Nr. 32 i botimit të gazetës në print

0
Kokaweb
Së shpejti në botim dorëshkrimi i 1210-s me autor Teodor Shkodranin

Dr. Musa Ahmeti

Zbulimi! Nga arkivat e Vatikanit dokumenti më i vjetër në shqip

Është folur e shkruar, por gjithnjë deri tani në formë të supozimeve, “duhet” të ketë libra, dorëshkrime apo dokumente të shkruara në gjuhën shqipe, të cilat janë më të hershme sesa “Formula e pagëzimit” nga viti 1462 apo nga libri i parë i shtypur në gjuhën shqipe “Meshari” nga viti 1555.

Kërkimet nuk kanë reshtur, por rezultatet deri tashti kanë munguar. Pothuajse të gjithë studiuesit që merren me kërkime dhe hulumtime shkencore, kishin shënuar Vatikanin, (Bibliotekën Apostolike apo Arkivin Sekret të Vatikanit), si një nga vendet ku do të ruheshin dokumente apo dorëshkrime të vjetra në gjuhën shqipe. Nuk ishin gabuar ata që kishin menduar kështu. Një studiues i njohur arbëresh, Nilo Borgji, i cili botoi edhe një studim të mrekullueshëm për “Perikopenë Ungjillit” nga shek XIV, me grafema greke e fjalë shqipe, i kishte pohuar gjuhëtarit tonë të famshëm Eqrem Cabejt, se ishte në rrugë të mirë të gjente një dorëshkrim më të vjetër se “Formula e pagëzimit”. Për fat të keq, Nilo Borgjia vdiq, pa arritur të zbulonte dokumentin apo dorëshkrimin në fjalë. Një pohim të ngjajshëm e bën e bën edhe studiuesi i njohur tjetër arbëresh , Zef Skiori. Ne, duke ndjekur gjurmët e studiuesve të mëhershëm, kishim fatin e mirë, që në Arkivin Sekret të Vatikanit, të zbulonim një dorëshkrim nga viti 1210 me autor Teodor Shkodranin. Dorëshkrimi përbëhet nga 208 fletë. Është i shkruar në pergamen dhe i tëri është në gjuhën shqipe. Ndahet në tri tërësi: atë teologjike, filozofike dhe historike. I gjithë teksti është në autograf. Autori shënon emrin e mbiemrin e tij si dhe vitin kur e ka mbaruar dorëshkrimin.

Për herë të parë bëhet fjalë për gjuhën shqipe në vitin 1284 (jo 1285 siç është menduar deri më tani, në një dokument të Arkivit të Dubrovnikut (Raguzës) nga 14 Korriku i i vitit 1284 ku thuhet: “Dëgjova një zë që thërriste në mal në gjuhën shqipe” (Audivi unam vocem clamantem in monte in lingua albanesca).

Dëshminë e dytë e kemi nga një autor anonim, që sipas të gjitha gjasave ishte prft i urdhërit domenikan, i cili në vitin 1308, gjatë udhëtimit nëpër Ballkan, kur përshkruan Shqipërinë dhe shqipëtarët, ndër të tjera shkruan: “Këta shqipëtarët e lartpërmendur kanë një gjuhë të dalluar prej latinëve, grekëve e sllavëve, kështuqë nuk merren vesh fare me popujt e tjerë.” (Habent einim Albani prefati linguam distanctam a latinis, grecis et slavis ita quod in nullo se inteligunt cum aliis nationibus). Dëshmia e tretë është ajo e Guljelm Adamit, i cili në vitin 1332 shkroi me porosi të Papës Gjon XXII, traktatin “Directorium ad passagium faciendum”, duke i bërë kështu edhe një relacion Filipit VI Valua, mbretit të Francës, me titull: “DIRECTORIUM AD PASSIAGIUM FACIENDUM” (UDHËZIM PËR TË KRYER KALIMIN [E DETIT], ku jep të dhëna për Shqipërinë dhe shqipëtarët. Këtu gjejmë edhe fjalinë e famshme që e bëri të njohur në histori: ” Dhe megjithse shqiptarët kanë një gjuhë krejt tjetër dhe të ndryshme nga latinët, ata kanë shkronjat latine në përdorim dhe në të gjithë librat e tyre”.

Rëndësi të veçantë ka edhe fakti, se autor i këtij shkrimi është një shqiptar nga Shkodra. Për autorin, Teodor Shkodranin, pos të dhënave që bën vetë autori në fund të dorëshkrimit, por edhe të tjerave që gjinden në disa dorëshkrime që ruhen, pos Arkivit Sekret të Vatikanit, edhe në Bibilotekën e Apostolike, pjesa dërrmuesee të cilave janë të shkruara në gjuhën greke dhe janë të pabotuara, ne kemi edhe njohuritë tjera, disa nga të cilat na i ofroi studiuesi dr. Moikom Zeqo. Dorëshkrimi është pregatitur për botim, është transkriptuar, transliteruar dhe shoqërohet për botim, me një koment dhe analizë shkencore.

 

Komente e mendime të para nga Shkodra

Agron Luka

Meri Luka

Shkodra shqiponja e Albanisë ka shkruar me “gjuhën popullore” albanisht kronikat e qytetit në shek XI-XII dhe ruan traditën me Teodor Shkodranin në fillim të shek XIII

Dokumenti i parë i gjuhës albanishte të shkruar më parë, pastaj edhe i shqipes.

Meriton përgëzimet dhe urimet më të mira dr. Musa Ahmeti, zbuluesi i të parit dokument të shkruar deri më sot të zbuluar të albanishtes/shqipes së shkruar.

Por, shkencërisht, realisht dhe kronologjikisht i bie që ky dokument të jetë dokumentimi i parë i gjuhës së shkruar albanishte, sepse emërtimet “gjuhë shqipe, shqiptar, Shqipëri” nuk rezultojnë që të kenë ekzistuar aso kohe dhe i përkasin një formimi dhe kohe të përgjatë okupacionit turk. Natyrisht një përdorim sipas preferencës së lirë lejohet në përdorimet vulgare (popullore), porse jo në terminologjinë ekzakte të historisë dhe në ato të gjuhësisë.

Pjesa më e madhe e dijetarëve të shqipetarologjisë, me në krye prof. E. Cabejin janë shprehur se emërtimet “gjuhë shqipe, shqipëtar, Shqipëri”, janë të reja, përgjatë kohës turke dhe për rrethanat e reja që krijoi ky pushtim, zëvëndësuan, kryesisht në përdorimin e brendëshëm, emërtimet tradicionale nacionale të mëparshme.

Disa autorë mendojnë në hipotezë se përdorimi si “gjuhë shqipe”, si një përdorim i dytë popullor, duhet të ketë qenë edhe përpara shek XVI-XV, mirëpo deri më sot mungon dokumentimi.

Autorë të vecuar, përfaqësuar nga Mustafa Kruja, mendojnë se emërtimet e reja, janë një “vepër monumentale e klerit katolik”, mirëpo kjo ide deri tani nuk ka asnjë lloj argumentimi , as sa të quhet si hipotezë dhe jo më “të imponojë me detyrim” zhdukjen përfundimtare nga përdorimi të emërtimeve tradicionale nacionale.

Tërheqim vëmendjen se kemi të bëjmë “me dokumentin e parë të derisotëm të gjuhës albanishte të shkruar” dhe se emërtimet e ashtuquajtura “si të vjetra dhe të zhdukura nga përdorimi”, duhet të kushtetucionalizohen në funksionin që ata realisht e kryejnë: në vetprezantimin tonë në të gjithë fushën internacionale. Mos i harroni këto vogëlsira!

Fragment analet “In vernacula lingua” ishin cituar nga M.Barleti në fillim të shek XVI, porse ato vetë datoheshin përpara v.1200.

Në Janar të vitit 1504, M.Barleti kishte botuar në Venedik librin “De obsidione Scodrensi” (Rrethimi i Shkodrës).

Sipas studiuesit M. Prendushi, përvec se për historinë, ky libër qe botuar për “nevojat e Scuola degli albanesi”.1

Pothuajse gati në një kohë me Prendushin, ne na kishte rezultuar se botohej edhe me rastin e 25 vjetorit të rënies së Shkodrës.2

(Urojmë që bashkiatarët e shkencëtarët historianë lokalë tanët të mos e harrojnë 500 vjetorin e botimit të librit të M.Barletit, më 2004, ashtu sic kishin harruar, 600 vjetorin e të parit sulm shkatërrues turk, fatal për Shkodrën, për të cilin kishte shkruar po ky Barlet…)

Barleti kishte shkruar: “…nuk mund të themi asgjë të sigurtë rreth ndërtuesve të parë të këtij qyteti.

Tani vonë më ranë në dorë disa anale, që është më drejtë t’i quash fragmente se sa anale, të cilat janë referuar nga memoria/gojdhëna e të vjetërve tanë, (dhe ato) flasin më shumë për rindërtimin (instaurationem) se sa për themelimin e parë (aedificationem). Në to në gjuhë të popullit (in vernacula lingua) është shkruar: njëfarë Roza (Rosam) me motrën Fa (Pha) kanë qenë themelueset e para të qytetit të Shkodrës. Ato të dyja mbretëruan për shumë kohë me fatbardhësi e qetësi. Pastaj thonë se pas tyre, (edhe këtë e mbajnë mend, sepse është gjë e freskët) erdhi si sundimtar njëfarë Nemajani…”3

Prof. Shuteriqi e kishte lidhur “in vernacula lingua” me “gjuhën shqipe” dhe megjithatë në mënyrë paradoksale këtë dëshmi ai e radhiste si të v. 1504, kur “i kishte rënë në dorë Barletit dhe jo kur mund të ishin shkruar”!!!4

Më 1981, ne ishim marrë gjërë e gjatë me datimin e këtyre analeve , të cilat më 1504 kishin qenë reduktuar në fragmente. Na rezultonin të përtej vitit 1198, aty te parakoha e Stefan Nemanjës dhe jo të Uroshit II (1282-1321), siç e kishte datuar përkthyesi dhe prof. A. Buda.5

Vetkuptohet se Roza dhe Fa, kanë qenë personazhe mitologjike dhe nuk shtrohej ndonjë lloj identifikimi real i tyre fill para ardhjes së pushtimit të Nemanjëve serbë.

Megjithatë, atje flitej për një dokument të zhdukur nga koha, tani fatbardhësisht kemi një të gjallë.

Përgjatë shek XIV, në krahinën e Shkodrës “mësohej shkrim e këndim edhe sipas mënyrës tregëtare”

Në një dokument të v. 1367, shkruhej : “Magister Johani, doktor në gramatikë…premton dhe detyrohet kundrejt presbiterit Andre i Shën Palit dhe Pultit se do ta mësojë nipin e tij, Nikollën, të lexojë e të shkruajë mirë, sipas mënyrës tregëtare, dhe ti mësojë atij Donatin dhe Katonin që të dijë t’i përkthejë…”6

Llogjikisht duket se ky nip Nikolla ishte në ndonjë shkollë jashtë vendit, ose pregatitej për këtë, sepse Donati dhe Katoni ishin latinisht, ndërsa leximi e shkrimi sipas mënyrës tregëtare mbase mund të ishin gjuha vendase, pra albanishte.

Në një dokument tjetër të v. 1388, shkruhej: “Në Këshillin e Vogël të Raguzës u muar vendim që ti jepen 10 perperë Theodorit, birit të zotit Nikollë nga Drishti, për qiranë e shtëpisë , në të cilën duhet të mbajë shkollarët e Stanjos që t’u mësojë lexim e shkrim”.7 (Ja edhe një Theodor tjetër.A.L)

Mbetet për tu sqaruar nëse ky “shkrimi sipas mënyrës tregëtare”, të ketë qenë një albanishte me gërma latine. (?)

Teodor Shkodrani dhe Teodor Skutarioti të një familie?

Në literaturën e burimeve bizantine me kohë na kishte tërhequr vëmendjen Theodor Skutarioti.8

Dyshonim tek mbiemri i tij nëse mund të lidhej me Scutarin/ Shkodrën tonë, porse ngelej edhe një pikpyetje e madhe, sepse ky mbiemër mund të lidhej edhe me Skutarinë bizantine, përballë Konstandinopolit (Stambollit).

Po kush dhe kur ia kishin ngjitur Skodra-s këtë emërtim si Scutari?

Më 10 Shtator 1474, Gjergj Merula, një italian aleksandrinas nga qyteti Aleksandria e Piemontit, duke shkruar për rrethimin e parë të vitit 1474, të Shkodrës nga turqit, thoshte ndër të tjera: “Qytetin në fjalë vendësit në gjuhën e vet dhe të të parëve e quajnë Shkodra; sot italianët i kanë vënë një emër të ri dhe të huaj: Scutari…”9

Deri më 1102 e 1120, Shkodra figuronte në dokumentet latine edhe si Scodrinense, kur papritur edhe në këto dokumente më 1167, do të na prezantohet si Scutari.10

Na rezultonte se autorët më të hershëm të kësaj forme kishin qenë vetë bizantinët dhe prej tyre këtë formë e kishin marrë venecianët, gjenovezët, ankonasit etj, ndërsa fqinjët sërbomalazezë e kishin quajtur Shkodrën si Skadra e Skadar. (Realisht emërtimi më i hershëm i regjistruar në monedha me shkronjat greke ka qenë , ndërsa regjistrimi i kohës romake jep Skodra)

Tani po na del papritur një Teodor Shkodrani, që më 1210, ka shkruar në gjuhën albanishte me gërma greke.

Dhe ky Theodor Shkodrani, që ka lindur në shek XII, nuk mund të barazohet me Theodor Skutariotin, sepse ky i fundit, ka lindur dhe ka jetuar në shek XIII. Në kohën e perandorit Theodor II Laskari (1254- 1258), Theodor Skutarioti ishte një nga intelektualët e shquar. Ai kishte shkruar në greqisht veprën “Paraqitje kronikale”. Në kohën e perandorit Mihal VIII Paleologu (1258-1282) ishte një nga elementët aktivë për bashkimin e kishave ortodokse dhe katolike. Për këtë veprimtari perandori Androniku II Paleologu e largoi prej fronit episkopal.11

Në shkrimet e tia Skutarioti shkruan më se njëherë për krahinën e Albanonit dhe një pjesë të mirë të vendshtrirjes së saj dhe duket se e njeh mirë. Të ketë qenë Skutarioti, një nip i Theodor Shkodranit?

Më 1199, në Aktet e Koncilit të Tivarit, gjejmë edhe firmën e Theodorit, Peshkopi i Sardës.(?)12 (Ja edhe një Theodor tjetër. A.L)

Aso kohe dhe shumë më vonë në teritoret tona, dallimet midis kishës perendimore dhe lindore në klerin poshtë nuk ishin edhe aq të theksuara, sa i kishte hierarkia e lartë. Përveç edhe shumë shkaqeve të tjera specifike tonat, edhe ndryshimet e shpeshta të supremacive herë bizantine e herë romake, shkaktonin një disorjentim dhe si të thuash një lloj përshtatje të një vije të mesit, që e kalonte lehtë me të dy krahët. Është kjo edhe arësyea që shumë klerikë akoma ishin të martuar etj, sic e vinte në dukje edhe Koncili i Tivarit.

Gjithsesi, le të presim botimin e librit dhe të shohim se në çfarë relacionesh qëndrojnë katër Theodorët.

Refrencat:

1. M. Prendushi, “Kontribut shqiptar në Rilindjen evropiane”, 1981, f 89. Shih edhe f 82, për analet në “gjuhën popullore”.

2. Shkrim i dërguar për diskutim në red. Studime Historike, në v. 1981, nga ne.

3. M. Barleti, “Rrethimi i Shkodrës”, përkth. 1967 e 1981, f38.

4. Dh. S. Shuteriqi, “Shkrimet shqipe në vitet 1332-1850”, f 41, Dok. Nr.10.

5. Rreth. cit. shënimi 59, në f 162.

6. “Burime të Zgj. për Hist. e Shqip. shek VIII-XV”,Vëll. II, 1962, f 195, Dok. Nr 126, nxjerrë nga “Acta et Diplomata”, II, 233.

7. po aty, Dok Nr. 127, “Acta et Diplomata”, II, f 435.

8. K. Bozhori, F. Liçaj, “Bur. treg. bizantine për Hist. Shqip. shek X-XV, 1975, f 167-182, Theodor Skutarioti.

9. Rreth. cit. f 125-137, Gj. Merula.

10. Bur. shek VIII-XV, cit. f 56-57, Dok. Nr 18, 19, 20, 21.

11. Bur. bizantine, cit. f 167.

12. Bur. shek VIII-XV, cit. f 59, Dok. Nr24, nxjerrë nga Farlati, “Illyricum Sacrum”, Vëll. VII, f 28-29.

 

Pashko Vasa “Meteor” i kulturës dhe atdhetarizmit

Pashko Vasë (Shkodrani është njëri nga figurat më të ndritura të kulturës dhe të Atdhedashurisë, të periudhës së Rilindjes sonë Kombëtare. Ai, u lind në Shkodër më 17 shtator 1825, në një familje borgjeze me prejardhje nga Mirdita. I rritur në kushte mjaft komode (për kohën), ai imbaroi studimet e mesme në Venedik. Zgjuarsia dhe talenti i tij i rrallë shpalosen që në moshë të re, kur, vetëm 18 vjeçar, ai kryen me sukses detyrën e Sekretarit në Konsullatën Britanike në Shkodër. Mbas katër vitesh dhe pikërisht në vitin 1847, ai braktis këtë detyrë “për të ndarë me të mirët lavdinë e shpëtimit të Italisë”, siç e pohon vetë. Në luftimet e ashpra në Romë, Bolonjë e Venedik, idealisti i ri shqiptar, shquhet për trimëri të rrallë, dhe në veçanti për përgatitjen e tij të shkëlqyer ushtarake, duke marrë gradën e oficerit të “Kalorësisë Qytetare të Romës”. Për ecurinë e vrullshme të djaloshit shkodran drejt majave më të larta të karrierës, nuk e shikonin me sy të mirë disa qarqe egoistësh dhe dashakeqësh. Kjo ecje “maratonë” e Pashko Vasës, nxiti smirën dhe xhelozinë tek italianët, të cilët me paturpësinë më të madhe, thurën akuza dhe intriga, derisa arritën dhe ta burgosin, (si “shpërblim”) i vetmohimit të tij në luftën që po bënte për çlirimin e Italisë, nga pushtuesit austriakë! Këtë madhështi arbërore, Pashko Vasa e trashëgonte nga gjaku i kulluar i gurrës kastriotike që pulsonte në çdo enë gjaku e kapilarë. A nuk ishte i madhi Gjergj Kastrioti, ai që i shkoi në ndihmë mbretit të Napolit? A nuk ishte shpata dhe krahu i tij i fuqishëm, që i doli në mbrojtje krishtërimit dhe qytetërimit europian? A nuk ishte garda arbëreshe, që shoqëronte Garibaldin në fitoret e njëpasnjëshme, deri në çlirimin e plotë dhe bashkimin e Italisë? Për këtë, besoj se Italia dhe Europa, tashmë janë të ndërgjegjësuar, dhe këtë reflektim (ndonëse të vonuar) e kemi parë në “kryqëzatën” e fuqishme – Euro-Atlantike, kur ndëshkoi Serbinë shoveniste të Millosheviçit dhe çliroi vëllezërit kosovarë. Tashmë është në dorën e tyre, “administrimi” me korrektësi i kësaj mirënjohje, e cila do t’i shërbejë pavarësisë së Kosovës në një kohë sa më të favorshme. Që të mos i largohemi temës së shkrimit, siç e theksuam më lart, Pashko Vasa, si viktimë e këtyre ambicjeve, kaloi disa kohë në burg. Këto të dhëna janë marrë nga letrat që ai i ka dërguar më 1848 shkrimtarit italian, Nikollë Tamazeut, udhëheqësit kryesor të qëndresës së Venedikut kundër pushtuesve austriakë. Duhet theksuar se Tamazeu do të lidhej më vonë në miqësi me poetin e shquar arbëresh – De Radën. Pashko Vasa ka shkruar dhe kujtimet e tij të luftës në Itali, botuar nën titullin “Burgu im” (La mia prigione) 1850. Pas kësaj drame të dhimbshme, Pashko Vasa u vendos në Stambollë, ku përballoi vështirësi të mëdha jetësore, derisa u vendos në Ministrinë e Jashtme. Falë aftësive dhe talentit të tij të rrallë, ai më pas u ngrit në sferat më të larta të Perandorisë Otomane, si në Bosnjë e në vende të tjera. Nga viti 1883 e deri sa vdiq në Beirut (1892), ishte “Guvernator i Përgjithshëm” i Libanit.

Vlen t’i kujtojmë ndonjë “pseudo” intelektuali ambicioz e dashakeq, (i cili e ka quajtur Pashko Vasën “diktator”), se ai vërtetë i shërbeu Perandorisë Osmane, por as emrin, as shpirtin e pastër kristian, asnjëherë nuk i nxori në “ankand”, siç bënë shumë pashallarë të tjerë… Ai, gjatë gjithë kohës që shërbeu në Liban, u shqua si politikan dhe diplomat me diapazon të gjërë, duke u kthyer në një “arkitekt” të vërtetë dhe në një “simbol” për vendosjen e harmonisë mes dy besimeve: muhamedanëve e kristianëve. “Një akt për t’u pasur zili edhe në ditët tona” (M.B). Ai, si njohës i thellë i të gjitha “fushave” dhe i shumë kulturave, iu mësoi libanezëve dhe kultivimin e ullirit, (si një ushqim i frutshëm) dhe simbol i Paqes.

Është mjaft domethënës dhe kuptimplotë fakti që kur shkuan për të marrë eshtrat e këtij Atdhetari të Madh, qeveritarët libanezë (pas një hezitimi), u shprehën: “Pashko Vasa është i juaji dhe ne do t’jua japim eshtrat e tij. Por njëkohësisht, do t’ju kujtojmë, se burra të tillë i bëjnë nder kësaj toke, për sa kohë gjenden në gjirin e saj”.

Krejt ndryshe ndodhi me ideologun e shquar Sami Frashëri. Turqia nuk e lejoi zhvarrosjen e tij, dhe përgjigja ishte (afërsisht) kështu: “Ndonëse është me origjinë shqiptare, ai është më turk se ne turqit, përveç 55 veprave që ka shkruar për ne, ai ka bërë edhe “Fjalorin Enciklopedik Turk”, pra na ka mësuar të flasim turqisht”. Pashko Vasa (zëdhënës i borgjezisë), ishte prej vetiu antifeudal dhe kundër despotizmit. Historia e kohëve të fundit kishte provuar se, vendi ynë nuk mund të arrinte çlirimin për të cilin aspironte, nën një udhëheqje feudale.

Mbi përpjekjet e Bushatlinjve dhe të Ali Pashë Tepelenës, Pashko Vasa shkruan se: “Ata kishin “guxuar” të “synonin” shndërrime me rëndësi të madhe, por rivaliteti që ishte shfaqur midis tyre, i solli deri në humbje, ata ishin bërë tiranë dhe e administronin vendin me një despotizëm të shfrenuar dhe pikërisht për këtë arsye, populi i braktisi kur Sulltani i ndëshkoi”. Këto fakte historike i kemi trajtuar edhe në shkrime të tjera por reagimi në shtyp, nga ana e simpatizantëve të pashallëqeve ka qenë i ashpër… “Historia nuk duhet të “ndëshkohet” me antihistori” (M.B). Citimi i Pashko Vasës është mjaft sinjifikativ dhe koha eka vërtetuar “katërcipërisht”. Mjafton t’i referohemi Ali Pashë Tepelenës dhe veprave të tij mizore, mbi suliotët e Çamërisë dhe mbi himariotët. Nuk mund të ketë akt më të turpshëm dhe më çnjerëzor se sa vrasja e 705 shqiptarëve, të cilët mbasi i ishin dorëzuar në besë, bashkë me armët e tyre, ai i theri si bagëtinë!… Për të gjithë kohën që “pashëroi” ky kriminel, vendosi taksa të dyfishta mbi popullsinë duke “sfiduar” edhe sulltanët turq!… Me taksa të rënda dhe me grabitje në fushatat e tij të turpshme, Pashai i Janinës u bë një nga njerëzit më të pasur të Perandorisë Osmane. Veprat e turpshme dhe të shëmtuara të Ali Pashait, i ka përshkruar me mjaft korrektësi historiani i shquar (dhe i paanshëm), Tajar Zavalani në historinë e tij: “Historia e Shqipërisë”, bot. i vitit 1998. Zavalani e konsideron Ali Pashë Tepelenën si kriminel tipik i shekujve XVIII-XIX. Dhe duke bërë analogji me Gjergj Kastriotin, konstaton:

“Shikoni sa poshtë kishte rënë morali i shqiptarëve gjatë tre shekujve të pushtimit osman!…” Nuk e di nëse i njeh këto fakte Abdi Baleta?… Të dy pashallarët e lartpërmendur që citon Pashko Vasa, i lanë tokat njëri në Stamboll dhe tjetri në Cetinë, si dëshmi e mercerarizmit dhe padrejtësive që u “joshi” karrierizmi dhe despotizmi.

Ata, të cilët nuk i “preferojnë” këto fakte historike, mundohen ti quajnë si “shpifje” të komunizmit! Këta, pa dyshim, edhe Pashko Vasën do ta konsiderojnë si një “bashkëpunëtor” i komunizmit, ndonëse komunizmi në atë kohë nuk ekzistonte, asnuk njihej si “nocion”… Si anëtar i Komitetit të Stambollit, Pashko Vasa bashkë me Sami Frashërin, patën shkruar “Memorandumin” që iu drejtua Ministrit të Punëve të Jashtme të Austro-Hungarisë në tetor 1878. Në këtë dokument dhe në relacionin e po atij viti, janë parashtruar qartë kërkesat kryesore të “Lidhjes së Prizrenit” dhe aspiratat e popullit shqiptar të asaj kohe: “Shqiptarët janë të vendosur t’i këpusin të gjitha lidhjet që i bashkojnë me Turqinë”, – thuhet në Memorandum. “Ata kërkojnë një administratë të veçantë, që t’u përgjigjet më shumë nevojave dhe traditave të tyre. Shqiptarët kërkojnë të drejtën të hyjnë në gjirin e familjes së madhe Europiane e së cilës i përkasin”. Mendoj se këtu ka vend për aludim: “Cilit shekull i përkasin ata “shqipfolësa” që çdo ditë “vjellin” helm kundër Europës së qytetëruar?… Vallë a do ta ketë lexuar këtë “Memorandum” Abdi Baleta?… Me siguri, sipas logjikës së “shëndetëshme” të Baletës, edhe i Madhi Pashko Vasa, i cili Europën e konsideronte si shtëpinë tonë të përbashkët, duhet të ketë qenë “Katoliko-Centrist” ose “agjent” i Vatikanit, si Nanë Tereza, apo si “Elektropensionisti” M. Bregu!… Këto dokumenta, si dhe Proklamata e “Komitetit të Stambollës” e majit 1878, ku është dora e Pashko Vasës, shtronin dhe çështje të tjera me rëndësi: “dëshirën për të jetuar në paqe e miqësi me fqinjët”, vendosmërinë për të “mbrojtur me këmbëngulje çdo gjë që është e jona”. Aty lexojmë: Çdo kryetar që do të vepronte për të cënuar ose për të ndryshuar ndjenjat kombëtare, do të pësonte fatin e Abdulla Pashës, dhe të tjerëve që u vranë tok me Mehmet Ali Pashën. “Përsëri vlen t’i kujtojmë Abdisë / nga fryjnë erërat e tradhëtisë!…” (M.B).

Mbi bazën e kësaj pune të madhe dhe veprimtarie patriotike, u hartua traktati i tij i famshëm: “E vërteta mbi Shqipërinë dhe shqiptarët”. Kjo vepër, vërtetë madhore dhe me sens të theksuar patriotik, e shkruar në frëngjisht, u përkthye në të njëjtën kohë edhe në turqisht e gjermanisht. Dhe, natyrisht kjo kishte vlera të veçanta për të zgjuar ndërgjegjen e fuqive europiane, dhe për të dëshmuar para botës se shqiptarët, ndonëse nën pushtimin e egër osman, janë një nacionalitet Iliro-Alban dhe ndër më të vjetrit në Kontinentin Europian. Në të njëjtën kohë, kjo vepër vinte si një goditje e rrufeshme mbi kokat “boshe” të atyre pseudo-shqiptarëve “kolaboracionistë”, të cilëve, gradat dhe ofiqet (që ju “dhuroi” pushtuesi), kaq shumë ia kishin errësuar arsyen, saqë e quanin veten “turq” dhe Shqipërinë “Turqi e vogël”!…

“A ka dhimbje më të madhe, kur (me keqardhje) konstaton, se truri dhe zemra e shqiptarëve më të shquar, vihej në “efiçencë” dhe “konsumohej” më shumë në shërbim të të tjerëve se sa në shërbim të Atdheut, dhe kjo, jo aq nga dëshira, por më shumë nga rrethanat, vërtetë “jemi popull fatkeq”. (M.B). Gjithsesi gjatë gjithë veprimtarisë së Pashko Vasës, ajo që të bie në sy është dëshira e tij e zjarrtë për ta parë Shqipërinë të lirë dhe të përparuar, ose siç e thoshte ai vetë, – Zonjë.

Vlen t’i kujtojmë lexuesit se, Pashko Vasa, bashkë me Zef Jubanin, në vitin 1862, morën pjesë aktive në organizimin e një kryengritje në Mirditë, kundër autoriteteve pushtuese osmane. Por, edhe kohën e lirë të jetës së tij politike e shfrytëzoi edhe si njeri i pendës. Kështu shkroi frëngjisht librat: “Bosnja dhe Hercegovina gjatë misionit të Xhevdet Efendiut”, (1865), dhe “Skicë historike mbi Malin e Zi, sipas traditave të Shqipërisë”, (1872). Veprimtarinë patriotike e zhvilloi sidomos në Stambollë, ku u njoh me Kostandin Kristoforidhin dhe Hasan Tasinin etj. Pashko Vasa ishte njohës dhe zotërues i disa gjuhëve të huaja. Si njeri me përgatitje të shëndosha, historike, gjuhësore e letrare, ishte njohës i posaçëm i popujve të Ballkanit e të Lindjes. Përveç italishtes, frëngjishtes, anglishtes, në të cilat shkroi disa vepra, ai njihte gjuhët klasike – greqisht, latinisht, njihte mirë sllavishten, turqishten dhe arabishten.

Nuk gabojmë aspak nëse e klasifikojmë njërin ndër intelektualët më të mëdhenj të kohës së tij. Ai ka shkruar edhe Romanin “Bardha e Temalit” (1890), “Gramatika e shqipes”, për të huaj (1878), vjershën e famshme “O moj Shqypni”, (1880).

Si përfundim: Pashko Vasa, mbetet njëri ndër viganët e letrave shqipe, dhe ndër më të shquarit e “Rilindjes Kombëtare”.

Mark Bregu

 

Përse Kosova nxit “lakminë” e të tjerëve?…

Shkaktar për këtë shkrim u bë puna e madhe studimore e inxhinierit të shquar të gjeologjisë, zotit Vasfi Duka, i cili, përmes punës së tij shumë të vlefshme shkencore, një meritë të veçantë dhe tepër të lavdërueshme ka, në sensin patriotik. Përkushtimi i shkencëtarit në njohjen dhe evidentimin e vlerave të nëntokës etnike, merr vlera (gjithnjë në rritje) në sensibilizimin e të gjitha shtresave, pse jo edhe të qeverisë dhe pushtetarëve. Nuk e kam ndërmend të hyj në hollësitë teknike që parashtron inxhinieri shkencëtar, sepse nuk është pjesë e njohjes sime. E përbashkëta me zotin Duka është dashuria dhe dhimbja për çdo pëllëmbë të truallit tonë Arbëror, që në rrjedhën e shekujve u bë “pre” e “ujqërve” të largët dhe të afërt. Është pikërisht kjo pasuri (e padukshme) që ngjall zilinë dhe lakminë e të pangopurve për të na “gllabëruar”. Gjithsesi, për ta bërë sa më konkrete dhe të prekëshme idenë tonë, duhet kaluar në retrospektivë, në thellësitë e shekujve. Dhe pikërisht në periudhën e pushtimit osman.

Bazuar në kumtesën e historianit Vasif, (sipas autorit S. Rizaj) Ref. “Kosova gjatë shekujve XV, XVI dhe XVII”, mësojmë se në truallin e shtetit osman, që në kohën e pushtimit të osmanllinjve, ishin në qarkullim monedhat e argjendta (dir helmer) të shteteve vijuese: Indisë, Persisë, Irakut, mandej të Evropës, para së gjithash të Bizantit dhe të Venedikut. Mirëpo, pikërisht në kohën e themeluesit të shtetit osman, shkruan historiani Vasif, farkëtohej monedha e parë osmane e argjendtë “akça”.

Nga ana tjetër, shkrimtari Ismail Galip, periudhës së sundimit osman i vesh edhe farkëtimin e monedhës së bakrit (mangir). Por, monedha më e lashtë e ruajtur osmane e argjendit, e farkëtuar në Brusë, daton në vitin 1326. Kjo “akçe” mban emrin e sunduesit Orhan. Për t’u dalluar prej “akçeve” të tjera të sundimtarëve mongolë, kjo u quajt “akçe- i osmani”.

Selimi II dhe Murati III, ai pohon se në Kratovë kanë farkëtuar para të argjendta (akçe), Sulltan Bajaziti II dhe Selimi I. Sulltan Sulejman Ligjvënësi, ka farkëtuar para të argjendta dhe të arta, kurse i biri i tij, Selimi II, në vitin 1567 ka farkëtuar para të argjendta. Kosova dhe në përgjithësi tokat e Arbërisë ishin tepër të “pëlleshme” në shumë lloje mineralesh (xeherorë).

Tashmë është provuar se monedha e parë osmane e artë ka filluar të farkëtohej prej kohës së Sulltan Mehmetit II Fatihut. Mirëpo edhe pas farkëtimit të monedhës së artë osmane, të quajtur “Sulltani”, ishte e ndaluar të tejkalohej vlera e dukatit Venedikas. Monedha e parë e artë ishte ekuivalente me monedhën e artë të Venedikut. Në kohën e pushtimit osman, farkëtimi imonedhave nuk kufizohej vetëm në farkëtoren e sulltanit në Stambollë. Përkundrazi, gati të gjitha xeherorëve të argjendit në Rumeli, në Anadoll dhe në Afrikën Veriore u ishte lejuar të fabrikonin para të veta. Që janë farkëtuar shumë para osmane nga argjendi i xeherorëve të Kosovës në vënë në dijeni thëniet e Benedikt Kuripeshioit, i cili në vitin 1580 ka udhëtuar nëpër Vuçiternë, Prishtinë dhe Novobërdë. Ai thotë: “Toka jep shumë argjend, kështu që Sulltani, të gjitha paratë e veta i farkëton prej argjendit. Një ferman i vitit 1582 na vë në dijeni se në Shkup gjendet një farkëtore aktive parash. Legati Venedikas i shek. XVI (1575), Jakov Sarançe, ka shkruar se ndërmjet Shkupit e Qystendilit në vendin grachova (Kratova), gjendet farktorja e monedhave. Xehja e arit dhe e argjendit merret në rrethinën e Kratovës. Udhë përshkruesi i njohur turk, Evlia Çelebiu, kur në fillim të dekadës së shtatë të shekullit XVII vizitoi disa vise, veç të tjerash, shënoi: “Në Novobërdë, në kohën e sundimit të Sulltan Muratit IV, punonte një farkëtore. Ekzistojnë akçe argjendi të pastër. Duket plotësisht e sigurtë se në shekullin XIX farkëtoret e monedhave në brendi të Gadishullit Ballkanik nuk punonin, sepse në një ferman të Sulltan Mahmutit II (1822) është kumtuar se hebreu Avram Arid është autorizuar të blejë ar e argjend në rrethinën e xeherorëve perandorakë në trevat e Manastirit e të Prelepit, për funksionim të rregullt të farkëtoreve perandorake.

Kemi shembuj mjaft të trishtueshëm, kur pushtuesit dërgonin kolonë në xeherorët, për të mësuar artin e përpunimit dhe mbasi ata ishin specializuar për disa vjet, i asgjësonin mjeshtrat e tyre duke i masakruar në mënyrën më barbare. Kjo nuk ka ndodhur vetëm gjatë pushtimit osman, por edhe gjatë pushtimeve të tjera.

Pasuritë nëntokësore të tevës së Kosovës dhe të trevave të tjera me popullsi shqiptare, kanë qenë kurdoherë në “shënjestrën” e pushtuesve. Minierat e Trepçes, në zonën e Mitrovicës përbëjnë një problem kyç, në zgjidhjen e kësaj çështjeje rajonale dhe është ky shkaku që serbët insistojnë me çdo mënyrë të ndajnë Mitrovicën nga pjesa tjetër e Kosovës. Zgjidhja e këtij problemi madhor do durim dhe maturi nga ana e Qeverisë së Kosovës.

Ajo, në bashkëpunim të ngushtë me organizmat ndërkombëtare, duhet të gjejë rrugët më adeguate që me forma demokratike dhe jashtë çdo forme dhune, të shkojë drejt realizimit të qëllimit final – Pavarësisë. Vetëm në këtë mënyrë do të “sfidojë” politikën e pushtuesve shekullorë, dhe do të rikthejë të gjitha vlerat morale, politike duke u bërë zotëruese e të gjitha atyre resurseve nëntokësore, mbitokësore, të cilat vetë Zoti ia dhuroi me bujari. Urojmë që shekulli i ri që sapo kemi hyrë, të jetë një ogur i mbarë për të gjithë shqiptarët, kudo që janë, dhe një garanci pë r triumfin e të drejtave të tyre. forcat Euro-Atlantike e dhanë provën e forcës, kosovarët duhet të japin provën e qytetarisë e tolerancës, pa lejuar asnjë abuzim ndaj të drejtave të tyre legjitime.

Mark Bregu

 

Tradhëtia e pabesia (greke)

-Po botojmë një material tepër sekret, të vitit 1929, nxjerrë nga dosaj 89/L/12 e sigurimit të shtetit shqiptar-

Egoisma tepër e shpalueme (shvillueme), moraliteti i rrëzuëm, bija të karakterit të dobët, vese të ç’do populli apostat, kan ken dhe jan shkaket e thellë dhe të vetëm qi na kan pengue m’u konsolidue si Shtet, m’u qeveris normalisht e me shkue përpara. Jan këto vese qi e bënë Essad Pashën me fal t’huajvet dy të tretat e Shqipnis politike qi, me lejen e tyne, me sundue ay në të tretën e mbetun me nji flamur sui generis, me yll. Jan ato vese qi kan pas shtye Mufid Begun me i fal Vlonën me hinterland Italis e me njoft protektoratën e saj mbi Shqipni. Jan ato vese qi bënë Muhamedanët në kohën e pushtimeve të huaja m’u ba spiunë e mercenarë të tyne. Po ato vese jan qi kan ba Ahmed Matin me ipotekue (vefa) dhe kolonizue Shqipnin nër hnaj qi, me lejen e tyne, me vue nëkrye nji qylaf të art me xhufkë dhe në kambë çisme të bardha me shirita. Jan ato vese q’i bëjnë Muslimanët intelektualë m’u shërbye si mercenarë e zabita këtyne situatave nefaste për nji rogë të shkretë. Jan po ato vese q’e bëjn popullin e vogël Muhamedan m’u ba veglë e tyne për t’i prue në fuqi e pastaj gjindarmë për tri korona ditën. Sicili kujdeset përlëkurën e vet; ky ësht i vetmi ideal, u japim rasat të huajvet me na quajt lëkurë-kuq të Europës, me na trajtue si indianë e afrikanë e me na vue kah nji Mbret mbikrye si Mbretnit e Hindit e të Marokos.

Shumë nesh i attribuojn shkaket e ktyne mjerive propagandavet të huaja; kjo s’ësht e drejtë; të huajt bajn punën e vet; propagandat bahen dhe gjetkë; por nuk gjejn truall të favorshim; kush punon për vete s’ka faj; kush punon kundër vetes a faj. Të huajt bajn propagandë dhe kanë të drejtë; ne pse i dëgjojm? dhe i digjojm, tue dit qi na damtojn.

Dikush ka akuzue dhe elementin e Krishten qi kinse (gjoja) ka kontribue në këto mjeri; nji proverb populluer thotë “shtëpi pa të ligë s’ka”; në nji popull, sa do me karakter të fort, munt të ndodhen dhe persona të dobët, por nji popull, për m’u gjykue, nuk duhet gjykue tue marr shëmbull persona të caktuem qi formojn eksepsion, por tue marrë nër sy popullin të tan si grumbull (en masse). Si grumbull, pra, elementi i Krishten i ka urrye këto situata funeste e regjime Turke, përveç – siç thamë – disa personave të caktuëm; por edhe prej ktyne, disa nuk kemi të drejtë me i akuzue, si Kason, Papadopullin, Boxhorin etj., se këta nuk punuan kundër ndërgjegjes së tyne; vetëm taktikën ndërruan; passi s’e muarr dot kalan ball për ball, kërkojn me e marr kah brenda; ata nuk pushuan së punuari për idealin e tyne; pas fuqis ndihin alleatët e tyne Muhamedanë për shkatrrimin ma të shpejtë. Kurse elementi Musliman, nji pjes e madhe i ka përkrah regjimet e tillë dhe nji pjesë prapë e madhe i ka tolerue. Kqyrni, brenda në Shqipni kush e ka fuqin armate n’dorë?, a s’e kan Muslimanët?, pse s’ia kthejn? Shikoni, jasht ndër Koloni: n’Amerikë, Muslimanët e përkrahën regjimin e tashm, të Krishtenët e luftuan; në Misir, Muslimanët indifferent, të Krishtenët protestuan; në Rumani, Muslimanët s’u ndjenë, të Krishtenët nxuar za kundër regjimit; në Paris, punëtorët Muslimanë s’u ndjenë, të Krishtenët formuan Shoqni e muar pjesë aktive në luftë; në Paris prapë, studentët e Krishtenë u lidhë e u hodhë në luftë, studentat Muslimanë përkundrazi; në kryeqytetin e Francës liberale, në mes të Europës së qytetnuëme, në djepin e rivolucioneve për liri, djelm të rij, studenta universiteti, shpres’ e nesërme e atdheut, në vend qi të bahen apostuj të liris e indipendencës, iniciatorë të naltsimit moral për vendin e vet, përulen e bahen vegla të Qeveris trathtore e tiranike për 500 franga mitë në muaj qi marrin me anën e Legatës së Parisit prej parevet qi dërgon Mussolini, për me formue nji kundër-Shoqni të pagzueme “Zemra Shqiptare” me qëllim të mbytin zanin e liris të kollegvet të tyne të Krishtenë! o tempora o mores! dhe guxojn me përdor emnin Zemra Shqiptare e nuk e emnuan Xhepi Shqiptar se do t’ishin të sinqertë, të pakën.

Populi i Krishten e urren, pra, dhe urrejën e ka shfaq kur dhe ku ka pas liri me e shfaq. Katolikët, bilë, muarr dhe armët, derdhë gjakun me lëvizmën e Dukagjinit e të Pukës; u sakrifikuan pa masë. Nuk duhet pritun ma tepër prej pakicës Kristiane; kjo si pakicë, dhe me pas mjetet e fuqin sa për kundër Ahmetit nuk mundet e nuk duhet me marr iniciativë, tue drasht se mos shumica Muslimane, pa përjashtim, bashkohen e tanë me Ahmetin e i hipën sipër; kjo frikë nuk është fantastike; kemi precedente; në lëvizmën e Nëntorit 1926 e pësoj Dukagjini; Tre bajrakët e Postripës, ndonëse kundërshtare e Ahmetit dhe partizane e Xhemal Bushatit, le qi s’morri pjesë por iktheu dhe pushkën Dukagjinit prapa krahvet.

Qartaz, pra, risulton se elementi i Krishten e ka urrye e kundërshtue regjimin e tashm e shokët e tij, e se elementi Musliman i ka përkrahë e tolerue dhe se, me përkrahjen e tolerimin e tij, ka kontribue në trathtinë e dytë kundër atdheut.

Ësht trathtue Essadi, Mufidi, Ahmeti; shum bukur; po me ç’fuqi kan ardh në pushtet e kush i ka mbajt?, ku jan mbështet?, ç’janë ushtria e oficerat sod, a s’jan Muhamedanë 90%; Këta e mbajn, këta po të duan për nji minutë e kapin gjall; pse s’e bajn? Pa e ndrroni këtë ushtri me nji tjetër 90% të Krishtenë, kishit me pa qi as Essadi, as Mufidi, as Ahmeti s’kishin qëndrue dot nji orë.

 

Pabesia e dytë

Nji observator superficial po të vizitonte Shqipnin pas armëpushimit të luftës së madhe djeri në vitin 1922, pa dyshim, kishte me konstatue nji enthusiasm të math qi nuk do të vënitej kurrë; thamë superficial se po të ish i thell nuk do të binte në këtë gabim.

Posa qi u caktuan kufit, u njoh Shqipnia si Shtet indipendent, u pranua në Ligën e Kombvet, anthusiasmi u shua si flaka e kashtës; u duk qi s’kishte rënjë të thella; qe fiktive e për pak kohë sa të hidhej lumi, sa të shdukej reziku i coptimit midis Shteteve të Krishtenë; të ishin Muslimanë Shtetet fqij, indipendenca e Shqipnis as nuk do të përmëndej; enthusiasmi ish nji kapitulatë e ndërgjegjevet, nji transaksion i ndjenjavet me nevojën. Passi u sigurua pozita internacionale e Shqipnis, filloj dasia, filloj grindja midis partivet; e vërteta ish qi nuk luftonin partit, por nën maskën e partivet luftonin plagët e vërteta, shkaqet e thellë të mjerivet. Egoismi, ambicioni personal u ngjallën; dhe ma e keqja, se nën maskën e partivet ndizej lufta midis elementavet fetarë. Muslimanët u suall si Muslimanë e jo si patriotë; tue dit se me sa mundime u realizua krijimi i Shtetit, bashkimi administrativ i Shqipnis dhe tue dit se sa na kushtuan propagandat e huaja, në vend qi të jepnin, qysh në fillim, prova tëmira për possibilitetin e nji bashkjetimi armonik e të rëzonin, me sjelljen e tyne të bukur, propagandat e huaja, e çdo konception të kundërt qi ish formue midis pesimistave e drojashvet (hesitant), përkundrazi, me tendencat e tyne hegjemonike e me luftën e mbuluëme, dinake e perfide kundër të Krishtenvet, i vërtetuan dhe u bënë alleatët e të huajvet.

Sikur dihet, në 9 Prefektura dahet Shteti Shqiptar administrativisht; prej këtyne vetëm dy kan shumicë të Krishtenë: Shkodra e Gjinokastra. Muslimanët Qeveritarë e intellektualë nuk e duronin dot këtë situatë; për shumë arësye dhe veçaz për arsye elektorale, shumica e Krishtenë në kto dy Prefektura duhej m’u ba pakicë, ose të paktën, shumicë e vogël; ça bajn pra? Në 1922, me dekret ligjë, shkëpusin prej Shkodrës krahinën fjesht katolike Nikaj e Mërtur, kundër dëshirit të popullit, dhe ia ngjitin administrativisht Prefekturës Muslimane të Kosovës; prapë me dekret ligjë i shkëpusin Shkodrës krahinat fjesht katolike, Kthellë, Baz, Beskash e Selitë dhe i lidhin administrativisht me Prefekturën Muslimane të Dibrës. Kështu, pra, shumica Katolike nuk bahet vërtetë pakicë por kufizohet mjaft. Mbas informatave të mbrame Ahmeti – për plotsimin e programit nacionalist! – mendohet me i shkëput Shkodrës dhe Mirditën për t’a lidhë me Dibrë: në këtë rasë, shumica Katolike mundet m’u ba pakicë ose barabar. Më 1922, prapë, me dekret ligjë shkëpusin krahinën fjesht Ortodokse të Himarës prej Gjinokastrës dhe e lidhin me Prefekturën e Vlonës, kundër protestimevet të Himarjotvet; prapë me dekret ligjë, shkëpusin Gjinokastrës krahinën thuse fjesht Ortodokse të Leskovikut dhe e lidhin me Korçë. Kështu pra, shumica Ortodokse në Pref. e Gjinokastrës arrit m’u ba shumicë e vogël ose barabar. Këto bahen n’emën të vllaznis.

Muslimanët me fuqin e shumicës e me dinakri mundën me marr frenat e Shtetit e m’u organizue si Qeveri. Të Krishtenët, si pakicë kah nji anë e viktima të sinqeritetit kah ana tjetër, nuk mundën, me sigurue as vëndin q’u përkiste proporcionalisht në maqinën Shtetnore. Për të projtur interesat e tyne dhe të drejtat e veçanta, nuk kishin donji organizatë veç asaj së Kishës. Muslimanët, tue pa se organizata Kishtare e udhëhequn mirë do të formonte forcë t’aftë Kristiane dhe se, në këtë rasë, kishin me pasë pengim në qëllimet e tyne satanike e perfide t’hegjemonis e të ndrydhjes, u përveshën dinakrisht me e shkallmue e me e dobsue; këllasin do të Krishtenë (ortodoksë) vegla të tyne nën pretekstin e patriotismit, të cilët, të ndihun prej ushtarvet, rëmbejn do Kishë në Korçë e Vlonë dhe i destinojn kinse (gjoja) si Kishë të Shqiptarvet me gjuhë fetare Shqipen. Ma von, me anën e veglavet të tyne të Krishtenë provokuan Kongresin Kishtar të Beratit dhe ftuan popullin Ortodoks me sgjedh delegatët; populli refuzoj; delegatët u sgjodhën, prej Bashkive muhamedane në shumicë, nën pressionin e Qeveris Muhamedane dhe dërgohen në Berat. Votohet Statuti i Kishës Shqiptare Ortodokse dhe sgjidhet kryesia provisore e Kishës; të gjitha kto bahen kundër dëshirës së popullit të interesuëm. Kështu krijohet nji situatë ibridike, nji regjim kishtar doç; Kisha disorganizohet, dobsohet, profanohet; grindja midis Ortodoksëvet futet, qëllimi satanik i Muhamedanvet kryhet me sukses. Çështja e Kishës Ortodokse qëndron e varun; Sinodi s’formohet dot; naturisht ka me mbetë e varun djeri sa elementi Ortodoks nuk e njeh ktë status quo doçe dhe nuk lihet i lir me vendue punët e Kishës së vet; dhe duhet me mbajt këtë qëndrim djeri në fund se ashtu ia don nderi e interesi; nuk duhet me i dhanë leje kurkujt me i regullue punët e Kishësku vetëm ay do të falet. Populli Ortodoks duhet me i dhan ma tepër rëndsi çështjes kompetencës se sa essencës; le ta sgidhë vetë, ani dhe keq; të mnos kriohet precedent.

U bënë tentativë dhe kundër kishës Katolike por pa sukses se s’u gjetnë vegla: elementi Katolik u ndoth i lidhun top reth Kishës dhe nuk e la Kishën t’i profanohet prej ndërhyrjes së apostatvet. Kështu qi kta të fundit u kufizuan vetëm në nji komplot kundër jetës së Monsignor Mjedës, po dhe këtë pa sukses.

Pretendojn Muslimanët, nën pretekstin e interesavet Kombtare, të përzihen në punët e Kishës; kurse për Xhamin e tyne nuk i përmendin intersat Kombtare; asnji riformë; Arabishtja vazhdon si gjuhë fetare; asnji fjalë Shqip s’digjohet në xhami; thonë se Kurani s’përkthehet; po Mustafa Qemali pse e përktheu Turqisht? Kapela nuk guxojn me vue, se prishet dini; sa vijn prej Europe e Amerike, posa dalin në skelë Shqiptare, u presin strehën, i bajn synet; as prejudicet ma qesharake nuk kan guxue me poshtnue, e me gjithkëtë guxojn me ba fjalë për Shqipni Europiane për oksidentalism, për unifikim Kombtar; Sublimin e lirin e gruës Muslimane nuk ua ka qejfi ndonëse e dijn fare mirë qi gruja e lirë ësht faktori kryesuer i qytetnimit dhe i forcës së nji populli. Na nuk duam m’u përzi në punët e tyne, ndonëse kemi të drejtë se interesohemi – jo për ta – po për fatin e Kombit, por duam t’u japim me kuptue qi s’kan sy e faqe me fol për interesa kombtare, se, po t’u dhimbej kombi e atdheu, duhej të jepnin shëmbulla e prova jo me fjalë po me punë.

Nuk jan, pra, interesat kombtare q’i shtyjn por qëllime të fshehta; inderesat kombtare jan pretekst; dobsimi i Krishtenimit dhe hegjemonia e tyne e plotë ësht qëllim i vërtet. Nuk duan, thonë, qi Kisha Ortodokse të dipendojë prej Patrikanës e të emnojë ajo Metropolitët se kjo punë nuk ësht n’interes të Shtetit; shum bukur, argumenti i arsyëshëm deri në nji pikë; themi deri në nji pikë se Shteti Shqiptar ësht de facto Muhamedan, sod bilë dhe de jure; me gjithë ktë, na e pranojm si krejt t’arsyëshëm dhe themi qi Metropolitët të mos i emnojë Patrikana, por, kah ana tjetër, as Kryemyftiu i Tiranës se ahere, pa aspak dyshim, kishte me kën qint për qint ma mirë Patriarkana. Nuk e doni kishën Ortodokse vegël të Patrikanës; shum bukur, as na s’e duam; jemi d’akord në parim po ndryshojm në qëllime; na e duam autoqefale kishën për interes kombtar; ju e doni me e shkëput prej Patrikanës, për me e ba veglë të Qeveris Muhamedane të Tiranës. Vini re pse s’formohet Sinodi?, ndonëse nji pjesë e fajit e kan kallojerët dizertorë qi kryesojn sod administratën e Kishës, por fajin kryesuër e ka Qeveria Muhamedane e Tiranës, e cila pretendon me pas veto n’emnimin e Metropolitvet e me imponue shokët e Visar Xhuvanit, me qëllim shkatrimi e poshtnimi i Kishës. E të gjitha këto bahen n’emën të vllaznis.

Në ndarjen e pozitavet administrative elementi i Krishten ka dalë gjithmonë i damtuëm; kurrë, as në kohën ma të favorshme, s’e ka arritun proporcionin q’i përket. Mbi këtë pikë jan ba biseda herë pas here midis të Krishtenvet e Muhamedanvet, këta të fundit justifikohen, tue than se në emnimin e nëpunsavet nuk duhet vue roe feja por zotsia; ndonse ky parim s’na duket fare i drejt, e pranojm për nji minutë; por pyesim; si dreqin vetëm Muhamedanët paskan zotsi e të Krishtenët jo?, na përgjigjen po se dijn muamelë; prapë pyesim: kush gjykon mbi zotsin i pazotsin e nëpunsavet?, na përgjigjen: superiori; pyesim: kush bahet superior?, përgjigjen: ay qi ka taraf, forcë, pra puna mbetet te forca, gjykon forca, kto bahen n’emën të vllaznis.

Nën regjimin e sodm numuri i nëpunsavet të Krishtenë ka sbritun djeri 10% po dhe këta të sgjedhun me prokë midis personavet të dobët moralisht, vegla të verbëra. Ahmeti ka emnue dhe kryeministër të krishten; kjo ësht nji përbuzje për popullin Kristian; kryeministri n’emën ësht nji sekretar i Beut; asnji kompetencë s’ka; Ahmeti e do për vegël se, me anën e tij, shtyp ma mirë Kaurët; pylli nuk do të mbarohej kurrë së preri, po të mos kish dhan bisht sëpatës.

Me rastin e emnimit të Panteli Vangjelit e ma von të Z. Fanolit si kryeministra, nji prej politikanvet eminentë Muslimanë më ka than kto: “elementi i Krishten arriti maximum-in e realizimit të të drejtavet, dhe bilë, e kaloj, passi në nji Shtet me shumicë Muslimane, Qeveria jepet në duar të Krishtenë”; tue e falenderue për nderimin, iu përgjegja kështu: “ju keni të drejtë, por ça me i ba popullit të Krishten qi ka nji koncepsion ët ndryshm të Qeveris; ay për Qeveri nuk kupton kryeministrin as kabinetin e gjith; ay, për Qeveri kupton apparatin administrativ të tan dhe në këtë apparat kërkon me pas pjesën q’i përket”.

Katundet e Vakëfeve: Trebiskë, Treskë, Statobërdhë, Katund, Graboskë e tjerë, dhe të Kolonjës: Shtikë e Bezhan, si dhe në Kurvelesh: Shërpëzi, jan do djeg e do grabit prej Muslimanvet me tolerim të Qeveris; banorët e tyne vashdojn të jenë emigranta në Korçë, Përmet e gjetkë; pronjat e tyne private e komunale jan zaptue prej Muslimanvet të katundevet rotull me tolerim të Qeveris; nuk e quajn veten të sigurt me kthye në katundet e veta; kan pas lyp prej Qeveris së Iliaz Vrionit disa lehtësime e garanti, si garanti kan pas lyp këtë qi të vendohen në krahinat e tyne Potë-Komanda Gjindarmërie me gjindarm të Krishtenë dhe leje për banorët me mbajt armë; Qeveria nuk e pranoj, tue u justifikue se gjindarmët e Shtetit s’jan të Krishtenë e Muhamedanë por Shqiptar vllazën dhe organë të ndershim të qetsis publike; sa për armë nuk mundet me ba përjashtime; e vërteta ish qi Qeveris ia kish qejfi me ngel shkretë kto katunde e dal ka dal m’u zaptue prej katundarvet Muslimanë rotull, sikundër ngjau vërtet. Invokimi i vllaznis për atë qi ësht në fuqi ësht mjeti ma i mirë për mrritjen e qëllimit dhe mënyra ma e sigurtë për me vue prak ankimevet.

Mundet me na objektue kush se dhe të Krishtenët u suall po ashtu ndaj Muslimanvet: ësht e vërtetë, me ndryshim qi të Krishtenët i bënë nën nji flamur me kryq e passi u ramë më qafë për t’i bashkue me pahir në vathën Shqiptare kua ta s’donin me hye se u ish mbush mendja qi Muhamedanët jan Turq e me Turq s’bahet Shqipni; kurse Muhamedanët i bënë nën hien e flamurit Kombtar e simbolit të vllaznimit; këta, kurse donin me marr gjaqet duhej me ardhë me flamur me Hanëzë, ahere do të ishin në regull, të pakën, në formë, se në essencë jo; e nuk ësht n’interes të tyne me hap defteret e vjetra se dalin për të dhan.

Mirditën, Krahinë Katolike të fortë e të lidhun reth shtëpis Gjon Markajë tradicionalisht, e kishin halë në sy Qeveritarët Muslimanë; duhej rrënue e dobsue, se ndryshe e kishin pengim; kërkonin shkak; Marka Gjonin, Kreun e Mirditës, ndonse Ministria e Brendshme i kish dhan fjalën për t’a emnue N/Prefekt të Mirditës ose Major riserve, e talli kaq kohë e nuk e emnoj. Marka Gjoni s’kishte me lypë këto ofiqe po të mos ishin emnue Dine Hoxha, nji bajraktar i Dibrës, Major riserve; Bajram Curi kolonel riserve; Husni Curri Major riserve; Sulçe Beg Bushati – ish antar i Sedai-milet – Prefekt i Shkodrës e tash kolonel riserve; Malo Beg Bushati – ish antar i Sedai-milet – Major; Haxhi Isuf Banga – ish Ministër i Essadit – Major riserve; Deli Meta – bajraktar i Hotit – kapiten riserve e shum t’jerë qi s’u mbaj mënt emnat. Marka Gjoni e gjith Mirdita e quajtnë këtë ansi flagrante të Qeveris – dhe me të drejtë – si të fyeme kundër nderit të shtëpis Gjon Markae e gjith Mirditës dhe si shkelmim të të drejtave Kristiane. Mirdita, e fyëme, u egërsua e lëvizi kundër Qeveris qi e quante Turke. Iu offruan Qeveris – ndjesë paçin – Bajram Curri e Gurakuqi si ndërmjetës për pajtim e me prevenue gjakun. Qeveria nuk e pranoj ndërmjetsin se dëshronte m’u ba lëvizma për me gjet shkak me djegë Mirditën. Dërgoj ushtri në Mirditë nën Kumandën e Ali Fehmi Kosturit e të Shefqet Korçës, oficera kta qi Mirdita i kish njohun si oficera Turq në ushtrin e Turgut Pashës kur luftonte me këtë më 1910-11 për t’u shlirue nga sgjedha Turke; Qeveria i dërgoj kta oficera për me e ndez ma tepër mënin e Mirditës. Lëvizma plasi an’e mb’anë Mirditës, vazhdoj 4 muaj, gjak ud erdh, pare u prishne, Mirdita më në fund u munt e u dogj e shkreta, qëllimi i Muhamedanvet u krye. Sa i ka kushtue Shqipnis e Krishtënimit fanatisma Muhamedane!, po kta nuk mjaftuan me kaq; deshne me djeg edhe Malsin e Lezhës; tue vra parin e saj midis së cilës dhe Bajraktarin e Manatis, e provokuan m’u çue pesh, por këshillat e urta e të ndyerit Gurakuqi e të Imzot Bumçit nuk e lanë Malsin e Lezhës m’u çue e m’u djeg. Kan dash me djeg dhe Zadrimën – kinse se s’paguante taksat – dhe e bënë planin, por ndërhyrja prudente e z. Don Loro Cakës dhe do Krenve Katolikë e ndaluan. E të gjitha këto bahen n’emën të vllaznis.

Me qi erdhi fjala për të ndyerin Gurakuq, dua me përmend qi kur u vra, Muslimanët, të mërguëm po për nji qëllim me atë të Gurakuqit, u gëzuan e kan pie shampanjë; ish kaur i fort, e kishin pengim.

Kinse për të vuem në vënd Statutin e Shtetit i cili nuk permeton privilegje nëpagimin e taksaret – them kinse se për Statut nuk i ha malli, passi vetë po e shkelin për dit – Muhamedanët iu turrën Himarës me i prish privilegjet, por e vërteta ish me gjet rast me shfrye kundër atyne derrave Himarjotë, atyne kaurve të pabindun. Nuk e lejon Statuti, thonë, me pas privilegje Himara; mirë, popse disa krahina Muhamedane të paguajn ? fr. ar? Kjo s’e prishka Statutin?

Të Krishtenët persekutohen sistematikisht si politikisht ashtu dhe në fushën ekonomike. Shkoni në zyrat e financavet e kini me pae qi të Krishtenët s’kan asnji taks të prapambetun për të paguem se shtrëngohen e burgosen; shikoni pastaj se sa Bejlerë, agallarë e efendilerë kan kah 5 vjet taksa të prapambetuna pa paguem.

Kapelet paguajn taksë dogane ma rëndë se qylafet, kurse për proteksionism duhej të gjante e kundërta, passi në Shqipni kemi vetëm industri qylafësh e aspak kapelash; me than të drejtën, këtë pikë s’e kam konstatue vetë me syt e mij, po m’a ka kallzue z. Sederholmi ish delegat iLigës së Kombvet në Shqipni i cili me raport ia ka referue Ligës së Kombvet si dhe shum sende t’jera.

Kërkoni listën e bursiervet të Shtetit e kini me pae qi as 10% s’jan të Krishtenë. Kërkoni listën e pensionarvet e kini me pae mbushun me Muhamedanë shokët e Ali Muhtarajt e të Krishtenë as 1%. E kan bae Shtetin çiflik të tyne, mjet jetese.

Muslimanët e ndjejn fajin e math qi, me apostasin e tyne, kan bae; u vjen turp sa nëpër Europë nuk përmendin emnin e vet por të katundit; nuk dijn si me e shlye ktë faj; mundohen me na bind për me e da në mes me na; mundohen, pra, me na dobsue ndjenjën fetare e institutin familiar e t’u bahemi shokë; si ajo dhelpëna qi, si iu këput bishti, këshillonte shoqet me e pre dhe ato, propozojn martesë civile e krushqi midis të Krishtenvet e Muslimanvet por me konditë – nuk e thonë po e praktikojn – si të mos japin; na u themi jo, as të marrim as të japim se në çdo rasë na jemi të damtuëm; arësya ësht nji dhe e vetme, se na jemi të Krishtenë e ata Muhamedanë. Kanë rëmbye vajza të Krishtene me ndihmën e autoriteteve e kundër protestimeve tëgjinis e të katundit gjith. Në rasa të tilla, autoritetet, për me e bae punën të kryeme, ça bajn?, ndërhyn gjindarmëria në potere e sipër, i kap të dy, djal e vajzë, i burgos jo veç e veç – meazallah se aty ësth maryfeti – i venë bashkë në nji kaush e vetëm të dy dhe e porosit djalin, malum, për veprimet ulteriore, dhe në qoftë se vajza refuzon, e trëmbin, e rahin gjindarmët; nesërmet i paraqesin prpara mexhilis-idares për t’i pyetun a e duan njani-tjetrin; e muart vesh? Vetëm nji herë bani vaki qi nji djal i Krishten prej nji katundi të Fierit, shërbtor të Ali Gjiritit në Vlonë, e desh vajza e ktij dhe e ndoqi pas me vrap gjindarmëria e Vlonës dhe e Fierit në telash në lëvizje; i gjeti, e ndau vajzën dhe ia dorëzoj t’et, kundër dëshirës së saj, sa për djalin Fierak, pas dy dit u gjend i vram me organet gjenitale të premë e të kallun në gojë për ibreti-alem e për shembull kaurvet qi kishin me guxue me ba si ay; mbi vrasën e tij as nji hetim gjyqsuër, as q’u ba fjalë; pse? – se e vrau gjindarmëria, Qeveria vetë, nacionalistat e mëdhej të Vlonës. Këto bahen n’emën të vllaznis.

Qeveria Muhamedane e Tiranës mundohet me e mbush Shqipnin me Turq; me spenzime të saj ka prue prej Anadolli e instalue në Myzeqe e gjetiu disa mija Muhamedanë Slavofonë në shumicë të ndjekun prej Serbie në Turqi ku nuk deshën me qindrue për mos me vue kapele; kta asnji lidhje s’kan me Shqipnin, pranohen vetëm se jan Muslimanë; dikush e ka deklarue çiltaz se për Muslimanin e Shqipnis ësht vlla Muslimani i Bosnjës e jo i Krishteni i vendit. Disa kohë ma parë kur shumë famile Negovanas e Belkamenas e lypnë Qeveris së Tiranës vend e ndihmë për m’u instalue në Shqipni, Qeveria nuk i pranoj se ishin të Krishtenë; e të gjith e dijm se sa kan punue Negovani Blekameni për idealin kombtar e sa patriotë të mirë jan.

Muhamedanët, si thanë ma sipër, e ndjejn fajin qi kan ba e tash duan me e da në mes me ne; mundohen, pra, me na dobsue ndjenjën fetare; hiqen liberala e predikojn qi feja s’lot rol; i pyesim: qi kur nuk lot rol feja?, qi kur ky ixhad? Pse 16 vjet ma parë loste rol e vetëm ajo loste rol? Pse 16 vjet ma parë për shkak të asaj feje ne ishin kaura të derrit e ju Turq; na rob e ju zot, na bujqër e ju çiflikarë, na rajë e ju sovran, na të sunduëm e ju sunduës, na puntorë me krahë e ju Vezira e zabita?, mos gënjeni kaq trash se s’ka syleshën sod qi t’ju besojn, ju dolli bakëri; rispektoeni pak të vërtetën, feja lot rol të math; për atë fe jeni tue punue sod e ksaj dite gjith këto të zeza kundër të Krishtenvet; akoma dhe dogmat e nji feje lozin rol; pse s’fitoj Smithi n’Amerikë?, pse u rëzua kabineti i Herriot e Poincare-s tash von në Francë? Jam i sigurt qi ju ma pak se na e besoni këtë theori; e predikoni vetëm me qëllim dinak për me na ba shokë; kjo vihet roe në çdo popull apostat; apostatët urrejn ma tepër të Krishtenët bashkëkombas se sa të krishtenët e huaj; vini roe: Muslimanët e Kretës preferuan sundimin Kristian të huaj se sa bashkëkombas; Muslimanët Pomakë Bulgarë nuk durojn dot sundimin bashkëkombas dhe preferojn të huajn; Muslimanët e Bosnjës, Serbër nga kombsia, preferojn sundimin Austriak se sa sundimin bashkëkombas Serb; Muslimanët e Shqipnis, po t’ishin pakicë, kishin me preferue – me ikjen e Turqis naturisht – nji sundim Kristian të huaj se sa nji sundim Kristian Shqiptar, a ësht kështu allahile? Kurse kjo nuk gjan për të Krishtenët; na e deshm Shqipnin, tue dit qi shumica ësht Muhamedane e tue ba hesap dhe Kosovën brenda e me gjith provat e kqia të kaluëme; s’u kërkuam Muhamedanvet as nji konditë, as nji sakrificë, vetëm nji gjë u kërkuam: të na duan tash e tutje e të duan vendin e vet, në mos me zemër, të pakën, për interes se po na humbi dhe kjo shtrofkë s’kan ku vejn. Mjerisht dhe këtë konditë elementare nuk e pranojn.

Patrioti i madh Midat Frashëri ka than dy vjet ma parë këto: “të gjitha të kqiat q’i ka ba Shqipnis Armed Zogu ia fal vetëm e vetëm se shtypi të Krishtenët e sidomos Katolikët me gjith Kler”. Nji tjatër patriot, Eshref Frashëri, me rastin e traktatit Shqiptaro-Turk i ka deklarue shtypit Turk se, ndonëse u ndamë politikisht, zemrën e shpirtin e kemi të bashkuem; s’kam ç’u them se, të pakën, u ndodhën ma të sinqertë se shokët e tyne. Nacionalistët e mëdhej të Vlonës, nën kryesin e Dr. Sezai Çomos sod meemur Turk në Izmir, më 1921-22 kishin proklamue – në mënyrë të mbuluëme d.m.th. allaturka – boikotash kundër tregtarvët të Krishtenë të Vonës dhe porosisnin katundarët Muslimanë të mos blinin prej tyne.

Formimi i disa Shoqnive të Krishtenë Shqiptare tash von i ka allarmue Muhamedanët pa përjashtim; pse vallë: druajn vallë se mos kto Shoqni i bajn dam atdheut?, nuk e besoj, se për ktë punë ata nuk lënë radhë për ne; pastaj të huajt e dijn fare mirë qi, për qëllimet e tyne në Shqipni, aleatë ma të mir kanë ken dhe jan për ta Muhamedanët; zati ktë zanat kan pas. Tjetër, pra, është arsya: Kauri nuk duhet me ngritë krye; kauri duhet të shkojë prapa Begut e Agajt se ndryshe na prishen zakonet; kaurit s’duhet t’i hapet syri; politika brez pas brezi u përket Muslimanvet se kta i lozin fen: kan marr ders në Jildiz; kauri ësht i mirë për qatib e qehaja. Pra o burrani kundër kaurit; për ktë qëllim të gjith Muhamedanët u bashkuan; kqyrni, Ahmeti kah nji anë jep urdhën gjith Legatavet me shkatrrue me ç’do mjet lëvizjen Kristiane; Grupi Bolshevik dërgoj në Paris z. Rexhai Kosturi për me luftue organizatat në fjalë; Komiteti “Bashkimi Muhamedan” me qendrë në Wien s’len gur pa lëvizun; ka shkue deri sa me invokue ndërhyrjen e huaj në punët t’ona të brendshme; por i huaji nuk ndërhyn se ka dignitet nacional dhe rispekton edhe dignitetin t’onë, të cilin Komiteti Bashkimi Muhamedan po e mer në për kambë për faqe të zezë të tij e për dëm kombtar. Për të Krishtenët Shqiptarë, jan dy diktatura: nji brenda në Shqipni e nji përjashta.

Kto, pra, jan faktet qi provojn qartaz pabesin e dytë të Muslimanvet kundër të Krishtenvet; në mos jan mjaft, kemi dhe t’jera; kjo ësht sjellja e tyne në të 16 vjett e indipendencës; dhe kan sy e faqe me pretendue të mos flitet mbi këso sendesh se prishet vllaznia (sod jemi vllazën!), vjen përçamja (se jemi të bashkuëm!); ay qi përmend kso sendesh ësht trathtuër e intrigant, thonë, mirë, po ju si patriotë pse i lini shteg trathtorit e intrigantit t’i dëgjohet intriga?, ky mentalitet ka mbretnue qyshnë fillim e mbretnon dhe sod, ndonse gjith e shohim qi, tue fsheh plagët, po shkatrohet trupi i tan; mentalitet sa i dëmshim aqë dhe qelbash; kishte me ken shërbim i madh për kombin e triumf për të vërtetën me e godit në rënjë ktë mentalitet, kto ilei-sheri, kto gënjeshtra konvencionale të patriotismit t’on. Kemi konviksion, të patundun se vetëm e vërteta shërben; ndonse në fillim e thartë, ësht në fund e amblë; të ulen maskat, ipokrizia posht; 16 vjet politikë jan mjaft për experimente; kush s’ka mundun me marr vesh në kaq kohë, s’ka për të marrë kurrë; vashdimi i experimentevet kishte me ken krim kombtar; ësht koha me nxjer konklusione e me formue prej tyne parime ku m’u bazue për paskëtaj; për këtë tjetër herë do të flasim.

20.01.1929

K. Tasi

Poste-Restante

Athenes (Grecce)

 

Ahmet Zogu dhe gratë

Zogu, njeriu i dorës së hekurt

Në vitet njëzet një bandit i njohur për bëmat e tij i quajtur Man Pica i cili komandonte një vijë mbrojtëse malore të rëndësishme, erdhi dhe i spjegoi kryeministrit në Tiranë në prani të Zogut, arsyet që e bënin të kotë çdo lloj rezistence të mëtejshme. Zogu e përgëzoi për mprehtësinë ushtarake dhe e ftoi të vazhdonte bisedimet në zyrën e vet.

Pica i entuziazmuar, shkoi në zyrën e ministrit të brendshëm, pa dyshuar se mund të pësonte as gjë të keqe, ku për çudinë e tij u gjend përballë dy tyta revolesh dhe aty për aty u vendos në gjendje arresti, dhe me një gjyq ushtarak të improvizuar rrufeshëm brenda gjysëm ore u dënua me vdekje dhe vetëm një orë pas gjyqit afishet e vëna në Tiranë e ftonin popullin të asistonte në ekzekutimin e tij. Kjo ngjarje ua kalli tmerrin njerëzve dhe e bëri Zogollin të njohur si njeri i forcës së hekurt, duke kontribuar në përhapjen e famës së tij të frikshme, që dëshironte ta demonstronte në çdo hap. Në pranverë të vitit 1922 pas përzënies me forcë të qeverisë së Ypit nga forcat kryengritëse të Bajram Currit, Elez Isufit e Zija Dibrës, Zogu do të ishte eleminuar përfundimisht, sikur të mos ndërhynte ministri fuqiplotë Britanik në Tiranë, i cili e bindi Elez Isufin të tërhiqej nga Tirana, që zotërohej pothuaj plotësisht prej forcave rebele, Zogu ishte i vetmi person që qëndroi në mbrojtje të Tiranës nga gjith kabineti i Ypit, ndërsa pas tërheqjes së Isufit përfitoi të kalonte në hakmarrje të përgjakshme ku në mënyrë të menjëhershme u ekzekutuan 32 rebelë si pjesëmarrës në kryengritjen anti-qeveritare.

Terrori zogist kundër kryengritjes së Dukagjinit të vitit 1926

Kjo kryengritje megjithëse shpërthei përpara kohës që ishte parashikuar, jo e mirë organizuar nga Dom Loro Caka e Ndokë Gjeloshi, megjithëse u tradhëtua nga një pjesë e Pukës dhe e Malësisë së Madhe, që kishin premtuar fillimin njëkohësisht të veprimeve luftarake, kjo kryengritje e zuri shumë të papërgatitur e në befasi regjimin e Zogut, aq sa me pak ndihmë nga Malësia e Madhe, që nuk luajti fare vendit, e Puka sikur të mos ishte përçarë nga nxitja e fanatizmit fetar, kryengritësit do ta kishin marrë Shkodrën pa probleme, gjë që do ta vinte plotësisht në pikëpytje qeverinë e Tiranës.

Pa u ndalur se si u zhvillua dhe se si u shtyp kryengritja, dua të theksoj bilancin tepër të përgjakshëm të kësaj lëvizje që thirret ndrysh edhe Lëvizja e Dukagjinit e 1926, fill pas së cilës u arrestuan rreth 700 vetë. Më 21 janar 1927, prokuroria e Shkodrës i dërgoi ministrisë listën e të dënuarve dhe të gjykuarve në gjyqin politik. Sipas kësaj liste ishin gjykuar 306 vetë ndër të cilët 222 kishin marrë dënime të ndryshme (me vdekje ose burgim) dhe 86 të tjerë pafajsinë! Gjyqi politik vazhdoi punën e tij, deri në marsin e 27-ës u gjykuan edhe 50 vetë të tjerë, gjyqi dënoi me vdekje gjithsej 30 vetë, ndër të cilët 15 në mungesë, të dënuarit u ekzekutuan më kryesisht të gjithë me litar.

Raprezaljet pas shtypjes së Kryengritjes së Fierit të vitit 1935

Kjo kryengritje ndodhi në mes të muajit gusht dhe udhëhiqej nga Kosta Çekrezi, i vënë në krye të një sërë oficerësh të pakënaqur anti-zogistë. Edhe kjo ngjarje e zuri në befasi Zogun, ndaj edhe goditja qe një reagim shumë i ashpër, përcaktuar prej faktit, se sikur të mos kishte ndodhur vrasja e gjeneralit Ghelardit, sipas Fischerit kjo çështje do të kishte qenë një çështje mjaft qesharake (Durozz, 19 gusht 1935).

Pas kryengritjes, në Fier u krijua gjykata e posaçme ushtarake, më famëkeqja që shënoi njëkohësisht episodin më të shëmtuar të drejtësisë së periudhës zogiste. U organizuan gjithsej pesë proçese gjatë të cilave duhej të gjykoheshin 530 persona, të cilët u sollën përpara gjyqit. Brenda pak orësh u dënuan me vdekje 17 xhandarë, të cilët u ekzekutuan menjëherë. Gjykimet tjera kishin të bënin me element të popullsisë civile, që kishin marrë pjesë në aksionin e armatosur dhe rezultoi në 42 dënime të tjera me vdekje dhe 160 dënime me burgim të përjetshëm mes të cilëve veçojmë emrin e Nuredin bej Vlorës. Kjo ngjarje qe produkt i pakënaqësisë së përgjithshme ndaj qeverisë e veçanërisht ndaj individëve të urryer si Musa Juka, Xhemal Arjaniti dhe Abdurrahim Klosi, që përbënin trion më të pa skrupullt e shëmbëlltyrën më diskedituese të atij regjimi.

Zogu, me shtypjen e kryengritjes së Fierit, kishte kundërvepruar duke tejkaluar çdo limit kundërveprimi.

Kryengritja e Et’hem Totos

Nuk meriton të quhet kryengritje ngjarja e 15 majit të 1937-ës, ku në Dhërmi shpërtheu një revoltë pakënaqësie e ish-ministrit të brendshëm zogist në qeverinë e Medi bej Frashërit, Et’hem Toto. Ish-ministri marshoi drejt Gjirokastrës dhe liroi 300 të burgosur që ndodheshin në burgun e këtij qyteti. Pas dy ditësh që ngjau incidenti, për gjatë rrugës së Tepelenës, kryengritësit, në vendin e quajtur Qafa e Procit u asgjësuan totalisht, por në të vërtetë kurrë nuk u mësua sa qe numri i atyre që u asgjësuan ashtu si nuk u mësua dhe nuk dihet qartë e vërteta e eleminimit të Et’hem Totos, pavarësisht se u interpretua sikur ai vrau veten gjatë rrethimit, kur nuk kishte shpresë shpëtimi. Gjykata ushtarake dënoi me vdekje 4 vetë, ndërsa me nga 101 vjet u dënuan 148 të tjerë. Edhe këtë revoltë qeveria e trajtoi si të kurdisur nga të huajt, duke e përshkruar si implikim të anglezëve, francezëve, grekëve apo dhe të italianëve.

Inskenimi i komploteve imagjinare

Si mjeshtër i intrigave politike, Zogu dhe përkrahësit e tij gjakatarë arritën të zbulojnë dsia të ashtuquajtura komplote të sajuara që i përdori si mjet diktati larje hesapesh dhe për të qeverisur me grusht të hekurt.

Në vitin 1928, një toger shqiptar dhe dy bullgarë u arrestuan për komplot për vrasjen e presidentit në Durrës, po në të njëjtën kohë u arrestuan edhe 6-7 persona nga Korça, për të njëjtin motiv. Sipas planit të zbuluar, gjoja parashikohej vendosja e dy bombave në qoshe të lulishtes të cilat do të shpërthenin me rrymë elektrike në çastin kur automobili i Zogut do të shkonte drejt detit ose drejt vilës. Gjykimi i të pandehurve u krye keqas dhe pa prova bindëse fajsie, aq sa edhe ministrat e kabinetit, përveç ministrit të brendshëm Kiço Kota, ishin të mendimit se komplotistët nuk duhej të vareshin, por ata u ekzekutuan në litar, në trekëmbëshin e ngritur përballë parlamentit, njëri nga të dënuarit, gjigand nga trupi (bullgari Geargief), kur u vu në litar, shembi trekëmbëshin nga pesha e rëndë, prandaj xhandarët u detyruan ta ngrinin përsëri në këmbë dhe vetëm pas tre çerekë ore pas vdekjes së të dënuarit të parë, u ekzekutua edhe i dyti.

Qesharak fare ishte edhe i ashtuquajturi gjyq që u sajua për komplotistët e Korçës. Nën akuzën se kishin marrë letra imigrantësh shqiptarë ku viheshin në dijeni se këta persona, të nxitur nga Mustafa Kruja, do të asgjësonin presidentin, kur të vinte për pushime në Korçë ose pranë Liqenit të Ohrit, jo shumë larg kufirit me Jugosllavinë.

Hetimet diftuan të kundërtën, megjithatë gjykata politike dënoi në mungesë me vdekje 8 refugjatë shqiptarë që ndodheshin në Vjenë.

Zogu, ngado që hidhte hapin, në çdo qosh shihte komplote, nga kjo miopi e presidentit përfituan burokratët servilë, imoral e hakmarrës, që nuk nguronin të denonconin rivalët tek Zogu, vetëm me qëllim që të lanin hesapet me ta. Një komplot tërësisht i sajuar ishte edhe ai i Kavajës.

Dhjetë persona nga Kavaja u akuzuan se paskëshin shkuar në xhami gjoja për t’u lutur dhe aty kishin biseduar rreth komplotit që do i bënin Zogut, kur ai do të vinte për pushime në Durrës. Por të akuzuarit mundën të provonin se akuzuesit ishin besnikë të presidentit. Në këto kushte drejtësia kërkoi që dëshmitarët e rremë të merrnin dënim që do kishin marrë vetë të pandehurit në rast se këta do të rezultonin fajtorë. Pas dështimit të këtij skenari të pasuksesshëm, për të vënë në vend dinjitetin, dy prej akuzuesve që ishin nxitur për të sajuar këtë komplot, u dënuan me varje.

Avancimi i Zogut në pushtet u mbush me vrasje e terror, të cilat shumica ishin të karakterit politik, pa përjashtuar edhe hakmarrjet personale. Vetëm deri në vitin 1928, Zogu kishte shkaktuar rreth 600 vrasje ndaj kundërshtarëve të çdo lloji, duke i dhënë atij fytyrën e vërtetë të një tirani gjakatar po aq origjinal sa baca Enver, në mos më tepër në shuëm aspekte të veçanta. Zogu, dyshues ndaj kujtdo, i quante kundërshtarët e vet herë të nxitur nga italianët, kur ishte mirë me jugosllavët, dhe herë të nxitur nga jugosllavët, kur ishte në muaj mjalti me italianët.

Zogu deshi të eleminonte Shefqet Verlacin

Presidenti kishte kohë që donte të gjente rastin të tërhiqej nga një martesë që e parashikonin të gjithë mes tij dhe vajzës së Shefqet Verlacit, pasi kishte kohë që ishte shpallë fejesa dhe për më tepër të rinjtë ishin mpleksur thellë në aventura erotike. Për prishjen e kësaj fejese, Zogu u nxitua edhe nga miku dhe kunati i tij Ceno bej Kryeziu, pasi një martesë e tillë, po të realizohej, do të rriste ndikimin italian në Shqipëri, pasi Verlaci ishte filo-italian, siç ishte Kryeziu filo-jugosllav. Kemi sqaruar se Ceno Kryeziun e eleminoi vetë Zogolli, duke nxitë një vrasës nga Elbasani, krahinë ku Shefqet Verlaci konsiderohej si mbret i pa kurorëzuar.

Duke qenë se prishja e fejesës përfundonte me hakmarrje sipas së drejtës zakonore, që kishte pushtet të pakufizuar në atë kohë, Zogu vendosi të godiste i pari, duke vrarë me një gur dy zogj, duke zgjedhë dhe problemin e martesës dhe të “shpagohej për vrasjen e Ceno Kryeziut”, që e kishte vrarë vetë.

Atentati për eleminimin e Verlacit nuk pati sukses dhe menjëherë pas hapjes së lajmit se Verlaci kishte shpëtuar për mrekulli nga atentati, Zogun dhe familjen e tij i zuri paniku, mes të cilëve vetë Xhemal Dinja u largua nga Shqipëria në drejtim të pa ditur, ndërsa Zogu i frikësuar prej kësaj disfate, filloi goditjen për heqjen qafe të gjithë kundërshtarëve.

Ahmet Zogu dhe gratë

Zogu zotëronte te cilësitë kyçe për të qenë objekt adhurimi i seksit tjetër gjindore, ai zotëronte një pamje sa të hijshme aq edhe madhështore, zotëronte paranë e pa farë dhe pushtetin e pa kufi, tri gjëra më të pëlqyera për të fituar statusin mbi çdo femër. Zogu u martua në një moshë relativisht të lartë, kur ishte 42 vjeç, kjo gjë u zvarrit kaq shumë nga dëshirat e mbretit për të gjetë personin e duhur në pikpamje të ndjenjës dhe pozitës shoqërore, por një nga shkaqet kryesore ishte natyra bredharake e syri lakmitar i mbretit. Zogu, që në vitet e hershme në kontrast me jetën tradicionale të shqiptarëve, në atë periudhë e mbizotëruar me element patriarkal, shumë statik ndaj dokeve zakonore me norma të rrepta në fushën e moralit, ndërsa mbreti ishte një mashkull mondan në mardhëniet e tij me gratë aq sa po të diheshin publikisht, opinioni i kohës do ta quante imoralitet dhe mbreti do të diskreditohej rëndë publikisht. Megjithatë, ndonëse mbreti tregohej i matur në veprimet e tij intime, por si figurë publike, mbret i ri me dhunti dhe i pashëm, nuk shpëtoi dot pa u bërë objekt i sensacioneve të shtypit të kohës në Evropë “Daily Express” e datës 28 gusht 1934 fliste hapur për mardhëniet e mbretit me një kërcimtare të re austriake të quajtur Franciska Janko, të cilën mbreti e kishte njohur në Beograd apo Vjenë, qysh në vitin 1924. Gazeta citonte se kërcimtarja kishte këmbë të përkryera, trup të hollë, flokë gështenjë të çelët dhe sy çapkëne. Ndërsa gazeta vjenese “Studente” shkruante se austriakja e re ishte veçse vajza e një kopshtari plak që kishte marrë titullin baroneshë në mënyrë mjaft të çuditshme nga sovrani shqiptar.

Zogu shkonte vazhdimisht dhe takohej me të dhe i blente dhurata të shtrenjta dhe e merrte së bashku me të motrën ngado që shkonte. Zogu, shumë i ndjeshëm dhe i dashuruar marrëzisht pas austriakes i krijoi asaj mundësinë të vinte në Tiranë. Zonjusha Janko pranoi duke marrë me vete edhe të motrën, si kujdestare, ndërsa mbreti e strehoi në një shtëpi ngjitur me pallatin e tij, duke shpenzuar pas saj mijëra napolona në kontrast shumë të thellë me jetën mjerane të popullit të tij që gremisej nga zgjebja e malarja masive. Zogu ishte përpjekur shumë ta mbante të fshehtë praninë e saj sa më gjatë qoftë për arsye opinioni, qoftë për të mos e marrë vesh e ëma, e cila ishte tepër konservatore dhe shumë e rreptë, sa po ta merrte vesh do ta flakte automatikisht përjashta këtë dashnore të pafat, së cilës i biri i dha titullin baroneshë, dhe nuk kishte të drejtë të dilte nga shtëpia vetëm një herë në vit, me rastin e pushimeve të verës në bregdet të mbretit, ose në vende të panjohura jashtë Shqipërisë. Në udhëtimin e Zogut në vitin 1931 në Vjenë së dashurës iu lejua të takohej hapur me jaranin, gjë për të cilën Zogu u pendua shumë pasi u bë objekt i zhurmës së shtypit gjatë gjithë kohës që qëndroi në Vjenë. Marrdhëniet e Zogut me Françeskën duke se vazhduan deri në fund të vitit 1934, ku doli se baronesha Janko nuk qe aspak me fat nga kjo dashuri, shtypi i huaj e trajtonte se lupseku shqiptar u dërgua në Vjenë së cilës mbreti u mjaftua t’i blinte një pallat që kushtonte 26 mijë stërlina (“Daily Express”, 28 gusht 1934).

Akoma më herët për Zogun thuhej se kishte rënë në dashuri me të bijën e një bajraktari tjetër shqiptar, rival i Zogollit, vajza u vra nga i ati, kur mësoi historinë e dashurisë me Zogollin, të cilin e konsideronte aventurier të pashpirt e të pacipë. Vrasja e vajzës ndodhi kur zogu dërgoi njerëz për ta grabitur, nga zemërimi për humbjen e së dashurës së parë Zogu u betua se nuk do të martohej më kurrë. Shprehja i vdekuri me të vdekurit dhe i gjalli me të gjallët e qortoi dhe solli në vete Zogun që të vazhdonte fushatën bredharake pas fustaneve, që pas etjes për pushtet ishte pasioni i dytë i jetës për të. Në qershor të vitit 1934 Zogu rezultoi të ishte përzier në një histori të çuditshme dashurie. Një baroneshë, Dorothes De Ropp, e cila kishte varë veten në fund të majit ‘34. Baronesha e martuar me një oficer rus në Riga ishte larguar nga Rusia pas revolucionit dhe në vitin 1920 ishte divorcuar nga i shoqi dhe në vitet ‘30 për misione agjenturore u çfaq në Tiranë, ku u bë njëkohësisht e dashura e Zogut dhe e Qemal Masur Beut, ky i fundit në atë kohë përgjegjës i ceremonialit të oborrit mbretëror, i transferuar më pastaj si ministër fuqiplotë në Greqi. Kjo grua misterioze e vënë në shërbim të spiunazhit italian e më vonë atij jugosllav, në vitin 1933 largohet nga Shqipëria dhe në Athinë rekrutohet nga komunistët për llogari të shërbimeve sovjetike, por u shkëput për të hyrë në lidhje përsëri me shërbimet italiane e jugosllave, me mbërritjen e Masar Beut në Athinë sipas Fic e sherit ajo i rrëfeu gjithçka dinte rreth shërbimeve të fshehta italo-jugosllave. Kjo veprimtari e futi në gjendje të vështirë, gjë që çoi në vetvrasje. Ajo kishte lënë një letër të shkruar se një nga këto shërbime e kishte kërcënuar se do ta vinte në dijeni për aktivitetin e saj në të kaluarën kundër Shqipërisë, Masar Beu e kishte braktisur dhe lënë në mjerim, për rjedhojë ajo kishte vendosur të vriste veten.

Të ndjerës iu gjetën në dhomën e saj edhe disa fotografi të dhëna dhuratë nga Zogu me shkrimin e dorës së tij.

Prelë Milani

 

Strukturat e shtetit ndjekin dhe persekutojnë demokratët e malësisë

Bijtë e ish komunistëve, të rikthyer dhunshëm në pushtet pas revolucionit të armatosur bolshevik në 97-ën, vazhdojnë të ndjekin e persekutojnë në mënyrë sistematike demokratët e malësisë dhe gjithë ata që mendojnë e veprojnë ndryshe. Kështu ka ndodhur me dhjetra anëtarë e simpatizantë të partisë demokratike e forcave të djathta në trevën e Malësisë në këto 12 vite tranzicioni. Të vrarë, të torturuar e të detyruar të braktisin vendlindjen – ky ka qenë bilanci i politikës diskriminuese të komunistëve të rinj, veçanërisht këto 6-7 vitet e fundit të qeverisjes së tyre. Kështu ka ndodhur edhe me demokratin nga Bajza e Kastratit, Arben Dodë Haxhaj, i datëlindjes 19 shtator 1975. I lindur dhe i rritur në një familje patriote, kundërshtare e regjimit të Enver Hoxhës, Arbeni dhe gjithë pjestarët e familjes, qysh në vitet e para të ndryshimeve demokratike u rreshtuan në anën e këtyre forcave progresiste demokratike në zgjedhjet lokale dhe të përgjithshme. I inkuadruar në radhët e partisë demokratike dhe si aktivist me rininë e fshatit, Arbeni në vitet 99-2000 vihet në shënjestër të strukturave të specializuara policore të shtetit që nisën të ushtrojnë lloj-lloj presionesh për ta ndaluar në aktivitetin e tij politik. Kështu, pa kurrfarë preteksti ose shkaku, më 20 shtator 2002 dy furgonë policie të komisariatit të Koplikut i rrethojnë shtëpinë dhe bëjnë kontroll për armë dhe bimë narkotike. Edhe pse nuk ka protestuar, veçse ka kërkuar sqarime për veprimet e dhunshme policore, Arbeni është fyer e goditur nga dy policë civilë që thuhej se u përkitnin forcave të specializuara në luftën kundër krimit, të ardhur nga Drejtoria e Policisë së Shkodrës. Duke mos u mjaftuar me kaq, gjoja për ta kontrolluar për bimë narkotike, lëshojnë qenin e policisë, i cili e kafshon egërsisht në këmbën e majtë mes gjurit e shputës duke e lënë pa ndjenja. Është detyruar të mjekohet për disa ditë në ambulancën e fshatit, por shenjat e kafshimit të dhunshëm janë edhe sot në këmbën e Arbenit, ndaj të cilit u shpeshtuan provokimet, letrat denigruese dhe telefonatat anonime me kërcënime deri me eleminim fizik të tij dhe pjestarëve të tjerë të familjes, veçanërisht babës Dodë Nikoll Haxhaj, nënës Luçe e vëllait Leon.
I gjendur në kushtet e presionit të shtuar psikologjik, veçanërisht në ditët pas kontrollit të shtëpisë dhe kërcënimeve që dukshëm e shtuan pasigurinë e tij për jetën, Arbeni gjen rrugën për t’u larguar përgjithmonë nga Shqipëria, duke u instaluar në një shtet demokratik perëndimor, pikërisht atje ku jeta, të drejtat e liritë e personit mbrohen e garantohen me ligj. Ndërkohë edhe sot njerëz të SHISH-it, policisë e strukturave të tjera të inkriminuara të shtetit vazhdojnë të bëjnë telefonata me kërcënime kundër Arbenit e pjestarëve të tjerë të familjes që ndodhen në Shqipëri, ndoshta me motivin për t’i larguar edhe këta nga Shqipëria, pasi njihen si kundërshtarë të ashpër të qeveritarëve aktualë në pushtet. Përveç eleminimit, burgosjeve e torturave çnjerëzore, kjo është njëra nga metodat e bijve të ish-komunistëve për eleminimin e kundërshtarëve dhe përjetësuar pushtetin e tyre kriminal në Shqipëri. Arbeni dhe dhjetra të tjerë nga Malësia, ndoshta kurrë më nuk do të mund të kthehen pranë familjeve të tyre, pasi jeta e tyre në Shqipëri është gjithmonë e kërcënuar nga metastazat e krimit të organizuar dhe mafias që sot bëjnë ligjin në Shqipërinë e shekullit të ri.Familja e tij dhe vetë Arbeni kanë patur shumë trysni, telefonata kërcënuese, duke e detyruar të braktisë atdheun, thjeshtë për të siguruar jetën.

Rifat Ymeri

600 miljon lekë janë investuar për rregullimin e rrugës “Alqi Kondi”

Fondet kanë ardhur vetëm nga qeveria Meta, kurse Majko dhe Nano, kanë investuar 0 fonde për Shkodrën.

Intervistë me Kryetarin e Bashkisë Shkodër, z. Ormir Rusi

Është bërë tashmë, traditë “civilizimi” që në zyrat e institucioneve shtetërore të shohim një komoditet luksoz, të përmasave që i kalon standartet maksimalisht të modernizuara, për një vend të vogël e fukara siç është Shqipëria, që gjithnjë mbeti si një nënë e pambrojtur nga bijtë e saj. Dhe gjithnjë me “kujdestarë” që ulen nëpër këmbë të botës duke “lypur”. Megjithatë pa dashur të gjykojmë antitezën e komoditeteve, personalitet i institucioneve shqiptare duan të tregojnë se populli ynë ka kulturën e së bukurës, për ta shijuar atë. (paçakse kjo bukuri fillon nga “maja” dhe janë ngjitur nëpër shkallë kartoni).

Për t’u ngjitur në standarte bashkëkohore, duhen rregulluar, ndërtuar, disiplinuar të gjitha gjërat e domosdoshme, qysh nga elementët fillestare, siç është rruga nëpër të cilën do hedhim hapin, dhe të vendosësh shtyllat e lidhjes jetësore. Megjithatë të kënaqet syri kur hyn nëpër zyrat e ministrave, ku të ndenjurat pushojnë rehat në kolltuqet luksoze, me kondicioner mahnitesh nga mrekullirat, dhe të duket vetja se ke hyrë në parajsën e prallave. Sigurisht, elektrizohen të gjitha qelizat, dhe ndjehesh vërtet njeri. Paçkase përjeton vetëm pak çaste kënaqësie, ose më mirë të thënë ndryshe vetkënaqësi e gënjeshtërt, sepse ato komoditete i përkasin vetëm zyrtarëve të “elitës”, sepse realiteti jetësor i qytetarëve është ndryshe nga fasadat, të atyre që bëjnë mrekullira në kurriz të shqiptarëve kurrizdalë. Këtu ka vend për “thonjtë” e penës Migjeniane “Bukuria që vret”. Dhe ky është raporti i proporcionalit Zyrtarë shtetëror – Komunitet, ose më troç; Padron – skllavëri. Të largohemi nga “Majat” dhe të shijojmë rrugët e arnuara për të hyrë në Shkodër. Qytetin më të madh verior, qytetin e hershëm të vlerave të qytetërimit me kulturë të lashtë, që posedon potenciale të larta kulturore e artistike, i njohur në të gjithë botën, që padyshim për kombin shqiptar është një relike muzeale e antikitetit të kulturës shqiptare. Dhe për të respektuar këto vlera të padiskutueshme që ka patur Shkodra, nuk do ta ndalja vëmendjen këtu, sepse Fasada në “Majë” e përdhos këtë origjinalitet, duke mos i majtuar dhe vlerësuar këto vlera të kombit shqiptar, pasi për Shkodrën asnjëherë nuk është luajtur as gishti i vogël nga politika të ndryshme. E kanë madhëruar, kur e kanë pasë nevojë për shpirtin e madh e sakrifikues të shkodranëve, kur duan ndonjë vend në Parlament. E them këtë me guxim qytetar e gazetaresk, pasi çdo i huaj që hyn për herë të parë në Shkodër, do të shtrembëronte shikimin, nga pamja e shëmtuar e hyrjes së qytetit, qysh në Pazar (në lagjen Liria). Të duket se po hyn në mbeturinat mesjetare. Dhe ky portret, a nuk është një paradoks i Fasadave të zyrave të pushtetarëve shqiptar???

Megjithëse në Shkodër jetojnë 100 e ca mijë banorë, duket se është jashtë orbitës së qendrës. Shkodra jeton në një varfëri të skajshme, pa mbështetjen e fuqishme të investimeve të shtetit, pa mbështetjen e biznesmenëve shkodran, pasi shumica e tyre janë larguar nga Shkodra, për mos sigurinë e jetës së tyre. Dhe kështu Shkodrës iu ngushtuan arteriet e gjallërimit për ndryshim. Megjithatë mentaliteti i qytetarisë shkodrane, është se Shkodrën duhet ta ruajnë, ta “trukojnë” sipas parametrave të civilizimit, vetë shkodranët. Por si në të gjitha zyrat e institucioneve, edhe në Shkodër, ndryshimi fillon nga ndërtesa e Bashkisë, rregullimi, zgjerimi dhe veshja me komoditete, si simotrat në Tiranë, apo edhe gjetkë. Megjithëse Shkodra, (po e ritheksoj) se është ndër qytetet më të varfër në Shqipëri.

Megjithatë duhet edhe ta pranojmë këtë antipod, për të treguar, se edhe Shkodra zyrtarisht po shkon drejt civilizimit modern. Kështu mendon dhe Kryetari i Bashkisë, z. Ormir Rusi, që u tregua i gatshëm për të dhënë këtë intervistë në gazetën “Shqipëria Etnike” i cili pasqyron me optimizëm projektet për infrastrukturën e Shkodrës. Z. O. Rusi, shpesh herë e kemi “lakuar” për dobësitë dhe pamundësitë në realizimin e detyrave të tij si kryetar bashkie. Por medalja ka dy faqe, dhe ne po paraqesim faqen e shpresës, ku z. Ormir Rusi pasqyron me kulturë e përgjegjësi vizionet e tij për komunitetin që derjton. “Shqipëria Etnike”: -“Çfarë projektesh keni gjetur në Bashki nga paraardhësi juaj z. Bahri Boriçi”?

Ormir Rusi: -S’kam gjetur asnjë projekt, përveçse detyrat e projektimit. Edhe bashkia sapo ishte ristrukturuar. E gjeta në gjendjen zero.

“Shqipëria Etnike”: -Kështu thanë edhe socialistët, kur morën pushtetin pas 1997, “E morëm pushtetin pa zyra, pa ushtri, pa polici etj., etj.” Edhe për ju e njëjta gjendje ishte?

Ormir Rusi: -E them me kopetencë këtë, pasi nuk kam gjetur asnjë projekt të detajuar për Shkodrën, ditën që mora çelësat e zyrës. Puna e parë rregullova dhe sistemova bashkinë me personelin e saj. Kam filluar punimet për një shtesë të bashkisë, për t’i krijuar një mundësi komunikimi dhe bashkëpunimi qytetarëve me bashkinë. (Dhe paraqet tre blloqe të shkruar). Kurse këto që po shihni janë projektet e bashkisë për infrastrukturën e qytetit që janë të gatëshme për t’u vënë në zbatim praktik, por kushtojnë miljona dollarë, dhe që presin fondet e shtetit dhe të investitorëve.

“Shqipëria Etnike”: -Gjatë dy vjetëve, sa fonde është dhënë nga shteti për bashkinë e Shkodrës, dhe ku janë investuar ato?

Ormir Rusi: -Për një vit janë dhënë 600 miljon (të vjetra) për rrugën “Alqi Kondi” së bashku me kanalizimet e kësaj rruge plus 280 miljon (në këto dy vite të bashkisë), 8.5 miljon për Sheshin e “Rusit”, 3.5 miljon për ndriçimin e rrugës “Dervish Begut”, 4 miljon për ndriçimin e rrugës Konsullatës italiane dhe këto janë vënë në përdorim të plotë, 2 miljon është dhënë nga Ministria e Kulturës (kur ishte ministre znj. Uruçi), për restaurimin e Bibliotekës “Marin Barleti” dhe Fototeka “Marubi”. Për dy vjet këto fonde kanë ardhur vetëm nga qeveria Meta, kurse Majko 2 dhe qeveria Nano janë 0 (zero).

“Shqipëria Etnike”: -Jeni Kryetari i Bashkisë, dhe gjithashtu më i përfoluri në rrethin e Shkodrës (nëpërmjet televizioneve lokale), sidomos tek emisioni i mëngjesit tek TV 1, ku qytetarët ishin shumë të pakënaqur prej jush, dhe shpesh herë ju akuzonin për…

Në të vërtetë, kush është kryetari Ormir Rusi, për prespektivën e Shkodrës?

Ormir Rusi: -Unë punoj për informatizimin e Bashkisë në bashkëpunim me Sorosin, Emilja Romanos edhe Torinon.

Informatizimi do të jetë i standarteve krejtësisht bashkëkohore (është realizuar në gjendjen civile).

E dyta -Senatori Françesko Bosi, ministri italian që më ka nisur letrën që qëndra e studimeve spaciale në Firence, ka realizuar fotografimin satelitor për gjithë Shkodrën, dhe ky është hapi i parë drejt sistemit G.I.S. (gjeografik, informeshë, sistem). Dhe kjo është arritja e parë në Shqipëri, dhe mendoj që kjo do të jetë shumë shpejt në Shkodër. Dhe ky realizim do ta gëzoj kryetari i ardhshëm, pasi mandati im mbaron. Dhe kam frikë se pasardhësi im, nuk do ta kuptojë rëndësinë e G.I.S.

“Shqipëria Etnike”: -Pse nuk do të kandidoni sërish në 2003?

Ormir Rusi: -Kjo është punë partish.

“Shqipëria Etnike”: -Nuk je shumë në sy të mirë nga PD në Shkodër. Si e komentoni këtë fakt?

Ormir Rusi: -Nuk kam qënë në sy të mirë dje, por sot me ndryshimin e politikës të PD Shqiptare me PS çdo gjë ka ndryshuar dhe mendoj se janë normalizuar mardhëniet tona.

“Shqipëria Etnike”: -Si i keni mardhëniet Bashki-Këshil bashkiak? Si i keni koordinuar punët e komunitetit, dhe a keni pasur divegjenca, dhe përse?

Ormir Rusi: -Absolutisht jo. (nuk kam asnjë mosmarrveshje). Asnjëherë nuk është marrë vendim me mekanizmin e votës. Në çdo rast, (pamvarësisht nga të gjitha forcat politike) vendimet i kemi marrë me konsensus.

“Shqipëria Etnike”: -Cilat janë marrëveshjet me vendet e huaja, për të ndihmuar në realizimin e projekteve të Bashkisë? Ose edhe të vendit?

Ormir Rusi: -Kemi mardhënie bashkëpunimi me G.T.Z. Gjermane. Me Torinon, Hungarinë. Janë vu edhe njëherë lidhjet qysh në kohën e Filip Guraziut me Firencen, Emilio Romario etj. I kam çuar në këmbë këto lidhje që kanë qenë të vdekura kaher.

Gjithashtu kam krijuar lidhje me I.O.M. Amerikane.

Do të kisha dasht me fut bashkëpunimin me komunitetin, ku kemi arritur të asfaltojmë rrugë në bashkëpunim me komunitetin, dhe do të vazhdojmë të bashkëpunojmë edhe në fusha të tjera. Bashkëpunimi me komunitetin e Bizensmenëve. Kemi synuar të krijojmë frymën e bashkëpunimit që energjia elektrike në Shkodër të mos mungoj, gjithnji me trinomin; Kesh-Bashki-Biznesmen. Por për mua shumë i rëndësishëm është realizimi i një segmenti të unazës që lidh rrugën Shkodër-Podgoricë. Dhe ky segment ka një kosto prej 2 miljon dollarë, që shpresoj se vitin e ardhshëm do realizohet me dhënien e fondit nga shteti.

“Shqipëria Etnike”: -Shkodra është qyteti më i varfër në Shqipëri. Si mund të zgjidhet kjo situatë?

Ormir Rusi: -Situatën e zgjidh punësimi i qytetarëve.

“Shqipëria Etnike”: -Sa mundësi punësimi ka në Shkodër?

Ormir Rusi: -Sipas zyrës së punës, shifra e të papunëve është 25%. Nuk e di nëse është e saktë. Por Bashkia punon për zhvillimin e politikave për të krijuar klimën e favorshme për biznesin. Dhe për këtë kam realizu me; Banka Arabo-Islamike, Fevad Bank, Tirana Bank (Bankë greke). Gjithashtu ardhja e Konsullatës Italiane, dhe së shpejti me Konsullatën Turke.

“Shqipëria Etnike”: -Shkodra, ish qyteti i karajfilave, sot aromën e karafilave e kanë zëvendësuar plehrat që hidhen vend e pavend, pluhuri i rrugëve, ndërtimet e shëmtuara, që i kanë paralizuar mushkëritë gjelbërimit të qytetit. Si do ta komentonit këtë gjendje?

Ormir Rusi: -Ju keni të drejtë, por për plehrat dhe dherat, duhet respektuar mardhëniet qytetare; Bashki-qytetar.

Kurse për ndërtimet pa leje, do të prishen të gjitha ndërtimet pa leje në trotuaret e rrugëve kryesore të Shkodrës, në sheshe që i kanë zanë frymën gjelbërimit. Janë prishë 4 herë në Shkodër, dhe do vazhdojmë t’i prishim, të gjitha ato ndërtime, që i prishin portretin e Shkodrës, dhe dëmtojnë komunitetin.

“Shqipëria Etnike”: -Faleminderit z. Ormir. Shpresojmë që premtimet tuaja të bëhen realitet. Kemi 11 vjet që dëgjojmë e besojmë premtime. Pse mos tu besojmë edhe juve?

Përgatiti dhe intervistoi

Fatime Kulli

 

Masakra e Tivarit, 5000 shqiptarë të vrarë dhe dekorimi i kriminelëve nga Enver Hoxha e Titoja

Tashmë për njerëzit normalë nuk asnjë pikë dyshimi se historia e komunizmit në Shqipëri është më e zeza e të gjitha historive që njohin regjimet e këtij lloji që i përkisnin shekullit 20-të, por edhe regjimeve më të zeza që kaloi mesjeta e hershme dhe ajo e vonshme. Madje po të bëhet një krahasim figurativ për të vlerësuar ngjyrën e zezë të regjimeve kriminale të gjitha kohërave, ngjyra e zezë e komunizmit shqiptar do të ishte padyshim më e errëta e të errëtave, aq sa vetë historia e hershme dhe e vonë do ta kishte të pamundur për t’i gjetur shoqe shoqëruese në “udhët e konkurimit” për Zi…

Dhe janë pikërisht udhët kriminale të vetmet alternativa që solli regjimi unë komunist, që tani në kujtesën e njerzve njihet si regjimi i Partisë së Punës e udhëheqësit të saj absolut Enver Hoxha, bëmat e të cilit edhe sot po të kujtohen nga shumica e shqiptarëve bëjnë të dridhen siç thuhet edhe fëmijën në bark të nënës. Por një ndër krimet më monstruoze, ose supermedalja e medaljeve të zeza që ende valëvitet si krim pa ndëshkim në “gjoksin” e ligështuar, por jo shkatërruar të komunizmit shqiptar është pa asnjë mëdyshje ajo që në kujtesën e njerzve njihet si Masakra e Tivarit. E kjo masakër e ekzekutuar në vitin 1945 (prill) nga ushtria Serbo-Malazeze, por e bekuar e ndihmuar (që do ta vërtetojmë më poshtë) nga komunistët shqiptarë, të cilët bënë si kurban të parë për dashninë që i kishte marruar e qorruar për Jugosllavinë e Titon, vëllezërit e tyre kosovarë, shpirti i të cilëve ende edhe sot nuk po gjen prehje as në botën qiellore, madje oshtimat e këtyre rreth 5 mijë shpirtrave edhe sot kërkojnë “Shpagim”, si ndaj kriminelëve sllavë dhe atyre që mjerisht njihen si shqiptarë. Ku kriminelët Serbo-Malazezë duhej të përgjigjeshin para gjyqeve ndërkombëtare (edhe pse tashma pjesa më e madhe e tyre nuk jetojnë më), si dhe kriminelët shqiptarë para gjykatave tona dhe atyre ndërkombëtare, pasi siç edhe shohin vazhdimisht kriminel fashist që përgjigjen para gjykatave për krimet e tyre, shpesh herë shumë më të vogla e pa përgjegjësi direkte, sesa autorët e masakrës tmerrshme të Tivarit, që janë konkret e të pa fshehur kurrë.

Mbasi vetë qenia e Partisë Komuniste Shqiptare nuk ishte asgjë tjetër përveçse produkt of Jugoslaviam ajo programin e saj nacional e shoqëror e kishte thjesht një derivat të partisë mëmë Komuniste të Titos, madje në hapat e saj të parë pas vitit 1944, komunistët shqiptarë ende nuk kishin “mësuar” të ecnin vetë, ata vazhdonin të ecateshin nga Partia Komuniste Jugosllave, si fëmija që ecatej nga nëna e vet. E pikërisht në këto momente “dhelpra” e kuqe Serbo-Malazeze filloi të realizojë doktrinën famëkeqe të akademikut serb Vasa Çubrilloviçit, në të cilën në pikën e III-të shkruhet: “Për këtë spastrim (spastrim etnik të Kosovës, shën. N.B.) të shqiptarëve duhet organizuar ushtria nacional-çlirimtare e Jugosllavisë, e cila pa mëshirë duhet ta pastrojë territorin, sidomos duke shfrytëzuar tezat se shqiptarët kënaqen kundër luftës Nac-Çl. në Jugosllavi dhe kanë bashkëpunuar me okupatorët fashistë” (Vasa Çubrilloviç – Manjinski problem u novoj Jugoslaviji, më 03. II. 1944, faq. 1-21).

Në frymën e kësaj “filozofie”, më 21 nëntor 1944 kryesia e AVNOJ-it amnistoi të gjithë kundërshtarët e saj Çetnik, ku përnjëherë ata u shndërruan në Partizanë. Në zbatim të platformës pushtuese e kriminale të Jugosllavisë (më saktë Serbisë) ndaj Kosovës, Shtabi suprem i Jugosllavisë me datën 8 shkurt 1945 me firmën e vetë Titos shpalli gjendjen e jashtëzakonshme dhe administrimin Ushtarak të Kosovës. Në fakt njëkohësisht edhe në Shqipërinë Veriore (Janar 1945) me urdhër të E. Hoxhës korporata dhe divizione të NÇL kishin bërë shtetrrethimin, gjithashtu sipas dokumentave që gjenden edhe sot në arkivin e shtetit shqiptar, me urdhër të Titos, E. Hoxha dërgoi për të luftuar përtej kufijve të Shqipërisë (londineze) Divizionet e V dhe VI, ku bënin pjesë Brigada e III, V dhe XXV Sulmuese të cilat kaluan në drejtim të Mitrovicës e të Sanxhakut, si dhe Brigadat e VI, VII, VIII dhe XXII Sulmuese në drejtim të Podgoricës e të Danilovgradit, duke bërë kështu edhe kapërcimin e kufijve Etnik të Shqipërisë. Në krye të këtyre forcave “shkëlqenin” dje dhe sot shumë komunistë shqiptarë protagonistë të mëvonshëm, por dy e kanë ruajtur plotësisht “shkëlqimin” e ata janë Ramiz Alia dhe Shefqet Peçi. Për të vërtetuar më mirë misionin kriminal të këtyre forcave me emrin paradoksal (me veprimet që kryenin në fakt) UNÇL po riprodhojmë njëurdhër të E. Hoxhës që jua dërgonte komandave të Ushtrisë NÇL i cili gjëndet në Arkivin Qendror të Ushtrisë; dosja 45, janar 1945, ku ndër të tjera shkruhet: “Të asgjësohen pa mëshirë nacionalistët dhe reaksionarët shqiptarë, brenda dhe jashtë kufijve (të Shqipërisë të 1913 N.B), pa treguar as më të voglën tolerancë…” E pas këtij dokumenti autentik del qartë qëllimi i Ushtrisë NÇL që E. Hoxha dërgoi në viset Jugosllave në ndihjmë të vëllezërve sllavë, pra për të vrarë, prerë e shkatërruar gjithë nacionalizmin shqiptar që mbante gjallë shqiptarët e trevave Etnike që ishin gllabëruar padrejtësisht nga Sllavët e jugut… Por gjithsesi edhe pas këtyre vendimeve e koordinimeve në mes Titos e Hoxhës ishte e vështirë që të kolonizonin këto treva safi shqiptare, e veçanërisht trevën martire të Kosovës, ku padyshim ishte djepi i rezistencës antisllave ndër shekuj. Për të arritur qëllimin ogurzi të pushtimit serb të Kosovës në planet sekrete të Jugosllavisë së Titos u përpunua në janar të vitit 1945, programi i zbrazjes së Kosovës ng pjesa më aktive e popullsisë, të cilët gjoja nën një program për nevojat e UNÇ të Jugosllavisë nga Kosova do të rekrutoheshin 70 mijë burra me moshë kryesisht të re e aktive gjoja për të luftuar, ku ky veprim do të kryhej me shpejtësi, pasi gjoja e kërkonte koha, dhe për këtë kishte dijeni udhëheqja komuniste Kosovare dhe e Shqipërisë. Dokumenti sekret ka këtë kodim Av. Alb. Al – 1. 6. 1945. Në vijim të këtij “programi” në mars të vitit 1945 pushteti i dhunshëm Serb-komunist pasi grumbulloi mijëra të rinj kosovarë si rekrutë (ushtarë) bëri një organizim gjoja ushtarak për t’i dërguar në frontin luftarak të Triestes, por për të arritur atje do të ndiqej itinerari i lëvizjes Prizren-Kukës-Pukë-Vau i Dejës-Shkodër-Tivar… Kjo armatë në fakt nuk i përngjante një ushtrie të vërtetë, pasi në mesin e saj ishin grumbulluar edhe fëmijë 12, 14 e 15 vjeçarë, që ishin thuajse zhveshur e zbathur. Për lëvizjen e këtyre trupave u ngarkua të kujdesej OZNA (UD-ja e mëvonshme) si dhe Ministria e Brendshme Shqiptare që në atë kohë ministër kishte Haxhi Lleshin. Por në këtë kohë forcat ushtarake nacionaliste të Kosovës që komandoheshin nga Shaban Polluzha (rreth 5000 forca) u urdhëruan nga shtabi i Titos të largohen nga Kosova në drejtim të Sremit, ku padyshim ishte përgatitur një Tivar i dytë. Por komandanti legjendar nacionalist Shaban Polluzha nuk pranoi duke u shprehu: “Ne nuk nisemi andej nga na thotë dikushi;”E kështu u detyrua të luftojë bashkë me shokët e tij kundër forcave pushtuese Serbe e të E. Hoxhës derisa u vra më 21 shkurt 1945 në betejën masakër të Drenicës. Për të realizuar këtë strategji u mobilizuan një numër i madh shqiptarësh kosovarë që sipas disa dokumenteve shkonte rreth 17 mijë vetë, të cilët u ndanë në dy grupime, njëri nga rrafshi i Dukagjinit, i përqëndruar në Prizren dhe tjetri nga rrafshi i Kosovës i përqëndruar në Suharekë. Kontrollin e marshimit të këtyre forcave shqiptare do ta bënin forcat ushtarake Serbo-Malazeze, ku spikaste armatimi modern i Jugosllavëve, dhe mos armatosja e shqiptarëve që gjoja do të bëhej në Tivar. Forcat ushtarake jugosllave përbëheshin kryesisht nga brigada e 27-të e divizionit të 46 serb ku padyshim është edhe përgjegjësja kryesore e këtij terrorizmi shtetëror.

Organizimi i marshimit u nda në tri kolona të cilat dhe filloi nga Prizreni me 15 mars 1945. Kolona e Parë arriti në Kukës në mes të natës, ku për ta vërtetuar fillimin e tragjedisë së këtyre shqiptarëve (kosovarë) po riprodhojmë rrëfimet e dy të mbijetuarve të cilët janë: Bajram Zuka e Rrustem Ahmeti nga Likoshini të cilët dëshmojnë se rreth orës 01 pas mesnate u dëgjuan disa të shtëna pushkësh, ku pas kësaj u dha urdhëri që asnjë të mos lëvizte nga vendi, urdhër që u transmetua nga njëri tek tjetri. Në mëngjes kolonës ju mblodhën edhe ato pak armë që kishte dhe ju komunikua nga shtabi “Se ata që u pushkatuan natën ishin dezertorë”. Të sëmurët që nuk mundnin të ecnin i pushkatuan (gjoja sipas ligjit të luftës). Pas kësaj, në mëngjes rekrutëve u dhanë për të ngrënë mish Dhie pastërma dhe shumë të kripur. Rrugës për në Pukë filloi etja e tmerrshme, të vjedhat, diarreja dhe temperatura e lartë, ata që tentonin të shuanin etjen, apo të kryenin nevojat e tyre në vendet që ndaheshin nga shokët gjenin vdekjen nga plumbat mbas shpine. Në Pukë kolona arriti në orën 19.00 dhe fjeti në një pyll pishash. Të nesërmen mjaft prej të smurëve u gdhinë të vdekur. Vlen të theksohet se tek Hani i Laçit në Pukë në sy të gjithë kosovarëve të tjerë Serbët ekzekutuan katër shqiptarë vetëm se nuk mundnin të ecnin me hapin e të tjerëve. Në fakt asgjësimi i “ushtarëve” shqiptarë vazhdoi gjatë tërë rrugës, ku pas çdo kthese, lugine të thellë, ngjitje malore, kroni uji apo të ndonjë skute u muar jeta e këtyre vëllezërve kosovarë nga dora kriminale Serbo-komuniste. Dhe pas katër ditëve të marshimit më 19 mars 1945 kolona e parë arriti në Tivar, kur ajo tashma nuk ishte as gjysma… Ndërsa kolona e dytë përveç se hoqi gjithë ato të zeza që hoqi kolona e parë, vlen të theksohen dy momente tragjike që i kushtuan mjaft jetë njerëzish, së pari në Vaun e Dejës humbën jetën 50 shqiptarë, të cilët i rrëmbeu uji i vrullshëm me gjithë varkë, ndërsa së dyti në përleshje me forcat serbe mbi urën e Bunës humbën jetën plot 180 shqiptarë. Kolona e dytë arriti në Tivar me datën 25 mars 1945, ku për fatin tragjik atje do të shkruajm më poshtë. Pas Kolonës së dytë në ditët e para të muajit prill 1945 në Tivar arrin kolona e tretë, e cila gjatë rrugës nuk kishte fat më të mirë se dy kolonat që kaluan nëpër Shkodër e tjerë u gjendën para të papriturave e befasive të pakëndëshme e kriminale që kishte organizuar shteti komunist, duke organizuar grupe të vogla proletarësh (nënkupto horrash) që duke kaluar kosovarët u thirrnin Ballist, Tradhtarë e deri kërkonin ti gjuanin me sende që shteti ju a kishte rekomanduar duke dëshmuar kështu se në Shqipërinë “mëmë” që e quanin kosovarët tashmë sundonin po djajtë e kuq sllav, ndonëse vetëm emrat i dëshmon për shqiptarë. Por pikërisht kriminelët shqiptarë e shkodranë që ndihmuan forcat Serbe në këtë marshim tragjik me anë të komandës tyre të përgjithshme ushtarake në Shkodër njoftonin komandën e përgjithshme në Tiranë “… se grupimi i dytë me mbi 3000 vetë sapo arriti në breg të detit pranë Tivarit u rrethuan nga Forcat Jugosllave. Prej këtij grupi u larguan elementët sllavë, ndërsa mbi shqiptarët u hap zjarr”. E kështu në fakt është vepruar me shqiptarët e tri kolonave të cilët pasi kishin arritur sipas datave të sipërshënuara menjëherë në vende të caktuara në Tivar ishin gjendur nën breshërin e të gjitha llojeve të armëve Serbo-Malazeze, nga katër anët që tashmë ishin të rrethuar dhe vdekja ishte më se e sigurtë. Kolona e tretë pësoi fatin tragjik të dy të parave me datën 02 prill 1945, kur arriti rreth orëve 12.00 dhe 13.00 dhe menjëherë kjo kolonë u rrethua nga brigada e X-të maqedonase dhe u mbulua me zjarr nga pushkatarët Malazez. Duke bërë kështu që vetëm me Masakrën e Tivarit të humbin jetën të paktën 5 mijë shqiptarë të pafajshëm, të cilët ju përgjigjën thirrjes së ushtrisë Jugosllave për t’u mobilizuar për të luftuar kundër bishës fashiste që ende ishte gjallë, madje përgjigja e shqiptarëve për t’u mobilizuar ishte diçka më e lehtë pasi në këtë mobilizim kishin dorë vëllezërit e Shqipërisë (Londineze), që komunizmi i kishte vëllazëruar me armiqt e hershëm sllavë. Gjithsesi sipas dëshmitarëve të pakët që kanë mbijetuar edhe sot po t’i takosh, kur ata fillojnë të tregojnë për këtë masakër të duket se ende ndihet e freskët ushtima e tmerrshme e të gjitha llojeve të armëve që godisnin nga të katër anët vëllezërit tanë shqiptarë të Kosovës, por njëkohësisht edhe ushtimin e shpirtrave të pafajshëm që nuk gjendin vend më në trupat e bërë shoshë e të coptuar nga kriminelët e Titos që Enveri tashmë i kishte bërë xhan e shpirt.

Ja disa dëshmi ende anonime të këtij tmerri: Në qendër të Tivarit ri oficerët serb vranë për terror Syl Gllobarin vetëm se u përpoq që të bisedonte me ta për të pirë ujë. 80 shqiptarë, pasi njëherë i lidhin e pastaj i zgjidhin i pushkatojnë përnjëherësh, në sy të tjerëve, të cilët i urdhëruan për t’i futur në një shesh të rrethuar me tela me gjemba për ti asgjësuar të gjithë si më sipër. Në hyrje të këtij “kampi” me tela me gjemba i prisnin ushtarët kriminelë serb që kënaqeshin me sadizmin e tyre duke i goditur shqiptarët me shufra hekuri në kokë, duke shkaktuar kështu pellgje gjaku. Milazim Haxhiu nga Ternavci u vra kur tentoi ti merret pistoletën një ushtari Malazez, ndërsa të riun shqiptar Ibrahim Koca i cili u bëri thirrje shokëve për qëndresë, por e shpuan me bajonet dhe i prenë hundën, veshët dhe e bënë copa-copa. Ndërsa një i shpëtuar nga kjo masakër me emrin Azem Hajdini dëshmon: “Se gjatë daljes nga ngrehina pas pushimit të zjarrit munda të njoh të vrarë, Asllan Mustafën nga Ternavci, Bislim Pajazitin nga Krasmirovci, Bejt Bislimin nga Kryshevci, Sinan Avdiun e Hysen Zeqon nga Kopiliqi, si dhe dy të tjerë nga Prekazi. Ndërsa në librin “Genocidi serbomadh dhe qëndresa shqiptare” në faqen 456 gjen edhe emrat e këtyre viktimave të marsit 1945: Xhemal Shaqir Hoxha, Xheladin Limon Shala, Xheladin Nuredin Morina, Zeqir Zenel Thaçi, Ramadan Thaçi, Murat Mazreku e tjerë. Ndërsa në librin tjetër “Në flakën e revolucionit” Prishtinë 1981 gjen emrat të masakruarve e pushkatuarve, Hajdin Shukolli nga Suhareka, Ibrahim Baku nga Bllaca, Isuf Kryezive nga Gjakova, Jahir Sula, Jahja Mamusha,Met Pirkunga Bllaca e tjerë e tjerë. E dëshmitë e emrat janë të pambarimtë pasi masakrat serbe nuk rreshtën thuajse kurrë… Ku të gjithë këta djem nënash shqiptare që ishin rekrutuar ishin nga viset me shqiptarë të Kosovës e Shqiptarisë, ata ishin nga Mitrovica e Podujeva, Vuçiterna, Prishtina, Kaçaniku, Gjilani, Lipjani, Shtimja, Suhareka, Istogu, Peja, Rugova, Gjakova, Rahoveci, Bragashi, Prizreni, Tetova e tjerë. Interesant është fakti se edhe sot ruhet në Beograd një dokument i cili përmban bazën autentike ligjore për një Genocid të pashoq që bënë kriminelët serb në Kosovë pas vitit 1944, e ky dokument është A.sh. Sekret, Raport i përgjithshëm I (1. 6. 1945), por edhe dokumenti tjetër i koduar (K.D.SH., krimet-93/19-64, k-25), ku ndër të tjera në këto dokumente thuhet se gjatë ripushtimit të Kosovës, përmes një terrori masiv në Gjilan u likuiduan 7854 veta, në Drenicë 4820 vetë, në Tetovë 4100 vetë, në Bihor 3820 vetë, në Prishtinë 3675 vetë, në Pejë 3540 vetë, në Mitrovicë e rrethina 1970 vetë, në Podujevë 1670 vetë, në Pazar 1410 vetë, në Shkup e rrethina 1450 vetë, në Ferizaj rreth 1260 vetë, në Prizren 1250 vetë, në Tetovë 900 vetë, në Gjakovë 730 vetë, në Gostivar 600 vetë, në Plavë-Guci 710 vetë, në Rahovec 750 vetë, në Roxhaje 715 vetë, në Kumanovë 780 vetë, në Preshevë 690 vetë, në Dragash 500 vetë, në Kërçovë 490 vetë, në Ulqin 515 vetë (këta me sa duket janë pikërisht ata fatkeqë që u takoi të “pushonin” para se të mbërrinin në Mat’hauzin serb të Tivarit shënim N.B), në Suharekë 420 vetë, në Dubrovnik 120 vetë, në rrugën Kukës-Shkodër 110 vetë, në Togir 80 vetë, në Vershac 30 vetë në Deçan 30 vetë, në Tivar 2629 vetë (pra me gojën e tyre kriminelët komunistë sllavë e pranojnë që përnjëherësh u kanë marrë jetën 2629 shqiptarëve të pafajshëm, kur shifra mund të jetë vetëm e zvogëluar, N.B), e tjerë… Pra po të mbledhësh këtë shifër krimesh del se vetë pushteti jugosllav ka vrarë mbi 47 mijë shqiptarë të cilët kishin të vetmin “faj” se kishin lindur e banuar në trevat e bekuara etnike gjysh pas gjyshi dhe mijëra vjet përpara se të zbrisnin si turmë arinjësh serbo-sllavët nga Uralet e akullta për në këto vende të bekuara nga Zoti. E natyrisht kjo shifër e cila në fakt është më e madhe, por që gjithsesi përbën një krim antinjerëzor i cili kurrën e kurrës nuk duhet të rrinte pa u ndëshkuar… Në dokumentat e arshivuara në Beograd gjendet edhe një dokument i koduar AQSH. Fondi 2521-1, disja 343 MF në të cilën vetë projektuesi e zbatuesi i masakrave antishqiptare A. Rankoviç pohon një pjesë të vogël të këtij krimi, kur thotë: “Gjatë rrugës Prizren-Ulqin janë vrarë pa faj 400 vetë, si rast i gabimeve të organeve më të Ulta”. Natyrisht ky nuk ishte një rast që gabohej nga mvarës të Rankoviçit, por ishte vetë strategjia e shtetit komunist jugosllav.

E pas masakrës së Tivarit, që është edhe ajsbergu i krimeve të shtetit të ish-komunistëve të sllavëve të jugut, qëndronte “Bekimi” kriminal i klikës komuniste shqiptare, e cila pas kësaj në vend që të ngrinte zërin në të gjitha institucionet europiane e botërore, ajo jo vetëm heshti, por fill pas kësaj dekoron shumë nga këta kriminelë. Dekorimi i kriminelëve Serbo-Malazez është bërë me Vendimin nr. 17 të datës 5. 9. 1945 dhe është një listë prej 55 personash, ku përveç dekorimit të Dushan Mugoshës që mban nr. 9 në listë, është edhe Miladin Popoviçi me nr. 8 (pas vdekjes, pasi ja kishte kthyer patkonjtë prej diellit patrioti trim nga Gjakova Haki Tafa, që me 13 mars 1945) e vazhdon deri tek krimineli, organizatori e zbatuesi i vrasjes të rreth 50 mijë shqiptarëve, e mbi të gjitha regjizori e një ndër aktorët kryesorë të masakrës në fjalë, që njihet si masakra e Tivarit e 1-2 prillit 1945, Ministri famëkeq i Punëve të Brendshme të Jugosllavisë Aleksandër Rankoviç. Në listë-vendim që dekorohet antishqiptari i tërbuar Rankoviç e ka numrin rendor 11 dhe thuhet se dekorohet me urdhrin “Ylli Partizan” i Klasit Parë. Ky vendim kriminal i komunistëve shqiptar në fund mbyllet me “siglën” “Për Kryesinë e Këshillit Antifashist Nac-Çl. Sekretari Koço Tashko, d.v. dhe Kryetari Dr. Omer Nishani d.v.

Ky dekorim i kriminelëve serbo-malazez në fakt vinte pas dekorimeve që u kishte bërë vetë Titoja udhëheqësve komunist shqiptarë fillë pas Masakrës së Tivarit në prill 1945 natyrisht për kontributin që kishin dhënë në shfarosjen e nacionalizmës shqiptare kudo në trojet etnike shqiptare që tashmë Jugosllavisë ia kishin rifalur klyshët e kuq shqiptarë. E motivacioni ishte “Për kontribut të shquar në Luftën Antifashiste dhe në luftën kundër tradhëtarëve e bashkëpunëtorëve me pushtuesin fashist” e nga ky dekorim pëfituan Enver Hoxha, Koçi Xoxe, Bedri Spahiu,Mehmet Shehu, Dali Ndreu, Sejfulla Melishova, Baba Faja Martaneshi, Ymer Dishnica, Nako Spiro, Tuk Jakova, e tjerë. Mbase kur litarin që e kishte lidhur bandën e kuqe të E. Hoxhës pas qerres së Titos e Jugosllavisë e këputi “baba” Stalini, së bashku me këtë lak u këputën shumë nga emrat që shënuam më sipër ish miq e bashkëpunëtorë të Hoxhës, i cili si maja lakut i mbeti në dorë Stalinit të cilit i shërbeu edhe pas vdekjes… Gjithsesi kur Titon e Jugosllavinë i bëri lanet Stalini, në Shqipëri Enveri këtij “shenjtori” që i falej i bëri shumë kurbane, ku për të justifikuar jo vetëm kurbanet por edhe tradhëtinë e krimin ndaj bashkëkombasve të vet, masakrën e Tivarit e tjera u mundua t’ja faturojë ish bashkëpunëtorit të tij më të ngushtë Koçi Xoxes. Ja se çfarë thuhet në një dokument të Arkivit Qendror të Shtetit… “Me mijëra kosovarë të pafajshëm janë pushkatuar ilegalisht nga organet e UDB-së si gjatë luftës ashtu edhe pas luftës. Në këto masakra ka marrë pjesë edhe agjenti i qeverisë jugosllave në gjirin e Qeverisë shqiptare, tradhëtari Koçi Xoxe, i cili në cilësinë e Ministrit të Brendshëm të Shqipërisë në fillim të vitit 1945 autorizoi oficerët e UDB-së që të pushkatojnë ilegalisht dhe pa gjyq, në tokën shqiptare më tepër se 1000 kosovarë të pafajshëm. Gjithsesi po t’u referohemi fakteve e dokumentave të fundit të vitit 1944, vitit komplet të 1945 e deri në muajin maj 1946 Ministër i Punve të Brendshme ka qenë Haxhi Lleshi, i cili njëkohësisht ka dhënë edhe autorizimin përkatës, e kjo për hir të vërtetës, pasi Koçi Xoxe nuk ka qenë aspak më pak kriminel se Haxhi Lleshi, Shefqet Peçi apo vetë shefi i tyre E. Hoxha e tjerë nga ky “vathë”. Dhe disi e çuditshme se pas disa viteve edhe “revizionisto”-komunisti Tito dënon me të njëjtën procedurë ish-Minstrin e tij të Brendshëm Rankoviç duke i ngarkuar faje të paqëna, e deri duke ja faturuar atij edhe krimin e pashembullt të Masakrës së Tivarit por edhe vrasjen e zhdukjen e mbi 50 mijë shqiptarëve.

Me këto veprime dredharake komuniste, Titoja dhe Enveri patën “sukses” si në kampin shqiptar andej e këtej kufirit, por pse jo momentalisht edhe në kampin ndërkombëtar. Por kjo gënjeshtër e ky mashtrim, si të gjitha të këtij lloji nuk vonuan të sfumohen e të dalin në dritë e vërteta lakuriqe e fajsisë kriminale të dy liderëve komunistë, Tito e Enver, por edhe e bandave të tyre të kuqe që i quanin Parti-shtet ap shtet-parti. Pa dalur në dritë ka mbetur deri tani vetëm ajo “forcë” që këta kriminelë të gjallë apo të vdekur i ka shpëtuar edhe sot e kësaj dite pa marrë dënimin historik që duhej t’ua jepnin organet e drejtësisë kombëtar e ndërkombëtare, pasi kështu shpresojmë se do t’u lehtësojmë sadopak dhimbjet familjeve të viktimave, por do t’jua bëjmë më të lehtë dheun shpesh edhe të harresës vetë viktimave, shpirtrat e të cilëve çdo ditë, çdo natë e çdo moment kërkojnë “shpagim” (ligjor). Madje viktimat janë akoma e më të shumtë, e kjo pas asaj kasaphane që filluan të përsërisin kriminelët serb në vitin 1999 në Kosovën martire, edhe pse këtë vit nuk ishim me mantelin e kuq të komunizmit, por me atë të zi të “nacionalizmit” shtazarak. Për fat të mirë Europa e Bota nuk toleroi më, por mjerisht vazhdojmë të tolerojmë ne shteti “mëmë” Shqipëria, i cili aktualisht e “ruan” qëndrueshmërinë e miqësisë e fqinjësisë së mirë me dy fqinjët dashakeq, Serbinë nëpërmjet mos “denoncimit” të Masakrës së Tivarit, dhe me Greqinë në mos “denoncimin” e masakrës së Greqia ka kryer ndaj popullsisë autoktone Çame. E për ta mbyllur këtë shkrim me nota të trishta ashtu si unë ende e parashikoj, po citoj pak vargje nga Poema Masakra e Tivarit të autorit Sabri Ahmeti:

“…Mirëmëngjes Tivar i një Prillit,

i ajrit me arom baruti,

ende të paçfaqur në dukje,

Tivar i asaj natë të fundmarsit,

të mijëra ëndrrave,

të pangjashme me të tjerat,

midis fatzinjëve që prekën të tetmbëdhjet pranverat.

Vekatore:

Hënë e brishtë,

e netëve të mia të trishta,

vetëm sonte këputi fijet,

tu bëfsha kallme ylberi

nëpër gishta…”

Ndue Bacaj

 

Paralele, pësime dhe mësime historike

(Me rastin e 60-vjetorit të Konferencës së Pezës)

Historia jonë kombëtare, si dëshmitare e përpjekjeve të popullit tonë, së pari na ka dhënë e na jep përpjekjet, sakrificat e tij për çlirim kombëtar. Së dyti dhe pse nga të fundit e kombeve dhe popujve të Ballkanit fituam pavarësinë dhe krijuam shtetin tonë modern më 28 nëntor 1912 ajo dëshmon për veprimtaritë madhore për ngritjen e modernizimin e institucioneve dhe për përparimin ekonomiko-shoqëror të popullit tonë (shteti shqiptar u ndërtua në 1/3 e hapësirës gjeografike kombëtare).

Në vazhdën e kësaj veprimtarie historike në vite, ditë dhe data të caktuara të saj marrin vlera dhe antivlera ngjarje, dukuri dhe personalitete të veçantë tue krijuar në këtë hapësirë historike paralele të caktuara të cilët lindin mbi faktorë politik e shoqëror me shtytje nga jashtë si agresione dhe ndërhyrje, po kështu dhe nga brenda për shkaqe empirike dhe ideologjike tue sakrifikuar koshjencën kombëtare.

Vështruar në këto plane vendi dhe populli ynë nuk mund të veçohej nga teatri i historisë ballkanike dhe evropiane, pse jo dhe botërore.

Lufta e Dytë Botërore që në fillimet e para të saj na shtiu në qerfullin e vorbullës dhe Shqipëria ra pre e pushtimit të agresionit fashist italian si pjestar i Aleancës së Boshtit Berlin-Tokjo-Romë.

Më 7 prill 1939 Shqipëra, e thënë në gjuhën juridike institucionale “Mbretëria Shqiptare” u pushtua, ky pushtim për fat të keq u kalur heshturazi nga Fuqitë e Mëdha. Duhet cituar për hir të së vërtetës se 7 prilli 1939, pushtimi i këtij vendi të vogël, duhet njohur si data e fillimit të Luftës së Dytë Botërore dhe jo 1 shtatori 1939, data që daton pushtimin Nazist të Polonisë.

Qeveria Mbretërore, për të mos thënë asgjë, bëri pak për t’ju kundërvu paraprakisht këtij agresioni, tue paraqitur disa veprimtari të sforcuar diplomatike në organizma ndërkombëtare ndaj Italisë Fashiste, ndërsa në planin e mbrojtjes ajo u gjend bosh dhe e pa përgatitur, për më tepër mori rrugën e mërgimit.

Ishte dhembja kombëtare ajo që i mobilizoi bijt e popullit tonë për kundërveprim ndaj këtij agresioni si për kundër qeverisë dhe komandës së lartë të Ushtrisë Mbretërore me demostratë dhe rrëmbim armësh në depot dhe njëherazi e priti ushtrinë fashiste me zjarrin e armëve të paka dhe primitive. Zëdhënës i këtij kundërshtimi tue drejtua ato pak luftëtarë major Abaz Kupi dhe kapteri trim Mujo Ulqinaku që ra trimërisht si hero për t’u përjetësuar dhe fituar pavdeksinë në Panteonin Kombëtar.

Rezistenca e nisur në këtë çast kulmor do të vazhdojë në ngjitje deri në organizimin më të lartë të saj, atë të një Lufte Antifashiste Nacionalçlirimtare. Vitet e para të pushtimit u shoqëruan me grva dhe demostrata në qytete të drejtuar nga intelektualë patriotë. Në fshatra dhe malësi me organizimin e grupeve dhe formacioneve të vogla luftarake me kapedan popullor të cilëve do t’u shkonte për shtat thënia e Vaso Pashës për komandantët popullorë të “Lidhjes së Prizrenit” “… se ato erdhën nga populli dhe shkuan drejt tij…”.

Në këtë kohë kemi një tabllo politike të lëvizshme. Fashistët që në fillim krijuan institucionet politike si qeveritë kuislinge kolaboracioniste dhe partinë fashiste. Nga ana tjetër Lëvizja komuniste shqiptare ja dau tue kapëcyer vështirësitë e kundërshtit të “Parti prisit” të krijojnë Partinë Komuniste Shqiptare, e cila në pak kohë përfundoj organizimin e saj dhe të hedhë sytë në organizimin e kryengritjes së armatosur, duke siguruar së pari bashkimin e mbarë popullit në luftë kundër fashizmit. Kapërcimi i këtyre vështirësive dhe hedhja e syve për një rezistencë të armatosur i takon meritë një pjese të lidershipit të saj, që në këto kushte historike përfaqësohej nga personalitetet me prejardhje patriotike dhe me vlera demokratike si dr. Ymer Dishnica politikan me prejardhje perëndimore, Koço Tashko njohës i mirë i politikave të “Frontit Popullor”, i përgatitur në komitern dhe Mustafa Gjinishi, pinjoll i familjes Gjinish të Peqinit, gazetar dhe agjitator i lëvizjeve demokratike të viteve 30 si në Vlorë mik dhe bashkëpunëtor i av. Skënder Muços, të dy u burgosën nga qeveria mbretërore, por u falën nga presioni i opinionit publik.

Këta burra me punën e tyre të pa lodhur dhe të mbështetur dhe përkrahur nga nacionalistë të rrymave të ndryshme, por me dhëmbje për vatanin e pushtuar, të afirmuar në Lëvizjen për Pavarësi dhe të konsolidimit të Shtetit Shqiptar në vitet 20 si Ndoc Çoba, av. Skënder Muço, Kamber Qafmolla personalitet politik Abaz Kupi dhe Myslim Peza, etj.

Brenda PKSH Koço Tashko, Nako Spiro, etj.

Punën dhe përpjekjet e organizatorëve të Konferencës dr. Ymer Dishnica dhe Mustafa Gjinishit e lehtësoi tablloja politike dhe rezistenca aktive në mbarë vendin siç shënohej në dokumentat bazë, në veçanti në proces-verbalin e konferencës së Pezës… Kudo në katër anët po buçet “Kushtrimi për Liri”, populli ka marrë armët në dorë dhe me flamurin e Skënderbeut po lufton me tërbim okupatorin dhe veglat e tij tradhëtare… Në mbarë venin luftohet, në Gjirokastrën e Çerçizit, në Vlorën heroike të Ismail Qemalit, në Skraparin e Riza Cerovës lufton Gjin Marku dhe Mestan Ujaniku në dibër çeta trime e Haxhi Lleshit. Dy çeta plakë të Bazit Canës (Abaz Kupi) e Babë Myslimit (Myslim Peza). Gjithnjë me ato është dhe çeta e Qemal Deliallisit që po i jep grushte dërrmuese fytyrës gjakatare të fashizmit, prandaj kërkohet bashkim dhe drejtim…

Këto arritje krijuan klimën e besimit dhe me vullnet të lirë patriotik u arrit që të thirret Konferenca e Pezës. Ajo u mbajt në Pezë më 16 shtator 1942 në të morën pjesë rryma të ndryshme politike:

Rryma nacionaliste Abaz Kupi, Myslim Peza, Ndoc Çoba, Mustafa Xhani, Haxhi Lleshi, Kamber Qafmolla, Skënder Muço, Ramazan Jarani etj.

Nga PKSH si forca politike e organizuar dhe inicuse u përfaqësua nga Ymer Dishnica, Mustafa Gjinishi, Koço Tashko, Nako Spiro, Enver Hoxha etj.

Kryetar i Konferencës së Pezës u zgjodh Ndoc Çoba, sekretar Mustafa Gjinishi.

Që në paraqitjen e materialit nga dr. Ymer Dishnica, të gjithë pjesëmarrësit ranë dakort me:

-Konferenca vendosi bashkimin e popullit shqiptar në luftë kundër pushtuesit fashist.

-Ky organizim u emërtua “Fronti Nacionalçlirimtar”.

-Fronti do të bashkojë të gjithë shqiptarë pavarësisht nga përkatësia shoqërore, fetare, krahinore dhe politike.

-Për mobilizimin e popullit në luftë do të jenë “Këshillat Nacionalçlirimtare”

Platforma e përgjithshme u miratua njëzëri dhe në unanimitet nga pjesëmarrësit.

Dy probleme që ishin pjesë e saja si:

Së pari Këshillat Nacionalçlirimtare si forca mobilizuese dhe organizuese të mos dominohen nga asnjë forcë politike, gjë që më vonë ky shqetësim u vërtetua. PKSH, fill pas konferencës së parë të vendit në mars 1943 mori frenat e drejtimit të Frontit Nacionalçlirimtar duke spostuar në emër të parudhës “o me ne o kundër nesh” drejtuesit e Këshillit të Përgjithshëm ndërsa mbrenda vetes deri në likuidime fizike dhe spostime figurash qëndrore të saj.

Së dyti, diskutimi u bë në Konferencë për emërtimin e çetave partizane dhe për yllin e kuq në kapele. Kjo ngjalli dyshime tek disa nacionalistë pjesëmarrës ndaj PKSH.

Një nga çështjet më delikate dhe të diskutueshme ishte konceptimi mbi “Shqipërinë Etnike”.

PKSH këtë problem e shikonte në planin ndërkombëtar, ku e gjithë bota ishte përfshirë në kasaphanën e Luftës së Dytë Botërore. Çdo ndryshm sipas Aleancës Demokratike, të hartës politike territoriale, do të zgjidhej nga Konferenca Botërore e Paqes pas Luftës.

Kurse sipas Nacionalistëve duhej luftuar që gjatë luftës, kurse PKSH kërkonte ta mënjanonte dhe ta zgjidhte atë pas Luftës (sot Kosova e hedh poshtë këtë tezë).

Ky debat dhe kundërshti jashtë klimës së Konferencës së Pezës shkoi më tej në formimin e një organizate nacionaliste, aty nga fundi i nëntorit 1942 e emërtuar “Balli Kombëtar”.

…Kjo nuk ishte një organizatë e centralizuar si Lëvizja Nacionalçlirimtare, programi i saj më tepër ishte pasiv se sa aktiv (Libri “Fitorja e hidhur”, Regjinal Hibert, 1994). Po aty… PKSH e pa të nevojshme ti jepte disa shpjegime bazës… në të vërtetë për ne Balli Kombëtar është pengesë… duke parë influencën individuale të disa udhëheqësve të tij… theksi nga ana jonë duhet t’i vihet zhvillimit të luftës së armatosur kundër pushtuesit me pikësynim të bashkimit me çështjen e Lëvizjes Nacionalçlirimtare ose ti demaskojmë si bashkëpunëtorë të armikut.

Kjo klimë krijoi pështjellim në popull që vendimet e Konferencës së Pezsës i mirëpriti dhe i pasoi me aksione masive dhe konkrete çka i dëshmoi Aleatëve të Mëdhenj se populli shqiptar është i mobilizuar totalisht në luftë kundër nazifashizmit dhe e ndjen veten aleat i denjë i kësaj Aleance, e cila u pozicionua me njohjen e saj zyrtare nëpërmjet Deklaratës së z. Iden ministër i jashtëm i qeverisë së Kurorës Britanike më 12 dhjetor 1942. Duke mos përcaktuar për hartën politike kombëtare (etnike) të Kombit Shqiptar.

Sot kjo deklaratë është aktuale dhe ne shpresojmë me bindje se ka ardhur “Era” e kombit tonë që të rishikohen Traktatet dhe Vendimet e Konferencës së Londrës të vitit 1913.

Konferenca e Pezës realizoi në një moment të rëndësishëm historik bashkimin e popullit shqiptar me luftën për çlirimin e vendit nga pushtuesit nazifashistë dhe njëherazi krijojnë bazën drejtuese të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare në një organizatë të vetme dhe zgjodhi organin drejtues, Këshillin e Përgjithshëm Nacionalçlirimtar të përbërë nga:

Kamber Qafëmolla – Kryetar

Mustafa Gjinishi – Sekretar

Ndoc Çoba, Myslim Peza, Abaz Kupi, Enver Hoxha, Ymer Dishnica anëtar të Këshillit të Përgjithshëm të Frontit Nacionalçlirimtar.

Historia është dëshmitare, koha punon për Kombin dhe popullin tonë por kjo ka nevojë për një politikë koherente kombëtare për realizimin e prosperitetit tonë.

Prof. Daut Hoxha – Durrës

 

Një dritare dritëplotë e dijes njerëzore

(Hap pas hapi me librin “Përpara të Diturve” të M. Decajt)

Kur po lexoja këto ditë librin “Përpara të Diturve” të Muhamet Decajt, se si më erdhi në mendje thënia brilante e Gorkit të madh: “Çdo libër është një dritare për të parë botën”. Nuk gjej përcaktim më kuptimplotë, as më autentik për të shprehur atë dimension të mrekullueshëm vlerash njohëse të fushave të ndryshme për librin e studjuesit të apasionuar M. Decaj “Përpara të Diturve” sesa përcaktimi “Dritare dritëplotë e dijes njerëzore” mbështetur në atë që sjell së brendshmi vetë autori, që sjell gjithë kuintesenca dhe mesazhi filozofik i këtij libri serioz.

Është një risi për nga mënyra e të konceptuarit, për nga almiset që ka përdorur autori në seleksionimin e brumit nga gatuan gjithë përmbajtjen e krijesës së vet. Ka ky libër një kod krejt origjinal të thurjes, ka si të thuash një tharm krejt tjetër nga ai që predisponojnë të vendosin nën tiraninë e tyre të krijuesit autorë librash studimorë, reflekset e të cilëve ky libër i ngërthen.

Ka një këndvështrim krejt të vetin divulgativ në substancën e vet, duke na sjellë një miksnjohje këndvështrimesh interesante nga studjues të një spektri krejt të larmishëm. Gjithashtu gëzon një shije të llojit të vet që e dallon nga një libër historik, apo estetik, kuka një konstante vlerash njohëse, të pakontestueshme siç ngjet me historinë, por po aq mbetet i hapur, asgjë nuk arrin të ezaurojë deri në fund, përkundrazi të mban gjallë, ndezur për kërkim thellësish të reja mendimi e vlerësimi siç ngjet me esenë.

Po ndërkaq vjen si një amalgamë idesh, konceptesh, mentalitetesh, filozofish e hapësirash mendimi që rrjedhin harmonishëm si ujërat në një ultësirë, secila në shtratin e vet, tamam siç ngjet me enciklopeditë, për t’u fokusuar si vlera të veçanta në vlerën globale të librit si një dritare dritëplotë e mendimit njerëzor. Kësaj radhe kemi të bëjmë me një rast fare unikal të llojit Decaj, falë një hulumtimi derivat i vetmisë së një studjuesi vullnetmadh dhe kurajoz, që e ka ndjerë si pjesë të gjithë qenies së vet krijesën e tij.

Këtu gjen vehten artisti, moralisti serioz, politikani, sociologu, historiani, qytetari i thjeshtë, ushtaraku madhor, shkencëtari serioz, krijuesi naiv, por edhe ai i kompletuar, studjuesi i të tjerëve, por edhe ai i vetvetes, teoricieni i rrallë, por edhe një njeri fare i zakonshëm.

Kemi të bëjmë thjeshtë me dhuntinë njerëzore në ktë rast? Jo, jo! Kemi të bëjmë me diçka shumë më tepër. Me pasionin njerëzor, me pjesën progresiste të dinotomisë njerëzore: që tek kolegu në fjalë ngjan si dy pika uji me atë që thoshte Floberi i jashtëzakonshëm në penën e tij “A nuk janë pasionet e vetmja gjë e bukur që ka mbi tokë? Burim heroizmi, entuziasmi, burim i poezisë, i muzikës, i arteve, me një fjalë i gjithçkaje?

Dhe si për të garantuar konsideratën tonë pr këtë libër sukses aspak i zakonshëm i autorit, H. Boks pohonte: “Atje ku pasioni është i përmbajtur, suksesi është i sigurtë”.

Dhe kurrsesi nuk ngjet ajo që shpeshherë dhe aktualisht po e shkatërron njeriun modern mbrapshtia dhe ligësia pasionale. Autori vjen në librin “Përpara të Diturve” me një vizion brilant moderniteti. Kundër asaj që ai e ndjen si të jashtme, vihet përballë ajo që ndjehet si e brendshme, përballë të dukshmes shohim thelbësoren, karshi teoricienit të një kohe të kapërcyer si vizion, mësojmë mendimin e atij që i takon e ardhmja, kundër mendimit të mbyllur, autokritik lexohet vizioni transparent, humanist. Aty ku shijon mendimin e vetëm, singularin, ke rast të shijosh mendimin divers, pluralin. Dhe gjithsesi në këtë libër duke ngulmuar në të vetën me të vetën kultet e mendimit me kultin e tyre jo vetëm që nuk lihen të bëjnë shtrat, por, përkundrazi, ke rast të mësosh mendimin e njerëzve nga më të thjeshtë, qumështor të penës, si të thuash, por që guxojnë publikisht për t’u bërë pjesë e mendimit diversiv, global dhe aktiv.

Kështu dhe gjithsesi ky libër nuk vjen si dritare e dikujt, por gjithsesi si dritare e ndërtuar nga të gjithë, si dritare e dijes njerëzore ku ka pjesën e vet edhe autori.

Dhe kur përjetojmë jorrallë bastardhimin e fjalës, përdhunimin e vlerave të qytetarëve dinjitozë të letrave nga gjithëfarë belbëzantësh, si kulminacion i shpërdorimit dhe abuzimit civil me të drejtën e fjalës së lirë dhe publike nën osmozën e lirisë së pakufizuar, një liri e privilegj vetëm i botës shtazore, sepse qytetërimin civil ka kodet e veta brenda së cilave komunikon raca njerëzore, apo kur lloj-lloj krymbnajash serviren si kërpudhat parazite mbi shpinën e qytetarisë së vërtetë krijuese nën ethet e një entuziasmi modern brutal, të një konformizmi pa moral, apo kozmopolitizmi pa fre libri të pohon me gojën plot:

Njeriu nuk kënaqet në kufijtë e veprimtarisë fiziologjike, qoftë edhe asaj seksuale që aq shumë i fryjnë ata që kërkojnë të abuzojnë me idetë frojdiste, njeriu krahas bukës, veshmbathjes e banimit, si kërkesa e gjetjes së vetvetes. Njeriu derivoi si qenie racinoale e sociale nga përpjekjet për të ndryshuar gjithçka që e rrethon në parajsën e natyrës në dobi të afirmimit të tij civil.

Dhe ky afirmim në kohët moderne nuk dhurohet nga slloganet, qofshin ato edhe demokratike. Njeriu, ndjenjat dhe truri njerëzor ka nevojë dhe domethënie të thelbit tëtij ekzistencial bashkëkohor kapjen për briri të misionit të tij real që buron vetëm nga puna dhe vullneti i madh për të përvetësuar dhe aplikuar dijen njerëzore në të gjitha format e shprehjes së saj.

Dhe një nga këto dritare dritëplot e të dijes është dhe puna për konceptimin dhe realizimin e këtij libri si kontribut intelektual i studjuesit Muhamet Decaj.

Nuk pëlqej kurrsesi superlativat, por jami obliguar moralisht dhe profesionalisht të njoh vlerat e këtij libri që sjell Decaj në oazën moderne absurde sa komike, sa tragjike të braktisjes së librit, kësaj krijese specifike për nga thelbi funksional në fisnikërinë e shpirtit njerëzor kaq shumë të egërsuar.

Kadri Ujkaj, kritik letrar

 

Alarm: Koha po ecën mbrapsht

Menjëherë ju duhet të pyesni: Cila është ajo. Keni shumë të drejtë por ju lutem mos u mërzitni. Komandojeni mendjen. Kjo është shenjë e forcës. Mos harroni ajo është gjëja më e shpejtë në Botë dhe në gjithë Universin. Ia kalon edhe shpejtësisë së dritës. Prandaj do mbajtur nën fre me një “sistem sigurie” të lartë i cili mbështetet në teorinë e “Mekanikës Kuantike” dhe në zbatimin praktik të saj në qarqet e integruara të aparatëve elektronik më të sofistikuar të kohës. Mos u çuditni. Edhe truri ynë funksionon mbi bazën e një sistemi të caktuar, i cili vën në lëvizje një “aparat” jashtëzakonisht të mistershëm. Megjithatë dija njerëzore ecën përpara. Ajo do ta “pushtojë” atë.

Në qoftë se veproni ndryshe jeni të humbur. Po doli “makina” nga rruga fluturon në humnerë. Lus Zotin kurrë mos ndodht. Gjithësesi asnjëherë mos harroni. Ajo nuk është zog dhe as hilikopter. Është makinë. Më falni. Desha të them mendje. Prandaj kujdes. Kthesë e fortë. Pikë rreziku.

Po futem në temë: “Dita e daljes në pension është dita më e bukur”. Fjalë e urtë. S’ka më mirë. Me të kënaq shpirtin. Si the ti. Kush e ka thënë. Dakord. Më falni. Por unë mendoj që emëri nuk ka rëndësi. Është e drejta e fjalës. Jo vetëm kaq. Ndoshta më tepër. Përmbajtja dhe domethënia e saj kanë vlerë të veçant. Folësi mund të jem unë, ti, ai, ne ju, ata dhe kështu me radhë si rreth Roza-Rozina po vjen Drandafila…

A ka lumturi më të madhe se sa kur njeriu del në pension? “Shpëtoni” nga të gjitha. Nga detyra, shqetësimet, problemet e vazhdueshme, nga personeli i punës kryesisht nga ata të vështirët dhe sidomos nga dikushi që i qëndroi kurdoherë mbi krye si edukator, mësues, brigadier, përgjegjës, shef e drejtor.

Ç’na duhet rinia. Ajo iku e shkoi. Fluturoi si shpend. E kemi “harruar”. Rinia është pranvera e jetës. A ka stinë më të bukur. Në rini nuk ka pleqëri as pension. Ndëgjo mirë o babaxhan dita më e bukur është ajo kur njeriu hedh shu… dy metra përpjetë si shtërvan.

Albumi i jetës është i madh, shumë i gjërë dhe gati i pafund. Ai është edhe një bukuri që vret si borë e bardhë poshtë saj me pisllëk, kur shefi yt i quajtur drejtor pa u futur aspak me siklet firmos një urdhër i cili godet: “I ka lindur e drejta e pensionit të plotë pleqërisë”, prandaj pa vonesë të bëhet dalje për në…

Na keni thënë se ju grabitën me dhunë të drejtën për të nxjerrë bilancin e vitit. Gjëra që ndodhin. Prepotencë e mirëfillt. Ata menduan ndryshe. Kryesisht si padron. Çdo problem ka një zgjidhje. Kemi edhe të tjerë. Nuk na intereson përvoja, eksperienca e përkushtimi. Ato i zëvendësojmë dhe i rinovojmë. Në këtë fokus të vjetrit janë konsumuar, rudhur e thinjur kështu fuori përjashta. Rroftë rinia, sidomos në Kapitalizëm. Na duhen forca e energji të reja. Është kërkesë e kohës. Ajo është e veshur me flori.

Ju flisni për vehten në vetën e tretë njëjës ashtu si shoku Belul. Më duket e keni gabim. Theksoni se keni drejtuar një ndërmarrje për një çerek shekulli. Punë e madhe. Bëtë vetëm detyrën. Bile jo mirë. Shihni sa mbrapa kemi mbetur. Ju të vjetrit na latë kështu. Nuk keni punuar si duhet. Tani paguani.

Mund të thoni sa është kostoja. Urdhëroni faturën. Aty keni emërtimin dhe shumën përkatëse. Nënshkruani. Në këtë rast po japim maksimalen. Sa është ajo? Një limit modest i pragut të varfërisë. Më saktë ekuacion më shumë të panjohura. Edhe ankoheni. Nuk jeni të kënaqur. Mos u bëni mosmirënjohës. U mbytëm në shpenzime. Jetë e vështirë.

E keni kartë urimi dhe dhuratë me rastin e vitit të ri. E dërguam më 15 dhjetor 2001. Së bashku edhe librezën e punës të shkarravitur. Ju betohemi pa dashje. Ashtu si kot. Forca madhore. Pastaj në shenjë “nderimi” një mbledhje ku foli i deleguari. Ishte orator. Mbas pak një drekë aty ku lahet Taraboshi me ujët e liqenit.

Thatë se kishit bilançin. Vërtetë ashtu është. Mirëpo harruat një diçka. Më mirë një mik se një çiflig. Ata nuk deshën që të lodhnin sepse ishin shokë për kokë. Nga ana tjetër ju kishit një borxh që duhej paguar. Nënvizojeni: “Korektesa, përkushtimi, aftësia, përvoja e sakrifica në detyrë, është konservatorizëm burokratik, i rritur mbi një bosht ideologjik, të cilat janë burim i budallallëkut barazitik dhe armiku më i rrezikshëm i Ekonomisë së Tregut”.

Ne duhet të manifestojmë idealin e grupimit tonë. Prandaj në këto rrethana do ta dënojmë. I veshim edhe ndonjë epitet. Për ne vlerat janë në themel antivlera, të cilat na dëmtojnë njëlloj ashtu si drita. Urdhëroni e provojeni. Mos e fikni natën. Nuk do keni gjumë ose s’do flini rehat. Njerëz si ai janë tepër të “rrezikshëm”. Ndershmëria dhe përkushtimi i tyre na verbon. Na besoni. Nuk kemi nga qejfi. Na ndihmoi fati. Shyqyr Zotit.

Si the ti zotni atje. Ne qënkemi sjellur keq. Mendoni gabim. Kjo s’është e vërtetë. Tani po afron ndeshja finale. Ndryshoi koha. Erdhi ekipi i ri. Kemi programët dhe pikësynimet tona. Sa më parë në Evropë. Na përshëndet Stabilizim Asocimi. Ai është burr i fort. Me atë nuk bëhet shaka. Pasurinë tonë do ta shesim. Teloja i Xha Komit do të bëhet pronë e mister Tomit. A ka bukuri më të madhe si dita më e bukur, si vet pensioni. Gjëra të mrekullueshme ndodhin në Shqipëri. Marim shëmbull nga Evropa e Amerika. Ato në përgjithësi drejtohen nga të “rinj” 60-70 vjeçar. Është e vështirë të shikosh një të vjetër me thinja. Mos ju duket çudi. Kjo është e vërtetë.

E përsërim. Ç’na duhen vlerat. Ato i përkasin së kaluarës. Janë anakronike. Pra u mbyll loja. Kemi sjell një ilaç. Është shumë i mirë si dita më e bukur. Këtu keni udhëzuesin. Pijeni me kujdes sa herë të keni nevojë. E kemi ble shtrenjt. Natyrisht me para në dorë. Sigurisht me proçedurë të rregullt. Për rrjedhoj, siç e shihni ne nuk jemi të koruptuar as ozurpator por demokrat dhe të qytetëruar. Mbi ne është vetëm interesi. Ai lëviz Botën. Moralin çojeni në muze. Me atë mbesim me duar bosh. Këtë nuk e lejojmë.

Dita më e bukur është dita e pensionit. Sa bukuri ka tufa. U gjetë çelsi i lumturisë së jetës. Iku rinia. Ajo u harrue. Qënkemi gabuar. Një kome-tragjedi. Koha po ecë mbrapsht në drejtim të kundërt. Vini re. Alarm. Rrezik total për Globin. Filloi “tkurrja e Universit”. Ju lutemi na falni. Ishte një llogaritje gabim. Më saktë “Koha imagjinare”. Koha reale vazhdon të rrjedhë sipas “programit të caktuar”. “Tkurrja do të ndodh por pas disa miliarda vite. Për ne nuk ka shumë rëndësi. Atëherë ndoshta mund të kemi kolonizuar planetin X të Galektikës Y. Do bëjmë qejf si në ditën më të bukur të pensionit. Lum si ne.

Në pension. S’a më mirë. Oh, oh – me tu kënaq trupi e shpirti. Jetë o jetë. Rehati e plotë. Pavarësi brilande. Integritet fantasti. Ditë e natë svaboda. Nuk i jep llogari kurrkujt. Krejtësisht elektron i lirë pa ngarkesë dhe jashtë berthamës së atomit. Na besoni. Mikrokozmosi është i pafund. Zbulimi i të gjitha të fshehtave të tij është një zonë tepër e minuar dhe e rrezikshme me energji shpërthyese të pa imagjinueshme. Elektroni në fjalë është i një lloji të veçantë. Ai ndodhet dikund. Nuk “funksionon”. Pinë kafe, bën Pazar, pastaj një shëtitje në këmbë ose në biçikletë sepse nuk ka mjete të tjera.

Përsëri i papunë me profesionist “pensionist”. Ke forcë e dije, eksperiencë dhe përvojë për të punuar por askush nuk pyet. Ndërmarrja e jote të braktisi, heshtja e ka mbulue, dikur ka qenë “bij fisi” sot virtyti i është paksue.

Bëni një xhiro në qytet. Do të mbeteni të kënaqur më shumë te habitur. Në çdo hap kafene thuajse asnjë nuk punon. Të gjithë pijnë, bëjnë muhabet, bisnes, zgjidhin ndonjë problem dhe pjesa tjetër shtyjnë kohën e ditëve më të bukura të tyre.

Thonë se ekonomia është baza materiale e jetës dhe mbi themelin e saj ngrihet mirëqenia. Pensionistëve ju siguron pension. Ai na i mbush xhepat plot. Flasim seriozisht. Për shëmbëll ditën e pensionit kërkoni kartmonedha me prerje njëqindshe. Mandej shikoni. Do të mbeteni të kënaqur. Atëherë flisni si të dëshironi. Keni të drejtë të ankoheni. Është e natyrshme. Nuk keni faj. Hallet i ndjejnë dhe i përballojnë Shteti dhe Sigurimet Shoqërore. Ndoshta nuk i dini mirë. Mund të keni harruar. Kuota e derdhur ju kthehet përsëri. Ju dukët pak. Mundët. E keni fjalën për kontributin tjetër “Punën për Shoqërinë”. A ka kontribut më të madh? Ajo ishte mbivlera mbi bazën e të cilës regjimi i kaluar zhvilloi të gjitha akset e “mekanizmit” gjigant Shtet si industrinë, bujqësinë, energjitikën, arsimin, kulturën, shëndetësinë, mbrojtjen etj. Çdo pensionist ka lënë gjurmën e tij. Dikush mund të thotë ku shkoi ajo, pse një pjesë e madhe e saj u zhduk etj?

Po japim përgjigje natyrisht shkurt. Për këtë ju kujtojmë “Terapinë Glorioze të shookut”. Më shqip “Goditja e Përqëndruar Shkatërruese”. Ajo ishte një strategji e zezë. Përmbajtja e saj. “Pa shkatërrim nuk ka ndërtim”. Kush e shpiku? Nuk e di plotësisht. Ndoshta signor Fiku. Më tepër s’ka rëndësi. Po ta kërkoni do ta gjeni. Atë e shohim shpesh. Kurdoherë në vend të parë. Duket si me porosi. Është profesori i “ecstra catedra”. Burr i mençur. Teorikisht shumë i aftë. E mori nga “Manifesti”. E kishte të gatshme: “Mbi gërmadhat e pushtetit të vjetër të ndërtohet Ekonomia e Tregut. Kapitalizmi”. Me fjalë të tjera prona shtetërore të shkatërrohet deri në maksimumin e mundshëm. E përkthyer në vlerë baraz me qindra miliarda lekë dëmtim e humbje. Një katastrofë e vërtetë. “Të jeshë a të mos jeshë kjo është çështja”. Hamlet. Shekspir.

Shkatërrimi solli krimin, anarkinë, varfëri, papunësi, emigracion, nënshtrim dhe të tjera. Erdhi një ditë Shteti u trondit që nga themelet. U bë edhe më keq. Për një periudhë pushoi fare. Edhe pensionet morën tëposhtën. Në krah kishin bonot e privatizimit. “The future is in your hands”. E ardhmja në duart tuaja. S’ka më bukur. Tan mjalt e sheqer. Karamele për gostitje. Ende sot e kësaj dite kanë mbetur enigmë. Megjithatë kanë miratimin dhe firmën e Shtetit. Të shohim Teorikisht testim. Më shumë opium. Tepër pak një problem për zgjidhje.

Telekomi afër privatizimit. Po përgatitet për shitje. Shtrohet pyetja. Te kush? Përgjigja Monopolet e huaja. Në ç’mënyrë, kur dhe si? Të shohim! Edhe me pasurinë e të tjerëve mund të shkohet në Evropë. Si dikur përsëri edhe sot jemi Ylli i dritës. Në këtë kuadër largimi u bë imperativ i kohës. Shkaku: “Mekanizmi i Brylit”. Preteksti: “Pensioni”. Grupi i kreu detyrat e tij. I lumtë. Një okej. Ata dhanë një kontribut të veçantë. Impiantimi i kontabilitetit dhe i financës, hartimi e plotësimi i dokumentacionit voluminoz për kthimin e ndërmarrjes në shoqëri aksionere, i godinës të re Telekom Shkodër dhe mbi njëqind bilançe të nxjerra kishin nevojë dhe kërkonin deri në fund kontributin e autorit të tyre.

Kush e don fjalën. Ah, po ju andej nga fundi. Shumë mirë. Urdhëro e flisni. “Unë z. kryetar i mbledhjes them me siguri matematike që puna e ka krijuar njeriun dhe po i hoqe atij atë i ke dhënë dënimin më të rëndë.

Çudi! Ç’është ky mendim? Ku e more? Sipas jush njeriun e paska krijuar puna. Jo ore. Qënke i zgjuar. Vetëm harruat diçka. Kjo është propagandë. Bile Marksiste. Shkon edhe më tej – ateiste. Provojeni, lëreni njeriun pa punë, pa aktivitet, të rrijë kot me duar lidhë, të sorollatet, të qëndrojë pa lëviz në karrike, divan, kolltuk, në krevat etj. dhe do shihni se çdo ndodh. Ai do të shtoj në peshë do majmëriset e dhjamoset. Atëherë i vijnë pasojat: çrregullohet tensioni, ritmi i zemrës, nervat e kështu me radhë. Së fundi sëmundja dhe pas saj lamtumira.

Përvoja e Botës së qytetëruar na mëson se pa punën dhe kontributin e të gjithëve nuk ka rimëkëmbje ekonomike, nuk ka zhvillim, përparim dhe prosperitet të vazhdueshëm e të sigurtë.

Si the ti djalosh. Çojeni zërin. Po. Po. Ju kuptova. Sipas jush kjo është politikë. Siç duket jeni kundër. Jeni për ushtrinë e të papunëve. Të lumtë. Pa skllevër, më saktë pa fuqi punëtore të lirë ose pa të papaunë nuk ka kapital, milioner, korupsion, pushtet dhe as… Kjo është e dhimbshme por e vërtetë. Faktet janë kokëfort. Kapitali kërkon punë të papaguar dhe mbivlerë. Ndryshe ai nuk rritet e zhvillohet. Edhe ju dëshironi të flisni. Po. “Ai shtohet vet. E ushqen pronari i tij”. Shihni rrotull. Janë qindra e mijëra emigrant shqptar shërbëtor në dyer të Botës. A nuk është fisnikëri dhe nder i madh nga ana e saj? Na trajtojnë si vëllezër! Pse! Nuk e besoni! Shikoni ngjarjet e muajve të fundit. Përfundimi u takon juve.

Dita më e bukur – dita e pensionit. S’ka më mirë o njeri. Paske qenë në pranga. Shyqyr që shpëtove nga puna. Qoftë larg prej teje. Mirë. Tani ku shkove. Kalove në pension. Të hodhën mbrenda në “kazanin” e tij. Ai është i madh sa një moçal. Jeni i vjetër dhe nuk do të dalësh kurr nga ai. Më vjen keq por është e vërtetë. Mos u dëshpro. Jeta është e shkurtë, e vështirë dhe ai “stacioni” i fundit i saj. Përsëri s’ke ç’bën. Duhet qetësi, kurajo dhe forcë. Çdo njeri në çdo çast ka me vete të kaluarën, tashmend dhe të ardhmen. Të uroj ditët më të bukura. Paç zemrën e bardhë. Qofsh i lumtur.

Luigj Temali

 

Shqipëria e vogël e krimeve të pashembullta

Në asnjë vend tjetër të Botës nuk gjen shembuj kaq tragjik sa në Shqipëri. Të gjithë ata njerëz që kishin dhe kanë mendime e veprime antikomuniste, ishin dhe janë ndëshkuar. Gjatë sitemit diktatorial të Enver Hoxhës në Shqipërinë e vogël janë pushkatuar dhedënuar me burgje mbi 20 vjet 25 400 persona, pa përmendur të internuarit dhe privimin nga të drejtat e liritë më elementare njerëzore të fëmijëve e grave. Vetëm priftërinj sistemi komunist ka pushkatuar fiks 153 pas vitit 1967. Dhe ç’është më absurdja edhe pas viteve 1990, kur në Shqipëri u duk në horizont një demokraci që zgjati deri nga fundi i vitit 1996, kur partia demokratike nën tritol, armë, vrasje e banda u detyrua të lëshojë pushtetin në dorë të ish-komunistëve, kriminelët nuk u dënuan me ligj. Kjo ka arsyet e shpjegueshme. Partia Demokratike ishte papërvojë, në organizim e sipër pas një diktature të gjatë e të egër, ndërsa socialkomunistët që i kemi në pushtet dhe po menazhojnë sërish anarshinë e hakmarrjen diktatoriale, kishin përvojën dhe pushtetin ekonomik. Si rrjedhojë, sot janë shumë të vrarë, të dhunuar, të dënuar politik, viktimë e kësaj qeverisjeje. Nga viti 197 e këtej janë vrarë 4300 persona të pafajshëm. Politika diferencuese, hakmarrëse, vrastare deri në mizori, ka goditur pinjollët e ish disidentëve politikë të periudhës së Enver Hoxhës. I tillë ka qenë edhe antikomunisti Luan Pjetër Shkreli nga qarku i Shkodrës, i cili është vënë në ndjekje për ta eleminuar fizikisht nga bandat e sigurimit të shtetit. Në qarkun Shkodër, policia vite më parë pat pushkatuar në krevat me gruan e fëmijët edhe Senahi Gjekën, ku megjithë protestat e shoqatës Antikomuniste “2 Prilli 1991” dhe të pushtetit vendor të Shkodrës e Malësisë së Madhe për zbulimin e dënimin e autorëve, asgjë nuk është bërë, vetëm për të heshtur. Ish presidenti i Republikës Rexhep Meidani, ka patur një deng ankesa e kërkesa, të cilat vetëm kanë mbetur në sirtaret e shtetit kriminal, pa përgjigje.

Si shumë antikomunistë të tjerë Luan Shkreli, në varrimin e ish deputetit Azem Hajdari, të vrarë para selisë së partisë demokratike, është rrahur dhe kërcënuar me pushkatim më 14 shtator 1998. Luani edhe sot e ka jetën të rrezikuar në këtë Shqipëri që bie vetëm herë anarshie, pasi babai i babait të tij, Ndoc Marash Shkreli ka qenë një antikomunist i njohur në të gjitha trojet shqiptare, ku në përpjekje me komunistët është vrarë nga forcat speciale të sigurimit të shtetit më 1952, ndërsa babai i nënës Pjetër Dedë Malocaj është pushkatuar me grupin e Prekë Calit, atij njeriu që mori pjesë si komisioner i vendosjes së kufijve të Shqipërisë. Pjetër Dedë Malocaj, Prekë Cali dhe dymbëdhjetë antikomunistë të tjerë u pushkatuan në Zall të Kirit të dielën e larit të vitit 1945.

Pra, demokrati Luan Shkreli dhe shumë të rinj të tjerë shqiptarë për të shpëtuar jetën e tyre janë detyruar të braktisin Shqipërinë, këtë Shqipëri ku edhe të parët e tyre dhanë jetën, gjakun, pronat e gjithçka. Kjo pra është Shqipëria e vogël e krimeve të pashembullta.

Flori Slatina

 

Vazhdon kundërvënia dhe arrestimi i demokratëve në Shqipëri

Ende, Shqipëria mbetet vendi më me probleme të mëdha. Shkalla tepër e lartë e mafies politike shqiptare që po rritet çdo ditë. Mjaft persona të cilët kanë qenë demokratë të betuar ndaj komunizmit po ndiqen nga forcat e SHISH-it. Ndër kontrollet e mëdha që po bëhen është edhe Hilë Shllaku anëtar i PD i cili tërë jetën e tij është shquar për mospërputhje me sistemin socialist. Përpjekjet e Hilë Shllakut për të emigruar në vendet e botës. Sipas burimeve që disponon gazeta jonë, këto ditë në Aeroportin e Rinasit po ushtrohet një kontroll i imët ku është arrestuar demokrati Hilë Shllaku nga fshati Darragjat i Shkodrës. Sipas informacioneve që kemi drejtuesit e Aeroportit janë ndryshuar shumë duke patur njerëzit më të besueshëm të sistemit. Në këtë mënyrë z. Hil Shllaku sapo ka zbritur në Aeroport me avionin e linjës është arrestuar nga forcat e SHISH-it, i cili ishte kthyer për të varrosur nënën e tij. Hil Shllaku ka marrë pjesë në shoqatën antikomuniste 13 Dhjetorit, më 14 janar 1990, më 13 dhjetor 1990 e ngjarjen e 2 prillit 1991. Ka marrë pjesë në përcjelljen e deputetit Azem Hajdari më 14 shtator 1998. Edhe herë të tjera forcat e policisë kanë tentuar ta arrestojnë më parë se të largohet nga Shqipëria për në Itali. Në këtë mënyrë familja Shllaku është detyruar ta emigrojë djalin e tij Eduart Shllaku i datëlindjes 17 maj 1982 në një shtet të sigurtë, që mos të ndiej vetën natë e ditë i kërcënuar si baba i tij e familja. Jeta e pasigurtë që ndodhet në zonën e Dajçit e fshatit të tij Darragjat, ka bërë që të ndiej mallin për prindërit, shokët e të afërmit e tij, për të gëzuar jetën e viteve të rinisë së tij, të largohet nga Shqipëria.

Zef Nika

 

Në Shqipëri krimin është institucional

Fenomente kriminale janë edhe ato pjesë e jetës në shoqëritë demokratike. Por në Shqipërinë postkomuniste absurdi, paradoksi qëndron në faktin se vetë institucionet shtetërore jan ngritur mbi bazën e krimit. Kujtojmë vitin 1997, kur pushteti u uzurpua përmes luftës së bandave të armatosura me pikënisje Lushnjën, më pastaj Vlorën dhe që u përmasua në tërë Shqipërinë. Ata që u prinë rebelimeve, vrasjeve, dhunimeve janë pikërisht pushtetarët. Shtypi i pavarur e opozitar, megjithë haraçin që ka paguar ka guxuar të përmendë dëndur emra si të Fatos Nanos, Skënder Gjinushit, Namik Dokles, Gramoz Ruçi, Arben Imamit etj. etj. për organizime të armatosura. Politikanët, institucionet e shtetit nuk u dëmtuan, por u godit rëndë demokracia shqiptare, të drejtat e liritë themelore të jetës, u godit prona private dhe shtetërore, u vra prespektiva dhe besimi i perëndimit për progres dhe qëllim të mirë të politikës shqiptare për ta radhitur edhe Shqipërinë në familjen e madhe evropiane.

203 policët e pushkatuar në krye të detyrës në pesë vitet e fundit dhe mos kapja e mos dënimi i asnjë krimineli flet qartë se shteti e menazhon vetë krimin, pasi polici është shëmbëlltyra e ligjit.

Ata shqiptarë që aspiruan dhe aspirojnë për demokraci janë pushkatuar nga bandat shtetërore, janë burgosur, janë rrahur, ose janë në listat e vdekjes. Dhe këtë e themi me zë të lartë e me fakte kokëforta. Ja demokrati Aldis Xhevat Sokoli, i datëlindjes 17. 03. 1977, megjithëse kishte edhe probleme gjakmarrjeje, u vu disa herë nën kërcënata të hapura se do të pushkatohet nëse nuk heq dorë nga bindjet politike demokratike. Ky i ri ashtu sikur edhe moshatarët e tij që duan një Shqipëri pa diktaturë, pa korrupsion, pa diferencime politike, raciale e etnike ka marrë pjesë dendur në tubimet e demonstratat paqësore të partisë demokratike si simpatizant të liderit demokrat Prof. Dr. Sali Berishës. Aldis Sokoli është dhunuar në varrimin e zgalemit të lirisë e demokracisë shqiptare ish deputetit demokrat Azem Hajdarit më 14 shtator 1998. Atë ditë u rrahën shumë shokë e shoqe të Aldisit dhe u burgosën 165 vetë nën akuzën absurde të grushtshtetit, akuzë e cila më vonë doli një flluskë sapuni. Dhe ky shtet që të dhunon se nuk mendon si ai, se nuk je kurrsesi dakord me padrejtësitë, të fut në listat e vdekjes, siç i futi demokratin Aldis Sokoli apo edhe gazetarë të “Shqipërisë Etnike” si Vasel Gilën apo Klajd Kapinovën. Përballë presioneve të tilla edhe gazetari ynë Kapinova u detyrua ta braktisë Shqipërinë, njëlloj si demokrati Aldis Sokoli që sot janë dikund udhëve të perëndimit, vetëm për të shpëtuar jetën.

Desantila Berati

 

Persekutimi i familjes Balaj

Lubia neokomuniste ka shtrënguar darën e hakmarrjes politike, ka forcuar terrorin psikologjik e fizik kundër njerëzve demokratë që aspirojnë për një shoqëri të civilizuar në Shqipërinë postkomuniste. Ja, shikoni fotografinë e familjes Balaj. Tre fëmijët e çiftit Fadil e Vjollca Balaj duken të qeshur, të gëzuar. Por këto qeshje fëminore ata ende nuk e kuptojnë se ua ka vrarë shteti, pasi babin e mamin, ashtu si edhe të parët e tyre, politika e çthurur shqiptare i ka ndëshkuar. I ka ndëshkuar rëndë jo vetëm duke i diferencuar, por edhe duke i kërcënuar me eleminim fizik. Albani, Arditi dhe Era, nuk kanë mundësi ta kuptojnë që tashti sa vuajtën prindërit e tyre pasojat e terrorit pikërisht të shtetit të tyre. Pa përmendur persekutimin e regjimit të Enver Hoxhës që ishte diskriminues, pa u ndalur hollësisht mbi vuajtjet e Fadil Balës, ku nga viti 1979-1990 punoi në sektorët më të vështirë të gjeologjisë dhemë 24 janar 1984 pasi u rrëzua nga lartësia e 13 metrave në krye të detyrës, jo vetëm nuk u ndihmua nga shteti, por pas shërimit u caktua në një punë edhe më të vështirë brenda sektorit të gjeologjisë, do ishte e plotë akuza ndaj këtij shteti me çmim absurditeti, kur themi me fakte e me zë të lartë se demokrati Fadil Balaj më 1992 e këtej arriti të krijojë një farë biznesi, por që bandat me prapavijë politike ia shaktërruan më 1997, periudhë kur komunistët rrokën armët e shpartalluan depot e armatimit e uzurpuan pushtetin që aksidentalisht e kanë edhe sot. Asokohe, si shumë biznesmenëve të tjerë edhe Fadil Balës iu vunë gjoba, u kërcënua, u tentua edhe ti grabisnin fëmijët. Pra, nuk i mbeti gjë tjetër vetëm të shesë diçka nga ato që i mbetën dhe të marrë udhët pa udhë të perëndimit, për të shpëtuar jetën e vet dhe të familjes.

Fakte të tilla ka shumë në Shqipëri dhe gazeta jonë si tribunë e mendimit të lir intelektual shqiptar do t’i trajtojë në vazhdimësi. Ne patëm rastin dhe demokratin e njeriun e mirë shqiptar Fadil Balaj e takuam në një shtet perëndimor, teksa shqiptarët atje po zhvillonin një veprimtari kulturore. Ai dhe shumë të tjerë derdhën lotë malli për atdheun e tyre dhe nga interesimi për gjendjen në Shqipëri nuk të linin kohë ti pyesje ti. Por një gjë është vërtetë interesante. Këta emigrantë që marrin rrugët e botës, shumë shpejt dhe shumë mirë janë përshtatur me kushtet e perëndimit.

Po politikës shqiptare që reflekton modele të tilla persekucioni edhe sa kohë i duhet të edukohet me frymën e barazisë dhe respektimin e të drejtave e lirive njerëzore?!

Sokol Pepushaj

Vrasjet politike e krimi rëndon jetën në të ardhmen e Kosovës

Edhe pse kan kaluar dy vite nga vendosja e administrimit ndërkombëtar, siguria në Kosovë ende është e pa sigurtë. Në janë vrarë rreth 11.000 vetë, 4.000 të zhdukur, 550 varreza masive, 200.000 shtëpi të shkatërruara etj. Është dëshpërues fakti i rritjes së krimit politik. Ende ka nga ata që janë detyruar të lënë vendin nga pasiguria nga shtresat mafioze që veprojnë personave e familjeve që kanë kundërshtuar tërë jetën sistemin militar jugosllav. Një ndër të shumtit e larguar është Paulin Kaceli i datëlindjes 11. 09. 1968 në Pejë. Është ky person që merr pjesë në demostratat masive të vitit 1991. që nga ky vit vazhdimisht është ndjekur nga agjentët e policisë sekrete serbe. Në këto rrethana shtëpia e tij është mbajtur nën kontroll. Edhe pse shumë herë janë detyruar ta kapin uk kanë mundur. Por familja e tij ka pësuar tortura çnjerëzore. Duke mos e gjetur në shtëpi Paulinin i kanë dhunuar pjestarët e familjes, duke i dhunuar bashkëshorten Landin në prani të fëmijës së vogël e pjesëtarëve të tjerë të familjes e lagjes. Kështu duke lënë vajzën e prindërit është larguar nga Kosova në gusht 1998, siç mësohet nga moshatarët e tij në Pejë. Perspektiva e Kosovës është ende e zymtë ekonomia e shkatërruar e krimi politik rëndon jo vetëm jetën e tyre por edhe të ardhmen e Kosovës. Sipas informacioneve që kemi ende veprojnë 28 deri 32 shërbime të ndryshme të huaja, ndër këto edhe shërimi serb. Në këtë list ekzekutohen çdo ditë aktivistë për lirinë e Kosovës, ku policia e UNMIK-ut nuk mund t’i paralajmërojë vrasjet politike.

Zef Nika

 

Shtabi i UÇK kërkon personat që dezertuan gjatë luftës

Sipas burimeve të gazetës sonë nga ish hierarkët më të lartë të shtabit të UÇK në Kosovë edhe pse ato sot nuk funksionon plotësisht, ku një pjesë nuk militojnë në forcat UNMIK-ut kanë përpiluar një listë me emra që dezertuan në luftë e cila më shum urdhëra e veprime nuk ishin të dokumentuar. Sipas një burimi të besuar mësohet se kërkohet Pal Nik Doçi i datëlindjes 5. 9. 1962 nga Prishtina i organizuar në armatë ushtarake jugosllave si ushtarë në vitin 1985 në qytetin e Tivarit, i akuzuar si i rekrutuar në UDB jugosllave. Është organizuar në mars 1998 në UÇK dhe ka dezertuar frontin e UÇK më 25 shtator 1998. I ishte ngarkuar një detyrë së bashku me grupin prej pesë vetash për të zbuluar një post milicie serbe. Pasi ka zbluar armatimin dhe infrastrukturën e postës ka raportuar pranë eprorëve të UÇK-së. Ka marrë një urdhër të dytë, për asgjësimin e postës, por ka kundërshtuar për rrezikun e jetë së tij dhe skuadrës, ku nuk kishte asnjë garanci për jetën. Pas dy ditësh nga mos zbatimi i urdhërit i jepet fletë arresti atij dhe shokëve. Eprorët, paragjykojnë se ishin të besimit katolik dhe i shpallin agjentë të UDB-së në radhët e luftës. Duke patur frikën e ekzekutimit pa gjyq Pal Nik Doçi detyrohet të largohet nga Kosova në shtator 1998. Duhet theksuar se mjaft udhëheqës të UÇK-së që kanë drejtuar në luftë kanë kryer veprime të dhunëshme si vrasje e tortura çnjerëzore ndaj të gjithë atyre që i kanë kundërshtuar. UÇK e kërkon. Forcat ndërkombëtare kohët e fundit pohetojnë rreth këtyre njerëzve që kanë kryer krime në popull.

Zef Nika

 

I riu demokrat Robert Lekaj nga pasiguria e jetës detyrohet të largohet nga vendi

Aty nga fundi i vitit 1950, nga presionet, shantazhet që ju bën patriotit demorkat prel Zef Lekaj na pushteti komunist, ma gjakatar ma i egri në botë komunizmi Enverian i Tiranës, Prela bashkë me të birin adoleshent Zefin detyrohen të arratisen në Jugosllavi pastaj SHBA ku edhe vdiqën.

Familja e Prelës, e shoqja Drandja mbeti në mes katër rrugëve me 4 fëmijë një ndër këta edhe Mark Lekaj. Në korrikun e vitit 1951, lindi edhe fëmija i fundit Antonjeta në burg. Për 50 vjet rresht familja e Prel Zef Lekaj, u trajtua nga regjimi komunist në mënyrën më barbare, ju mohuan të gjitha të drejtat njerëzore, 50 vjet burgje e internime ku edhe pasunia ju sekuestrue. Këtë trajtim kishin të gjitha familjet shqiptare që kishin njerëzit e arratisur.

Mbas viteve 1990, me ardhjen e demokracisë në Shqipëri familja e të ndjerit Prel Zef Lekaj, filloi të merrte frymë lirisht, e cila u ndihmua nga Partia Demokratike. Me propozim të shoqatës së të burgosurve dhe të persekutuarve politikë, z. Mark Prel Lekaj punësohet në ministrin e rendit publik, në komisariatin e policisë Shkodër, oficer policie me detyra të ndryshme. Dy vitet e fundit shefi i terrorit dhe antidrogës punoi me përkushtim dhe zbatoi ligjin.

Personat që u kapën për veprën penale të kultivimit dhe trafikut të drogës u dënuan por pastaj kërkojn dëmshpërblim sepse z. Mark Lekaj u lirue para kohe pa asnji motvacion nga socialkomunistët që erdhën me dhunë në pushtet në vitin 1997.

Urdhëri ishte i ministrit të rendit publik, kërkojnë dëshpërblimin sepse z. Mark Lekaj asht pa punë e pa mbrojtje nga shteti. Këta persona të papërgjegjshëm arrijnë deri aty sa ti kërcënojnë jetën z. Mark Lekaj dhe djalit të tij të vetëm z. Robert Mark Lekaj. Bile më 14 shtator 1998, ditën e varrosjes së deputetit demokrat Azem Hajdari, Marku është keqtrajtuar nga policia dhe ka marr fraktura, ku edhe mjekuar është në mënyrë ilegale. Kështu për pasigurinë për jetën detyrohet të largohet nga atdheu i vet në një vend tjetër. Personat nuk publikohen se shqetësimet për z. Mark Prel Lekaj do të ishn edhe më të mëdha.

Bukurije Hysenukaj

 

Qeveria shqiptare kapardiset lakuriq me duar në xhepa se ka shumë miq: Italinë, Greqinë, Serbinë, dhe pak armiq: popullin e vet

-Fatos Nano u shet mend shqiptarëve që takon Papën e Berluskonin dhe nuk e kupton se ata e dinë që “muajin e mjaltit” e ka bërë në Greqi-

Dëgjon shpesh mendimet se Fatos Nano do e mbajë gjatë pushtetin, pasi ai po ndjek pikësëpari linjën properëndimore në luftë kundër terrorizmit e fondamentalizmit. Dhe këto shprehje nuk i dëgjon vetëm tek socialistët, por edhe tek demokratët. Këta njerëz të “kënduar” që flasin kafeneve dhe s’kanë parë as të pinë kafe, kur ftilloheshin në biseda logjike, kur bën analizë politike e ekonomike, bie brenda duke pohuar se vërtetë Fatos Nano është njeriu më i pafytyrë në politikën shqiptare dhe me mbështetjen që i jep Perëndimi Shqipërisë që si rrjedhojë po vijnë në mbështetje të një opozite të ndershme që shumë shpejt duket do marrë pushtetin, lideri socialist po luan në fakt shumë mirë me faktorët politikë dhe psikologjinë e shqiptarëve, duke u bërë pa, vetëm në aparencë i pranueshëm.

Pra, me pak fjalë, situatat, qofshin të nxehta apo jo, është mirë ti bëjmë të lexueshme, me aq sa dimë ti deshifrojmë. Nxehtësia apo qetësia e situatës së pari nuk mund të jetë meritë e opzitës, por kultura e tolerancës e opozitës. Ti shqiptar që e sheh qeverinë si hajdute, të kapardisur hoteleve e moteleve me makina dhjetëra mijëra dollarëshe, me roje e dashnore, që i sheh përditë e përnatë deri policë e shtetit të bëhen milionerë me kontrabandë e poshtërsira deri edhe duke shitur një pasaportë një milion lekë, bëji vetes një pyetje: Në kohën e Berishës, pra të partisë demokratike, që natyrisht ishte në një periudhë tjetër më të vështirë dhe më të papërshtatshme, ishe më mirë apo më keq?

Natyrisht përgjigj nuk do koment, por jepe di shqiptar.

Është mirë ta kuptojmë se nuk është koha të vajtojmë. Kritikat, nëse ka, duhet t’ja bëjmë pozitës, se kështu vepron tërë bota e qytetëruar. Këtë duhet ta bësh së pari ti intelektual e së fundi me të njëjtën forcë ti fshatar që duhet të kesh ca iluzione të humbura, siç ke mjaft shpresa të vrara…

Kllounët e politikës shqiptare na duket e kanë hak ti pyesim, kur fillon fjala vjen një fushatë elektorale, pse bëhen tjetërkushi, e pasi marrin apo vjedhin votat, të masin bërrylin?! Një lojë, një makiavelizëm, është formati që paraqesin politikanët para popullit, duke guxuar të mendojnë se punojnë mjaft mirë, kur u rrinë Gatitu shteteve si Greqia, Serbia, apo Italia.

Është krijuar një imazh i keq në Shqipëri që ajo forcë politike që e ka “mirë” me shtete të fuqishme do udhëheqë, dovjedhë, do bëjë pallë, duke përjashtuar veten si faktor, duke i shkruar pra vetes emrin me laps plumbi e duke ai fshirë me gomë kineze.

Në këtë kuptim, Nano bën sikur ka miq shumë. Vete në Itali, takon Papën, Berluskonin dhe kapardiset se i ka miq! Kush e beson se Papa kamik një Fatos Nano që edhe para shqiptarëve vetë kapardiset lakuriq me duar në xhepa? Nano, para se të shkonte tek Papa, natyrisht për pak Adrelinë Fetare, kishte kaluar muajin e mjaltit në Greqi, tek Helenët. Por para Greqisë kishte ca gjëra edhe me Serbinë apo jo qyshse pat deklaruar se kryeqyteti i Kosovës është Beogradi.

Nëse qeveria shqiptare dhe Fatos Nano po e “triblojnë” mirë topin për momentin, Amerika e madhe dhe shtetet perëndimore, përfshi këtu edhe Italinë, nuk u japin mbështetje atyre, por opozitës që po përgatitet të vijë në pushtet.

Kllounëve socialistë u kanë dalë fijet e perit mbi pallto, pasi askund në horizont nuk shihet një politikë subvencionimi, një politikë prodhimi, një politikë menazhimi.

Gjithsesi shteti hajdut shqiptar parakalon krenar, lakuriq me duar në xhepa, fanar ndriçues në tërë Botën, se ka miq si dikur Enver Hoxha rusinë, Jugosllavinë, Kinën e Madhedhe nuk po të çan mendermethënë kokën e vet se ka pak shumë pak “armiq”, popullin e vet.

Editorial nga Sokol Pepushaj

 

Komunistët si bishat, bijtë si etërit

Siç dihet, viti 1997 na solli himbjen e demokracisë dhe shkatërrimin e krejt vendit. Socialistët, sidomos nga Shqipëria e Jugut, u lidhën me bandat vullnetare greke, hapën depot e armëve, liruan udhëheqësin e tyre Fatos Nano! Bënë grushtin e shtetit të pashpallur, dogjën vendin. Bënë votat me armë, dogjën në benzinë për së gjalli 32 demokratë. Pra mos të mendojë Fatos Nano se këto krime shqiptarët nuk i harrojnë kurrë. Në këtë tragjedi, ndihmoi ish presidenti Berisha, që u lidh me Traktatin Islamik dhe që dorëzoi armët përpara rebelëve. Shqipëria humbi më tepër se sa të ishin vrarë një milion njerëz.

Fatos Nano thotë se vetëm ai di të drejtojë vendin. Hapni sytë, popull shqiptar, se për pesë vjet ju e patë se çfarë ju solli pseudosocializmi. U mbytën djemtë tuaj në detë, me qindra u larguan nga vendi, mbase një milion shqiptarë. Ikën intelektualët e kombit. Nano me disa shokë po e mbajnë Shqipërinë në turbullinë e territ, për të zbatur dëshirën e Greko-Serbëve! Greko-Serbët tash kanë ëndrrën e fundit, me mujt me ngatërrue sa ma shumë, pra Fatosat e Tiranës, i kanë ditët e fundit dhe zhgërryhen si gjarpri në prush. Hajnat socialistë vodhën vendin, deri edhe Thesarin e Shtetit! Populli shqiptar doli rrugëve se shërbëtorët e lartpërmendur nuk hapën asnjë punë për popullin e vet, edhe ata që punojnë nuk marrin as 50 dollarë në muaj. Shqipëria ka minierat, fushat, pyjet, plazhet, është në gjendje të mbajë edhe tri herë aq popull, por si ka thënë Konica:

Kok kungull

Goj buall

Bark rrumull

Ç’më thu more të rëntë pika,

Çfarë të duhet ty politika.

Socialistët nuk e lëshojnë kollaj detyrën, se kanë frikë se u dalin krimet sheshit, vjedhjet, prapaskenat me të huajt, tradhëtitë që i bënë atdheut dhe sidomos Kosovës që në Luftën e Dytë, se ata që la Hoxha janë edhe sot në pushtet. Socialistët nuk kan për të pranuar kurrë vota të lira. Socialistët nuk kanë për t’i dorëzuar armët si Berisha!

Qeveria e Nanos, sapo të afrohen zgjedhjet do të humbë qindra ose mijëra kundërshtarë pa gjurmë, siç bënë në të kaluarën. Deklaratat e Nanos ende i kam në vesh (Kanë ikur në Botën Perëndimore)!? Por nënat e tyre nuk i shohin kurrë më. Komunistët vranë Azem Hajdarin, helmuan në burg Safet Zhulalin dhe shumë të tjerë. Qeveria komuniste e Tiranës nga 1944 deri sot nuk nxori asnjë Doktor Shkencash, përse-ja dihet. Universiteti i Prishtinës kur festoi 10 vjetorin nxori tetëdhjetë e gjashtë Doktorë Shkencash. Komunistëve nuk u duhen intelektualët. Sapo erdhi Hoxha në pushtet i vrau të gjithë intelektualët e vendit. Edhe Fatosat që la mbrapa po bëjnë të njëjtën punë, sibijtë e etërve janë.

Pal Delia, New York

 

Kujtim Ferhati nga diktatura në diktaturë

Fisi i demokratit shqiptar Kujtim Ferhati është një model i krimit antinjerëzor. Gjatë sistemit të Enver Hoxhës u diskriminua. Daja i tij Osman Zeka ishte arratisur më 1950 dhe përgjatë shumë dekadave Kujtim Ferhati dhe fisi i tij ishin të etiketuar “Armiq” të pushtetit komunist. Me tronditjen dhe thyerjen e atij sistemi në fillim të vitit 1990, kjo familje u angazhua në instalimin e demokracisë. Kujtim Ferhati dhe të afërmit e tij investuan shumë, edhe duke vënë jetën në rrezik. Vetë Kujtimi është pjesëmarrës aktiv në rrëzimin e bustit të Stalinit më 14 janar 1990, në shembjen e bustit të Enver Hoxhës më 13 dhjetor 1990, në protestën e 2 prillit 1991 ku u vranë katër shkodranë dhe u plagosën 163 dhe u dhunuan qindra të tjerë, mes tyre edhe Kujtim Ferhati, në varrimin e deputetit demokrat Azem Hajdari më 14 shtator 1998, ku edhe aty u përball me shqelmat e shkopinjtë e gomës të policisë anarshiste shqiptare. Më 1997, kur bandat komuniste rrëzuan me armë pushtetin demokratik, në mbrojtje të institucioneve shtetërore, demokratët Arjan Mehmetaj, Mark Lazri, Kujtim Ferhati, Agron Mehmetaj, vunë jetën në rrezik. Është fakt që asokohe u vranë shumë demokratë që tentuan të mbrojnë institucionet e shtetit. Me atë rast madje Mark Lazrit bandat komuniste i dogjën edhe shtëpinë.

Këta bisha komuniste që përditë po vrasin e terrorizojnë demokratët, edhe sot i kërkojnë këta persona dhe të tjerë për t’i ndëshkuar vetëm se janë demokratë. Por shqiptarët e ndershëm po i përballojnë me guxim provokimet. Ata që e shohin veten afër varrit, detyrohen të braktisin atdheun e vet, njerëzit e dashur dhe të marrin udhët e perëndimit, siç është edhe rasti konkret. Pra, me pak fjalë demokratët e vërtetë të dhunuar në kohën e Enver Hoxhës, po dhunohen edhe sot, madje edhe haptas.

Vasel Gilaj

 

Gjakmarrja, plaga që rritet

Ligjet në shtetin shqiptar nuk po funksionojnë. Kanuni po zbatohet, saqë shoqatat e pajtimit të gjakmarrjes kanë eklipsuar gjykatat, prokuroritë, hetuesitë. Një fakt është rasti familjes së qytetarit shkodran Selim Bushati. Kjo familje ishte në gjak. Më 13 qershor 1999 gjaksit arrijnë t’i vrasin djalin. Sipas burimeve policore, vrasëri është identifikuar. Ai është V. Dizdari. Ligji sërish nuk funksionon. Hakmarrja vazhdon privatisht. Selim Bushati vendos të hakmerret dhe para 6-7 muajve në tentativë për të marrë gjakun e djalit sipas zakonit shqiptar, plagoset vetë. Selim Bushati sot është i detyruar të ngujohet, të fshihet dhe djalin tjetër 13 vjeçar nuk mund ta çojë në shkollë. Po në qarkun e Shkodrës janë shumë fëmijë të ngujuar, të privuar nga e drejta e arsimimit, vetëm se të rriturit vrasin e presin si në mesjetë dhe ligjet nuk veprojnë.

Esat Ymeri

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu