Kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka është pjesë e Këshillit Drejtues të “OTP Bank” në Shqipëri. E njëjta bankë që vetëm pak ditë më parë, u raportua nga ZËRI për lidhje me Rusinë. Edhe pse është degë e grupit hungarez OTP, aksioneri kryesor është Megdet Rahimkulov, një oligark rus që është në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Shkak janë lidhjet që ai ka me presidentin rus, Vladimir Putin.
Në Shqipëri, bankën e Megdet Rahimkulov e ‘mbikëqyr’ Armand Duka në Shqipëri. Sipas informacionit të bërë publik nga vetë faqja zyrtare e OTPs-së, Duka ka pasur një mandat 4-vjeçar në Këshillin Drejtues, nga 15.10.2019 – 15.10.2023. Por edhe pse ka disa muaj që i ka kaluar “afati’, emri i tij ende nuk është zëvendësuar në Këshill.
Si arsim, Duka është diplomuar në degën e ekonomisë për industri, pra është një degë që nuk ka shumë lidhje me sektorin e bankave. Por mund të ndikojë titulli që ka marrë në vitin 2019, kur u akordua “Konsull nderi i Hungarisë” për Republikën e Shqipërisë. Po në të njëjtin vit, u bë pjesë e Këshillit Drejtues të Bankës OTP Albania. Se përse, kjo nuk bëhet me dije.
Çfarë e lidh kreun e FSHF, me një bankë që akuzohet për lidhje me Rusinë? Vetëm Duka vetë mund ta sqarojë…