Në portën e shurdhit trokit sa të duash!

0

Shkruan Ardi Stefa

Metaforikisht
Një aforizëm popullor, një metaforë e hidhur për realitetin tonë: kur përballesh me kotësinë, joefektivitetin, shurdhërinë e një veprimi dhe atyre që nuk duan të dëgjojnë, çdo trokitje mbetet thjesht një jehonë në ajër. Nuk ka rëndësi sa të drejtë ke, sa argumente sjell apo sa herë përsërit. Porta është e mbyllur, dhe brenda saj sundon vullneti për të mos dëgjuar.

Shurdhëria, në këtë kuptim, nuk është mangësi fizike, por qëndrim. Metaforikisht ka dy anë që këmbëngulin: Dërguesin dhe marrësin, që të dy që refuzojnë të kuptojnë situatën, argumentin pasionant e logjik, indiferencën dhe mbylljen.

Është zgjedhja për të injoruar, për të mos parë realitetin, për të mos pranuar asnjë zë përtej vetes.

Dhe kështu, porta kthehet në simbol të atij që nuk dialogon, që nuk lëviz, që mbyll veshët.

Në portën e shurdhit, trokitjet nuk janë më kërkesa, por prova e kotësisë. Ato tregojnë më shumë për durimin dhe këmbënguljen e atij që troket, sesa për ndonjë shpresë se brenda do të hapet dera. Në fund, metafora të mëson një gjë: “Jo çdo përpjekje sjell rezultat, jo çdo fjalë kuptohet. Ka njerëz që duhet t’i lëmë në heshtjen e tyre dhe se ka dyer, në të cilat nuk duhet trokitur pafundësisht, sepse janë ndërtuar pikërisht për të mos u hapur.”

Realisht
Në politikën shqiptare ka një derë që kurrë nuk hapet: porta e shurdhit. Aty shkojnë qytetarët me hallet e tyre, intelektualët me idetë e tyre, gazetarët me pyetjet e tyre, dhe të gjithë dalin po ashtu si hyjnë, me duar bosh e me një zhgënjim më shumë. Sepse porta nuk është bërë për t’u hapur, por për të treguar se ekziston.

Trokit sa të duash: për rrogat, për pensionet, për korrupsionin, për drejtësinë, për ujë e drita. Porta të sheh me indiferencë, të dëgjon me veshët e mbyllur dhe, në rastin më të mirë, të hedh ndonjë premtim si kockë qeni. Ironia është se kjo portë quhet “institucion demokratik”.

Ata brenda e dinë mirë se qytetarët janë këmbëngulës. Do trokasin sot, do trokasin nesër. Por në vend që të hapet, porta mbyllet edhe më shumë, me grila të blinduara, me gardhe sigurie, me sekretare si Cerberi dhe me buzëqeshje të rreme. Sepse shurdhëria politike e sociale nuk janë aksident, por strategji: kush nuk dëgjon, nuk vepron e, kur nuk vepron, nuk mban përgjegjësi.

Në portën e shurdhit mund të trokasësh sa të duash. Trokitja jote nuk shërben për të hapur derën, por për të ushqyer iluzionin se brenda është dikush që ndoshta do të hapë. Dhe kështu demokracia kthehet në farsë: qytetari troket, politika hesht, ndërsa porta e shurdhit mbetet monumenti më i madh i tranzicionit shqiptar, i talljes dhe i fasadës që zëri ynë ka vlerë e peshë.

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu