Nga Fishta tek Zhegjineja

0

Shkruan Zef Ndreka

Tragjedia e përfaqësimit shqiptar.
Nëse do të vendosnim përballë njëri-tjetrit portretet e deputetëve të dikurshëm dhe atyre të sotëm, do të dukej sikur kemi kaluar nga një akademi mendimi në një estradë mediokriteti.
Nga Gjergj Fishta që fliste me urtësi e peshë mendimi, tek Flamur Noka që ulërin mes tymit e tymnajës, nga Musine Kokalari, gruaja e parë që solli emancipimin në politikë, tek kërperatat dhe zogjtë e ekranit që e kanë kthyer sallën e Kuvendit në studio spektaklesh, historia parlamentare e Shqipërisë tregon një rënie të frikshme morale dhe intelektuale.
Kur fjala kishte peshë, parlamentet e viteve ’20-’30 ishin vende ku përfaqësohej ideali kombëtar.
Fishta, Gurakuqi, Noli, Merlika, Kokalari, Frashëri, këta ishin figura që shkruanin libra, jepnin mësim, përgatisnin ligje dhe mbanin përgjegjësi për fjalën e dhënë.
Debatet e tyre kishin kulturë, stil, mendim dhe përmbajtje. Edhe kundërshtitë ishin të ndritura, sepse përplaseshin ide, jo njerëz.
Në atë sallë nuk flitej për tendera, por për shqiptarin dhe Shqipërinë.
Ndërsa tani, britma zëvendësoi mendimin.
Sot, në vend të argumentit mbretëron zhaurima, në vend të logjikës mbretëron teatri i rrugës.
Deputetë që nuk kanë lexuar as një libër, që nuk dinë të formulojnë një frazë të drejtë, shajnë e shpifin pa asnjë turp.
Ata nuk përfaqësojnë popullin, por servilizmin ndaj shefit të partisë, interesin personal, apo rrjetet e tyre të klientelizmit.
Në një vend normal, Kuvendi është tempulli i ligjit dhe mendimit.
Në Shqipëri, shpesh është kthyer në arenë primitive, ku bëhet politikë si në stadium, me fishkëllima, thirrje dhe ofendime.
Ku shkojmë kështu?
Nqs elita politike është pasqyra e një kombi, atëherë imazhi që shohim sot është tronditës.
Por faji nuk është vetëm i deputetëve, por është edhe i shoqërisë që i voton, i partive që i përzgjedhin, dhe i mediave që i promovojnë si show.
Kur politika trajtohet si argëtim, përfundon në banalitet.
Shqipëria ka nevojë për një Rilindje të vërtetë, jo fasadash, por vlerash.
Duhet të rikthehet në politikë kultura e fjalës, pesha e përgjegjësisë dhe ndjenja e misionit.
Sepse siç thoshte Fishta:
“Kombi nuk rron me bukë, po me dinjitet.”
Fishta do të turpërohej po të shihte se kush e ka zënë sot vendin e tij në bankat e Kuvendit.
Por ndoshta do të na kujtonte edhe këtë, se asnjë komb nuk shpëton pa rilindur shpirtërisht.
Prandaj pyetja që mbetet nuk është më ku po shkojmë kështu, por a kemi ende guxim të ndryshojmë?!

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu