Nga: Ramiz LikaShqiptarët ngrejnë piramidën e marrëzisë Një zonjë, tashmë në moshë të thyer, por që megjithatë, dukej jo më pak se dhjetë vjetë më e re nga ç’ishte, qe ulur në vend dhe priste. Priste dhe shikonte reth e rrotull. Ksihte tridhjetë e pesë vjetë pa e parë atë vend dhe tani po përpiqej të seleksiononte diçka nga kujtimet që vërshonin. Ja, te ky kompleks kioskash kishte qenë një lulishte shumë tërheqëse. Ajo që ishte e dashuruar pas natyrës, nuk kisht të ngopur me atë pejsazh. Pylli i pishave, mimozave, akacieve, të rinjtë që lëviznin të gëzuar që përpiqeshin të bënin dashuri këtu, disi më larg syrit ciklop të diktaturës. Për të parën herë në Shqipëri aty zonja kishte parë dy të rinj që putheshin në gjysmëterr dhe të nesërmen kishte lexuar një poezi të çuditshme me titullin “Përse?” Sa gjëra të shëmtuar si grindja e sharja, ndodhin shpesh në mes të udhës së madhe! Po më njerëzorja më e bukura puthja përse të mbetet ilegale?… Dy net më parë ajo kishte marrë pjesë në një banket të organizuar nga një student tiranas në shtëpinë e vet. Pasi kishin pirë disa orë, çiftet studentë, kishin fikur dritën dhe kishin vallëzuar në terr. Kur njëri nga shokët kishte ndezur dritën në befasi, ishin parë çiftet thuajse të gjithë duke u puthur, ndërsa njëri në një qoshe duke bërë seks. Këto veprime të të rinjve quheshin “shfaqje të huaja” dhe shqetësonin shumë prindërit dhe shtetin. Thuhej se ato vinin nga ndikimi i jetës liberale në Bashkimin Sovjetik e në vende të tjera më të qytetëruara të Kampit Socialist, siç ishte Hungaria, Polonia… Para ca ditësh ajo kishte dëgjuar për një raprezalje të policisë në Institutin e Lartë Pedagogjik, sepse ishte përhapur revista polake “Film” në faqet e së cilës kishte artistë gjysëm lakuriq. Vërtetë nuk ishin pa mbathje e reçipeta, por moralistët shqiptarë nuk druheshin t’i quanin ato “bythëjashta” edhe pse ishin nga një vend mik… Duke kujtuar këto gjëra, zonja qeshi me vete, Ja cili ishte shqetësimi i shqiptarëve atëhere. Një pedagog shqiptar i kishte thënë atëherë se “revolucioni seksual”, siç e quante ai, ishte tepër i parakohshëm në Shqipëri, kur kryeqyteti kishte akoma rrugë me kalldrëm guri, kur lëviznin aq shumë karroca, qerre e gomarë ndërsa fare pak makina dhe ato me targa shtetërore. Asnjë makinë private! Në Bashkimin Sovjetik së paku kishte mjaft të tilla. Vetë ajo kishte një “Moskiç” në shtëpi. Sa i prapambetur ka qenë ky vend, tha me vete ajo, po sa pak ka bërë përpara! Edhe Gjakova e Prishtina kishin qenë atëherë kështu, po tani atje ishin ngritur aq shumë vila luksoze, ishin ndërtuar rrugë të bukura e moderne. Shqiptarët ngrinin vila, serbët ngrinin urrejtje, kishte lexuar diku një varg poetik… O, Zot, u sakrifikua një popull i tërë për të ngritur piramidën e marrëzisë! – psherëtiu ajo e pikëlluar. Stalini ynë nuk bëri kaq marrëzi. Ai ishte shumë e shumë më i mirë nga Stalini i Shqipërisë, i cili e kishte katandisur vendin në atë gjendje, sa të gjithë shqiptarët kërkonin të iknin, të iknin si nga një mallkim qiellor. Shumë nga ato mendonin se toka e tyre ishte e mallkuar nga ndonjë hyjni dhe qytetarët e saj ishin të dënuar të ishin somalezët e Evropës, e cila vazhdonte t’i quante ata “heronj”, njerëz që po e lulëzonin Shqipërinë, që për pak kohë ua kishin kaluar vendeve të Evropës Lindore në rritjen e prodhimit edhe pse nuk prodhohej asgjë. Prapë Shqipëria po quhej nga marksist – leninistët e rinj “fanar i Evropës”. Çdo aktivitet që bëhej në Shqipëri do të quhej nga evropianët me superlativa “i shkëlqyer”. Edhe një festival i rëndomtë muzike apo një seminar për handikapatët do të quhej “i shkëlqyer”. Kurse intelektualët vazhdonin të recitonin: Hej, Evropë ti kurva e motit… Tek shikonin ashtu, pa u ngopur, zonjës nuk mund të mos i binte në sy një plak që priste si ajo, por që mezi mbahej mbi bastunin e tij, kurse për t’u mbrojtur nga një shi i lehtë që binte, mbante mbi kokë një ombrellë të grisur me tela të thyer. Ajo e pa me vëmendje atë plak të ronitur që dridhej në shi. Iu duk pikërisht si shumë shokë të tijët që i shikonte rrugëve të Sant – Petërburgut, Moskës, Sofjes, Bukureshtit… Ditët e fundit kishte vizituar edhe një herë Ermitazhin e famshëm, kishte riprovuar kënaqësi të thellë estetike, por humorin ia kishin prishur ca pleq si ky që shtrinin duart mu te hyrja e Ermitazhit. Kjo e kishte mërzitur shumë dhe për ta zhdavaritur atë mërzi, kishte vajtur në universitet te katedra e gjuhës shqipe, ku kishte provuar kënaqësinë e të dëgjuarit të gjuhës shqipe nga ca vajza ruse që vazhdonin atë fakultet. Por edhe atje pleq të tillë… Ajo e pa akoma më me vëmendje atë plak mjeran. Ai kishte bërë shumë vite burg dhe kishte kaluar shumë vuajtje. Kishte dy muaj që matej të takonte një njeri dhe vetëm atë ditë kishte vendosur përfundimisht. Ishte pikërisht ish – ushtari i tij dhe ish brigadieri i burgut, Taulant Mati. Pra, plaku nuk ishte lypës, siç e kishte pandehur zonja. Duke e vërejtur me vëmendje, edhe ajo u bind se ishte gabuar. Për më tepër ai po i dukej fytyrë e njohur. Ato tipare përfaqësonin një njeri që ajo e kishte njohur dikur… Hajde, budallaqe, i tha vetes pas pak. Sa herë ke pasur rastin të takosh njerëz që kanë ngjarë në njëfarë mase me të tjerë… Ajo i solli shpinën plakut për të mos i tërhequr vëmendjen si idiote. Por nuk mundi të rrinte me shpinë nga ai. Jo, jo, fytyra ishte tmerrësisht e njohur, ishte një njeri tepër i respektuar, ishte… Plaku, të cilit nga e kaluara nuk i kishte mbetur tjetër veç krenarisë intelektuale, për çka i dukej vetja i pasur, kishte vendosur ta mësynte brigadierin e burgut, se thoshin, që kur ishte bërë fetar, ishte ndryshuar kryekëput. Nëse është e mundur që ujku të bëhet qingj, hallall ç’më ka punuar mua ai njeri. Tani e tutje do ta kem mik dhe nuk do t’u besoj porverbave që thonë se ujku qimen e ndërron, por vesin s’e harron. Plaku nuk donte ndonjë bashkëpronësi, pikë karburanti apo truall për supermarket. Ai donte bukë dhe shtëpi për të futur kokën. Ai qe mplakur e lodhur dhe mund t’i kalonte sido ato ditë që i kishin mbetur, por djali, nipërit, mbesat po ia nxinin jetën tani, siç ua kishte nxirë ai dikut me burgosjen e tij si armik i rrezikshëm i stalinizmit. Plaku mezi mbahej mbi bastun dhe zonja nuk ia ndante sytë. Ndërkaq iu afrua edhe ca. Se kë i kujtonte fytyra e rëgjuar e atij plaku gërdallë. Ajo iu afrua prapë dhe prapë më e njohur po i bëhej figura e tij. Më në fund mori guximin të përshëndetej me të. Plakut i bëri përshtypje jo dhe aq sjellja e zonjës së panjohur se sa shqipja e saj e çuditshme me theksin rus. Qysh kur s’kishte dëgjuar një të folur të tillë! Ajo e pyeti plakun nëse kishte qenë ndonjëherë oficer pastaj në kishte qenë në flotë dhe, më pas nëse kishte qenë komandant i nëndetëses 516, e cila më vonë kishte marrë emrin e Heroinës së Punës Socialiste Nasta Pipi. Plaku zuri të gjallërohej, sytë e tij të lëbyrur zunë të përshkëndriteshin, ndonëse zonja nuk po i kujtohej. Ajo i theksoi detajet dhe atij pastaj iu kujtua se ish – ushtari i tij, Taulant Mati bridhte në atë kohë pas një vajze sovjetike, ndërsa partia e kishte vënë në telashe edhe komandantin për të. Eqrem Partia i kishte thënë në atë rast komandantit: “Ti je molepsur me idetë e Kongresit XX, me idetë e armikut të madh të kampit socialist, Nikita Hrushovit…” – U bë person me rëndësi Taulanti, – tha plaku, – Ka pesë ditë që vi këtu e nuk e takoj dot. Ushtar ishte komandanti im, në burg ishte brigadieri im, tani… tani është akoma më shumë, se ai mund të më japë ose jo shtëpi, punë fëmijëve. Unë nuk kam besuar kurrë tek Zoti dhe nuk jam i penduar. Pse? Sepse, po ta kishte zoti botën në dorë, nuk do të bënte gjëra të tilla. Më fal, zonjë se ti me siguri, mund të kesh ardhur për të këtu dhe… – O nje za shto, komandant! Unë vërtet kam ardhur për të ose më saktë ka ardhur djali te babai, pasi nuk mund të qëndronte më i ndarë. Ti ke shumë të drejtë, po kështu po ndodh kudo tani në këtë periudhë tranzicioni. Të shkathtët ngjiten lart në kundërshtim me teorinë e Darvinit që thotë se fitojnë individët e aftë. Evropa Lindore po kalon nga një periudhë genocidi në një periudhë intelektocidi. Uroj që në Shqipëri të mos jetë kështu. Unë nuk e kam besuar se Taulanti ka rënë në burg pikërisht duke u bazuar te ajo shkathtësia e tij që e ka evidentuar qysh atëherë, kur ishte i ri… Tamara u largua nga aty për pak çaste dhe kur u kthye sërish, solli një ombrellë që sapo e kishte blerë. Ishte një dhuratë që e bëri për komandantin plak, të cilin nuk e shikonte dot ashtu. Ai u turpërua dhe bëri të mos e merrte ombrellën, refuzoi disa herë, por nuk i qëndroi këmbënguljes së Tamarës. Pastaj ajo e pyeti komandantin sa kushtonte një shtëpi tre – katër dhomash. Kur plaku i tha shumën, ajo u mendua një copë. Kishte sjellë para nga Moska, po i kishte prishur në shtëpinë e Taulantit, ndonëse edhe, me sa kishte vënë re ajo, kishte mjaft para. Ajo vendosi t’ia blinte shtëpinë komandantit, pasi kishte para shumë dhe bujari, gjë e rrallë kjo në botë. Djali i Tamarës (dhe i Taulantit) punonte në një firmë, e cila merrej më shumë me kontrabandë dhe kishte shumë fitime. Edhe Sergaj fitonte mjaft e harxhonte pak. Tamara bënte sponsorizime herë pas here për veprimtari kulturore për Shqipërinë. – Nuk ke përfituar para nga persekutimi, zoti komandant? – Kam marrë para, po ato sikur ranë në shpellë pa fund… Ne nuk kishim asgjë… NA u desh të blinim një dhomë stallë sa për të futur kokën. Nuk rrinim dot më në internim. U desh të martonim dy mbesa që na kishin mbetur si të “delkasuara”, po kështu edhe dy nipa… Prapë kam edhe dy mbesa për të martuar… Pastaj… ata që kanë përfituar, kanë qenë ata të shkathtit e socializmit, që ditën të mashtronin, të spekullonin me persekutimin. Kam një shok burgu që është dënuar atëhere se ka rrahur nënën e vet, por tani të gjithë e njohin si të burgosur politik. Ai tani ka ndërtuar pikë karburanti, kalon nga pesë bota në natë në drejtim të Malit të Zi, ka bërë vilë në mes të Tiranës, ka hapur një lokal modern në bashkëpunim me hetuesin e tij të dikurshëm… Ja, si puna e Taulantit… Më fal, Tamara, se nuk e do etika të flas kështu për të, po… Do t’ia falja ç’më ka bërë atëherë, kur jam dënuar së pari, kur më ka pështyrë, kur më ka goditur me domate e vezë të qelbura… Do t’ia falja shumë gjëra, po me atë gjyqin e dytë në burg e ka tepruar. Megjithatë nëse është bërë vërtetë haxhi Qabeja, nëse i ka larë mëkatet dhe nuk bën më të tjera, pra nëse do të më kërkojë të falur… – Oh, bozhe! – ia bëri ajo duke kujtuar në atë çast gjyqin e Adem Stafidhes. – Më fal, Tamara… Jam plak dhe e kam humbur… Pleqëria… O, ç’flisni, komandant! – Ishte e tmerrshme kur shikoja shokët e mir, ushtarët oficerët, punëtorët, sidomos, tek rendin me vrap, blenin vezë dhe m’i thyenin turinjve. Antistalinizmi im më hodhi në Spaç, kurse njerëzit e mi i hodhi në kampe të tjera. Gruaja më vdiq në kamp dhe nuk dihet ku e ka varrin, sepse djali ishte në kamp tjetër… Eh, nuk e kam të lehtë të vi tani te Taulant Mati… Darov’ e armikut o helm o thikë… Kur dëgjoi fjalën “armik” Tamara u tmerrua. I ra si një bombe që thërmoi të tërën dhe iu desh një copë të mirrte pjesë e vetes për t’u ribërë sërish. Ajo po kujtonte tani takimin me Taulantin pas tridhjetë e pesë vjetësh… … – Tamara, mos më fajëso për asgjë. Atëherë u solla keq me ty nga frika. Më pas rashë në burg dhe veç një zot e di ç’kam vuajtur. Ti më ke folur për Kallamanë, po ajo në krahasim me Spaçin, Burrelin… O zot! Asnjë informatë nuk kam pasur për ty gjatë gjithë kësaj kohe. Asnjë letër nuk e kam marrë… Oh, sa më ka torturuar mungesa jote! U martova me Nadjezhdën, se mbeta në mes të katër udhëve. Edhe asaj i ra vëllai në burg dhe u bëmë me fat të njëjtë… Ai e shikonte Tamarën me imtësi. Përpiqej ta përfytyronte si atëherë në fushën e volejbollit në fillim, si në banjot e detit, si në dhomë të zhveshur fare, si… Ajo vërtetë tani kishte moshë, por kishte një shëndet të admirueshëm, sytë i kishte ashtu të qeshur dhe fytyrën gjithnjë të imët e pak me rrudha. Nadjezhda ishte disa vjet më e re se ajo, me gjithë kushtet e mira të jetës për çudi, kishte rënë shumë. Taulanti tani që kishte shumë para, shkonte herë me një, herë me një tjetër prostitutë. Një natë kishte marrë një bullgare që ishte nën nivelin e tanishëm të Tamarës. Tek e shikonte ish të dashurën e tij, i përtërihej çuditërisht ai afshi seksual i dikurshëm që bënte ta kapte por… – Oh, Tamara, sa e mirë ke qenë dhe ke mbetur!… Gjithnjë e re dhe… – Jo, jo, Taulant. Jam plakur. Unë kam ardhur këtu për të ndërlidhur baba e bir… Unë jam bërë gjyshe. Djali ynë ka nusen shqiptare, ka një djalë dhe një vajzë të mrekullueshme…
Mirdita historikisht është vetqeverisur sipas kanunit të Lekës, jo sipas xhibalit Mirdita është vetqeverisë në bazë të kanunit të Lekës dhe jo simbas xhibalit apo ligjeve otomane dhe këtë të drejtë e kishin fitu me armë. Sulltani, tue mos mujtë me e nënshtrue Mirditën, i la të lirë të qeveriseshin me Kanunin e Lekës e zakonet e veta, tue mos e marrë asnjë t’lame o pagesë, përveç ndihmës me ushtarë që Mirdita kishte pranue me i dhanë Turqisë në rast lufte. Dhe historikisht dihet se mirditasit kanë luftuar krah për krah me ushtrinë otomane ndër shumë beteja të përgjakshme. Gojëdhana thotë se vendi ku zateten Mirditasit e porsaardhuri, paska kenë pronë e Begollajve të Pejës. Emri Begoll, thonë se vjen prej fjalës Beg Nikolla dhe spjegohet kështu: Në Pejë, nji katolik i quejtun Nikollë, kur ndrroj besim dhe u ba muhamedan, iu dha titulli beg Nikolla, emën i cili me kohna u transformue në shkurtimin e fjalës Begolli. Nji varjant tjetër thotë se toka e Mirditës iu dha si dhuratë për ndrrimin e besimit, e prandaj ky ishte pronar e sundues i këtij vendi dhe njikohësisht i banorëve të ardhun aty, të cilët i shfrytëzonte simbas qefit të tij. Sundimii Begollajve të Pejës paska kenë i randë dhe shumë i vështirë për Mirditasit, dhe deri shndërues. Tregojnë se djali i Begollit paska shkue në Mirditë dhe, mbsi ka pi e hanger sa ka dashtë, na ishte kërkuer me i sjellë Marë Shterpen, cucë e përmendun për bukuri, me fjetë me të. Populli u pezmatue randë nga kjo fyemje, kështu që u detyruen me asgejsue djalin e Begollit me të gjithë shokët që pai me vedi dhe njikohësisht çuen krye kundër sundimit të tije, tue e dëbue njiherë e përgjithmonë perj Mirditet. Lajmin e kësaj ngjarje e çoj në Pejë Krosi i fisit Markolaj të Oroshit, bile thonë, se e rrejtën e çuen me qëllim qe ta vriste Begolli, mbasi Krosi ishte belaquer e populli donte me e hjekë qafet. Mirëpo ky shkoj me nji taktikë që nuk ia merrte mendja askuj. Pa mbrrijtë te Begolli , plagosi vedin në kofshë (sigurisht në tul), me topaxhen e vjetër që kishte në brez, gerdhishti fytyrën, grisi teshat qe kishte të veshuna sikur t’ishte kacafytë me kend, dhe ashtu i lodhun, i përgjakun dhe i zheluem, u paraqit te Begolli dhe i tha: Unë isha bashkë me djalin tand dhe njerëzit e tij kur na rrethoj populli ne të katër qoshet. Mjaft luftuem dhe me shumë vështirësi mujta me i pështue rrethimit sa me ardhë me të lajmrue. Shiko si më kanë plagosë e shkatrrue teshash tue u kacafytë. Begolli me të shpejt e pyeti: Po djali me shokët e tijë? Krosi me lot ndër sy iu përgjegj: Ti shëndosh Beg se djali dhe të gjithë shokët e tij kanë mbetë të vramë. Krosi ndejti në shtëpinë e Begollit deri sa u shërue plaga, dhe u kujdesuen shumë për shëndetin e tijë. Si u shërue dhe kërkoi me u kthye në Mirditë, Begolli i tha se për shpërblimin që ke luftue me djalin tim deri në çastet e fundit të jetës, sundimin e Mirditës po ta la ty. Kështu, thotë gojëdhana, prej Krosit u krijue shtëpija e Gjomarkajve (kapidanave) të Mirditës e cila mori parijen e sundimin e të gjithë vendit dhe u quajt “Dera e Zakonit”. Në lidhje me Krosin ashtë edhe nji gojëdhanë tjetër. Kur Krosi kjenë luftë në ndihmë të Sulltanit kundër Serbve, u tregua shumë trim dhe bani heroizma të mëdha, dhe, tue i ra në befasi ushtrive Serbe, i mundi këto dhe lufta u fitue prej anës së Krosit. Sulltani i tha Krosit: Çka kërkon si shpërblim prej mejet? Krosi iu përgjigj: “Me kenë derë e parë në Mirditë dhemos me pasë t’lame e pagjesa populli (taksa). Sulltani e pranoj këtë konditë të cilën e shkroi në një teneqe kështu: “Mirdita s’ka me pasë t’lame kurr, dhe në kjoftë se Sulltani e hanë fjalën e dhanë, hangërt dosëm me 12 dirq (derkuca). Këtë teneqe e vuni në derë të Stambollit, dhe shtëpisë së Gjomarkajveapo kapedanit të Mirditës, i mbeti emni “Kapidan teneqja”. Kështu i krijue kjo derë e parë që në bazë të zakonit, udhëhiqte qeverisjen e Mirditës në bazë të Kanunit të Lekë Dugagjinit. Mbas shtëpisë Gjomarkajve janë pesë Krenët e Mëdhaja, nga nji për bajrak, të zgjedhun prej shtëpijave ma të vjetra. Për bajrakun e Oroshit ka kenë shtëpija e Dod Gjegjës në katundin Mashtërkore. Për bajrakun e Spaçit ka kenë shtëpija e Permargjelës në katundin Koder – Spaç. Për bajrakun e Kuzhnenit ka kenë shtëpija e Bacës në katundin Blinisht. Për bajrakun e Fanit ka kenë shtëpija e Marcerës në katundin Bisakë. Për bajrakun e Dibrrit ka kenë shtëpija e Paluces në katundin Kashnjet. Këta pesë krenë të mëdha me shtëpinë e Gjomarkajve në krye, perbanin keshillin gjyqësor të Kanunit në shkallën ma të naltë dhe vendimi që jepnin këta ishte i pa diskutueshëm dhe me formë të preme. Këta krenë kanë pasë marrë si rrogë prej qeverisë turke nga shtat barrë e gjysë drithë (misër) në vite, që janë baras me 11 kv. Ma vonë, shtëpija e Gjomarkajve për me forcue pozitat e veta dhe me terhekë edhe ma shumë drithë perj qeverisë turke, përbamjen e këtij këshilli e rriti nënjizet e pesë krenë tue zgjedhë edhe njizet krenë tjerë prej të pesë bajrakëve të Mirditës, dhe tue i quejtë këta “krena të dyta” dhe prej këtyne zgjodhi të pesë bajrakët. Krenat e dyta merrnin prej qeverisë turke si rrogë nga pesë barrë drithë që janë baras me 7 kv e gjysëm për nji vit. Për nji administrim ma të mirë të vendit dhe për me rritë ma tepër autoritetin e vet, shtëpija e Gjomarkajve, mbasi bani shtesën edhe prej 20 tjerëve, jo shumë ma vonë zgjodhi edhe nga një për çdo fis që i quejti “Astërpëleq”. Këta ishin si me thanë, pushteti në bazë, dhe kishin për detyrë me pregatitë terrenin për ardhjen e zabitnames në fshat, dhe çështjet që do të shqyrtonte ajo, në lidhje me ngatërresat, gjaqet e mosmarrëveshjet që ndodhnin në popull. Çështjet që nuk mundeshin me i zgjidhë stërpleqtë në fshatin e tyne, thirrnin nëndihmë krenët e dyta por, në kjoftë se edhe këta nuk kishin mundësi, atëherë duhej që çështjen ta marrin në dorë 5 krenët e mëdhaja me Gjomarkajt në krye, forumi ma i nalti gjyqësor në Kanun, dhe që tashti quhej “Zabitname”. Zabitnamja zakonisht formohej prej 5 krenvet të mëdhaja, prej krenve të dyta dhe stërpleqve t’atij fshati ku shkonte me në krye nji përfaqësues të shtëpisë së Gjomarkajve dhe dilte nëpër Mirditë me pajtue gjaqet e ngatrresat krye 3 – 4 vjetësh e simas nevojës që shfaqej. Zabitnamja zakonisht si çështje kryesore kishte pajtimin e gjaqeve, pastaj merrej me çështje të tjera të zakonshme që kishin gjetë vështirësi me i zgjidhë pleqtë, stërpleqtë apo persona të tjerë të katundit e të bajrakut. Pra zabitnamja shkonte ndër ato katunde ku kishte gjaqe të papajtueme dhe ngatërresa të pazgjidhuna, dhe aty qëndronte tue pi e hanger derisa i përfundonin të gjitha çështjet. Zabitnamja duhej gostisë sa ma mirë e me bollek. Shumë çështje, kjofshin këto edhe të nji randësie të dorës së parë, me përjashtimin e gjaqeve, i zgjidhnin katundi e bajraku me anën e pleqënisë së katundit, të stërpleqëve apo krenëve të bajrakut, pa kenë nevoja e ardhjes së zabtinames. Kur hynte ngatërresa në mes dy familjeve apo dy fiseve si për çështje kufijsh, vade ujit, dëmtime arash apo prozhmesh e pyjesh, rrahje, hajnina e tjera çështje kësodore, ndërhynte pleqënija e katundit dhe i gjykonte apo i e thotë populli, “i pleqëronin”, tue lëshu pengjet simbas katundit. Kur ndodhte që ndonjë person prishte usullin e katundit, cënonte nderin e kujë, katundi u bante të gjithë nji fjalët dhe i nepte dënimin në bazë të kanunit dhe të zakonit të vendit, deri në ekzekutimin me vdekje, pa kenë nevoja e ardhjes së zabitnames. Dënimet që parashifte zakoni dhe kanuni ishin: Dkegia e shtëpisë, premja e pemvet frytore, lanja e tokës djerr për tri a ma shumë vjet, perjashtimi i asaj familje nga katundi po për aq vjet, marrja e gjasë së gjallë gjobë tue e pre dhe shpërnda popullit mish ose ute e zie e hanger të gjithë bashkë dhe deri me vdekje. Dënimi kapital për cucën apo gruen e vejë që dilte me fjalë (shtatzanë) tue e djegë mbi turrën e druve apo tue e pushkatue, si edhe për mashkullin që e bante shtatzanë, tue e pushkatue. Ky denim i jepej edhe atij që priste “vriste” mikun në shtëpi tue i lanë marre vedit dhe të gjithë katundit. Këto dënime ekzekutoheshin në mes të popullit dhe në skuadrën e ekzekutimit duhej me marrë pjesë nga nji për çdo fis të atij katundi. Pushkën ma të parë mbi trupin e të dënumunit do ta shprazte nji ma i afërmi në farë e fisin e tij, pastaj vinin masat tjera që i pëshkrova më sipër. Kur dikush prishte ndonji usull që ka vue katundi, si tue thye vadën e ujit kujë, tue vjedhë, rrahë e prishë qetësinë, ose kush i vjedh mikut që i shkon me i bujë në shtëpi ndonji plaçkë apo pare, katundi e gjobitë tue i marrë nji o ma shumë bagëti, simbas randësisë së fajit që ka krye. Këtë kafshë apo këto kafshë që merren si gjobë theren, zihen në kazan dhe i hanë i gjithë populli bashkë, ose e ndajnë mishin copa – copa në pjesë të barabarta dhe ndahet për çdo shtëpi nga nji pjesë e madhe apo e vogël, simbas sasisë së mishit të therur. Këtë pjesë mishi që e merr çdo kryetar familjeje ose nji pjestar tjetër i familjes, nuk duhet ta pështjellin me asnji send (facoletë apo gja tjetër) por do ta shtinë në nji krande dhe do ta marrin nën dotë açik me e pa gjithkush, dhe ky mish quhet “Shtrek Gjobet”. Të tillë dënim jep edhe zabitnamja kundër atyre që nuk i binden vendimeve të saj, dhe në këtë rast kundër fajtorit nuk asht vënë vetëm nji katund si në rastin që përshkrova, por asht e gjithë Mirdita, të pesë bajrakët, sepse zabitnamja asht e formueme nga pjestarë prej të pesë bajrakëve. Kur vendimi i katundit përjashtonte ndonjë person prej katundit, ai kishte mundësi me ndenjë përsëri në ndonjë katund tjetër të Mirditës, por kur përjashtohet prej Zabitnames, ai nuk mund të qëndronte kurrkund në Mirditë, por do të emigronte jashtë 5 bajrakëve, pse askush nuk guxonte me e mbajtë mbrendë, se prishë usullin e krejt Mirditës, tue mos i ndenjë vendimit të zabitnames. Vendimet që jepeshin nga stërpleqtë apo krenët e dytë, ishin të diskutueshëm dhe mund të apeloheshin te dera e Gjomarkajve që i kishin kompetencë me e rrëzue në rast se shihej i padrejtë, kurse vendimet që jepeshin nga të pesë krenët e mëdhaja me derën e Gjomarkajve në krye, ishin të padiskutueshëm. Çdo vendim i dhanun prej zabitnames merrte formën e preme dhe i duhej bundë dashtë e pa dashtë, për faktin se ishte marrë nga forumi ma i naltë, dhe kundër atij që nuk i bindej këtij vendimi, ishte i gjithë populli i Mirditës. Për interpretimin e Kanunit të Lekës e kishte superioritetin shtëpija e Gjomarkajve me të 5 krenët e mëdhaja, pra, si e spjegonin këta ashtu mbetej e kush tjetër nuk mund të dilte me nji interpretim të dytë, se nuk kishte vlerë. Detyra e 5 bajraktarëve të zgjedhun nga njizet krenët e dyta, siç e kam pëshkrue ma sipër, ishte vetëm me mbajtë flamurin dhe me i pri popullit të bajrakut të tij në rast lufte. Flamuri i Mirditës ishte nji shtroje e bardhë me anë të kuqe, në mjedis nji hanë e yllë e nji dorë e kuqe me pesë gishta. Bib Doda i fisit Gjomarkajve i asht kenë dhanë titulli Pashë nga Stambolla për trimërinë që tregoi në luftën e ndezur në mes Turkisë e Rusisë në vitin 1853, andej ka bregu i Tunës, ku kishte shkue në ndihmë të Turkisë bashkë me Mirditas. Ky titull vdiq bashkë me Preng Pashën, djalin e Bib Pashës, që e vranë shtëpia e Cokajve të Bregut të Matës. Pra ky titull u shue bashkë me shumjen e barkut të Bib Dodës, me kenë se djali i tij Preng Pasha nuk la trashëgimtarë, Preng Pasha ka qenë martue me vajzën e Kolë Xhuxhës prej Fanit të Mirditës, por i ardhun në qytetin e Shkodrës para shumë vitesh, e qujtuna Luçie dhe nuk ka pasë fëmijë asnjiherë. Kolë Xhuxha ka kenë familje pasanike, pronarë tokash, livadhesh e vneshtash. Nga: Kolë Shtjefni
Një vështrim në historinë e Kosovës Nga: Dashamir Uruçi Të dhënat e prahistorisë dhe të antikitetit na mësojnë se Shqipëria është një nga vendet më të vjetra të qytetërimit. Shqiptarët, si popull autokton, rrjedhin nga ilirët që zinin të gjithë perëndimin e Gadishullit Ballkanik. Roma ndërmori shumë fushata kundër ilirëve. Luftërat iliro – romake dhe rrezistenca e ilirëve do të zgjasin qindra vjetë, deri sa roma realizoi pushtimin e Ilirisë së Veriut dhe të Jugut. Deri në shekullin VII asnjë burim historik nuk flet për zbulimin e tribuve sllave ose në Epirin eRi, as në Epirin e vjetër dhe as në Dardani (Kosova sot). Kështu nga të gjitha vendet e shumta të Ilirisë të epokës antike, të vetmit që nuk iu nënshtruan kolonizimit sllav gjatë shekujve VII – IX ishin arbërit, që zinin hapësirën territoriale që kishin në mesjetë, të cilën akoma sot e zënë Shqipëria dhe Kosova. Më 1217 shteti serb u vendos edhe në vendndodhjen aktuale të Malit të Zi dhe zgjeroi kufijtë e tij deri në Pejë, duke mbetur jashtë kufijve të tij Kosova. Historiani francez Alain Ducellier me të drejtë thotë se historia na mëson se serbët janë ndaj Kosovës pushtues të ardhur shumë më vonë se shqiptarët aty. Në gjysmën e parë të shekullit XIV Shqipëria bëhet teatri i luftërave të mëdha. Mbreti serb Stefan Dushani, duke përfituar nga lufta për pushtet në Bizant, në vitin 1331 e shpalli vehten car dhe zaptoi krejt Kosovën, Shqipërinë, Maqedoninë dhe një pjesë të Thesalisë. Në shekullin XIV, kur turqit do të fillonin pushtimin e Ballkanit, ata hasën gjithëkund në një rezistencë të gjallë. Kështu, në nëntor të vitit 1385, në betejën e Savrës (Myzeqeja, siç quhet tani), shqiptarët u mundën nga turqit dhe princi i tyre Balsha u vra. Në qershor 1389 zhvillohet beteja e Kosovës, të cilën historianët serbë e kanë kthyer në mit për të bazuar pretendimet e tyre politike e territoriale mbi Kosovën. Në realitet kjo betejë i vendosi turqit para një koalicioni ballkanik, në të cilën shqiptarët kanë luajtur një rol mjaft të rëndësishëm. Vlen të përmendet që në mes të shtatë udhëheqësve të këtij koalicioni ballkanik ishin dy shqiptarë. Gjatë shekullit XV shqiptarët kanë bërë një nga rezistencat më të rëndësishme në Ballkan. Kështu, nën udhëheqjen e Skënderbeut, gjatë më shumë se 25 vjetëve,a ta siguronin fitore ushtarake të rëndësishme, duke realizuar veprën e madhe politike, e cila qe krijimi i një shteti të pavarru dhe të unifikuar shqiptar. Skënderbeu qe kështu mbrojtës i qytetërimit europian, një ushtar i Rilindjes evropiane dhe mbrojtës i kristianizmit. Në Shqipëri, si gjithkund në Ballkan, në shekullin XIX kemi një etapë të re në luftërat e shqiptarëve kundër sundimit turk. Kriza e orientit ishte disfatë e Perandorisë Osmane para Rusisë së carit më 1878. Rusia, duke përfituar nga superioriteti ushtarak, mori në Kongresin e Berlinit, më 1878, një vendim shumë të padrejtë ndaj shqiptarëve. Kongresi i Berlinit i dha Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë territore të banuara ekskluzivisht nga shqiptarët. Më shumë se 200. 000 shqiptarë emigruan, duke lënë përgjithmonë tokat e tyre. Në përgjigje të Kongresit të Berlinit si dhe kundër rrezikut të grabitjes së tokave të tyre, shqiptarët thërrasin në Prizren një asamble përfaqësuese nga të gjitha krahinat, njohur në histori si Lidhja Shqiptare e Prizrenit, e cila bëri paraqitjen eparë të çështjes shqiptare në skenat diplomatike evropiane. Në fillim të shekullit XX shqiptarët ngrihen kundër Perandorisë Osmane. Kështu, në vitet 1910 – 1912, pëlcasin në Kosovë dhe në të gjitha tokat shqiptare kryengritje të mëdha. Qëllimi i tyre ishte bashkimi i katër vilajeteve shqiptare: Janinës, Shkodrës, Manastirit dhe të Kosovës për të fituar autonominë administrative dhe politike të këtyre rajoneve të populluara nga shqiptarët, duke luftuar kështu për rilindjen e Shqipërisë. Edhe një herë Turqia u tregua e shurdhër ndaj kërkesave të shqiptarëve. Shqiptarët çliruan gati të gjitha territoret e Kosovës si dhe pushtuan qendrën administrative dhe strategjike turke në Ballkan, Shkupin, të cilin e çliruan më 12 gusht 1912. Shtetet ballkanike luftuan për të penguar Perandorinë Osmane që t’u akordonte të drejtat legjitime shqiptarëve. Lufta e popullit shqiptar kishte treguar dekompozimin e Perandorisë Osmane. Shtete ballkanike do të përfitonin atëherë nga këto ngjarje për t’i deklaruar luftë Turqisë, duke pushtuar njëheri territoret që shqiptarët kishin çliruar. Tamam në luftën ballkanike më 28 nëntor 1912 në Vlorë, shqiptarët pas 500 vjet pushtimi turk do të shpallnin pavarësinë e tyre. Konferenca e ambasadorëve në Londër, e mbajtur më 1912 – 1913, ndau në mënyrë dramatike territoret shqiptare. Ky vendim tragjik qe marrë për shkak të influencës së Rusisë. Nga 70. 000 km2 të populluara në mënyrë maxhoritare nga shqiptarët, territori i Shqipërisë u reduktua në 28. 748 km2. Kështu Serbia e shtoi territorin e saj në 82 % dhe popullsinë në 33 %, Mali i Zi e ngriti territorin e tij në 62 % dhe popullsinë në 100 % (ai kishte 240. 000 banorë, ndër të cilët 180. 000 ishin shqiptarë). Këto janë Serbia dhe Mali i Zi, të cilët kanë marrë Kosovën dhe territoret e tjera shqiptare. Këto territore që ato pushtuan banoheshin në mbi 80 % vetëm nga shqiptarë.
Të jesh apo të mos jesh gazetar ekonomie?! Cilët janë “armiqtë e këtij zhanri gazetaresk? Pse gazetaria ekonomike ndonëse është më e kërkuara, është edhe më e çensuruara? Dhe ç’mund të bëhet për ta zhvilluar atë? Shpëtim Luku Kanë kaluar disa vite dhe ndoshta alergjia kundrejt firamve piramidale ka ardhur duke u shuar. Por sidoqoftë, ato ishin një e keqe e madhe, saqë ka komprometuar rëndë aët që quhet gazetari ekonomike shqiptare. Të lejosh disa mashtrues ti zhvasin popullit tënd 1. 2 miliardë dollarë e të mos jesh në gjendje të bësh as përpjekjen më të vogël, qoftë për paaftësi e qoftë për abuzime kjo do të thotë se profesioni është i komprometuar rëndë. Por ky komprometim vazhdon me të njëjta ritme. Shumë të rinj, që janë përfshirë në stafet e gazetave apo televizioneve të ndryshëm, e kanë kuptuar rëndësinë e specializimit në një lëm të caktuar, ndaj kanë zgjedhur pikërisht gazetarinë ekonomike. Piketimi i këtij zhanri dhe përpjekjet për ta justifikuar statusin e të qënit gazetar ekonomik është një arsye për t’i admiruar ata. Është ajo lloj gazetarie që kërkon koha, qytetari e vendi. E keqja më e madhe është krimi ekonomik i organizuar i përhapur tej mase e që grabit qindra milionë dollarë në vit. Njerëzit kanë nevojë të kenë “syrin” dhe “veshin” e tyre për t’i informuar rreth ecurisë së fenomeneve që kanë lidhje me ta. Taksapaguesit shqiptarë duan të dinë se kush ua përvetëson taksat, ata që konkurohen në mënyrë të pandershme duan “avokatin”, konsumatorët duan të dinë se kush ua hedh duke manipuluar me cilësinë e dobët të mallit e me rradhë. Të gjitha këto, e mijëra probleme të tjera, janë argumente që nuk ka se si të mos i “ngjethin mishtë” atij që dëshiron të bëhet gazetar në lëmin e ekonomisë. Pra sa i takon apelit qëi bën koha kësaj lloj gazetarie, të rinjtë që i futen asaj bëjnë shumë mirë. Mirëpo, ajo lehtësi që karakterizon marrjen e vendimit, kur gjykon nga rëndësia, fillon dhe përkthehet në “mendjelehtësi” kur fillon më pas dhe e ushtron atë. Sepse të shkruash për ekonominë do të thotë të bësh më të vështirën. Ka armiq të shumtë ajo. Të parët janë zyrtarucët e shtetit. Ata që punojnë në dogana, tatime e prokurime. Ti mund të shkruash rreth kontrabandës, deformimit të biznesit që shkaktohet nga dogana e me rradhë, por për këtë të duhen të dhëna e burimi i tyre është dogana. Shkon atje për t’i kërkuar sepse të vjen ndërmend detyrimi i nëpunësit publik për të qenë transparent, por shumë shpejt do të kuptosh se je pre e naivitetit. Ke shumë fat nëse arrin të kalosh rojen poshtë, e po i arrite t’ia dalësh përballë teje do të shfaqet ndonjë zyrtar që “gogëzin” kur ti e pyet. Pastaj të shikon sikur ke ardhur nga hëna e të përcjell duke të thënë se këto që kërkon janë të dhëna të karakterit konfidencial. Pasi mbarove punë, pa filluar, menjë nga ato institucione që normalisht duhet të ishin burimi kryesor i mbledhjes së informacionit, kalon njëherë andej nga tatimet, shyqyr që dy kanalet ushqyes me para të shtetit gjenden pranë njëri – tjetrit. Edhe tek tatimet dëshiron të marrësh të dhëna rreth bilanceve kontabile, për të parë se cilët janë VIP – at e biznesit, kush janë liliputët, cilët janë liliputët që hiqen si gjigandë e gjigandët që paraqiten si liliputë, por aha. Edhe këtu të thonë se në bazë të ligjit janë të detyruar të ruajnë të dhëna të karakterit konfidencial me klientët. Ndoshta Shqipëria mund të ketë jetë vendi i vetëm në botë, administrata e të cilit ua bën këtë nder të madh kundravajtësve ligjorë. Edhe nga prokurimet nuk thonë asgjë. Por edhe nëse arrin t’i kalosh këto barriera, përsëri e ke keq punën. Sepse tek të gjitha ato që konstaton e zbulon e gjen veten dhe shefi yt. Pra botuesi i gazetës. Ai që gjen paratë për nxjerrjen e saj. Ai që e ka krijuar gazetën jo si domosdoshmëri për të informuar publikun e për të bërë biznes normal me të, por si një armë në duart e tij. Me të cilën mund t’i bëjë presion ministrit, kryeministrit, organizatorëve të tenderave. Mjaft prej tyre e kanë ndërtuar një gazetë apo televizion me cilësinë e një mjeti mbrojtës, thjeshtë për të mbrojtur përfitimet e paligjshme që kanë nxjerrë. Të gjitha këto duhet ditur sepse nëse karakterizohesh nga “naiviteti”, pra nëse beson verbërisht në “lirinë e të shprehurit”, në “lirinë e medias”, në “pavarësinë e medias” atëhere nuk e ke të gjatë. Adoptimi i veprimtarisë tënde në raport me interesat e jashtëligjshme të pronarit do të thotë ndryshe autocensurë. Intensiteti i saj nuk është i vogël për ata që janë futur dhe lëvrojnë gazetarinë ekonomike. Ti mund të duash të shkruash për evazorët fiskalë, po si t’ia bësh kur në listat e tyre figuron edhe shefi yt? Edhe nëse ti e “qeth” listën emund të përmendet litari në shtëpinë e të varurit? Ti mund të duash të shkruash rreth manovrave që bëjnë firmat e ndërtimit për të ulur aktivitetin e tatueshëm të tyre. Po si t’ia bësh kur kjo i tharton fytyrën “bosit” tënd, i cili spikat në sipërmarrje të tilla? Ti mund të duash të shkruash rreth kontabiliteteve mashtrues, por si t’ia bësh kur ai ekspert kontabël që ti kritikon, të tregon se të njëjtën punë e ka bërë edhe me pronarin tënd? Armiku i tretë janë disa nga ata që janë në shënjestrën tënde. Pra kundravajtës, kriminelë ekonomikë, të cilët nuk e kanë për gjë të reagojnë në mënyrë të dhunshme kundrejt teje si gazetar. Dy rrugë ke: ose të vazhdosh e të shkruash (sigurisht nëse gjen mundësinë e botimit) e të përballesh me pasojat, ose të kënaqesh me rutinën. Unë rreshtove shkurt disa nga pengesat që të dalin rrugës gjatë realizimit të detyrës. Duke mos pasur asnjë qëllim shkurajimi për të gjithë ata që duan t’i përkushtohen këtij profesioni. Ajo që desha të theksoj është vetëm përvoja e dikujt që ka rreth 9 vite që merret me këtë punë dhe që ka dalë në këto konkludime.
Mos pa prek ti shkja Drenicën Ato ditë të nxehta lufte të vitit 1999 nënë Shqipja kishte dalë në një qoshe të avllisë dhe qante me zë të ulët që të mos e dëgjonte njeri. Burri, para gjashtë muajsh, ishte vrarë në luftë. Qe një komandant trim dhe i zgjuar. Ai e organizoi luftën me trimat që i shkuan pas. Ademi ishte gjak i gjakut të Isës, Azemit, Shotës, e qindra të tjerëve që ranë heroikisht për të fituar lirinë që shteti fqinj ia kishte rrëmbyer me dhjetëra dekada më parë padrejtësisht këtij kombi që jetone në trojet e veta dhe askujt nuk i binte në qafë. Sa shumë mendime silleshin në kokë. Mbi pesëdhjetë djem, mbesa e kushërinj të afërm të burrit u vranë e u masakruan nga regjimi serb i Sllobos. Sa kujtime të hidhura i dilnin përpara, sikur t’i shihte të gjitha në kaseta filmike, metrazhi i të cilave do të ishte sa rruga Drenicë – Prishtinë. Ndoshta edhe më gjatë… Në këto momente nënë Shqipes iu përfytyra edhe një episod i çuditshëm që ia kishte treguar një shoqe e saj. Para pesë vjetësh ngjarja kishte ndodhur në një qytet të vjetër të Kosovës dhe konkretisht: “Një nënë kishte një djalë të vetëm, 19 vjeç. Nuk kishte fëmijë të tjerë. I shoqi i kishte vdekur aksidentalisht në mërgim, 18 vjet të shkuara. Nëna e shkretë e kishte rritur të birin me shumë mundime, meqë edhe nga ana ekonomike ndodhej ngushtë. Dritani u rrit në një ambjent rrethues tepër të keq. Ai filloi të mos përfillte as nënën e vet, që ajo e donte si sytë e ballit, si djalë të vetëm që e kishte rritur me thonjtë e duarve. Djali i saj s’po pyeste më për të. Tërë ditën, nga mëngjesi deri në orët e vona të mbrëmjes, ai rrinte duke pirë nëpër lokale me një shoqëri tepër të keqe, bastarde, me të rinj që u përkisnin nacionaliteteve të tjera. Vinte në shtëpi i dehur, shante me fjalët më të fëlliqura deri edhe nënën e vet! Kurse e shkreta nënë pëpiqej ta qetësonte, t’ia thoshte ndonjë fjalë që ta prekte thellë në shpirt e të largohej nga ajo rrugë, por… Një ditë, Dritani, teksa sillej sa nga një lokal në tjetrin, një njeri që as emrin nuk ia dinte, e kishte ftuar në tavolinën e tij. – Çfarë pune bën ti, Dritan? – e kishte pyetur i panjohuri. – Unë nuk bëj asnjë punë. Jam djal i vetëm dhe më mban nëna. – Dëshiron të të gjej një punë që ti të marrësh aq para sa as në ëndërr nuk i ke parë?! – ia bëri tjetri propozimin e beftë. Dritani, pak nga avujt e alkoolit që kish pirë, pak nga dritëshkurtësia, pa një e pa dy iu përgjigj: – Unë dëshiroj, por nuk di nëse mund ta bëj… – dhe sakaq në imagjinatën e tij nisen të enden kartmonedhat si pulëbardha. – E bën, e bën, – nxitoi t’i thoshte i panjohuri, që ndërkohë kishte bërë edhe një porosi të dytë një kamarieri të veshur fin. – Edhe pse ti nuk më njeh, unë të kam studiuar prej kohësh dhe kam krijuar bindjen se je djalë i shkathët dhe i zoti. Dritani, nën trysninë e uiskit dhe të propozimit marramendës, mezi mundi të shqiptojë gati i dorëzuar: – Po ju, zotëri, kush jeni që interesoheni kaq shumë për mua? Doli nga lokali. Se si hodhi sytë nga qoshja e rrugicës. Vërtetë aty ndodhej në veturë dhe tre halabakë, sigurisht serbë, që pinin cigare të qetë. Vetja i dukej midis dy zjarresh, dhe ashtu, si sonambul, ai eci drejtë shtëpisë. E ëma, si çdo nënë, i doli përpara që ta priste. Nuk pati kurajo që të shikonte në sy, veç i tha: – Kam diçka të rëndësishme për të biseduar me ty. – Po biro, erdha. – Ulu këtu, në minder! – i tha ai, edhe si me të ulur, edhe si në formë urdhëri! Ajo u ul e tronditur nga një gjendje krejt e veçantë e të birit në fytyrë. Sytë që i lëviznin dhe ajo ngjyrë e verdhë që i kishte rënë flisnin për një diçka që i kishte ndodhur dhe për këtë zemra e nënës rrahu fort. Mbase i biri që ishte edhe në moshë për nuse… – Fol Dritan, mos ki turp nga nëna, mos ndoshta ke rënë në dashuri me ndonjë vajzë, – tha ajo me shumë me gëzim se sa me frikë, e bindur se po të lidhej i biri me ndonjë moshatare të tij, me siguri do të largohej edhe nga rruga, nga klubet e nga pija. Dritani, pa i kthyer asnjë përgjigje heq thikën nga këllefi dhe ia ngul nënës së tij në zemër. Ajo, që me goditjen e parë, mbeti pa ndjenja, e mbytur në një pellg gjaku, me një lot që i zbriste nga faqja e fishkur dheme një pyetje që kishte mbetur pa u bërë. “Përse e bëre këtë, o bir?” vrasësi i nënës tashmë duhej ta çonte krimin deri në fund. Pa shpirt dhe pa asnjë ndjenjë njerëzore, ia çau krahërorin më dysh, atë kraharor që me vite qe mbështetur, dhe ashtu, me duart e përgjakura ia hoqi edhe zemrën, e futi në kuti dhe me një frymë u nis drejt padronit që e priste me trimat e tij në qoshen e rrugës. Errësira e trembte, i dukej se dikush e ndiqte, ndofta edhe mallkimi i nënës, ndofta… prandaj nga hapa të nxituar, ia dha me vrap… Por diku këmba i has në një gur dhe… rrëzohet… E zemra e nënës, që nga kutia që mbante në duar, i thotë: “Ruaju se u vrarë, o bir!” Dritani u ngrit i trembur. Dëgjonte të qeshurat e trimave të padronit, që sigurisht e kishin parë, fshiu gjakun dhe ia dorëzoi kryemafiozit zemrën e nënës së tij. Ai e pa në dritaren e makinës, pastaj duart e përgjakura e fytyrën e zbehtë si meiti të Dritanit dhe iu drejtua të tjerëve: – Jepjani dorën, është shoku juaj! Kështu, pas atij akti të shëmtuar e të padëgjuar, Dritani u bë anëtar i një zbulimi të huaj, grup i cili kishte plane tepër të rrezikshme për Shqipërinë. Masakrat makabre ndaj popullsisë së Kosovës nuk u përgatitën në një ditë, as për një javë. Ngjarjet e hidhura që pasuan njëra – tjetrën kishin rrënjë të thella, tepër armiqësore kundër popullit shqiptar. Ato ishin shfaqur me veprime konkrete me dhjetëra vjeçarë më parë dhe përgatisnin terrenin për ta zhdukur kombin shqiptar. E megjithatë, për pesë shekuj luftë me shqiptarët, Perandoria Osmane nuk ia arriti dot, serbomalazezët më anën tjetër, megjithëse shtet fqinj, bënë të pamundurën për të na zhdukur nga faqja e dheut dhe, se ata, nuk mundën t’i realizojnë planet e tyre ogurzeza ndaj shqiptarëve, prej të cilëve s’kishin asnjë të keqe. Europa asnjëherë nuk punoi në favor të Shqipërisë, por në të kundërtën. Kongresi famëkeq i Berlinit këtë bëri, copëtimin e Shqipërisë dhe krijimin e të gjitha mundësive për të na zhdukur si komb. Këtu u vërtetua më së miri shprehja e Bismarkut se “Shqipëria nuk është gjë tjetër vetëm një shprehje gjeografike”. Pra, thoshte ai, nuk ekziston kombi shqiptar!… Shqipërinë vërtetë e copëtuan dhe u munduan ta shkatërrojnë, por kombi shqiptar nuk u zhduk dhe nuk do të zhduket, deri sa të jetojnë planeti ynë. Të gjitha këto kujtime të hidhura i kalonin në kokë në këto momente nënë Shqipes, ajo ngrihet e del në kopësht dhe përsëri bluan në mendjen e saj: – As sot nuk u intereson disa paraardhësve të Bismarkut, edhe pse ka kaluar gati një shekull që atëhere, për ta zgjidhur me drejtësi krizën në Kosovë. Ç’bëri Konferenca e Londrës e vitit 1893? Asgjë. Po Konferenca e famëshme e Dejtonit pak më vonë? Çështja shqiptare që ishte kryesore në rendin e ditës, prapë u anashkalua. Pra, nuk u interesonte atyre që drejtonin konferencat dhe që mbanin në kokë qëndrimet e vjetra të Europës ndaj Shqipërisë e shqiptarëve. Akoma, siç u pa konkretisht në këto konferenca, mbretëron “sëmundja” e vjetër e tyre, e cila gjithnjë e ka parë bashkimin e shqiptarëve si rrezik për destabilizimin e Ballkanit. – Ata me disa udhëheqës shqiptarë, i bënin thirrje popullit të Kosovës të bashkohen me Drashkoviçët, Arkanët, Sheshelët dhe me një kriminel tjetër, Sllobon, për “paqe”. Pacifizmi i presidentit, kur Kosova po kallej në flakë, ishte një veprim i rrezikshëm! Një nga thirrjet më absurde dhe më tragjike që i ishte bërë ndonjëherë këtij populli! Është e tmerrshme që kjo thirrje lëshohej edhe nga ai që bëri 28 vjet burg!! Ajo e bënte kurban popullin e vet. E megjithatë, ky i fundit, pranon të bëhet udhëheqësi politik i UÇK – së, por, kur Ushtria Çlirimtare e Kosovës me punën dhe luftën e saj bëri që ta njohin mirë jo vetëm ushtria e policia terroriste serbe, por edhe mbarë Europa e Amerika, përsëri A.D. në fjalë mundohet të mos e lejojë udhëheqjen e UÇK – së të shkojë në Rambuje të Francës. Ai nuk shkoi vetë dhe përpiqej që të mos i lejonte të shkonin edhe ata. Sa absurditet! Por, megjithë pengesat e udhëheqësve serbë, pati edhe bashkëpunëtorë të tyre që donin ta mohonin emrin e lavdishëm që fitoi me gjak, të shuanin jehonën ndërkombëtare të saj. Pra u vërtetua këtu më së miri se UÇK – ja nuk ishte bandë kriminelësh, siç e paraqiste Beogradi, por një ushtri e rregullt, e kompletuar, të cilën e thërriste gjaku i heronjve dhe dëshmorëve të dilte për të shpëtuar popullin dhe gjithë Kosovën në ato ditë kur okupatori serb i kishte vënë zjarrin vatër më vatër. Ndaj themi me të drejtë se Kosovën e çoi në Rambuje të Francës UÇK – ja. Se si arriti deri në atë shkallë të trajtimit politik ndërkombëtar çështja e Kosovës, nuk është vështirë të mendohet e të spjegohet. Kosovën e çoi në Rambuje të Francës lëvizja e gjerë popullore çlirimtare, e cila njihet shkurt me emrin “faktori UÇK”. Nëse nuk do të ishte lëvizja çlirimtare, çështja shqiptare në ish – Jugosllavi as nuk do të ngrihej deri në shkallën e në çështjeje ndërkombëtare. Në kushtet kur faktori i jashtëm u bë faktori themelor për administrimin e brezave dhe dhënien e drejtësisë, mund të thuhet se kjo është një fitore e parë dhe e rëndësishme e UÇK – së. Beogradi, para Konferencës së Rambujesë, nëpërmjet ministrit të jashtëm, deklaroi se do të bisedonin vetëm me Rugovën dhe se nuk do të shkonin në Konferencën e Rambujesë… Këtë mendim, nënë Shqipes, i kishte thënë i shoqi, Ademi. Ato ditë të nxehta korriku të vitit 1998, nga vapa e dielli përvëlues dhe nga lufta e guximshme e UÇK – së me okupatorin mizor serb, por përgatitej të shkonte në ndihmë të shokëve edhe Blerim Drenica me një grup të rinjsh. Kishte ardhur koha. Ishin pjekur të gjitha kushtet objektive e subjektive që krisma e pushkës së UÇK – së të dëgjohej tani edhe jashtë Kosovës, deri në Europë e më larg, deri në Amerikë, deri në selitë e OKB – së dhe të NATO – s. Nuk ka kohë më me pritë, nuk ka më marrëveshje “paqeje” me okupatorin e përjetshëm serb. Tani flitej vetëm përmes grykës së pushkës. Rrugë tjetër s’ka. Kush flet për të kundërtën, nuk mund të jetë më shqiptar, nuk ia don të mirën Kosovës e as kombit shqiptar. Blerim Drenica, djali i vetëm i nënë Shqipes, kishte mundur të siguronte një armë dhe municion e po bëhej gati të shkonte në rreshtat e luftëtarëve të lirisë së Kosovës, me UÇK – në! – Liri a vdekje, nënë! Rrugë tjetër s’ka për ne, bijtë e Kosovës martire! O sot, o kurrë! Gjaku i babës tim dhe i dëshmorëve të tjerë na thërret për luftë, për çlirimin e Kosovës. – Mirë, zemra e nënës, shpresa e nënës! Shko tek shokët e tu dhe lufto për Kosovën tonë të dashur, lufto si trimat më në zë të saj, si Baca Isë, Azemi, Shota e qindra e mijëra të tjerë, pra edhe si babai yt, ishalla nuk do të vritesh… Zoti ta ndriçoftë rrugën, o bir i nënës! E di, ma ndjen zemra se do të kthehesh me fitore. Nëna të pret, e fejuara të pret, të gjithë të presin si fitimtar! Kur të kthehesh do të festojmë dy gëzime: Fitoren, lirinë e Kosovës dhe dasmën tënde! Kaq tha nëna dhe dy pika loti i rrëshqitën nga sytë. Kurse e fejuara, Agimja, bu gati të shfrynte nga malli, por e ndaloi vehten, bëri dy – tre hapa para dhe iu hodh në krahë Blerimit. – Ruhu, Bblerim! Të pre! Diku larg dëgjohej një këngë, si hymën: “Mos ma prek ti shkja, Drenicën, Se kam gjallë Azem Galicën…
Bekuar qofshin kriminelët “Maqedonia është një vend i shenjtë, por edhe një vend heronjsh. Përgatituni të mbroni Maqedoninë”, ka thënë peshkopi Stefan, në një ceremoni fetare, ku Kisha u ka shpërndarë medalje paramilitarëve të dyshuar. Por në radhën e të ftuarve u shqua qartë edhe kryeministri Lubço Gjerogjevski. Ndërmjet atyre që kanë marrë medalje, kanë qenë edhe anëtarë të njësisë së Ndërhyrjes së Shpjetë të Ministrisë të njohur si “Luanët”, të cilët shumë vëzhgues ndërkombëtarë dhe disa maqedonas i konsiderojnë si Forca Paramilitare. Komandanti i Luanëve, Goran Trajkov është graduar gjatë ceremonisë me gradën gjeneral major, pavarësisht nga fakti se ai është shkarkuar si roje personale e Presidentit Boris Trajkovski, për sjellje të gabuar gjatë fushatës elektorale të vitit të kaluar. Ushtria Kombëtare Shqiptare (UKSH), një organizatë sekret, pasuese e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK e cila tani është shpërëbërë), kanë reaguar ndaj ceremonisë, duke kërcënuar për një rifillim të luftimeve. “Bekimi i njësive paramilitare nga drejtuesi më i lartë i Kishës Ortodokse maqedonase dhe blerja e re e armëve nga Ukraina, Rusia dhe Kroacia, na detyrojnë të përgjigjemi”, thuhej në komunikatën e UKSH – së. Kjo organizatë ka paraljmëruar për një “ofensivë të mundshme” kundër “aparatit represiv sllavo – maqedonas ndaj shqiptarëve”. Ende ka shumë pak informacion rreth drejtuesve apo forcës së kësaj organizate. Ceremonia ka dëmtuar përpjekjet e grupeve të moderuara për të ulur tensionet etnike në vend. Në Haraçin, një fshat 10 km në lindje të Shkupit, i cili ka qenë arenë e luftimeve të ashpra ndërmjet forcave të sigurimit dhe luftëtarëve shqiptarë vitin e kaluar, aktivistë të Qendrës për Tolerancë Ndër Etnike janë përpjekur gjatë kësaj periudhe të inkurajojnë tolerancën ndërmjet të rinjve maqedonas dhe atyre shqiptarë. “Ne mbledhim të rinj nga Haraçina dhe i nxisim të thonë haptazi në sytë e njëri – tjetrit, se çfarë mendojnë dhe ndjejnë,” thotë Dushko Minovski, një koordinator i qendrës, duke përshkruar programet e tyre në fshatin nga i cili janë larguar vitin e kaluar pjesa më e madhe e banorëve maqedonas. Kryetari i bashkisë Reshat Ferati, i cili është shqiptar, e përkrah këtë lëvizje. “Bashkëjetesa ndërmjet dy grupeve etnike do të ekzistojë, megjithëse disa thonë se është e pamundur”, është shprehur ai. Drejtuesit politikë shqiptarë dhe disa parti maqedonase të opozitës kanë dënuar dhënien e medaljeve për policët. “Ky është një hap tjetër drejt ndarjes së organizmave shtetërorë në bazë fetare dhe kombëtare,” ka thënë Naser Ziberi, i Partisë Shqiptare për Prosepritet Demokratik (PDP), njëra prej dy partive më të mëdha shqiptare në parlament. Fatmir Etemi, i Partisë Demokratike që Shqiptarëve, ka thënë se nëse priftërinjtë mund të bekojnë policët e krishterë, klerikët Islamë kanë të njëjtën të drejtë të bekojnë policët muslimanë. Edhe Partia Socialdemokrate në opozitë e ka kritikuar këtë hap. Georgi Spasov, sekretari përgjithshëm, ka akuzuar Gjerogjevskin dhe ministrin e Brendshëm Ljube Boshkovskin (një tjetër përfaqësues i linjës së ashpër), se kanë shkelur detyrimet ndërkombëtare për të ndërtuar në shoqëri multietnike. Meto Jovanovski, i organizatës së të Drejtave të Njeriut (Komiteti Maqedonas i Helsinkit), ka thënë se nuk ishte e qartë nëse Luanët janë një organizëm i ligjshëm. “Është krejtësisht në kundërshtim me frymën e marrëveshjes së Ohrit,” ka thënë ai, duke iu referuar marrëveshjes së paqes të arritur Gushtin e kaluar me ndërmjetësimin e komunitetit ndërkombëtar, me synim dhënien fund të konfliktit etnik. Jovanovski ka thënë se premtimi i Boshkovskit për të furnizuar këtë njeri me armë të rënda, tregon qartë karakterin e saj paramilitar. Gjerogjevski mund të ketë marrë pjesë në ceremoninë e dhënies së medaljeve për shkak të bindjes se një vale e re luftimesh mund të jetë e paevitueshme. Duke folur në televizionin shtetëror pak përpara vitit të ri, ai ka thënë: “Rifillimi i konfliktit është i mundshëm pas shkrirjes së dëborës”. Këto deklarata nuk bëjnë asgjë për të ndihmuar presidentin e moderuar të vendit në përpjekjet e tij për të konsoliduar planin e paqes. Ndër kushtet e këtij plani janë krijmi i një force policore me përbërje të përzier etnike, e cila të marrë nën kontroll zonat e mbajtura nga luftëtarët shqiptarë, çarmatimi i milicëve dhe ndryshimet në kushtetutë, të cilat të përmbushin kushtet e shqiptarëve. Asnjë nga këto ndryshime nuk është përfunduar ende dhe kjo është arsyeja që veprimet e kryeministrit rrezikojnë të dëmtojnë të gjithë procesin e rivendosjes së besimit në Maqedoninë me populli të përzier. Vladimir Jovanovski Gazetar në Shkup
Strasburgu ka gjobitur Greqinë rreth 4. 2 milion sterlina dhe 165. 56 miliard dhrahmi Shteti Grek mban qëndrim stalinist. Greqia i ka borxhe edhe Shqipërisë Nga: Alma Mushi Autoritetet greke janë dënuar nga gjykata e të drejtave të njeriut në Strasburg, jo vetëm me shuma kolosale parash, por edhe me kritika të rënda, pasi nuk kanë pranuar kurrë të njohin të drejtën e pronës, ndaj familjes mbretërore. Një qëndrim i tillë, natyrisht që nuk është i panjohur për shtetasit shqiptarë, një pjesë e të cilëve, ata të krahinës së Çamërisë, kanë edhe një konflikt të së njëjtës natyrë me qeverinë Greke. Por, vendimi i marrë nga Gjykata Europiane e Strasburgut, duhet konsideruar dhe si një sinjal i rëndësishëm se Greqia, e mori mësimin e saj të parë për çështje që lidhen me të drejtën e pamohueshme të pronës. Fillimisht mësohet se nën akuzën: “shkelje të të drejtave të pronës”, lidhur me konfiskimin e pronave të ish mbretit Konstantin, motrës së tij, princeshës Irene, dhe tezes, princeshës Katrine, qeveria greke do të dëmshpërblejë, familjen mbretërore, vetëm për mobiljet e pronave të patundshme. Me 165. 56 miliardë dhrahmi; për pronat e tundshme të konfiskuara me 3. 41 milion sterlina; për dëmin moral 100 mijë sterlina dhe për taksat e shpenzimet e procesit me 644 mijë sterlina. Ndërkohë, gjykatësit e Strasburgut nuk janë mjaftuar vetëm me dënimin e qeverisë greke, nëpërmjet shumave të tilla, vlerën e të cilave mund ta përcaktojë saktë kushdo, por nuk kanë mungur dhe kritikat. Kështu, gjykatësit europianë i kanë kritikuar rëndë autoritetet greke pasi, sipas tyre, kjo qeveri ka refuzuar për një kohë të gjatë, çdo dëmshpërblim për familjen mbretërore, nën pretekstin se: “nuk ishin prona private”! Nga kjo histori, sigurisht mjaft e hidhur për qeveritarët grekë, dalin përfundime jo të reja për ne shqiptarët, por që mbështesin konsideratat tona për fqinjët helenë. Së pari, vërtetohet akuza jonë se ata që na kanë rënë për hise si komshinj, janë mashtrues të atij kalibri, sa brenda përbrenda vetes punojnë për ta futur të vërtetën shtatë pashë nën dhe. Së dyti, ata që drejtojnë shtetin grek guxojnë dhe realisht mashtrojnë dhe komunitetin ndërkombëtar, deri dhe institucione të larta të drejtësisë europiane. Dhe konkluzioni i tretë është që, ne shqiptarët, gjithmonë e kemi ditur se një ditë të bukur ndaj autoriteteve greke do të kishte një reagim të parë nga institucione të rëndësishme ndërkombëtare, qëdo t’u thyente hundët atyre, por njëherësh me këtë duhet theksuar dhe fakti se ky reagim apo më saktë dënim, nuk do të jetë i fundit, pasi shumë shpejt, Gjykata Europiane e Të Drejtave Të Njeriut në Strasburg, nuk është çudi që të ketë një tjetër padi për të gjykuar ndaj qeverisë Greke, nga populli Çam, me nështetësi shqiptare. Dhe, si për çudi, dhe ky rast do të jetë sërish për shkelje të drejtave të pronës nga qeveria Greke!
Editorial Shqipëria drejt votimeve. Komunizmi në arkivol Kriza shqiptare s’mund të kalohet pa zgjedhje të reja, ndaj dhe po i kushtojmë vëmendje votës. Procesi i të drejtës së votës, asaj që gëzon çdo shtetas në një shoqëri të lirë dhe demokratike, shpesh “thyen hundët” në shkëmbinjtë e mentaliteteve dhe arsyetimeve allashqiptare. Me këtë duam të themi se shqiptarët gjithçka mund të kenë arritur të imitojnë nga bota kontemporane, nga bota që gjallon përreth, por edhe brenda nesh, nga bota e emancipuar, por në asnjë moment nuk kanë mundur të jetë ndryshe veçse shqiptarë. Kjo madje ka ushqyer shumë mendje të turbullta të orjentojnë dhe të argumentojnë shkaqet dhe pasojat e shumë zhvillimeve, mbi të cilat është përpjekur të hedhë shtat një mendim i ri, një taktikë e re dhe me premisa që të jetë më perspektive dhe më civile në të gjitha pikëpamjet e saja. Shumë shpejt do tu drejtohemi kutive të votimit, prandaj le t’i kthehemi në fondament problemit të votës, autoritetit që ka secili zgjedhës dhe misionin që mishëron në vetvete vota, gjithmonë kur atë e kemi hamendësuar të lirë dhe demokratike. Sali Berisha dhe opozita shqiptare janë në epësi të padiskutueshme, pasi shteti ka degjeneruar, siç pophon edhe Fatos Nano. E pafalshme, madje herezi mund ta konsiderojmë faktin, se një fatkeq me koshjencë, të paktën kështu mendon dhe për këtë aspiron, ka votbesuar vijimësinë e fatkeqësisë së tij. Ky syresh i bindur, se ka dhe më mirë, sesa ambjenti në të cilin ai është servirur si krijesë perspektive dhe e përkohëshme, gjykon gabimin, si të vetmen mundësi të evidentimit të prezencës dhe autoritetit të tij në një realitet. Kjo është e pafalshme, por nuk ka sesi mund të jetë objekt hakmarrjeje, të paktën për njerëzit, të cilët pagëzimi, si të tillë ata, i ka pasuar që me vërtetësinë biblike, si mishërues të mëkatit, por jo të krimit. Autoriteti i individit, për pasojë i të drejtës së tij në një shoqëri civile të emancipuar, dhe të ç’prangosur nga diktatet dhe imponimet është shfaqur dhe duhet të ruaj dinjitetin, si një qënje, dhe pjesë e këtij realiteti. Le të kthehemi sërish tek vota, që përkthehet, tek vullneti. Nëse keni dëgjuar ndonjëherë, në ndonjë përvojë, se e drejta për të zgjedhur është ajo për të zgjedhur më të ligun, më perversin, më mashtruesin, më hipokritin, më, më, ku dimë ne se çfarë, atëherë ne do të ndalnim çdo referencë, çdo përkufizim, do t’i vinin thonjtë në fyt çdo argumentimi dhe logjikimi që do të binte ndesh me të pranueshmen, me logjiken. Konkretisht, shqiptarët në historinë e tyre të vonë kanë votuar vetëm një herë, duke dëshmuar kapacitetet e një njeriu të emancipuar, që aspiron për perspektivën, demokracinë dhe vlerat humane. Ishte 1992 – shi që nuk e zhgënjeu popullin. Është tjetër gjë të gënjehesh, sepse njohja kushtëzohet nga shumë faktorë, por për shqiptarët, komunizmi nuk është panjohur. Mund të themi pa frikë, se 70 përqind e tyre ishin të persekutuar. Persekutim nuk do të thotë se duhet të jesh me çdo kusht brenda katër mureve dhe nën zërat e ashpër të dyerve të hekurta dhe gardianëve. Shqiptarët janë fajtorë, për atë që bënë në 1997, 2000, 2001, sepse njiheshin tashmë më mirë se me askënd me persekutorët e tyre, ata që ua kishin bërë jetën verem, lirinë ua kishin shkallmuar si mos më keq, duke e katandisur deri në shpërfytyrim njeriun, dhe duke e degdisur atë në personifikimin e një hekuri që duhet t’i bindet lëvizjes që pason ngacmuesi pararendës. Pra, njeriun e panë si një makinë, e trajtuan si të tillë. Dhe nuk kishte sesi pasuesit e këtyre monstrave të ishin të paktën në minimumin e shenjtorëve, jo. Gabimet gjithmonë janë të pafalshme, pavarësisht se ato në vetvete mbeten të pariparueshme. O burra, të pranojmë gabimet, dhe duke i pranuar ata duke ulur kokën, nën trysninë e reflektimit do të ishim në gjendje të bënim qoftë edhe një hap, të mangët ama, por jo fatal, sikurse e bëmë dhe vazhdojmë ta pësojmë sot e kësaj dite, me një pushtet pervers, me një gjyqësor të korruptuar, që ta liron kriminelin sa herë ta kapin policia. Gabimin që ne bëmë, bëhet fjalë jo vetëm për gabimin e vitit 1997, por për të gjitha proceset alogjike të operimit dhe të së drejtës defiçente të bërë prej tyre prezent në kohëra dhe hapësira të ndryshme. Fundja, le t’i harrojmë shumëçka që ka mundur të vijë qoftë dhe si përvojë deri në të sotmen. Le të shikojmë, të mendojmë, të gjykojmë dhe të vendosim sot si sot, jo sot dhe për të ardhmen, me mentalitetet e së kaluarës, me paranojat që deri diku kushtëzuan ekzistencën tonë. Nuk mund të themi që kjo është absolutisht e lehtë dhe e mundshme që të kapërcehet. Nuk do të mendonim dhe të arsyetonim kështu, sepse do të bënim një gabim, dhe duke bërë këtë ne nuk do të bënim gjë tjetër veçse do të mbartnim përgjegjësitë e brezave mbi identitetin e sotëm. Gjithsesi, opozita sot është e përkrahur nga faktori ndërkombëtar. Albert Vataj Sokol Pepushaj
Nga: Mark Bregu Dilemat në Këshillin Bashkiak… zgjidhen me mendim shkencor… dhe jo klanor, as partiak… Ndërsa po bisedoja me një mikun tim (këshilltar në Bashki) ai më tha se janë paraqitë disa kandidatura pët’ju ngritë shtatore disa personaliteteve, por nuk po gjejmë konsensus. Një propozim ishte paraqitur për Kara Mahmut Pashën – Bushatlliun, ndërsa një tjetër për ish Mbretin – Ahmet Zogu (Zogu i Parë). Pa mohuar aspak vlerat e këtyre dy figurave, jam i mendimit që çdo person që propozohet për t’i ngritë Monument, ma parë aktiviteti i tij duhet vendosur në “peshoren” e historisë, dhe jam i bindur se Shkodra ka kapacitet për të vlerësuar figurat, mjafton të jenë të paanshëm dhe të “peshojnë” me kujdes pa i vënë “këmbën” peshores… Në Këshillin e Bashkisë janë dhënë tituj me bollek, sa që mund të krijohet një “batalion” zboristësh, si kur ti vendosim në “rresht për dy”. Kam mendimin se “Nderi” dhe “Krenaria” e qytetit janë ose do të jenë ata burra të cilët do ti ndalojnë dorën krimit, korrupsionit, atyre që do t’i kthejnë Shkodrës qytetarinë dhe kulturën e nëpërkëmbur. Për sa i përket ngritjes së ndonjë “Shtatoreje”, kam mendimin që zotërinjtë e Këshillit të Bashkisë, mbasi të kenë siguruar fondet e nevojshme për rregullimin e rrugëve dhe trotuareve të qytetit, atëhere të merren me ngritjen e shtatoreve, dhe jam i bindur se Shkodra ka figura të shquara sa mund të “pushtojnë” të gjitha sheshet dhe rrugët e qytetit. Për të përcaktuar se kush duhet vënë në “Piedestal”, në radhë të parë duhet të heqim dorë nga mëllefet partiake, sepse për fat të keq shohim “bardh e zi”, me një fjalë duhet të mësohemi me “kolorin”. Jemi mësuar të duam ose të urrejmë marrëzisht, që do të thotë: (mungesë e kontrollit të emocioneve). Kush e ka edhe një minimum njohjeje (në fushën e historisë) e di mirë se Iliria i “dhuroi” Perandorisë Romake (12) perandorë, Perandorisë së Bizantit (4) perandorë. E njëjta “mrekulli” na përsëritet edhe gjatë pushtimit osman kur edhe kësaj Perandorie i dhanë si “shpërblim” për pushtimin pesë shekullor 28 kryeministra!… Në bazë të këtij konkluzioni historik, mund të bëjmë një llogaritje krejtësisht të thjeshtë: Më shumë vlera ka talenti i 12 perandorëve me origjinë Ilire që i shërbyen Romës, apo Teuta – Mbretëresha krenare e Ilirisë? Më shumë vlera kanë 4 perandorë që i shërbyen Bizantit, apo Blashajt e Shkodrës, të cilët për afro 30 vjet, zgjeruan kufijtë e Arbërit, nga Kroacia në Artë dhe deri në mesin e Maqedonisë, dhe në zemër të Greqisë (bashkë me – Gjin Bua Shpatën). A kanë më shumë vlerë 28 kryeministra të cilët i shërbyen Perandorisë osmane, apo Gjergj Kastrioti, i cili për një çerek shekulli, u bë mburojë e Arbërit, dhe shpëtimtar i qytetërimit europian, nga hordhitë aziatike? Mbasi të analizohen me kujdes këto fakte historike, do të jetë shumë e lehtë me konkludue, se: asnjë pashallar kolaboracionist, asnjë monark apo diktator nuk mund të ngrihet në Piedestal, në Shkodrën e Rozafës, në Shkodrën, biri i së cilës, – Luigj Gurakuqi, udhëhoqi të parën opozitë demokratike që triumfoi në Qershorin e vitit 1924, ku bëri pjesë ajka e kulturës shkodrane: Gurakuqi, Maliq Bushati, Atë Gj. Fishta, Hilë Mosi, Dom. Ndre Mjeda etj. Në rast se do të pranohet me fakte historike se figura e Mbretit Zog rezulton më shumë pozitive se sa negative, atëhere monumenti mund të ngrihet në Kryeqytet aty ku kishte selinë, ose në vendlindjen e tij, në Burgajët ose në mes të Burrelit. Zotërinjve të Këshillit të Bashkisë mund t’ju sugjerojmë që të mendojnë më shumë për ata patriotë të kulluar që vendosën gjakun e tyre në Altarin e Kombit, ose atyre që shkëlqyen në Rilindjen Europiane, si Marin Barleti, – shkrimtar, historian i përmasave europiane. Nuk duhet harruar se monumentet që iu ngritën – Isa Boletinit, Luigj Gurakuqit, Prekë Calit dhe Atë Gjergj Fishtës (këtij të fundit i, – “shëmtuar”), janë shumë të studiuar dhe to t’ju qëndrojnë shekujve. Më parë duhet të mendojmë për Gencin (Mbretin Ilir), për Balshën, Dasho Shkrelin, Hodo Sokolin, Dedë Gjon Lulin, Nanë Terezën. Nuk duhet të mohojmë heronjtë e Luftës së Dytë Botërore: Manush Alimanin, – ish i bir i denjë i Shkodrës, dhe vdiq i gozhduar si Krishti në torturat e kriminelit nazist – Hans Dingut. Nuk mund ta taksohet një djalosh 22 vjeçar për utopinë, kur ajo ekziston edhe sot në mendjet e njerëzve. Është shumë më i pranueshëm një Monument i Manush Alimanit i cili u ekzekutua nga pushtuesit e huaj se sa ai i “Pesë Heronjve” që deshën të predikojnë internacionalizmin komunisto – ateist në zemrën e nacionalizmit dhe katolicizmit shqiptar, në Mirditë. Shkodra duhet të ngrejë piedestale për Norën e Kelmendit, për Mehmet Shpendin, për intelektualët e shquar dhe “Ambasadorën” e kulturës kombëtare, të papërsëritëshmit Martin Camaj e Arshi Pipa. Për ngritjen e shtatoreve, duhet të ketë komisione të posaçme me njerëz kompetent, seriozë, dhe të paanshëm, dhe që nuk paragjykojnë. Mendimin tim do ta ilustroj me një shembull të thjeshtë dhe konkret: Më kutohet një rast sa interesant, aq dhe tipik. Po bisedonim me kompozitorin e madh (të ndjerin Pjetër Gaci), në lidhje me figurat e letrave shqipe, dhe ai më tregoi një rast të ndodhur në v. 1988: – kishin ardhur një grup turistësh gjermanë dhe po qëndronin para monumentit të pesë heronjve, – më thotë Pjetri, dhe njëri nga turistët e kishte pyetur përkthyesin, ç’është kjo përmendore gjigande? Mbasi përkthyesi i kishte bërë spjegimin për aktivitetin e heronjve, gjermanët kishin bërë këtë sugjerim: Ky monument i “stërmadh”, është krejtësisht “mikroskopik” para bustit të “Migjenit, të cilin përveçse e keni bërë në miniaturë” për fat të keq e paskan “fshehë” në hije! Shkodra njihet si një ndër vatrat më të ndezura të kulturës, prandaj këtë traditë duhet ta ruajmë dhe ta pasurojmë, nëse do të mendojmë që të mos na qortojnë brezat, dhe të mos bëjmë “humor” me mediokritetin tonë.
Sindikalizmi dhe anarkisindikalizmi Është shumë i drejtë Zoti, por edhe Ai ka një armik, djallin. Kjo shprehje e përdorur nga shkrimtari Sulejman Krasniqi duket se është filozofia e vetë zhvillimit të jetës. Që nga diktatura kur djalli pothuajse përbënte “të mirën” me ideologjinë e tij famëkeqe komuniste edhe në daljen në demokraci dozat e tij nuk u zhdukën, por u kamufluan. U zhdukën për t’u rishfaqur, u stepën për të marrë revansh. Edhe në zhvillimin e tij individi vazhdimisht është në një luftë të tillë. E mira dhe e keqja bashkëudhëtare në jetën tonë janë ato që vazdimisht të joshin drejt moralit, drejtësisë, ndeshmërisë dhe kontributit apo drejtë amorales, korrupsionit, trafikut etj. Kjo luftë të themi e përditëshme në perceptimin që individi duhet t’i bëjë realitetit e shoqërisë pasqyrohet më së miri dhe në grupet shoqërore e politike ku ne jemi të angazhuar. Meqenëse elementi njeri është elementi përbërës më relativ i këtyre grupimeve me komplekset e tij që mbart ai është edhe më problematiku. Dhe historia jonë pas viteve ‘90 flet qartë për këtë. Ndoshta bile kjo është vetë themra e Akilit e dobësive të shfaqura. Dhe padyshim këtë sëmundje e ka vuajtur dhe zhvillimi sindikalist shqiptar. I ngritur në vitin 1992, në mënyrë pothuajse artificiale, supet e tij ishin pothuaj të brishta të mbanin detyra dhe obligime kaq të rëndësishme përsipër. Dhe ç’është më e keqja ne iu referuam praktikave e metodave më të dobëta dhe rrugës së ushtrimit të detyrës. Po si ndodhën në të vërtetë këto. Fatkeqësisht ndërtimi i një institucioni kaq të rëndësishëm siç është sindikalizmi ndodhi në vitet e polarizimit të madh. Dhe kjo ishte gjysma e së keqes. Përfaqësuar nga dy grupime sindikale si Sindikatat e Pavarura dhe Konfederatat sindikalizmi kishte për detyrë atë që në mbarë botën është misioni më fisnik; të luftonte për rritjen e mirëqenies së punëtorëve, të luftonte për mbrojtjen e kërkesave të popullit. Por pema që është rritur e shtrembër që e re është e vështirë të drejtohet më vonë. Dhe kështu në vend të institucionalizimit të punës në në lojë hynë interesat politike e personale. Për të ndihmuar në punën e tyre shteti ju dha Sindikatave dhe një pasuri të konsiderueshme në prona të paluajtshme. Kjo me qëllim të mirë, por që u kthye në bumerang. Pelivanë të llojit që përfaqësojnë të keqen kërkuan mbështetjen e kujtdo në shpërbim të gjithkujt, por jo të sindikalizmit për t’u bërë të parët e këtyre organizatave. Sindikalizmi i drejtuar nga të tillë drejtues përfundoi nga sindikalizëm në abuzivizëm. Dhe për fatin e keq megjithëse krejt i dukshëm bile dhe i denoncuar nga kontrolli i shtetit i padënuar deri tani. Edhe një hapë më shumë për keq. Kaposhë të Sindikatave filluan të përdorin udhëheqës të lartë me të cilët bashkëpunonin. Sa absurde. Të përziesh sindikalizmin e politikën do të thotë ta tradhëtosh atë. Të përziesh sindikalizmin e politikën do të thotë që kjo e fundit të paragjykojë dhe të të përdorë. Dhe këtë e pranojnë vetëm drejtues të cilët kërkojnë të përfitojnë në kurriz të besimit që iu kanë dhënë shtresat më të varfëra të shoqërisë. Por gjatë rrugës duhet të pranojmë këto kanë qenë të metat tona. Një lëvizje e re ka filluar prej 6 – 7 muajsh në Sindikalizmin Shqiptar. Është një lëvizje në kohën e duhur dhe mjaft e mbështetur në sheshe e opinionin shqiptar. Ç’është e vërteta kjo lëvizje është edhe e organizuar në format dhe strukturat e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura. Kushtet e rënda ekonomike që kanë pralizuar vendin kërkojnë mbështetje për zgjidhje. Sindikalizmi i dobët kërkon medoemos të forcohet. Dhe kjo është plotësisht e mundshme. Duhet pak ndershmëri dhe intelektualitet për të drejtuar. Ndershmëria është aq e pavlefshme pa dijen sa ç’është dija e pavlefshme pa ndershmërinë. Kështu shkruan z. Arbnori në një shkrim të tij. Dhe kjo është më se e vërtetë. Dhe nëse kjo do të kihet parasyshë në punën tonë do të ketë arritje dhe besimi do të rritet. Besimi tashmë është afruar pranë BSPSH – së. Sindikata duhet ta mirëmenazhojë atë dhe jo ta shpërndajë. Është momenti që ta shpëtojmë sindikalizmin çka do të ishte një arritje shumë e madhe për shoqërinë shqiptare. Të mos harrojmë se të keqen e kemi pas. Anarkistë sindikalistë të tipit Fatmir Musaku jo vetëm që nuk dënohen për vjedhjet e bëra, por paguhen e reklamohen për të ndërhyrë në lëvizjen tonë. Nga ana tjetër Konfederata si vegël e lindur e Partisë në pushtet nuk i intereson aspak rritja e vetëdijes sindikaliste. Ajo nuk mjaftohet me shpifje brenda vendit, por edhe jashtë vendit për lëvizjet e fundit sindikaliste. Çdokush ka të drejtë të pyesë pëse kontestohet lëvizja për sindikalizëm të vërtetë. Dhe përgjigja është më se e thjeshtë. Të gjithë ata nuk janë për mbrojtjen e interesave të popullit. Ato kërkojnë ta kompromentojnë sindikalizmin deri në interesa partishë, karrigesh e abuzimesh. Ata janë anarkosindikalistët të cilët herë a vonë do t’i mbulojë turpi i veprës së tyre. Sindikalizmi do të rritet e forcohet. Kjo është kauza e pensionistëve, arsimtarëve, punëtorëve, shëndetësisë… ajo është kauza e mbarë popullit shqiptar. Aleksandër Kaçi N/Kryetar i Sindikatës së Pavarur Energjitike Shqiptare
Doktor profesor Kolë Prela, deputeti historik i Dukagjinit Nga: Perlë Milani Emri i Dok. Prof. Kolë Prelës ka jetuar për më se 40 vjet i ndrydhur thellë në ndërgjegjen e vrarë të Dukagjinit nga diktatura Stalinjane e istaluar në Shqipëri. Kolë Prela nuk ishte një emër enigmatik as i mistershëm, por një emër që personifikon intelektualin e zgjuar, krijues e kurajoz, atdhetarin e flaktë që të gjithë atdhetarizmin e tij e vuri në shërbim të atdheut gjatë luftës së lavdishme NÇ, personifikon demokratin e vërtetë me vizion e kulturë perëndimore, idealistin pragmatist që në emër të këtij ideali u flijua në altar. Kolë Prela lindi në Pepsumaj të Shoshit më 4 korrik 1918, ishte i biri i Prelë Gjokës dhe i Kade Vatës nga Dakajt e Shalës. Kola ishte një filiz i ri i dalë nga një trung i vjetër i një fisi me shumë tradita për vesë e trimëri e vujari në Dukagjin, nga fisi i Demajve të Shoshit. Më 1872 Lulash Bala, një burrë i urtë, fisnik e atdhetar si kundërshtar i betuar i sundimtarëve otoman u internua ë Torobullus (Tripoli të Libisë) së bashku me 24 rebelë antiqeveritarë të gjithë krenë e këmbë fisi, ndaj të cilëve u hakmor qeveria turke si shpagim për vrasjen e mëkëmbësit të saj nga trimi legjendar Pal Gjoka, Ujkë Lulashi sipas dëshmive personale të kronikanit Kamilo Libradi luftoi përkrah Deli Marashit e Mehmet Shpendit në qafën e Agrit më 1910. Ndërsa gjenerata vazhdon e mbërrin tek Mark Milani pinjolli më me emër i këtij fisi që sfidon edhe mitet e bëmat e kreshnikëve legjendarë, Mark Milani që i kishte vënë pushkën edhe turkut edhe shkjaut, ky Fanolist i betuar që dënohet në litar si i tillë, Mark Milani sfidon edhe Kostandinin Vogëlith kur pasi kishte thyer burgun, ktheht përpara për të marrë shokun e plagosur i cili i thotë amanet mos më lër pas. I vetëdijshëm se do të vdiste së bashku me të, u kthye e mori mbi supe duke këmbyer jetën me vdekjen. Një vdekje të tillë e ka lami çdo hero. Nga ky brumë i kësaj magje u gatua Kolë Prela veti që i trashëgoi dhe i ngriti akoma më në piedestal. Nga një ekspeditë e përgjakshme e Veçoviqit në Dukagjin nuk shpëtoi as kulla e Prelë Gjokës e cila u rrafshua rrafsh me themele, çka e detyroi Prelën të braktisë nga halli vendlindjen e të vendosen në Shkodër, në Shkodër i lindi edhe djali i dytë dhe i fundit fëmijë Marku. Kola ishte një çunak shtatshkurtër, i shkathët e i brishtë, shumë kureshtar e pse jo shpesh edhe tekanjoz, një temperament i ndërmjetëm mes flegmatikut e kolerikut, inteligjent i zgjuar, këndonte e recitonte shumë bukur, kishte një kujtesë fenomenale sa mbante përmendësh mirë vargje të Naimit e sidomos të Fishtës. U regjistrua e vazhdoi studimet në kolegjin françeskan ku gjeti shtratin e ngrohtë të ushqimit të aftësive të tija personale, këtu gjeti burimin e nxitjes së interesave shkencore dhe formimit të pasioneve pozitive në fushat e diturisë, pasione që pushtuan tërë qenien e tij si njeri. Kola kishte mprehtësinë, inteligjencën, kujtesë të lartë, vullnet të qëndrueshëm, llogjikë të pjekur e të ftohtë. Kola dallohej për dhunti speciale si në letërsi, filozofi, psikologji, sociologji, dhunti që shpërthen në UT e Torinos duke u profilizuar si intelektual. Në Torino studioi me imtësi e shumë zell letërsinë evropiane e botërore, që nga letërsia Greko – Romake e deri tek letërsia kontemporane. Në Torino studioi edhe filozofi e psikologji. Studioi nga Paltoni e Aristoteli, iluminizmin francez, Fojerbahun e Hegelin. Nga ana botkuptimore ishte idealist, adhurues i veçantë i Aristotelit, dhe partizan i teorisë absolute dhe i dialektikës së Hegelit, nga ky botëkuptim vareshin edhe pikpamjet e tij politiko – nacionaliste. Në moshën 26 vjeçare mori gradën shkencore Doktor i Shkencave Shoqërore akorduar nga Akademia e Torinos, ndërsa në fillim të vitit shkollos 1940 emërohet profesor letërise në liceun e shtetit në Shkodër. Ish nxënësi i tij Angjelin Zojzi shprehet për profesorin e vet: E kujtoj gjithmonë me shumë respekt. Ai ishte një njeri i mrekullueshëm, i çiltër, i qeshur, i arsyeshëm, i thellë në mendime, lakonik në të shprehur, i thjeshtë e mbi të gjitha atdhetar, prandaj e donin dhe respektonin shumë. (Gazeta Shkodra 25 Tetor 1991) Ndërsa Prof. Çun Jonuzi thoshte për profesorin e tij të letërsisë: Ishte një djalë i brishtë, i urtë, skllav i librave, i varfër ekonomikisht, por shumë i pasur shpirtërisht, djalë i një të ardhmeje të madhe, interpret i fjalës artistike, jo vetëm me atë gegnishte e kulluar, por me Italishten, Frëngjishten e Anglishten perfekte që fliste na hipnotizonte e na ushqente vazhdimisht me perlat e letërsisë botërore. Gjatë punës në lice Kola hyri në lidhje me intelektualët më me zë të qytetit si me Filip Ndocin, at Mark Arapin me Dok. pater Gjon Shllakun, me pater Meshkallen, Arshi Pipen, Riza Danin, Prof. Shaban Arrrën, vëllezërit Ivanaj. Kolë Prelën e kishim mik shtëpije hyrjet e daljet i kishim të ndërsjellta ai ishte më i varfër se ne, por kishte një pasuri me vlerë forcën e mendjes dhe shpirtin e bardhë e bujar, kështu shprehet edhe sot Xhavit Dani, nipi i Riza Danit. Kolë Prela ishte studiuesi pasionant, krijuesi i mirëfilltë, por më tepër shquhej si kritik arti i letërsisë për të cilat ishte lauruar shkëlqyeshëm. Jeta e tij qe shumë e shkurtër, por shumë e pasur dhe me një fund tepër të dhimbshëm e tragjik. Qëndrimi obskuruntan i komunistëve bëri që shumica dërmuese e dorëshkrimeve dhe gjithë fondi i bibliotekës shumë të pasur të konfiskohehsin pas arrestimit të tij. Kola ka shkruar për Mjedën, Fishtën, dorëshkrime që u asgjësuan të gjitha nga sigurimi i shtetit, ndërsa shumë skica e dokumente me karakter politiko – gazetaresk të gjetura në kasafortën e tij personale, shërbyen për t’i thelluar akuzën si armik i popullit dhe i atdheut. Duke qenë një nga bashkëpunëtorët e zellshëm të revistës “Hylli i Dritës” e themeluar nga Fishta që në vitin 1913, drejtor i së cilës ishte Prof pater Gjon Shllaku. “Një gjyq para botës”, “Shqypja Hilire”, “Tokë e mallnueme”, “Nacionalizma shqiptare”, janë disa nga titujt që janë botuar në faqet e kësaj reviste e organet e tjera të shtypit të kohës. “Madhnue kjosh i Shqipe, që gjithherë në ditë të mira e të liga qite të panjollë fisin e shqitparit. E ti o shqiptare forcoje ma tepër besimin në Shqipe, mbaje mend se pa Shqipni nuk ka burra as atdhe, se Shqipja e Shqiponja janë gjaja ma e pa ndashme”, (Hylli i Dritës Nr. 11 – 12, fq. 466). Historinë e konsideronte si një libër të shenjtë të mbushur plot mrekulli e makabritete Makbetjane. E kishte për nderë se ishte Shqiptar, e kishte për krenari që ishte Dukagjinas emër që rridhte sipas tij nga llagëpii familjes princore të Dukagjinëve, ndërsa veten dhe krahinën e tij e quante gjak i gjakut të tyre. Ishte i një mendje me Mihajoviçin, Hekardin e Gjeçovin, kur thoshte se fiset Shosh e Shalë dikur bënin pjesë në Dukagjinin e epërm, ndërsa sot paraqiten me plot krenari si Dukagjini i vjetër. Më 30 dhjetor 1940 vdes poeti ynë i madh kombëtar Gjergj Fishta, Prof. Kolë Prela, foli përpara trupës mësimore të studentëve të liceut, foli me mallëngjim e respekt të thellë “Tashti poeti na la, për të gjithë ne që e patëm njohur, vdekja e poetit dhe klerikut ka lanë një brengë zije të thellë. Ky burrë i dashtun e fisnik me pamje madhështore, aq tërheqës e gazmor si njeri aq origjinal e i madh si poet”. Çesk Zadeja ish – nxënës i Prof. Kolë Prelës ja si e vlerëson: Profesorin tim të letërsisë mund ta kishte zili çdo intelektual i sotëm, në formimin tim Kolë Prela ka pjesën e vet, ai ishte shëmbëlltyrë e së mirës, ai qe fatkeq se qe jetë shkurtër dhe nuk pati kohën e duhur ta kultivonte gjithë intelektualizmin e vet. Dashuria për njerëzit, respekti e përkujdesja për të vegjëlit, etika në marrdhëniet me femrat, humanizmi dhe dëshira për të përcjellë tek të tjerët shembullin e edukatës së tij ishin tiparet dhe virtytet e një njeriu me shpirt të pastër kristian. Pushtimi fashist ishte një goditje e rëndë për shpirtin atdhetar e liridashës të profesorit, Kola ishte nacionalist me pikpamje liberalo – borgjeze, nacionalizmi për të kishte vetëm një ngjyrë, ngjyrën e flamurit, si nacionalist gjatë luftës u rreshtua në radhët e FNÇl duke qëndruar si indipendent. Profesori ishte ndër të parët nacionalistë që përqafoi platformën politike të Konferencës së Pezës. FNÇl e konceptonte si armët të përbashkët të gjithë shqiptarëve me të vetmin qëllim çlirimin e atdheut, ishte për organizimin e FNÇl sipas modeleve të fronteve popullore në Francë, Spanjë e vendet e tjera Evropiane. Pas çlirimit aspironte një rend të vërtetë demokratik pluri partiak me një demokraci parlamentare të tipit Evropian. Mori pjesë në demonstratën e 28 nëntorit të vitit 1941 e 22 shkurtit 1942, të zhvilluar nga punëtorë e studentë nacionalistë të të gjitha rrymave, pra me një fjalë nga të gjitha forcat antifashiste të qytetit. Në fund të nëntorit 1942, Kola largohet nga Liceu dhe doli ilegal në malet e Dukagjinit, duke qenë nga partizanët e parë të Qarkut të Shkodrës e krejt Dukagjinit, ishte diçka e pa zakontë në atë periudhë që një profesor, njeri i letrave dhe i penës të braktiste auditorin e tij ku mund të ndihej komod mes elitës intelektuale e të mos dilte maleve ilegal. Kola ishte njeri i veprave jo i llafeve, ai nuk ishte nacionalist kafenerash e sallonesh aristokratike, ai nuk ishte demagog që llafologjinë e tij t’ua servirte të tjerëve për nacionalizëm të kulluar, atij nuk i pëlqenin profeceritë por angazhimi pa asnjë ekuivok për çështjen e luftës që ishte kryefjala e të gjitha fjalive të kohës. Me të dalë ilegal u strehua në vendlindjen e tij në Pepsumaj ku për tre vjet radhazi drejtoi gjithë LNÇl në rrethin e Dukagjinit, me të dalë në Dukagjin brenda 2 muajsh krijoi njësitin e parë partizan të përbërë nga Gjelosh Lushi, Gjon Marashi, Bal Marku, Market Pjetri, Prelë Binaku, Ndue Sokoli, shor Sokoli etj, ndërsa më 5 nëntor 1943 i përkrahur nga elementët më patriotë si Nosh Ujka, Mëhill Lulashi, Mark Deda, Martin Gjoni, Ndue Biba, Mushak Deda, Nikë Vuksani, Pjetër Koca, Nikë Pali, Kolë Mëhilli, Kamber Lulashi, Vatë Gjeloshi, Prelë Marku, Martin Cama, Nikollë Preka, Bal Dema, Mirash Zefi, Pllum Ndoka, Shytan Preka, Mark Gjeloshi, Gjon Sokoli, Marash Vogli, Kurtesh Kurti, Zef Marashi, Ndue Micani, Martin Coli, Gjin Rrustemi, pra i përkrahur nga këta burra të Shoshit, Shalës, Nikaj – Merturit, Kirit, Pultit e Toplanës u krijua çeta partizane e Dukagjinit e pëbërë nga 35 – 40 veta e cila kur u inkuadrua në Batalionin Perlat Rexhepi u rrit mbi 90 veta, ndërsa ne prag të çlirimit nga Dukagjini u rreshtuan në grupin e Shkodrës mbi 150 luftëtarë partizanë. Komandant i çetës së Dukagjinit u zgjodh Gjon Marashi, një eksponent shumë i njohur, luftëtar e patriot i sprovuar në ndeshjet me Shefqet Dergut Pashën, Veshoviqin e Kostantin Nikiçin, Fonolist 1924 dhe një gur i pa kalueshëm perite në Gurin e Kuq kundër Serbo – Malazezëve më 1941. Masiviteti i LNÇl në Dukagjin është i lidhur pazgjidhshmërisht me emrin e profesor Kolë Prelës i cili krijoi një rrjet të gjerë bashkëpunimi, komunikimi dhe informimi të veprimeve, qoftë të atyre ilegale, qoftë legale, si zyrë pune i shërbente një dhomë në shtëpinë e Gjelosh Lushit që ishte më komodja në atë periudhë në fshatin Pepsumaj, por ai është strehuar edhe në shtëpinë e Shor Sokolit, Bal Markut edhe tek stanet e Mollës edhe në bjeshkët e Pepsumajve kur ai bënte jetën e ilegalit. Duhet të sqarojmë se një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të Kolë Prelës ka qenë Gjelosh Lushi, që vuri shtëpinë, mallin dhe të gjithë meshkujt e fisit të tij në shërbim të luftës e luftoi deri në çlirimin e atdheut në emër të FANÇl. Për reputacionin dhe meritata që kishte is organizator e drejtues i veprimeve ushtarake pas çlirimit zgjidhet Kryetar i Frontit të Rrethit të Dukagjinit, ishte po ky Gjelosh Lushi që kur ky Front e pa se u shndërrue në një maskë të PK për të realizuar qëllimet veta kriminale, pa përfillur rehatinë e një kollutku, pa përfillur spaletat që mund t’i ofronin, ju kundërvu komunizmit me mjete paqësore të luftës politike duke flijuar dhe duke qenë i vetëdijshëm në këtë vetësakrifikim kaq të lartë e kaq sublim. Vetvetiu lind pyetja mos vallë Kolë Prela u zhgënjye që gjaët luftës me FNÇl, se mos Fronti ishte një kurth për të dhe nacionalistët e tjerë. Profesori i qëndroi konseguent pikpamjeve të tij, ai të gjithë propagandën e tij e bënte në emër të nacionalizmit, ai kurrë nuk bëri propagandë komuniste, pavarësisht se në ndryshim nga rrymat e tjera nacionaliste ishte për të bashkëpunuar me komunistët deri në çlirim. Zhgënjimi i parë për Profesorin ishte Mukja, pas Mukjes FANÇl pësoi një të çarë të pariparueshme, Mukja qe në shkelje e palëve, qe shkelje djallëzore nga ana e komunistëve gjë që çoi në thellimin ekstrem të anarkisë politike në Shqipëri. Mukja qe një manovër e shkathët nga komunistët që u linte dorë të lirë në marrjen e pushtetit tërësisht pas përfundimit të luftës. Mukja e zhgënjeu profesorin por atij as nuk i shkonte në mend të tërhiqej nga lufta. Kush është patriot i vërtetë, thoshte Kolë Prela, asgjë nuk mund ta ndalojë pa i dalë për zot atdheut me gisht në këtë situatë kur zëri i tij na thërret. Profesori kishte mospërputhje pikpamjesh e qëndrimesh me nacionalistët e rrymave të tjera, ishte kundër taktikës që ndoqën Balliso – Zogistët e cila nuk bëri gjë tjetër veçse çoi ujë në mullirin e komunistëve në përqëndrimin e pushtetit në duart e tyre. Kolaboracionizmi përpara se të jetë një fenomen shqiptar ishte një fenomen Evropian, as BK, as Legaliteti, as PK për profesorin nuk ishin kolaboracionistë, kolaboracionistë pati edhe në Shqipëri, por të tillë ishin disa eksponentë që me qëndrimet e tyre dritë shkurtëra jo vetëm filtruan nga prapa skena po në kohë të caktuara u rreshtuan hapur pro forcave pushtuese, kjo i bëri ortakë me forcat e mundura që përfaqësonin në atë periudhë kërcënimin më të madh të lirisë dhe sovranitetit të popujve, prandaj komunistët duke u rreshtuar hapur në anën e fitimtarëve të mëdhenj, patën edhe gurin edhe arrën në dorë për t’i goditur këto forca pa asnjë diferencim me të gjitha mjetet e luftës politike me qëllim asgjësimin e tyre të plotë. Që gjatë luftës, profesori i kritikoi qëndrimet dhe naivitetin e këtyre forcave, që duke ndjekur taktikën e vetëpërjashtimit, arritën në një fund fatal për fatet e tyre. Profesori kishte koncepte politike moderne perëndimore, kompromisi politik është kyçi dhe ABC – ja e politikës, gjë që në Shqipëri ishte diçka e jashtëmoralshme për të gjitha formacionet politike të kohës, të cilat pa asnjë dallim kishin një synim të vetëm asgjësimin total të kundërshtarit, prandaj ndihej tepër i trishtuar kur këto forca, pavarësisht nga emrat as për çështjen e çlirimit të vendit nuk arrite të bashkoheshin kurrë. Zemërimin e tij ndaj këtyre anadollizmave e shpreh në një satirë mjaft demaskuese: “Sot atdheu thrret me kushtrim / kush është trim e burri burrit / Zot ti dalim të gjithë pa dallim / nacionalizmi ka ngjyrën e flamurit / Me fjalë jemi të gjithë nacionalistë / Në Evropë jemi male ti dalim atdheut zot me gisht / Ti lamë ndasitë ti hajë dreqi /” Ky shpërthim revoltues del ngaqë vetë profesori ishte i pari që e shtriu dorën e bashkëpunimit pa asnjë paragjykim, por nuk gjeti asnjëherë atë gjuhë e mirëkuptim që kërkonte e duhej të gjente realisht. Pse Kolë Prelën, në mënyrë inatçore e quajtën komunist, kur nuk ishte dhe vdiq e nuk pranoi t’u shërbente komunistëve, pse jo pak e kërcënuan edhe me vdekje, pse ishte i detyruar të rrinte ilegal në vendlindjen e vet, ndërkohë kur forcat e tjera veprimtarinë e zhvillonin legalisht, këto janë fenomene shqiptare të së shkuarës dhe të shkuarës le t’i përkasin. Por një gjë është e vërtetë si drita e diellit, se të gjithë që iu kundërvunë ishin shumë më pak atdhetarë se profesori, pavarësisht se për atdhe bënin be e rrëfe dhe se çlirimin e Shqipërisë e pritën duke u ngrohur e çarë kopalla në ballë të oxhakut. Kolë Prela ishte antikomunist se të gjithë ata që e akuzonin me hipokrizi, pasi koha e vërtetoi se ishte ai e jo ata që u flijua për demokraci përballë diktaturës. Si njeri i dialogut pragmatist dhe i kompromiseve parimiore, Kolë Prela hyri në kontakte e biseda me gjithë burrat më me influencë në zonën e Dukagjinit, pavarësisht se së cilës rrymë politike i përkisnin dhe në qoftë se nuk arriti t’i bindte të gjithë që t’i bënte aleatë, rëndësi pati fakti se u krijua një neutralitet i dy anshëm që në shumë raste u shoqërua me kompromise legale dhe ilegale që çoi në evitimin e plotë të gjakderdhjes e vëllavrasjes në Dukagjin. Model tipik i marrëdhënieve korrekte të njëri – tjetrit, pa lëvizur nga pozicionet e kundërshtitë politike, pa i përçmuar qëndrimet e njëri – tjetrit në të cilat i kishte pozicionuar politika. Asnjëherë nuk nxori krye as smira, as egoja për t’u hakmarrë me anën e forcës nga prapavijat që u vinin pas, dhe mbi të gjitha ekzistonte predispozicioni për të parandaluar çdo fenomen që sillte gjakderdhje. Këto ishin raportet mes Kolë Prelës, si nacionalist, LNÇl dhe Lekë Vojvodës, ushtarak i lartë karriere i diplomuar në Itali, me pikpamje Zogiste dhe qëndrim të pa angazhuar gjatë luftës. Është merita e tyre që Dukagjini nuk u përgjak nga hakërrimi i armëve, pjellë e kokëfortësisë dhe e verbërisë politike. Kolë Prela me punën e tij parandaluese nuk lejoi që në Shalë, Shosh, Pult të përsëritej ai fenomen që ngjau në Qafën e Kolcit në Nikaj – Mertur, ku pati një konfrontim të përgjakshëm mes forcave të dëshpëruara Ballisto – Zogiste e forcave të Brigadës VI e XXV Sulmuese, ishte në konflikt i përgjakshëm civil i provokuar në mënyrë aventureske dhe fare të panevojshme pa asnjë strategji, as mundësi për të parandaluar vendosjen e pushtetit të ri i cili kishte hyrë në Tiranë në mënyrë triumfuese. Pas Çlirimit në zgjedhjet e para për Asamblenë Kushtetuese, Kolë Prela zgjidhet unanimisht deputet i Dukagjinit në këtë Asamble, në këto zgjedhje komunistët shfrytëzuan me dinakëri autoritetin dhe prestigjin që kishin në popull nacionalistë si Riza Dani e Prof. Kolë Prela etj. Që nga kjo periudhë e në vazhdim, në mënyrë legale edhe me të gjitha mjetet e luftës politiko – demokratike, profesori fillon opozitën e vet me pushtetin në fuqi, duke qenë nga opozitarët e parë të vërtetë ndaj komunizmit në Shqipëri. Në dimrin e vitit 1945 në Shkodër erdhi vetë Mehmet Shehu si komandant i operacionit famëkeq që zhvillohej në këtë qark. Në Dukagjin u dërgua Ndrekorino për spaastrimin e të ashtuquajtur reaksionarëve për çarmatimin e përgjithshëm, dhe nga ana tjetër t’u krijonte mundësi kalimi brigadave nga Dukagjini në Kelmend për të goditur pas shpine forcat antikomuniste të Malësisë së Madhe. Zjarri, bastisjet, huri e plumbi ishin komponentët e këtij operacioni të përgjakshëm. Kolë Prela në këtë periudhë ndodhej në Dukagjin dhe duke parë situatën që po precipitonte në mënyrë tepër dramatike i nisi një letër Mehmet Shehut. Njëri nga shokët më besnikë e më të vendosur gjatë luftës i profesorit, Bal Marku, një kopje të kësaj letre fatmirësisht e ka ruajtur për më tepër se 45 vjet. “Fort i nderuar kolonel. Jam i detyruar të informoj në mënyrë të menjëhershme se mvarësi i juaj direkt Ndrekorino në rrethin e Dukagjinit, ka filluar një operacion represiv me masa shumë radikale, krejtësisht të panevojshme dhe besoj i paautorizuar të përdorë dhunë ushtarake vend e pa vend dukemos kursyer as civilët e pa fajshëm, duke djegur shtëpi, arrestuar njerëz, dhe duke i keqtrajtuar fizikisht për t’u poshtëruar sedrën e krenarinë publikisht malësorëve, për të reklamuar sipas tij dorën e fuqishme e atë pamëshirshme të shtetit. Si deputet i popullit të Dukagjinit, po të informoj se operacioni i Ndrekorinos ka ngjallur tmerr, frikë e pasiguri tek njerëzit të cilët po arratisen e marrin malet, jo për t’ju kundërvënë pushtetit, por nga frika që po u kallë pushteti atyre. Duke qenë oganizatori i LNÇl në Dukagjin që nga fillimi i luftës e deri më sot, deklaroj se lëvizjes sonë as kërkush nuk ju ka kundërvënë me armë dhe se as tani nuk paraqitet as edhe një rrezik për një fenomen të tillë. Kërkoj që masat ekstreme të këtij operacioni të ndërpriten, pasi po të arrestojmë, të burgosim e të pushkatojmë për një fishek, për një pushkë, për një allti, s’do mbetet njeri në Dukagjin pa u burgosur. Psikologjikisht malësori më parë pranon vdekjen se sa hurin të cilin Ndrekorino nuk po e kursen kudo. Si deputet i kësaj zone unë hyj garant për të dorëzuar të gjithë të frikësuarit e të pa qartësuarit, me kusht që të lihen të lirë të shkojnë në shtëpitë e tyre, pasi nuk kanë bërë asnjë vepër kriminale, as ndaj qeverisë, as LNÇl. Me nderime Prof. Kolë Prela, deputet i rrethit të Dukagjinit. Kodër Shëngjergj, më 25. 1. 1945” Mehmet Shehu u lidh direkt me telefon me Kolë Prelën dhe e njoftoi se kishte urdhëruar Ndrekorinon të ndërpriste operacionin. Një i burgosur Sokol Ndou nga Shoshi kujtonte këtë periudhë. Burgu në Kodër Shëngjergj ishte mbushë deng plot e përplot, nuk e harroj kurrë pasi më kishin lidhur këmbësh e duarsh, pastaj më varën kokëposhtë e këmbë përpjetë dhemë binin me hu në lak të këmbës, ishte një torturë sanuk më nxirrte mendtë e kresë. Kur erdhi Kolë Prela që dritë i bëftë shpirti, nuk mbeti njeri në burg për një kohë të gjatë në Dukagjin, me këtë vepër profesori fitoi mirënjohjen e përjetshme në zemrat e qindra malësorëve se u hoqi hurin shpinde. Me ndërmjetësimin e Kolë Prelës u dorëzuan dhjetëra të arratisur, krerët e Bajraqeve Shalë, Shosh, Pult, Mertur e Nikaj, mes të cilëve veçojmë Kolë Ndoun, Lulash Gjeloshin, Tunxh Myftarin, Mark Sadikun, Nikë Gjeloshin, Sadik Markun, Sokol Bala, Mark Prelën, Mark Vuksanin etj. Në një rast tjetër, në dimrin e viti 1946 thotë Balë Marku, na ishte dhënë urdhëri që të shkonim në Gimaj të Shalës për ti djegur shtëpinë Sokol Marashit dhe 6 kushërinjve të tij të arratisur nga frika. As edhe një stol, as edhe një lugë, as edhe një sahan, të mos mbetej pa u konfiskue, të gjithë familjet të shkonin në internim, ky ishte urdhëri i prerë i komandës. Nga njëra anë lajmërova Kolë Prelën, i cili më dërgoi haber se po i bindte të dorëzohen m’i sjell mua, nga ana tjetër hyra në lidhje përmes Prekë Ndout me të arratisurit që ishte në të mirën e tyre t’i dorëzoheshin deputetit, ose përndryshe iu diftova urdhërin që kishim për ta zbatuar brenda 24 orëve. Të arratisurit u bindën, u dorëzuan dhe pa kaluar në duart e sigurimit të shtetit, pa u keqtrajtuar, u liruan pasi profesori ndërhyri prapë tek Mehmet Shehu. Asnjë i dorëzuar tek profesori nuk përfundoi në qelitë e burgut, bile krerëve të Dukagjinit nuk ua mori kush as armët, pas insistimit të profesorit se çarmatosja ishte fyerje për kredibilitetin e atyre që gjithë jetën nuk i kishte çarmatosur asnjë krajl e asnjë mbret. Deputeti Dukagjinas që në fillim në Asamblenë Kushtetuese ngriti zërin të sanksionoheshin me ligj ato që ishin premtuar në emër të popullit, po në këtë Asamble u shpreh hapur kundër monopartizmit, kërkoi pluralizëm politik dhe ideologjik, ai kundërshtoi persekucionet politike dhe ligjin e hekurt të luftës së klasave, ishte për orientim pro perëndimor dhe aspironte modelin Anglo – Amerikan të zhvillimit. Në vitin 1946 në të ashtuquajturat gjyqe të hapura të popullit, kur u dënuan grupi klerikëve françeskanë patër Gjon Shllaku, patër Fausti, patër Daliani, Mark Çuni, Gjelosh Lulashi, Fran Mirakaj, Gjergj Bici, Qerim Sadiku etj., profesor Kolë Prela bëri me shkrim një deklaratë mbrojtjeje për prof Gjon Shllakun e shokët e tij klerikë të nderuar dhe shoqërinë Antoniane që drejtohej nga Gjon Shllaku duke e cilësuar si shoqëri fetare jo siç akuzohej si antishqiptare, pjellë e agjenturave të huaja që donin të përmbysnin pushtetin. Unë e njoh Gjon Shllakun si antifashit, ai fashizmin e quante okupator dhe jam dëshmitar që ka firmosur një deklaratë të intelektualëve e profesorëve të Shkodrës kundër okupacionit fashist, këtë deklaratë e ka nënshkruar si edhe unë, Aranit Çela e lexoi me nervozizëm dhe gjithë zemërim këtë deklaratë e citoj me ironi se ky person sikurë të ishte një anonim po të ishte trim do të vinte e ta lexonte vetë në sallën e gjyqit. Profesor Kolë Prela që po e ndiqte me qendër zëri gjyqin nga jashtë, u fut direkt e në sallën e gjyqit. Me një shikim që shprehte urrejtje e mospërfillje, me një ton të prerë e burrëror foli: “Shoku prokuror erdha të diftoj se deklarata që sapo lexuat ju e kam lëshuar unë dhe jam i vendosur ta mbroj deri në fund, të kujtoj shoku prokuror se në fund të deklaratës kam vënë emrin tim Prof. Kolë Prela, jam antifashist e luftëtar i vjetër i lëvizjes, jam deputet i popullit, dhe që kujtoj se nuk të lejoj të vësh në dyshim burrërinë time, të kujtoj nëse nuk e dini se nuk është burrëri të fyeni qoftë edhe qytetarin më të rëndomtë, aq më tepër pas syshë siç vepruat ju kur lexuat deklaratën time”. (Angjelin Zojzi, Gazeta “Shkodra”, Tetor 1991, dëshmitar okular). Kolë Prela doli gjithë indinjatë nga salla e gjyqit duke e demaskuar publikisht këtë inskenim makabër, duke e pozicionuar hapur në trasenë e luftës kundër komunizmit, kjo deklaratë do i kushtonte tepër shtrenjtë profesorit ndaj të cilit shumë shpjet do të inskenohej i njëjti truk që do i kushtonte jetën. Kola bojkotoi dy herë mbledhjen e Kuvendit Popullor më 1946, kushtetuën e 46 – ës e quajti vegël e instrument ideologjik të partisë në pushtet. E gjeta Kolën në një nadje thoshte Balë Marku, ishte skuqë syshë i lodhur edhe jashtëzakonisht i trishtuar. E pyeta ç’ke, mos je gja i sëmurë. Më tha nuk kam fjetë asnjë minutë gjatë gjithë natës, nuk fjeta m’u përgjigj se komunistët na tradhëtuan hapur dhe morën gjithë pushtetin përfundimisht në duart e tyre, ka kohë që dyshoj por nuk mendoja se brutaliteti i tyre kalon çdo kufi e arsye njerëzore. E pyeta pse nuk shkove në mbledhjen e Kuvendit Popullor, nuk pata si me shkue se pasha Krishtin po ta them e dija prej meje se Historia s’ka me harrue kurrë për keq këtë kuvend e ata deputetë që kanë ligjue prej tij. Kam frikë se kanë me të arrestue se nuk kan me durue me u dalë hapur kundra si po u del ti o Kolë. Po të betohem në gjakun e Krishtit e shpritin e babës se nuk po bahem kurrë me ta, se nuk pajtohem kurr ma me ta, tetanë më grishin si duhanin, guximi dhe revolta tashmë kishte arritë në shkallën më superiore. Pabesia e tyne nuk po njef kurrfarë kufini, ata kurë nuk njofin Zotin e ngrihen kundër njerëzve të Zotit, mjerë për ne çka ka me na gjetë prej tyne. E di se shumë shpejt kanë për t’më plasë në burg, por do të diskreditohen sa nuk ka lumë t’ua lajë turpin e tradhëtinë. Profesori nuk kishte gabuar në fundin e tij tragjik, vetëm pak më pas, 14 shtator 1946 profesor doktor Kolë Prela arrestohet, pa asnjë hezitim edhe pse ishte Drejtor i Pedagogjikes së Elbasanit edhe pse ishte deputet i Kuvendit Popullor, ish – antifashist i vjetër, iniciatori i ngritjes së Çetës Partizane të Dukagjinit e Batalionit Perlat Rexhepi. Një ditë pas arrestimit, Gazeta “Koha e Re” e Shkodrës shkruante: “Kolë Prela tradhëtoi atdhenë dhe shokët e luftës”. O Zot ç’hipokrizi kriminale, kush ishte tradhëtuar i tradhëtuari i madh ishte profesori, ai përfundoi dhe pësoi fatin e heretikut jo se tradhëtoi atdheun, të cilit i doli zot me gisht, por si kundërshtar ideologjik e politik i diktaturës famëkeqe komuniste që e kryqëzoi në mënyrën më bizantine. “Ka një javë që Kolën e kanë arrestue, nana nuk e ka marrë vesh deri më sot, por kur ta mësojnë nuk e di si i bahet halli.”, shkruante Mark Prela në ditarin e tij personal që vetëm pak muaj më vonë do të përfundonte edhe vetë në kthetrat e ulkonjës që i shfarosi e i la pa mashkull në oxhak. “Amanet mos harro Dritë ma shif nanen”, i kishte thënë Kolë Prela të nderuarës Drita Kosturi që ndodhej në qelitë e paraburgimit në të njëjtin burg me profesorin. Citimi është marrë nga gazeta RD, 16. 2. 1991. “Rreth 20 metra përpara meje dolën dy policë që po shoqëronin një burrë të lodhur me pranga në duar, i shkurtër me flokë të shpupurishura mbi ballë, zbehtë si hije, i dobësuar nga vuajtjet, ecte ngadalë, ishte shumë i lodhur dhe i dërmuar nga torturat. E njoha, ishte profesori im i letërsisë Kolë Prela, po e dërgonin nga hetuesia në kuvendin françeskan aty ku iu bë edhe gjyqi. Kur po kalonte përpara kishës, nga dera doli një plakë, në fillim plaka u shtang, pastaj e mori veten e bërtiti. Ky është Kola, Kola, im bir e me krahë hapur u drejtua nga ai që ta rrokte. I burgosuri sa dëgjoi zërin e nënës drejtoi shikimin nga ajo por nuk mundi t’i përgjigjej (rrëfimi i Angjelin Zojzit). Një herë jemi takuar në birucat e hetuesisë me Kolë Prelën, e kishin lidhur këmbësh e duarsh bashkë, ai më tha, “hallal të gjitha, por po vdes si tradhëtar”, nuk patëm mundësi as të flasim, as të shihemi më kurrë në këtë jetë, përfundon rrëfimin rrënqethës Lekë Vojvoda. Ndërsa Zef Simoni, kur kujton vitet e burgut, është shprehë se, “Kolë Prelën e njifshem, e çmoja, e kam takuar tinzisht në birucat e hetuesisë në terr ku e kishin shti”. ‘Siç duket puna do më pushkatojnë, nuk para shof ndonjë ndryshim deri më sot’, kur u ktheva në dhomë ia tregova fratelit, ai më tha, Kolë Prela si dhe Paulin Pali janë më të përgatiturit në politikën perëndimore” (citim i Zef Simonit). I pa rruem me një shuplakë lesh në fytyrë i vuejtun si me kenë në dërrasë. Si të ndodhi kështu o Kolë Prela. Një herë kam le e një herë po des m’u përgjigj, ka thënë i ndjeri Lulash Bala nga Shoshi, vuejtës në burgjet e diktaturës. Këto ishin dëshmitë e atij ferri të mallkuar e poshtërues ku qëndroi deputeti Kolë Prela sa në birucat e burgut të Tiranës e sa në birucat e burgut të Shkodrës për 18 muaj rresht. Gjyqi u bë në kuzhinën e kuvendit françeskan nën drejtimin e prokurorit Aranti Çela, gjyqi zgjati tre ditë. Tradhëtar i popullit dhe i atdheut, agjent i amerikanëve dhe i anglezëve që në bashkëpunim me grupin e deputetëve dhe klerikët reaksionarë, ka dashur dhe ka tentuar të përmbysë pushtetin popullor në Shqipëri. Kjo ishte akuza, Xhavit Dani, nipi i Riza Danit, pjesëmarrës në këtë gjyq shprehet, “Profesori me indinjatë i hodhi poshtë të gjitha këto akuza, duke i quajtur pseudo akuza të ulëta, gjyqin pseudo gjyq politik dhe inskenuesit e tij imoral e tradhëtarë të idealeve të shenjta të luftës antifashiste. ‘Më queni tradhëtar po më thuani cila është tradhëtia ime ndaj atdheut, unë nuk jam tradhëtar i komunizmit sen uk kam qenë kurrë i tillë, si idealist që jam unë nuk e urrej komunizmin si ideal, por urrej Bolshevizmin tuaj dhe jam krenar që jam antibolshevik. Sipërfaqësues i zgjedhur nga populli kërkoj të gjykohem nga një gjykatës ndërkombëtar, unë e di se kjo nuk mund të ndodhë se atëherë në bangën e të akuzuarit do të përfundonit ju, jo unë, ju po shkelni të gjitha konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, ju më akuzoni e më dënoni në emër të popullit, në emër të atij populli që më strehoi, më ushqei e më ndoqi nga pas në vitet luftës, të atij populli që më dha votën dje e ju në emër të tij po vrisni sot, o popull një Zot e din sa krime janë bërë në emrin tënd’.” Këto ishin fjalët e deputetit Dukagjinas, që foli pa iu trembur syri aspak përpara tmerrit bolshevik. U pushkatua në zall të kirit në atë ferr ku përfunduan shpirtërat e “djajve” antikomunistë, u flijua ku u flijuan dhjetëra e dhjetëra martirë të vërtetë. Humbja e Kolë Prelës ishte një plagë e pa shërueshme për Dukagjinin, pasi ai ishte avokati më i mirë i kësaj malësie të shumëvuajtur. Së bashku me deputetin e vet Dukagjini humbi pavarësinë administrative, lokale në rreth, në lokalitet, duke dergjur pasojat më të rënda se askush tjetër në Shqipëri të diktaturës komuniste. Kolë Prela është shëmbëlltyra e politikanit perëndimor antipot i deputetëve të sotëm imoralë, që shiten e blihen për pesë pare, e pasurohen brenda një nate. Vetëm sikur të kishte heshtur Kolë Prela mund të bënte karrierë të shkëlqyer, por ai zgjodhi më mirë rrugën e vetëflijimit se të bëhej ortak me kriminelët e krimet që mbolli diktatura. Kolë Prela është një kalorës i shkëlqyer i demokracisë dhe qëndron plot dinjitet përkrah figurave me përmasa kombëtare të Dukagjinit si jubani, Camaj, Ndoc Nikaj, Bernard Palaj, Ndrekë Luca.
Në tre vjetorin e Agim Durakut, vrarë në brugun e Dubravës Agim Duraku, trimi që lindi dhe u pushkatua në muajin e luleve Nga: Tomë Mrijaj Agim Duraku ishte një ndër ata që ra për të mos vdekur. Ai do të mbetet në altarin e lirisë dhe në zemrat e popullit të Kosovës. U lind në muajin e luleve, më 25 maj 1954, në fshatin Buroj të Drenicës legjendare dhe u pushkatua po në muajin e luleve, më 22 maj 1999, në burgun famëkeq të Dubravës. Trupi i pajetë i Agimit u gjet së bashku me trupat e shumë shokëve të idealit, në varrin masiv të Dubravës, në muajin shtator të vitit 1999. Po atë muaj u bë rivarrimi i tij në Varrezat e Dëshmorëve të rënë për lirinë e Atdheut, në Drenicën legjendare, kur prehet edhe heroi Legjendar Adem Jashari, i rrethuar nga lulëkuqet e Drenicës, që lulëzojnë të parat e vetëm dimri i shuan këto lule lirie. Agimi rrjedh nga një familje partiote me ndjenja atdhedashurie brez pas brezinë Drenicën dardane. Nëna që në ditë e fëmijërisë së tij e ushqeu Agimin e vogël me balada e tregime burrërie dhe trimërie, siç e ka për krenari Drenica, që lind çdo ditë heronj. Kjo nënë fisnike ka luftuar me pushkë në dorë krah për krah vëllezërve të saj në luftën e Shaban Polluzhës, ku mori plagë të rënda. Të ulesh pranë sa e të dëgjosh ngjarjet e luftës të asaj kohe, por edhe të së tashmes, të duket sikur është ngjallur Shote Galica. Agimi çdo ditë i thoshte nënës që t’i tregonte për luftën e vëllezërve të saj. Gjatë tregimit ai merrte zemër e i thoshte nënës: “Nënë, gjoksin do t’ua hap plumbave si Mic Sokoli, për liri e vatan!” Po kjo nënë ishte prezente kur armiqtë ia rrëmbyen djalin në stacionin e Klinës dhe për tetë orë e torturuan në mënyrë çnjerëzore në prezencë të saj e nga aty e çuan në burgun e Dubravës. Agimi qysh në rininë e hershme kishte rënë në sy të armikut për ndjenjat e tij patriotike, gjithnjë në shërbim të atdheut. Më 1968, ai ishte 14 vjeçar, kur studentët në shumë qytete të Kosovës u ngritën në demostrata, duke kërkuar Kosovën Republikë. Pas shumë vrasjeve e burgosjeve, Kosovës iu dha e drejta e Flamurit Kombëtar dhe e themelimit të Universitetit. Më 1974, pas shumë trazirave Kosovës iu dha Autonomia ndër Serbi, ku populli shumë i pakënaqur, në mars e prill të vitit 1981, në shumë qytete të Kosovës shpërtheu në demostrata të fuqishme, që Kosovës t’i njihej Statusi i Republikës. Edhe këto demostrata u shtypën egërsisht. Kulmin e verbërisë politike serbët e treguan në viti 1989, kur Kosovës ia hoqën autonominë që kishte fituar më 1974. Ky akt u ndesh në reagimin e mbarë popullit shqiptar, kësaj radhe në Kuvendin e 2 Korrikut, në Kaçanik u shpall Republika e Kosovës dhe u zgjodhën institucionet e saj si Parlamenti, Presidenti dhe Qeveria. Agimi i përjetoi të gjitha dhe, si intelektual, ishte pjesëmarrës gati kudo, derisa kuadrot u larguan nga të gjitha institucionet dhe vendet e punës në Kosovë e s’i mbeti rrugë tjetër, vetëm të përgatitej për një fitore definitive, duke e larë me gjak tokën shqiptare. Ai tani u gjet në organizimet ushtrisë çlirimtare, ku gati çdo ditë udhëtonte nga Qyteza e Rrafshit të Dukagjinit, ku kishte shërbyer shumë vite si mësues, për në Drenicë, ku bëheshin organizimet për këtë ditë të re. Agimi kishte marrë pjesë vazhdimisht në shumë Kuvende në Kosovë përkrah Anton Çetës për pajtimin e gjaqeve. Gjithashtu ishte organizator i shumë shoqatave kulturore – artistike në komunën e Klinës, ku familjarisht ishin shpërngulur qysh herët. Më kujtohet një rast në një dasëm në Kjevë. Agimi ishte ulur pranë meje. Kuptohet që bisedat bëheshin rreth situatës në Kosovë. Një i ri mbante flamurin në dorë gjatë gjithë kohës, edhe kur dasmorët ishin duke vallëzuar, edhe kur bëheshin biseda të ndryshme. Për pak minuta Agimi kishte harruar bisedën. Sytë i kishte ngulur në flamur. Në faqe i pikuan lotët. Vëmendjen ia tërhoqën të tjerët, duke i thënë: “Eja, o Agim, merrna një valle burrash”. Agimi s’dëshironte ta ndërpriste bisedën, por pas lutjeve të mia dhe të dasmorëve, doli. Për herë të parë pashë një korcim (vallëzim), që s’e kisha parë kurrë. Trupi i gjatë e di drejtë i Agimit fluturonte. M’u duk sikur takonte në tokë. Kur mbaroi, i thashë: – “Më habite!” Ai m’u përgjigj: – “Ky është një vallëzim Drenice që trimat e atij vendi e kanë luajtur në fitore. Dhashtë Zoti, që së shpejti të vallëzojmë para këtij flamuri për Kosovën e lirë.” Po fjala e Agimit shkoi në vesh të Zotit. Agimi flijoi jetën për lirinë e Kosovës dha flamurin, që e kishte ruajtur për vite në palët e teshave, emori me vete në varrezat e Heronjve në Drenicë, duke shërbyer si mbulesë simbol për trupin e tij të ri. Shtatori i vitit 1999 trokiti tmerrshëm në derën e Durakajve. Nëna plakë, nusja e re, motrat, vëllau, fëmijët e Agimit e mbarë farefisi, gjatë gjithë vitit kishin pritur kthimin e tij. Sa herë që njerëzit kishin lëvizur në orët e vona, nëna plakë, fëmijët e të gjithë pjestarët e familjes Duraku kishin parë derën, por më kot. Shokët e Agimit, dëshmitarët e gjallë që ishin liruar nga burgu, e kishin vizituar nënën e tij plakë dhe i kishin thënë: – “Të lumtë, oj nënë, që ke lindur asi djali. Na ka mbajtur të gjithëve me shpresë. Agimi vetëm këndonte, vallëzonte e dukej se fluturonte si sokol dhe tregonte fjalë burrash me gjithë plagët që kishte në trup. Këtë lojë në burg nuk e bënte nga gëzimi, por se e shihte fitoren nga afër dhe në këtë mënyrë qetësonte edhe shokët.” Ata tergojnë për një trimëri të rrallë të tij e të shokëve të tij nga Gremniku, Barani e Libusha, nga Belegu e nga Novosella. Për të tregojnë se ishte trim dhe i pathyeshëm. Agimi i kishte mbajtur psiqikisht të gjallë, sidomos të rinjtë, duke u dhënë shpresa për të ardhmen. Gjatë bisedës me nënë e Agimit, m’u kujtua drama “Epoka para gjyqit” dhe fjalët e heroit Abdyl Frashëri kuri tha oficerit turk: – A po e dëgjon këtë vrap kali? Është i biri i atij që e varën dje në litar. Ai tërë kohën këndonte e sot kalin e tij e nget i biri”. Djemtë e Agimit i përjetuan të gjitha këto. Pritën me ditë e netë kthimin e babës së tyre, por babai u kthye me fitoren e Kosovës. Ai nuk u tremb para pushkatimit. Shokët tregojnë se Agimi ishte në krye të kolonës së atyre që do të pushkatoheshin atë ditë dhe u thoshte shokëve: “Lirinë e fituam. Një herë kemi lindur dhe një herë do të vdesim. Ai që do të mbetet le ta gëzojë lirinë”. Atë e kërkon vendi bosh që la në shtëpi, që la në zemrat e të dashurve të tij, ashtu si lanë vendet bosh të gjithë ata që ranë për lirinë e vatanit. Fisniku i vogël sillet nëpër shtëpi e shpreson se një ditë do të lirohet nga burgu e do të vijë pranë tij. Motra Nexhmije shumë e përmalluar nga vitet e kurbetit sa herë do të vijë në Kosovë do të hapë sytë nga rruga ku e priste me krahë hapur e duke vallëzuar, por më kot. Ai do t’i presë në barin e butë e lulet e bukura të varrit madhështor, atje në Drenicë, krah për krah legjendarit Adem Jashari e bashkëluftëtarëve të tjerë. Motra Hyke e bashkëshorti i saj ishin të qetë në luftë, se ai i kishte marrë në mbrojtje fëmijët e saj e ajo me djalë e burrë luftonte e qetë për liri. Motra Nazife, e cila e kishte mbajtur në prehër deri sa u rrit, duke i kënduar dhe mësuar këngë trimërie, ka për t’ua kënduar këto këngë bijve, nipave e mbesave e aty do të përmendet edhe Agimi me shokët e tij e kështu trimëria do të kalojë nga brezi në brez e do ta duam edhe më shumë Kosovën, zemrën tonë. Shoqja Gjyla betohet se do të rrisë trima e trimëresha, të vlefshëm për atdhe dhe se do të plotësojë amanetin që i kishte marrë nga i shoqi për t’i arsimuar e edukuar fëmijët, që Agimi i donte aq shumë. Atë e kërkon gjithkush që e ka njohur dhe janë krenarë për veprën e tij e të gjithë të rënëve për lirinë e Kosovës, të trojeve tona stërgjyshore. Familja e kishte identifikuar trupin pa jetë të Agimit, në atë varr masiv, pasi në xhepin e këmishës kishte patur fotografinë e djalit. Një amanet që i le baba të birit. “Duaji miqtë, luftoi armiqtë! E gëzofsh, biro, Kosovën e lirë”! Me marrjen e lajmit të keq, nëna e kishte ndaluar vajin në vëllezër e motra. “Agimi s’ka vdek! Ai do të jetojë gjithmonë në zemrat e popullit, në zemrat tona, trimat nuk qahen. Ata i këndon lahuta e çiftelia”, – thotë nënëlokja e trimit Agim Duraku.
Shkodrës i vranë për 60 vjet bijtë, historinë dhe krenarinë (Sipas ditarit të parashutistit atdhetar Zef Luka, Clevland, SHBA) Shkodra në vitet e turbullta 1943 – 1944 Shpesh, sa herë që lexoj ditare të viteve që nuk i kam jetuar, mendoj se ideologjia absurde e sistemit të errësirës abskurantiste komuniste, në Shkodër i vrau për 6 dekada me qindra e mijëra bij më të mirë. Arsyeja ishte fare e thjeshtë: atnikomunistë të vendosur. Si shpjegohet fakti që burimet e reja historike në Kosovë dhe Shqipëri flasin e shkruajnë ndryshe nga sa ka shkruar për 60 vjet historiografia komuniste deri në ditët tona. Shpesh sot në Akademinë e “shkencave” dhe në Universitetet e “depolitizueme” në Shqipëri flitet, duke i mohuar Shkodrës dhe Veriut në tërësi velrat e dokumentuara të historisë. Edne gjykohet dhe lihet e shkruar e zeza mbi të bardhë ashtu sikurse e bëri historinë diktatori Enver Hoxha. A mund të shkruhet historia nga ato “profesorë” që në filli kryesonin në karrierën “shkencore” të tyre luftën kundër “fesë dhe zakoneve prapanike”, apo ishin të rinj “rebelë” që zhgulën kryqat dhe rrëzuan minaret në emër të ideologjisë komuniste, që i drogonte duke bërtitur: “Të gjihtë tradhëtarët në litarë”, “Varje, varje, plumbin ballit”. Këto të rinj, u bënë më pas “profesorë” që për meritat e tyre ende sot drejtojnë dhe i shpërlajnë popullit të varfër trurin me broçkulla demokracie, kur bota na njeh si vendin më të korruptuar e të prapambetur, njësoj sikur Etiopia, apo fiset e xhunglave të Kongos (Afrikë) dhe Amazonë (Amerika Latine). Partia Komuniste bënte atentate dhe këtë ia linte përmes trakteve të ngjitura në mur. Kështu gjatë vitit 1943 – 1944 i erdhi radha për t’u vrarë nga kmerët e kuq shqiptarë kapitenit Ndrecë dhe më pas Isa Boletinit. Si shpjegohet që në Luftën e Reçit të gjithë komunistët ishin të fshehur në gropa dhe gjatë 60 vjetëve u frynë si gjela se “kanë” luftuar? Shpesh shqiptarëve, u është servirur vetëm libra të marrë nga KGB – ja ruse, dhe asnjëherë këto libra, ditare, dokumente, nuk janë ballafaquar me veprat e dalë në Perëndim dhe sot është pak e vështirë që brezi ynë i ri dhe studentët nëpër shkolla e universitete të besojnë burimet e paanshme Perëndimore. Për këtë ka ndikuar dhe ndikon shptypi komunist i kontrolluar nga dekonstruktivët në pushtet qysh më 1997, TVSH, mediat elektronike që edhe sot me nostalgji ofrojnë filma përves që veçse shqiptarë nuk janë, ndonëse aktorët kukulla janë vlerësuar jo rrallë me tituj përves “Mjeshtër i Madh i Punës” nga pseudopresidenti i papërgjegjshëm Rexhep Meidani. Gjermanët në Shqipëri gjatë viteve 1943 – 1944 ishin tranzit duke kalura nëpër Shqipëri, duke e nënvleftësuar çështjen shqiptare, mbasi nuk kishte shtet dhe rezistencë. Zef Luka në ditarin e tij shkruan: “U formua një qeveri me Frashërin, P. Anton Harapin, Zef Nasin, tre persona të pastër e patriotë. Ishte edhe Xhafer Deva që gjermanët e donin dhe kishte rëndësi për Kosovë e në Shqipni. Beqir Bejgora ishte komandant i kosovarëve për të mbajtur qetësinë në Shkodër e Tiranë. Të gjithë kishin qeleshe të zeza e të bardha gjatë Luftës”. Po si zhvillohen ngjarjet në Pazar të Shkodrës Ende sot në mediat e kontrolluara nga qeveria komuniste, sikurse thotë edhe vëllai i tyre Hysni Milloshi (në një deklaratë shtypi më 05. 02. 2001 në Tiranë) se janë “komuistët tonë më bastardhë”, nuk ka botuar asnjë dokument të elementeve antikomuniste. Të gjithë janë ish – funksionarë të nomenklaturës së kuqe, duke zhgarravitur me mijëra faqe, apo mbajtur leksione shterpë në universitete, media e kudo mbasi e vërteta ata i verbon e u shkurton pushtetin revolucionar të marrë me dhunë më 1997. Por të ndalemi në ditarin e Zef Lukës. Ai ndër të tjera shkruan: “Ndue Nuthi plaçkit ditën për diell tregtarët që ndihmonin nacional – çlirimtaren, (komunistët, shënimi im K.K.). Çeta e tij ishte tanë zhele. Kur erdh në Shkodër, në Parrucë, i vrasin një shok të tij. Ndue nuk delte prej Shkodret pa pague gjakun e shokut të vet. Shkon me shokët e vet në kafen “Adriatik”, pin kafe dhe shikon duke lëvizur kosovarë dhe niset në shtëpinë e kapiten Gjon Markagjonit. Kapedan Gjon Markagjoni e kishte porositur që mos eja më në Shkodër se nuk do të çili ma rrugë. E nuk ja ka çilë derën. Aty afër ishte Selia Apostolike. Edhe hijnë mbrena e i thonë delegatit me dalë përjashta se due me dekë njitu, edhe më jep bekimin. Krisi pushka, bume e mortaja, prej 5 të mrames deri në 5 të nades. Kosovarët thirrën gjermanët për ndihmë. Ndue Nuthi ishte vet i pesti, pa nji që e vranë në Parrucë. U dogjën dy shpia, e Delegatit Apostolik, dhe e Zef Kokës qi ishte aty afër. At dit nade tanë fmija e Shkodrës edhe burra shkoj me pa Ndue Nuthin dekun te prefektura ku kishte vra vedin. Kishte pasë çue fanelën leshit edhe përmi kerthizë ishte nji shej i zi i rrumbullakët me një birë ku përeth e kishte djegë baruti. Gjermanët u idhnuen kur morën vesh se nuk kishte kenë komunist, Ndue Nuthi kishte vetëm një krah dhe dij pse, doktor Basria ka kishte pre tjetrin. Menjiherë del kanga: “Pai qai Ndue Nuthi – qi po piskatë pushkë e bume për çdo dollapë – të tanë Shkodra duket pak – po ti kishte duart e tija – vaji gjaku te xhamija. Syrri e Sami Bushati, shokë shkolle më thërrasin nji ditë diele e më thonë se fronti nacional – çlirimtar ka nji miting në nji shpi në Zdralej. Edhe unë shkova në miting (këtë fjalë e pata ndie për të parën herë) aty nuk u fol tjetër vetëm klerit e Vatikanit. Ai qi flite në miting nu ke dinte se unë jam katolik, as nuk e dijshe se ata janë komunista, por mendojshe se janë nacional – çlirimtar. Prej mitingut dola i prekun e mendojshe se si ta merrte në dorë Partija komuniste do të na thirrshin ne katolikëve, sikur u ba ma vonë.” Por sesi zhvillohet ngjarja më vonë këtë do ta mësoni në numrin e ardhshëm që për lexuesit objektivë shkodranë do të ofrojmë dëshmi të rrëfyer në ditarin e shqiptaro – amerikanit Zef Luka. Ndër të tjera do të mësoni për herë të parë mbi krijimin e batalionit të Dodë Nikollës; gjermanët lëshojnë Shkodrën; nëntor 1944; në Shkodër bëhet regjistrimi; PKSH hedh hapat e parë për vendosjen e diktaturës etj., etj. Vijon Klajd Kapinova
Kryesekretari i Gjykatës së Shkodrës, mësues Behar Tafa vepron si në kohën e E. Hoxhës Po të bashkosh pamjet me bëmat e komunistëve, natyrisht del një Polifoto Gangsterësh. Diktatura 50 – vjeçare e tillë ishte. Mungoi e drejta e liria njerëzore, kishte diferencime politike, injoranti e antinjeriu dënonte të pafajshmin, njeriun, ishte në kulm lufta e klasave, kishim një izolim total me botën perëndimore, shtypi ishte nën kontrollin e partisë, etj., etj. Brenda një kubature të tillë, me një eklektikë dështake nga trampolini që në të vërtetë është më i shenjti, gjyqtari, na u turr një farë Behar Tafa që shkodranët patën rastin t’ia mësojnë emrin, bile edhe t’ia bashkojnë me pamjen, kur ky, me një si punë hartimi, duke belbëzuar, doli në një konferencë shtypi dhe u vërsul me formula për ne injorante, kundër gazetës kombëtare “Shqipëria Etnike”, e cila sipas tij, po jo sipas dhjetëra mijëra lexuesve tanë, paska tipizuar hendeqe mes gjyqësorit, prokurorisë dhe policisë. Detyra e gazetës është vërtetë e vështirë, por fisnike dhe akuza nuk është aspak e vërtetë. Gazeta ka njëmijë e ca burime dhe ka thënë se nëse nuk respektohet kushtetuta shqiptare, nëse lirohen kriminelë dhe raste të tilla ka patur shumë në Shqipëri, ku edhe janë prangosur gjyqtarë, abuzuesit mund të përfundojnë në burg. Po, shoku B…, ligji nuk është si në kohën e Enver Hoxhës. Të tërë para tij jemi një. Edhe kryeministri, edhe deputeti, edhe diplomati, edhe gjyqtari, edhe gazetari që kanë imunitete, dhe qytetari i thjeshtë që pret nga ne të bëjmë diçka për ta integruar Shqipërinë në familjen e madhe evropiane. Në atë rast, gazeta “Shqipëria Etnike” i ra një këmbane që u prit mirë nga gjithkush, bile edhe nga shteti, se ne duke mbrojtur ligjin, mbrojmë shtetin dhe njerëzit që po kërkojnë drejtësi. Këmbana të tjera jemi të gatshëm t’i bëjmë të kumbojnë, natyrisht, pa paragjykime, pa mllefe, pa as më të voglin ndikim politik dhe ato shifra që ju dhatë në medemek deklaratën për shtyp, nëse iu bëjnë “Fanar Ndriçues”, ne në numrat e ardhshëm do i publikojmë në Internet, të shoqëruara me ca analiza tonat siç na e lejon ligji, ani çka se nuk don Maliqi. O kryesekretar B…, pyete Stefano De Leon se ç’është e zonja të bëjë gazeta prestigjioze “Shqipëria Etnike”. Edhe konsullit italian i pat humbur vula tek fallsifikatorët e dollarit, ndërsa sot na duket se mund të merret dokument me vulën tuaj atje, bile edhe terroristë islamikë nuk është ndonjë çudi e madhe të kenë marrë dokumenta të tilla dhe pasi të kenë blerë në Shkodër edhe librin e Bin Ladenit ta kenë marrë udhën për Tora Bora për t’i dhënë botës qytetërimin Taleban. Në fakt, ju zoti B…, e krahasuat gjykatën e Shkodrës me magazinë në deklamimin tuaj. Ne as e kemi ba dhe as na vete mendja të bëjmë një gjë të tillë. Po, nëse na lejon, nëse nuk na fut në burg si në kohën e Enverit duam të të pyesim: A rrjedh gjë andej nga magazina?! Në qoftë se rrjedh, ju si sekretar a keni pirë gjë? Por deklarata juaj, siç ua tha publikisht edhe shefja e departamentit politik të gazetës sonë, poetesha e njohur shqiptare, autore e njëmbëdhjetë librave dhe fituese e çmimeve kombëtare e ndërkombëtare Fatime Kulli, i referohet nenit “55” të agjitacion – propagandës. Gazeta “Shqipëria Etnike” është tribunë e mendimit të lirë itelektual shqiptar, është organi më me autoritet në diasporën shqiptare, ku po të hapni faqen tonë të Internetit, me qendër në Vjenë të Austrisë, do mësoni se kemi Shtatë Mijë deri në Dhjetë Mijë Vizita në Ditë. Ne nuk krijojmë situata të nxehta, ne jemi Interlokutorë dhe çdo formë hakmarrjeje politike mesjetare ndaj nesh të çon në burime të shterruara, pa ujë, ku as rrjedh, as pikon. Gazeta jonë nuk ka thënë, por meqë ju e kapët Fillin e Arianës, do të thotë në numrat e ardhëshëm se sa të mira janë marrëdhëniet e gjykatës me policinë. Ato kanë edhe traditë. Fjala vjen, më 1997, policia nga dashuria e madhe pat rrëmbyer kallashnikovët, blindat e pat uzurpuar gjykatën e Shkodrës. La namë Shkodra, u çudit bota se si policia dhunon institucionin e shenjtë, se si ky institucion akuzohej nga Blutë se paska liruar kriminelë që policia e prokuroria i paska prurë deri aty me dosje Deng. Ne nuk kemi thënë, por në numrat e ardhëshëm do të themi se kush e ndihmoi kapon e prostitucionit të Veriut Shqiptar, i cili si në Filma me Kauboj pat dalë nga salla e gjyqit të katit të dytë të gjykatës dhe policët në vend ta mbërthejnë atë, kapën gjyqtarët, të cilët nga Veladonët iu Dukën si Priftërinj. Zotni B…! Ka patur kryesekretar gjykata aso kohe apo jo?! Pse s’doli gjykata në konferencë shtypi dhe t’i tregonte popullit shqiptar dhe Botës se u morën masa të rrepta, duke vënë ca tela anash institucionit, si Qymeze Pulash. Zotni kryesekretar B… (Behar), si do e vlerësoni ju faktin që tri javët e para të punës së administratës së policisë me kolonel Pjerin Ndreun në krye të operacioneve të suksesshme, pasi u prangosën shumë persona të kërkuar, kontigjent i krimit, në Shkodër Nuk u Regjistrua As Edhe Një Krim, ndërsa sapo gjykata u angazhua në këto procese dhe magazina juaj bëri seleksionimet, u përmasua krimi, ku edhe në mëngjes edhe në drekë, edhe në darka ka vrasje. Ne që kemi një jetë të tërë gazetarë dhe kemi një ligj: Shtypi është i Lirë, ju bëjmë një sugjerim dhe një pyetje: Mos e fyeni Shtypin dhe Lexuesit e Tij. Dilni në konferencë me një hartim më të arrirë se të parin dhe sqaroni se mos kushedi largqoftë gjyqësori ka dorë në rritjen e kriminalitetit? Është e drejta jonë t’ju pyesim, A ka raste kur gjykata nuk gjen fakte për të dënuar të pandehurin, megjithëse tërë Shkodra e din se iksi apo ipsiloni ka vrarë në mes të qytetit, ka grabitur apo vënë gjoba. Nejse, gjykata keni thënë se nuk është magazinë, se nuk dhunon të drejtat e liritë njerëzore të individit. Por, në këtë linjë le të bëjmë edhe pak përshkrime që e dimë se nuk na gjen nen të na e futësh si akuzë: Një i panjohur me humor na thoshte një ditë: “Jam arrestuar katër herë. Këtë herën e fundit kur më pyeti gjykatësi me çfarë do mbrohem, i ktheva. Me Avokatin, Pasi Pistoletën Ma Mori Policia në Klub Kur më Arrestoi. E kalova me gjobë…” Herë të tjera bëjmë edhe fejtone që janë pak më të athëta, saqë mund ta bëjmë zëdhënësin e gjykatës t’u futet studimeve për letërsi e të studiojë, madje të propozojë pranë Kuvendit të futet ligji si në kohën e Enverit edhe për humorin, satirën, sarkazmën. Pra, shoku B… Është sa më mirë të mos merrni përsipër barra që nuk ua çon kurrizi se duhet ta dini se gjithmonë të çmendurit që për fat të keq kemi shumë në Shqipëri, hapin udhët nëpër të cilat ecin më vonë të mençurit. Redaksia jonë në një numër tjetër do njoftojë Departamentin e Shtetit Amerikan nëpërmjet faqes sonë të internetit se një pinjoll i kohërave të perënduara ka deklaruar publikisht se: “Drejtori i gazetës “Shqipëria Etnike” ka probleme personale me drejtësinë shqiptare, se ai edhe herë të tjera ka vendosur ura zjarri…” Akuzë pak e rëndë, apo jo? Themi në planin ligjor, ku dimë t’i dalim zot vetes njëlloj si në atë personal. Megjithatë, ne jemi të mendimit që të fortët është turp të hyjnë në lojë me të vegjëlit. Ata që janë ankuar deri sot ndaj nesh kanë humbur. Zoti b…, kur i bën biografinë drejtorit të kësaj gazete në emër të ligjit, mos e ke gjë fjalën për akuzën ndaj meje më 1987 kur unë kam botuar shkrimin “Ujësjellës që nuk sjell ujë” në “Zëri i Popullit” ku kam kritikuar ish kryeministrin komunist Adil Çarçani dhe ish anëtarin e Byrosë Politike Muho Asllani që kur përuruan ujësjellësin e Oblikës e Muriqanit, iu duk rakia si ujë dhe ujë s’kishte as edhe një pikë. Të siguroj se ujë nuk ka as sot. Megjithatë, mund të marrësh e të çosh atje veprat e Enver Hoxhës t’ua shtrydhësh njerëzve se mos u nxjerrin gjë ujë. Në mos gjesh vepra në Gjykatë, kërko tek partia komuniste. Ndoshta gazetari që “Vë ura zjarri” për ty është ende fajtor qyshse pat paditur ish ministrin Safet Xhulali. Shikoje dosjen mirë me hafijet e tu në të ardhtë kush pas se dhe ministrit i qe lagur Mandati nga Minatorët e Bulqizës. Bile i qe lagur në nevojtore ku qëndroi si burrat për nja tetë sahat të mirë, i zhytur deri në fyt. Pra, me pak fjalë, gazeta është gazetë, ajo shkruan pa paragjykime, dhe këtë politikë impotente që sa herë pjell vajzë ia lë fajin partnerit, do e godasë sikundër tërë të paaftit e të korruptuarit deri në strukturat më të larta të politikës e shtetit. Ne kemi përcjellë shumë qeveri e do përcjellim prapë. Sa për ju, pas nja dy – tre shkrimeve qoftë edhe groteske mund t’ju përcjellin shokët tuaj dhe është pak si keq se edhe vend për Qoska ku Mund të Shiten Qebapë gjen me pakicë, bile Bashkia mund t’i heqë edhe ato që janë. Sokol Pepushaj
Bashkia në Shkodrë bën lojën e qeverisë Ka vetëm pak ditë kur në një televizor lokal këtu në Shkodër u pa kryetari i Bashkisë z. Ormir Rusi duke folur për planet që ka kjo Bashki e cila do të realizojë një plan të madh që do të jetë ndër sukseset me të cilin ajo do të dalë krenare para qytetarëve të lodhur shkodranë. Por çfarë është në thelb ky plan dhe çfarë do të përfitojnë prej tij këto shkodranë që luftojnë me pushkë pa fishekë kundër halleve që i kanë kapur për fyti? Zoti Rusi tha se Bashkia e Shkodrës do të eleminojë tregtinë ambulante nga trotuaret duke u dhënë një shans të rradhë qytetarëve të kalojnë rehat nëpër trotuare pa u prekur bërryl me bërryl dhe këpucë me këpucë. E thënë më shkoqur do të hyjë në punë një fshesë e hekurt për të vënë rregull pak a shumë si fshesa e hekurt greke që fshinë shqiptarët fatkeqë në Greqi ku ata kanë shkuar për një kafshatë buke. Pa u larguar nga tema që po trajtojmë na bën shumë përshtypje ky plan sepse dihet që anëtarët e këshillit bashkiak jetojnë në këtë qytet dhe pa tjetër e dinë fort mirë se kanë marrë votat e popullit që të jetojnë në hallet e tij dhe jo t’u ngulin thikën aty në shpinë. Zoti Ormir nuk ka përse të veshë fanelën e Edi Ramës dhe t’u sulet në shpinë qytetarëve sikur Edipi se Shkodra nuk është Tirana ku qytetari edhe mund të gjejë një punë. Duhet pranuar se pastërtia dhe tortuaret e lira u rrisin vlerën estetike qytetit dhe lehtësojnë qarkullimin e qytetarëve duke i shtuar edhe më shumë pikë kulturës qytetare në Shkodër, qytet i njohur për këtë tregues pozitiv. Por sa peshon dëmi i këtij veprimi në jetën e familjeve të varfëra shkodrane. Jemi të bindur se ballafaqohemi me një dëm kolosal sepse qytetarët shkodranë do të jenë më të zbuluar se kurrë përballë varfërisë. Habitet vërtetë njeriu me këto bashkiakët shkodranë që janë kaq dritëshkurtër dhe nuk dinë se çfarë po ndodh në Shkodër. A thua nuk e shohin qytetin më të madh verior që po zhytet çdo ditë e më thellë në një mjerim që patjetër është i planifikuar dhe ku planovikët janë pushtetarët e sotëm. Ku janë ato mijëra vende pune që u premtuan dhe sa nga këto mijëra i takojnë Shkodrës. Dhe në këtë qytet të mjerë ku varfëria troket derë më derë, qytetarët rreken çdo ditë të fitojnë pak para sa për të mbajtur frumën duke nxjerrë pak mall nëpër tavolina ku rrinë të gozhduar me orë të tëra se mos ndonjë kalimtar bën sevap dhe blen diçka tek ai. Këto qytetarë që janë nëpër trotuare me tavolina dhe me mall nuk kanë dëshirë ta shohin veten nëpër pluhëra apo nëpër baltë. Jo! Ata janë pensionistë të cilëve ky shtet që për çudi quhet shtet, u jep pension sa për të blerë 1/3 kg mish në ditë kurse pjesën tjetër për të jetuar e kanë pa para, pra ajrin që e thithin pa i marrë leje askujt. Ata janë edhe qytetarë që marrin asistencë nga shteti i çuditshëm që u jep para sa për të blerë 1/4 kg mish në ditë. Pjesën tjetër për të jetuar qeveria ia ka garantuar edhe këtyre në ajër sikur pensionistëve. Për fatin e madh të pushtetarëve edhe të Bashkisë qytetarët shkodranë janë të shtruar dhe të butë, nuk bëjnë zë fare dhe kanë dalë në rrugë për të punuar që të mbajnë familjen. E mirë do të ishte që të dilnin në rrugë me mijëra, ditë e natë, me ditë e muaj për të kërkuar punë, pensione dhe asistencë optimale për të jetuar duke e bërë këtë qeveri të flasë me vete dhe të ia bëjë tetë me dy, sepse vetëm kështu ata pensionistë dhe varfanjakë të tjerë do të kryejnë detyrën e tyre qytetare dhe do të shpëtonin familjet e tyre nga varfëria. Rendi deklaron në televizor se është gati për të ndërhyrë sa të japë urdhër bashkia. Pra pushteti gati ta fundosë edhe më thellë Shkodrën e Partisë Demokratike në humnerë. Dhe Bashkia e vjedhur në votat e demokratëve është e gatshme të japë urdhërin. Pra e gatshme të bëjë lojën e qeverisë duke u bërë kështu palë në sulmin kundër qytetarëve shkodranë, duke e ngarkuar veten shumë, duke hedhur mbi vete hijen e dyshimit sepse qytetarët do të pyesin me të drejtë. Zotërinj! Mos ndoshta firmosni edhe për ndonjë rrogë të dytë? Në qoftë se trotuaret bëhen fushë jemi të bindur se qytetarët do ta shohin veten në rrugë pa mjete jetese. Por akush nuk pranon të vdesë urie aq më tepë kur këtë uri atij po ia imponojnë me dhunë. Dhe askush mos të çuditet kur qytetarët do të dalin në rrugë tashmë jo për të shetitur a për të bërë sehir. Ata do të dalin patjetër me ato thirrjet e tmerrshme për pushtetarët “Duam punë”, “Duam bukë për fëmijët tanë”. Askush nuk ka guxim dhe trimëri të përballojë këtë thirrje. Pushteti nuk paska para për të rritur pensionet dhe asistencat e qytetarëve. Ai nuk paska as punë për qytetarët e tij. Atëherë pse nuk i lejon qytetarët të fitojnë pak para sa për të siguruar një minimum jetese. Çfarë vlere paska ai plani juaj i madh për të liruar trotuaret kur njerëzit do të mbesin me lugë bosh në dorë? Ne jemi të bindur se në një situatë të tillë ekonomike ku është Shkodra, ky plan është tepër i parakohshëm dhe fatal për mijëra familje shkodrane. Prandaj ju duhet ta rishikoni patjetër planin tuaj duke e shtyrë realizimin e tij në një kohë tjetër kur të jenë krijuar kushte të tjera ekonomike për qytetarët të cilët do të largohen vetë nga trotuaret sepse nevoja dhe halli i kanë hedhur ato qytetarë në rrugë të madhe. Ju sot, të nderuar bashkiakë duhet të keni dhembshuri për ata dhe ta mendoni veten në vendin e tyre duke qëndruar në mes të rrugës, duke pritur ndonjë blerës që t’u sjellë pak fitim. Prandaj themi se në Shkodër tregtia ambulante sot duhet lejuar dhe Bashkia në Shkodër nuk duhet të bjerë në rrjetë duke bërë me ose pa dashje lojën e qeverisë Meta. Selim Gogaj
Prendush Gega, Rapsod i mbiquajtur poet i Kabashit Lindi në lagjen Buhot të Kabashit të Pukës në vitin 1843 dhe vdiq në Kabash në 1938. Rrjedh nga një familje e varfër fshatare, me ndjenja partiotike e atdhetare. Ishte gjithnjë kundër sundimit Osman. Poeti përveç luftës kundër pushtetit Turk, thurte edhe këngë kundër tij. Kur populli i Iballës në vitin 1903 ndërtoi shkollën e re, kundër vullnetit turk, Prendushi thuri këtë këngë: “Na bajmë shkollën e bajmë saraje Sa per Turkun s’kemi gajle!” Ndërtimin e shkollës të Iballës e ndihmoi populli i zonës dhe me tekste shkollore ndihmoi poeti atdhetar Ndre Mjeda, dhe mësuesi i parë i kësaj shkolle Kolë Zezaj. Për poetin e Kabashit kanë shkrue shumë personalitete të kohës. Në vitin 1923 dom Lazer Shantoja shkroi një artikullnë revistën Kalendari Pyjor, ku përshkruan firugën e Prendush Gegës, si një poet popullor me përmasa të mëdha, jo vetëm për Pukën, por edhe trevat përreth. Dom Lazer Shantoja shkruan: Burrat e Kabashit janë burrat të naltë, të urtë, të pashëm dhe të ndershëm, të fortë e të besës! Kur shkova në Pukë kisha vendosë me u takue me poetin e Kabashit! Kishem ndie se kangët ma të bukura vijnë prej Puket. Në Pukë u takova me atë që me një dhunti natyrore të bindëshme amshon virtytet e burave tonë. Prendush Gega thuri kangë për rrethimin e Shkodrës nga ushtritë serbo – malazeze në 1913.po shënojmë një fragment nga kjo kangë: Esat Pasha u mustak i zi Po ban fjalë me Mal të Zi Hiq ket punë s’ta za trimni Po m’rrethove me Serbi Hiq pa gjak s’ke mujt me hi m’merr me t’keq e m’merr me zi Kullot robin si baktin Si baktin qi kullot barin Hej medet si i bahet hallit Se na u sos mishi i kalit Njiqind grosh s’i gjindet oka Krajl Nikolla krye lopa Nuk po din ça ban europa Veç po ndez Shkodrën me topa Po e ndez e te e ka shkri Nga nji gjyle e hodh per shpi Ka vra gra e ka vra fmi Ka qart kish e ka qart xhami. Prendush Gega nuk e ndal këngën edhe për zaptues të tjerë të Shqipërisë dhe rrethit të Pukës. Kur në 1916 – 17 që erdhën Austrohungarezët në Pukë shfaqi urrejtjen për këta zaptues dhe tha: “Nuk duem të huj as nemseli Me na ardhë ma në Shqypni Boll jem lodh me turqeli” Prendush Gega ka përdorur bukur edhe satirën e humorin. Me një rast të veçantë p.sh. Nji fshatar i qujtun Frrok Shyti mori nji zog micet te Prendush Gega, mas nji farë kohet shkoi Prendushi te Frroku sa hin mrend e shef micen të lidhun për laku, Prendushi i tha: Pse ke hi në gjunah dhe aty për aty ja ngriti kangën satirike si ma poshtë: Prendush Gega budalla S’ban sevap po ban gjynah Macen Shytit pse ja dha Mace e shkreta lidhë te stena Fort po ngreh me shkue te Lena Mace shkreta nji fjal foli Ndore tande Prendush Coli. Bejtat e Prendushit të qituna në kambë e në dorë pa humbë kohë tuj mendu, me fjalë të fortë e shprehje të gjalla. Të gjitha kangët Prendushi i mbante për mendësh mbasi nuk dinte shkrim e këndim. Kangët e tij nuk ishin të mbledhuna në libër por ruheshin në gojën e popullit. Në 1925 Italia dhe Anglija dhanë disa ndihma për Shqipninë edhe për rrethin e Pukës. Në shpërndarjen e këtyre ndihmave ishte i pranishëm edhe poeti Prendush Gega dhe si gjithmonë në ksi rastesh ai thuri këtë kangë: Në mes të jerash tha: Rrnoft Itali e Kryqi i Kuq Qi na knaqi të kshtenë e turq Rrnoft Italia me Hingliz No qit shum no mos ja nis hiq. Prendushi don me ju thanë se të gjithë kemi nevojë për ndihma se të gjithë jemi fukara. Qeveria e Zogut vendosi taksa të randa, si kudo edhe në Pukë, Prendush Gega në këtë ngjarje ka shkrue kangën: Kajmekami i Pukës thërret në zyrë kryeplakun e Qelzës Pal Marashin dhe i jep ultimatum për të pague të dhjetat, dhe i kërcënohet me burgim, Pali në këto momente i bjen grusht kajmekamit, Palin e arrestojnë, por komandanti i xhandamaris Elez Hoti e liron Palin nga burgu për këtë trimni të Palit, Prendushi i thur këtë kangë: Ky Pal Marashi, zana e malit Grusht na i ra kajmekamit Në dor i ra kapidanit Kapidanit Elez Hotit Pal t’ndimoft dora e Zotit Të ndimoftë dora taman Qi na e rrahe ket kajmekam Te e mrapa nuk nguc kend. Pra siç del nga kangët e poetit, kangët e tij janë me prirje atdhetare e patriotike për të luftue me çdo mënyrë për lirimin e popullit nga taksat e randa dhe vuejtjet në skame të madhe. Prendush Gega ka qenë edhe plak fisi, bashkë me krenë të tjerë të fisit Kabashit. Ndër këta përmendet Zymer Lluka, Kol Mema, Murrec Misini, Koliq Koca e të tjerë. Besëlidhja e Pukës për çlirimin e vendit u mblodh në livadhet e Qelzës më 1912 nën kryesinë e Zenel Agës, merrnin pjesë edhe Halil Musa, Hasan Neziri, Mark Qerimi, Prendush Gega, Koliq Koca, Marash Marku e të tjerë. Në mbyllje të këtij shkrimi për poetin e Kabashit Prendush Gega, po shënoj kangën e tij të fundit në moshën 90 vjeçare: Në mes tjerash vazhdon: “Prendush Gega flet nji fjalë Nanddhjet vjeç e ma kam dalë I pa çikë e i pa djalë I pa kalem e i pa shkollë Vet tham vei maj mende Më ka ba hejdi mreti Por jam plak më ka lan kyveti, Ky ishte edhe mbeti poeti i vjetër Prendush Gega pa laps e letër. Zef Koliqi
Korrespondencë me Gjosho Vasinë Gjoka im i dashtun, Ja ç’po t’them ma t’parën Kangët tua t’ambla Pesh ma çojn kitarren Fluturojn kujtimet N’Shkodrën tonë të lashtë Ku ne e sfiduam vuajtjen e përbashkët Qe t’kam thanë gjithnji Shpirtit tand i falem Qoftë gjithkush si ti Tash po i dergoj diç deshirës tande Thashetheme i quajta Se ashtu më kande
Mo u rreni vllazen si i kam mbushë shtatdhetë E se qenkam plak Mos ta mendoj kush Ka mundsi n’rregjister Të jetë shkye ndoi fletë O ka qenë nenpunsi Hush e karabush Sot unë e kam trunin Me kujtesën top E kam edhe muzen T’qeshun rrexe diell Lehtë më kafshon qeni Nga që nuk mbaj shkop Në shoqni t’pa situn bahem kaçamill Me tiktake t’zemrës Shpesh kurdisi orë Me qartsi të syve Mizen shoh n’komshi Sa herë ngrej dolli S’dridhet gota n’dorë Me fuqi t’stomakut Tremi çdo bagti N’shishen e ndërgjegjes Kurr s’më gjeni helm Sa herë këndoj me miq, Nxjerr vokal të fortë Kam dy kambë betonit Qe ba me i ra shqelm Topit të futbollit Shkon nga porta n’portë Me që puna krahët m’i ka skuqë përherë Janë ba muskujt bombë Gati per me plasë Deri inxheksioni Kur kërkon me m’therë Pelset katër copash Si me ndeshë ndrrasë N’t’bukrat mëngjeze Ndjekim në nji shteg Bregut detit bashkë Shkojmë e vimë tegel Kaq të fortë kam gazin Sa barken në breg E shtyj larg me frymë Pa nevojë për vel Bisedojm me libra si me shokë të mirë E jam mik me shishen që ka ngjyrën shegë Akordoj kitarren Në këtë skaj të lirë Mbasi për fat veshët Më punojnë Omegë Tash s’besoj se thoni I ke mbush shtatdhetë Ju i patë gjymtyrë Lye me graso e voj Kujdes thashethemet T’kishi thanë gjashtdhetë Per hirë të miqsisë Edhe ua pranoj Trieste 30 tetor 2001
Përgjigje letrës T’falem ndersë Gjosho Vasia Per letrën që ma dërgove Në të cilën më tregove. Se nga ç’qe Gjosho Vasia Je ba Gjergj Elez Alia Ç’ka me t’thanë parë e ma parë Po t’baj be un pasha buken Njai poeti ynë kombëtar Me t’pasë njoftë pa nji pa dy Ç’ka ka thanë për Oso Kuken Do ta kishte thanë për ty Hapni veshët o shqiptar Per shyqyrin e ksaj ngjarjes Që nuk ndodhi kurr ma parë Këndoni fort e bini dajres Perj gzimit loni meç Se leu Gjergj Elez Alia Jo si lenë zakonisht fëmija Por na leu ku shtaëdhjetë vjeç “Prandej plumbi n’te nuk ngulet N’te tagani fillë përkulet Top me i ra shpirti s’i shkuret” Paj qe besa o shqiptar Per çka thashë xene kurrgja Por po thonë ktij katalla S’ka çka i ban ky mij vjeçar Mund t’mos e besoni ngjarjen Që s’asht thanë me gojë as letër Por asht thelb i realitetit Kur del Gjoshja n’breg të detit E rastsisht nxjerr frym marrjen E hjell barken n’anen tjetër Mbasi ke gjith at takat Mos e zgjat as nji sahat Pa ardhë n’vend t’Pader Antonit E me ato kamb betonit Me i ra shqelm gjith ksaj hata Që na bjen me ndi e pa Si mos paftë kush në dyrnja Tash i dashtun mik i vjetër Unë po hy në nji temë tjetër Po të çoj këto urime Që janëlule t’zemrës time Kalosh jetën me Berinen Pro si harku me violinen T’mira familja Vasia Pastë sa krenat tonë kanë thija Si mi si sol rre la mi Gjithmon rrofshim unë e ti Vuna vehten para teje Se e kam ma afër meje. Gjokë Vata
Shën Valentini, dita e bekuar e dashurisë edhe për shqiptarët Edhe në vitin 2002, si në vitet e tjera ka shumë ditë të bekuara që njerëzimi e qytetërimi u falet, u falet se këto ditë të kujtojnë Idhujt e vërtetë që u sakrifikuan vetë që të shpresojmë ne, pasardhësit e tyre ndër shekuj për ditë më të mira, më të lumtura, më të dashura e më të ngjashme me ato që predikojnë “Simbolet” e besimeve tona, që kanë një besim, Besimin në Zotin. Padyshim një nga ditët më të bekuara e më të lumtura është dita e Shën Valentinit, që nga njerëzimi tashmë njihet si dita e bekuar e dashurisë. Apo më e bukur si festa e zemrave që rrahin me ritmin e jetës e promotorit të saj dashurisë. E kjo festë Zemrash ka shekuj që bota e qytetëruar e feston, madje festimi bëhej shumë më përpara se Kristianizmi të bëhej feja e shpresës dhe qytetërimit, pra dhe në kohën kur Paganizmi (besimi absurd në idhuj të rremë të marrë nga Natyralizmi) ende lulëzonte me tërë veset e shterpësinë e një jete në rënie, por atëherë kishte një kuptim tjetër të cilin po e “spjegojmë”… Kur Romakët për të nderuar një perëndi (Pagane) me emrin Lupercus e cila i “mbronte” ne kopetë e ujqërve që ndodheshin në pyjet në periferi të Romës së atëhershme, çdo datë 15 shkurt organizonin një festival që quhej pranveror (pasi sipas kalendarit të atëhershëm ishte dita e pranverës). Në këtë festival ishte zakon i shkrimit të emrave të vajzave roamek në shirita “letre” që futeshin në vazo, ku çdo i ri pjesmarrës në festival tërhiqte në formë shorti një vazo, vajza që kishte emrin në shiritin e vazos bëhej e dashura e tij për gjithë vitin, por në vitin pasardhës u përsëriste sipas shortit të ri, pra me Rite Pagane… Dalngadalë me fitimin e terrenit të Besimit e Kulturës Kristiane, ku familja ishte e shenjtë, si dhe morali njerëzor kërkonte që dashuria të mos ishte e përkohëshme dhe e përdhosur, por të ishte e përhershme dhe në përputhje me moralin e ri Kristian. Ndoshta “shkak” për këtë u bë prifti Valentini i cili në kundërshtim me moralin e sundimtarëve të Perandorisë dhe Dekretin e perandorit Claudius II, i cili kërkonte që ushtarët e tij të mos martoheshin (pasi kështu ai mendonte se ushtarët nuk luftonin si duhej se e kishin mendjen tek familja) e të kishin të dashura. Ky prift kristian fshehurazi kurorëzoi çifte të reja. Për këto, ai pasi u zbulua u burgos dhe më 14 shkurt të vitit 269 (pas lindjes së Krishtit) iu pre koka. Pas kësaj si dhe me forcimin e besimt kristian ky prift u shenjtërua dhe dita e festës së të dashuruarve u spostua nga data 15 shkurt në datën 14 shkurt, madje kjo ditë ndryshoi emërtimin siç njihet sot në ditën e Shën Valentinos (në emrin e shenjtëruar të priftit të martirizuar). Gjithsesi ka edhe një person tjetër po prift me këtë emër i cili u martirizua po këtë datë, duke iu prerë koka po nga perandori Claudius II, pasi ky kishte thënë se perënditë pagane Romake, Jupiteri dhe Merkuri ishin të paturpshme e të ulëta (pasi ishin të rreme), si dhe në burg kishte mjekuar dhe bërë që vajza e gardianti të burgut Austerius të bëhej Kristiane së bashku me të atin, e pastaj u ekzekutua simë sipër. Gjithsesi të jetë e vërteta ajo ka një qëllim, që kjo ditë e bekuar e dashurisë të jetë festë zemrash që mbjell dashuri e shpresë, paqe e lumturi, që ne shqiptarëve na ka munguar mjaft në vite e shekuj, madje edhe vetë kjo festë deri pas vitit 1990 ka qenë një ditë e ndaluar, por e zëvendësuar dhunshëm me ditë, festa e idhuj të rremë që ishin tamam të Paganizmit të vjetër, por me emra të rinj, që për çudi mbaronin po me izëm… që shpresojmë sa më shpejt ti zëvendësojmë me fjalën ishin, ishin ata, që të jemi ne sot vërtet ashtu si është bërë zakon të urojmë çdo vit më 14 shkurt, të lumtur, të gëzuar, të bekuar e dashuruar, që shpresojmë se edhe ne shqiptarët e meritojmë… ashtu u bëftë… Ndue Bacaj
Fytyra e vërtetë e një kombi është arti dhe kultura e tij Më vret çdo minutë që më kalon pa punë (Një bashkëbisedim me artistin e popullit Serafin Fanko) Nga: Fatime Kulli Trokas në katin e III të një pallati në lagjen Rus i vjetër në qytetin e Shkodrës, pikërisht në shtëpinë e artistit të madh të skenës shqiptare z. Serafin Fanko. Derën ma hap e shoqja një grua simpatike dhe me mjaft kulturë që është karakteristikë e kulturës qytetare shkodrane. Hyj në dhomën e pritjes, e cila është dhe dhoma e punës të një artisti shumëdimensional. Më ranë në sy poltronat tepër të vjetër, të familje Fanko, ndoshta njëqind e ca vjeçarë të mbajtur aq me kujdes, duke i ruajtur si relike të çmuara, për të treguar origjinën e kësaj familjeje. Dhe s’ka si të jetë ndryshe, sepse mikpritja, buzëqeshja, zëri dhe paraqitja fizike e artistit të madh z. Serafin Fanko është e pranishme me thjeshtësinë dhe komunikimin mjaft njerëzor, si të ketë zbritur një engjëll nga një planet që ne shqiptarët kemi shumë nevojë të engjëllëzohemi. Dhe Serafini nuk iu shmang pyetjeve kuriozetative për ta njohur më thellë në origjinë. Mësova me kënaqësi se gjyshi i artistit tonë të madh, ishte zoti Stefan nga fshati Bual i Përmetit. Ish avokat në kohën e pamvarësisë. Ish dy herë Kryetar i Bashkisë për Përmetin dhe në dy legjislatura, ish anëtar i Këshillit të lartë, të Kongresit të Lushnjes. Kurse Nikolla, i ati i Serafinit, ish oficer në kohën e Zogut. Është dëshmor i Luftës Nacional – çlirimtare dhe trupi i tij prehet në varrezat e dëshmorëve. Pra artisti Serafin Fanko është një shqiptar nga një familje me kulturë nacionaliste. Kurse nana e Serafinit ka lindur në Manastir të Maqedonisë. Studioi në Rumani Ekonomikun dhe është vajza e tezes e artistit të madh Sandër Prosit. E pra kjo trashëgimi e kësaj familjeje intelektuale ka degët e rrënjëve të saj me vlera kombëtare, sepse vetë artisti është një vlerë e artit shqiptar. Dhe këto vlera pasqyrohen, duke mbushur murin e dhomës, që pritjes të Serafin Fankos me dhjetra çmime të marra brenda dhe jashtë vendit, inkuadruar me kujdes brenda kornizave artistike, për të ruajtur vlerat e këtij artisti të madh që flet me mjeshtëri fjalën shqipe. Qofsha gabuar, për nuk njoh ndonjë artist tjetër në Shqipëri që të jetë vlerësuar kështu: – tetëmbëdhjetë çmime për çfaqje dhe për regji më të mirë (Nga ministria e kulturës) – pesë çmime “Aleksandër Moisiu” – Pllakatë e artë në Shkup (Maqednoi) për kontribut të veçantë në përparimin dhe aktiviteti në teatrin e kombësive (1990) – Një çmim tjetër mjaft interesant, ju dha nga brigada 332 UÇK – Një pllakatë e punuar me mjeshtëri artistike zotit Serafin Fanko! Për kontributin e tij që ka dhënë në Gjakovë. Me respekt komandant Abdulla Babalija Gjakovë 1. 06. 2000. Dhe para madhështisë së këtij strategu të artit skenik, biseda bëhet krejt miqësore dhe Serafini i kthehet reminishencës dhe rrëfen: – Kam lënë shkollën e mesme për arsye ekonomike, dhe kam punuar fillimisht si kërcimtar në ansamblin e ushtrisë (për një kohë të shkurtër, se nuk gjeja veten aty), si ndihmës magazinier, shkrues, tornitor. Më vonë instruktor në klubin e rinisë, ku ishte drejtor zoti Fadil Kraja. Gjaët kësaj periudhe në luhatje për të gjetur rrugën e artit, studioj privat në piano, pikturë dhe shkruaj krijimet e para, të cilat botohen në gazetat e atëhershme. Në bashkëpunim me autorë të tjerë shkruaj libretin “Me ne është gëzim” kompozuar nga Tonin Harapi, Vath Çangu, Tonin Daia dhe marr çmimin e parë në festivalet e garnizoneve ushtarake në Shqipëri. Në mos gaboj, – thotë Serafini – ishte viti 1953 dhe isha vetëm në 16 vjeçar dhe këtë shfaqje e vura në skenë veët si regjizor, (pa qenë regjizor). Më vonë shkova në liceun artistik, dega aktor, ku mbarova në vitin 1959. Dhe në një konkurs që organizonte UNESKO, fitova të drejtën e vazhdimit të studimeve për shkollën e lartë. Këtu konkurova me skenarin e filmit artistik “Lukja” sipas novelës së Migjenit (njëra nga tregimet). Vazhdoj akademinë e filmit në Pragë. Në vitin 1961 ndërpres studimet për arsye politike të prishjes së mardhënieve midis shtetit shqiptar dhe atij Rumun. Më vonë filloj studimet në akademinë e arteve në Tiranë. Më pas filloj punë si aktor në Shkodër (në vitin 1963 – 1966). Në 1966 bëj specializimin për regji të teatrit dhe ndërkohë aktivizohem si pedagog në akademinë e arteve, të vitit të parë dhe vitit të katërt, nënë drejtimin e Kujtim Spaivoglit. Nga viti 1967 isha pedagog i aktorëve të njohur sot, si Pavlina Mani, Bujar Lako, Anastas Kristofori etj. Në fund të këtij viti filloj punën si regjizor në teatrin “Migjeni” në Shkodër, ku edhe aktualisht tash në vitin 2002 jam regjizori i teatrit të Shkodrës. -Zoti Serafin, deri tashti më treguat rrugën e vështirë e plot sakrifica për t’u bërë regjizor i teatrove, por në gjeneratën tonë, ne ju njohim si artist i kinematografisë shqiptare. Në sa filima keni luajtur? – Po, kam luajtur 13 filma, personazh i parë dhe i dytë. Një aventurë e bukur artistike që tashmë për mua ishte vetëm një ëndërr. – Ju keni luajtur mjeshtërisht edhe në teatër, apo jo? – Në teatër kam interpretuar 46 role. – Kurse si regjizor ndiheni më komod. A i mbani mend ekzaktësisht sa mund të jetë numri i shfaqjeve që keni realizuar? Dhe Serafini pa u menduar fare më thotë: – Janë plot 150 premiera (si regjizor). Në të githa zhanret, si dramë, teatri poetik, opera, komedi, operetë, estradë. – Cilët janë bashkëpunëtorët më të sukseshëm në dramë përveçse dramaturgut të njohur Fadil Kraja? – Kam punuar me shumë autorë. Kam vënë në skenë dramat e para me Sheri Mitën, Fadil Krajën, Hilmi Tukaj, Mustafa Tukaj dhe me autorë të rinj si Albër BRAhusha, Stefan Çapaliku etj. Autorët e rinj dhe aktorët e rinj i kam vu në konsideratë, dhe kam punuar me kënaqësi dhe jam i gatshëm të punoj, me cilindo autor që mua të më pëlqejë mesazhi që përcjell ai. – Ku e gjeni forcën për të qenë kaq i freskët në fantazinë e pësosmërisë regjizuriale? – Gjatë kësaj kohe kam patur fatin të punoj me artista të mëdhenj, jo vetëm të teatrit “Migjeni” por të hapësirës mbarëkombëtare si Esat Oktrova, Tinka Kurti, Ndrek Luca e shumë e shumë të tjerë… Dhe bashkëpunimi me ta ka qenë eksperiencë e madhe. Këta artista ishin muza e fantazisë sime. Dhe modestia e Serafin Fankos arrin deri aty sa thotë: – Unë jam produkt i kolegëve të mij, sepse pa ta unë s’do të isha ky që jam, por a është në të vërtetë kështu?… Vlerësimet e spektatorëve s’duan ta pranojnë, dhe as kolegjiumet e ndryshme të kritikës së artit, nuk mund ta pranojnë modestin e Serafin Fankos, sepse vetë SERafini është artist shumëplanesh, vetë fakti që ky vetë është autori (libretisti) i 14 dramave e dramatizimeve, që janë vënë në skenë, po vetë nga Serafini regjizor dhe kanë marrë çmime të para, të dyta, thotë shumë… E pra, ky është artisti gjigand, Serafin Fanko, lindur e rritur në Shkodër (me origjinë përmetar) që ka përcjellë në çdo skenë brenda dhe jashtë vendit, kulturën e artit skenik shkodran, dhe që nuk ka menduar ta braktisë Shkodrën, (qyteti që ka pësuar hemoragjinë më të madhe të trurit të tij) edhe pse që nga viti 1980 ka patur oferta për të punuar jashtë vendit edhe pse është krijuesi i teatrit “Sofra” në Strugë, ku ka vënë 5 shfaqje “Endacaku i pangopur”për art vazhdon të udhëtojë. Në teatrin e kombësive në Shkup me dramën shqipe dhe turke. Me teatrin kombëtar të mrekullueshëm të Malit të Zi, me teatrin kombëtar në Tiranë, Teatrin e Operas dhe Baletit, Teatrin “Alenksandër Moisiu” në Durrës, në teatrin “Bylis” Fier dhe në shumë vende të tjera në Shqipëri. Dhe stacioni i fundit teatri “Andon Zako Çajupi” Korçë. Por në duart, (që binte në sy verdhëzimi i dy gishtërinjve nga duhani) artisti mbante përtueshëm dy ftesa pune, një për Kalabri dhe tjetra për Amerikë. Amerikën e shumë ëndërruar për shqiptarët, të cilët shesin çka kanë, paguajnë mijëra dollarë për të shkelur tokën e ëndërruar, Serafin Fanko e refuzon duke më thënë: – Nuk do të shkoj, do të punoj tash e prapa vetëm në Shqipëri, ndoshta s’kanë nevojë për mua, por unë kam nevojë për njerëzit e thjeshtë, që më duan e më respektojnë. Zoti Serafin! Në konkurset e bukurisë femërore në Shqipëri, a ka pikasur regjizori Fanko (si “gjuetarët” e huaj) ndonjë aktore të ardhëshme të filmit shqiptar? Dhe sa i plotëson kjo bukuri kërkesat profesionale në teatër, skenë e film? – Në teatër është e bukur ajo që ka talent. Është fat kur bukuria bashkohet me talentin. Kjo ende s’më ka zgjaur ndonjë interes profesional. Por bukuria shqiptare për fat të keq është shfrytëzuar për reklama dhe është mohuar talenti (nëse kanë pasur). Por biznesi ka punën e vet, dhe ai di t’i shfrytëzojë. – Ju jeni artist i madh i skenës, a mendoni se kritika juaj mund të ishte “ligjvënëse” për të ardhmen e teatrove në Shqipëri? – Do të doja që ligjvënësit të dëgjonin fjalën e krijuesve më shumë, se fytyra e vërtetë e një vendi është arti dhe kultura e tij. – Si ndjehet pas kaq vitesh, të një karriere elitare artistike Serafin Fanko? Dhe çfarë s’keni realizuar në jetën aktoreske dhe regjizuriale? -Ngrakesa ka qenë aq e madhe për dëshirat, sa që nuk mjafton një jetë për t’u realizuar dhe sot jam në një gjendje të tillë dhe duke u nisur nga kjo mangësi, më dhimbset, më vret çdo minutë që më kalon pa punë. Kjo jo për të ngopur egon time artistike, por se jam i mbingarkuar me mesazhe, ashtu siç është jeta ime, në këtë kohë pak të turbullt për të thënë atë pikëllim të madh kozmik, që është indrydhur e shtrydhur në një pikë, dhe më rëndon emocionet në shpirt dhe në zemrën time. – Të falenderoj zoti Serafin, ishte kënaqësi biseda me ju, duke ju uruar jetë të gjatë fizikisht dhe artistikisht. Mbetshi i bukur në shpirt, sikurse jeni edhe fizikisht. Faleminderit. Çmime të z. Serafin Fanko 1. Në vitin 1989 laurohet nga presidenti i Shqipërisë me titullin – Artist i Popullit 2. Në vitin 1990 laurohet në Shkup të Maqedonisë me: – Pllakatë e artë Gjatë karrierës laurohet 5 herë p ëregji me titullin – “Aleksandër Moisiu” Gjatë karrierës vlerësohet nga Ministria e Kulturës me 18 çmime, 2 për shfaqje dhe 16 për regjinë më të mirë e shumë çmime të dyta për aktivitete të ndryshme teatrore ndër aktivitete ballkanike.
Ikja prej gjakut… Gjakmarrja – kjo plagë që të rrënqeth e merr jetë njerëzish, kjo kuçedër që vjen nga thellësitë e shekujve është rikthyer frikshëm në rrethin e Malësisë së Madhe. Ka vite që jemi dëshmitarë të skenave makabre ku shuhen jetë të pafajshme të njerëzve nga goditjet e thikave, krismat e automatikëve e të pistoletave në rrugë, në kafene, në dasma e kudo. Po ikin kryesisht jetë të rinjësh… Por më e tmerrshme sesa vrasja tingëllon fjala kanunore ngujohen burra, ngujohen gra dhe fëmijë. Banka të tëra të mbetura bosh nëpër shkolla presin të ulen fëmijët por… Pushka vrastare e ngrehur dhe me gishin në këmbëz pret të shkrehet mbi Ta! Ja, shikoni me vëmendje fotografinë që ilustron këtë shkrim të thjeshtë, këtë thirrje timen kundër gjakmarrjes që buron natyrshëm nga ndjenjat e humanizmit e progresit të shoqërisë e që është një apel për t’i thënë ndal kësaj murtaje që po mplak trevën e rethit më të skajshëm verior të Shqipërisë. Hava Dushaj, bashkëshorta e Brahimit nga fshati Dobre që ndodhet rreth 3 km larg qytetit të Koplikut, ndjehet e lumturuar mes buzëqeshjeve të çiltërsisë fëminore dhe dashurisë së dy djemve të saj, Serjanit dhe Erindit. Qeshin të shpenguar e ndjehen të lumtur e as që e parandjenin atë që do të ndodhte vetëm disa ditë më pas… Ka qenë paraditja e nxehtë e 17 Qershorit të vitit 1999 ajo që ndryshoi thuajse tërësisht jetën dhe prishi qetësinë e deriatëhershme të familjes me emër në të gjithë trevën e Malësisë, të vëllezërve Dushaj. Pas një konflikti të armatosur mbetën të vrarë dy të rinj, ndërsa dy familje deri dje në harmoni me njëra – tjetrën pas këtij çasti armiqësohen për vdekje, ndërkohë që priten në mes edhe ëndrrat e dëshirat e të riut Serjan Brahim Dushaj, i cili së bashku me vëllain Erindin e djemtë e azhave Ramazan Imer Dushaj e Sajmir Nadir Dushaj detyrohen t’u nënshtrohen kodeve të kanunit të tmerrshëm e të nisin jetën e mundimshme të ngujimit. Serjani i datëlindjes 25 Shkurt 1982 detyrohet të braktisë mësimet sapo përfundon vitin e tretë në gjimnazin “Sherif Hoxha” të Koplikut, ndërkohë që të gjithë fëmijët e tjerë të vëllezërve Dushaj marrin vetëm njohuri fillestare nga mësues të fshatit që rallë duken atje. Ka më shmë se dy vjet e gjysmë që 5 vëllezërit Dushaj, Hasani, Isaja, Brahimi, Nadiri dhe Imeri së bashku me djemtë e tyre qëndrojnë të mbyllur në “kullat” e ngujimit pa ndihmën e përkrahjen e askujt. Shteti – Ai që realisht duhej të ndërhynte ka kohë që është inegzistent duke lënë terren që ligjin ta bëjnë nenet e pashkruara të kanunit të tmerrshëm të Lekë Dukagjinit. Misioni mbarëkombëtar i Pajtimit të Gjaqeve megjithë dëshirën e vullnetin e shtuar, deri sot përveç fjalëve të matura dhe fisnikërisë së shpirtit, duhet thënë se ka qenë i pafuqishëm për të pajtuar dy familjet në gjak me njëra – tjetrën. Në këto kushte kur përveç 5 vëllezërve, më në rrezik është jeta e djalit të madh të Brahimit, Serjanit 20 vjeçar, si e vetmja rrugë shpëtimi është gjetur largimi i tij diku jashtë shtetit shqiptar. Më 13 Janar të këtij viti ai me ndihmën e disa miqve të familjes nga frika e gjakmarrjes ka kapërcyer detet në një rrugë pa kthim e duke lënë të pikëlluar nënë Havanë, babën Brahimin, vëllain Erindin e gjithë të afërmit e tjerë të familjes që deri sot nu kanë kurrfarë adrese për njeriun e tyre të shtrenjtë. Një realitet i hidhur ky për shumë shqiptarë në fillimshekullin e ri… Kjo plagë e tmerrshme urgjentisht duhet ndalur. E në ndalimin e saj pëveç forcimit të shtetit, rëndësi të veçantë ka fjala… Sytë e përlotur të nënave, zemrat e tyre të coptuara bëjnë apel: Jo më vrasje, fëmijët që në vesh u buçet krisma e pushkëve thonë: Jo vrasje. Mjaft! Ka ardhur koha që në Malësi të gjithë të themi: Jo vëllavrase, jo gjakmarrje. Malësorët duhet të falin. Falja është virtyt i shqiptarit! Rifat Ymeri
Përse e braktisi Kosovën Esat Islam Halilaj? Ka lindur në qytetin Skënderaj më 20 Maj 1969. Babai Islam Arif Halilaj dhenëna Xheladine, që kishte ardhur nukse në derën e Halilajve nga fisi Kurtulaj, ndonëse në kushte të vështira ekonomike përsëri bënë çmos që dy djemtë e tyre Esati e Iliri të mos e ndjenin aq shumë skamjen e mjerimin familjar dhe vështirësitë e jetesësë e shkollimit. Ata arritën të kultivonin tek fëmijët veset dhe virtytet më të mira të shqiparëve të trashëguar në shekuj, dashurinë për vendlindjen dhe besimin e shpresën drejt një të ardhmeje më të mirë, tashmë jo më nën thundrën e bishës gjakatare serbe. Esati, pasi kryen me nota të shkëlqyera mësimet në shkollën e mesme në qytetin e lindjes në vitin 1993 caktohet të punojë si mësues në shkollën “Bahkim – Vëllazërim” në Gllugovc, në fshat rreth 17 km larg qytetit Skënderaj. Në vitin 1996 Esati anëtarësohet në Lidhjet Demokratike të Kosovës dhe ngarkohet të drejtojë problemet e arsimit dhe të rinisë. Si aktivist shumë i vendosur në LDK mbronte idenë që problemet e trashëguara të shqiptarëve të Kosovës dhe statusi i saj të zgjidheshin nëpërmes rrugës paqësore dhe jo me mjete të dhunëshme. Pikërisht në mbështetjen e kësaj ideje, Esat Halilaj merr pjesë aktive dhe vihet në krye të protestave për të drejtat e studentëve të Prishtinës më 02 dhe 29 Tetor të vitit 1997. Më tej si përkrahës i linjës diplomatike paqësore. Ai merr pjesë në demonstratat kundër luftës në qytetin e tij të lindjes Skënderaj në muajt Shkurt – Mars 1998. Disa kohë më përpara, kur jepte mësim në shkollën e fshatit Gllugovc, disa grupe kosovarësh të paorganizuar, që kishin filluar të vetëquheshin luftëtarë të UÇK – së, në fundvitin ‘97, i bënë thirrje për t’u bashkuar në luftë për çlirimin e Kosovës, kërkesës që ai si anëtar i LDK – së e që përfaqësonte rrugën paqësore të zgjidhjes së çështjes kosovare, e ka refuzuar me guxim qytetar e vetëdije të plotë. Një refuzim i tillë ka ngjallur dhe reagimin e atyre grupeve radikale qëashtu si edhe për shumë kolegë të tjerë nisën kërcënimet deri me eleminim fizik, me motivin se i shmangeshin luftës çlirimtare. Në mjaft raste, edhekur Esati nuk gjindej në Gllugovc (pasi ai është larguar në fundvitin e 97 – ës) pjestarë të këtyre grupeve pëmendinin emrin e tij në listën e “dezertorëve” të çëshjes kombëtare. Në ditën e demonstratave kudnër luftës në Skënderaj është keqtrajtuar në rajonin e policisë dhe ka arritur të shpëtojë vetëm në sajë të dajës së tij nga Prishtina, Muharrem Dauti, i cili e ka mbajtur për disa ditë në shtëpinë e tij. Duke parë se jeta e tij, si e shumë kolegëve kudo në Kosovë ishte tepër në rrezik, nga Prishtina ka gjetur mënyrën për t’u arratisur e qysh prej atij çasti familja e tij në Skënderaj, pëveç një dhune të shtuar psikologjike që vazhdon edhe në ditët e sotme, nuk ka kurrfarë adrese për djalin e saj të madh Esat Islam Halilaj, i cili ndoshta kurrë më s’do të mund të kthehet në Kosovën e tij të dashur. Ky nuk është rasti i vetëm i asaj që po ndodh në Kosovë para dhe pas luftës! Rifat Ymeri
Kush i ngatërron shqiptarët e Kosovës??? Kur këto ditë vizitova Kosovën, në fshatin Duz të Podujevës m’u duk se pashë simbolin e mizorëve serbë që ende jetonte si shenjë e së keqes. Mu në mes të fshatit një grumbull i madh hiri, gurësh e shkatërrimi ironizonin lirinë e ëndërruar të kosovarëve. E ky grumbull djegieje e shkatërrimi më bëri përshtypje se nuk kishte asnjë shenjë të rindërtimit të saj, madje kur unë pyeta disa fshatarë ata më treguan me lotë nëpër faqe se kjo “banesë” kishte të veçantë se ishte djegur së bashku me një vajzë të njomë të familjes së Bajram Met Krajës, e cila këtë fat të zi e kishte pasur që me 20 Mars 1998, kur serbët ishin “hakmarrë” gjoja për tradhëtinë që u kishte bërë ish bashkëpunëtori i tyre Bajram Kraja. Në fakt bashkëfshatarët nuk besonin kurrë se Bajrami i kishte tradhëtuar, por këtë bindje se i ka tradhëtuar e kishin njerëzit e UÇK – së të cilët ishin betuar që nëse kthehet në Kosovë ai do të ndëshkohet, pasi UÇK e kishte dënuar prej kohësh me vdekje. Gjithsesi unë u premtova fshatarëve të shkruaj në gazetë këtë tragjedi të familjeve kosovare, por u kërkova të di diçka më shumë për këta mjeran qëu është mohuar edhe tani Kosova e çliruar nga serbët. Ja çfarë mësova për fatin tragjik të Bajram Met Krajës: Bajrami kishte lindur në këtë fshat më 15 Mars 1961 në një familje të mirë bujqish, ku vetë Bajrami ishte bujk që punonte në fermën e tij (tani edheajo e shkatërruar si shtëpia), ku edhe siguronte të ardhurat për të mbajtur familjen me djersën e ballit. E kjo vazhdoi deri në vitin 1997 kur filloi të shfaqej për herë të parë UÇK – ja (ushtria për çlirimin e Kosovës), ku serbët arrestuan shumë shqiptarë të dyshuar, e një ndër këta më dt. 20 Tetor 1997 ishte edhe Bajram Kraja, i cili si shumë shokë të tij u torturua për shumë ditë e netëm derisa serbët një ditë e liruan nga burgu, por kjo liri nuk zgjati pasi pjestarë të UÇK – së filluan të hidhnin dyshimin se lirimi i Bajramit ishte bërë nga serbët me kusht që të bashkëpunonte me ta, kundër UÇK – së. Fatkeqësisht vërtetë Bajrami pas burgut shoqërohej si shumë me serbin Andro Ilaj, që kjo familje e kishte “mike”, por për këtë thuhej se është spiun i serbëve. Hijet e dyshimit u shtuan pasi u arrestuan shumë fshatarë të fshatit Duz të Podujevës e më gjerë nën akuzën se ishin regjistruar si anëtarë të UÇK – së, derisa u arrit që serbët të arrestojnë veët përgjegjësin që regjistronte fshatarët që anëtarësoheshin në UÇK z. Ragip Dani. Tashmë dyshimet arrinin kulmin, ku për t’i larguar këto vëllai i Bajramit, Mehmet Kraja vret “mikun” e vëllait Andro Ilaj, Mehmeti ishte anëtar i UÇK – së, ndërsa Bajrami fshihet në pyjet e Kosovës,nga ku takohet me anëtarë të UÇK – së të cilët ikërkojnë si provë se nuk ka bashkëpunuar me serbët t’i bashkangjitet një grupi që transportonte armë nga Shqipëria në Mal të Zi e Kosovë, por kjo nuk zgjati shumë, pasi gjatë transportit të armëve dikush kishte informuar policinë serbe e cila u kishte zënë pritë në fshatin Cen në kufi me Malin e Zi më datën 10 Mars 1998. Nga shtatë vetë që ishte grupi 5 u vranë e vetë dy shpëtuan, e njëri ishte Bajrami. Madje pas kësaj UÇK – ja e akuzon Bajramin se ky i ka spiunuar shokët e rënë në pritë të serbit. Tashma Bajrami përfundimisht u shpall nga UÇK – ja si tradhëtar që duhej ndëshkuar. Për t’i shpëtuar këtij ndëshkimi ai atëhere e më vonë familja e tij janë detyruar të marrin rrugët e botës, po cilat rrugë, që veç një Zot e di… Ndue Bacaj
Përgjaket Prizreni Ka ndodhur një ngjarje tronditëse në qytetin e Prizrenit. Në orët e vona të mbrëmjes së ditës së diel u qëllua me armë zjarri, ku u plagos rëndë qytetari Nuh Kuka. Kështu qyteti i Prizrenit u përgjak, njerëzit u terrorizuan. Viktimës iu dha ndihma e shpejtë por megjithatë nuk arriti i gjallë deri në spital. Vdiq gjatë rrugës. Të dhëna janë se personat që hapërn zjarr mbi z. Nuh Kuka ishin pjestarë të familjes së Zija Lulit dhe Fatmir Shabanit, të cilët, pra të dy, ishin ekzekutuar nga policia serbe më 1998. Që në kohën e luftës arrestimi dhe vrasja e tyre ka mbetur enigmatike, pasi të dy personat në fjalë kanë qenë anëtarë të LDK – së dhe kanë marrë pjesë së bashku me Ilir Kukën, pra djalin e madh të Nuh Kukës në demonstratat e organizuara në Prishtinë në vitin 1997. Siç duket, ka hipoteza se Ilir Kuka ka dekonspiruar, ndaj edhe i vranë babën të dielën në mbrëmje. Zef Nika
Tragjedi në Pejë Ditët e fundit nga persona të panjohur janë vënë në lojë shumë para për të pushkatuar Indrit Halilin nga Peja. Në Kosovën e pasluftës kanë ndodhur edhe herë të tjera ngjarje të kësaj natyre. Pra, plagët e Kosovës po kullojnë ende gjak. Grupe terroriste vrasin e presin në emër të shumë organizatave, apo grupimeve ushtarake e politike. Por Indrit Halili duket e ka kuptuar kanosjen dhe është larguar nga Peja. Është larguar për të shpëtuar jetën. Kjo tragjedi e ka bazën që në tetor të vitit 2001 kur anëtarë të KLA – së kanë pushkatuar të atin dhe të vëllanë e Indritit, të quajtur Prel Halili dhe Skënder Halili. Kufomat e tyre janë gjetur shumë kohë pas vrasjes, në nëntor 2001 në një zabel afër Pejës. Suvestigimet mbi hetimin e kufomave të dekompozuara, pas identifikimit, vërtetojnë pushkatimin e tyre nga anëtarë të KLA – së. Në të vërtetë ende nëpër Kosovë ka shumë të pushkatuar të humbur. Aso kohe nga organizmat vendore janë marrë në pyetje gruaja e Prel Halilit dhe e bija e tij. Pas pyetjeve është vërtetuar se vrasja është kryer pasi dy djemtë e Prel Halilit, Skënderi dhe Indriti nuk kanë pranuar të anëtarësohen me KLA në vitin 1998. Pra, ligji i luftës i ngjason kohës së Hitlerit, jo kohëve moderne kur trupat shumëkombëshe dhe perëndimi po aspirojnë për një Kosovë të lirë, për një shtet model, ku jo vetëm mes shqiptarëve, por as mes etnive të tjera të mos ketë probleme. Sokol Pepushaj
Kol Shpati sërish i kryqëzuar Zbriti nga Kryqi i Kryqëzimit në fillim të 1992 – shit, kur në Shqipëri trokiti liria, për t’u kryqëzuar sërish në 1997 kur pushtetin e uzurpuan komunistët, demokrati Kol Shpati. Ai edhe ditët e fundit u kërcënua me eleminim fizik nga persona të panjohur, si demokrat, si pjesmarrës në mitingjet e protestat e opozitës shqiptare kundër diktatorëve që fatkeqësisht i kemi në pushtet, ka provuar edhe kërcënime të familjes. Gruaja e tij Verë Shpati ma dy fëmijët Eduardin dhe Leonardin janë vënë disa herë në shënjestër të bandave komuniset. Diktaturat kudo kanë një fytyrë. Ata nuk kursejnë as gratë e fëmijët, të cilët ose i rrahin, ose i torturojnë në polici, ose i vrasin, ose i detyrojnë të jetojnë në ilegalitet. Kështu Kol Shpati dhe familja e tij kanë paguar haraç edhe në kohën e Enver Hoxhës. Redaksia jonë akumulon edhe vendimin Nr. 39 të datës 12. 04 1959, ku pas 14 muajve e ca të një hetuesie fashiste, i ati i Kol Shpatit, Fran Gjokë Shpati dënohet me pushkatim si antikomunist. Por ndryshimi mes kohës së Enver Hoxhës dhe të sotmes ndryshon në faktin se komunistët e sotëm i pushkatojnë kundërshtarët politikë pa gjyq. Vasel Gilaj
Fabula Majca dhe minjtë Një natë të ftohtë acar Bashkë fjetën macja dhe një mi beqar
Dhe miu i madh beqar i vonuar Marrëzishte me macen është dashuruar
Macja ishte dashuruar shpesh me maçokë Ku minjtë nga frika fsheheshin thellë në tokë
Miu i madh që ishte beqar ra në dashuri për herë të parë
– O sa shumë – tha miu të dua Do të bëjsh edhe klyshë me mua
Ne gjithmonë ishim të përçarë na ke prerë, hëngër, vrarë…
E puthi miu macen lozonjare sa xhelozë u bënë minushat beqare
Të gjithë minjve dhe minushave iu tha: Po flej unë me macen dhemë s’na ha
Qeshën të gjithë minjtë dhe u gëzuan Prej diktaturës së maces shpëtuan
Macja minjve zemrën ua pushtojë ngjante në mes tyre si ndonjë zonjë *** Natës së ftohtë ra dhe dëborë Macja njoftoi maçokët dashnorë
Prenë mbytën, hëngrën e vranë asnjë mi të gjallë nuk lanë
Prapë vazhdojnë armiqësitë s’u pajtuan dot mace me minjtë
Flutura dhe milingona Milingona pasi iu qep gjithë ditën një fluture duke iu lutur i tha: – Më lër të flej sonte në krahët e tu. Flutura pranoi. Pas atyre fluturimeve të gjata e zuri gjumi. Të nesërmen kur u zgjua, vuri re që i mungonin krahët. U përpoq të fluturonte por më kot. – Unë të bëra mirë dhe ti ma shpërbleve me të keq – tha flutura duke qarë. – Unë këmbët t’i lashë – tha milingona. – Ke mundësi që të ecësh si unë. E bëra nga inati që ti fluturoje lart. Tani zvarritu edhe ti si unë…
Mburrja e kafshëve Ketri: Unë jam i shkathët dhe akrobat E kush si unë ngjitet pemëve lart?
Elefanti: Shumë nga ju vuani për elegancë Unë shquhem për elefancë
Dhelpra: Si mua s’ka një kafshë tjetër Sa edhe politikanin e quajnë dhelpër Unë uk mbaj kurorë mbretërore por për ju jam ambasadore
Gomari: E ku ka në botë si unë shquhem për mençuri edhe punë S’përmendem për agresion as arrogancë shquhem për durim dhe tolerancë
Lepuri: Unë jam shumë i mençur dhe di që të ikë dhe ju kujtoni se kam frikë..
Derri: Mua njerëzit më kanë inat Më hanë, s’më lënë të jetoj gjatë
Macja: Unë kam shumë miqësi me njeriun Sepse gjithmonë sulmoj miun
Qeni: Jam bodigard i njeriut dhe për njeriun vdes shumë njerëz më ngjajnë, ma morën dhe këtë ves…
Viçi: Shumë shokë më kanë vdekur Kemi mbetur ndonjë rrallë Njerëzit më hanë të pjekur ujqërit më hanë të gjallë…
Ujku: Unë në botën e kafshëve kam shumë liri Si hajdutët në Shqipëri…
Dashi: Unë bëj muzikë me këmborë prapa më vijnë dhjetra dashnore të gjitha kafshët zili më kanë se unë jam don Zhuan
Miu: Ne minjtë jemi gjeollogë bëjmë kërkime, thellë në tokë
Luani: Mua doni të më lini pas dore – tha me ironi luani dhe qeshi Unë mbaj në qafë kurorën mbretërore jam i vetmi mbret me kurorë prej leshi…
Dhija dhe hardhia
Ngutshëm u nis dhija eci, eci nëpër pyll Për të arritur tek hardhia Kërceu për mbi kapërcyell
Hardhinë seç e krastiti S’i la rrush, degë as fletë Trungu u mjerë pëshpëriti: -Pse më le kështu të shkretë?
– Ti e ke fajin që kecat m’i hanë Duke pirë gjakun tënd As djalë, as vajzë të rriten s’m’i lanë As unë ty s’të lë vend…
– Do të hakmerresh – tha hardhia Por unë jam e pafaj Ata që pijnë prodhimet e mia nga njerëz kthehen në djaj.
Ti dhi më sakatove por zoti ynë do të zemërohet Se më hëngre u kënaqe, u gëzove E liga kur prishë, gëzohet…
Femra dhe fiku Femra tek po hante një fik të rrudhur tha: – Unë dhe ti kemi diçka të përbashkët, shijen e ëmbël dhe fillojmë me shkronjën f. Fiku në gojën e saj, duke iu ngjitur nëpër dhëmbë qeshi dhe ia ktheu: – Vërtetë kemi dy gjëra të përbashkëta, fillojmë me f dhe na bashkon edhe ëmbëlsia, por kemi edhe ndryshime. Unë kur rrudhem, bëhem më i shijshëm dhe që të gjithë përpiqen të më zgjedhin mua që të më shijojnë sepse bëhem edhe më i ëmbël, kurse ti kur rrudhesh, nuk të do më askush, por rrudhin buzët para teje…
Lepuri me automatik Kishte blerë dhe lepuri automatik në shënjestër vë zagarin armik
– Mos qëllo – tha zagari se në shënjestër të ka gjahtari
Nga frika lepuri u drodh la armën dhe në gëmushë u hodh
Lepuri dridhej që nga koka gjer tek këmbët tek po ia ngulte zagari dhëmbët
– Hë – tha zagari – o miku im mendove se të bën arma trim?…
Minifunde dhe xhubleta (Fabul) Minifundi i tha xhubletës ti je maskë e të vërtetës
Ti më dukesh krejt e kotë ty s’të vesh askush në botë
Unë jam veshje me vlera Mua më veshin dhe në vende të tjera
Unë kam qenë persekutuar në vendin tonë krejt e ndaluar
46 vjet e disa muaj më kanë quajtur shfaqje e huaj
Nuk më shpërblyen si të përndjekurit e tjerë S’më dhanë post as letër me vlerë
As s’më përmendi askush, as s’më ngritën në detyrë Shërbej si perde “poshtë” në një zyrë
Mua që gjithmonë vras gënjeshtrën E tregoj hapur të vërtetën
Unë kam krijuar shumë shokë e miq Sepse e çvesh të vërtetën gjysmë lakuriq *** (Xhubleta) Jam veshje e plotë nuk jam gjysmake bie poshtë, deri në çorape
Ty minifund nëpër botë të veshin vërtetë Jo në dimër po në stinë të nxehtë
Ato që të kanë veshur shpesh të mallkojnë Kur “grenzat apo mizat” i pickojnë
Unë asnjë herë s’kam qenë e ndaluar çdo kohë besnike më ka qëndruar
Mua më veshë malsorja kur më shumë i ka hije Në ditët më të bukura, në ditë nusërie
Unë jam e lashtë, e qëndrueshme si malet “Kush më veshë mua, fiton festivalet”
Nuk të ka shumë hije kur veshesh në fshat Ngatërrohesh në ferrë dhe mbetesh fillikat
Kush të veshë ty, janë gjysmë të zhveshura Sidomos ato që kanë këmbë të leshura
Mua s’më pëlqejnë minifundet Ato që iu veshin ngjajnë me majmunet
Për t’më zhveshë mua është vështirë ç’bëhet lehtë s’është punë e mirë
Mua kurrë s’më nxjerr bisht Unë edhe për prekje jam antigisht
Unë për trup nuk jam ngjeshur Nganjëherë di edhe për t’u zhveshur
Ne që të dyja jemi qenie të vdekura Nuk ndiejmë puthje as të prekura
Mos të grindemi më, mos t’i bëjmë për të qeshur S’na e vë re kush ne, por ato që na kanë veshur Pjetër Vukaj
Vuajtja e familjeve shqiptare në Kosovë e Mal të Zi nuk ka kufi Familjet e shqiptarëve të Kosovës, Malit të Zi e gjithandej, vazhdimisht janë gjendur nën dhunën e represionin serb! Kërshëria e tyre, përveç të tjerash, lind edhe për faktin se shqiptarët janë një popull shumë krenar, trim dhe liridashës, të cilët nuk e durojnë kollaj shtypjen nga të tjerët. Gjatë shekujsh shqiptarët janë shtypur e keqtrajtuar si mos më keq, por e keqja më e madhe është se kjo ndodh edhe sot, në kohët moderne. Kështu ka ndodhur edhe me familjen Sterkaj nga fshati i Vogël i Komunës së Trieshit të Malit të Zi. Simon Palok Sterkaj i datëlindjes 12. 04. 1963 dhe Liza Fran Sterkaj e datëlindjes 02. 08. 1964, lindur në Komunën e Gjakovës dhe martuar në Triesh të Malit të Zi, filluan të ndërtojnë jetën e tyre si mos më mirë me punë të ndershme e me përkushtim, aq më tepër duke menduar edhe për dy fëmijët e tyre, si dy pëllumba. Por s’qenka e thënë që kjo lumturi të vazhojë gjatë. Në kohën e trazirave në Jugosllavi dhe pikërisht më datën 5 Maj të vitit të zi 1998, paramilitarët serbë Simonit i djegin shtëpinë dhe i vrasin të atin. Në këto rrethana Simoni detyrohet të largohet nga shtëpia duke lënë gruan e fëmijët si shumë shqiptarë të tjerë e për t’u bashkuar me ta vetëm pas 6 muajsh. Kjo edhe për faktin se i vëllai i Simonit kishte marrë pjesë në UÇK. Përveç humbjes së njeriut të dashur, kjo familje mbeti në mes katër rrugëve duke u strehuar përkohësisht tek njerëzit e afërm të tyre. Por, për fatin e keq as Liza nuk mbetet më mirë se Simoni. Asaj i torturuan të vëllain të quajtur Pal Fran Lumaj i cili nga këto tortura më pas vdes. E ç’është më e keqja të afërmit e tij nuk mund ta varrosin në Gjakovë e t’i bëjnë nderet e fundit për shkak të luftës në Kosovë, por detyrohen që ta varrosin tek të afërmit e burrit të Lizës në Triesh të Malit të Zi e jo në Gjakovën e tij të dashur ku as i vdekur nuk mundi të prehet aty. Por Lizës gjatë kësaj kohe i vritet edhe një motër duke e bërë dhimbjen të padurueshme. Kështu bisha e egër serbe ushqehet me gjakun e shqiptarëve të pafajshëm ku i vetmi mëkat i tyre është se ata kërkojnë të jetojnë të lirë në vendin e tyre. Edhe sot e kësaj dite kjo familje kërkohet nga segmente të caktuara të UÇK – së për mospjesmarrje të Simonit në të, por edhe nga vetë serbët, por edhe nga vetë serbët. Në këtë gjendje familja Sterkaj gjendet në mse dy zjarresh, sikur të mos mjaftonte që ata nuk kanë as ku të futin kokën pasi shtëpia dhe pasuria e tyre përfundimisht është e shkatërruar. Kjo ngjarje përveç se të trishton ndoshta do t’i shërbejë ndonjë regjisori si skenar filmi nga më të dhimbshmit. Sokol Pepushaj
|