Kosova ka bërë përparim të jashtëzakonshëm në infrastrukturë, por ende mbetet peng i mendësisë së pasluftës dhe mungesës së kompromisit. Kështu e përshkruan gjendjen aktuale të vendit ministri çek për Çështjet Evropiane, Martin Dvorak, në ditën kur Kosova shënon 26-vjetorin e çlirimit.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Dvorak, autor i librit “Kosova nën lëkurën time” dhe qytetar nderi i Istogut, thotë se “retorika agresive” dhe mungesa e vullnetit për dialog me serbët po dëmtojnë imazhin e Kosovës në Bashkimin Evropian.
Ai bën thirrje për qetësim të situatës, rifillim të dialogut me Serbinë dhe dërgim të sinjaleve pozitive në Bruksel, duke theksuar se “pa kompromis nuk ka anëtarësim në BE”.
Nga viti 1999 deri në vitin 2002, Dvorak shërbeu si administrator i Kombeve të Bashkuara në komunën e Istogut, ku udhëhoqi procesin e rindërtimit pas luftës në Istog, Gjakovë dhe rajonin e Pejës. Ai ka shërbyer gjithashtu në Irak dhe ka përfaqësuar Çekinë në SHBA, Kuvajt dhe Katar. Në qershor të vitit 2021 u emërua zëvendësministër i Punëve të Jashtme, ndërsa nga maji i vitit 2023 ushtron detyrën e ministrit për Çështjet Evropiane.
Radio Evropa e Lirë: Zoti Dvorak, 26 vjet më parë keni shkuar në një Kosovë të shkatërruar nga lufta si pjesë e misionit të OKB-së. Cila është pamja e parë që ju vjen në mend kur e kujtoni atë kohë në Pejë dhe në Istog, ku ishit i vendosur?
Martin Dvorak: E dini, ndjenja ime e parë ishte një tronditje e vërtetë, sepse, për herë të parë në jetën time, vizitova një vend që ishte ende në luftë, ose të paktën shumë pak kohë pas luftës. Ju mund ta dini, edhe pse jeni e lindur pas luftës, me aq sa e kuptova. Pra, mund ta dini që rreth 70% e vendit ishte shkatërruar, njerëzit ishin pa çati, pa strehë dhe, natyrisht, asgjë nuk funksiononte, gjithçka ishte shkatërruar.
Qëllimi ynë ishte ta përgatisnim vendin për dimrin që po vinte. Para së gjithash t’u siguronim strehim njerëzve dhe t’u jepnim ujë dhe ushqim, dhe ngadalë, hap pas hapi, të rinisnim ndërtimin e një shteti funksional që nga fillimi.
Kjo ishte detyra jonë dhe veçanërisht Istogu ishte shumë miqësor, shumë specifik, sepse kryetari i komunës [i ndjeri Fadil Ferati]ishte shumë i hapur dhe i moderuar.
Ai ishte burgosur nga serbët dhe kishte lexuar Vaclav Havelin [ish-presidentin çek] gjatë kohës sa ishte në burg, kështu që nga fillimi u bëmë miq shumë të mirë, diskutoja me të.
Ai ishte më shumë filozof sesa kryetar komune apo politikan. Krijuam një marrëdhënie shumë miqësore dhe kjo më ndihmoi shumë që në fillim, kur nisa si administrator i Istogut.
Ndjenja ime është ende e njëjtë, e dua Kosovën, i dua njerëzit e Kosovës dhe me të vërtetë besoj se shumë shpejt do të bëheni pjesë e familjes evropiane.