shqip.

Janë të shumtë turistët të cilët raportojnë me keqardhje se uji i kristaltë i plazheve të jugut shpesh përzihet me fekalet, qeset plastike apo kanalizimet e ujërave të bardha që derdhen në det. Edhe disa stacione trajtimi që u ngritën në vitet 2010-2012, u lanë pas dore dhe thuajse janë shkatërruar.

Në zona të mbrojtura si Llogaraja apo Thethi, mungesa e kontrollit institucional ka sjellë ndërtimet pa asnjë kriter, duke sjellë dhe dëmtim të biodiversitetit.

Raste kur turistët janë detyruar të paguajnë ryshfet në pikat kufitare, ose kur kanë hasur pengesa burokratike pa shpjegim logjik, nuk janë të rralla.

Policia rrugore në shumë raste e padukshme ose selektive në zbatimin e ligjit. Korrupsioni i përhapur ndikon negativisht edhe në sektorë si ndërtimi apo shërbimet turistike, ku lejet jepen në mënyrë të dyshimtë dhe monitorimi është i dobët.

Fshatra si Dhërmiu apo Jala, dikur të njohura për autenticitetin dhe qetësinë, janë kthyer sot në zona të betonizuara, me ndërtime pa leje dhe pa asnjë kriter estetik.

Qendra historike të qyteteve si Berati apo Gjirokastra janë nën kërcënim nga ndërhyrjet gjoja moderne, por që po shkatërrojnë karakterin e tyre unik. Në vend të investimeve për ruajtjen e trashëgimisë, shpesh shihet një garë vetëm për shkatërrimin e tyre me ndërtime dhe projekte që sjellin fitime të shpejta.

Çmimet në bregdetin shqiptar janë rritur ndjeshëm, por duke mos u reflektuar në cilësi. Në Ksamil, një dhomë e zakonshme mund të kushtojë më shumë se në Greqinë fqinje, ndërkohë që shërbimi është shpesh i paprofesionalizuar dhe infrastruktura elektrike e ujësjellësi janë problematike.

Shqipëria ka çdo potencial për të qenë një perlë turistike e Mesdheut. Por ky potencial po rrezikon të mbetet një iluzion nëse nuk ndërhyhet me politika serioze për ruajtjen e natyrës, forcimin e shtetit ligjor, edukimin e sektorit të shërbimeve dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore.

Turizmi nuk është vetëm numër vizitorësh. Është përvojë, siguri, cilësi dhe kujtim i mirë. Dhe aktualisht, Shqipëria ofron shumë bukuri, por pak garanci që këto përvoja të jenë të plota dhe të sigurta.

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu