Në themelet e historisë
Gjatë viteve të post-komunizmit, duke pretenduar se historia, gjatë afro gjysëm shekulli është politizuar, po spekullohet në mënyrë abuzive dhe me metoda tepër primitive, saqë po e kthejnë në “përralla me mbretër”! Me bindje të plotë dhe duke qenë plotësisht i vetëdijshëm, mund të them se deri në vitet ’60-’61, ato çfarë janë shkruar për historinë e Shqipërisë kanë qenë të mbështetura mbi fakte dhe baza reale nga historianë të vërtetë. Në qoftë se mbas viteve 1960-1961 filloi të politizohej historia, duhet të jemi të bindur se gjatë viteve të tranzicionit u bastardhua fare! Njerëz inkompetentë (deri dje mësues fshati), duke marrë “testin” e të persekutuarit (për të stimuluar aftësinë), sot drejtojnë katedra ndër universitete dhe “mbrojnë” tituj dhe grada shkencore! Janë pikërisht këta kontigjente, të cilat të pajisura me “mantelin” e demokratit na përfaqësojnë edhe në simpoziume ndërkombëtare!? Janë pikërisht këta të diplomuar, që “thurin” vepra sipas fantazisë së tyre “baritore” dhe po t’u shtojmë këtyre dhe simpatitë politike për ndojnë “merhum”, na del një “turli” i neveritshëm edhe për kafshët! Dhe, kur ndokush ia heq “peten” kësaj maskarade, menjëherë do të marrë epitetin “komunist”. Në qoftë se një studiues i thjeshtë e kundërshton ndonjërin nga këta (të ashtuquajtur historianë), ai menjëherë do të tundë diplomën e fituar nga “kuleta” e fryrë… Dua të deklaroj publikisht, se diplomat dhe patentat e fituara padrejtësisht në këtë periudhë tranzite, janë dy fatkeqësi tepër të rrezikshme: e para “shtemperon” trurin dhe e dyta rrezikon jetën e njerëzve. Pseudohistorianët, historinë e Shqipërisë e përkufizojnë me “epokën” e palavdishme të pushtimit osman dhe me emrin Shqipëri, që e shumta mund të variojë në tre deri në pesë shekuj. Disa të tjerë (paksa më të zgjuar), historinë e përkufizojnë me Krishtin, (histori dymijë vjeçare). Por, ka nga ata “shumë të zgjuar” që deklarojnë se, historia fillon në vitin 1941, kur u themelua Partia!? Unë, si studiues (dhe jo historian) e ndjej si detyrë të hedh pakëz “dritë”, disa shekuj para Krishtit dhe kjo jo për të treguar se jam më i “këndueshëm” se historianët, por për të treguar se jam më i imunizuar nga konformizmi, skematizmi dhe shabllonizmi, sëmundje këto të trashëguara nga sistemi që lamë pas. Unë nuk mund të jem aq “naiv” sa të quaj histori çdo tregim apo “përrallë”, si të ashtuquajturën “histori” e Haxhi Qamilit, ku autori kërkon t’na sjellë në kujtesë kryengritjen e muzhikut rus Pugaçov… Ndërsa nostalgjiku u sulltanëve osmanë, Hysamabaudin Ferraj, na e quan krenarinë e kombit Gjergj Kastriotin, bukëshkalë dhe “kusarë” kuajsh! Dhe me këtë akt “patriotik” gradohet doktor i shkencave!? “Ata që diplomuan këta “historianë” nuk lartësuan Haxhi Qamilin, as nuk fyen Skënderbenë, por fyen historinë dhe baltosën atdhenë!” (M.B.). Kush vallë mund të hedhë poshtë “Historinë e Skënderbeut”, të shkruar nga Marin Barleti? Kush mund të hedhë poshtë “Historinë e Skënderbeut”, të shkruar nga Fan Noli (1947), me të cilën mbrojti doktoraturën në Boston të Shteteve të Bashkuara? Askush nuk mund të hedhë poshtë “Historinë e Skënderbeut” të shkruar nga Sabri Godo, i cili ndonëse e politizoi “pakëz”, duke u munduar që thjeshtësinë e Kryeprijësit Gjergj Kastrioti ta krahasojë me “vijën e masave” dhe impozimet e “Xhaxhit” (gju më gju me popullin). Por, ndonëse Godo e politizoi për hir të artit të “realizmit socialist”, ai kurrë nuk i lejoi pendës së tij që të bëjë gafa të tilla të tipit Ferraj. Jam i bindur se po të kishte qenë gjallë “Xhaxhi”, Ferraj kurrë nuk do të kishte guxuar të bëjë marrëzi të tilla, sepse bashkë me ata që e diplomuan, do të kishte përfunduar në “Ferrin e Dantes”… Ndonëse u zgjata pak, po hyj në temë, por mendoj se kjo hyrje e gjatë ishte e nevojshme dhe kryesisht për ndonjë student mik të Universitetit “Luigj Gurakuqi” dhe për ndonjë replikë miqësore. “Për të qenë sa më larg përgjegjësisë” referencën do ta përdor që në fillim të shkrimit, me ndonjë ndryshim të vogël gjuhësor, në mënyrë që të bëhet më i kuptueshëm” (M.B.). “Historia e Shqypnies – Ç’me kohë t’vjetra e deri m’tashmet”. Shkodër – Shtypshkronja “Nikaj”, f. 9.10. Shqypnij ç’me kohë t’vjetra, pat kenë e ndame, n’Shqypni t’sipërme e n’Shqypni t’poshtme, e para quhej Iliri dhe tjetra Epir. Fiset e ilirëve të vërtetë shtriheshin ç’prej liqenit të Shkodrës deri në kufijtë e Himarës (Akrokeraunës), ndërsa të epirotëve, ç’prej Himare deri në gjirin e Artës, sado që n’kohë t’vjetra quhej Iliri gjitihë krahu prej bregut t’Tunës e deri n’Adriatik, duke përfshirë dhe Dalmacinë, Liburnien e Pavoninen. Deri në 400 vjet para Krishtit, tregimet e ndodhitë na vijnë në formën e gojëdhanave, ndërsa mbas ksaj kohe fillon njohja e dokumentuar ose Hisotria. 360 vjet para Krishtit, ilirët e Ilirisë kërkuan të zgjerojnë kufijtë, duke u shtrirë në krahun e Maqedonisë, por Filipi i Maqedonisë, i ati i Lekës së Madh, i ndaloi me një qëndresë të fortë. Mbas katër vjetësh, Krajli i ilirëve, Bardhyli, dërgoi ushtri të reja për të pushtuar Maqedoninë, por kësaj here ilirët dolën të mundur dhe Filipi i Maqedonisë fitimtar, hyri në Iliri e mbasi e pushtoi, e emërtoi Maqedoni. Sundimi maqedonas vazhdoi për afro 22 vjet pa ndonjë trazim të madh, deri sa bijtë e Bardhylit – Kliti e Glauku, me anëtarët e vet, u munduan të përmbysin sundimin maqedon e të fitojnë lirinë e mëparshme. Por edhe kësaj here, me një luftë të përgjakshme, ilirët u thyen prej Lekës së Madh, t’birit të Filipit, i cili e detyroi Ilirinë me i dhanë ushtri ndihmëse për luftën që kishte fillue me Persinë. Leka i Madh, mbasi n’pak vite e pati shtruar thuajse të gjithë botën, mbas vdekjes së tij nuk la njeri tjetër për të mbajtë sundimin me nji dorë të fuqishme dhe kështu sundimi i tij u nda ndër princat e tij. Me këtë rast amullie të krijuar në fuqinë maqedonase, ilirët nën komandën e Glaukut e shkundën sundimin maqedonas dhe e mëkëmbën mbretërinë ilire. Glauku la pas vetes Pleuratin e mbas tij e mori sundimin Agroni (prijës shumë i idhët e i egër), i cili 250 vjet para Krishtit, u shty në drejtim të Greqisë, ku bëri luftëra të përgjakshme. Emri i ilirëve u rrit dhe Iliria u bë fuqia më e madhe e kësaj ane. Ilirët, që në kohë të vjetra, kishin për kryeqytet Shkodrën dhe aty e kishin “selinë” prijësit e tyre. Agroni, i cili vdiq në vitin 232 para Krishtit, la një djalë të vogël, t’pasun me grua të parë, që quhej Pinez. Gruaja e dytë e Agronit, Teuta, vejushë e Krajlit të vdekur, trimëreshë e fortë, që matej me më të mirin burrë e me aftësi drejtimi të pakundshoqe, mori drejtimin e shtetit Ilir, në emër të djalit të vogël dhe sundoi me shumë sukses, duke ndalue ngatërresat dhe zgjeruar tregtinë me vendet fqinje të Adriatikut, deri në pushtimin e Ilirisë nga Romakët. Duke qenë se luftën Iliro-Romake e kemi trajtuar në një shkrim tjetër, para afro një viti, në të njëjtën gazetë (“Shqipëria Etnike”), e quajmë të panevojshëm ta trajtojmë atë periudhë. Qëllimi i kësaj kujtese historike ishte për t’u kujtuar profesorëve të diplomuar, se historia nuk fillon me pushtimin osman, ose me çlirimin e Shqipërisë nga fashizmi, apo nazizmi. Ndërsa studentëve të shkollave të mesme dhe universitare (me shumë dashamirësi) do t’u rekomandoj të kërkojnë material ndihmës për të ballafaquar të vërtetat historike të shkruara pa asnjë paragjykim politik dhe t’i ballafaqojnë këto me historinë që u servirin pedagogët dhe kjo për të vetmin qëllim të mirë të pasurimit të njohurive në këtë fushë shumë të rëndësishme të shkencës, mbi të cilën është abuzuar kaq shumë dhe që vazhdon të abuzohet dhe sot.” (autori). Shembujt e lartpërmendur të “Historisë së Haxhi Qamilit” dhe asaj të “Skënderbeut”, shkruar nga autorë të papërgjegjshëm dhe me përmbajtje anti-nacionale, përbëjnë një shkelje flagrante dhe antikushtetuese, ku përgjegjësia bie mbi ata që i kanë testuar këta autorë, të cilët nuk janë asgjë tjetër veçse manipulatorë servilë dhe konformistë, të cilët rrjedha e kohës do t’i diskreditojë dhe opinioni mbarëkombëtar do t’i denigrojë si antihistorianë. Mark Bregu
Luigj Gurakuqi, “Emblemë” në gjoksin e Shqipërisë Po afrohet 28 Nëntori, data e Shpalljes së Pavarësisë. Në këtë datë përkujtimore, ku është skalitur njëra nga ngjarjet më madhore në historinë tonë kombëtare, hyn me të gjithë madhështinë njëra nga figurat më të shquara të këtij evenimenti madhor, “Martiri i Kombit” Luigj Gurakuqi. Asnjëherë më shumë se sa në këtë përvjetor nuk mund të ishte evidentuar shkëlqimi i këtij “Pishtari” të pashuar. Asnjëherë nuk është ndjerë më shumë prania e këtij “Vigani”, vepra e të cilit mbart vlerat më esenciale të një atdhetari dhe idealisti të papërsëritshëm. Luigj Gurakuqi, përkrah Gj. Kastriotit dhe Nënë Terezës, është pjesë e “trinomit” të më të mëdhenjve korifej që ka lindur nëna-Arbëri. Ai është dhe do të mbesë në shekuj “Emblemë” në zemrën e atdheut, të cilin aq fort e deshi dhe për të cilin derdhi gjakun e kulluar arbëror. Ky përvjetor i Pavarësisë duhet t’u kujtojë pedagogëve dhe studentëve të Universitetit “Luigj Gurakuqi”, se është nder i madh për këtë institucion të mbajë emrin e këtij përçuesi të “artë” të idealeve të shenjta të atdhedashurisë, të këtij simboli absolut të besës, nderit, urtisë, trimërisë dhe sakrificës sublime. Dua t’u kujtoj në veçanti studentëve dhe studenteve të këtij universiteti se nuk mund të gjendet ndonjë model më i përkryer për edukimin moral dhe patriotik dhe për ushqimin me “manën hyjnore”, se sa biri i Shkodrës, nderi dhe lavdia e Kombit, Luigj Gurakuqi. Asnjëherë më shumë se sot nuk është ndjerë e nevojshme prania e “leksioneve” të Gurakuqit, kur krimi, kontrabanda, korrupsioni dhe prostitucioni kanë “pushtuar” çdo qelizë të shtetit dhe të shoqërisë shqiptare. Janë pikërisht këto vese perverse që po e “gërryejnë” si një eruzion dhe po shembin strukturat morale të shpirtit njerëzor, të atij shpirti që nuk e mposhtën stuhitë dhe uraganet më të fuqishme të kohërave! Studentë dhe studente të nderuar: Askush nuk mund të dalë mbi forcën dhe vitalitetin tuaj rinor, ndaj dhe ju bëj thirrje, si prind dhe si qytetar i këtij qyteti krenar, të bëheni pjesë e kurajos dhe e idealizmit të papërsëritshëm “Gurakuqian”. Mund të ndodhë që edhe në radhët e pedagogëve tuaj të ketë të tillë me prirje materialiste, konformiste dhe antikombëtare, por ndaj atyre ju duhet të mbani qëndrim të papërkulur. Asnjë kompromis me ata që duan të baltojnë Heroin, se vetëm kështu do t’i shërbeni atdheut dhe do të bëheni garantë të një të ardhmeje më të begatë, më të kulluar dhe më të sigurtë për atdheun. Në qoftë se sot Shqipëria përballet me fenomenet që cituam më lart, kjo nuk vjen vetëm nga varfëria materiale, por kryesisht nga ajo shpirtërore. “Për Gurakuqin mund të duhet të shkruhen volume, por kësaj radhe mendova të sjell në kujtesën tuaj një Idealist të papërsëritshëm me dëshirë dhe shpresë se do të bëheni pjesë e mishërimit të veprës së Tij. Dhe padyshim, për të arritur këtë objektiv madhor, duhet sakrifikuar diçka nga kërkesat e moshës dhe të kohës” (Autori – M.B.). Vlen të kujtojmë diçka nga kultura që zotëronte Gurakuqi: Ai u aktivizua në disa drejtime, duke dhënë kontributin e Tij, si statist, politikan, poet, publicist, ekonomist, gjuhëtar, kritik letrar, përkthyes, etj. Ai iu drejtua veprave të mëdha të letërsisë botërore e mund të thuhet me bindje të plotë se ai ishte një nga njohësit më të mirë në kohën e tij, të Homerit, Virgjilit, Tirteut dhe Horacit, Pindarit dhe i Tibulit e deri tek Danteja. E bëra këtë pasqyrim për t’i kujtuar një pedagogu të atij universiteti, i cili më pati sugjeruar se emërtesa e Universitetit të Shkodrës, me emrin e Gurakuqit, nuk ishte një gjetje e përshtatshme, sepse (sipas tij) Gurakuqi na paskësh qenë politikan! Ndonëse përgjigjen ia kam dhënë edhe verbalisht, gjej rastin t’i kujtoj se Gurakuqi ishte i pari Ministër i Arsimit Shqiptar, pas pushtimit pesëshekullor osman; ishte n/Kryetar i Kongresit të Manastirit (1908); Drejtor i të parës shkollë “Normale” në Elbasan (1909) dhe Drejtor i Arsimit në vitet 1916-1917. Të njëjtin veprim të mençur bëri edhe Korça, duke i dhënë Universitetit të saj emrin e të madhit Fan Stilian Noli. Elbasani e përjetësoi Universitetin e saj me emrin e shquar të Aleksandër Xhuvanit, Gjirokastra me emrin e albanologut të madh Eqrem Çabej. Jam i bindur se shumë studentë nuk njihen me veprën e Gurakuqit, ndaj do t’i këshilloj të thellohen në studimin e veprave të tij dhe i garantoj se sa më shumë të “gërmojnë” në këtë “minierë” dhe sa më thellë të “sondojnë”, do të gjejnë vetëm “ar” dhe “brilante”. 28 Nëntori po afron. Flamuri ynë kombëtar do të “pushtojë” lartësitë e qiellit dhe padyshim, bashkë me flamurin, do të ngrihet edhe lavdia e protagonistit kryesor, birit të shtrenjtë të Shkodrës, Martirit të Kombit, Luigj Gurakuqi. Gurakuq! Ti nuk ke vdekur Bir i shtrenjtë i Arbërisë Legjendar udh’ton ndër shekuj Nuk të vret plumbi i tradhëtisë. Ti je gjak i Kastriotit Flamurtar i Pavarësisë Monument n’zemër të kombit “Dritë dhe Diell” i historisë. Autori Mark Bregu
Vatikani plot mistere… Jemi në Piazza San Pietro, aty afër, krejt afër Capella-s Papale dhe shohim si Papa Gjon Pali II flet para gjithë besimeve. Në çast mendja të vete tek luftërat gjithandej. Tek luftërat mes njerëzve. Dhe ti thua: Mos ndoshta njerëzit e kësaj toke nuk dinë se një ditë do të vdesin, se mbi këtë dhe dhe në jetën tjetër, me ngatërresa s’do fitohet asgjë, veçse do të humbet? Ashtu, për paqe, për bashkëjetesë, për mirësi, flitet edhe në Mekë. Atëherë, çfarë kuptojmë dhe çfarë s’kuptojmë ne, njerëzit e përkohshëm të kësaj toke?
Njerëzit s’jetojnë pa Perëndi, Perëndi s’mund të kishte pa njerëz Po të shtrydhim mendjen për të thurur një begraund tipik njerëzor, do thonim se njerëzimi është një, ndërsa format, që nënkuptojnë besimet, janë disa, shumë. Madje edhe më shumë mund të jenë pas disa qindra vitesh. Edhe Perëndia, normalisht është një. Madje Perëndia s’mund të ishte pa njerëz. Se ja, Jezu Krishti njeri ishte. Edhe Muhamedi, njeri. Edhe Nënë Tereza shenjtore, njeri, bile edhe që e njohëm. Nëse në veprat e njeriut vlerësohet prejardhja e tij, nga veprat e Nënë Terezës, kapacitetit më të vlerësuar të kësaj bote ndoshta edhe për shumë shekuj, Shqipëria është një vend i nderuar, i bekuar, një vend ku lindja, jeta, vdekja, janë krenari. Ose më mirë të themi, duhej të ishin ashtu. Se e meritojmë. Jemi kombi më i hershëm në Ballkan, apo jo? Edhe ndër më të njohurit në botë. Kjo u tha edhe ditën e 19 tetorit nga goja e Papa Gjon Palit II, në Vatikan, kur Perëndia pranoi lutjen e gjithë botës për Lumturimin e më të ndritshmes së globit, Nënë Terezës shqiptare. Ja, pra njeriu s’jeton pa Perëndi, e cila bën mrekulli mirësie për njeriun. Aty, në Piazza San Pietro, ka nga të gjitha racat, besimet, kulturat. Mesha është shumë e gjatë. Shumica e njerëzve kanë ecur tërë natën për aty, pa ngrënë, pa pirë një kafe, një gotë ujë, një cigare duhan. Në pamje të parë, ndoshta duket pa rëndësi, por s’është krejt ashtu. Bile do të thoshim se është një mister, një mrekulli, pasi as për nevoja vetjake nuk u ndie as edhe një domosdoshmëri. Zoti është një. Edhe njeriu është një.
Shqipëria, shembull Sikur bota të ishte e drejtë, siç porosisin Ungjilli e Kur’ani, siç dha shembull shenjtorja shqiptare, Nënë Tereza, do ishte normale që Shqipëria të gjente në botë atë që ka dhënë. Dhe ne i kemi dhënë botës kulturë, i kemi dhënë mirësi, i kemi dhënë shembull, Nënën më të madhe, Nënë Terezën. Po pse atëherë Shqipëria është kaq e zbuluar nga përkujdesja, pse perëndimin nuk na afron, nuk na respekton, nuk na jep atë që meritojmë dhe aspak më shumë? Përderisa jemi të bekuar, s’mund të jemi të mallkuar. Duket se duhet të jemi më të mençur, pasi edhe Perëndia të jep gjithçka ti fiton. E ne, kemi “fituar” një klikë drejtuesish të pafe, një dinasti mashtruesish e trafikantësh, që për zot kanë padrejtësitë, diferencimet, krijimin e një klime të ashpër përçarëse mes religjioneve. Edhe bazë e terrorizmit jemi etiketuar vetëm prej politikanëve, që kur t’u vijë dita të kërkojnë vota është fare normalitet të mos u jepet. Le të votojnë ata për njëri-tjetrin. Në popullin shqiptar, theksojmë në popullin nuk është shfaqur asnjë kamikaz, asnjë terrorist. Në popullin shqiptar po, gjen njerëz të mirë, gjen humanizëm, gjen drejtësi, gjen shenjtorë. Se do mjaftonte shembulli i Nënë Terezës që politika të ndërrojë mendim për popullin e vet, që e ka në terr, që e ka pa bukë, pa perspektivë. Përndryshe, kësaj politike konfliktesh për kolltuqe, do i kujtonim proverbin italian: Kush nuk ndërron mendim, nuk ka mendim. E pra e pra, as ambasadori Skiptar në Vatikan, Zef Bushati, nuk ka ndërruar mendim për popullin që përfaqëson. As ditën e Lumturimit të Nënë Terezës, as më përpara, as më pastaj nuk u bë i gjallë. Nuk organizoi një veprimtari me flamurin tonë, me shqiptarizmin tonë. Në fakt as gazetat e mediat vizive italiane nuk ia përmendën fare emrin. Ndoshta, nuk e dinin se ka Zef Bushat. Ndoshta nuk e dinin se Shqipëria ka trup diplomatik në Vatikan. Dhe ne ndoqëm me interes gjithçka për shumë ditë me radhë nga qendra e botës, nga Vatikani. Por fatmirësisht, ndryshe ngjau me përfaqësinë kosovare në Romë. Djem e vajza, burra e gra, pa dallim besimi, përgjatë Romës së lashtë manifestuan me flamurin shqiptar, me shalla në qafë. Madje aty u mblodhën edhe shumë shqiptarë nga brenda kufijve territorialë të Shqipërisë. Mes tyre edhe autori i këtyre radhëve, edhe Emin Spahia, edhe Alban Kraja, edhe Rexhep Mehmeti… E pra, gjysma e Shqipërisë, Kosova, por edhe pak nga shqiptarët, kërkuam t’i marrim perëndimit atë që na takon, vlerësimin, respektin, si vendi i Nënë Terezës, si vendi i njerëzve të bekuar e të bashkuar, si vendi i njerëzve të mirë.
Pasaportën shqiptare Nënë Terezës ia ka dërguar dorazi Ramiz Alia në fillim të vitit 1991 Janë turrur shumë studiues shqiptarë këto kohët e fundit, ndoshta edhe me synimin për të marrë tituj shkencorë për monografi të jetës së Nënë Terezës. Dikush thotë ka jetuar në Shirokë të Shkodrës, dikush vetëm Partia Demokratike e afroi, e përralla të tjera. Por Nënë Tereza shyqyr nuk i përket kohës së Gjergj Kastriotit, nuk i përket vetëm Shqipërisë. E njeh gjithë bota. Dhe jeta e saj aq madhështore është e shkruar atje, në Vatikan. E rëndësishme është që Nënë Tereza në 163 vende të botës kishte mbi 4000 motra, të përhapura në 610 shtëpi misionare. Ndërsa Shqipëria është vendi i fundit që pranoi ndihmën e saj. Biles, unë kujtoj si sot reagimin që gjeti në fillim të vitit 1991, qëllimi i mirë i ish-Ministrit të Bujqësisë Shqiptare, specialisti Ahmet Osja, që deklaroi se i fal Nënë Terezës makinën e vet. Por Ahmeti është shqiptar i mirë, nuk ka qenë komunist, si shumica e drejtuesve të partive sot. Dhe Ahmeti, le të flasë sot është apo nuk është ashtu? Mos vallë e kundërshtuan ata që po mbajnë sot peng politikën dhe krenarinë e ligjshme shqiptare? Mos vallë edhe ata që po “zbulojnë”, siç kanë shkruar në shtyp, se Nënë Tereza ishte vllehe…?! Në të ardhmen do e botojmë të plotë jetën e Nënë Terezës, por më 1989 Ajo shkeli për të parën herë vendin e gjakut të vet, Shqipërinë. Ish-Presidenti komunist, Ramiz Alia, dhe autoritetet e asaj kohe, vendosën t’i propozojnë Nënë Terezës dhënien e pasaportës shqiptare. Por nuk i komunikuan asgjë, nga frika se mos Ajo e refuzonte. Edhe në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shtetit, në Tiranë, gjendet një dokument i tillë. Kështu, pas një viti e pak, në fillim të vitit 1991, ish-Presidenti Ramiz Alia, ngarkoi strukturat shtetërore të komunikojnë e të kërkojnë ndihmën e Bashkësisë së Krishterë “San Egidio” të Romës. Nënë Tereza, që e kishte zemrën të madhe si Hyjni, e pranoi ofertën. E, kështu, pasaporta diplomatike, ku në të shënohej nënshtetësia shqiptare, me ndërmjetësinë e Komunitetit të “San Egidio-s” iu dërgua dorazi Nënë Terezës. Edhe ky fakt ndoshta është i panjohur për botën shqiptare dhe më gjerë. Dhe Vatikani, Italia, gjithë bota, janë të vëmendshëm normalisht, që për këtë Pasqyrë të Njerëzimit, për këtë Pasqyrë të Humanizmit e Çiltërsisë, më së pari të jemi të çiltër ne, shqiptarët. Nënë Tereza ishte dhe është e tërë botës, e çdo qenieje njerëzore mbi këtë tokë…
Vatikani… Shteti më i madh e më i vogël i globit. Aty jetojnë sot vetëm 1000 banorë. Aty janë mrekullitë, aty është kultura, aty është e ardhmja. Një shesh i madh i bekuar, i rrethuar i tëri me mur mbi 30 metra të gjerë, një vijë e bardhë, pak metër përreth murit, është kufiri i shtetit të Vatikanit. Brenda asaj mrekullie-shtet, janë bankat, është policia, është ushtria. Aty janë spitalet më të mira të botës, aty janë trupat diplomatikë, aty janë kardinalët. Ky shtet i vogël është aq i madh e modern sa ka edhe hekurudhën e vet… Ka gjithçka aty, në Shtetin e Vatikanit. Edhe mediat e veta, edhe mrekullitë e mrekullueshme. Sokol Pepushaj
I fundmi i luanëve Vetëm 23 mijë në të gjithë Afrikën, në të gjithë botën! Pak, shumë pak. Fatkeqësisht, jo vetëm luanët, por edhe popullatat e grabitqarëve të tjerë të Afrikës janë tkurrur në mënyrë alarmante. Këto janë faktet, shprehet Laurence Frank, një biolog nga Universiteti i Kalifornisë, Berkley. Para 20 vjetëve, popullata e luanëve ishte mjaft e shëndetshme, numëroheshin rreth 200 mijë. Vonë është vënë re se luanët po zhduken nga shumë zona, ku zakonisht haseshin. Fat të ngjashëm ndajnë me ta dhe qentë e egër, që dikur gjendeshin pothuajse kudo përgjatë rripit sub-saharian, kurse tani numërohen diku mes shifrave 3000 dhe 5000. Citat (kafshë e ngjashme me leopardin) që dikur takoheshin kudo në Afrikën dhe Azinë perëndimore, sot nuk janë më shumë se 15000. Megjithatë shoku më i madh është se pakkush ka dijeni se sa afër zhdukjes janë këto specie. Njerëzit dinë për elefantët, gorillat, rinocerontët, por pothuajse asgjë rreth faktit se këto kafshë janë në zhdukje e sipër. Çfarë ka ndodhur? Cila është arsyeja? Përgjigja është e thjeshtë: Njerëzit. Njerëzit me pushkë, kurthe dhe lëndë helmuese. Biologu L. Frank pohon se njerëzit gjithmonë kanë vrarë grabitqarët, por ka një limit kur bëhet fjalë veç me heshta dhe shigjeta. Kasapahana filloi me ardhjen e europianëve dhe tani, pas një shekulli, grabitqarët e Afrikës rrezikojnë të pushojnë së qeni njëherë e përgjithmonë banorë të planetit tonë. Me grabitqarët e mëdhenj, pothuajse kudo në botë ka ndodhur ky skenar, por në Afrikë situata mund të merret nën kontroll. Kjo s’është e lehtë. Deri më sot strategjia ka konsistuar në krjimin e parqeve kombëtare dhe rrezervateve, d.m.th. shmangia e kontaktit mes njerëzve dhe kafshëve. Por kjo s’mund të zgjasë gjithmonë, argumenton biologu L. Frank. N.q.s. këto specie, tashmë të rralla, duhet të mbijetojnë, atëherë duhet të ketë popullatë të shëndoshë të këtyre specieve edhe jashtë rrezervateve. Por jashtë parqeve ata rrezikojnë nga njerëzit, popullata e të cilëve bashkë me atë të kafshëve shtëpiake, është rritur shumë. Problemi s’është se grabitqarët sulmojnë njerëzit më shumë se sa bagëtitë në ferma e çifligje. Laurence Frank, Drejtor i Projektit Laikipia mbi Grabitqarët (Laikipia Predator Project), pas shtatë vitesh studimi mbi marrëdhënien mes njerëzve, kafshëve shtëpiake dhe grabitqarëve të mëdhenj në krahinën e Laikipias, në Kenia, mendon se një bashkëjetesë paqësore është e mundur. Biles me një kosto të ulët. Parqet dhe rrezervatet nuk garantojnë siguri për speciet që duam të mbajmë. Popullatat e vogla janë gjithmonë të ekspozuara nga çrregullimet gjenetike, dhe sëmundjet kanë potencialin të zhdukin përnjëherë komunitetet e vogla. Luftërat dhe konfliktet bëhen shkak i zaptimit të parqeve nga njerëz të uritur që vrasin kafshët për të mbijetuar. Por edhe në kohë paqeje grabitqarët që lëvizin me distanca të gjata, si luanët apo qentë e egër, vihen në shënjestër sapo kalojnë kufirin e parqeve. Projekti Laikipia duket se ka përgjigjet për këto probleme. Laikipia është një pikë në hartën e Afrikës, me një sipërfaqe 10 mijë km2 në shtetin e Kenias. Kjo zonë është kthyer në një laborator të stërmadh, ku njerëzit dhe grabitqartë e mëdhenj bashkëpunojnë. Në vendet ku ka ferma e stalla, ku ka blegtori, grabitqarët e mëdhenj janë vrarë ose vriten kryesisht nga fermerët. Ndërsa në Laikipia kjo bashkekzistencë po studiohet nga afër në mënyrë që të gjenden zgjidhjen për të shmangur konfliktin mes tyre, grabitqarëve dhe fermerëve.
Si mund të shpëtohet një luan? Në fermat blegtorale të Laikipias vetë fermerët tregojnë kujdes të veçantë për kafshët e egra dhe grabitqarët në veçanti. Prezenca e tyre rrit numrin e ekoturistëve që vitizojnë krahinën. Si rrjellojë, Laikipia është e vetmja zonë në Kenia ku ka rritje të shëndoshë të popullsisë së kafshëve të egra. Vetëm në Laikipia numërohen mbi 100 luanë, shumë cita dhe leopardë, dhe hienat pikaloshe apo me vija. Nga fundi i vitit 1998, pas një mungese 20 vjeçare, u rishfaqën qentë e egër, që tani numërohen rreth 100 individë. Megjithë ngurrimet e fermerëve për të vrarë grabitqarët, prapë ka një kufi, i cili ka të bëjë me numrin e bagëtive që fermerët mund të tolerojnë të humbin. Statistikat tregojnë se çdo vit, mbi 20% e luanëve në krahinë vriten. Duhet të theksohet se dihet shumë pak rreth sjelljes së këtyre grabitqarëve në zonat e banuara nga njerëzit. Studimi i luanëve dhe gjurmimi i lëvizjes së tyre me anë të radio-kollareve tregoi se në Laikipia luanët jetojnë në grupe të vogla, dhe luanët meshkuj lëvizin nga një grup në tjetrin. Kjo është e kundërta e sjelljes së tyre në natyrë të patrazuar nga njerëzit, d.m.th. jetesë në grup të madh dhe ku luanët meshkuj nuk ndërrojnë grup. Një ndryshim tjetër në sjelljen e luanëve në Laikipi është se luanët gjuajnë vetëm, jo në grup, dhe shumica e luanëve janë të rinj. Shkalla e lartë e vdekjes/vrasjes së luanëve, ka çrregulluar mënyrën e tyre të jetesës, por prapë është herët për të folur mbi efektet afatgjata. Laurence Frank dhe kolegët e tij kanë si synim të parë reduktimin e numrit të vdekjeve/vrasjeve të luanëve. Ato duan të informojnë fermerët se sa është rreziku real i grabitqarëve për bagëtinë e tyre. Në Laikipia, mesatarisht grabitqarët vrasin 0,8 % të lopëve dhe 3% të deleve në vit, d.m.th. një numër që është vetëm një e treta e numrit që ngordhin nga sëmundjet. Grabitqarët preferojnë prenë e egër, zebrën, antilopën, buallin, megjithëse bagëtitë janë pre shumë më e lehtë për ta. Prapë, këto statistika s’janë ngushëllim i madh për ndonjë fermer, bagëtitë e të cilit sulmohen natë për natë nga ndonjë luan “vesveseli”. Luanët, që pasi sulmojnë bagëti për herë të parë rrallë heqin dorë nga ky “zakon” i ri. Studimet e grupit të projektit Laikipia mund të ndihmojnë fermerët të gjurmojnë e të vrasin individët e duhur. Rezultatet, ndryshe nga ç’besohej, tregojnë se s’janë vetëm luanët meshkuj që sulmojnë bagëtitë, por edhe luaneshat. Mënyra më e mirë për të mbrojtur grabitqarët është të parandalosh takimin e tyre me bagëtitë, pohon L. Frank. Sa më pak bagëti të gllabërohen nga luanët, aq më pak luanë do të vriten nga fermerët, plotëson ai. “Boma” është një gardh rrethues tradicional afrikan, ku bagëtitë lihen gjatë natës. Një bomë e fortë, me shkurre gjembaçe, me portë të forcuar me fletë metalike, i jep fund vizitave të hienave dhe pakëson në minimum atë të luanëve dhe leopardëve. N.q.s. gardhi ruhet dhe me qen që jep alarmin, e pasuar nga një e shtënë në ajër nga një roje, atëherë mund të thuhet se bagëtitë janë më se të sigurta. Mënyrat tradicionale janë efektive dhe shumë të lira, thotë Franku. Një roje paguhet 30 USD në muaj, kurse një ka ose kope kushton rreth 300-400 USD. Një çoban që shpenzon edhe 10 USD për një portë metalike për gardhin, mund të reduktojë në zero humbjen/vrasjen e dhive dhe deleve. L. Frank ka bërë edhe llogaritje të tjera, atë të çmimit të tolerimit (mosvrasjes) të një grabitqari. Kostoja e mbrojtjes së bagëtive, plus kosto e bagëtive të humbura/vrara pjestohen me numrin e grabitqarëve që “vizitojnë” stallat. Luanët, s’është për t’u çuditur, janë më të shtrenjtët. Të tolerosh një luan kushton 360 USD në vit, baraz me një lopë, ose 9 dele. Hienat janë më të lirat, 35 USD, kurse leopardët kushtojnë rreth 180 USD, sa gjysma e shumës për një lopë. Megjithatë, për disa kostoja prapë është e lartë; plumbat, kurthet e helmet janë më lirë. Shumë njerëz i konsiderojnë këto kafshë si parazitë, pa asnjë vlerë. Ata duhet të kenë një vlerë pozitive financiare që njerëzit të marrin mundimin e të shpenzojnë për të mbrojtur bagëtitë e tyre, dhe grabitqarët në të njëjtën kohë. Ka dy rrugë nëpërmjet të cilave këto kafshë gjuetare mund të bëhen burim financiar për njerëzit. E para është ekoturizmi. Fermerët e Laikipias ka kohë që e shfrytëzojnë këtë industri. Vështirësitë janë në parandalimin e prishjes së territorit ku luanët dhe grabitqarët e tjerë gjuajnë. Çobanët tradicionalë janë gati, por kanë nevojë për ndihmë. Një tjetër vështirësi është kufizimi i tregut që mund të ofrojë turizmi. Jo të gjitha kafshët e egra mund të soditen, duke patur një sfond tipik spektakolar afrikan. Përkundrazi, shpesh ata gjenden të maskuara pas shkurrve apo barit të lartë të savanës. Ekoturizmi është edhe i brishtë në të njëjtën kohë; luftërat civile apo alarmet terroriste e kanë dëmtuar rëndë këtë industri në Kenia. Rrugë tjetër është sporti i gjuetisë. Shumë s’e aprovojnë, biles vetë L. Frank është përkrahës me gjysmë zëri i kësaj alternative. Në Kenia ka 25 vjet që ligjërisht ndalohet gjuetia e kafshëve të egra. Nga ana tjetër, megjithëse pak ironike kjo, sporti i gjuetisë ka qenë shtytësi i gjallërimit të kafshëve të egra në Afrikën e Jugut dhe në Namibi, dhe është tashmë në rang industrie në Tanzani, Botsvana dhe Zimbabve. Sporti i gjuetisë kërkon mirëmbajtjen e territoreve të tëra, të cilat mundësojnë rritjen e popullatave të shëndosha të kafshëve të egra të mjaftueshme për “të prodhuar” individë trofe, luanë apo leopardë meshkuj më të mëdhenj e më të bukur se zakonisht. Një gjuetar shpenzon 30 mijë USD për të vrarë një luan të madh, ose rreth 15 mijë për një luaneshë. Vetëm në Laikipia mund të fitohen rreth 500 mijë USD në vit duke vrarë grabitqarët problematikë, të cilët vriten se vriten nga fermerët. Një shumë e tillë do të siguronte të ardhura të mjaftueshme për rritjen dhe ruajtjen e një popullate të shëndoshë luanësh për një dekatë. Duhet të theksohet se ky sport i gjuetisë duhet të ketë kufij dhe rregulla rigoroze në mënyrë që të mos dëmtojë popullatën e kafshëve të egra. Gjuetia e shfrenuar ka shkaktuar zhdukjen e disa lloje kafshësh dhe shumë specie të tjera i ka degdisur në limitin e zhdukjes. Fatos Kopliku Biolog gjenetist molekular Londër
Prodhime të edukatës komuniste Letër drejtuar gazetës “Shqipëria Etnike” Duke qenë se kam jetuar shumë në Perëndim dhe duke shpresuar se ju jeni një dritare e hapur për mendime të ndryshme, të vlefshme për kombin tonë, dua të jap mendimet e mia lidhur me disa prodhime që mua më duken komuniste në gazetën tuaj. Sipas një artikulli shkruar në gazetën tuaj nr. 46, redaksia juaj si ka mundësi që ka nderin të njoftojë shoqatën me emrin absurd “Dukagjini”? Vetë them se ata janë enveristë, pasi me artikullin e tyre në gazetën “Shqipëria Etnike” kanë cënuar rëndi dinjitetin, krenarinë dhe zakonet e popullit të Dukagjinit, që unë i çmoj fort. Unë dhe shumë njerëz të ndershëm që e duam fort Shqipërinë, kemi parë shpesh herë nëpër libra e gazeta, intervista e shkrime absurde intrigash si p.sh. shkrimtarë të “famshëm” si Dritëro Agolli e Ismail Kadare, që deri dje kanë folur gjuhën greke ose turke, sepse s’kanë ditur apo dashur të dinë çka është gjuha jonë aq e mirë shqipe. Kur ata kanë gjetur një shqipe të sakatuar, që nuk është fyerje ta etiketojmë “bastarde”, kanë gjetur qëllimin, bashkë me Enver Hoxhën, për ta asgjësuar krejtësisht inteligjencën e kombit. Pra, kanë detyruar me përdhuni, (pasi nuk është bërë referendum, si në botën perëndimore, për këtë gjë), të gjithë popullin shqiptar brenda kufijve territorial që të flasë atë shqipe, thjeshtë si të Gjirokastrës, ku pati lindur Enveri. Është më mirë që Shqipëria të shkruajë gjuhën e të parëve, siç flitet e shkruhet nga gjithë shqiptarët nëpër botë, e gazetat e librat të thonë ato që janë për t’u thënë. Pra, enveristët nuk shkruajnë kurrë që kur ishin X-si apo Y-i në kryesinë e shtetit shqiptar shokët apo bashkëpunëtorët e Osama Bin Ladenit, i çelte drita në shtetet arabe e i errte nata në Tiranë. Biles, i zbardhte dita tjetër nënshtetas shqiptarë, po ju që keni dalë doktorë profesorë, mendoj se nuk dini çfarë shkruani, se të jetë normale nuk shkruani gjëra që nuk duhet për vendin tuaj, Shqipërinë tonë. Unë them se gjërave të mira gjithkush me mendje në kokë u ban mashallan. Lexova në gazetën “Shqipëria Etnike” historinë e doktoreshë E. Shala, e cila ishte një mjeke shumë e nderuar, e respektuar, e aftë, biles ndër më të mirat që kishte qyteti i Shkodrës. Bukur, fort bukur këtu, por jo mirë për shkrimin që thashë në fillim të letrës sime. Po kopjoj tek-tuk, shkurt, ndonjë frazë të shkruar në gazetën “Shqipëria Etnike” në nr. 46. Aty thuhet: “çfarë do të zhvillohet e trashëgohet brezave në kushtet e reja dhe çfarë do të mbesë në muze, se shoqëria e re që kërkojmë të krijojmë e të integrohemi, kërkon një përpjekje tjetër, një konceptim të ri, që dukagjinasi të mos shikohet si sinonim i së keqes, por si një element i domosdoshëm i krjimit të kësaj shoqërie të re dhe integruese…” Zotëri, të tilla klishe i kanë përdorur komunistët prej vitit 1941, kur misionarët serbo-sllavë erdhën në Shqipëri, asgjësuan partinë komuniste që ishte krijuar që në kohën e Ahmet Zogut, si Zef Mala me shokë, që pat thënë “Me pre kryet tem del nji tjetër”. Kështu e di unë, kështu është historia. Më tej lexojmë në gazetë kështu: “…Atëherë duhet të jemi ata që me punën tonë t’i minimizojmë këto fenomene negative dhe t’i japim një fytyrë të re, përpjekjeve për t’u integruar në jetën shoqërore-qytetare, në jetën civilizuese…” Si shqiptar, por edhe si i qytetëruar perëndimor them se këto mënyra absurdi i keni shpjeguar që prej vitit 1943, kur agjentura serbo-komuniste formoi klikën tradhëtare Enver-Mehmet-Hysni, të cilët filluan pastrimin, më së pari të shokëve të tyre më të mirë, të patriotëve më të mirë, të trimave më të mirë. E, këto mënyra pastrimi vazhduan për afro 50 vjet me radhë, deri në zhdukjen e yndyrës sonë kombëtare. Prapë po citoj diçka nga gazeta juaj: “Sot është e pakuptimtë të ndodhë vrasja e gjakmarrjes, prototip i të cilëve shikohet dukagjinasi i kësaj shëmtie njerëzore…” O zotëri të kësaj shoqate, jeni munduar të paraqitni popullin e Dukagjinit, si një popull shumë primitiv. Është dashur që para se të filloni të bëni shoqata, para se të shkruani, të lexoni libra, fletore e gazeta, të cilat do t’u kishin hapur horizont fort më të gjerë se librat e Enver Hoxhës. Gjakmarrja nuk ekziston vetëm në Dukagjin, por Veri e Jug këtu në Shqipëri, por edhe në shtetet perëndimore si Itali, Francë e vende të tjera. Po të kishit më shumë kulturë e njohje, do të kishit mësuar sa të tmerrshme janë gjakmarrjet në Siçili, Napoli, Caserta e të tjerë. Ha ucciso tre persone per il suo fratello. Pra ec e vraja djalin a dikë, ti, në daç. Sigurisht jeni larg njohjes së demokracisë botërore e rregullave atje. Sigurisht që nuk keni parë filmin amerikan, ku prifti që i kishin vrarë vëllanë, kishte prerë në masën e duhur faqet e ungjillit dhe kishte vendosur patllaken në libër. Për t’iu lutur Zotit, ë…?! Kur ju shprehni se kanuni i maleve me Lekë Dukagjini duhet të mbesë në muze, unë mund të shprehem se nuk duhet ashtu dhe atyre që mendojnë ashtu mendoj t’u them tradhëtarë të zakoneve shqiptare. Dukagjini me principatën e vet ka qenë një ndër më të përparuarat në Europë. Edhe sot e kanë ditën e gjithë ditën e gjithë bota e nderon Kanunin e Lek Dukagjinit, me ligjet e tij dhe me rregullat shoqërore, njerëzore e morale. Është e vërtetë që Kanuni me këto ligje nuk e ka paraparë logjikën neo-komuniste me të gjitha mënyrat e reja të saj, konceptim të ri, domethënë me masakrue nënën, babanë, vëllanë, motrën, djalin vajzën, etj., fytyrë e re, domethënë me përdhunue kunatën, motrën, etj., etj., shoqëri e re, domethënë me vjedhë, me vra, me poshtërue në të gjitha mënyrat që të jetë e mundur, shoqata e re, domethënë me krijue mënyrën që me tradhëtue sa më shumë në gjithë format. Është e vërtetë që bashibozukët osmanllinj dhe sllavo-komunistë, kanë përdorur të gjitha mënyrat e të gjitha poshtëritë që ka qenë e mundur të imagjinohen, për të degjeneruar Kanunin e popullit të Dukagjinit, ku ishte rrënja e pemës mijëra vjeçare që prodhonte frutet patriotike, gjuhën, zakonin, besën, trimërinë, e të gjitha traditat e mira të popullit shqiptar, të pamundura për t’u cënuar prej 3000 vjetësh, kanuni ndalon rreptësisht të bëhet hakmarrje tek një djalë që nuk është afërsisht 18 vjeç ose i armatosur. Është rreptësisht e ndaluar me kanun të cënohet një grua apo fëmijë të familjes së armikut. Këto duhet të thoni ju, për të qenë mirë me shqiptarizmin, pasi këto që bëhen sot janë prodhime të edukatës komuniste, por që thuhet se gjoja i ka kanuni. Por kanuni është i shkruar qartë me rregullat e tij në libër. Pra, përpar se me dalë me folë në televizor apo në gazetë për kanunin, duhet ta lexoni e ta studioni, ta analizoni e jo me folë në mënyrë absurde pa patur asnjë njohuri. Unë dua t’i dal zot vazhdimisht vendit tim, kombit tim dhe i them e do i them gjërat me kulturë e pa të keq. Pjetër Gjelosh Kushi Kelmend: PD-ja përballet me hilet Zona më e persekutuar e Shqipërisë, Kelmendi, nuk ka shfaqur asnjë mëdyshje apo vonesë në zgjimin përballë batërdisë së diktaturës komuniste. Nëse Enveri dikur dërdëlliste për “lugë floriri” apo mirëqenie dhe Jugu ngrinte grushtin lart, kelmendasit e ngrinin grushtin, por duke përkulur poshtë gishtin e mesit. Kështu pra, që në fillim të viteve ’90, kelmendasit votuan për partinë demokratike, e megjithatë në dy “ndeshjet” e zgjedhjeve vendore të fundit, pra të 1 tetorit 2000 dhe të 12 tetorit 2003, vota e lirë e popullit u përball natyrisht jo me burgjet, kampet e punës, internimet, mbylljen e kufijve, pushkatimet, por me hilet e një partiçke të vockël, paterica e një politike që gjithsesi nuk është demokratike, e aftë të risjellë ato hapësira e mirësi që zona kishte nga viti 1992, kur për herë të parë njerëzit e ndjenë veten të lirë të punojnë për veten, të besojnë për veten, të kursejnë për veten. Demokrati Kolë Aliaj, aktualisht kryetar i Komunës së Kelmendit, në zgjedhjet e 12 tetorit, ka një kapërcyell të kalbur që duhet kaluar. Është një Nikollë Lesian, që pretendon të ketë fituar, është një monstër që kafetiset me të njëjtin spektator si më 2001-shin dhe që pat vonuar për afro një vit mandatin e ish-kryetarit demokrat të asaj kohe Prelë Gjelaj. Pas këtyre elementëve, normalisht fshihet një dorë e keqe e një objektivi për të provokuar deri në ç’gradacion vete zemërimi i malësorëve për të luftuar diktaturën e kuqe, që normalisht nuk mund të rikthehet haptas nga PS-ja pa kaluar nëpërmjet një “ene” të një modeli në dukje ndryshe, pra nga partia e Lesit që për hir të së vërtetës duhet pranuar se në fillim të vitit 1997 ishte aktori i parë dhe i fundit që bëri thirrje për luftë civile përmes gazetës “Koha Jonë” dhe që pati fund rrëzimin me dhunë të pushtetit demokratik. Këto më mirë se askush i dinë kelmendasit, që votën kundër PD-së kanë të drejtë ta identifikojnë me votë pro diktaturës. Në Kelmend pra, ka fituar PD-ja, paçka se pretendohet se kanë votuar 10 të vdekur. Është afër mendësh që nëse ata 10 të vdekur votuan, s’mund të votonin të tërë për PD-në. Vetëm në iu besoftë fallit të Nikolë Lesit apo Fatos Nanos. Pastaj në Tiranë janë 18000 të tillë dhe gjithsesi çafkat si Ilirian Celibashi që bën mëk-mëk sa herë kollitet PS-ja, dhanë verdiktin se nuk përbëjnë problem aq vota! Nëse bëhet fjalë për fshatin Brojë, atëherë do i kujtonim partisë fantazëm të Lesit se Kolë Aliaj ka marrë 87 vota, ndërsa Ndue Lelçaj 80 vota. Po manipulime a mund të ketë patur? Thuhet se në Selcë janë manipuluar 74 vota e në Vermosh 30 vota kundër kryetarit aktual të komunës, Kolë Aliaj, që gjithsesi edhe këto nuk përbëjnë ndonjë problem, pasi kelmendasit kanë përballur edhe vjedhjen e lirisë së jetës e kokën e krenarinë nuk e kanë përkulur. Gjithsesi, PD-ja dhe kryetar Kolë Aliaj kanë synimet e veta të qarta për zhvillimin e zonës. Funksionimi i pikës kufitare atje do e bëjë Kelmendin një zonë me ekonomi të mirë. Por mbi të gjitha do jetë përkushtimi njerëzor dhe përdorimi i fondeve në mënyrë të drejtë e jo siç mendojnë xhambazët mjeranë dhe klanet. Korresp. i “Shqipëria Etnike”
Masakër zgjedhore në Shkodër “Ujku i Kuq” kafshoi zgjedhësit në listat e votimit. Qendrat e votimit në mënyrë të papritur largohen në distancë të madhe nga votuesit. Të vdekurit nunk çrregjistrohen. Kodi i ri zgjedhor jepet mbasi u krye masakra në listat zgjedhore. 12 shtator 2003. Shkodra gdhihet e shqetësuar. Mijëra zgjedhës nga krahu i djathtë janë përjashtuar nga votimi. Nga të përjashtuarit janë militantë të PD-së e forcave politike të djathta. Më shumë bien në sy të burgosur politikë, që ende iu duken të stamposura shenjat e prangave në duart e tyre, që dikur i nguleshin në mish. Kjo është një katastrofë zgjedhore, thonë zgjedhësit. “Ujku i Kuq” ka kafshuar mbi 10 mijë votues nga listat e votimit, thonë komisionerët e shumtë. Konkluzioni: Mesatarisht në të gjitha qendrat e votimit të Bashkisë së Shkodrës u janë grabitur gjer në 30% e votuesve, duke i hequr nga listat. Megjithë sa më sipër, Shkodra, bastioni i demokracisë fitoi, fitoi Partia Demokratike dhe kandidati, profesor doktor, ish-zv/Dekan i USH “Luigj Gurakuqi”, zoti Artan Haxhi. Për të parë katastrofën zgjedhore që ndodhi në Bashkinë e Shkodrës, menaxhuam krahas të tjerave qendrën e votimit 0314. Masakra 0314 Do të kalojnë dekada e do të mbahet mend në historinë e pluralizmit në Shqipëri, si një njollë e zezë, masakra apo katastrofa zgjedhore që kulmoi në qendrën e votimit 0314. Po pse u sulmua kaq ashpër kjo qendër votimi? Arsyet janë serioze. Kjo qendër votimi ka seksionin e PD-së ndër më të mirët në Bashkinë e Shkodrës, ndaj dhe u godit duke u përjashtuar mbi 30% e zgjedhësve nga listat. Me qindra zgjedhës s’e gjenin votën në lista, një sasi e madhe familjesh edhe pse banojnë në më shumë se një vit në Shkodër, s’figurojnë në listat e votimit, çka bën shkelje të ligjit për zgjedhjet dhe përkatësisht të Nenit Nr. 3, Nr. 50 e Nr. 58. Grupi i punës i seksionit evidentoi mbi 300 zgjedhës që u ishte hequr e drejta për të votuar. U kërkua që të regjistroheshin në listat e votimit qindra votues duke dorëzuar dhe listat emërore, or Celibashi e Celibashët u gjetën të shurdhër e të verbër. Nga 1052 votues që ishin afishuar duke shtuar mbi 300 që do të rritej shifra 1352, jo vetëm që nuk u shtuan, por u hoqën nga lista paraprake edhe 40 votues, çka mbetën në lista 1012 votues, duke përjashtuar nga lista mbi 300 votues. Largimi i papritur në distancë të largët nga zgjedhësit duke lënë qendrën e Stacionit të Trenit që ishte më parë e duke e vendosur në Shkollën “Ndoc Mazi”, se të gjithë e dinë sa largësi është nga shtëpitë përtej Kirit e pas shinave deri te Fabrika e Këpucëve e te Varrezat e Dëshmorëve, për të vajtur te Shkolla “Ndoc Mazi”. Nga kjo zhvendosje janë lënë jashtë votimit të paktën 100 zgjedhës të moshuar e të sëmurë, kështu që numri i përjashtimit nga votimi shkon në 400 votues, kryesisht të partive të djathta. Ata shkonin për të votuar por emri s’figuronte. Ca, me qindra votues endeshin duke kërkuar qendrat skaj më skaj Shkodrës. Celibashi e Celibashët e kthyen Bashkinë e Shkodrës në “1” qendër votimi, duke ndarë edhe bashkëshortët sipas modelit të “luftës së klasave”. Në lista figuronin të vdekur dhe të gjallët që s’ndodheshin fare. Një i moshuar nga Lagja “Tre Heronjt” tregon: “Vajza ime ka vdekur 29 vjet më parë dhe djali para disa muajve dhe që të dy e kishin emrin në listën e votimit, ndërsa djali tjetër 25 vjeçar që e kam gjallë, nuk figuronte në listë, a thua se isthe edhe ai i vdekur! Ai vazhdon: Sapo pashë sidomos emrin e djalit të vdekur, meqenëse plagën e kisha të hapur, zemra sa s’mu ça dhe ashtu sikur më urdhëroi dikush, instinktivisht u drejtova nga varrezat: “Çohu o bir, çohu se të ka dalë emri në listën e votimit!” dhe vaji më mbyti…” Duke u mbështetur në Ligjin 9087, dt. 19/06/2003, Neni 117, Pika 1, Shkronja A, për manipulimet e zgjedhjeve, Qendra e Votimit Nr. 0314 quhet me zgjedhje të pavlefshme me manipulime të tilla. Edhe krahasuar me manipulime skandaloze kjo qendër ka figuar aq shumë sa askush nuk e kishte pritur. Social-komunistët ta thyejnë lapsin dhe pastaj të thonë: “Urdhëro e shkruaj!” Të përjashtojnë nga listat e votimit, pastaj të thonë: “Urdhëro e voto! Urdhëro e fito!” Me Celibashin e Celibashë të tillë e me lista të tilla nuk shkohet në zgjedhjet parlamentare që po na presin krahëhapur për fitore të sigurtë. Celibashi e di se… po vjen PD-ja në pushtet, se pushtat s’mund t’i pranojë populli të pusht-et-ojnë. Pal Rupaj
Zef Bushati, gjenerali pa ushtarë Drejtuar: Unionit Kristian Demokrat Europian Partisë Shqiptare Demokristiane të Kosovës Partisë Shqiptare Demokristiane të Kosovës në Diasporë Unionit Shqiptar Demokristian (Kryesisë së mbetur USHDK) Degëve të PKDSH në rrethe (anëtarëve të thjeshtë të PKDSH) Intelektualëve Demokristianë apo Kristian Demokrat Shqiptarë
Partia Kristian Demokrate e Shqipërisë, e themeluar dhe regjistruar në Gjykatën e Faktit, Tiranë, më 14 shtator 2001, ju informon dhe ju bën thirrje! PKDSH lindi si rezultat i luftës së pa princip të ish-kryetarëve të ish-PDK, si nevojë e domosdoshme e përfaqësimit të alternativës politike me orientim Kristian të ish-Demokristianëve të vërtetë idealistë, pas çarjeve dhe përçarjeve nga ish-kryetarët e PDKSH-së, që për interesa meskine karrieriste, pragmatiste, përfitime materiale e financiare të paligjshme shkelën mbi moralin Kristian, mbi mundin dhe kontributin e anëtarësisë së thjeshtë demokristiane, shkatërruan strukturat e PDK-së duke shitur e blerë kush majtas e kush gjoja djathtas partinë sipas ofertave të rastit, duke shkelur statutin, programin dhe boshtin politik bënë të mundur kështu humbjen e fizionomisë së alternativës së ish-PDK-së si parti e qendrës së djathtë, mbi të gjitha hodhën baltë në kodin moral të Demokracisë Kristiane. Kjo luftë e pamoralshme shumë shpejt dha rezultatet negative në të gjitha fushat zgjedhore. Nëse në 1992, ish-PDK shënoi zyrtarisht mbi 49000-49950 vota, në vitin 1996, pas çarjeve që ndodhën brenda në parti, pas Kongresit të Tetorit 1996, rezultatet shënuan jo më shumë se 13000 vota për ish-PDSH. Grykësia e ish-drejtuesve të PDK-së e ish-Kryetarit z. Zef Bushati në fakt të shkarkuar nga Kongresi i Tetorit 1996 me vendim të këtij forumi superior statutor me rezultatin 300 vota kundër dhe vetëm 2 pro tij. Pas uzurpimit të partisë nga Z. Bushati, tashmë kryetar i shkarkuar nga forumet më të larta legjitime të ish-PDK, pushteti i atëhershëm i dha mbështetje Z. Bushatit, sot ambasador i Shqipërisë në Vatikan, për ta përdorur si gjeneral pa ushtarë, sipas teorisë së limonit të shtrydhur. Për rrjedhojë Z. Bushati përjashtoi Partinë nga Partia!!! Ish-demokristianët e vërtetë u ndoqën e u përndoqën, u përndoqën pa mëshirë duke i ndjekur nga puna, survejuar e deri duke i vënë për t’i eleminuar deri edhe fizikisht. Kështu z. Bushati nga 1996-1997 deri 2000 ushtroi sundimin e tij prej pseudo-demokristiani, nëpërmjet derdhjes totale të ish-PDK. Në vitin 2000, z. Bushati rishiti partinë dhe siglën e saj PDKSH këtë radhë tek socialistët e ish-Presidentit Mejdani dhe ish-Kryeministrit Meta për të siguruar kolltukun e Ambasadorit të Shqipërisë në Vatikan, duke bërë koalicion (kuptohet fiktiv) të hapur me të majtën e lartpërmendur, një tjetër paradoks i z. Bushati. Në këto momente, demokristianët të cilët ishin tërhequr, për arsyet e larpërmendura e përndjekjeve sistematike, u zgjuan dhe tentuan të shpëtonin PDK. Por z. Bushati me mbështetjen e ish-Presidentit Mejdani e ish-Kryeministrit Meta, me urdhër të tyre emëron z. Lesi, duke i lënë një letër me vulë si kryetar i Partisë Demokristiane, (si shpërblim thuhet për 25000 $, të marra nga Z. Bushati për shitjen e partisë)! Por skenari në dëm të Demokristianizmit nuk mbaron me kaq. Z. Bushati i lë një vendim me vulë të PDK-së edhe z. Sokol Frroku, duke e mandatuar kështu kryetar të PDKSH-së deri në Kongresin e radhës. Me këto veprime, Z. Bushati bëri fakt rishpërndarjen e PDKSH, ndërsa ish-demokristianët që shpresonin se këtë rradhë do të bashkoheshin, morën edhe një herë grushtin e radhës nga ata që më së shumti nuk ishin demokristianë asnjë ditë!!! Pra, Z. Bushati, në zbatim të urdhërave të eprorëve të tij, vulosi përfundimisht përçarjen e PDKSH-së. Z. Sokol Frroku bëri Kongres të PDKSH-së më 3 Qershor dhe u zgjodh Kryetar i PDKSH-së. Z. Nikollë Lesi bëri një Kongres tjetër pas 12 ditësh dhe u zgjodh Kryetar i PDKSH-së. Dy kryetarë me një parti, z. Frroku, avokat, anëtar i këshillit vendimor i PD-së në minibashkinë Kamëz; z. Lesi, deputet i PS-së në Parlamentin Shqiptar. Paradokset s’kanë të sosur! Demokristianët protestuan si tek njëri ashtu edhe tek tjetri. Ky i fundit, megjithëse vazhdon të jetë në gjyq për siglën e PDK-së nga z. Frroku, raundet në gjykatat e korruptuara i fiton, kuptohet deputeti i PS-së duke paguar (me të thëna), av. z. Frroku, Kryetari i PDKSH-së shpreson të fitojë në Gjykatën e Shkallës së Dytë, në Apel! Ndërsa partia në ankand, pa identitet! Në shtator 2001, fill pas ngjarjeve tragjike të 11 Shtatorit në Kullat Binjake në Amerikë, një grup pushtetarësh demokristianë (pushtet vendimor) të ish-PDK si dhe demokristianë të vërtetë e idealistë organizuan lëvizjen reformatore demokristiane dhe pranojnë dhe mbështesin inisiativën e av. z. Fran Dashi, ish-Kryetar i PDK-së, Dega Shkodër, mjaft frytdhënës për PDK dhe themeloi Partinë Kristian Demokrate të Shqipërisë. Av. z. Fran Dashi zgjidhet unanimisht Kryetar i PKDSH. Që nga kjo ditë, ish-demokristianët e vërtetë e idelistë iu përveshën punës për shtrirjen e partisë në rrethe të ndryshme të vendit, me moton: Për kthimin e identitetit të humbur të lëvizjes Kristian Demokrate, bërjen e strukturave të PKDSH, futjen në zgjedhjet vendore të 12 tetorit 2003 me modesti (themi me modesti se pa asnjë mbështetje reale apo financiare). Tani PKDSH është parti në pushtetin lokal, duke fituar në disa komuna e bashki anëtarë këshillash vendorë. Në periudhën fill pas themelimit dhe atë parazgjedhore PKDSH mori kontakte me të dy pretendentët për Kryetarë të PDKSH, për t’i vënë edhe një herë në provë të bashkimit dhe rezultoi se z. Lesi nuk pranoi as të ulet në tavolinë, ndërsa Kryetari i PDKSH, z. Frroku pranoi të ulet në bashkëpunim duke dhënë kontributin me kontigjentin e tij ish-demokristian nën siglën e PKDSH, biles me rezultate të mira në degën e Tiranës në zgjedhjet e 12 tetorit 2003. Në këto momente zgjedhjet kanë 3 javë që kanë përfunduar dhe rezultatet nuk janë komunikuar akoma nga KQZ. Manipulimet vazhdojnë si nga PD ashtu edhe nga PS, secila në interes të vet dhe në dëm të partive të vogla, për rrjedhojë dhe në dëmin tonë. Kësaj situate i paraprin ligji për zgjedhjet e pushtetit vendor, i cili përjashton partitë e vogla jo parlamentare nga e drejta për të pasur komisionerë në komisionet zgjedhore e ato të qendrave të votimit gjithashtu dhe nga e drejta për të rinumëruar votat për subjekt në rastet kur vërehet se ka shkelje e fallsifikim për rezultatin e lartpërmendur, duke ia deleguar të drejtën vetëm dy partive të mëdha dhe tre apo katër partive satelit të tyre. Jemi në pritje të shpalljes së rezultateve të zgjedhjeve nga komisioni qendror i zgjedhjeve, i cili po e kryen detyrën e tij në thellimin e manipulimeve të mëtejshme të rezultatit të zgjedhjeve vendore të 12 tetorit 2003. Sapo të marrim përgjigjen zyrtare nga KQZ-ja do t’ju bëjmë prezent menjëherë rezultatet që kemi arritur dhe ne konkretisht. Nga të dhënat e deritanishme del se jemi radhitur brenda 20-shes nga 63 partitë e regjistruara në këto zgjedhje të fundit. Theksojmë se PDK ka përsëri rrënie më të ndjeshme nga sa kishte më parë, ndërsa PBDKSH ka zero pikë, po kështu edhe PSKSH zero pikë, respektivisht PBDKSH me dy Kryetarë, z. A. Perbibaj dhe z. E. Dungu, ndërsa PSKSH me Kryetar z. F. Bruk. Vlen për t’u theksuar se PKDSH me gjithë fallsifikimet që na janë bërë kemi shënuar rezultate të kënaqshme, jemi parti në pushtet, në pushtetin vendor. Në përpjekjet tona parazgjedhore u duk se PSHDK e Kosovës do të na mbështeste, fakti tregoi se Kryetari i PSHDK të Kosovës, akademiku z. Mark Krasniqi na mbështeti, por vetëm me fjalë. Ndoshta ata i kishin mundësitë për më shumë. Në kushtet ku sapo jemi themeluar si parti politike me një emër të ri me orientim perëndimor europian me dëshirën dhe përpjekjet tona për të rifituar emrin e mirë, identitetin politik dhe dëshirën për t’u anëtarësuar në UKDE dhe IKD e shohim të udhës të punojmë për riorganizimin e Unionit Kristian Demokrat, zgjedhjen e Kryetarit të këtij Unioni dhe plotësimin e kësaj Kryesie. PSHDK e Kosovës me sa shohim nuk angazhohet, siç duket elementit jo demokristian brenda saj, me prirje fondamentaliste islamike, nuk i intereson riorganizimi i këtij forumi mbarëkombëtar e për rrjedhojë na mbajnë me fjalë të mira por pa bereqet. PKDSH mendon se Unioni Shqiptar Kristian Demokrat duhet të rifillojë jetën dhe veprimtarinë politike e atdhetare për evidentimin e forcimin e vlerave Kristiane Demokrate mbarë Kombëtare. PKDSH u bën thirrje të gjithë anëtarësisë, simpatizantëve, sidomos intelektualëve ish-demokristianë, Partisë SHDK Kosovës në Diasporë, Kryesisë së mbetur të USHDK, të gjithë atyre që e shohin veten të distancuar nga qëndrimet e z. Bushati apo të tjerëve që zënë shkak me hir apo pa hir tek z. Bushati e që me indiferencën e tyre bëjnë bojkote dhe më të rëndë se ai, të na ndihmoni të bëjmë të mundur shkrirjen e akullit që ka mbërthyer Lëvizjen Kristian Demokrate mbarë Shqiptare. Mendojmë se partitë e Diasporës, për vetë mundësitë që disponojnë duhet t’i japin shtytje USHKD të funksionojë normalisht e me një frymë të re për vetë kushtet e momentit delikat që kalon kombi shqiptar në trojet etnike kudo që ndodhet!!! Ne, PKDSH mendojmë se Kryetari dhe dy zv/Kryetarët e USHDK t’i kenë si poste partitë e Diasporës, ndërsa një zv/Kryetar dhe Sekretarin e këtij Unioni t’i lihet PKDSH, Selia e USHKD të jetë në Tiranë, në shtetin amë, në Shqipëri. Ne mendojmë se z. Lazër Krasniqi, aktualisht anëtar i Kryesisë së këtij Unioni, njëkohësisht edhe inisiator i themelimit të këtij Unioni që në vitet 1991 dhe z. Dedë Hajdari, zv/Kryetar i këtij forumi do të kenë predispozicionin dhe detyrën për ta vënë në lëvizje të funksionojë ky organ superior politik mbarë shqiptar dhe për rrjedhojë të paraqitemi më dijnitozë jo vetëm para faktorit politik shqiptar, por edhe atij ndërkombëtar, si një komb që di të ringrihet i freskët e i vetëdijshëm për realizimin e aspiratave liridashëse për vetëvendosje, pavarësi e integrim në familjen e madhe europiane. Presim me besim se thirrja jonë do të bëhet realitet dhe USHKD do të rivendosë identitetin tonë politik e kombëtar!!! PKDSH, Dega Mirditë Kryetari Zef Lleshi Sqarim Në numrin e kaluar të gazetës “Shqipëria Etnike” është botuar shkrimi me titull: “Emërimi i drejtorit Spartak Lame nga Tirana, në drejtorinë rajonale të shërbimit të transportit në Shkodër, është fyerje dhe poshtërim që i bëhet këtij qyteti”. E ndjej për detyrë të sqaroj, se të dhënat janë marrë nga burime të njëanëshme, duke mos dëgjuar edhe palën “akuzuese”, konkretisht Drejtorin e Drejtorisë Rajonale të Shërbimit të Transportit Shkodër, z. Spartak Lame. Për të pastruar ndërgjegjen dhe për hir të etikës korrekte në profesionin e gazetarit, them se ka patur ndonjë pasaktësi në disa elemente të shkrimit. Dhe ndonjë nga të dëmtuarit e reformës nga Drejtori Spartak Lame e ka shfrytëzuar për dobësi, pasi i prishej ndonjë interes personal në fushën e dypunësimit. E theksoj, se s’kam patur asnjë qëllim keqinformimi për të akuzuar drejtorin, veçse është një pakujdesi për të ballafaquar burimet e marra për objektin e shkrimit. Fatime Kulli
Nderohen 19 karabinierët italianë të rënë në Irak. Me këtë rast Konferenca Ipeshkëvnore Shqiptare celebroi një meshë në Kishën Françeskane në Shkodër Janë përkujtuar dje pasdite 19 karabinierët italianë të vrarë në Irak, të cilët kishin shkuar për të ndihmuar policinë vendase. Në përkujtim të viktimave në Kishën Françeskane në Shkodër, u celebrua një meshë për shpirtërat e të rënëve. Këtë meshë e celebroi Imzot Angjelo Massafra, Arqipeshkëv i Arkidioqezit të Shkodrës dhe President i Konferencës Ipeshkëvnore Shqiptare, në gjuhën italiane. Ishin të pranishëm i gjithë trupi diplomatik i Konsullatës Italiane në Shkodër, i përfaqësuar nga Konsulli Roberto Orlando. Gjithashtu ishin të pranishëm të gjithë italianët që ndodhen për punë e mision në Veriun e Shqipërisë. Në nderim të të rënëve morën pjesë drejtuesit më të lartë të Policisë së Shkodrës, të përfaqësuar nga Drejtori i kësaj Drejtorie Asllan Dogjani. Gjithashtu ishin të pranishëm autoritete lokale si Prefekti Leqejza, përfaqësuesi i Shoqatës Mbarëkombëtare të Pajtimit Emin Spahija, si dhe të gjithë rregulltarët e rregulltaret e kishës katolike që ndodhen në Arkidioqezën e Shkodrës. Në fjalën e rastit, Mons. Massafra, ndër të tjera u shpreh… Pas celebrimit të meshës, qytetarë të ndryshëm, përfaqësues të policisë, autoriteteve vendore si dhe nxënësit e Shkollës jopublike “Cor Jezus”, së bashku me drejtoreshën e saj Giana Maria Grande, kanë ngushëlluar përfaqësuesit e konsullatës për këtë humbje. Zef Nika
Mikut tim Nikollë Daka Ka ca ditë që gdhendin veten, Në kujtesën tonë, Aq sa po ta kishim jetën, Baraz me gjithmonë, Nuk sulmohen prej harrese, Nga e sheh se dëshira e ëndjes, I thellon vijat e gdhendjes, Deri n’rrënjët e kujtesës. N’ditën që na njohu ne, Shiu i parë i vjeshtës së re, Ra mbi dhe. Mendja ime qiell me re, Zemra ime nji fole, E braktisur nga miqësia, Që u tremb nga fatkeqësia, Porsi zogjtë nga stuhia, Me ato pikla shiu të ftohtë, Era na gjuante fytyrën, Si për të na tallë mënxyrën E kthimi i ditëve të mia, T’kohës s’ngrohtë, Qe shndërruar në shigjetë, Që mërzia thellë, ma thellë e ngulë në jetë, Ecja pa ditur për ku, Kuturu si jeta ime, Ma as fjalët shpresë e ndrrime, S’më përkisnin E më nxisnin Si diçka që veç më vrisnin, Si diçka që veç më tallnin, E më kallnin tmerr e tmerr, Si vetmia e mërzia, Si ai shi e ajo erë Që vajtonin E më dukej sikur thonin: Nuk do t’ketë kurrë ma pranverë. Por ja paska ca të mjerë, Që edhe fatin prekin shpirt, Ktyre skllevërve t’trishtimit, U dhuron atë çast të hirt Që e quajmë dora e lehtsimit. Zemra jote diell miqsie, Shpirti yt gurrë dashurie, Zëri yt ajkë miklimi, Hyri n’qenien time t’ngrirë, Si hyn drita në errësirë, Zemër, shpirt në një i shkrime, Bashkë i ndamë dhimbje e gëzime Edhe kur fatkeqja ngjarje, Pjellë e padrejtësisë, T’bëri skllavi i qelisë, Ai largim për ne s’qe ndarje, Ne të dy qemë një frymëmarrje, Një frymëmarrje e dashurisë Edhe tash që je n’Amshim E tek Ai që është gjithkund, Zemra yte rrahë tek unë, Je pjesë e mendimit tim, Jemi një siç ishim dje Kështu qofshim edhe atje, Ku ti je. E ku lutesh veç për ne, Për Shqipërinë që aq e deshe, Se as tash nuk rrin në heshtje, Edhe sot, Fjala yte bëhet lot, Para zemrës me hirë plot. Gjokë Vata
Maskaradë politike -Intervistë me anëtarin e kryesisë së antikomunistëve të “13 Dhjetorit 1990” zotin Shuaip Daut Rragami- Pyetje: Si do i përcaktonit zgjedhjet vendore të 12 tetorit? Përgjigje: Është turpi i radhës i komunistëve. Këto nuk ishin zgjedhje të lira. Veç manipulimit me listat e zgjedhësve, ku iu mohura e drejta e votës demokratëve, pai vjedhje haptas të votave, madje edhe të kutive të votimit, siç pati shumë presione, deri në therje me thika. Pra zgjedhjet ishin një maskaradë e vërtetë politike. Pyetje: Pse mendoni që në Shkodër një ditë pasi fitoi PD-ja bashkinë, energjia elektrike u kufizua dhe rreth 18 orë në ditë nuk kishte energji? Përgjigje: Partia Socialiste ndëshkoi bastionin e antikomunizmit. Protestat e popullit ku i drejtoi kryetari i Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë Gëzim Kalaja, bënë që të vijë në Shkodër Ministri i Energjitikës Viktor Doda dhe të ketë në një farë soji drita vetëm për një javë dhe vetëm kaq. Pyetje: Si mendoni ju, do e pranojë kryeqendra e veriut shqiptar diferencimin politik sa të mos furnizohet as me energji? Përgjigje: Besoj që kurrsesi. Ka ardhur fundi i durimit. Unë si anëtar i Shoqatës Antikomuniste “13 Dhjetori 1990”, meqë nuk kemi ç’humbim më shumë do organizoj një grevë urie që të paktën të tërheqim vëmendjen e Trupave Diplomatike të akredituara në Shqipëri dhe të mbarë botës perëndimore. Meqë nuk kemi asnjë të drejtë njerëzore, të paktën drita të kemi. Pyetje: Shumë shokë tuajt janë vrarë, ju a keni frikë që deklaroheni kështu publikisht? Përgjigje: Kam provuar arrestime të shpeshta pa asnjë shkak. Dy herë ka patur tentativa të më shtypin me makinë me qëllim që eleminimi të jetë ordiner. Pra, kam kaluar shumë peripeci ku kam qenë më afër vdekjes se sa jetës, kështu që do të luftoj me tërë format demokratike për të drejtat e liritë njerëzore në Shqipëri. Pyetje: Diçka nga veprimtaria juaj antikomuniste? Përgjigje: Këtu do të zgjatem pak. Që kur kam lindur, më 06. 01. 1953, kam lindur si antikomunist. Pse do të thoni ju. Po, që në vitet e para të çlirimit të Shqipërisë, daja im Sait Tagani u pushkatua pa gjyq nga strukturat e diktaturës së Enver Hoxhës. Isha pra i dënuar që para lindjes. Kështu, në shtator 1978 u arrestova për tentativë arratisjeje dhe agjitacion e propagandë. U dënova tetë vjet burg politik. Më 1988 u arrestova prapë nën akuzën për tentativë të përmbysjes së pushtetit popullor nga ish Sekretari i Parë i Komitetit të Partisë së Punës, shoku Muho Asllani, që ishte edhe anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSH-së. Në hetuesi u torturova çnjerëzisht nga hetuesi Sokol Puto. Që në fillim të vitit 1990 isha normalisht me të parët që dolëm haptas për demokraci. Më 13 dhjetor 1990, kur rrëzuam bustin e Enver Hoxhës, ishim përballë plumbave të bishës së kuqe. Dhe në tërë zgjedhjet vendore e parlamentare kam qenë përkrahës i fuqishëm i Partisë Demokratike, pavarësisht se gjithëherë jemi kërcënuar edhe me jetë. Duke qenë anëtar i stafeve drejtuese të ish deputetëve të PD-së, Menduh Dërguti e Sabri Bushati, të fituar dhe në dy legjislaturat e fundit i deputetit aktual Valentin Palaj, jam vënë në vëmendje të strukturave të errëta të këtij shteti fashist që tashti në zgjedhjet e fundit, pra të 12 tetorit arriti të vjedhë haptas votat në Tiranë e Durrës. Pyetje: A mendoni se forcat demokratike do fitojnë shpejt, pasi pakënaqësia mbarëshqiptare është vërtetë e lartë, gjë që e vërteton edhe mospjesëmarrjen e më shumë se 40% në votime? Përgjigje: Ju thoni 40%, shteti thotë më shumë, ndërsa unë them më pak se 30%. Gjithsesi, edhe me këto rezultate të publikuara, Partia Socialiste nuk ka fituar më shumë se 15% të votave të votuesve shqiptarë. Megjithatë, po e mban pushtetin vetëm me dhunë dhe ne demokratët do përballemi me këtë bishë deri sa ta rrëzojmë nga froni. Intervistoi Sokol Pepushaj
Malësia e Madhe, treva që çdo ditë braktiset nga banorët e saj Ndoshta Malësia e Madhe është treva më e braktisur nga banorët e saj, pas rikthimit në pushtet të komunistëve të rinj socialistë në vitin 1997. E kjo braktisje mjerisht nuk ka vetëm karakter ekonomik, por mbi të gjitha ka karakter politik. E kjo ndodh sepse shteti absolut i social-komunistëve nuk i duron demokratët e vërtetë që mbrojnë e propagandojnë demokracinë e simbolin e saj Partinë Demokratike. Në këtë luftë të paepur për demokraci, demokratët e Malësisë së Madhe janë të parët e të gjitha trevave të Shqipërisë, jo vetëm në mbrojtje të atyre vlerave të viteve 1992-1996, por janë të parat që pushteti komunist i burgos, keqtrajton dhe u rrezikon jetën, duke i detyruar të braktisin atdheun e tyre të dashur. Padyshim vargu i demokratëve të syrgjynosur që kanë gjetur strehë në udhët e vështira të botës është mjaft i gjatë, dhe për këtë gazeta jonë vazhdon të shkruajë me qëllimin e vetëm të sensibilizojë opinionin kombëtar e ndërkombëtar, për t’i thënë ndal kësaj hemoragjie që po shkreton të sotmen e shkatërron të ardhmen. Gjithsesi këtë rradhë do të bëjmë fjalë për njërin nga demokratët më qëndrestar e aktiv të Partisë Demokratike të Malësisë së Madhe, i cili është z. Bashkim Zenel Broja, i datëlindjes 12 dhjetor të vitit 1974, në fshatin Kamicë së Komunës Qendër. Demokrati Bashkim Zenel Broja, që në fillimet e lëvizjes demokratike, ndonëse i ri, ka marrë pjesë në të gjitha mitingjet e protestat kundër regjimit komunist, madje ky demokrat do të anëtarësohej në PD që më 6 prill 1995, ku pas kësaj, aktiviteti i tij u shtua dukshëm, duke propaganduar demokracinë e ndihmuar kandidatët demokratë në të gjitha legjislaturat zgjedhore. Z. Bashkimi, gjatë qeverisjes së Partisë Demokratike, duke shfrytëzuar hapësirat ligjore që të jepte shteti i të drejtës, arriti të krijojë një biznes të fuqishëm. Gjithsesi, ky demokrat ka qenë i punësuar edhe në policinë e shtetit, si shofer i shefit të zhdukjes së krimeve të Komisariatit të Policisë M. Madhe. Madje, ky demokrat arriti të mbijetojë në këtë punë deri më 30 janar 1998, kur militantët komunistë, pasi e keqtrajtuan e larguan nga puna, me motivacionin si demokrat i “pandershëm” dhe pjesëmarrës në mitingjet e Partisë Demokratike. Natyrisht demokratin e biznesmenin Bashkim Broja nuk e larguan nga rruga e nisur në mbrojtje të demokracisë. E këtë rrugë antisocialiste e antikomuniste ky demokrat e pagoi mjaft shtrenjtë, duke i shkatërruar mjaft nga biznesi i tij i ndershëm, por edhe duke u burgosur në Tiranë për rreth dy vite e gjysëm, madje për këtë burg ka mjaft dëshmitarë që kaluan në keqtrajtimet e policisë kriminale socialiste, ku vlen të theksohet keqtrajtimi e burgosja në një kohë me zotin Edi Paloka, anëtar i Kryesisë së PD-së dhe njëkohësisht zëdhënës i kësaj partie. Kjo ndodhi kur z. Bashkim kishte shkuar në përkrahje të mitingjeve të PD-së kundër qeverisë socialiste. Keqtrajtimet e kërcënimet edhe pas burgosjes që i bëri pushteti z. Bashkim nuk iu larguan, madje kërcënimet për vrasje e marrje peng i thuhej se nuk do të vonojnë, por tashmë i thuhej se ne do të të marrim shpirtin përfundimisht, more këlysh i Sali Berishës. Në këto kushte që i rrezikonin jetën seriozisht, ky demokrat u detyrua që të shesë të gjitha ato pak pasuri e biznese që i kishin mbetur, dhe me këto para ai siguroi largimin nga Shqipëria që e deshi aq shumë. Me largimin e këtij demokrati Partia Demokratike në Malësi të Madhe humbi një ndër anëtarët më aktivë, më trima e të vendosur në mbrojtje të demokracisë së rrezikuar. Por PD humbi edhe një ndër financuesit e saj në fushatat lokale e qendrore, ku duhet theksuar se ky biznesmen vazhdimisht pas vitit 1997, ka derdhur para në arkën e boshatisur të PD-së, që këto para e ndihmuan mjaft për ringjalljen e aktiviteteve dhe përballjen e fushatave zgjedhore. Mjerisht edhe tani përsëri pushteti socialist vazhdon të njëjtën politikë të persekutimit e keqtrajtimit të demokratëve të vërtetë, çfarë tregon se koha e braktisjes së Shqipërisë e veçanërisht e Malësisë së Madhe vetëm shtohet… Ndue Bacaj
Si po e paguan Fran Ndrejaj lirinë e mendimit? Sapo filluan lëvizjet e para demokratike në Shqipëri, Fran Ndrejaj, i datëlindjes 17. 04. 1948, i përqafoi ato për dy arsye. E para ishte se në shpirt ai ishte demokrat dhe e dyta për vite të tëra ai dhe familja e tij kishin kaluar një persekutim të pashoq, duke e përdorur si shembull edhe për të tjerët në llojin e persekutimit. Që në fillimet e këtyre lëvizjeve, në kohën kur në pushtet ishin akoma ata që e shtypën dhe persekutuan popullin tonë, në 2 prill 1991, Frani u përball me vështirësi. Në këtë datë simbol për qytetarinë shkodrane në demonstratën e organizuar në këtë qytet, Frani plagoset rëndë në këmbën e majtë, por jo keq, se mund të kishte edhe fatin e atyre që dhanë jetën dhe u bënë simbol i Shkodrës, si A. Broci, B. Bishanaku, B. Ceka, e N. Kryeziu, por edhe shumë e shumë të tjerë, që edhe sot e kësaj dite kanë mbetur të gjymtuar e askush nuk kujtohet se ishin dallëndyshet e para e pranverës demokratike shqiptare. Duke menduar se Franit ia mbyllën gojën, ai përkundrazi mori energji të reja duke përhapur i detë demokratike e duke u vënë në ballë të demonstratave e protestave në revoltat mbarë popullore. Partia Demokratike Shqiptare sa herë që kishte nevojë për të gjente te ky njeri besnikun e saj, por veçanërisht në kohë fushatash e zgjedhjesh duke qenë komisioner në të gjitha votimet e bëra në vendin tonë pas viteve ’90. Ai për asnjë çast nuk u luhat në bindjet e tij dhe asnjëherë nuk u shit siç ka ndodhur rëndom. Deri sa vjen viti 2003, ku ai përsëri caktohet komisioner po për PD. Vazhdimisht, gjatë këtyre viteve, atij i janë bërë presione e kërcënime edhe për jetën, por kjo e fundit ishte vërtetë e rëndë, ku persona të cilët nuk dihet se të ç’lloji janë e detyruan që të braktiste vendin e tij që e donte aq shumë. Farsa e këtyre zgjedhjeve u provua gjatë dhe pas procesit të votimit, ku ka kaluar më shumë se një muaj dhe akoma në shumë komuna e bashki nuk ka dalë rezultati i tyre. Por si Frani ka edhe të tjerë, sepse klika në pushtet është e mirëorganizuar për ta mbajtur atë me çdo formë e çdo mënyrë qoftë kjo edhe me gjak siç edhe erdhi në pushtet në vitin 1997, që do të mbetet në historinë e Shqipërisë si viti më i zi, duke patur parasysh me dhjetra të vdekur e të zhdukur. E ngritëm këtë rast me dëshirën e mirë që ata që kanë sadopak shqiptarizëm të denoncojnë këtë dhe raste të tjera të kësaj natyre për t’i prerë rrugën një herë e mirë kalvarit të vuajtjeve siç është edhe rasti i zotit Fran Ndrejaj, i cili u detyrua të degdiset rrugëve të botës në një moshë aspak të përshtatshme, vetëm e vetëm se mendon ndryshe dhe e do lirinë e mendimit, që fëmijët e tij dhe bashkëmoshatarët e tyre të mos rriten si prindërit e tyre të ndarë në klasa shtypës dhe të shtypur. Albert Vataj
Kosova, a do të shërojë plagët e luftës Zhvillimet në Kosovë natyrisht që kanë hyrë në një fazë të re dhe konkretisht në fazën e statusit të saj përfundimtar. Ndërsa faktori ndërkombëtar po negocion bisedimet Beograd-Prishtinë, e konkretizuar në atë të Vjenës, ende mbetet pak për të thënë diçka rreth vlerave përfundimtare në lidhje me atë që mund të konsiderohet si kapitulli i fundit të një historie të përgjakshme. Ndërsa diplomacia po bën përpjekjet e saj për të afruar përfundimtaren e zgjidhjes në rajon, një tjetër realitet lëvrin në Kosovën e pasluftës, në Kosovën e plagëve që vazhdojnë të lëngojnë. Pasojat e asaj të kaluare, të cilën kosovarët dhe kosova e kanë shumë të vështirë të shkëputen, po mbajnë ende realitetin si tepër të tensionuar, si të pavolitshëm për të ndërtuar bazamentin e një të ardhmeje për të gjithë, larg gabimeve, rrethanave dhe pasojave që gjalluan kur Kosova derdhi gjak, personazhet e sindromit të “Kosovës së rrethuar” janë të shumtë. Arsyet gjithashtu janë nga më të larmishmet, nga më të gjithfarëllojshmet. Besnik Kika, i lindur më 1980 në fshatin Hashkali të Komunës së Gjakovës, i përket komunitetit, siç quhet atje të magjypëve të Kosovës. Dihet nga raporte të ndryshme të mediave për urrejtjen, deri patologjike të Kosovarëve ndaj këtij komuniteti, të cilët nuk u përfshinë në strukturat çlirimtare të Kosovës dhe për pasojë u paragjykuan si vegla të regjimit të Beogradit dhe ingranazhe të regjimit të Millosheviçit në territoret e populluara nga Shqiptarët. Nuk mohohet fakti se shumë syresh të këtij komuniteti u rekrutuan nga regjimi i Beogradit, duke i shërbyer atij. Jemi para një fakti, gjithnjë sipas burimeve që për rrethanat nuk duan të identifikohen, kundrejt këtyre personave që kanë bashkëpunuar me të vërtetë me serbët. Besnik Kika është një nga ata “viktima” të kohës së luftës, e cila kërkohet nga drejtësia kosovare për bashkëpunim me serbët gjatë kohës së luftës dhe duhet të ndëshkohet si tradhëtar i kombit. Aktualisht Besnik Kika është një ndër shumë të tjerë që rrezultojnë të zhdukur. Megjithatë, të njëjtat burime informojnë se personi në fjalë ka qenë i rekrutuar dhe ka luajtur rolin e një spiuni. Natyrisht jo i vetmi, ai vetëm kështu ka menduar të mbijetojë, ose më saktë të shpëtonte familjen e tij nga barbarët mesjetarë të paramilitarëve serbë, të cilët ushtronin ekspeditat e tyre gjakatare në Kosovën e kohës së luftës. Sot e kaluara është një mjet që kosovarët e shfrytëzojnë si ndaj hakmarrjeve të drejtpërdrejta ndaj personave, por dhe komuniteteve si ajo e magjypëve të fshatit Hashkali. Roli i këtij komuniteti gjithsesi mbetet i dyshimtë gjatë luftës dhe menjëherë pas kapitullimit të Millosheviçit. Megjithatë, si shumë hakmarrje të mbartura nga e kaluara, edhe kjo është tregues negativ për mundësinë e ridimensionimit në Kosovë të një realiteti ku të gjithë të jenë të barabartë, ku të gjithë të mund të ndërtojnë të ardhmen e tyre në Kosovë dhe Kosova të ketë këtë jo vetëm si një shembull të bashkëjetesës, por edhe një shans për ta rrugëtuar zgjidhjen e statusit të saj përfundimtar drejt finales, për të cilën u sakrifikuan sa e sa jetë, u flijuan sa e sa vite të mbuluara me perden e zezë të vrasjes, gjakut dhe hakmarrjes. Sokol Pepushaj
Turpërohet shteti Po, ishte një turp për shtetin arratisja e kriminelit Dritan Dajti nga kati i dytë i Gjykatës së Faktit në Tiranë, i cili ishte dënuar me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Shkallës së Parë, nën akuzën e vrasjes me paramendim të ish-biznesmenit Agim Beqo. Po turpet e këtij shteti janë varg. Ky shtet më së pari duket i lidhur me krimin. Krimineli Dajti i nxjerr pistoletën trupit gjykues dhe ikën pa probleme, shteti u nxjerr pistoletën njerëzve të pafaj, madje i vret, edhe ditën edhe natën, edhe në rrugë, edhe në shtëpi. Ata që nuk arrin t’i pushkatojë, i detyron të largohen nga Shqipëria. Kështu ngjet edhe me këtë të ri që shihni në fotografi. Quhet Aleks Balto Palaj, lindur më 02. 05. 1982, i cili pasi u vu në shënjestër të strukturave të errëta anarshiste, zgjedh ikjen si të vetmin shpëtim të jetës. Aleks Palaj, në zgjedhjet parlamentare të 24 qershorit 2001, normalisht që do ishte anëtar i stafit të deputetit demokrat Valentin Palaj, ku edhe u kërcënua me eleminim fizik. Ne edhe sot kujtojmë me dhimbje se zona nr. 4 ishte më e nxehta në tërë Shqipërinë. Valentin Palaj dhe forca politike që ai përfaqëson, Partia Demokratike fitoi aty falë edhe shembullit të mirë të Aleksit, i cili detyrohet mëpastaj të paguajë çmimin më antinjerëzor, përpjekjen për ta eleminuar fizikisht. E, si ky djalosh janë edhe shumë të tjerë. Ata akuzojnë shtetin, këtë shtet që persekuton e vret. Vasel Gilaj
Flamur Bunjaj akuzë për shtetin diktatorial Tërë bota e di se për herë të parë pas 23 vjetësh, pikërisht më 11 nëntor 1990, Dom Simon Jubani celebroi meshën e parë në Shqipëri tek varrezat e Rrmajit në Shkodër. Atë ditë sistemi komunist dhunoi shumë besimtarë. Si mos më keq, policia fashiste e Ramiz Alisë, keqtrajtoi edhe Flamur Rrok Bunjaj, lindur më 7 shtator 1960, në rrethin e Malësisë së Madhe. Flamur Bunjaj, jeta e të cilit ishte e rrezikuar, më 3 janar 1991 detyrohet të arratiset në ish-Jugosllavi, ku qëndron deri në qershor të vitit 1993. Gjithsesi, Flamuri dhe familja e tij janë dalluar si përkrahës së lëvizjeve demokratike në Shqipëri, pasi dajat e tij Nikë Lulash Smajli e Ded Lulash Smajli ishin pushkatuar, ndërsa daja tjetër Prel Smajli ishte dënuar 15 vjet burg politik dhe shumë të tjerë në burgjet luciferr të komunizmit. E, pasiguria për jetën këtë njeri e ndjek hap pas hapi. Në zgjedhjet parlamentare të 24 qershorit 2001, jo vetëm nuk e lejuan të votojë, por edhe e ndoqi dhe e dhunoi policia, njëlloj siç ngjau në këto zgjedhjet e fundit për pushtetin vendor, ku vetëm në Tiranë u përjashtuan nga e drejta e votës rreth 18000 demokratë. Duroi sa duroi demokrati Flamur Rrok Bunjaj dhe një ditë u detyrua të marrë rrugën pa rrugë të perëndimit, në kërkim vetëm të sigurisë së jetës. Zog Hysenaj
Letërsi e zgjedhur Kur të gjesh vajzë, puthe pa pushuar Kur të gjesh verë, pije pa u menduar Kur të gjesh vajzë, puthe pa pushuar Se as për mjekrën tënde as për timen S’kujdeset Zot i Madh i lavdëruar… Vajza me atë shikim depërtues ishte përballë dhe rubaia e Khajamit në mendje, në zemër, në gjuhë. Ajo vajzë me tufën e madhe të flokëve hedhur shpinës, me ata sy shëgjetues. Po gjete vajzë… Ja, pra, vajza ishte e gjetur, por mollë e ndaluar. Si mund ta puthte pa pushuar, si mund ta bënte pronë të vetën, kur s’kishte asnjë lidhje me të as njohje. Kur të gjesh vajzë, puthe pa pushuar… Ai u mendua seriozisht për atë vajzë të shfaqur pa pritmas. Armata e madhe e pulsioneve kishte rrebeluar, duke braktisur labirintet e subkoshiencës dhe po sulmonte objektin, që duhej puthur pa pushuar. Ndërgjegja e tij që vështronte vajzën me tërë atë uri vizive paraqitej tepër kaotike. Të banonte ajo vajzë në atë lagje dhe ai të luante lojën “shih me sy e plas me zemër”? në takimin e parë viziv ajo i qe dukur një objekt i ëndërrt i pakapshëm e jashtëtokësor si një UFO, po sa herë e shikonte, i dukej se i shkurtohej distanca me të, bëhej objekt ço herë e më konkret dhe çdo herë i vinte në mendje Khajami. Ai sensualitet ngjyrash dhe aromërash po rriste te ai një entusiazëm, që i shërbente si armë për veprim. Zotëronte një ndjeshmëri vetëvëzhguese, që i hapte një imagjinatë pa cak në atë univers. -Kjo vajzë nuk duhet të më shpëtojë, – vendosi më në fund, – Kjo vajzë me këtë emër të çuditshëm: Xhada. Mendohej në qetësi dhe nuk e përballonte dot tundimin edhe pasi ajo ishte zhdukur. Ishte një punë e mundimshme rindërtimi i portretit të saj joshës. Si e kishte parë në fillim fare? Ajo po shkonte në drejtim të MAPO-s së qytetit duke lënë pas blinj, mimoza, trëndafilë, palma, sallgamë, aromëra të shumta, sensualitet. Po të gjesh vajzë, puthe pa pushuar… Vajza shkonte përkrah një plake, të cilën (O mrekulli!) Mondi e njihte. Prania e plakës bëri që ai imazh të mos i dukej aq i largët e fantast. Mendoi të zinte muhabet me plakën, po ajo siç dukej, nuk e mbante mend edhe pse dikur i kishte thënë: “Qofsh jetëgjatë, mor bir!”, “Marrsh një nuse të bukur!”. Megjithatë, bëri ç’bëri dhe e takoi plakën, nga e cila mori vesh se vajza ishte mbesa e saj. Ai pati rastin t’i jepte edhe dorën vajzës. Eh, kur dora e saj e butë u mblodh në panxhën e tij! Po të gjesh vajzë… Plaka e detyroi ta largonte vështrimin e uritur nga vajza, sepse zuri t’i tregonte se si “shpirti i hallës” kishte mbaruar shkollën e mesme, po nuk i kishte dalë e drejta për studime në shkollën e lartë për arsye biografie. Plaka mendoi, bile, se “njeriu i hyqymetit” mund t’ia rregullonte shkollën mbesës, ndaj nxitoi t’ia parashtronte të gjitha hallet, ndërsa vajza u skuq dhe e tërhoqi plakën nga krahu… Puthe pa pushuar… puthe pa pushuar… Po prit, mos, pse po ikën kaq shpejt. Po nuk do të ikësh. Tani unë u lidha me ty, tani do të di si t’i forcoj këto lidhje. Po të gjesh vajzë… Plaka që do të shërbente si ganxhë iku në qytetin e saj dhe Mondit iu vështirësua puna për të depërtuar te vajza që… puthe pa pushuar. Ajo kishte mbaruar shkollën e mesme, nuk kishte vazhduar dot të lartën dhe qëndronte pa punë në shtëpi. Ajo sigurisht donte punë dhe ai sigurisht kishte mundësi t’ia gjente. Por kishte drojën se mos prapë i duhej të barte verë e të pinte ujë, siç i kishte ndodhur herë të tjera. Disa herë kishte sjellur bukuroshe në ndërmarrje, duke u siguruar punë të preferuar, por pastaj ato ishin bërë gjahu i drejtorit, nëndrejtorit, sekretarit të byrosë, instruktorit të byrosë së partisë dhe Mondi kishte mbetur duarthatë. Ata ishin më të fuqishëm dhe femrat e bukura ishin fati i tyre, ishin një e mirë që u shtohej vargut të të mirave që u vinin atyre për arsye të posteve që mbanin, ndonëse edhe ai kishte një post me rëndësi. Jo më kot thoshte populli: Një e mirë nuk vjen vetëm. Po si pra? Si do të bënte? Asnjëherë në jetën e tij nuk e kishte trullosur një femër aq shumë. Herë-herë vetja e tij ndahej më dysh. Po të gjesh vajzë… Budalla!, i thoshte njëra gjysmë, që ishte e lidhur më shumë me ndërgjegjen. Sa femra të bukura shikon në këtë botë, or budalla, nuk bëhen dot pronë e jotja. Gjysma tjetër e ngrinte kokën nga ledhi i nënndërgjegjes dhe i thoshte: Nuk e shikon që kjo vajzë ka diçka që lidhet me ty misteriozisht?… Po të gjesh vajzë, puthe pa pushuar… E vure re si të shikoi në takimin e parë? Mos vështro ç’thonë filozofët: Me gruan e bukur është vështirë të bisedosh, sepse çdo reagim në fytyrën e saj duket si pohim dashurie. O, Mondi, të jesh i bindur se shikimi i saj dhe çdo lëvizje e muskujve të fytyrës së saj ishin një reagim dashurie, një pohim, një… puthe pa pushuar. E pe si lëvizi buza e saj e sipërme për të formuar buzëqeshjen? Ditën tjetër ai e pa te dyqani i bukës. Prapë nuk qe vetëm edhe pse halla nuk ishte më. Ajo ishte zëvendësuar nga një grua, të cilën Mondi e njihte vetëm për fytyrë, por nuk kishte as përshëndetje me të. Duhej të krijonte përshëndetje edhe me atë grua. Ai desh të hynte në radhë të bukës për vajzën, të ngjitej së paku bërryl më bërryl me të, po pikërisht, ndërsa po merrte atë vendim, nja dy-tre vetë i thanë si në kor: -Shoku Mondi, ke ardhur për kontroll? -A je i qeverisë? – nxitoi të pyeste një plakë, – na e shiko punën e bukës, më qafsh nënën! -Është gjynah të shahet buka, po kjo nuk është bukë, – ia priti tjetri. I vetmi rast që Mondi desh të mos ishte person i njohur, të mos i binte kujt në sy. Në atë katrahurë shikimesh ai kapi atë të Xhadës. Ajo e shikonte me siguri si një VIP. Ai ishte supërmeni dhe të tjerët njeriucët, liliputët. Ai qëndronte tani në mes të Skyllës dhe Karibdës. Donte të ishte person i shquar, por donte të ishte njëkohësisht anonim si e vetmja mundësi të komunikonte me Xhadën. Atëherë do t’i afrohej pa rënë në sy dhe t’i thoshte: Si ndodhi që nuk vajte në universitet? Pse nuk e ke bërë problem tek ne? Ta kisha ditur se ti je vajza e Qerimit… Por mali i shigjetave shikuese sa vinte e bëhej më i madh dhe e ndante gjithnjë e më tepër nga vajza e dëshiruar… Po të gjesh vajzë, puthe pa pushuar… Një ditë tjetër Mondi u pa i tjetërsuar. Gjithçka te ai ishte ndryshe: Veshja, ecja, e folura, e qeshura, demonstrimi i entusiazmit. Më fort ndriçonte dielli, më i kaltër dukej qielli, më bukur këndonin zogjtë, më të mirë ishin njerëzit, “realiteti socialist ishte i madhërishëm”!… U hap udha drejt fitores, ulëritë në brendësinë e shpirtit… Vajza me emrin e çuditshëm Xhada ishte e pafejuar dhe ai do të bënte çmosin ta fejonte me kushëririn e vet, Kurtin, i cili kishte kohë që po e kërkonte për nuse, por, siç i kishte thënë babai i Kurtit, “akoma nuk kishte bërë Zoti emër”. … Nuk e kishte parë atë ditë as dy ditë të kaluara. Por bënte çmos ta shihte me sytë e shpirtit. Sa energjitë i harxhonte për të ndërtuar portretin e saj! Një fytyrë qumështore, me sytë ngjyrë deti dhe qielli bashkë, me flokët e drejtë e të dendur që ndeshnin mesin e shpinës, goja e vogël e rrethuar me buzët e trasha gati të pëlcisnin nga gjaku i ëmbël, gjoksi i gufuar… Ai i shikonte qartë tiparet një nga një, po, kur donte t’i “montonte”, dështonte tërësisht: portreti i saj vinte krejt i fragmentizuar. Atëherë kënaqej me flokët, të cilët i shikonte më qartë. Sa bukur dukej ajo bashkë flokësh kur i derdhej supeve të butë si e bardhë e vezës! Kishte lexuar diku se flokët e gjatë ia shtonin feminilitetin femrës dhe tani thënia i dukej shumë e saktë. Me imazhin e atyre flokëve ai kalonte tërë ato çaste ekstaze dhe kënaqësie të patreguar edhe pse akoma të ëndërrt. Por gjëja më interesante ishte buzëqeshja. Ajo e kishte robëruar krejtësisht shpirtin e tij. Si përvileshin ato buzë të lëngta, si ndriçonin ata dhëmbë sigurisht më bukur se të ishin të artë. Ajo ishte nga ato femra që, edhe po të vishej me uniformën e zborit, me siguri nuk humbte gjë. Po gjete vajzë… Por mbi të gjitha: Aj, ajo e qeshur! Ishte ajo e qeshur e saj e veçantë që u bë shtysa të sillte tani ndërmend vargjet e Ismail Kadaresë: S’të erdhi shkesi me qeleshe Me pardesy sezoni ai të erdh, Por rrjedh ai nga lloji i shkesëve Si macja që nga tigri rrjedh. Vërtetë ai njeriu me shkollë të lartë e me një bagazh diturish do të bëhej shkes, do të bëhej personazh negativ i vjershave e ndoshta romaneve? Ai nuk e donte këtë gjë dhe nuk do ta kishte besuar se do ta bënte ndonjëherë, por… ah, ai shikim zhbirues i shoqëruar me atë buzëqeshje të lehtë të mistershme plot aromëra dhe sensualizëm! Në atë buzëqeshje ai kishte lexuar një mesazh të ndrojtur simpatie për atë vetë. Po, po. Edhe pasi e kishte marrë vesh se ai ishte i martuar e me dy fëmijë, prapë i kishte buzëqeshur me atë ëmbëlsi, me po atë hir hyjnor. E dinte mirë ai. Nuk ishte pa përvojë. Vërtetë thuhej se çdo mashkull ka në kokë imazhin e një femre të paarrirë, por ajo femër nuk ishte Xhada. Ajo do të bëhej e arrirë dhe shpejt. Kishte gjashtë vjet martesë dhe, gjatë asaj kohe kishte zënë e lënë tri dashnore dhe, së fundi, kishte shtënë në dorë të katërtën edhe pse gruan e kishte për ta pirë në kupë. Po tani do t’i kushtohej Xhadës. Rasti për të hyrë në marrëdhënie me të ishte martesa me kushëririn e vet, Kurtin. Në atë shtëpi mund të hynte e të dilte kur të donte, në mesditë e në mesnatë dhe nuk thoshte njeri “ç’do Mondi këtu?”. Problem shqetësues i dashnorëve në provincë është pikërisht vendi i takimit, kurse Mondi atë e kishte gjetur. Vërtetë do të bëhej e tija ajo Helenë që e kishte drithëruar aq shumë egon e tij? Fito një zemër, puthe dhe rrëmbeje/ Dhe adhuroje si altar prej feje/ Njëqind Qabera s’vlejnë sa një zemër/ Zemër kërko, Haxhi, jo gur Qabeje… Para tri vjetësh kishte zënë një dashnore me emrin Xhevrije. Në fillim e kishte marrë si pastruese për zyrat, pasi ishte pa shkollë. Si diplomë ajo kishte vetëm bukurinë dhe bukura e solli në zyrat e drejtorisë. Në ditën e dytë të punës Mondi kishte nxituar ta puthte që të mos ia rrëmbenin të tjerët. Xhevrija nuk i bëri fjalë të puthurës as asaj që erdhi më pas, sepse e dinte pse kishte ardhur të punonte aty. Pavarësisht si u lidh ajo dashuri, pavarësisht se Xhevrija ishte “një copë analfabete”, Mondi ia bëri jetën shumë të gëzuar, derisa ajo një ditë vdiq nga korrenti elektrik. Ai pat qarë për vdekjen e saj, sa nuk i kujtohej të kishte qarë ashtu më parë. Dhe shumë kohë pat jetuar me kujtimet e saj. Si vinte në zyrë para orës shtatë dhe e gjente gati Xhevrijen, si shtrohej ajo mbi tryezën e punës në fillim pastaj në divanin që ai e pat sjellur posaçërisht për ta bërë më të këndshme dashurinë ose siç thoshte e ndjera Xhevrije, “për t’i hedhur më shumë sheqer”… Dhe ja, tani Mondit po i buzëqeshte një fat i ri, i paimagjinuar. Pastaj ç’ishte një “copë analfabete” me tre fëmijë në krahasim me Xhadën, e cila mund të krahasohej jo vetëm me Helenën e pavdekshme, po edhe me perëndeshat Afërdita, Hera, Atena. Ai po e shikonte veten tani në rolin e Paridit. Hera i premtonte pushtet, Atena i premtonte famën e luftëtarit dhe mençurinë, kurse Afërdita… eh ajo… ajo i premtonte vajzën më të bukur në botë. A nuk do të fitonte Xhada kurorën “Miss Bota”, po të konkuronte atje? Ja, pra, ajo ishte më e bukura që po i premtonte perëndesha Afërdita. Tani i mbetej të zgjidhte ndër tri ofertat e perëndeshave dhe zgjodhi ofertën e Afërditës, ndaj i dha asaj Mollën e Sherrit. O burra të shkonte në pallatin e artridëve dhe t’i merrte Menelaut Helenën. Por Mondi nuk kishte nevojë ta bënte këtë heroizëm, sepse Helena e tij s’kishte Menela. Po gjete vajzë, puthe pa pushuar…
2. Po nuk qe aq i lehtë realizimi i premtimit të Afërditës. Xhada ishte tërësisht nën pushtetin e babait dhe të një Pushteti mbi pushtetet që e përbënin “përshtypjet e të tjerëve” apo “opinioni vrasës”. Ajo Helenë jetonte më shumë për të tjerët se për vete ose aspak për vete. Rëndësi kishte jo si ishte ajo, por si e çmonin ata “të tjerët”. Ata përcaktonin vlerën, ata shtronin trasenë e jetës, ata, ata, ata. Ah, ata të tjerët! Ai organizëm përbindësh që përbëhej nga “të tjerët” nuk ishte më pak antropofag se Sfinksi, se Centauri, se Tritoni, se lestrigonët. Përbindëshi “Të tjerët” kishte një gojë po aq të stërmadhe si të atyre të mitologjisë dhe jo gojë e llahtarshme bluante e bluante. Antropofagët e zakonshëm nuk i hynin në sy përbindëshit “Të tjerët”. Pushtetari i vogël Mondi Voka do ta kishte më vështirë me Qerim Lanin se Paridi me Menelaun. Vërtetë tani nuk do të kishte tragjedi si atë të Trojës, por pushtetarit të vogël do t’i mjaftonte edhe tragjedia e vogël. Si t’ia vinte kthetrat asaj vajze joshëse? Si ta binte sa më shpejt te kushëriri i tij dhe ta kishte pranë, pranë? Duhej të zbriste poshtë nga Pegasi, nga Olimpi, të ulej në tokën prozaike, të bëhej zvarranik i neveritshëm. Ndërsa Paridi luftonte me Akilin, Mondi duhej të përballej me Qerim Lanin, të kapej pas atyre njerëzve që i urrente aq shumë me emrin “shkues”. Ai Parid i ardhur nga Partenoni ngarkoi dajën e Xhadës për të bërë “shkuesi” te Qerim Lani, pasi thuhej se “dajkos” i ecte shumë fjala. Baba Qerimi kërkonte të lidhej nëpërmes vajzës me Pushtetin. Vërtetë Mondi ishte i “Pushtetit”, po ai ishte kushëri jo shumë i afërt, kurse burri i vajzës do të ishte Kurti, një “kllasë punëtore”. Mos më ngut, lum miku, i tha Qerimi dajës. Nuk ngutej daja, po ngutej Mondi që donte të përuronte sa më parë fejesën, donte të përshpejtonte procesin e ardhjes në lagje dhe në fis sa më parë të asaj vajze, që kishte filluar t’i prishte edhe gjumin e natës. Pas dajës ai u veshi edhe disa të tjerëve petkun e “shkesit” të neveritshëm, por Qerimit “i rritej hunda” edhe më shumë. Edhe duke u zvarritur si rrëshqanor mund të arrish diku. Dhe Mondi arriti te Paçe Dashja. Thuhej se ajo “bënte ligjin” për ç’t’i tekej. Ajo ishte delegatja e të gjitha kongreseve të partisë që kur kishte qenë tetëmbëdhjetë vjeçe. Flitej se kishte bërë dashuri jo vetëm me drejtorë, kryetarë e sekretarë të parë, po edhe me sekretarë të Komitetit Qendror. Edhe me Enver Hoxhën ishte përqafuar disa herë e kishte bërë fotografi, por dashuri të mirëfilltë me të nuk kishte bërë. Mondi ishte “peshk i vogël” për Paçen, po kohët e fundit ajo ishte disi në rënie nga mosha, kurse Mondi në ngjitje drejt pushtetit. Ai mund t’i siguronte asaj shumë të mira materiale, të cilat ajo kohët e fundit nuk i kishte me bollëk si më parë. -Për ideal të partisë, ta rregulloj unë! – i tha Paçe Dashja, – A e do për vete a për Kurtin? Të plasi ty të kushuririn! Uh, çfarë muti që je. Do t’ia këndosh nuses së kushëririt, hë? Mua më thonë kurvë, po, për ideal të partisë, kushërinjve nuk u kam dhënë gjë kurrë. Boll më janë lëpirë, po u kam luajtur bërrylin. Njërit nga ata ia pata rrasur shputë turinjve, kur zuri të më çermonte. Ah, sa të butë e ke!, më thoshte dhe… Të butë dhe të ëmbël e kam boll, por ty nuk të bie gjë në sqep, i thashë dhe ia përflaka turinjtë. Nejse, unë ty do të ta sjell mollën në dorë, për ideal të partisë. Mua të gjithë më thonë putanë, po shumë burra të zot i kam tallur duke i çuar te uji e duke i kthyer pa pirë. Femra kënaqet jo kur dashuron, po kur vuajnë të tjerët për të. Kështu na thoshte pedagogu në shkollën e partisë. Vuan ti që s’ta var kush, mor profesor, i thosha unë. Të tjerët nuk vuajnë dhe femrat nuk gjejnë shumë kënaqësi nga vuajtja e burrave… Paçe Dashja kishte fjalë shumë e punë shumë. Një ditë ajo arriti të bënte shkues drejtorin e ndërmarrjes. Vajtja e drejtorit në shtëpinë e Qerimit ishte ngjarje me rëndësi. Dhe ç’kërkonte një “alamet drejtori”? Fare pak. T’i merrte vajzën Qerimit për një mik të vetin. Po të mos ishte miku i tij, nuk do t’ia hynte punës ai njeri që kushedi sa herë kishte ndenjur gju më gju me Enver Hoxhën. -More matuf! – iu shkreh Paçe Dashja Qerimit, – U bë bytha jote të vijë drejtori e të kërkojë vajzën për fejesë! Po ia bëre fjalën drejtorit mëdysh, për ideal të partisë, ta nxjerr mutin prej goje! -Jo, moj Paçe, nuk m’i ka ngrënë macja trutë, – tha Qerimi, – Ky pastë faqen e bardhë që ka begenisur të vijë te klasa punëtore! -E di që të ka ardhur keq që s’ta kam dhënë, kur më zije rrugën aty-këtu, po unë një kisha e kujt t’ia jepja më parë? Ti një copë punëtor ke qenë gjithmonë. -Unë prap jam në ato fjalë, Paçe. -Nuk po të bie gjë në dhëmb, o Qerim. Edhe vajzën po ta marr edhe ty po ta lë thatë. Ardhja e drejtorit nuk qe ngjarje e madhe vetëm për Qerimin. I gjithë fisi, bile, edhe lagja u grumbulluan për të pritur sa më mirë drejtorin me një collufe të gjatë mbi ballin e shogur dhe me dy collufe në vrimat shpellore të hundës. Sikur të kërkonte edhe disa vajza të tjera do t’i jepshin me gëzim atë ditë. Secili nga kushërinjtë përpiqej t’i binte sa më shumë në sy drejtorit, secili ëndërronte të rregullonte diçka për vete. Shumica e njerëzve janë gjithçka, por jo vetja e tyre, thoshte Mondi plot inat. Jeta e tyre është një parodi. Gati të gjithë mikpritësit e drejtorit mendonin njëlloj. Ndryshe nga ata mendonte Mondi. Gjatë asaj rrëmuje ai mundi t’i shkëpuste jo vetëm një buzëqeshje Xhadës. Femrat seks zbukurues, femrat ndezin gjaqet, shpërthejnë luftëra. Shumë herë ato s’kanë asgjë për të thënë, por këtë “asgjë” e thonë me shumë shije, ngjallin shumë shpresë, e bëjnë jetën shumë joshëse. Mos vallë edhe buzëqeshja e Xhadës ishte një asgjë e thënë me shumë shije? Dashuria vjen, kur beson në të. Fillimi i mirë, gjysma e punës. Pse ta fillonte me dilemë? Kaq herë që ajo i kishte buzëqeshur, kaq herë që e kishte bërë të lumtur, kaq herë që e bëri t’i donte më shumë njerëzit, që ata të mos i dukeshin, siç thonte shpesh “njeriu për njeriun ujk”, por “njeri – sa krenare tingëllon kjo fjalë!” Jo vetëm njerëzit, po edhe kafshët, bimët, malet, bota mbarë i dukej më e bukur, më e dashur, më përdëllyese… Një ditë më parë e kishte takuar jo si zakonisht te dyqani i bukës duke kaluar para MAPO-s industriale me dy gra të moshuara, me një vajzë dhjetë vjeçe, me një djalë njëzet vjeç, i cili për një çast, e paralizoi të tërin në praninë e tij në atë vend pranë Xhadës. Ai mund të ishte ndonjë njeri i gjakut, por mund të ishte njeri që i vërvitej, ose, pse jo, edhe dashnori i saj, për të cilin ai, në të vërtetë, me gjithë verifikimet tepër të sakta, nuk kishte asnjë lloj informacioni. Bëri, ç’bëri dhe e frenoi motoçikletën pranë tyre. Ata kthyen kokat si me komandën “djathas ndero” dhe ai nuk diti si të manovronte nën peshën e shikimit të Xhadës. U mundua të formulonte ndonjë pyetje për ata njerëz, të tërhiqte edhe më vëmendjen, të hetonte ç’ishte ai djalë dhe qëllimi i ndodhjes së tij aty. Fjalët nuk ngjiteshin dot deri te praku i gojës që të kalonin matanë, por grindeshin në gropën e gurmazit. Për të mos u bërë i dyshimtë ai bëri sikur po rregullonte diçka në motoçikletë. Lëvizi ca leva, ca vidha, çelësa, kabllo elektrike. Por gjithsesi mbeti guak. Pak kohë pat edhe të shqyrtonte lëvizjet në fytyrën e Xhadës, shikimin zhbirues, lëvizjet e muskujve që shoqëronin kureshtjen, habinë, simpatinë, lindjen e buzëqeshjes. Vërtetë Xhada në atë moment ngutjeje nuk buzëqeshi, por fytyra e saj e shprehte atë, pozicioni i syve, qerpikëve. Pra ishte larg asaj poze që bëjnë femrat kur duan të shprehin bezdinë për praninë e një mashkulli të padëshiruar. Megjithatë ai nuk pati rastin të fliste fare me Xhadën as me shoqëruesit. Djali i pranishëm ngjallësi i asja xhelozie traumatizuese, u duk mjaft indiferent, aq sa edhe murana e dyshimeve të Mondit filloi të rrëzohej… …Ceremonia e fejesës ishte e zhurmëshme e kaotike. Këmbim pa fund bisedash, ku secili fliste pa i lënë radhën tjetrit, secili kërkonte të demonstronte sa më shumë veten, sikur të ishin ata njerëzit që po i lidhte ajo ceremoni. Një magnetofon transmetonte pa pushim këngë që s’ua vinte veshin njeri, dikush dilte mbi të gjithë me urimin e tij “Mirë se të ka pru Zoti, drejtor!”. Lëvizje karrikesh, tabakashë me ëmbëlsira ep ije ngjyrëshumta për qerasje. Kurse Mondi priste një moment që do të ngrihej mbi të gjithë të tjerët si Kulla Ejfel mbi godinat e tjera të Parisit, siç i pëlqente atij të shprehej. Ishte ai moment evident, kur Xhada do të dilte me tabakanë e kafeve. Me kohë i kishte bërë sytë katër, duke pritur atë moment, por, kur erdhi, në të vërtetë Xhada, sytë e tij u bënë katërmbëdhjetë. Sapo hyri në dhomë, ajo i dha një herë tufës së madhe të flokëve, pa i ngritur sytë të shikonte njerëzit, bile as hundën e drejtorit. Të pranishmit merrni kafetë me delikatesë dhe derdhnin urimet e tyre standarde. U trashëgofshi! Për hajr u qoftë! Shpejt edhe për djalin ishalla. I paçi me jetë!… Mondit nuk i shpëtonte pa vënë re ndonjë lëvizje e Xhadës. Këmbët, duart, valëzimi i flokëve, fundi me pala, buzët që i rrinin të mbërthyera. Kur u ndal para Mondit, ç’është e vërteta, ia hodhi një vështrim në fytyrë dhe ai ndenji gati të mos e linte rastin të ikte. Raste të tilla nuk përsëriteshin. Ai i buzëqeshi asaj me shumë finesë dhe ajo, për çudi, ia kthente me të njëjtën monedhë, çka nuk e kishte bërë për asnjërin, bile as për “shokun drejtor” që ishte strumbullari i banketit. -Mos bën sikur nuk ta ka ënda, – i tha Xhadës Paçe Dashja me të humorin e saj të veçantë. Sikur të mos ishte femra, diamanti do të ishte një gur i rëndomtë. Çoje kryet, vajza e Qerimit, se kurvar boll e ke këtë baba. Eh, të jem edhe një herë si ti, moj Xhadë!… Mos e ul kokën se ke thesarin më të madh. Ha-ha-ha! Mos të të vijë keq, Qerim, ë? Përderisa e ke bërë vajzën me dy të kuqa, do t’i lakmojë bota, do t’ia lypë, do t’ia marrë, s’ke ç’i bën! Kështu, moj Xhada. Mos do t’i shkosh Kurtit e virgjër? Paçja i derdhi tërë këto fjalë, po Xhadës nuk ia hapi dot buzët që t’i shpërthente buzëqeshja e lirë. Atë privilegj e pat vetëm Mondi, çka ai e quajti hapin e parë. Në këto çaste entusiazmi ai po mendonte si të hidhte hapin e dytë. Buzëqeshjen e kishte marrë, por ajo ishte vetëm një fillim i mirë, ishte një shpresë. Edhe Zyhra Shpendja i kishte buzëqeshur, po, kur ai i kishte shtrënguar dorën, ajo e kishte shikuar vëngër, i kishte prapsur dorën dhe nuk i kishte buzëqeshur më. Ai u mendua edhe ca. Në qoftë se sopata nuk pret, mund të farkëtohet, po, nëse femra nuk do, asgjë nuk të ndihmon. A nuk i kishte prerë sopata atij deri tani? A po i buzëqeshte suksesi? Kur gjiithçka vete sipas dëshirave tuaja, atëherë më shumë duhet t’ju frikësojë mossuksesi. Sidoqoftë Mondi po priste momentin e dytë për të mësuar diçka më shumë. Pritja ishte shumë e ankthtë, por ai po e përballonte pa e dhënë veten. Kur të mbaronte banketi dhe shkesërit të dilnin nga shtëpia, sigurisht do t’iu jepnin dorën të gjithë njerëzve mikpritës, pra edhe Xhadës. Atëherë do t’i vinte ai çast që Mondi e quante “momenti i dytë”. Si të gjithë të tjerët, ai do t’ia përfshinte pëllëmbën e butë në të vetën dhe do t’ia shtrëngonte me kujdes, duke parë me vëmendje të ethshme reagimin qoftë edhe me lëvizje tepër të imët të muskujve të fytyrës, çka atij nuk do t’i shpëtonte pa vënë re, si të ishte me mikroskop në sy. Ndërkaq një pjesë e mendje i thoshte se nuk ishte rasti për atë punë, se ajo kishte emocione të tjera dhe nuk kishte mundësi as të mendonte në ia shtrëngonte dorën Mondi apo ndonjë tjetër. Por pjesa tjetër e mendjes së trazuar i thoshte se nuk duhej lënë rasti, se hekuri punohet sa është i skuqur. “Momenti i dytë” po vonohej. Koha nuk po ecte. Llomotitjet e njerëzve të ngopur me pije e meze s’kishin të sosur aq, sa Paçe Dashja mezi po e mbante flamurin si e parë. -Është i ëmbël fort dreqi! Edhe pak sheqer t’ia kishte shtuar perëndia ishte çmendur njerëzia, për ideal të partisë! Kur do të vinte pra ai momenti që… Sukseset e ndërmarrjes. Disiplina në punë. Ngritja e ca kuadrove në përgjegjësi. Si një analizë në ndërmarrje, në komitetin e partisë. Po të mos ishte Paçe Dashja, banketi do të kthehej në një miniaktiv partie. Si do t’ia shtrëngonte dorën Mondi Xhadës? Sigurisht në atë shkallë, sa ajo të kuptonte se është shprehje e dashurisë, se është një propozim i mirëfilltë. Ta kishte të qartë ajo qysh në fillim se ai nuk ishte aq naiv sa me duart e tij të shtrydhte rrushin e të tjerët të pinin mushtin. Më në fund u tha formula e fundit të urimit: Miqësia na qoftë për harj e për të mirë u ardhshim gjithmonë! Dhe njerëzit u ngritën në këmbë. -Miqësinë ta kemi të pandarë! Të na rrojë partia! Të rrojë për jetë kujtimi i shokut Enver! – uroi drejtori. Pse kishte kaq emocion Mondi, që mbahej se kishte përvojë në veprimtarinë erotike? Çasti i tepërpritur erdhi. Drejtori, sekretari i partisë, Paçe Dashja, dy burra të tjerë kaluan duke u përshëndetur me shtrëngim duarsh. Xhada u jepte dorën pa ngritur kokën. Një grua e përqafoi gjatë duke ndërprerë ritmin e ceremonialit. Po gjete vajzë, puthe pa pushuar… -Çoje kryet, se të gjithë jemi mbledhur për të bërë me një mëzat! – tha Paçe Dashja,- Vajza e re na rri si vajzat qëmoti. Unë s’kam pasur asnjë klasë shkollë, kur jam fejuar e nuk e kam çarë zbutkun, për ideal të partisë! Kur kam qenë në shkollën e lartë të partisë, kisha një profesor që binte vdekur për mua. Kur rrinim ndonjëherë vetëm për vetëm, më thoshte: Dëgjo Paçe, në leksion jemi të detyruar të themi atë ç’na porosit partia, po psiqika jonë nuk mund të përshtatet me monogaminë. Në Malësi, thoshte ai, është e përhapur poligamia. Atje ka revoltë kundër monogamisë së imponuar. Bjeri shkurt, profesor, i thosha unë, që e dija ku i digjte atij. Unë po ta jap ndoshta, se më pëlqen edhe mua, po ma lër atë monogaminë. Ngrije kokën! – i tha prapë Xhadës dhe vajza buzëqeshi lehtë, ndërsa tufa e madhe e flokëve u zuri turinjtë. Të gjithë të pranishmit, shumica të pirë, qeshën me hokat e Paçes, ndërkaq Mondit i erdhi radha të përmblidhte dorën e butë të Xhadës me pëllëmbën e tij prej burri. E shtrëngoi ca dhe nuk vuri re ndonjëfarë reagimi te ajo. E shtoi ca dozën e shtrëngimit dhe ajo e shikoi atë në sy, por me një shprehje fytyre enigmatike që nuk mund të quhej as buzëqeshje, por as mvërejtje apo ngërdheshje. Në sytë e saj ai mundi të lexonte diçka të padeshifruar, siç lexohen frazat në një gjuhë të huaj. Mos vallë ajo lloj memecërie joshëse ishte mesazhi i dashurisë? Xhada nuk e kishte pasur zor ta kuptonte simpatinë e tij ndaj saj, po jo vetëm simpatinë. Sa djem beqarë, burra të martuar, bile edhe të moshuar ia kishin shfaqur hapur simpatinë. Edhe para Besnikut, me të cilin ajo qe dashuruar me shpirt. Para një jave një burrë kishte dashur ta puthte me zor në një rrugicë të lagjes. Ajo e shtyu dhe desh ta qëllonte. -Unë të dua shumë! – i tha ai, – Unë jam gati të bëj vetvrasje, po nuk iu përgjigje dashurisë time! -E di që ti më do, po unë të urrej! – tha ajo. -Unë kam vuajtur për ty qyshkur ke qenë trembëdhjetë vjeç! Mbarovaa! Shpirti im! O dashuromë, o vramë se po vras veten! -Kur të duash mund të vrasësh veten. Po më dole më kështu, të vras unë! Nuk e gjeta momentin, tha me vete Mondi. Dihet që sot kjo ka emocione të tjera. Po përcaktohet fati i saj. Xhada është njëlloj si nusja me duvak. Prapë kujtoi vargjet e Ismail Kadaresë nga vjersha “Nuset me duvak”: Mbulonte duvaku fytyrën e nuses Siç mbulon perdja e teatrit një dramë Drama, pra, ishte Xhada, pavarësisht nëse do të mbulohej apo jo me duvak. Po Mondi do ta zhdramatizonte. Po si mund ta zhdramatizonte ai, kur ishte një shkues me pardesy sezoni, një shkues që rridhte nga tigri ashtu si macja edhe pse dukej kafshë e zbutur dhe joshëse? Njeriu nuk mund të bëhej plotësisht njeri, pa u bërë rrethanat njerëzore, ngushëlloi veten. Të tilla janë rrethanat, të tillë jemi ne. Pasi u largua ca, ia hodhi prapë shikimin dhe ajo u duk sikur po buzëqeshte. Tani ai po çlirohej nga një si ngërç që i kishte kapur gjoksin. -Alamet cope mori ky Kurt Loqja, – tha Paçe Dashja, – Ti, Mondi ke të drejtën e natës së parë, se je shkues. Po s’ia bëre ti atë punë, do t’ia presë shiritin tjetër kush, për ideal të partisë! -Prit të largohemi një çikë, Paçe, se na turpërove, – tha Mondi. -Luaj vendit, o Loqe, se t’ia këput drejtori. Ia çon i ati në shtrat për interes, budalla! Luaj shpejt, dëgjomë mua, se për ideal të partisë, më vonë nuk ta var. Sa e ke zogun në dorë, preji krahët, se, përndryshe të iku. -Po ule zërin, Paçe, të lutem! -Pse ta ul zërin? Kujt s’ia ka ënda zbutkun? Nuk gjeta njeri deri më sot nga ata që s’ua ka ënda, për ideal të partisë! Adem Roli shtatëdhjetë e ca vjeç dhe s’e ke idenë si më lëpihet. Nuk je i zoti, mor Adem, i them unë. Ta provojmë, thotë ai. Praktika kriteri i së vërtetës… Ramiz Lika
Vritet Fran Vukaj, fisi Ramaj në ngujim Pavarësisht se nga zgjedhjet lokale që sapo u zhvilluan në vendin tonë, ka kaluar diçka më shumë se një muaj, problemet që ato kanë lënë pas, si pasojë e politikave që ndiqen, janë të shumta në Shqipëri. Ky vend e ka shumë të vështirë të ndahet nga e kaluara dhe pasojat janë vërtet tragjike e vazhdojnë të kushtojnë jetë njerëzish. Për pasojë gjen vend për zbatim kanuni mesjetar me motiv hakmarrjen dhe gjakmarrjen dhe duhet të ngujohet një fis i tërë. Rasti më i fundit që ka ndodhur në Malësinë e Madhe është pikërisht ai në qendër të Bajzës, Kastrat. Pas një zënke për motive politike në një ndër lokalet e Bajzës, ka mbetur i vrarë shtetasi Fran Vukaj, 48 vjeç, nga fshati Vukël i Komunës Kelmend, i cili është vrarë nga Gjelosh Ramaj, banor i fshatit Razëm, Komuna Shkrel. Ngjarja e rëndë që ka tronditur mbarë Malësinë e Madhe, sipas dëshmitarëve të kontaktuar nga gazeta “Shqipëria Etnike”, ka ndodhur pasditen e 8 nëntorit 2003, rreth orës 15.00. Gjelosh Ramaj ka lënë të vrarë Fran Vukajn. Policia, që ka shkuar në vendngjarje nuk ka patur ç’të bëjë më tepër se të shpallë në kërkim shtetasin Gjelosh Ramaj, të akuzuar për krimin e vrasjes. Kjo pritet të zgjasë edhe më tepër në kohë, pasi sipas zakonit dhe kanunit, fisi Vukaj ka marrë vendimin ekstrem që të ngujojë fisin Ramaj. Vasel Gilaj
Shkelen haptas të drejtat e liritë e njeriut Shqipëria përditë e më shumë po e largon veten nga Europa. Konfliktet, deri banale, por që kanë marrë e po marrin jetë njerëzish të pafajshëm, me të drejtë kanë tërhequr vëmendjen dhe kanë shtuar presionin e OSBE-së dhe organizmave të tjerë perëndimorë mbi Shqipërinë. Ja një rast konflikti i shtetasit Tare Fyraj, i lindur në qytetin bregdetar të Vlorës, por që prej rreth 40 vjetësh banues në qytetin verior të Shkodrës, ku ka shërbyer si ushtarak. Me ardhjen e demokracisë në Shqipëri, familjes Fyraj i lindi një konflikt me familjen Oblika, ku shkak ishte një pronë e familjes Fyraj, por që familja Oblika pretendonte ta merrte në mënyrë të paligjshme, nën pretekstin banal se Tare Fyraj është i ardhur e jo vendali. Ngatërresa shkon deri atje sa i zoti i pronës detyrohet të përdorë forcën, duke plagosur shtetasin Osman Oblika, pasi atë pronë e administronte me tërë dokumentacionin ligjor. Për atë konflikt janë interesuar edhe organet përkatëse kompetente, por pa sukses. Nga ky konflikt janë kërcënuar e rrezikuar disa familje të tjera, vëllezër të Tares dhe fëmijët e tyre. Një nga ata që i është kërcënuar rrezikshëm jeta është Elton Fyraj, djali i vëllait të Tares, megjithëse ai jeton në Tiranë. Kontributi politik i shtetasit Elton Fyraj në radhët e partisë demokratike, duke qenë edhe anëtar i stafit elektoral të deputetit Shaban Memia, njërit nga figurt qendrore të opozitës shqiptare, jo vetëm nuk i ka ulur mundësitë e presioneve, por i ka shtuar tepër më shumë. Si rrjedhojë e kërcënatave me telefona e letra anonime, por edhe duke e rrahur, nga shkurti i vitit 2000 deri në dhjetor 2002 qe detyruar të largohej nga Shqipëria. Por edhe pasi u rikthye në Shqipëri, nuk mundi të rezistojë më shumë se dy muaj. Në shkurt 2003 sërishmi u nis për larg, fort larg, për në perëndim, për atje ku mendon e shpreson të gjejë lirinë e vërtetë. Denada Kraja |