Misionarë ushtarakë anglezë në Jug të Shqipërisë

0

Prof. Asoc. Dr. Bernard ZOTAJ

Një mision ushtarak anglez…

Në fillimet e Luftës së Dytë Botërore, politika e Mbretërisë Britanike ndaj Shqipërisë u shfaq me dy fytyra, qëndrim i ftohtë me rezerva dhe qëndrim i moderuar e miqësor përfaqësuar konkretisht nga Ministria e Jashtme (Foreign Office) e SO2 (Organizatë për kryerjen e operacioeve). Diplomatët anglezë mendonin se Shqipëria nuk mund të ecte me këmbët e saj, ndërsa të tjerë e quanin “një faktor të dorës së dytë”. Vëmendja e Britanisë së Madhe ndaj Shqipërisë erdhi duke u rritur në verën e vitit 1943. Në qershor 1943 u duk një mision ushtarak anglez në jug të Shqipërisë. Ata u takuan Bedri Spahiun, udhëheqësin kryesor i PKSH në qarkun e Gjirokastrës. Partizanët kishin më shumë arsye për të qenë dyshues se sa Balli Kombëtar, por ishin partizanët të parët që e kuptuan rëndësinë e këtij kontakti dhe i pranuan britanikët. Pranë Shtabit të Përgjithshëm gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare kanë qëndruar e vepruar tre misone britanike: misioni “Konsensus 2” i drejtuar nga Maklini; misioni i Kuartierit i drejtuar nga gjenerali Dejvis që ishte misioni më i madh britanik në Shqipëri, si dhe gjatë periudhës së fundit të luftës misioni i drejtuar nga koloneli Palmer. Pranë Shtabit të Zonës së Parë Operative Vlorë-Gjirokastër-Mallakastër ka vepruar misioni “Skulptori”. Tilman shkruan se shtabi i tij ishte caktuar në një fshat të vogël të quajtur Sheper, mes maleve të Zagorisë. Fshati Sheper ishte i rregulluar bukur, i priti me gjithë të mirat misionarët anglezë, por theksojnë anglezët marrëdhëniet e tyre me partizanët linin shumë për të dëshiruar.

Anglezët të mos fusin hundët në punët tona

Komanda e Shtabi i Zonës së Parë Operative sipas udhëzimeve të Shtabit të Përgjithshëm nuk e lejonte misionin britanik të njihej me planet e luftimit, sikurse nuk i lejonte partizanët t’i shoqëronin në veprime luftarake. Porosia ishte se “anglezët në asnjë mënyrë mos i qasni të fusin hundët në punët tona…”. Ndaj kërkohej që ndaj tyre “…të mbahej një konspiracion i plotë dhe në asnjë mënyrë s’lejohet të dinë numrin e ushtarëve tanë”. Kështu misionarët britanikë u bënë thjesht oficerë furnizimi, si dhe për t’i instruktuar e stërvitur partizanët në përdorimin e armatimit, të minave dhe eksplozivave. Në tërësi me anglezët u shmang konsultimi, ndërsa në disa raste të pakta pati koordinim veprimtarie konkrete luftarake.

Në verën dhe vjeshtën e vitit 1944, u ndërmorën pak operacione të kombinuara të karakterit thjeshtë detar, si zbarkimi i një komando angleze në Spile të Himarës, në luftimet për çlirimin e qytetit të Sarandës, ku u bë një bashkëveprim i studiuar ndërmjet forcave zbarkuse angleze dhe forcave partizane të Gr.5P dhe Br. XII, XIV dhe XIX S. Kjo ndikoi që garnizoni gjerman në Korfuz të dorëzohet më 12 tetor 1944, tri ditë pas çlirimit të Sarandës.

Pak më gjërë për këto dy zbarkime të anglezëve. Zbarkimi i parë u krye nga trupat e Long Range Desert Group (LRDG), në Spile të Himarës, ndërsa i dyti u krye nga trupat komando në Sarandë. Por krahas këtyre, u kryen të paktën dhe një zbarkim tjetër me trupat e SBS (Special Boat Service). Komanda e Përgjithshme dhe Shtabi i Zonës duke qenë tepër të vëmendshme ndaj anglezëve, nuk kishin besim në veprimet e tyre luftarake dhe dyshonin në sinqeritetin e tyre. Vetë zbarkimet e vitit 1944 janë shumë më të ndërlikuara nga sa shkruhet rreth tyre, aty këtu në literaturën e derisotme perëndimore. Zbarkimi i parë në Spile, i kryer nga trupat LRDG, duket ka qenë mirëfilli një veprim i përbashkët anglo-shqiptar për të azgjësuar garnizonin nazist-gjerman e që doli me sukses me ndërhyrjen e forcave partizane.

Garnizoni nazist-gjerman përbëhej nga 65 ushtarë të vendosur në pozicione tepër të fortifikuara, bunker, transhe, pjesë të minuar dhe të rrethuar me tela me gjemba. Pikëmbështetje më të afërta naziste-gjermane kishin në Sarandë e në Llogora. Lidhja tokësore midis tyre ishte jashtëzakonisht e vështirë sepse përgjatë rrugës automobilistike forcat partizane kryenin veprime tepër aktive. Trupat britanike do zbarkonin aty me luftëanije nga deti në një forcë prej 100 veta. Rreth Spilesë u vendosën në formë patkoi batalioni i 4-t i Br. XII S, forcat territoriale të Kurveleshit të Poshtëm dhe të krahinës së Himarës, që zunë prita të forta në grykat midis Himarës e Vunoit dhe Himarës e Borshit. Më 28 korrik 1944, në mesnatë, pas një rrahje të fortë të pozicioneve gjermane me artileri nga luftanijet, trupat britanike zbarkuan në Spile. Por gjermanët i mbrojtën me këmbëngulje pozicionet e tyre. Ndërhyri Br. XII S e cila sulmoi dhe shpartalloi garnizonin gjerman, çliroi Himarën, liroi robërit anglez që kishin zënë gjermanët. Komandoja angleze nën presionin e gjermanëve hipi në varka dhe u largua. Zbarkimi i dytë, u krye në Sarandë nga fundi i shtatorit 1944 dhe ishte i dyshimtë.

Dokumentet vërtetojnë dyshimet e Komandës së Përgjithshme dhe të Zonës. Zbarkimi në Sarandë për herë të parë gjendet në arkiva një telegram disi i shqetësuar që Forin Ofisi i dërgon Barit më 29 shtator 1944, ku thuhet se “Lutemi njoftoni në lidhje në se anglezët kanë zbarkuar në Shqipëri”. Po atë ditë, Bari kthente përgjigje: “Operacioni në fjalë filloi si një sulm i rregullt më 22 shtator… Synimi ishte t’i krijoheshin shqetësime armikut në zonën përreth Sarandës…”. Por, vijonte telegrami, meqënse dukej sikur garnizoni gjerman në Korfuz mund të arrihej të izolohej, më 24 shtator anglezët dërguan përforcime në armë e forca, “…dhe plani është që të vazhdohet operacioni deri sa të shtihet në dorë Saranda”. Më tej vazhdonte. “…në qoftë se çdo gjë do të shkojë mirë, ne mund të jemi në gjendje të mbajmë një bazë të përhershme në tokën shqiptare, ashtu si edhe në Korfuz”. Në lidhje me misonin ushtarak pranë komandës dhe shtabit të Zonës, faktori ushtarak pati dhe tregoi vlera. Që në raportet e para, misionarët britanik kanë theksuar: “nga sa e njoh unë LANÇ-in, ata janë plotësisht në gjendje të qeverisin Shqipërinë…”. Ndërsa Çurçilli, kryeministër më 4 nëntor 1943 do të deklaronte: Mijëra partizanë shqiptarë po luftojnë në malet e tyre për pavarësinë e vendit të vet…Oficerët britanik të ndërlidhjes janë pranë këtyre partizanëve dhe i kanë çmuar cilësitë e tyre luftarake. Ne shohim që shqiptarët po luajnë rolin e vet në përputhje me traditat e tyre të vjetra luftarake.

Dhënia e ndihmave materiale ishte përparësi

Bashkëveprimi i komandës deh shtabit të Zonës me misionin ushtarak u përqëndrua në dhënien e ndihmave materiale. Pas ardhjes së misionit të parë britanik, Shqipëria përfitoi nga planet për furnizim me anë të aviacionit, si dhe nga deti. U krijuan disa baza hedhje si në Sheper, në Kurvelesh, në malin e Tragjasit, në Karaburun, të cilat u bënë një mbështetje në furnizimin e formacioneve partizane me armatim dhe veshmbathje, deri dhe në të holla, në stërlina. Sipas Reginald Hibert, Fildi në jug mori disa hedhje në Tragjas në shtator 1943, jo larg bregdetit në jug të Vlorës; në shtator Tilmani mori dy hedhje në Zagori, duke nisur kështu një proces të vazhdueshëm furnizimi me forcat partizane në një nga zonat e pakta të Shqipërisë, ku LANÇ-i kishte arritur përfundimisht mbizotërimin prej kohësh. Një dokument i përgatitur për Komitetin Operacional në Kajro për armët e hedhura në Shqipëri deri më 24 dhjetor 1943 theksonte: Pushkë antitank-150, mortaja-40, automatik-300, pushkë gjysëm automatike 400, pushkë-350, granata-4500, mina antitank-1000 dhe eksploziv 6000 paund (rreth 3 ton). Po kështu u raportua se u ishin dhënë grupeve guerilje një shumë prej 4.823 florinj (deri në dhjetor 1943). Sipas autorit, pjesa më e madhe duhet t’u ketë shkuar partizanëve (armët dhe paratë). Nëse partizanët morën furnizime, kjo ndodhi sepse ata ishin aktiv. Është i pabazuar argumenti se ata u bënë aktiv kundra gjermanëve për shkak se morën furnizime.

Ndihmesë misionet angleze kanë dhënë në stërvitjet luftarake të disa batalioneve dhe grupeve partizane. Stërvitje u bënë për mësimin dhe përdorimin e armëve me të cilat po pajiseshin formacionet partizane si automatik, mitralozë 20 e 47 mm, mortaja 81 mm, si dhe për armët kundra tanke. Grupe luftëtarësh të formacione u stërvitën për përdorimin e minave në shkatërrimin e rrugëve, të urave dhe të ndërtesave etj.

Partizanët luftuan me gjermanët

Misionarët anglezë fillimisht nuk e kuptuan mirë natyrën e luftës partizane, strategjinë dhe taktikën e saj, ndaj në një memorandum të 3 janarit 1943, theksonin se “për Shqipërinë parashikohej kur të piqeshin kushtet, dërgimi i forcave tokësore dhe detare aleate, si një pikë mbështetëse për veprime ofensive të forcave kryengritëse në këtë zonë”. Me zhvillimin dhe përmasat që mori Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare misionet angleze u bindën për efektivitetin e luftës partizane, për shkallën e lartë të organizimit, të disiplinës dhe aftësive luftarake të luftëtarëve. BLO (oficerët britanik të ndërlidhjes), me partizanët e LANÇ-it e shihnin se vetëm klientët e tyre luftonin me gjermanin, në çfarëdo rruge domethënë, se ata e shihnin me sytë e tyre se këto ishin luftime gjithnjë e më serioze dhe jo të shtira. Për LANÇ-in, qëndrimi ndaj Ballit Kombëtar (i cili nuk angazhohej në luftë kundër pushtuesit) i misoneve angleze ishte dhe një faktor negativ që ata të mbaheshin larg problemeve dhe planeve të luftës. Misionet ushtarake angleze ishin tepër të interesuar dhe për ndihma ndaj organizatës së Ballit Kombëtar, që vepronte në atë kohë. Në Dukat ishte vendosur një mision anglez pranë organizatës së Ballit Kombëtar. Vetëm pas 14 korrikut 1944, BBC mori direktivën të demaskonte Ballin Kombëtar si një organizatë kolaboracioniste.

Problem doli në korrik 1944, se partizanët ndërhyjnë në qëllimet strategjike të anglezëve. Përgjigjen e morën nga Komandanti i Përgjithshëm Enver Hoxha ku theksohej se “Me goditjen e qendrave vitale dhe të komunikacionit të armikut në Jug, …ne kemi bindjen se nuk pengojmë qëllimet e strategjisë aleate, por i ndihmojmë për së tepërmi dhe më së miri… e dimë mirë se pa ndihmën e aleatëve Lëvizja jonë Nacionalçlirimtare nuk mund të ishte aq e fortë”. Për këtë problem një tjetër anglez shprehet: “…ndërsa anglezët donin t’i shkatërronin rrugët e komunikacionit me qëllim që ato të mos përdoreshin nga Boshti, shtabet partizane, argumentonin se po këto rrugë do t’i duheshin Shqipërisë nesër kur të çlirohej”. Pas gushtit të vitit 1944, me arritjen e marrëveshjes midis Shtabit të Përgjithshëm dhe Shtabit Aleat të Mesdheut u rrit intesiteti i veprimtarisë luftarake, u rrit kuota me furnizimin mujor për ushtrinë e rregullt partizane. Ishte kjo një periudhe tepër e rëndësishme për përfundimin e luftës. Marrëdhëniet ushtarake në këtë periudhë u zgjeruan, pranë shtabit aleat të Mesdheut u dërgua dhe përfaqësuesi i Shtabit të Përgjithshëm të UNÇSH, ish komisari i Zonës Bedri Spahiu. Ndërsa marrëdhëniet në aspektin politik karakterizoheshin nga kontradikta dhe mosbesim reciprok.

Vlen të theksojmë se Britania, ndaj Shqipërisë nuk pati një vijë të qartë. Politika e saj nuk depërtoi, pasi ishte e pasigurtë, e pavendosur, duke përkrahur të gjitha rrymat e duke mos u pajtuar me asnjë. Nga fundi i luftës aleatët theksuan bashkëpunimin ushtarak me Lëvizjen në një kohë që në planin politik nuk shikohej asnjë veprim. Qëndrimi i anglezëve ishte konfuz, sa që më 19 korrik 1944, kur lufta kishte arritur kulmin e saj, Çurçilli i dërgonte Edenit një shënim me këtë kritikë të mprehtë: “Më thoni, ne, me cilën palë jemi?”. Populli i Zonës e ka vlerësuar gjithnjë ndihmën e dhënë dhe punën që bënë misionarët anglezë gjatë luftës që qëndruan pranë shtabeve dhe partizanëve shqiptarë. Tilman ka theksuar më pas se partizanët kishin fajet e tyre, por e vërteta qëndron se ata luftuan, u vranë për të njëjtin qëllim për të cilin luftonim edhe ne, kurajon që ata treguan gjatë luftës, dëshira për të luftuar, besimi në vetvete dhe në çështjen e tyre, të gjitha këto më bënë të besoj se ata e meritonin që të udhëhiqnin vendin pas lufte.

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu