Nr. 80 i gazetës në print

0
Nga humbja në humbje

Akti përfundimtar i zgjedhjeve që do të luhet sot, më 21 gusht, do të ish mirë të kish pasur një rrezultat të ndryshëm nga ai që parashikohet. Do të kish qenë mirë, pra, që në të tre zonat, një në Veri, një në Shqipërinë e Mesme dhe një në Jug, të kishin fituar kandidatët e së majtës. Një fitore e tillë do të thoshte sot një opozitë më kompetitive për nesër. E në kushtet kur tashme demokratët e kanë siguruar pushtetin (71 deputetë pa aleatët e tyre të rij me të cilët shkojnë 78) një skenar i ngjashëm nuk do të sillte asnjë çregullim. Vetëm se do të garantonte diçka më shumë, të gjithë ata që ende nuk u ka dalë frika nga rikthimi i Berishës në pushtet. Më tej akoma edhe vetë Berishën do ta bënte më të kujdesshëm dhe më të përmbajtur.

Nëse kjo do të ndodhte- dhe me sa duket, këtyre numrave do t’u shtohej edhe ai i Kastriot Islamit që pret të nesër rezultatet e Kolegjit Zgjedhor, mazhoranca e re do të bëhej shumë e lëkundshme.

Së pari, ajo do të ishte shumë më e kondicionuar dy vite më pas, në zgjedhjet e reja për Presidentin e Republikës.

Së dyti, do të kish frikë të tregonte arrogancë dhe mospërfillje.

Së treti, do të qe më e obliguar për mirëqeverisje. Sëpse nëse nuk ndodhte kështu, do të mjaftonin vota tejet mobile (si psh ato të Dules, Xhuvelit, Lesit, apo çdo grupimi të pakënaqurish brenda PD, për ta hedhur qeverinë në erë).

Për të gjitha këto arsye, vota e sotshme duhet të ishte shndërruar një kalë beteje për socialistët. Pasi humbën në mënyrë të turpshme pushtetin, në 21 gusht ata kishin në dorë të fitonin betejën për kontrollin e tij. Por edhe në këtë betejë duket se po dështojnë. Edhe këtu me turp. Sepse në vend që të ishin këtë rradhë më të mobilizuar e më të motivuar- për vetë faktin se çdo sfidë elektorale pas humbjes së përgjithshme është dyfish më e vështirë,- ata kanë bërë krejtësisht të kundërtën.

Kryesisht për faj të liderit të tyre. I cili të vetmin preokupim që pati pas 3 korrikut, ishte të rrëmbente gjobën e fundit në Turqi, nga shitja e Albtelekomit, të pushonte në shoqërinë e sponsorve tashmë të korracuar me imunitet, në plazhe ekzotike dhe të mos shkelte asnjë ditë në zyrën e PS, ku duheshin mobilizuar trupat e zhgënjyer të pasdisfatës.

Edhe atë gjoja pak fushatë që zhvilloi e bëri keq dhe më shumë sikur donte të tregonte se tashmë gjithshka ishte e humbur. Përpos faktit se shmangu nga daljet në publik, figurën e diskretituar të shoqërueses së tij të përhershme, Nano e ndërtoi gjithshka me filozofinë e një dështaku. Shpiku, ndoshta për herë të parë në histori, fushatën pa kamera e me dyer të mbyllura. Nuk pati as fytyrë as mundësi të zhvillonte qoftë edhe një miting të vetëm. Nuk tha, qoftë edhe një fjalë publikisht, për emrat e kandidatëve të partisë së tij. Nuk mbajti as edhe një qëndrim se përse këto zona duheshin fituar. Ndërkohe që pretendonte se kishte shanse që rrezultati të barazohej 70 me 70, u lëshonte vartësve të tij udhëzimin për dorzimin në mënyrë demokratike të pushtetit. Dhe ndërkohë tentonte të provokonte elektoratin duke firmosur në ikje e sipër si kryeministër, premtimet elektorale si ai për liberalizimin e universiteteve, që Partia Demokratike e kish dhënë në fushatë.

Shkurt, Nano u soll si humbës, por fatkeqësia është se kështu u sollën edhe gjithë hierarkët e tjerë socialistë. Duke deklaruar se nuk do të njohin rrezultatet e manipuluara, apo duke mos paraqitur deri të shtunën komisionerët në Lazarat, ata sikur pranuan publikisht humbjen e tyre në këto tre beteja. Eshtë e çuditshme sesi mund të flasësh për mosnjohje rrezultati tri ditë para zgjedhjeve, si mund ta dekurajosh elektoratin tënd duke i parathënë humbjen e sigurtë.

Por kjo është sindroma e re që ka kapur socialistët, nga kreu në bazë. Ajo e humbjes së papritur që është shndërruar në dëshpërim e pasiguri. Qenë këto dy faktorë që dominuan fushatën e tyre të dytë. Që e bënë PS të humbte edhe betejën për kotrollin e mazhorancës të nesërme. Duke nisur nga tre zonat që po i humbasin sot.

Editorial nga Albert Vataj dhe Sokol Pepushaj

 

Spastrime?!

-Është fakt që në pjesën më të madhe të drejtorive rajonale, i vetmi kontribut i titullarëve është militantizmi i theksuar partiak. Shqetësues mbetet fakti se këta lëvizje të pritshme mund të kthehen në atë që fare mirë mund të etiketohet si rrotacion i “militantëve”-

Bëni gati valixhet më katër korrik. Këtë frazë të thënë me humor mes militantësh pak ditë para zgjedhjeve, nuk është se e mora me të njëjtën frymë siç u transmetua. Shumë kush, tani pas më shumë se një muaji ka ngritur shqetësimin lidhur me atë që tashmë jemi mësuar ta quajmë revansh. Nëse do të ketë të tillë frymë spastruese në institucione kuptohet që në mënyrë të menjëhershme do të bashkëngjiten edhe reagimet kritike të të gjitha niveleve, nga ato mediatike e deri te ato institucionale. Megjithatë realisht a duhet të ketë njëfarë rishikimi të pozicioneve (sidomos atyre drejtuese) në të gjitha nivelet e institucioneve. Për të dhënë përgjigjen e kësaj pyetjeje natyrshëm më parë duhet të kalohen në një sitë të imët të gjithë ata individë të cilët pa më të voglën mëdyshje kanë pranuar emërimet e mirëfillta politike, paçka se kanë një kulturë diametralisht të kundërt me atë që kërkon pozicioni të cilin ata mbajnë. Në këtë pikë shembujt janë të panumërt në pjesën më të madhe të drejtorive rajonale, kur drejtorët të vetmin kontribut kanë militantizmin e rrënjosur patriak. Kjo kategori titullarësh në institucione ka vite që nën ombrellën partiake jep mesazhe të qarta të papërgjegjshmërisë por çfarë është më e keqja të tendencave korruptive, të bëra publike këto edhe nga raportet e fundit të Kontrollit të Lartë të Shtetit në rang qarku. Këta drejtues të nivelit të lartë është e pakët të quhen të rrezikuar në pozicionin e tyre nga ardhja në pushtet e PD-së, e cila ka si sllogan qeverisjen me duar të pastra. Masa më normale e ndërmarrë ndaj tyre duhet të jetë padyshim largimi pa kompromis nga posti i mbajtur pa më të voglën meritë, ndërkohë që dërgimi në prokurori i dosjeve me abuzime do të jetë hapi i parë i instalimit të një shteti vërtetë ligjor. Me realizimin sa më urgjent të kësaj reforme që edhe pse tingëllon jo mirë, do ta quaja spastruese, vjen për ata që sapo kanë marrë pushtetin edhe pjesa më e vështirë, zëvendësimi i titullarëve. Nëse kjo realizohet me të njëjtat kritere atëherë zërat kundër kanë të drejtën legjitime që të ankimojnë militantizmin i cili në këtë rast thjesht do të ndërronte ngjyrë. Shqetësimin se një gjë e tillë mund të bëhet realitet e shtojnë zërat për listat tashmë të formësuara në zyrat e selisë lokale blu ku dominojnë emra individësh të cilët meritën e vetme kanë kafenë e mëngjesit apo edhe të mbrëmjes në lokalin aneks të PD-së. Duke shtuar këtu faktin se nivelet e ulëta pritet të popullohen nga “ushtria” e militantëve të papunë të opozitës, atëherë është logjike të mendohet të deklarohet dhe madje të pranohet si terminologji “rotacioni i militantëve”. Situata në këtë mënyrë mund të precipitojë në akuza të ndërsjellta mes palëve ndërkohë që qytetarët rrezikojnë të jenë të dënuarit e përjetshëm të aparatçikëve të vjetër e të rinj të cilët kanë jo pak të përbashkëta në frymën që ata përcjellin. Nëse duam vërtet që diçka të funksionojë, atëherë vlerat më të mira të qytetarisë duhet t’i propozohen këtij qyteti për qeverisjen me duar të pastra, gjë që në fakt nuk ka ndodhur në këta 15 vite as nga të dërguarit e pushtetit qendror dhe aq më pak nga pushtetarë të zgjedhur vendorë dhe aparati i tyre i cili për fat të keq pritet të jetë një trampolinë e mundshme për katapultimin e figurave të cilat realisht deri tani kanë prodhuar veçse mediokritet.

Taulant Kopliku

 

Në jetën e zonjës më të hekurt të politikës shqiptare, Ministres së Jashtme, Jozefina Topalli

Fillimi i janarit, shkurti e veçanërisht marsi i vitit 1997 ishin muajt që seleksionuan demokratët qëndrestarë nga ata që shqiptarët i quanin “zagarë”. Zonja Jozefina tregoi se u përket demokratëve qëndrestarë, që për asnjë çast nuk u shmang nga rruga tashmë e vështirë e të parës parti antikomuniste në Shqipëri, Partisë Demokratike. Bandat dhe banditët e kuq në ato ditë të revolucionit bolshevik vlonin kudo edhe në Shkodër e Malësi, ndonëse në këto treva antikomuniste nuk ishin aq trima e të shumtë si në moçalet e stërkuqe të Labërisë së mjerë. Gjithsesi zonja Topalli nuk qëndroi e mbyllur vetëm në Shkodër apo Malësi, ajo si rrallë politikane tjetër pa iu trembur syri propogandoi e përhapi alternativat e PD-së, por edhe sqaroi se kush ishte revolucioni “demokratik” i vonuar komunisto-socialist, që së bashku me andartët grek, kërkonin të merrnin pushtetin me grykën e pushkës si baballarët e kuq në vitin 1945…

Edhe në zgjedhjet e qershorit të vitit 1997, zonja Jozefina Topalli ishte fituese e mandatit të deputetit në qytetin e saj, ndonëse edhe këtu socialistët ishin munduar të përhapnin fenomenin Çaushi, Gaxhai, Kateshi e të tjerë. Në parlamentin e viteve 1997-2001 që shqiptarët e mbajnë mend si parlakallashi, deputetja e Shkodrës qëndroi hijshëm duke diskutuar e vepruar pa iu trembur syri, në mbrojtje të demokracisë e shqiptarisë, edhe pse në këtë parlakallash gëlonin vampire si Luiza Hoxha apo kriminelë si Gafur Mazreku etj. Shqiptarët nuk mund t’i harrojnë kurrë as debatet plot finesë e logjikë dhe as akuzat plot baza që kjo zonjë u bënte kriminelëve ose bijve të tyre të veshur me pushtet e imunitet kallashi. Demokracia e dhunuar në këto vite përveç Sali Berishës, Azem Hajdarit, deri sa e vranë më 12 shtator 1998, kishte një zonjë që nuk tundej nga “istikami” i demokracisë, dhe kjo padyshim ishte Jozefina Topalli, që Shkodra pa hezitim e rizgjodhi deputete edhe në zgjedhjet e vështira të vitit 2001. Në parlamentin e viteve 2001-2005, që u quajt parlamenti i “Dushkut”, zonja e Shkodrës, pa iu trembur syri qëndroi hijshëm si i ka hije vetëm një zonje të tillë Nënkryetare e Parlamentit, në mes dy “bishave” të kuqe që makina kriminale e diktaturës së proletariatit dhe vegla qorre sigurimi i shtetit komunist i kishte përgatitur me dhjetra vite, e këta ishin marksisti Servet Pëllumbi, Kryetar Kuvendi dhe “halla” e komunistëve të rinj socialist Makbule Çeço. Zonja Topalli në tërë këto vite (që nga viti 1998) ka qenë edhe Nënkryetare e Partisë Demokratike. Roli i bijës së “Rozafës” në ringritjen e PD-së në tërë Shqipërinë ishte i padiskutueshëm, ashtu siç ka qenë dhe është sot “pasaporta” europerëndimore e Partisë Demokratike dhe qeverisë së saj të re të pas 3 korrikut të këtij viti. Është interesant të thuhet se gjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare të 3 korrikut zonja Jozefina u përball si askush tjetër me lider të së majtës me akuza e debate, në media të shkruara dhe elektronike, ku pavarësisht se me kë ishin jo vetëm i fitoi, por edhe i diskreditoi kundërshtarët që me të zbutur po u themi socialistë. Para zonjës Topalli doli humbës krimineli i 2 Prillit 1991, vetullngrysuri e çehrerëndi Gramoz Ruçi i PS-së, dhe skilja i Ramiz Alisë, biri i gjeneralit famëkeq Skënder Gjinushi etj. E ndërsa kandidati socialist “fluturonte” në vitet e arta të komunizmit, nga ku thoshte do ta mund zonjën Jozefina, provoi jo humbjen e dinjitetshme, por zhgënjimin e madh, pasi nuk mori veçse një të tretën e bijës së Shkodrës, që padyshim qyteti i saj nuk kishte si e ndërronte me një ardhacak të viteve të Partisë së Punës…

Negociatat e Partisë Demokratike që doli i forca e parë, me aleatët që do të qeverisin në katër vitet e ardhshme iu besuan pikërisht Jozefina Topallit, që siç shihet u realizuan me sukses të plotë, ku ky sukses do të pasojë edhe qeverisjen e ardhshme me kryeministër Profesor Doktor Sali Berishën. Garanci e padiskutueshme për këto do të jetë vetë bija e Shkodrës që tashmë shqiptarët e quajnë Zonja e Parë e Demokracisë Shqiptare. Natyrisht asnjë femre tjetër në Shqipëri (duke përfshirë të gjithë krahët politikë), nuk i takon më parë se kësaj ky titull sinjifikativ që e meriton me punën e saj në favor të demokracisë e Shqipërisë, që padyshim e ka të trashëguar me qindra vite nga brezi në brez. Për këto mjafton të kujtojmë se zonja Jozefina është bijë e fisit famëmadh të Ç­obajve të Shkodrës, të cilët ishin pjesëmarrës aktiv ndër shekuj kur luheshin fatet e lirisë e shqiptarisë. Vetëm në protestën e 16 qershorit të vitit 1878, që i dërgohej Kongresit të Berlinit, për të ruajtur trojet e Shqipërisë Etnike që kërkonte t’i përpinte lubia sllave, në mes shumë figurave të njohura të Shqipërisë së Mesme dhe saj Veriore, gjenden edhe emrat e firmat e Françesk dhe Gjon Çobës. Po kështu nga kjo familje gjenden gjithnjë emra trimash e drejtuesish në luftërat antiturke e antisllave të viteve 1911-1920, ku për këtë po kujtojmë se ishte pikërisht Shaqe Ndoc Çoba e cila në vitin 1920 në luftën e Koplikut ishte kryetare e Komitetit “Grueja Shqiptare”, që ndihmoi luftëtarët e lirisë të kësaj lufte çlirimtare. Familja Çoba ishte një familje e pasur e fisnike ku në historinë e rigjallërimit të besimit katolik në Shkodër e më gjerë ka dhënë një kontribut të madh si me të holla dhe aktivitete të tjera, ku emrat që kontribuan në shoqëritë katolike dhe ndërtimin e Kishës së Madhe e të tjera nga viti 1861, i kanë edhe Gaspër Çoba, llogaritar Pjetër Çoba, si dhe Balto Çoba i cili kishte dhënë mjaft para të kohës për blerjen e këmbanave të kishës. Kujtojmë se Ndoc Çoba ishte ndër anëtarët më aktiv të klubit “Gjuha Shqipe” në vitin 1908, ishte pjesëmarrës në Shpalljen e Pavarësisë në Vlorë, ishte përfaqësues i Shkodrës në Kongresin e Lushnjës, që në Qeverinë e Parë të Kongresit ishte edhe Ministër i Financave, ishte pjesëmarrës i rëndësishëm gjatë qeverisjes së Ahmet Zogut dhe nga viti 1937-1939 ishte Kryetar i Bashkisë Shkodër. Ndoc Çoba ishte antifashist i orëve të para, madje këto bindje e çuan në Konferencën e Pezës (1942), ku jo vetëm ishte drejtues i konferencës, por u zgjodh edhe kryetar. Gjatë luftës nacional-çlirimtare familja Çoba nuk kurseu asgjë, por pushteti komunist në mars të vitit 1945 pas tre muajve tortura e mbyti këtë patriot të klasit të parë. Kujtojmë se fisi Çoba ishte ndër fiset më të pasura të Shkodrës e Shqipërisë, ku kishin firma dhe biznese në fushën e bujqësisë e industrisë, bënin eksporte e importe, që nga Italia, Spanja, Austria si dhe shumë vise të Kosovës etj. Vëllezërit Çoba janë të shënuar si tregtarë e biznesmenë të ndershëm e të zotë që në defterët e vitit 1844 e në vijim. Vëllezërit Ejll e Gaspër Çoba ishin të njohur edhe si intelektualë të shkolluar e politikanë të zotë, ku në vitin 1922 gjejmë se Gjon F.Çoba ka qenë zgjedhur deputet dhe anëtar i Këshillit të Lartë të Shtetit etj. Fisi Çoba ka nxjerrë edhe meshtarë të shquar të binomit “Fe e Atdhe”, ku mund të përmendim Imzot Ernest Çobën, që në vitin 1951 u zgjodh famulltar i Shkodrës, dhe një vit më vonë u shugurua Ipeshkëv, por që viti 1967 e përplasi në burgjet komuniste të Enverit, që nuk njihnin fe e as atdhe, madje në vitin 1980 ky meshtar i palëkundur në besimin tek Zoti vdiq në gjysmën e dënimit të tij…

Natyrisht Çobajt, si shumë familje nacionaliste, besimtare e të pasura jo vetëm u persekutuan paprerë rreth gjysëm shekulli, por u shpronësua dhunshëm nga pasuria ligjore e krijuar për shekuj me djersën e ballit… Bijë e mrekullueshme e këtij fisi, që edhe asaj i takoi të persekutohet, është edhe zonja e parë e demokracisë, Jozefina Topalli, që sot është e martuar në fisin tjetër të njohur e fisnik të Topallajve të Shkodrës… Gjithsesi unë e quaj fat që nga fisi Çobaj të kemi një përfaqësuese të nivelit të lartë në politikën e djathtë shqiptare, që hijshëm e meriton të quhet Zonja e Parë e demokracisë së Shqipërisë. E ndërsa kjo zonjë vazhdon shërbimet e saj me mish e shpirt për demokracinë e shqiptarinë, të çudit fakti se disa anonimate që u vuri emrin Partia e Punës apo Socialiste, pasi ato thuajse nuk kanë as emër e as origjinë, kërkojnë që duke sulmuar me gjithfarë epitetesh Zonjën e Parë të Shkodrës e demokracisë të dalin nga anonimati dhe nga askushi e të bëhen dikushi… Nëse zonja Jozefina do t’ua kishte ngenë këtyre të paguarve nga falangat e errëta të PS-së, e t’u kthente përgjigje, këta askushi do t’ia arrinin qëllimit, për të tërhequr në llumin e batakun ku jetojnë prej vitesh këta anonimatë, por natyrisht zonja e parë e demokracisë as që merret me ta, sepse ata i ka dënuar vetë Zoti të jetojnë në llumin e batakun që i kanë shtruar vetes gjatë shërbimeve që i kanë bërë të keqes PP apo sot PS-së. Gjithsesi siç kam lexuar dikund lisat madhështorë i godet furtuna, e jo fijet e barit, por në këtë rast këta nuk janë fortunë, por erëza të këqia që më tre korrik morën sinjalin për t’u kthyer nga kanë ardhur. E ndërsa zonja e parë e demokracisë, që shpesh e kanë quajtur edhe “zonja e hekurt” vazhdon detyrën e saj patriotike ndaj shqiptarëve e atdheut të lënë amanet e trashëgim nga të parët prej shekujsh, për një Shqipëri europerëndimore, e jo aziatiko-lindore, siç do të dëshironin armiqtë e shqiptarëve, që fatkeqësisht ende shumë edhe sot.

Ndue Bacaj

 

KOSOVË: ANTIKATEDRALISTËT ANTISHQIPTARË! Myftiu NAIM TËRNAVA: “Nënë Tereza është magjype”!!!

Shkruan: Kadri Osmani, Zvicër

Të nderuar lexues, ndryshe nga Sigurimi enverhoxhian që çdo shqiptar e obligonte të jetë sipiun, madje edhe spiun e familjes së vet, UDB-ja titoiste nuk e kishte atë metodë: ajo e gjente një plakarec fshati përgjithësisht, veçanërisht këshilltarin ose imamin, dhe shefat e tyre rrinin këmbën mbi këmbë dhe i merrnin informatat për të dyshimtit dhe për armiqtë e tyre potencialë.

Dhe hoxhët e tillë, sado injorantë, spiu-nazhin e zhvillonin disi nën rrogoz, derisa na doli spiun me bajrak edhe kryehoxha i Kosovës, myftiu Naim Tërnava!!

Ky “myfti” kaherë ka shpfur nëpër xhemat e nëper grupe, ama tash doli me intervistë te gazeta “ZËRI I DITËS”, e datës 2-3 korrik 2005, në ballinë dhe në tungji faqen 5, ku paraqitet me tendenca, me kushtëzkime e me kërcënime!!! Kjo shihet edhe nga vetë titulli: “Nëse ndër-tohet katedralja në Prishtinë, do të ndërtohet edhe xhamia e madhe në oborrin e Universitetit”!!! Dhe edhe përpara këtij skandali, xhenazet e politikës dhe xhenazet e gazetarë- heshtin!?! Ky hoxhë nuk është i vetmuar, të tillë janë edhe Mulla Mustafa në Kryeqytetin e Zvicrës, në Bern, dhe Mulla Nebihi në Allstette, në Zürich… Pra, Mulla Nebihi, në sallën e xhamisë, përpara xhematit dhe përpara pjesëtarëve të Bashkësisë Shqiptare të Zvicrës, pati deklaruar: Kjo është Shtëpi e Zotit, këtu i jepet mikrofoni çdo myslimani, por nuk iu jepet mikrofoni katolikëve kaurrë! Atë herë unë i shkruaja hoxha-dreqit:

Zotni Mulla Nebi,

Po Jua dërgoj këto tekste, për Të ju bindur se ka kush kujdeset edhe për fe edhe për komb: doni Ju t‘i ndërpreni armiqësitë myslimanë-katolikë?- apo po dalim me polemika të hapura në të gjitha mjetet e informimit?

Me nderime.

Në Bern, më 2.11.2001

(Kadri Osmani)

 

“Bashkë kem ra në fushë të mejdanit:

Jemi shkri për nder të vatanit

pre e lasknue në teh të jataganit.

E gjithmonë kombi i shqiptarit

për vend të vet e për erz të të parit

ka ba dekën gjithë për s’mbarit

pa ju lodh kurrë mendja e kresë

me e nda kund ndryshimi i fesë:

paj Bajramit e për Pashkë

kemi gëzue e ba qejf bashkë.”

Ndërsa në një gazetë shqiptare në Shkodër, prill 1910, Im Atë shkruante ndër të tjera:

“Ta çkoqi pra prej zemre shqiptari atë fanatizëm që deri më sot kje kaperdi me të, …të shterngohen në dashtni të njëmen-dshme ndër veti si Krishtian si Muhamedan. Njat herë ka për t`u pa forca e lumnia e Shqipnisë mbarë.

Mulla Mustafa

Imamit të Bashkësisë Islame, zotëri Mulla Mustafë Memeti, në shenjë respekti, mirënjohje dhe miqësie të përjetshme;- për punët tona të mbara, të përbashkëta, për Republikën e Kosovës tonë martire.

(Fjala është për dhuratën që ia pata dhënë – librin: “Lëkundjet e shekullit” nga M. Felluah Gylen që kushtonte

10 Fr.: Hoxha e kish marrë për pro-vokim,- kush e ka përkthyer!? – pse nuk përkthehen libra tjera…!?”)

Isha në dijeni se Mulla Mustafa po pre-dikonte disa proçka fetare antishkencore: “Në pyetjen në ka përparësi kombi apo feja, përgjigje – s`ka, sepse janë të barabarta”!

 

***

Imamët i lëshon sallat e veta të xhamive edhe për tubime të Bashkësisë Shqiptare, madje – falas!? – në fakt ata e kishin vënë nganjë aparat aty, ku mund të blenin njerëzit: cigare, çokollata, kafe, çaj, pije freskuese… d.m.th. nuk ishte pa fitime. Ama unë po mendoja se edhe në këtë mënyrë po afroheshim: sikur priftërinjve, ashtu edhe hoxhallarëve iu kisha thënë se faqet e revistës “Shqipëria Etnike” janë të lira edhe për fetë, me kusht që çdokush ta predikojë fenë e evet, pa u përzier në fenë e tjetrit; duhet të harrohen përçarjet, intrigat, apojo?

Por çka mendon deveja e çka men-don devejari!?

Derisa unë po mendoja se që të gjitha organizimet separatiste: klubet, shqatat kulturore e fetare…, duhej të vepronin në kuadër të Bashkësisë Shqiptare në Zvicër, ata jo por po ngritnin taktikat e strategjitë e tyre që Bashkësia Shqiptare të futej nën tutelën e Bashkësive Fetare!!! Derisa e zbulova se ata tanimë kishin depërtuar edhe në Kryesi të Bashkësisë, de disa persona destruktivë, sikur që ishin: Shefqet Jashari-Strofci, mësuesi i tij fetar Ismet Kuqi-(Diplomat dhe Imam!!), Alistar Ramadani etj. etj. Vetëm atëherë e mora situatën në dorë dhe ua tregova se ku e kanë vendin: në stallë, nën kosh e nën hambar, duke ua formuluar në vargje:

Pa dëgjoni moj shqiptari

kanë ardhur derrat në Bashkësi

kanë zënë vend në Kryesi

nuk paguajnë as anëtarësi!

“Ta çkoqi pra prej zemre shqiptari atë fanatizëm që deri më sot kje kaperdi me të,…”dhe hoxhët jo vetëm që nuk e hoqën e nuk e shkoqën nga zemrat e veta fanatizmin e deridjeshëm, por po vijojnë të kapardisen edhe sot dhe disa redaksi ua aakanë hapur dyert e veta hapekrahë për shkrimeve të tyre përçarëse, tendencioze, me kushtëzkime e me kërcënime; të cilët kanë pas vete disa forca të errëta e reaksionare, që po nuk u bërën zap sot dhe menjëherë, një ditë do të pretendojnë që edhe ta marrin pushtetin!?!

Janë katër dëshmitarë të gjallë se në një lokal afarist në Lagjen e Muhaxherëve në Prishtinë, Myftia Naim Tërnava ka thënë: “Nënë Tereza është magjupe”– dhe se ai për këtë ka dokument!?! Ne u shtangëm: kishim përpara një alamet hoxhe, me çallmën e Muhamedit mbi kokë dhe të zgjedhur nga Vakëfi, Vendi i Shenjtë!?! Më pastaj ia çova do selame dhe ia këroja “dokumentin”, të cilin nuk na e solli as sot e kësaj dite. Dhe më pastaj, çova njerëzit e mi dhe e mora një lidhje me sekretarin e Medresës, zotni Ekrem Simnicën:ekremsimnica@hotmail.com,- i cili në asnjë mesazh të redaksisë nuk na u përgjigj!?!

E pra, për skandalin e gënjeshtrës së Myftiut Naim Tërnava, janë këta dëshmitarë:

1.Kadri Osmani

redaktorpërgjegjës i revistës “Shqipëria Etnike”;

2.Hamit Hamiti,

veprimtar i njohur nga Besiana:

3.Fazli Maloku,

epror i Uçk-ës, nateli: 044/159 998.- Rr. “Drenica” II nr. 53, Prishtinë;

4.Rabit Osmani,

nateli:044/24 92 31.- Kodra e Diellit, Rr. II “Mehmet Gradica” nr. 64.

Momentalish të suspendohen nga puna dhe te fillojnë hetimet për vepër penale të propagandës armiqësore.

Me këtë kurrsesi nuk do t‘i identifikonim edhe fetarët patriotë, ama dhembja është tejet e madhe: përse edhe këta tipa nuk e ndoqën rrugën e ndritshme Mulla Idrizit të Gjilanit!?! Dhe kemi të drejtë që ta shtrojmë pyetjen e bazuar: mos këta tipa kanë lidhje edhe me terrozimin?- edhe me tri shpërthimet në Prishtinë, kundër miqve tanë ndërkombëtarë!?! Kundër çlirimtarëve tanë, paçka se edhe ata nuk janë pa gabime e pa mëkate, sikur që është rasti me propozimin e Jasushi Akashit për Kryeadministrator të Kosovës dhe për sjelljen e socialistit shokut Marek Antoni Nowicki, i cili po i përkrahte sivëllezërit e vet të dyshmitë nga Lista e Zezë!?!

 

Salih Myftia – simbol i harmonisë shpirtërore, figurë e ndritur e historisë shqiptare

Si rrallëkush në histori, kombi ynë është shquar për një harmoni të mrekullueshme fetare. Edhe pse shekujt përplasën mbi të rrebeshe luftërash të gjata, ngaqë fqinjët dhe pushtuesit tanë ndër mote na u vërsulën për të na zhdukur si komb, si racë e si fe, në vetëdijen tonë nacionale u ngjiz në mënyrë emblematike ideja: “Pa Atdhe nuk ka Fe”. Udhëheqësit shpirtërorë të çdo besimi fetar në trevat shqiptare, të udhëhequr nga kjo fjali magjike, udhëhoqën breza të tërë drejt altarit të madh, Atdheut. Pa dyshim, në vargun e madh të këtyre burrave bën dritë edhe emri, jeta dhe vepra e Hirësisë së Tij, Kryemyftiu i Shkodrës dhe i Kosovës së atëhershme, Salih Myftija.

Lindi në qytetin e Shkodrës në vitin 1891. Shkodra e atyre viteve, ndonëse po humbiste dalngadalë shkëlqimin e qytetit të madh të dikurshëm, ruante ende hijeshinë e shtëpive të mëdha me kopshte gjithfarësh, dyqane të mëndafshit dhe armëve e xhamive dhe kishave katolike, të cilat kundruall njëra-tjetrës ishin simbol harmonie. Në ag të shekullit XX-të, Shkodra ruante ende dhimbjen që ndjente për ndarjen e tokave në veri të saj prej Traktatit të Shën Stefanit, me ç’rast trevat shqiptare iu dhuruan Malit të Zi. Ky qytet i kontrasteve të mëdha do të linte gjurmët e veta në shpirtin e pastër të Salihut të vogël. I rritur në një shtëpi ku besimi muhamedan adhurohej në shekuj, Salihu 7-vjeçar do të ndiqte një shkollë turke të qytetit në vitet 1898-1904. Prindërit shihnin tek djaloshi jo vetëm zellin e madh për të mësuar, por edhe respektin e madh të tij për shokët dhe mësuesit. Tejet i urtë, me një pjekuri gati të parakohëshme, Salihu, krahas detyrave të shkollës, do t’i ndihmonte në shtëpi sadopak edhe prindërit e tij. Në vitet e para të shek.XX-të, në Shkodër, ashtu si në krejt Shqipërinë, së toku me lëvizjen kombëtare për autonomi, nisën të çelen të parat shkolla të gjuhës shqipe. Pavarësisht reaksionit të Portës së Lartë, që këto shkolla të mbylleshin, atdhetarët shqiptarë vijuan punën e tyre, duke ngarendur të sjellin lirinë e trojeve të tyre me pushkë e me penë. Ndonëse nxënës në një shkollë të mesme fetare, Salih Myftija ishte në radhët e para të atyre që mësonin dhe përhapnin gjuhën e bukur shqipe. Veçanërisht pas Kongresit të Manastirit të vitit 1908, ku lufta midis alfabetit të shqipes u ashpërsua, Salih Myftija mbeti kurdoherë mbrojtës i flaktë i alfabetit me germa latine, i cili do të çonte gjuhën e bukur shqipe në familjen e madhe të gjuhëve me identitete të lashta kulturore të botës së civilizuar. Kur kishte mbaruar shkollën fetare të qytetit, Salih Myftija pos njohurive të thella të besimit islam, zotëronte edhe turqishten e djaloshit shkodran. I pajisur me virtytet e larta të moralit fetar, Salih Myftija do të shquhej në fillim të viteve ’20 të shekullit të kaluar, jo vetëm për cilësitë e tij shpirtërore, por edhe për shqiptarizmin brenda vetes. Trazirat ballkanike do të linin gjurmët e tyre në qytetin e Shkodrës, ndërsa atdhetari Salih Myftija kujdesej që dhimbjet në shpirtërat e bashkëqytetarëve të vet, të largoheshin sa më parë.

Një ngjarje e gëzueshme do të përcillej ndër besimtarët myslimanë në pranverën e vitit 1923, kur më 24 shkurt të atij viti, në sallën e shoqërisë “Djelmnia Dibrane” në Tiranë u mbajt Kongresi i Parë Mysliman, i cili shënoi pavarësinë e xhamisë shqiptare. Ndër vendimet e marra aty dhe detyrat e shtruara, ky kuvend pavarësie i besimtarëve myslimanë shqiptarë, kërkonte veç të tjerave një interpretim më konkret dhe të lirshëm të besimit islam, përkthimin e Kur’anit në gjuhën shqipe dhe ushtrimin e riteve myslimane po në atë gjuhë, duke përfshirë madje edhe ceremoninë solemne. Gjithashtu, Kongresi në fjalë kërkoi krijimin e një besimi islam civilizues, në luftë të papajtueshme me rregullat e ngurta dhe mentalitetin aziatik. Madje, ndër arritjet e këtij kongresi do të ishte padyshim ideimi dhe miratimi i dokumentit bazë që realizonte shpalljen e pavarësisë së xhamisë shqiptare nga Turqia, “Statutit të Xhema-atit Musliman Shqiptar”. Ky statut përjashtonte dhe ndalonte çdo autoritet shpirtëror jashtë Shqipërisë, duke e paraparë atë si “kundër idealeve të nalta kombëtare”. (Arkivi Qendror i Shtetit – Tiranë. Fondi 882, dosja nr.1, fleta 13).

Që besimi islam të bashkëjetonte me atë katolik, ndihej e domosdoshme që idetë e pavarësisë së xhamisë të përcilleshin me frymë kombëtare, me tolerancë e sidomos me kulturë të pasur shqiptare, Salih Myftija në këto vite do të merrte pjesë në mjaft rite në gjuhën shqipe. Ai do të përkthente pjesë të ndryshme të Kur-anit, do t’i shqipëronte ato, do t’ua shpjegonte besimtarëve të vet, pa harruar më parë të ndriçojë dashurinë për atdheun. Në fund të viteve ’20 të shekullit të kaluar, me vendim të posaçëm të Këshillit të Naltë të Sheriatit, Salih Myftija do të emërohej Myfti i Shkodrës dhe Kosovës. Për vite me radhë duke qëndruar në këtë funksion kaq të lartë shpirtëror, Salih Myftija u shndërrua në një shenjt të shqiptarizmës, jo vetëm në Shkodër e Shalë, Gjakovë e Prizren, por edhe në Prishtinë e Preshevë, Drenicë e Pollog, Kumanovë e Manastir. Zëri i tij i ngrohtë, ai zë që përhapte gëzim e shpresë, hyri vatër më vatër e zemër më zemër shqiptari. Kudo shkeli këmba e tij, dyert u çelën dhe besimtarët e rrethuan me dashurinë e birit për atin. Fjala e tij e hijshme, kultura e thellë poliedrike, toleranca e mahnitshme, ishte arma më e mirë që besimtarët islamë të Kosovës u jepnin udhëheqësve mjeranë të kishës ortodokse serbe, të cilët askurrë nuk rreshtën së propaganduari për gjoja islamin aziatik të shqiptarëve. Kjo ripërtëritje e besimit tek shqiptarët, në dimensione të reja, do të bënte që shumë diplomatë të Evropës të habiteshin me këtë kulturë fetare e njerëzore, madje shkrimtari i madh francez De Myse do të shkruante: “Në Shqipëri është vendosur që kleri të shkëputet përfundimisht nga autoriteti hierarkik i Stambollit”. Ndërsa e përditshmja “Temps” e Parisit, duke folur mbi reformat me fytyrë evropiane të xhamisë shqiptare, përfundonte se: “këto masa kanë bërë përshtypje të madhe në tërë botën Muhamedane”.

Prilli i zi i shqiptarëve do të trondiste padyshim edhe shpirtin e ndjeshëm të Hirësisë së Tij, Salih Myftisë. Ndërsa djelmnia shkodrane po armatosej për ta pritur okupatorin me luftë, ky at shpirtëror nuk mund të kryente rite fetare branda katër mureve të xhamisë. Me Kur-anin në duar, me atë zërin e tij kumbues, me sytë që bënin dritë në qiellin plot re të Shkodrës, ai do të shkonte pozicion më pozicion, do të bekonte luftëtarët, do t’u kujtonte atyre atë sentencën proverbiale shqiptare: “Pa Atdhe nuk ka Fe” dhe do t’u kujtonte nderin që kanë Sheitët për vatanin. Ka qenë kjo arsyeja që vetëm dy muaj pasi italianët pushtuan Shkodrën, komanda ushtarake thërret në zyrën e vet atin e madhe shpirtëror. Fashistët duke pasur informata të shumta rreth veprimtarisë atdhetare, kërkojnë që ky vullnetarisht të tërhiqet, duke u lutur i qetë në ndonjë xhami të vetmuar fshati. Por hirësia e Tij Salih Myftija, me fuqinë e fjalës dhe guximin e lartë ka replikuar me pushtuesit e vatanit. Pos kësaj komanda italiane e internoi Salih Myftinë në Gjirokastër. Gati 14 muaj që ati shpirtëror qëndroi në Gjirokastër, nuk iu tremb aspak kërcënimeve të pushtuesit italian. Edhe pse nën survejimin e forcave pushtuese, nën pretekstin e riteve fetare, ai do të grumbullonte rreth vetes dhjetra dhe qindra djem të rinj nga Gjirokastra, Tepelena, Vlora e Delvina, duke u folur atyre të hidhnin armët krahut, t’i dilnin zot vatanit. Ende sot në qytetin e Gjirokastrës të moshuarit mbajnë mend se Salih Myftija do të rrinte sidomos në shoqërinë e atdhetarit të shquar Dervish Rexhebit, në teqenë e Zallit. Rreth këtyre dy njerëzve të Perëndisë, netëve të gjata të viteve 1939-1940 do të mblidheshin ajka e nacionalistëve të jugut, ata që më pas do të luftonin trimërisht kundër italianëve, gjermanëve apo komunistëve të Tiranës dhe Beogradit.

Në shtatorin e vitit 1940, Hirësia e Tij, Salih Myftija, kthehet në Shkodër. Në ditët e para të kthimit, ati shpirtëror i myslimanëve të Shkodrës dhe Kosovës, thirret sërish në zyrat e kuesturës italiane dhe këshillohet që në ceremonitë muhamedane së paku të mos flitet për Italinë. Me urtësinë karakteristike, Salih Myftija iu përgjigj oficerëve italianë se ai do t’u flasë bashkëkombasve të vet vetëm për Shqipërinë, çka linte të nënkuptohej se nuk mund të rreshtte së luftuari për lirinë e vatanit. Tanimë ky at shpirtëror do të mblidhet netëve të vona, në shtëpinë e tij në Shkodër, me burra të tillë si Jup Kazazi me shokë. Ajo shtëpi do të kthehej në fole të shqiptarizmës edhe për faktin tjetër se aty do të bujtnin dhjetra trima nacionalistë të Kosovës, të cilët duke marrë shpresë nga ati i tyre, ngarendnin për të mbrojtur kufijtë etnikë në radhët e Mbrojtjes Kombëtare Shqiptare.

Në vitet 1942-1943, atëherë kur lufta kundër okupatorit kërkonte në krye një shtab të sprovuar politikisht dhe luftarak, veçanërisht në kushtet kur Marrëveshja e Mukjes u tradhëtua, Hirësia e Tij, Salih Myftija, ashtu sikundër me dhjetra atdhetarë shqiptarë, u përpoq me çdo mjet e mënyrë për një personalitet politik atdhetar si Ahmet Zogu, mund ta nxirrte varkën e Shqipërisë nga stuhitë e Luftës së Dytë Botërore dhe për më tej, mund të luftonte komunizmin deri në fund. “Një nga punët më me vlerë që ka ndërmarrë Hirësia e Tij është themelimi i “Besës Shqiptare”, organizatë kjo kombëtare me një aktivitet politik për rikthimin e Monarkisë në Shqipëri. Bashkëpunëtorët e Hirësisë së Tij në këtë veprimtari kanë qenë figura të shumta të nderuara dhe të respektuara në Shkodër dhe në Shqipëri si: Ndoc Çoba, ish-Kryetari i Bashkisë së qytetit, vëllezërit Gera, Shefqet Muka, Kol Kiri, Hajdar Rusi, Rasim Boksi, Et’hem Rama, Llesh Marashi, Gjelosh Luli, Ragip Lohja etj. Kjo organizatë kishte edhe organin e vet kulturor politik “Jehona e Rinisë”, ku kanë kontribuar mjaft të rinj shkodranë si Ibrahim Sokoli, Fadil Podgorica etj.” (Gazeta “Drita Islame”, Shkodër, janar 1995).

Sidoqoftë, në vjeshtën e vitit 1944, rrjedhat e fuqishme të Luftës së Dytë Botërore po përcaktonin në mënyrë fatale “fituesit” dhe të “mundurit”. Shqipëria, sipas klikës komuniste, hynte në vendin e “fitimtarëve”, kinse pati shporrur okupatorin, por mbulonte krimin e vëllavrasjes. Por një okupator ende më i urryer, më i pabesë, një okupator që ndante më dysh shqiptarët për t’i ndërsyer kundër njëri-tjetrit, po hidhte rrënjë në tokën arbërore. Komunizmi, ajo murtajë e kuqe e ardhur prej stepave ruse, pati filluar sulmin e parë të tij të përgjakshëm ndaj nacionalizmit të ndershëm shqiptar. Të grumbulluar në Veri të Shqipërisë, prijësit e nacionalizmit shqiptar përditë e më shumë po përballeshin me vëllavrasjen komuniste. Të mbledhur në shtëpinë e madhe të Hirësisë së Tij, Salih Myftija dhe burra të tjerë të kombit menduan që të shmangnin sa më shumë vëllavrasjen, duke mërguar një orë e më parë nga Atdheu që i lindi dhe i rriti. Kështu, së bashku me djalin e madh të tij, Fuatin, Myftiu i Shkodrës dhe i viseve të Kosovës, së bashku me dhjetra e dhjetra nacionalistë të tjerë, në natën e ftohtë të 17 nëntorit, marrin udhën e mërgimit. Fillonte në këtë mënyrë një jetë e re për ajkën e nacionalizmit shqiptar. Fillimisht ata u vendosën në disa kazerma ushtarake, pothuajse në internim të plotë, megjithatë përballë lajmeve ogurzeza që vinin nga Shqipëria, matanë detit burrat e mëdhenj nuk u ligështuan. Ata e patën vendosur të largohen prej atdheut, për të vazhduar luftën pa kompromis kundër komunizmit. Në kujtimet e tij nacionalisti i shquar Baba Rexhebi (asokohe dervish Rexhebi), do të shkruante: “Në ditën e 28 Nëntorit 1944, pa rënë akoma dita, ndiej disa të trokitura në penxhere. Çohem dhe shoh Salih Myftinë. I hap derën e odës dhe nis t’i bëj një kafe. Më thotë: “Ç’do t’u themi djemve sot dervish?” Unë iu përgjigja: “Zotëria juaj e di më mirë!” Jo, jo, më tha, për flamurin dimë të gjithë të flasim, por unë fola me Mid’hat Beun dhe ai donte që ne të dy të përshëndesim sot se dita e flamurit është e shenjtë”. Ramë dakord të përshëndesim të dy. Më kujtohet se pak fjalë tha Zotërija e tij Salih Myftija. “Kemi dy vëllezërit, tha ai, fetare dhe kombëtare. Të dyja këto nuk janë krijuar për të na ndarë, përkundrazi për të na bashkuar. Lum kush i shërben këtij bashkimi, Zoti e do dhe e bekon atë njeri”.

Dalngadalë vështirësitë e para nëpër kampet e Italisë po kaloheshin. Organizatat ndërkombëtare për refugjatët, me veprimtarinë e tyre, parapanë dhe sistemin e emigrantëve politik shqiptarë. Dhe ndërsa bota e qytetëruar kërkonte rregullimin e jetës normale të tyre, regjimi komunist i E.Hoxhës, modeli më i urryer i regjimit stalinist, nuk linte gur pa lëvizur, të kthente në Shqipëri ajkën e nacionalizmit, ose siç i kishte etiketuar ai “kriminelët e luftës”. Nuk mjaftoi dënimi në mungesë që u dha burrave, por bënte çfarë ishte e mundur nëpërmjet policisë së fshehtë komuniste, për t’i sjellë në Shqipëri këta patriotë për t’u dhënë dënim fizik. Në një listë që regjimi i Tiranës i ka dërguar Romës më 1946 për ekstradimin e kriminelëve të luftës, midis emrave të Mid’hat Frashërit, Ali Bej Këlcyrës, Vasil Andoni, Gjon Marka Gjonit, Mehdi Frashërit, Kol Mirakajt etj., është edhe emri i nderuar i Salih Myftisë. Por forcat me të vërtetë demokratike brenda qeverisë italiane, nuk lejuan një veprim të tillë, i cili binte ndesh me Kartën e Të Drejtave të Njeriut, ata e dinin fort mirë se i vetmi “krim” i atdhetarëve shqiptarë ishte se i patën shpallur luftë komunizmit. I ftuar personalisht nga Mbreti Zog, Hirësia e Tij, Salih Myftija, në krye të delegacionit të nacionalistëve shqiptarë, i drejtohet në vitin 1947 Egjiptit. Ai pritet me nderime nga mbreti i shqiptarëve, por edhe prej personaliteteve të larta të botës arabe. Erudicioni mahnitës i burrit të Shkodrës, njohja e disa gjuhëve nga ana e tij dhe sidomos çiltërsia me të cilën hynte në bisedë, e rritën dukshëm personalitetin e Salih Myftisë. Për vite me radhë ai i përkushtohet veprimtarisë fetare atje, duke u shndërruar në një mysliman që e admironin bukurinë dhe forcën e fjalës së tij. Tani mosha e tij po thyhej dhe Salih Myftija ndjente të kishte kurdoherë në krah birin e tij Fuatin, i cili duke ecur në gjurmë të ndershmërisë të të atit, po formonte dita-ditës personalitetin e tij.

Ka qenë 8 korriku i vitit 1965, kur Hirësia e Tij Salih Myftija largohet nga Egjipti me vaporin “Queen MaryAnn” për në Amerikë. Një korrespondencë disavjeçare me nacionalistët shqiptarë në SHBA e kanë detyruar udhëheqësin shpirtëror 74-vjeçar, të marrë udhën për atje, me qëllim që të çojë në shtëpi fjalën e Zotit, ndër gjenerata të tëra emigrantësh. Me ndihmën e drejtpërdrejtë të tij, me forcën e mendimit dhe të fjalës, ndërton brenda një periudhe të shkurtër kohore qendra islame në Nju Jork dhe Nju Xhersi. Ndërkohë që ai lartësonte tempullin e besimit islam në SHBA, në atdheun e vet në Shqipëri, komunizmi i pafe po rrëzonte tok me veprat fetare të kultit dhe vetë besimin tek Zoti ndër shqiptarët e mjerë të shfytyruar prej varfërisë shpirtërore dhe asaj lëndore. Gjatë kohës që Hirësia e Tij, Salih Myftija po ngrinte këto dy qendra, si dhe xhaminë e Nju Jorkut, merimangat e tradhëtisë komuniste bënë ç’ishte e mundur të sabotonin. Por pavarësisht prej moshës, Salih Myftija vazhdoi punën plot pasion, i rrethuar kurdoherë nga dashuria që ushqenin për të besimtarët prej Shkodre, Lume, Dibre, Vlore, Kosove, Maqedonisë shqiptare e më gjerë nga të gjitha trojet etnike shqiptare. Përpara se të ishin qendra të edukimit fetar, ato qendra në SHBA u kthyen në fole të shqiptarizmës. Në një informacion që i dërgohet Ministrisë së Brendshme në Tiranë, në vitin 1965, lidhur me Salih Myftinë, pos të tjerave shkruan: “Bën propagandë të hapur kundër partisë dhe shtetit tonë” (Arkivi i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Dosja e Salih Myftisë, dok.147).

Por pavarësisht prej këtyre rrjeteve të merimangave komuniste, Ati i Vyer Shpirtëror, ndonëse me dhimbjen e madhe në gji për persekucionin mesjetar në Shqipëri (familja e tij jetonte kalvarin e kampeve të punës) do të vazhdonte të denonconte masakrën komuniste, madje do t’i lutet Zotit që ajo të përfundonte një orë e më parë. I edukuar me tolerancë mahnitëse fetare, Hirësia e Tij, Salih Myftija mundi të hapë klasën e parë të shkollës fetare. Ndonëse i shkuar në moshë, ai do të jepte vetë orët e para të mësimit, duke i lumturuar nxënësit muhamedanë me flakën e shpirtit dhe të fjalëve.

Më 19 maj 1978, kur ishte 87 vjeç, Hirësia e Tij, Salih Myftija ndahet përgjithmonë nga bota lëndore. Pas kësaj shpirti, fjala dhe vepra e tij bëhen pronë e të gjithë besimtarëve, sepse një shpirt mëmëdhetar, në mënyrë krejt të vetëdijshme u përket të gjithë bashkëkombasve.

Cuf Hoxha, New York, USA

 

Letër e hapur “Ali Pashë Tepelenës” (Fatos Nano), nga “Lekë Dukagjini”

Fort i madhërishmi “Vezir Ali Pashë”, ndrysh i quajtur edhe Fatos Nano, mendjendritur e “zemërtrim”, “pasha i lavdishëm” dhe “i pathyeshëm”, prijës “i shkëlqyer” i shqiptarëve, aleat besnik i “Zotit” të dheut të gjithësishëm Xhorxh W. Bush!

 

“Leka III”, babai i së drejtës dhe kanusë, princi i madh i Dukagjinit kreshnik, rivali dhe sfidanti juaj i parë historik të dërgon shumë të fala, o prijës “i shkëlqyer”, dhe të shprehë ngushëllimet e veta për dhimbjen tuaj të trishtuar të rrëzimit nga froni nga armiku yt i përjetshëm “Sulltan” Sali Ramë Berisha

 

“Madhëri”, gjatë mbretërimit tuaj fort të “ndritur” kemi provuar jo pak shkarje deri në buzë të greminës, por falë fatit dhe dhelpërisë suaj të regjur gjithnjë jemi ngritur dhe ngjitur më lart, duke marshuar më larg drejt aventurës suaj të pangishme ku të shpuri pushteti, dashuria e dashurive tuaja të përjetshme.

Unë jam vërtet sfidanti i juaj në kohën kur ju në PS adhuroheshit si profet, por nuk jam nga ata luftëtarë që të kam sulmuar me pallë, as nga ata jeniçerë që verbërisht të ndoqën pas si mizat buallin, as nga ata qejfprishur të llastuar që nga inati yt kurvëruan për të tjerë duke të rrëzuar nga kali, duke shkërmoqur të majtën në baltë nën thundrat “rinocerontit” Berisha. Unë nuk kam pse të ngazëllohem për disfatën tuaj, pasi ngazëllimi i përket Berishës që të rrëmbei poltronin e vezirit ashtu siç do ishte naive të vajtoja për një pasha që vret veten.

Kur ju mjekërthinjuri “Ali” i ekzaltuar nga afshi ekstravagant, vallëzonit i dehur me vellon magjike të vezirit kazinove, sheratonëve, buzuqeve, sa e sa analistë padronë mediash të shkruara e vizive lëpiheshin e kënaqeshin kur ti me xhentilesë u lëshoje ndonjë thelë nga fërliku i pushtetit. Pa pritur e pa kujtuar, me të fituar zgjedhjet “djalli” Berishë nga këta analistë u bë “apostull” i epokës për ndryshim ndërsa ish-“Mesia” humbësi i socialistëve të mjerë është satani me vargonj nëpër këmbë, personifikim i mizorisë tetëvjeçare të qeverisjes së majtë të krimbur nga korrupsioni që tani u “zhduk” nga faqja e dheut së bashku me mamuthët Angjeli e Duka.

Shkëlqesi, ai që thoshte deri dje “Nano ik” tani që zu kreun e vendit, nga mimika e fytyrës duket qartë se po të bën thirrje: Mos u dorëzo, por qëndro si burrat, siç kam qëndruar unë me pahir të rebelëve të mi (Pashko, Imami, Zogaj), të cilët ikën të rrahur e kullotën në çifligjet e tua edhe sa more teposhten plangprishësit u rikthyen prapë tek unë “Baba” Saliu. Sot që je gremisur në vetminë e një heshtjeje memece shumëkush po të quan kamikaz i së majtë shqiptare. Ju nuk meritoni as përmendore, as duartrokitje, por si i mirë, si i lig nuk mund të mohohet se të majtës shqiptare i sigurove dy mandate të plotë qeverisëse si asnjë lider tjetër në gjithë Evrolindjen dhe hyre gabimisht në duelin e tretë pa t’u trembur syri aspak ndonëse pas përzënies së Metës kishe mbetur si Bualli me një bri për t’u përballur me drerin e frikshëm të stepës Berisha. Sot ata që të quajnë kamikazi i së majtës, sikur të kishe fituar edhe një herë do të të quanin Miterran, Gonzales apo Bler, që pushtetin e ka dhuratë nga djalli dhe perënditë.

Tani që viçat nuk kanë lopë që të thithin, “historia, e cila të vjen pas” nuk më vlen as sa një shkarravinë. I përvuajturi “Ali”, ndonëse nga gjaku ishe siamez me Berishën, me t’u ndarë dhe vënien në krye të dy bizave të PPSH-së, ju morët mbi shpinë gjithë mallkimet dhe mëkatet e mamasë plakë duke mbetur si lideri më i sharë e i pështyrë dhe më i poshtëruar për së gjalli në historinë e Shqipërisë. Ndërsa vëllai juaj i vogël, që s’pranoi se është pjellë e asaj mamaje, mori demokratët e heronjtë së bashku me pajtonin e pushtetit. Nuk mund të mohohet se Berisha të “kryqëzoi” jo si kryehajdut por si kryetar i opozitës, duke të shndërruar në një “Promete” që ndonëse i mbërthyer i vodhe jo vetëm zjarrin por edhe fronin e perëndisë, duke e gremisur nga parajsa në ferrin e gjatë të pritjes në opozitë. Ju i pa“përkulshmi Pasha” erdhët në krye të kësaj partie që sot e quan veten moderne, perëndimore dhe anëtare e fisme e Internacionales Socialiste, në kohën kur kishe mbetur si tufa pa bari, si tabor i hallakatur në mëshirë të fatit në fushën e taksiratit, kur gjithkush e shante dhe e mallkonte dhe gjithkush kush ish i zoti të ngrente dy gishta përpjetë ikte tek partia e idealeve “të pastra” që komandonte gjenerali Sali. Bëre ç’bëre diku me truke kozmetike, diku me operacione radikale plastike, herë me gurë dhe llaç të lypur hua, herë me të falur, herë me të vjedhur ngrite dhe lartësove kështjellën socialiste si bujtina më pragmatike dhe më e emancipuar në speciet e panumërta të partive politike shqiptare. Ti “madhëri” e shndërrove Partinë Socialiste nga një kazermë proletare në një parti të tipit borgjez me një lidership ekstravagant, megalloman të shkëputur nga baza idealiste. Pashallarët e pushtetit nën hijen tënde u bënë poseduesit e monopoleve të mëdha në jetën ekonomike të vendit, ku oreksi dhe lakmia për të patur gjithçka i shpuri në kontradikta dhe armiqësi të papajtueshme njëri me tjetrin, deri në atë shkallë sa u doli nga dora kungulli i pushtetit dhe fluturoi e ra në prehërin e të uriturit Berisha, i cili tani betohet se zogun nuk e lë më t’i fluturojë nga dora. Miku im i nderuar, mbaje veten, humbja nuk është e lehtë por kapedanët njohin edhe fitore, edhe disfata, deri më sot që nga 1997-a ke njohur vetëm fitore, ti me Berishën gjithnjë ke fituar, këtë radhë Berisha të mundi së bashku me Metën, pasi me matematikën më të thjeshtë votat tuaja dhe të Metës dalin më shumë se të Berishës ngallnjimtar. Harrove “pashai” im, se buka e thyer nuk ngjitet më dhe se kur hyn grindja e shamata në familje nuk ka faj komshia pse ty të fiket shtëpia jote. Falë dhelpërisë suaj dinake dhe matematikës së Gjinushit, shpikët formulën e klluçit elektoral apo të Dushkut të vogël që ju duhej për të zgjedhur presidentin e ri, mandatin e kaluar por Dushku nuk ju hyri fare në punë se u sajua presidenti konsensual. Berisha këtë herë që në mënyrë inteligjente jua kopjoi stilin e të doroviturit dhe mini-Dushkun e shndërroi në mega-Dushk, ndërsa ti dhe Gjinushi ratë në gropë së bashku me gjithë mushkun që i kishit hipur për së mbrapthi. Jazëk, pasha, njëqind herë jazëk, me ligjin elektoral bipartizan PS+PD u çnderua edhe ky proces elektoral aq i mbikqyrur nga ndërkombëtarët të cilët kanë mëkatin e vet të bërjes së eksperimenteve alla-shqiptarçe në çdo sezon elektoral ndërsa ata diç presin të na tërheqin veshin për detyrat e shtëpisë që ne nuk zgjidhim dot vetë asnjëherë. Deformimi i vullnetit të votusit është i tmerrshëm parti-fantazma u bënë lokomotiva parlamentare. Këmbësorja socialiste zbatoi urdhërat e kavalerisë dhe votoi për aleatët tuaj “të mëdhenj”. Parazit që ka mbijetuar si morrat në shpinën e dhisë morëm votat e së majtës dhe fill pas zgjedhjeve kur ju rezultuat humbës, ambientalisti “besnik” Xhuveli përfundon në shtratin e Berishës, ndonëse kishte 6 vjet që bashkëjetonte si ministri i forcës që rezultoi e dështuar. “Pragmatizmi” i Xhuvelit është e ngjashëm me atë të Xhfar bej Ypit ish-kryeministër dhe inspektor i oborrit mbretëror, i cili me të rënë Zogu doli e priti Çanon duke u bërë pjesë e stafit të tij. Morali politik në Shqipëri ka vdekur ndërsa ti dhe Berisha keni rrojtur e do të rroni në politikë duke ushqyer amoralitetet e njerëzve të paskrupullt që i meredoni me rradhë herë njëri, herë tjetri. Fenomeni Xhuveli ishte kriza e dytë në identitetin e së majtës së brenjtur në palcë nga krimbi i pushtetit. Të gjithë presin që Nano të largohet ndërsa unë them se Nano vetëm po mendon të dalë nga çarku. Si “vezir” jeni i vetmi në Shqipërinë postkomuniste i burgosur dhe i arratisur nga rebelizmi opozitar. Ju vërtet ia mbathët më 14 shtator, por zbatuar profecinë time: Më mirë iku Leka, se vdiq Leka! Ju sollët një risi në politikë duke i shpërblyer me poste dhe ofiqe kundërshtarët tuaj nga brenda dhe jashtë partisë duke ndjekur taktikën e kundërt me përjashtimet që bënte Berisha ndaj të pabindurve. Në qoftë se për momentin këto manovra patën efekt pozitiv duke krijuar imazhin e një pragmatizmi, moderacioni dhe uniteti fallco me kalimin e kohës u kthyen në bumerang. Rivalët lëshimet tuaja i konceptuan si dobësi gjë e cila të imponoi të futeshe deri në grykë rrugës së pazareve të pamoralshme e kompromiseve të paqëndrueshme si ato me Ilir Metën, i cili mori guximin të sfidonte hapur duke të lënë pothuajse në hije. Prandaj u tërhoqe për të filluar ofensivën e madhe për “katarsis” e cila rezutoi e gjitha farsë. Ti, duke filtruar edhe me Berishën, Metën e vure me shpatulla për mur, shpartallove KPD-në dhe e bëre qesharak në sy të opinionit publik. Arroganca juaj doli jashtë kontrollit, ti nuk pyete më për askënd. Për të gjithë ata që kishe pranë nuk ishin më shumë se një grumbull zerosh të cilat merrnin fuqinë e tyre vetëm nga njëshi Fatos. Sa herë në vend të lavamanit ke pështyrë fytyrat e tyre dhe ata i kanë kapërdirë gëlbazët tuaja veç për të qenë një zero në radhë pas bishtit tënd. Kështu kanë vepruar Fino, Ulqini, Ruçi, Angjeli, i cili nga ballist i Metës, së fundi u bë partizani juaj duke mallkuar fatin që e njohu me ish-kapon e vet. Seriali vazhdon me Hajdaragën, Poçin, Daden, deri tek ish-pionieri i Ilir Metës, Gjergji Koja, i cili pranoi të bëhej tellalli juaj personal. Ata që botërisht i sulmove si hajdutë i bëre ministra, kjo ishte aventura që të shpuri drejt disfatës krahas karshillëkut që i bëri fenomenit LSI. Ti lidershpin e PS-së e ke qethur, e ke rruar dhe e ke bërë siç ke dashur vetë, por nuk qethe korrupsionin e tyre, ndonëse vetë i depersonalizove. Ti hyre i dehur në valle duke zgjedhur taktikën më të rrezikshme duke personalizuar gjithçka me veten tuaj, duke shpërfillur imazhin dhe këshillat e zotit Edi Rama, që përfaqësonte modelin kampion të qeverisjes dhe suksesit socialist. Gjithsesi marrshimi juaj i tretë drejt pushtetit ishte vërtetë dinjitoz, humbja nuk ishte aspak poshtëruese, përkundrazi, fitorja e Berishës nuk rezultoi si një mandat i kthjellët popullor, por si një truk tavoline me disa mbetje të së majtës.

Ëndrra e përgjithshme e shqiptarëve është një Shqipëri evropiane, por të mos harrojmë se distanca jonë me Evropën është 550 vjet, prandaj kurrë nuk ju kam besuar as ju as kundërshtarit tënd historik Berisha, se mund të bëni një mrekulli të tillë, përkundrazi pasioni juaj për pushtet ka qenë shumë më i rëndësishëm se aspirata kombëtare e shqiptarëve me të cilët ju si Berisha keni spekulluar papërgjegjshmërisht. Tani që more pushimet për të qëndruar në opozitë sodit i qetë gjithë ato që ke bërë vëri gishtin kokës për ato që nuk ke bërë. Pak është bërë por sido që të thuhet socialistët janë më punëtorët që kanë qeverisur gjer më sot. Asnjëherë Shqipëria si në epokën tuaj vezir “Ali” nuk ka patur më tepër liri të shprehuri, liri mendimi, liri mediatike, mossurvejim nga organet e shërbimit inteligjent. Asnjëherë në Shqipëri opozita nuk ka patur liri dhe hapësirë institucionale veprimi më të madhe se në kohën e sundimit tuaj “depostik”. Ti i “madhërishëm” pasha i shtrive dorën Berishës dhe nënshkruat marrëveshjen e tetorit 2001, akorduat violinat në një akord për rrëzimin e Metës. Prokurorit të Përgjithshëm, Kryetarit të Shërbimit Informativ Kombëtar, pastaj vjen marrëveshja tjetër për zgjedhjen e Presidentit konsensual, ku opozita solli në presidencë njeriun e vet pavarësisht se nuk iu bind asnjëherë verbërisht. Ishit ju mendjendrituri pasha që erdhët duke i lëshuar terren Berishës për balancimin e KQZ, KKRT, RTSH, Bankën e Shqipërisë, KLSH, deri tek maskarada për ligjin elektoral. Tani që u realizua de facto rrokada kuptohet fare lehtë se nga këto lëshime të njëpasnjëshme se kush doli më i fituar. Më i fituar doli Berisha që në ekuinoksin e vet pranveror këto lëshime nuk ia lejonte as Liries. Berisha këto konçesione i fitoi në kohën kur për mbi 500 ditë e mbajti sheshin Skënderbej të pushtuar dhe Kryeministrinë tënde në rrethim nën breshërinë e gurëve, shisheve dhe thirrjeve monotone “Nano ik!”.

Vezir i madh dhe i “shkëlqyeshëm”, gjithë jeta të shkoi në luftëra mizore, kurrë nuk pate paqe, prehje as qetësi. Berisha kurrë nuk të la të qetë të mbushesh me frymë lirisht as në pozitë, as në opozitë, kurrë nuk të lanë të qetë as gjelat e kotecit tënd të cilëve u shkoi moti në sherre pa bereqet, sherre që në shumë raste i ke nxitur dhe ushqyer ti vetë. Ju do të mbaheni mend si kryeministër i gjestikulacioneve të papara nga shqiptarët (pasioni për të ngarë vetë makinën, pasioni për gotën, dhuntia për batutat ironike deri në sarkazëm, shoqëruar shpesh me një zhargon tipik rruge apo shpotitje erotike, dëshira për fluturime të shpeshta e të shtrenjta me avion, frekuentimi i kazinove nga më të kushtueshmet, pushimet e njëpasnjëshme në vendet më pikante të Mesdheut, Evropës e Amerikës edhe në situatat dramatike që kalonte vendi). Shqiptarët nuk ishin mësuar të shihnin Kryeministrin e tyre në kostum sportiv në stadium, as duke bredhur pas kombëtares aq më tepër të zgjidhte qesen me 500 mijë Euro për një ndeshje. Natyra jonë provinciale nuk mund të kapërdinte lehtë martesën e dytë të “Vezirit” qoftë me një drenushë siç bëtë ju, o “mister” pasha! Shqiptarët udhëheqësit e vet janë mësuar t’i shohin të mbyllur në kullën e tyre të fildishtë dhe vetëm në momente solemne janë shfaqur në publik të rrethuar me eskorta të tëra rojesh. Ju vërtet thyet një tabu, por duke kaluar në ekstremin tjetër u fokusuat jashtë mase aq sa mediat dhe analistët për herë të parë në historinë e politikanëve shqiptarë futën hundët në çështjet private dhe intime të Kryeministrit, duke ndikuar negativisht në përpunimin e një opinioni që kemi të bëjmë me një njeri tërësisht të shthurur, ekstravagant dhe sarahosh. Sot shqiptarët tallen me shpenzimet e kafeve të Nexhmie Hoxhës, kështu do të ngjasë edhe nesër me drekat dhe darkat e tua o “Ali”. Fatkeqësitë e një populli dhe të një kombi nuk vijnë nga darkat e një veziri si ju, kur dihet se pjesa dërrmuese e tyre nuk janë marrë as nga qesja e shtetit, as nga xhepi i kryeministrit, por nga sponsorizime të kapitalit të madh vendas dhe të huaj. Duhet ta pranojmë dhe po qe se nuk e dimë, ta mësojmë se monopolet e mëdha komandojnë, ngrenë dhe rrëzojnë qeveritë në gjithë botën, edhe në SHBA. Monopolet kanë bërë luftëra, revolucionet, paqen dhe prodhojnë politikën globale. Ekstravaganca jote pasha ishte vetëvrasëse për ju, por ti na le pas një mesazh që akoma ne nuk e kemi deshifruar, por do ta mësojmë kur të shohim se padronët e ri të pushtetit do të bëhen zotër të monopoleve tuaja. Politika këtu është biznes dhe këtë synim ka. Në kampin e së majtës u krijua për 8 vjet klasa e borgjezëve të mëdhenj nën udhëheqjen dhe bekimin tuaj, ndonëse betoheshit për shtresat e paprivilegjuara dhe prej tyre dhe prej tyre jeni votuar gjithmonë. Ndërsa PD-ja e deklaruar që në embrion si parti e djathtë nuk është aq naive sa të humbasë shansin e krijimit të aristokracisë së saj të lartë ndërkohë kur nuk ka bazën ekonomike as sociale të një të djathte të vërtetë. Si do të bëhet atëherë e tillë nëpërmes pushtetit për të cilin ka sakrifikuar gjithçka, pushteti është dora e zotit dhe sado të pastra të jenë duart e Berishës, të tjerët poshtë tij aritmetikën tënde o Nano do ta mbajnë në xhep, pasi ata me zor po presin krijimin e “sulltanatit” të ri për të spastruar financat, tatimet dhe doganat, njerëzit vërtet të korruptuar me njerëz të rinj (këta janë laramanët e pushtetit kush të jetë çoban gjithmonë do t’i mjelë për vete).

Tani që na le shëndenë veziri ynë, shumë dritshkurtër thonë iku ujku i korrupsionit, në qoftë se ju keni qenë ujku. Unë do të thoja ujku iku por gjurmën na la prapa. Zoti na ruajtë nga ujqërit e tjerë!

“Ali pasha”, më vjen vërtet keq për fatin tënd të trishtuar që të caktoi ky sovran që shpesh nuk di se çfarë bën, pasi është ky sovran që të përzuri si birin e djallit komunist, pastaj pa kaluar pesë vjet të priti si shpëtimtar, të mbajti në kurriz dy mandate dhe kur ti mendoje se e kishe kaluar lumin dhe po bëheshe gati ti thonje kalit atë shprehjen e famshme “kalova lumin, të…”. Por kali për çudi të hodhi nga samari, pasi i besoi thirrjeve përgjëruese të Berishës, hidhe në lumë hajdutin. Unë e di se nuk je i tillë, por “është më mirë të dalë syri se sa nami”, thotë ky popull që herë ta heq e herë ta vë. Gjithsesi çdo gazep ka një selamet, thotë prapë ky i “marrosur” popull, që ndonëse ka lënë pas një qerre me falë të urta, kurrë nuk zuri mend për vete. Do rrish apo do largohesh në krye të vejushës pa pushtet është çështja juaj personale dhe e forumeve të partisë që ti drejton. Rëndësi ka që në historinë e marrosur të pluralizmit politik shqiptar pas 15 vjetësh Fatos Nano shënon emrin i pari që pranon rrotacionin politik duke qenë edhe në këtë drejtim një hap më përpara Berishës, që duhet ta mësojë këtë formulë dhe t’i bindet këtij riti demokratik qysh në rastin e parë që do t’i paraqitet, jo si deri më sot. Rrotacioni politik nuk është gjëmë për humbësit, por një ndëshkim i domosdoshëm që të bën thirrje për reflektim, është abc-ja e demokracisë, ashtu siç është edhe dorëheqja e liderit, kur humbet zgjedhjet në vendet me parametra normal demokratik. Në fund të letrës sime dua të kujtoj “pashai im i ndritur” se në këtë korrje elektorale more atë që meritoje, ndërsa Berisha mori një fitore që nuk e meritonte, prandaj lus fort zotin ta ndihmojë të zërë mend dhe të mos përsërisë nusërimin e parë.

I madhërishmi dhe “i shkëlqyeshmi” “Ali Tepelena”

Me nderime të veçanta ju çon falëmeshëndet “Lekë Dukagjini

 

Presidenti dhe presioni politik i mbledhjes së Parlamentit

Presidenti i Republikës ndodhet të paktën mes katër zjarresh në lidhje me kohën dhe mënyrën e thirrjes së Kuvendit të ri të dalë nga zgjedhjet e 3 korrikut. Një ekuacion që u shtrua më konkretisht për zgjidhje dje, kur pas serisë së konsultimeve të nisura ditët e fundit për këtë problem, Moisiu u takua edhe me liderin e PD-së, Berisha dhe Sekretarin e Përgjithshëm të PS-së, Ruçi. Pas të cilave, të dyja palët nuk u tërhoqën nga pozicionet e tyre të bëra tashmë publike. Mazhoranca e re këmbëngul, se ka hapësira ligjore për kostituimin e Parlamentit, ndërsa PS pretendon të kundërtën. Qëndrime që veç e veç mund t’i japin të drejtë të dyja palëve, por që duke marrë parasysh një seri faktorësh të tjerë, duket se e kanë thelluar edhe më shumë dilemën e kreut të shtetit, për të marrë një vendim të prerë në lidhje me këtë çështje.

Diskutimi sa vjen dhe bëhet më i ndezur, por të kemi parasysh se shpallja e rezultatit zyrtar të zgjedhjeve, ka tejkaluar çdo limit kohor të parashikuar dhe po të kemi parasysh se këtë javë do të zhvillohet rivotimi në 3 zona zgjedhore dhe ankimimet e mundshme që mund të lindin prej tyre, praktikisht Kuvendi dhe qeveria e re mund të fillojnë nga puna pas 15 shtatorit. Ose e thënë ndryshe, rrotacioni i pushtetit në Shqipëri pritet të realizohet pas një periudhe afro 3 mujore nga dita e votimit. Një kurth, ku si gjithnjë mendja diabolike e politikës sonë, po e zvarrit jetën social- ekonomike të vendit, nëpër zgavrat e hapësirave të ligjit elektoral dhe Kushtetutës. Për rrjedhojë, kjo e ka vendosur Presidentin e Republikës, njeriun që duhet të firmosë dekretin, që do i japë fund kësaj gjendje mes katër zjarresh, ose në në një kryqëzim me katër rrugë, të cilat nuk bashkohen dot në një pikë.

E para, është rruga së cilës i përmbahet mazhoranca e re, ku sipas liderit të saj Berisha, “pas përfundimit të ankesave, KQZ-ja është e autorizuar që të bëjë çertifikimin e mandateve. Është e vërtetë, që Kodi Zgjedhor i imponon atij shpalljen e rezultateve finale pas shqyrtimit të të gjitha ankesave, por dihet se ekzistojnë rezultatet finale dhe rezultatet paraprake”. Sipas Kryeministrit të ardhshëm, “KQZ-ja nuk ka asnjë pengesë që t’i japë Presidentit listën e mandateve të proporcionalit, të cilat në mundësinë më të lartë teorike mundet edhe të ndryshojnë në rast të një manovre, por ky është një ndryshim lehtësisht i korrigjueshëm nga Kolegji Zgjedhor”.

E dyta, është rruga që servir Partia Socialiste tashmë në opozitë, ku sipas Ruçit, “Parlamenti do të mblidhet vetëm në përmbushje të kërkesave të Kushtetutës, gjë që do të thotë pasi Kolegji Zgjedhor dhe veçanërisht KQZ të japin verdiktin e tyre ligjor”.

E treta, është rruga që përcakton Kushtetuta, në të cilën sipas nenit 67, paragrafi i parë, parashikohet që “Kuvendi i porsazgjedhur thirret në mbledhjen e parë nga Presidenti i Republikës, jo më vonë se 20 ditë nga përfundimi i zgjedhjeve”. Sipas konstitucionalistëve, si kufi ligjor i “përfundimit të zgjedhjeve” përcaktohet dita e shpalljes së rezultatit zyrtar të zgjedhjeve nga ana e KQZ, ku përcaktohet veç të tjerash, lista e 100 deputetëve në mazhoritar dhe emrat e 40 deputetëve të dalë nga lista e votave të fituara në proporcional nga partitë politike.

Por deri tani njihen fitues 96 deputetë, një mandat ndodhet në proces për t’u shpallur nga Kolegji Zgjedhor, ndërsa 3 të fundit pritet të mësohen pas rivotimit të kësaj të diele. Nga ana tjetër, mospërfundimi i këtij procesi, mban “peng” edhe mosshpalljen e listës së 40 deputetëve të proporcionalit.

Ndërsa rruga e katërt, nuk lidhet as me pretendimet e ndonjë force të caktuar politike, e as me ndonjë rregull ligjor mbikushtetues që pengon apo ndihmon Presidentin Moisiu, që të marrë një vendim “pro” apo “kundër” njërës palë. Por, ajo lidhet me pasojat që po vuan e gjithë shoqëria shqiptare, pikërisht nga ky boshllëk i krijuar, e cila ka sjellë pasoja me efekte direkte për jetën dhe sigurinë e jetës e pronës së qytetarëve nga rritja e kriminalitetit. Në të ardhmen e ekonomisë së vendit dhe realizimit të projekteve në dobi të komunitetit me të ardhurat nga buxheti i shtetit, për shkak të rritjes së evazionit fiskal, krimit ekonomik që lidhet me tatim-taksat, doganat, por edhe në sfera të tjera të dukshme e të padukshme. Por, edhe ndaj demokracisë shqiptare, e cila është kaq e brishtë, sa frakturat që mund të pësojë, mund të lenë shenjë e të sjellin pasoja për shëndetin e saj.

I ndodhur në mes të këtyre katër zjarreve, Presidenti i Republikës duket se e ka shumë të vështirë, në mos të pamundur, që megjithë autoritetin që i jep Kushtetuta, të marrë një vendim që do t’i kënaqte të gjitha palët. Por, momenti që pa kalon Shqipëria pas 3 korrikut, është i tillë që të gjithë aktorët e faktorët e jetës së vendit, të impenjohen realisht, jashtë çdo interesi të ngushtë për të gjetur një konsensus, për të tejkaluar një orë e më parë këtë handikap, i cili nëse vazhdon të zgjatet me këto ritme, rrezikon të minojë jo vetëm ato që mund të konsiderohen si arritje të këtyre zgjedhjeve, por të gjithë ritmin e ecurisë së demokracisë sonë në rrugën edhe kështu, të gjatë e të vështirë drejt një vendi normal, që synon integrimin në gjirin e familjes europiane.

Albert Vataj

 

Demokratët do thërrasin vetë Kuvendin

Beteja PD-KQZ, para shpalljes të rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve, nuk ka përfunduar akoma. Përkundrazi! Dje, ajo u ndez akoma më keq, kur Partia Demokratike i është përgjigjur Kodit Zgjedhor të KQZ-së me disa nene të Kushtetutës. Lufta nen për nen është shpallur pikërisht nga Ilir Rusmajli, sekretar juridik i demokratëve, i cili në një konferencë për shtyp deklaroi se një grup deputetësh të Partisë Demokratike do ta mbledhin, me apo pa të tërë deputetët me mandate të [ertifikuar, kuvendin e ri, me 3 shtator, fiks në orën 17 të ditës së shtunë . Rusmajli, i cili ishte edhe zëri i parë i demokratëve që kundërshtoi me 23 gusht, vendimin e KQZ-së për shpalljen e rezultateve përfundimtare 10 ditë pas procesit të ripërsëritjes, dje, iu qep neneve 65 dhe 66 të Kushtetutës, për të shpjeguar dhe argumentuar se egzistojnë elementët ligjorë për një lëvizje të tillë. “Me datën 3 shtator skadon mandati katër vjeçar i kuvendit egzistues, Shqipëria humbet Parlamentin, dhe kthehet në të vetmen republikë parlamentare në botë pa këtë institucion”, lexoi Rusmajli njoftimin për shtyp të përgatitur për këtë rast. Sipas këtij njoftimi të PD-së, është mos-veprimi flagrant dhe anti-kushtetutes i disa individëve me përgjegjësi, dhe për shkak të mos-thirrjes së qëllimshme të Kuvendit që do të ndodhë një gjë e tillë. Më tej, Ilir Rusmajli, i mbështetur në dy nenet e mësipërme të Kushtetutës, ka sqaruar se egziston mundësia e mbledhjes së Kuvendit të ri, në momentin e mbarimit të mandatit të atij të vjetrit. “Që ky institucion të funksionojë, ka nevojë për një numër prej 71 deputetësh, kur dihet se të çertifikuar janë 139”, përllogariti sekretari juridik i PD-së. Ndëkohë që, dhe për kujtesë, Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve nuk ka bërë akoma përcaktimin dhe ndarjen e deputetëve të sistemit proporcional. Deri me 2 shtator, datë e parlajmëruar nga Komisioni për shpalljen e rezultateve përfundimtare, skadon afati i ankimimeve për 100 deputetët e mazhoritarit. Dhe vetëm pas kësaj date, mendohet se KQZ-së do ti duhet të presë dhe 10 ditë më shumë, pas ndarjes së 40 deputetëve të proporcionalit, për ndonjë ankimim tjetër të mundshëm, në rast se do të ketë të pakënaqur. Llogaritë e PD-së me ato të KQZ-së nuk përkojnë, dhe mendohet se këto të fundit do ta shtyjnë konfirmimin përfundimtar deri me 12 shtator, duke krijuar konflikt mes neneve të Kushtetutës dhe atij të Kodit Zgjedhor. Të parët, 65 dhe 66, thonë se Kuvendi i ri mblidhet, me fjalë të thjeshta, automatikisht, nga Presidenti, pas mbarimit të mandatit të të vjetrit, me përjashtim vetëm në rast lufte, dhe kur kjo e fundit zgjat. E nëse Presidenti nuk reagon, parlamenti mund të mblidhet edhe nga vetë deputetët, thuhet më tej, po me fjalë të thjeshta. Por vlen të sqarohet se paragrafe të tilla lënë hapësira për interpretime të ndryshme. Ndërsa, ballë për ballë në këtë histori, neni 117 i Kodit Zgjedhor, thotë se duhet pritur dita e fundit e afatit për ankimimet. Ditë kjo që mund të zgjatet, pas 2 shtatorit, deri me 12, për shkak të proporcionalit, duke futur në darën PD-KQZ vetë Presidentin e Republikës, Alfred Moisiun. “Në kundërpërgjigje për ti dhënë fund joshtetit, grupi i deputetëve demokratë do ta mbledhë kuvendin me nismën e tyre kushtetuese”, trumpetoi Rusmajli dje, në selinë e PD-së. “Nuk mund ti diskutoj këtu motivet që shtyjnë Presidentin e Republikës të mos veprojë. Ne nuk po anashkalojmë asnjë institucion, por po shftrytëzojmë të drejtën tonë kushtetuese”, sqaroi Ilir Rusmajli në përfundim.

 

Parashikimet ligjore

Neni 65

1. Kuvendi zgjidhet për katër vjet.

2. Zgjedhjet për Kuvendin zhvillohen 60 deri në 30 ditë para mbarimit të mandatit dhe jo më vonë se 45 ditë pas shpërndarjes së tij.

3. Mandati i Kuvendit vazhdon deri në mbledhjen e parë të Kuvendit të ri. Në këtë ndërkohë Kuvendi nuk mund të nxjerrë ligje ose të marrë vendime, me përjashtim të rasteve të vendosjes së masave të jashtëzakonshme.

 

Neni 66

Mandati i Kuvendit zgjatet vetëm në rast lufte dhe për aq kohë sa vazhdon ajo. Kur Kuvendi është i shpërndarë, ai rithirret vetiu.

Redaksia

 

Imoraliteti dhe amoraliteti në shoqërinë shqiptare

Çështja e premtimit për moralitetit në politikë e, për pasojë, në shoqëri,  është bërë kohët e fundit një nga më të debatuarat në shtypin tonë. Kjo, në sajë të krijimit të një dinamike midis faktit se një pjesë e mirë e propagandës fituese të zgjedhjeve të 3 korrikut ishte përqëndruar mbi këtë çështje dhe veprimeve të disa politikanëve që, pasi morën votën e socialistëve, kaluan në krahun e fitimtarëve demokratë, (fenomeni Xhuveli), e këta i pranuan duke vënë në dyshim premtimin për moralitet.

Duke e ndjekur këtë debat në shtyp më ka rënë në sy një konfuzion në përdorimin e termave “imoralitet” dhe “amoralitet”- në kuptimin që përdoren ato në gjuhët perëndimore, nga i kemi huazuar, fatkeqësisht pa i diferencuar qartë. Imoralitet ka kuptimin e të shkuarit kundër moralit, pra  veprimet e quajtura imorale presupozojnë sjellje njerëzish që kanë rregulla morale, që janë në gjendje t’i njohin, që, madje, duhet t’i aplikojnë ato, por që, megjithatë, në veprimet e sjelljet e tyre shkojnë kundër tyre. Kurse amoralitet ka kuptimin e mosnjohjes së moralit dmth një kondicion ku morali nuk pranohet apo nuk ekziston apo kur s’ka kuptim të ekzistojë- si psh. tek kafshët. Edhe njerëzit me të meta mendore mund të konsiderohen si amoralë, pasi gjendja e tyre nuk ua lejon njohjen e moralitetit, prandaj as nuk dënohen kur kryejnë ndonjë krim. Ndërkaq, amoraliteti mund të përdoret si koncept edhe për njerëz pa të meta mendore, por duke nënkuptuar tjetër gjë nga imoraliteti. Me fjalë të tjera, duke e thjeshtëzuar, kur akte si gënjeshtra, vjedhja e mashtrimi kryhen duke e ditur se janë të dënueshme nga morali i shoqërisë, kemi të bëjmë me imoralitet; kurse kur akte të tilla kryhen pa ndonjë vetëdije se janë diçka e dënueshme kemi të bëjmë me amoralitet.

Në shtypin shqiptar shoh se përdoret vetëm termi amoralitet duke nënkuptuar herë imoralitetin dhe herë amoralitetin. Kjo vjen ndoshta edhe pse kur i kemi shqipëruar dy termat parashtesat “i” dhe “a” i kemi shqipëruar me një parashtresë të vetme “pa” duke e konsideruar të pamoralshmen edhe si imoralitet edhe si amoralitet, ndërkohë që, nëse do t’i shqipëronim më qartësisht,- sipas meje nuk ka nevojë- do të duhej të përdornim “e kundërmoralshme” për imoralitet dhe “e pamoralshme” për amoralitet.

Ndoshta edhe për një rastësi, por sipas meje jo vetëm, ky konfuzion termash e shpreh më mirë realitetin e turbullt shqiptar përsa i përket moralitetit. Kjo sepse jemi vërtet në një  gjendje shumë afër asaj kur kufiri ndarës midis imoralitetit dhe amoralitetit është thuajse shuar, ku kategori të tilla si “e mira” dhe “e keqja”, “e ndershmja” dhe “e pandershmja” thuajse kanë humbur kuptimin, ku, pra, shoqëria është kthyer në një farë xhungle ku morali thuajse mungon dmth. mizotëron amoraliteti.

 

* * *

Në fakt tema e moralitetit në një shoqëri nuk është shumë e thjeshtë sepse në një shoqëri nuk ekziston një moral i vetëm, por ekzistojnë shumë morale.  Psh. ekziston morali fetar, por edhe ay ateist, i ndryshëm nga i pari në mjaft principe, mund të flitet për moral stoik, por edhe për moral hedonist, për kantian dhe hegelian, por edhe për moral të së majtës e të së djathtës, të biznesit edhe të solidaritetit, por edhe për moralin e Kanunit etj..  Kjo nënkupton që “e mira” dhe “e keqja”, “e ndershmja” dhe “e pandershmja”  të kenë kuptime të ndryshme për morale të ndryshme. Në këtë kuptim grupe të ndryshme që ndajnë të njëjtin moral mund të dënojnë individët e tyre për akte imorale dmth. që shkojnë kundër moralit të tyre, paçka se në një grupim tjetër këto mund të jenë të padënueshme. Por gjithsesi kur flasim për moral do të nënkuptojmë kod apo rregulla sjelljeje dhe kur flasim për sjellje pa  dyshim do të nënkuptojmë një raport edhe me tjetrin prandaj nuk mund të ekzistojë shoqëri pa moral.  Por, ndërkaq, relativizmi i moral mund të çojë edhe në situata amoraliteti. Kjo kur këta morale veprojnë ndaras njëri tjetrit madje duke asgjësuar ndërsjelltazi njëri tjetrin.  dmth., kur midis moraleve të ndryshme nuk ekziston asnjë ind i përbashkët lidhës, një moral që mbledh parimet më të pranuara të moraleve të ndryshme për të  krijuar atë që mund të quhet morali i një shoqërie komplekse, që tek e fundit e gjen një nga shprehjet e veta më konkrete tek respekti për ligjin.

Problemi i shoqërisë sonë është veprimi shkatërrues mbi çdo moral, edhe mbi atë të shprehur në respektin për ligjin, i kodit moral klanor e mafjoz sipas të cilit mjafton të jesh më i forti apo me më të fortin që të jesh i respektuar, i ndershëm, i paprekshëm, dhe të kesh të drejtën dhe të vërtetën dhe të mirën me vete sepse i fabrikon vetë ato, pasi nuk ka kush të konteston. Ky lloj morali është aplikuar jo vetëm në grupet e mirëfillta mafjoze, por edhe nga partitë politike në pushtet, duke i kthyer ato, kësisoj, në grupime të ngjashme me klane mafjoze me kodin e pandëshkueshmërisë për antarët besnikë të klanit, me kodin e heshtjes për krimet e kryera po ashtu. Mandej, si në një rreth vicioz, të pushtetshmit kanë ndjekur këtë moral duke tentuar të nxjerin jashtë loje çdo moral tjetër që nga ai fetar deri tek ay i shprehur në ligj, e, më anë tjetër, pikërisht për këtë, njerëzit kanë tentuar për kah pushteti, apo i janë nënshtruar pushtetit, duke harruar moralin e tyre.

Ky mbizotërim i moralit klanor mbi moralin e shprehur në ligj ka çuar drejt situatës së amoralitetit. Një aspekt i këtij është situata e pandëshkueshmërisë së krijuar në vend, kur aktet imorale, si vjedhja korrupsioni, mashtrimi, shpërdorimi, abuzimi, duke mos u dënuar penalisht, pak nga pak kanë krijuar gati gati situatën e një imoraliteti që duke u përsëritur aq shpesh pa u ndëshkuar tek e fundit e zhvleftëson moralin.  Një shoqëri ku imoraliteti nuk dënohet shqisa e saj morale topitet aq shumë saqë mund të thuhet se ajo shoqëri degradon në kushte amoraliteti. (Besoj se nuk është nevoja t’i ilustroj me shembuj këto që po them.)

 

* * *

Nëse do të kërkojmë rrënjët e amoralitetit në shoqërinë shqiptare e veçanërisht në politikën e saj do të thoja se ato duhet t’i kërkojmë në kohën komuniste. Komunizmi krijoi një konfuzion moraliteti, ku gjysmat morale shkatërruan njëra tjetrën duke krijuar situatën e amoralitetit. Ay diktoi moralin komunist, i cili mund të sintetizohet në principin: sakrifko vetveten për partinë, atdheun, socializmin dhe shokun Enver, por që, në fakt, ishte moral shumë i ngjashëm me atë të një klani mafjoz, i bazuar mbi mohimin e individualizmit dhe personalitetit, ashtu sikurse të moraleve të tjera, në emër të përkatësisë në klan dhe besnikërisë ndaj tij. Duke qenë se kjo ishte kundër natyrës dhe siç thotë Bacon “natyrën nuk mund ta nënshtrosh veçse duke iu nënshtruar” njerëzit zhvilluan “moralin” e tyre që ishte mashtrimi në emër të këtij moraliteti. Në emër të moralit komunist të shpallur janë kryer pa fund akte që shkonin kundër tij. Nga lart buronte morali bëni si them unë, por mos bëni si bëj unë; të tjera thuheshin e të tjera bëheshin. Mjaft të kesh parasysh luftën shfarosëse të zhvilluar në gjirin e udhëheqjes komuniste gjoja në emër të principeve, por në thelb në emër të një egoizmi të shfrenuar e të sëmurë që i çoi deri në fabrikimin e shpifjeve monstruoze kundër njëri tjetrit; apo rekrutimin e pafund të njerëzve si agjentë të Sigurimit, në mënyrë që gjithkush të kontrollonte gjithkënd. Njerëzit për të ruajtur individualitetin apo moralin  e miqësisë jo rrallë e kanë tradhëtuar moralin e propaganduar komunist, ose përkundrazi e kanë përdorur atë për të shkatërruar të tjerët në emër të karrierizmit të tyre. Të gjitha këto kanë gjeneruar një situatë të pashembullt përsa i përket shkatërrimit të moralit në shoqërinë shqiptare që fare mirë mund të quhet situatë amoraliteti.

Ajo që përjetojmë sot është vazhdimësia e gjendjes së  amoralitetit të mbjellë në shoqërinë komuniste. Reflekset e moralit të dy, tre katërfishtë që çon në amoralitet i sheh të shpërndara gjithandej në monstrat politikë dhe jo vetëm që aplikojnë dy, tre e katër morale që kundërshtojnë dhe asgjësojnë njëri tjetrin: një të klanit mafjoz ku bëjnë pjesë, një të principeve të propaganduara për të tjerët, një të tretë për të huajt e ndonjë të katërt për miqtë e familjen.

 

* * *

Zgjedhejt e 3 korrikut, megjithatë, patën efektin e një mrekullie përsa i përket indit moral të përbashkët, atij që na bën t’i dallojmë disa të mira si të mira të përbashkëta dhe disa të këqija si të këqija të përbashkëta. Dukej sikur ky moral të kishte humbur në qiellin e shqiptarëve,  por ai megjithatë tregoi ekzistencën e tij. Paradoksalisht, në një shoqëri ku shqiptarët ia kanë bërë të pamundur mbijetesën njëri tjetrit pa shkelur rregullat e këtij morali, ky megjithatë ka mbijetuar, aq sa lufta e fundit politike që solli në pushtet opozitën u bazua mu tek ay. Këto zgjedhje treguan se megjithatë e mira dhe e keqja vazhdojnë të jenë të dallueshme në ndërgjegjet e shqiptarëve; ato i dhanë politikës mesazhin se ka disa vlera që i përbashkojnë të gjithë e që duhen respektuar nga të gjithë. Ato po ashtu trguan se në një sistem demokratik, sado i brishtë qoftë ay, morali klanor e mafjoz i më të fortit nuk mund të ketë jetë të gjatë pasi, sadokudo, institucioni i votës së lirë, megjithë difektet, mund të triumfojë mbi të.

Këtë zgjedhje treguan se sfida që ka përpara shoqëria shqiptare është në thelbin e vet respektimi i moralit në politikë e në shoqëri. Me këtë kuptoj më së pari flakjen në koshin e plehërave të historisë të moraleve të tilla si ai klanor e mafjoz  i më të fortit; kuptoj, po ashtu, edhe formësimin e moraleve të ndryshme, sepse jemi në një shoqëri pluraliste, me shumë aktorë, prandaj dhe me shumë morale, midis të cilave mund të përmendja si ato të komuniteteve fetare edhe të botës laike, si ato të kulturës politike të majtë dhe të djathtë si ato të biznesit të ndershëm edhe ato të solidaritetit. Por mbi të gjitha kuptoj forcimin e atij indi moral që u siguron bashkjetesën këtyre moraleve pa u dalë kundra dhe pa i lejuar tu kundërvihen njëri tjetrit e që më qartë se në çdo formë mund të shprehet në formën e respektit për ligjin e ndjenjën e barazisë së të gjithëve përpara ligjit.

Vetëm kështu do të kalojmë nga një shoqëri ku mbisundon amoraliteti në një shoqëri ku aktet imorale e kanë gjithnjë e më të vështirë të mbeten pa u dënuar.

Fatos Lubonja

 

Pajtim Ujkaj i kërcënuar me eliminim fizik, detyrohet të largohet nga Shqipëria

Ish të përndjekurit politik, si kudo në Shqipëri, e veçanërisht në Malësi, si një ndër zonat më të persekutuara nga regjimi komunist, vazhdojnë të vuajnë nga hakmarrja e komunistëve për aktivitetin e tyre, që ata kryejnë e për më tepër kur në M. Madhe fituan sërish socialistët. E tillë është familja Ujkaj nga Kopliku i Malësisë së Madhe, si një ndër familjet që ka vuajtur gjatë nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, por ja që një gjë të tillë kësaj familjeje dhe pikërisht z. Hasan Ujkaj i ka ndodhur edhe gjatë zgjedhjeve parlamentare të këtij viti në Shqipëri. Zoti Hasan është keqtrajtuar dhe kërcënuar për aktivitetin e tij në krah të Partisë Demokratike, nga forcat e sigurimit të shtetit dhe socialistë të etur për pushtet, të cilët me çdo kusht kërkonin të mbronin korrupsionin e tyre. Mirëpo, një hakmarrje e tillë nuk buron këtu, por që në vitin 1951 kur familja Ujkaj u shpall armike, që do të thoshte se ata ishin armiqtë e komunizmit, të cilët u persekutuan për 50 vite me radhë, deri sa në Shqipëri, mbasi erdhi demokracia, në krahë të së cilës, me gjithë mundësinë që kishin dolën edhe pjesëmarrës të familjes Ujkaj nga Kopliku i Malësisë së Madhe dhe ku veçanërisht shquhen baba e bir, Hasan Ujkaj dhe Pajtim Ujkaj, për veprimtarinë në krah të Partisë Demokratike, dhe veçanërisht z. Pajtim Ujkaj, i datëlindjes 1976, i cili ka marrë pjesë në protestat antikomuniste që në vitet 1990-1991 për shembjen e dikaturës me mjete paqësore, e për më tepër pothuajse gjithë ky fis, kuptohet ata që kishin moshën e duhur, u anëtarësuan në Partinë Demokratike dhe një ndër më aktivistët ishte Pajtim Ujkaj, i cili u bë anëtar i Partisë Demokratike në vitin 1995. Por pas rikthimit të komunistëve në pushtet në vitin 1997, vazhdimisht familja Ujkaj dhe veçanërisht z. Pajtim Ujkaj është gjendur i kërcënuar. Agjentë komunistë të veshur me uniforma shtetërore e kanë kërcënuar e provokuar disa heri deri edhe me eliminim fizik, duke e futur Pajtim Ujkaj në listën e atyre personave të përndjekjes për bindjet e tij antikomuniste. Këto raste nuk kanë munguar, siç janë datat 8 dhe 9 janar të vitit 2003, kur Pajtim Ujkaj mbahet në polici dhe hetuesi për dy ditë. Por kërcënimi nuk mbaron këtu, pasi vjeshtën e vitit 2003, duke qenë kohë kur u bënë edhe zgjedhjet lokale, sërish Pajtim Ujkaj dhe të afërmit e tij gjenden nën dhunë dhe kërcënime të vazhdueshme. Përsëri më 20 tetor të vitit 2003, pasi i kontrollohet shtëpia, merret në pyetje duke u kërcënuar dhe keqtrajtuar, por fatkeqësisht kërcënimet nuk mbarojnë këtu, meqenëse edhe në prill të vitit 2004 Pajtim Ujkaj arrestohet sërish dhe kësaj here pasi ka arritur t’u shpëtojë kthetrave të hakmarrjes social-komuniste, Pajtim Ujkaj largohet nga Shqipëria duke kërkuar mbijetesën në një vend tjetër, pasi po të rrijë në Shqipëri zor se do ta kishte gëzuar jetën e tij.

Vasel Gilaj

 

Edi Rama dhe tërmeti në PS

Pritej dhe e bëri. Edi Rama e theu akullin. Me intervistën lumë që i ka dhënë sot “Zërit të Popullit”, ai nxori në sipërfaqe atë që kish premtuar në rrethe të ngushta dhe që përflitej prej ditësh në kafenetë opozitare të Tiranës. Dihej, Rama, do të ishte socialisti i parë që do të ngulte shigjetën, në trupin e plagosur e të bërë telef të Fatos Nanos. Duke kërkuar largimin e kryetarit, ai prodhoi një “scoop” të çuditshëm (fakti se ai sot do të botonte një intervistë u dha në të gjitha edicionet e lajmeve të dy televizioneve më të mëdha të vendit) nga ata që të gjithë e dinë se do të ndodhë.

Në të vërtetë Edi Rama nuk tha ndonjë gjë të re. Risia e kërkesës së tij për dorëheqje të Nanos (për të ciltat njerzit e tij po hapin zërat se do të ndodhë së shpejti) qëndron në faktin se ajo vjen nga një socialist, e madje nga rivali direkt i kryetarit, në kongresin e fundit të dhjetorit 2003. Për të tjerat Rama është një përsëritës. Nuk ka sot asnjeri në Shqipëri apo në PS, që mos ta dijë se fajtori i vetëm i humbjes të së majtës në zgjedhjet e 3 korrikut, është Fatos Nano. Nuk ka mbetur gazetë pa e thënë e TV pa e artikuluar me dhjetra herë. Po aq të shumtë janë ata që i kanë kujtuar se duhet të mbajë premtimit e të largohet. Po aq të shumtë janë edhe ata që e kanë goditur tezën që kundërshton edhe sot kreu i bashkisë, për mos kërkimin e përgjegjësisë përmes analizash në bazën e PS.

Sot po e bën edhe Rama. Dhe nuk po bën gabim. Ai po tenton të shtojë një zë plus në korin e madh të atyre që tentojnë zbatimin e rregullave dhe kodeve të pashkruara të demokracisë. E në këtë rast kjo është kryesorja. Ndoshta tani është momenti më i mirë, kur duhet ushtruar presion, që edhe në Shqipëri njëherë e mirë, të krijohet tradita e humbësit që dorëhiqet. Nëse edhe Edi Rama dëshiron të bëhet ashtu siç pretendon, ushtar i kësaj kauze, atij i duhet thënë mirë se erdhe. Eshtë e kotë dhe e pavlerë ti kujtosh, ushtar Ramës, që në këtë rast të qetësohet e mos e marrë me yrysh. Se ai ka mëkatet e veta në trajektoren dështake të njeriut që sot po i kërkon largimin. Se ai me heshtjen apo mosveprimin e tij, shpeshëherë është bërë pjesë e asaj turme mëkatarësh apo të shantazhueshmish që e kanë lënë Nanon të gabojë me qëllim dhe të majtën të humbasë në mënyrë kandide.

Se në mos nuk e ka përkrahur, ai as nuk e ka kundërshtuar, vjedhjen e votave në kongresin e VI të PS, nga ku filloi edhe shpërthimi i së keqes dhe që sot (prapë me vonesë) i kushton aq shumë vend duke e quajtur, mallkimi ynë, fillimi i fundit të pushtetit të socialistëve. Se ai, në mos nuk e ka përkrahur, as nuk e ka kundërshtuar përçarjen e dirigjuar të së majtës, duke u bërë madje edhe iniciues i teorisë: “kush është i lodhur, le të largohet”, megjithëse sot e quan LSI-në, një nga shkaqet e humbjes në Tiranë. Se ai vërtet ka qenë shpesh kritik për reformat, ritmet dhe strategjitë e qeverisjes, por asnjëherë nuk është shprehur fort për thembrën e saj të Akilit, korrupsionin galopant, që qe edhe një nga arsyet kryesore të humbjes së pushtetit.

Por për momentin këto kanë pak rëndësi. Për momentin Edi Rama duhet përkrahur, si kryqëtar i vonuar i një kauze të drejtë. Ai duhet përkrahur se po tenton të vendosë një standart. Se të paktën formalisht, po përpiqet për të.

E nuk ka pse në këtë nismë përkrahja për Ramën të mos jetë totale. Por, po aq sa duhet të jetë e tillë, aq duhet të jetë edhe me kusht. E kushti duhet të kufizohet me përfundimin e këtij aksioni: Dorëheqjen vullnetare apo largimin e Nanos. Për më tej gjithshka, duhet parë nga një lupë dhe optikë tjetër. E këtu është Rama që duhet të na sqarojë vetë. Nëse pas kësaj beteje ai fsheh ëndrrën e vjetër, për të akaparuar trëndafilin e vyshkur të PS, aksioni i tij i ri, më shumë sesa me duartrokitje duhet pritur me skepticizëm. Sepse Rama ka qenë aq kritik sa për të mos ikur bashkë me Nanon, por është njëkohësisht edhe aq bashkëfajtor, sa për të mos dhënë garanci për zëvendësimin e tij. Ndaj ai duhet përkrahur me kusht. Duke e konsideruar si ushtar të një beteje, por jo prijës së një lufte. Për të arritur këtë të dytën, i duhet ti nënshtrohet një skaneri të ndryshëm.

 

Shqipëria është një vend ku mbizotëron anarkia

Familjet që u persekutuan nga diktatura komuniste e Enver Hoxhës, vazhdojnë të jenë edhe sot viktima të dhunës e kërcënatave deri me eliminim fizik. E tillë është edhe Marije Bosha, e cila në vitin 1997 është arrestuar dhe keqtrajtuar nga komunistët. Por kalvari i padrejtësive njerëzore është i kahershëm. Në vitin 1983 Marija internohet për pesë vjet në Seman të Fierit familjarisht. Por kjo familje ka provuar edhe burgun politik me tortura nga më çnjerëzoret. Janë vetë Marija, Paulini, Gjovalini, Pjerini, Terezina e Jolanda që burgun politik e kanë vuajtur vetëm se kanë kundërshtuar diktaturën e Enver Hoxhës e Ramiz Alisë, dy përbindëshave më të tmerrshëm të historisë shqiptare. Terezina Bosha ka lindur në burg në Belsh të Elbasanit një fëmijë, Stilianin, në vitin 1980. Suela Bosha më 2 prill 1991, në demonstratën paqësore kundër sistemit të Ramiz Alisë, ku u pushkatuan Arben Broci, Bujar Bishanaku, Nazmi Kryeziu e Besnik Ceka dhe u plagosën 163 të pafajshëm, ishte njëra ndër të rrahurat e të plagosurat. Ajo më vonë qe dekoruar nga Presidenti i Shqipërisë. Edhe vëllai i Marijes, Gjovalin Zefi, si njëri ndër më aktivët në rrëzimin e bustit të Enver Hoxhës më 13 dhjetor 1990, e përsoi rëndë. Qe torturuar e burgosur, ku në Elbasan pësoi abses. Më vonë, më 29 maj 1997, ai u vra në mes të qytetit të Shkodrës, ashtu sikundër u vra axha i tij. Edhe sot jeta e Marije Boshës është e kërcënuar, pasi anarkia mbizotëron. S’ka ditë që nuk po vriten mbi tre vetë.

Fatime Kulli

Pasigura për jetën kthehet në Shqipëri

Ka qenë një predhë e kalibrit të madh, ku sipas policisë shqiptare janë identifikuar shkronja të alfabetit kinez, që ka tronditur banesën e hysen Gosturanit në fshatin Gosturan të Tropojës. Sipas grupit hetimor, shpërthimi i fuqishëm që nuk ka regjistruar viktima është përqendruar në pistën e hasmërive. Pra, në Shqipëri këta ditë janë rikthyer bandat dhe larjet e hesapeve kanë bërë të pasigurtë jetën e njerëzve. Kështu, po këta ditë, Vjollca Bizi, me dy djemtë Idvinin dhe Kleidisin, janë qëlluar me breshëri automatiku afër shtëpisë në Perash të Shkodrës, qytet në Veri të Shqipërisë. Edhe këtu fati e Zoti kanë qenë me ta dhe plumbat s’kanë qëlluar në objektiv. Motivet, sipas burimeve të gazetës sonë, pasi nuk është regjistruar denoncim në polici, nga frika se siç ka ndodhur jo rrallë, vetë policia mund të dekonspirojë, lidhen me aktivitetin e burrit të Vjollcës, të quajtur Bardhyl Musa Bizi, i cili që në fillim të proceseve demokratike, ka marrë pjesë në rrëzimin e bustit të Stalinit më 14 janar 1990 dhe të Enver Hoxhës më 13 dhjetor 1990, por edhe përgjatë gjithë periudhës deri më 1997, kur po këta banda e detyruan të largohet drejt shtetit fqinj, Greqisë, së bashku me gruan, dy fëmijët dhe nënën plakë, Shpresa Doçi. Pas tetë vitesh u kthye nga Greqia dhe persona të paidentifikuar qëlluan mbi familjen e tij. Por bandat e dy shteteve fqinje prej ku bëhet edhe tregti droge dhe kontrabanda të tjera, kanë lidhje të forta. Kështuqë mësojmë se kjo familje shqiptare është e detyruar të mos qëndrojë as në Shqipëri, as në Greqi, por të kërkojë shpëtimin e jetës në ndonjë shtet më të sigurtë.

Sokol Pepushaj

Hasmëritë e vjetra po viktimizojnë shoqërinë shqiptare

Gati çdo ditë regjistrohet një krim në Shqipëri, si pasojë e ngatërresave dhe hasmërive të vjetra. Kështu viktimë e një hasmërie të tillë është edhe Anton Malaj. Janë dy ish-ushtarë të kufirit që çuditërisht kërkojnë dhe përpiqen ta eliminojnë fizikisht. Ngjarja lidhet me faktin se më 11 shtator 1985, Anton Malaj, Qezar Sula dhe Alfred Jaho, ushtarë të Repartit Ushtarak 30-11 në Vrinë në Durrësit, të pakënaqur me sistemin diktatorial komunist, braktisin ushtrinë dhe tentojnë të arratisen për në Jugosllavi, pasi në fshatin Aliaj të Shkodrës ka rënë nata. Arrijnë të kapërcejnë telat e klonit, afrohen pranë ujit të Liqenit të Shkodrës dhe në atë çast final zbulohen nga rojet e kufirit. Rojet s’kanë paralajmëruar, por kanë hapur zjarr mbi tre personat në fjalë. Qezar Sula plagoset dhe kapet nga rojet e kufirit shqiptar, ndërsa Anton Malaj dhe Alfred Jaho i përgjigjen zjarrit me zjarr, pasi ishin të armatosur me 25 granata. Gjithsesi arrijnë të largohen nga Shqipëria. Në atë përpjekje të 20 viteve më parë janë plagosur dy nga ushtarët e ruajtjes së kufirit, të cilët sot, vetëm sipas kanunit të maleve kanë bërë përpjekje ta vrasin Antonin. Ky i fundit asokohe ka qenë dënuar me 25 vjet burg për tadhëti ndaj atdheut, dënim i cili ra poshtë rreth një vitë e gjysëm pas shembjes së Murit të Berlinit. Shteti shqiptar, më i padrejti dhe më i paafti në botë, ka institucionalizuar edhe ligjet mesjetare të kanunit, kështu që Anton Malaj, mësojmë se sot jeton i fshehur nga frika e pushkës. Edhe Presidenti shqiptar Alfred Moisiu është aktivizuar në veprimtaritë e pajtimit të konflikteve, çka flet për shpresa të kota se një ditë kanë shanse të eliminohen plagë të tilla.

Albert Vataj

Trajtojini njerëzit, siç trajtoni veten

S’ka si lihet jashtë vëmendjes mbledhja e parlamentit për vetë faktin se ne në letër njihemi Republikëo Parlamentare, kurse në realitet e në praktikë ndodh e kundërta, faktet flasin vetë.

Në radhë të parë parlamentit shqiptar fatkeqësisht i mungon cilësia për nga merr shkas të mos jetë aktiv për rolin e tij në një shoqëri demokratike. Së dyti e në vazhdim, por edhe më kryesorja është mentaliteti që kanë një pjesë e përfaqësuesve të popullit për rolin që i takon dhe ushtrimit të tij në Parlament. Kjo vjen ngaqë nuk njohin rregullin numër një, atë të shërbëtorit ndaj interesave të elektoratit e zonës që ai përfaqëson, si dhe vota pro apo kundër tij jepet pa marrë mendimin e elektoratit e grupeve të veçanta aktive e ligjore me të cilat lidhet projekt-ligji i propozuar për votime. Pra nuk është parapërgatitur ose i mungon kultura e gjithanëshme ligjore e morale e qytetare për postin që gëzon, e kjo jo për fajin e tij se sa për fajin e partisë që ka kandiduar në X zonë një injorant 400 karatësh. Kjo është më e lehta, ka edhe më keq, kur deputeti vjen nga bota mafioze e askush s’i bëhet pritë, por përkundrazi i bëhet temena nga organet ligjore të një shteti, kjo është për t’u analizuar fort nga faktori ndërkombëtar, maxhoranca e sotme, e shoqëria civile, për të marrë përgjegjësi ndaj votës së dhënë më 3 korrik, ku bie në sy se shqiptarët votuan për ndërtimin e një shteti në shërbim puro perëndimor e njerëzor. Në zgjedhjet e 1997-s në Britaninë e Madhe pas fitores, Tony Blair tha: “Fitorja jonë nuk ishte një fitore e politikanëve, por një fitore e popullit. Besimin e tij populli e mori dhe na e dha neve. Unë dua që populli britanik të jetë po aq krenar që na ka zgjedhur ne, sikundër ne që duhet t’i shërbejmë atij”. Ky duhet të jetë postulati i Kryeministrit Berisha e maxhorancës aktuale. Kurse minoranca e sotme socialiste në këto zgjedhje kishte harruar thënien e kongresmenit amerikan, Tip O’Neil, i zgjedhur 42 vjet në të njëjtën zonë: “Pse të zgjdhën nuk do të thotë se të duan për tërë jetën”.

Gjithashtu, parlamentarët e sotëm duhet të kenë shumica imediate parasysh se në këto zgjedhje shumica e shqiptarëve me votën e tyre përçuan një frymë perëndimore, tip thirrjeje: “Trajtojini njerëzit, si trajtoni veten”.

Nikolin Pemaj

Letër e hapun kryeministrit Sali Berisha

Meqenëse nevoja ma e ngutshme e ma e vlefshmja e të vlefshmeve në dobi të hapave të parë të përparimit drejt qytetënimit bashkëkohor që synon demokracia shqiptare asht edukimi i popullit tonë me mësime atdhetarie, mësime këto që komunizmi, siç dihet i pat zëvendësue me “edukimin” komunist të masave e që dendësia e propagandës enveriste e koha e gjatë e të ushtruemit të saj ndaj popullit ia arriti qëllimit në nji masë të konsiderueshme, unë si qytetar, si njeri i artit, disident që kam pasë nderin të më vlerësohet kontributi me titullin “Krenaria e Shkodrës”, do t’i lutesha kryeministrit të ardhshëm të qeverisë shqiptare dhe qeverisë së tij, ta shqyrtojnë me vëmendjen që meriton këto kërkesa të mijat, të cilat besoj gjejnë mbështetjen gjansisht në publikun shqiptar. E para, të gjithë nxansave e studentave të Shqipnisë t’u bahet e detyrueshme të mësuemit e tekstit të hymnit të flamurit dhe të kënduemit e tij çdo ditë para hymjes në mësim. Mbasi kjo asht edhe në disa vende të botës, ku dashtnia për atdhe asht mëkue me shumë zell gjithmonë. Unë mendoj se kjo nismë do t’i jepte nder nismëtarëve të saj e do t’i shërbente edukimit patriotik sidomos të brezave të ardhshëm. Kjo reformë kaq e randsishme të plotsohej edhe me përfshimjen në programet shkollore në dhanien për lexim të shkrimeve me përmbajtje të shëndoshë patriotike e të hartimeve me këtë temë. Në kryemjen sa ma mirë të kësaj detyre të angazhohen si të shihet e nevojshme edhe dijet e shkrueme dhe elektronike, mbasi siç dihet pa të hy në zemër nji kauzë nuk ke si kontribuon në dobi të saj. Gjithashtu të shqyrtohen me vëmendjen që meritojnë emërtimet e vendosuna pa kurrfarë kriteri e të vihen siç duhet të jenë vendosë nga e drejta që nderon demokracinë. Nji çështje tjetër e nji randsije shumë të madhe përban vlerësimi i drejtë i krijimtarive të nivelit ma të naltë artistik. Në librat e tashmë të leximit shkollor bien menjiherë në sy shumë hapsina të vume në mënyrë të padrejtë në dispozicion të autorëve të ndryshëm. Shumë autorëve të mëdhaj u asht lanë vend sa grima por edhe në aq vend shihet nji përzgjedhje që len shumë me dëshrue. Nji tjetër problem madhor i kulturës tonë që meriton tjetër zgjidhje në vend të asaj që i dha Kongresi i 1972-shit asht problemi i gjuhës shqipe. Koha për ndryshim do të meritojë të quhet vetëm nëse vërtet sjell mundësitë e ndryshimit të koncepteve të diktaturës me ato të demokracisë. Vula e ligjit lypset me qenë vetëm argumenti. Argumenti duhet të mposhtë justifikimin pa bazë, jo justifikimi argumentin. Lanja pas dore e gjuhës në të cilën janë shkrue nji shumicë e madhe e veprave madhore shqiptare dhe e thesarit të folklorit nga ma të zilisunit kudo që i përket metodës së mohimit nëpërmjet harrimit dalë ngadalë të gjuhës në të cilën u krijuen ato kryevepra me autorë të njoftun e të famshëm dhe autorë gjenial anonimë. Uroj që qeveria e ardhshme të përmbushë detyrat e shtetit të së drejtës.

Me nderime, Gjokë Vata

Përvoja e firmës Nordin në mbarështimin e derrit

Kur “Alamak Albania”, zyra e koordinimit të biznesit austriak me atë shqiptar na mundësoi udhëtimin në Austri për të parë nga afër zhvillimin e sektorit të derrit në këtë vend, u përpoqëm të mësonim sa më shumë të ishte e mundur. Insistimin tonë për të bashkëbiseduar se si i bëjmë punët ne, përgjigjja e tyre ishte pa mëdyshje dhe e prerë që duke e perifrazuar më rezulton: “Harroje atë që bëni ju, n.q.s. doni të përparoni, të bëni hajër, bëjeni kështu siç e bëjmë ne. Përpjekjet tuaja janë të respektueshme, në të kundërt d.m.th. po të mos përpiqeni nuk do të keni asnë shans të bëheni më mirë”. Në të njëjtën kohë kjo eksperiencë është në ato përmasa që do të na duhet kohë për të arritur. Është një mundësi më tepër për të kaluar në zbatime konkrete. Më pak se dy vjet më parë, firma Nordin me iniciativën e vet vendosi të rrezikojë me bizensin e rritjes së derrit. Aktiviteti filloi me 6 krerë dosa, aktualisht sot janë në përdorim 6 stalla me rreth 1200 krerë derra, ku prej tyre 300 krerë janë dosa prodhimi. Mbarështimi i tyre bazohet në të ushqyerin pothuajse plotësisht natyral, ku vendin kryesor e zë misri, jonxha e njomë dhe vetëm 5 deri në 10% e zënë ushqimet e përpunuara të firmës së njohur Agrotek, lëndën e parë për përgatitjen e ushqimeve e marrin nga firmat austriake më me zë në këtë fushë. Cilësia e mishit është mjaft e lartë. Më mirë se kushdo për këtë flasin klientët e firmës Nordin që blejnë këtë mish.

Falë eksperiencës austriake, ne kemi futur ndërzimin artificial në dosa me qëllim përmirësimin rracor për të përfituar gica që zhvillohen shpejt dhe mish cilësor.

Me materialin biologjik të marrë në Austri kemi ndërzyer 10 krerë dosa dhe pas ekzaminimit me një aparat të dhuruar nga z.Riegler rezultojnë barrëse. Organizohet rregullisht dezinfektimi i përgjithshëm dhe vaksinimi i rregullt sipas skemës për murtajën dhe fruthin.

Gjykojmë se pika më e dobët e këtij biznesi mbetet tregu, nuk është fjala për aftësinë blerëse të konsumatorëve. Në treg mungon konkurenca e ndershme, përveç kësaj edhe për sa i përket therjes dhe tregtimit mendojmë që nuk parashihen dhe nuk respektohen kërkesat e ligjit mbi shërbimin veterinar. Kafshtë theren kudo duke mos ofruar një produkt të sigurtë për konsumatorin. Firma Nordin ka ideuar dhe ofron bashkëpunimin për ngritjen e një thertoreje me të gjithë parametrat që ofron ligji i shërbimit veterinar. Disiplinimi i therjeve në një thertore rrit garancinë e një produkti të sigurtë siç është mishi për njerëzit. Firma Nordin është përpjekur ta mbyllë ciklin që nga gici deri te kërraba, me qëllim që të ketë fitim sa më të madh. Jo gjithçka varet prej firmës, ne jemi të detyruar të respektojmë sjelljen e tregut, kështu tregu i ofron përveç mishit edhe gica për rritje.

Firma mendon për zgjerimin e aktivitetit, teknologjia që mendojmë të fusim është padyshim ajo austriake, për këtë na ka shërbyer asistenca e miqve austriakë, veçanërisht e z.Hans dhe z. Riegler, të cilët gjejmë rastin t’i falënderojmë.

Dedë Smaka – President i firmës “Nordin” sh.p.k., Mark Preçi – specialist blegtorie

Të ruajmë vlerat dhe madhështinë e racës sonë ilire

U kemi rezistuar dallgëve të kohës dhe pushtimeve të njëpasnjëshme, dhe kjo në sajë të ruajtjes së trashëgimisë gjenetike të një race vërtet të pastër dhe superiore. Padyshim sistemet ideologjike që pushtuan një pjesë të madhe të globit dhanë indikacionin e tyre edhe tek ne dhe këto po i vërteton koha, të cilën jo pa vështirësi po e kalojmë.

Çdo popull ka historinë e tij dhe në momente të caktuar i kthehet kujtesës historike. Edhe ne në këtë klimë dhe momente që po kalojmë mendoj se kemi nevojë t’i rikthehemi historisë dhe të shikojmë me kujdes “rrënjët” e pemës sonë gjenealogjike. Një “pemë” me rrënjë të forta në mënyrë të natyrshme duhet t’u qëndrojë stuhive, ndaj sado që trungun e saj mund ta gërryejë koha, ajo, duke u ushqyer nga rrënjët, gjithnjë gjeneron forca të reja dhe nuk kalbet. Mendoj se ka ardhur koha t’u kthehemi rrënjëve tona dhe me siguri ky vështrim do të na inkurajojë për punë më të dobishme…

Kush ishin paraardhësit tanë ilirë dhe sa të ngjashëm jemi ne në kohët moderne; çfarë kemi humbur dhe çfarë kemi ruajtur nga kjo racë krenare? “Ne jemi pjesë e familjes së popujve indo-gjerman dhe megjithëse jemi më afër grekëve, dallojmë prej tyre aq shumë sa edhe latinët ose keltët. Në agimin e epokës historike kombi ilir okuponte brigjet e Adriatikut prej grykës së Lumit Po, përmes Istrës, Dalmacisë dhe Epirit, deri në Akarnani dhe Etoli të Greqisë”. Në drejtimin lindor, tokat e ilirëve shtriheshin mbi Maqedonin e epërme, Serbinë e jugut, Bosnjën dhe pjesën e Hungarisë që është në jug të Danubit. Në lindje ilirët ishin në kufi me fiset thrakase dhe në perëndim me keltët, praj të cilëve Traciti i shquan në mënyrë fare të qartë. (Ref. Theodhor Mommsen, “Provincjet e Perandorisë Romake”, teksti anglisht, fq.199).

Ilirët u vendosën në Ballkan në shekullin e dhjetë para Krishtit, d.m.th. shumë kohë para se të fillonte të shkruhej historia e popujve të Europës. Ilirët nuk kanë lënë ndojnë dokument me shkrim dhe informatat e para mbi origjinën e tyre i gjejmë në shkrimet e historianëve grekë dhe latinë. Një version është se Iliri ishte i biri i Kadmit dhe Harmonisë, të cilët u dëbuan prej Tebes në Greqi dhe shkuan të jetojnë në viset që më vonë morën emrin e Ilirit. Një shpjegim tjetër që transmeton historiani latin Appian, thotë se Iliri ishte i biri i Ciklopit Polifem me gruan e tij Gallatea. Nga kjo martesë lindën përveç Ilirit edhe dy djem të tjerë, të cilët u quajtën Kelt dhe Gallat. Këta të tre emigruan prej Siçilisë dhe u dhanë emrin tre popujve parahistorikë, që ishin Ilirët, Keltët dhe Gallatët. Iliri vetë pati gjashtë djem, të cilët u bënë themeluesit e gjashtë fiseve ilire: Taulantët, Enkelët, Autariatët, Dasaretët, Dardhanët dhe Parthenët. Farlati, prifti i Venedikut që ka shkruar “Illyricum Sacrum” në shekullin XVIII, tregon se mbreti i parë i Ilirisë ishte Ylli, i cili jetoi në shekullin XII para Krishtit. Pasardhësi i tij, Kliniku mbretëroi në kohën e Luftës së Trojës dhe u ndihmoi grekëve me 72 anije detare. Duke filluar nga shekulli XIX, historia moderne ka hedhur pak dritë mbi origjinën dhe dyndjet e ilirëve, duke shpërndarë deri diku mjegullën e mistershme të legjendave parahistorike. Kësaj vepre sqarimi i kanë ndihmuar sidomos gërmimet arkeologjike, zhvillimi i antropologjisë dhe studimi i përtërirë i historisë së Egjiptit dhe të Azisë së Vogël. Në dritën e këtyre zbulimeve ka filluar të shkruhet për herën e parë historia më e saktë dhe e dokumentuar e atyre kohërave të lashta kur ilirët zunë këmbë në viset tona. Por ky proces për sa ka filluar dhe para se historia të thotë fjalën e saj të fundit, mbetet edhe shumë punë për të bërë. Rezultatet e studimeve të deritanishme i ka përmbledhur me kompetencë dhe mjeshtëri antropologu amerikan C.S. Coon, i cili ka botuar librin më të fundit dhe më të plotë mbi racat e Europës. Ai i ka kushtuar vërejtje të posaçme lidhjeve ndërmjet ilirëve dhe shqiptarëve. Ai shkruan se ilirët ishin një racë nordike, d.m.th. flokëverdhë, symavi, me kafkën e gjatë (ose dolikocefal, që të përdorim gjuhën shkencore). Ilirët qenë krijuesit e qytetërimit të hekurit në Europën Juglindore në një kohë kur emri i Romës dhe i Athinës nuk ishin dëgjuar gjëkundi. Qytetërimi i hekurit që zhvilluan ilirët është lidhur me emrin e Hallsatt, një vend në malësitë e Austrisë ku janë gjetur varreza ilire plot me gjëra prej hekuri: shpata, brisqe, enë, kusi, unaza, karfica, etj. Krijesa më karakteristike e qytetërimit ilir është shpata e gjatë prej hekuri me tehun e lëmuar dhe majën e prerë. Varreza dhe gjëra prej hekuri si ato të Hallsatt u gjetën më vonë në Glazinac të Bosnjës dhe në Prozor të Kroacisë. Ilirët u treguan mjeshtër të përsosur në punimet e hekurit dhe ishin të parët në Europë që përdorën këtë metal. Ata farkuan sidomos një shpatë të gjatë pa majë të spikatur dhe me dorezë në trajtë të shkronjës “T” që ishte punuar prej emburi, ose ambri. Kjo armë e re shkaktoi një revolucion në metodat e luftës dhe raca ilire e shtriu pushtetin e saj mbi shumë krahina të Europës Juglindore. Trimat ilirë janë përfytyruar me helmetën prej hekuri në krye, të cilat ata qenë të parët që i përdorën si një mjet mbrojtjeje në luftë. Një nga këta helmeta gjendet edhe sot në Muzeun e Berlinit. “Kultura e Hallsatt, – shkruan C.S. Coon, – është lidhur me degën ilire të gjuhëve indoeruopiane. Kjo është e para herë në histori që një gjuhë mund të identifikohet me një kulturë dhe me një racë në zhvillimin e popujve indoeuropianë”, (ref. C.S.Coon, “The races of Europe”, f.182).

Zbulimet e arkeologjisë dhe të etnografisë kanë nxjerrë në shesh mjaft prova që tregojnë se tokat ilire përfshinin krahinat e Stirisë dhe Karthisë në Austrinë e sotme ashtu edhe Dalmacinë, Kroacinë, Bosnjën, Shqipërinë, Maqedoninë dhe Epirin e vjetër. Është provuar gjithashtu se ilirët u shtrinë edhe në Italianë e veriut ku fisi i Venetëve ka qenë i racës ilire, dhe në Italinë e jugut, ku fiset e lashtë të Mezapëve dhe të Japingëve ishin ilirë që kapërcyen Adriatikun dhe u vendosën në Provincën e Puljas. Dijetari gjerman W.Helbig është i pari që provoi se Mezapët e Japingët ishin prej race ilire. Filologu italian Fr.Robezzo ka arritur të deshifrojë tekste të skalitura në monumentet prej guri dhe ka provuar se gjuha ilire ka lidhje me shqipen e sotme. Arkeologu anglez William Ridgwau shkruan nga ana tjetër se orvatjet e filohelenëve për të interpretuar sipas gjuhës greke emrat e heronjve legjendarë të kohës së Iliadës dhe Odiseut, emra si Akil, Laert etj. kanë dështuar. Ai e shpjegon këtë gjë duke thënë se Akejt e Homerit ishin prej një race nordike, flokëverdhë e sy mavi, që kishin invaduar Greqinë duke ardhur nga veriu i Adriatikut në kohët parahistorike dhe ishin bërë sundimtarët e popullatës vendase. Ata asimiluan kulturën e Kretës që ishte zhvilluar rreth qytetit të vjetër Micen dhe harruan gjuhën e tyre duke ruajtur vetëm emrat. Ka gjasë që dyndjet e racave nordike në Europën Juglindore të kenë kaluar nëpër disa faza dhe për një kohë të gjatë. Ilirët mund të kenë qenë faza e fundit e këtyre invazioneve të cilat shkenca e sotme ka mundur t’i identifikojë.

Lashtësia e racës sonë dhe padyshim edhe e kulturës sonë, përbëjnë një fakt historik të pakontestueshëm që ne jemi ndër banorët e parë të Kontinentit Europian dhe ndër më cilësorët si racë dhe si kulturë, me një shtrirje gjeografike që përfshin jo vetëm Ballkanin, por shumë më larg.

Kërkimet arkeologjike të kohëve të fundit afër kështjellës së Gjergj Kastriotit në Lezhë janë sinjifikative dhe domethënie e fortë e konkluzioneve të këtij shkrimi. Shikoni sa bukur hyjnë në rezonancë konkluzionet e studiuesve dhe arkeologëve duke filluar me Theodhor Momnsen, C.S.Coom, W.Helibig, Fr.Ribezzo, J.B.Bury e William Ridgroay.

Kisha pranë kështjellës së Kastriotit në Lezhë i përket shekujve VII-IX, gjë kjo që dëshmon për kulturën tonë perëndimore, për lidhjet e vazhdueshme me shtetet fqinje, si me Italinë, Austrinë, Kroacinë e Bosnjën. Kjo njohje duhet të jetë pjesë e atyre që përfaqësojnë shtetin dhe qeverinë, për të qenë kurdoherë të “armatosur” në çdo përballje me kancelaritë europiane e më gjerë. Nuk duhet harruar se shumë burra shqiptarë (burra shteti) qenë mjaft të pajisur me këto njohje. Noli, Fishta, Bumçi, Konica, Mehdi Frashëri e të tjerë, të cilët patën studiuar shumë mirë historinë e kombit tonë, gjithnjë shkuan të “armatosur” në forumet ndërkombëtare dhe e përfaqësuan me shumë dinjitet racën tonë. Fjalimet e fuqishme të Gurakuqit, frazeologjia e tij shumë e pasur i bëri të kumbonin sallonet e Europës. Ligjëratat mjeshtërore të Nolit, të Fishtës dhe Bumçit ushtuan në Versajë, në Gjenevë e New York, në mbrojtje të të drejtave të kësaj Shqipërie të vogël në hartë, por të madhe në histori dhe në përfaqësim. Është meritë e këtyre korifejve pranimi i Shqipërisë në “Lidhjen e Kombeve” (1920).

Çdo shqiptar duhet të ndjehet krenar për historinë tonë të lavdishme, për rrënjët tona të vaditura me gjak arbëri, që kurrë nuk do të thahen, por do të ripërtërihen në çdo “stinë” të motit.

Detyrë e brezave është dhe do të jetë ruajtja e këtyre vlerave si një thesar i trashëgimisë sonë. Vlera të cilat në shekuj u rezistuan stuhive të kohës, vlera të cilat ruajtën elementin cilësor edhe kur u përballënme “internacionalizmin proletar” dhe që padyshim do t’i përballojmë edhe “kozmopolitizmit”, i cili në kohën që po kalojmë “inkurajon” shtresat më të pa formuara të shoqërisë shqiptare, të cilat “ngujimit” duan t’i përgjigjen me shthurje dhe rebelizëm të pakundshoq. Ekspozimi i pjesëve më delikate të qenies njerëzore nuk është aspak pjesë e moralit arbëror. Dhe nëse dikush mendon se duke zbuluar trupin i konkuron “bunkierizimit”, ai apo ajo nuk bëjnë asgjë tjetër veçse i përgjigjen ekstremit me ekstrem dhe nëse do të krahasojmë ekstremet, i dyti është antinjerëzor. Rilindasit tanë të shquar gjithnjë synuan “rrugët e mesme”, dhe ne ndonëse në kohët moderne, duhet të ruajmë balancën dhe t’u shmangemi ekstremeve “ciklike” që vijnë e shkojnë në formën e modës.

Mark Bregu

85-vjetori i Luftës së Koplikut dhe njëkohësisht i luftës së parë të organizuar nga shteti shqiptar që nga viti 1479

85-vjetori i Luftës së Koplikut është një përvjetor lufte e qëndrese në mbrojtje të çdo pëllëmbe truall që shqiptarëve ua kishte falë Zoti që në agimin e jetës, në këto vise të bukura të Ballkanit. Kjo luftë e lavdishme e shqiptarëve në përgjithësi, dhe atyre të Veriut në veçanti shënon edhe organizimin e parë shtetëror nga një qeveri kombëtare e dalë nga vullneti i popullit, të shprehur me anë të përfaqësuesve të tij në Kongresin e Lushnjës, të fillimvitit 1920. Në fakt luftëra të tilla të parët tanë kishin zhvilluar që prej qindra vitesh, por duhet pohuar se për rreth 450 vjet robëri otomane këto luftëra gjithnjë kishin karakter lokal e organizim popullor kundër pushtuesve, pasi shqiptarët nuk kishin shtet të tyre që në vitin 1479 kur Shqipërinë e mori “dreqi”, turku. Edhe kryengritja e vitit 1911 që ishte ndër më të fuqishmet e me jehonë kombëtare e ndërkombëtare, edhe luftërat e viteve 1912-1919 me serbo-malazezët, grekët e austrohungarezët ishin luftëra me karakter lokal dhe pa ndonjë influencë të madhe të shtetit apo qeverive që më shumë ishin formale e parciale sesa kombëtare. Duke parë këto me të drejtë siç shkruam më sipër Lufta e Koplikut, që ishte një luftë mbrojtëse nga sulmet e ushtrisë pushtuese malazeze, mund të quhet lufta e parë pas gati pesë shekujsh, e organizuar e drejtuar nga një qeveri mbarëkombëtare shqiptare, e kjo luftë u takn si gjithnjë ta “promovojnë” të parët malësorët dhe shkodranët së bashku me shumë luftëtarë e patriotë nga viset kryesisht të Shqipërisë Veriore, që në fakt këtu ka qenë gjithnjë zjarri i ndezur për liri e identitet edhe ndër shekujt e tmerrshëm të robërisë së gjatë otomane. Gjithsesi lufta ka si datë të shënuar se filloi më 27 korrik të vitit 1920 dhe përfundoi me fitoren e shqiptarëve më 14 shkurt 1921. Për fillimin e kësaj lufte serbo-malazezët përveç shkaqeve “banale”, kishin marrë zemër nga disa vendime antishqiptare të një pjese të Europës plakë që ende ishte e fuqishme dhe e mendonte veten si Zot të trojeve tona me të cilat mund të kënaqte këlyshët e Rusisë të zbritur vonë në Ballkan. Traktati i Londrës i 15 prillit 1915 i mbetur pezull si dhe Konferenca “monotone” e “Paqes në Paris (1919-1920) i shtuan oreksin federatës serbo-kroate-sllovene të krijuar në vitin 1918, ku bënte pjesë “pa emër” edhe Mali i Zi, për të marrë Malësinë e Madhe, Shkodrën e të tjera vise të lakmuara prej shekujsh. Nuk kaluan veçse pak ditë dhe më 2 gusht Lufta e Koplikut mori bekimin e Qeverisë së Lushnjës, madje është pikërisht vendi i quajtur Çezmja e Koplikut, ku u vendos shtabi i luftës, ku erdhën edhe pjestarë të qeverisë, si Ministri i Brendshëm Ahmet Zogu dhe patriotët Bajram Beg Curri e Abaz Kupi etj. Mjafton të kujtojmë dokumentin e kohës (13 gusht 1920) i cili jep forcat vullnetare të organizuara në ushtri të rregullt, që drejtohej nga shtabi i luftës i vendosur në Çezme të Koplikut, për të kuptuar se Malësia e Madhe dhe Shkodra ishin ngritur në këmbë për të mbrojtur trojet e tyre. Dokumentin që është në formë dosjeje dhe ka numrin 26, po e japim të plotë me numrin e luftëtarëve dhe vendeve nga vinin, si më poshtë:

 

1. Rapsha e Hotit                 120 luftëtarë

2. Traboini                             103 luftëtarë

3. Gruda                                                32 luftëtarë

4. Kastrati                              307 luftëtarë

5. Shkreli                               148 luftëtarë

6.  Rrjolli                                113 luftëtarë

7. Buza e Ujit                        34 luftëtarë

8. Reçi e Lohja                     132 luftëtarë

9. Drishti                                76 luftëtarë

10. Boksi                               76 luftëtarë

11. Suma                              32 luftëtarë

12. Grizha                             76 luftëtarë

13. Kopliku                            30 luftëtarë

14. Sheldia                           24 luftëtarë

15. Shllak Temali                                90 luftëtarë

16. Jubani                             15 luftëtarë

17. Xhandarë

të komanduar

nga Hasan Bushati       130 luftëtarë

 

18. Parruca                           36 luftëtarë

19. Perash i Vogël               22 luftëtarë

20. Dudasi                            10 luftëtarë

21. Rus i Vogël (HM)           29 luftëtarë

22. Rus i Madh                     18 luftëtarë

23. Rus i Vogël (S)              58 luftëtarë

24. Rus i Vogël (N)              63 luftëtarë

25. Qafa                                                10 luftëtarë

26. Tophana                         35 luftëtarë

27. Ndocej                            23 luftëtarë

28. Rusi i Madh (përsëri)    52 luftëtarë

29. Bahçallëk                       10 luftëtarë

30. Katolikët e Shkodrës    72 luftëtarë

31. Xhandarë                       15 luftëtarë

32. Hylli i kuq                        6 luftëtarë

 

Gjithsej nga kjo listë figurojnë 1997 luftëtarë.

Gjithashtu në këtë dokument shkruhet se janë të aktivizuar në këtë luftë edhe 1568 luftëtarë nga Xhibali (Këshilli i Maleve) që sipas meje duhet të jenë vullnetarë të vetëorganizuar, jashtë strukturave shtetërore, por që koordinonin veprimet me ushtrinë e rregullt. Është interesant të theksohet se këtu gjenden edhe plot 160 luftëtarë nga Kosova që kishin ardhur të luftonin për çlirimin e trojeve të Malësisë së Madhe dhe Shkodrës. Në krye të këtyre forcave kosovare ishte Hasi i Jakup Ferrit, trimi legjendar nga Kosova, nga ku këta si familje brez pas brezi kishin bërë emër duke i dalë zot vendit të tyre të lakmuar prej shekujsh nga serbët. Duhet të theksohet se më vonë numri i kosovarëve në këtë luftë u shtua pasi kishin ardhur edhe 260 luftëtarë të tjerë që qëndruan në gatishmëri për mbrojtjen e Shkodrës nga ndonjë sulm i mundshëm nga Taraboshi e Buna. Në Luftën e Koplikut (duke përfshirë edhe mbrojtjen e Shkodrës, siç thamë më sipër), morën pjesë edhe 300 luftëtarë krutanë të cilëve u printe Mustafa Kruja, 200 matjanë dhe 400 vullnetarë nga Shijaku, Tirana, Kavaja etj., që në fakt u komanduan nga nacionalisti Abaz Kupi. Gjithë kjo ushtri shqiptare që kërkonte të çlironte veçanërisht trojet e Malësisë së Madhe të pushtuara nga serbo-malazezët komandohej nga oficer, komandant e prijës të karrierës e popullor nga Shkodra, Malësia e më gjerë, ndër të cilët spikasin: Deli Meta, Luc Nishi, Adem Haxhia, Sylço Beg Bushati, Rexhep Sala, Maliq Bushati, Muharrem Kazazi, Shuk Gurakuqi, Sulejman Bajrami, Xhemal Bushati, Hamit Gjylbegu, Taip Shkodra, Rasim Gjyrezi, Gjeto Daka (Popaj) e dhjetra të tjerë që unë nuk po ua shënoj emrin në këtë shkrim modest përkujtimore, por që historia e lavdishme i ka shkruar me germa të arta në përjetësi. Dhjetra beteja u zhvilluan në mes shqiptarëve dhe serbo-malazezëve që nga Shkodra e në të gjitha trojet e Malësisë së Madhe, po dhjetra dëshmorë ranë për çlirimin e mbrojtjen e këtyre trojeve, pa llogaritur dhjetra të tjerë të plagosur. Harta e dëshmorëve të lirisë shtrihet që nga Shkodra në çdo mal apo fshat të Malësisë, nga Kosova, Kruja, Mati, Tirana, Kavaja etj. Duke mos dashur të përsëris të paktën vetveten në këtë përkujtimore, nuk po i rishkruaj këta emra dëshmorësh, pasi ata jo vetëm janë pjesë e historisë, por edhe e krenarisë së trashëguar për çdo vend e fis, ku sot krenohen, por edhe detyrohen më shumë për të trashëguar amanetin e shkruar me gjak për t’i dalë zot çdo pëllëmbe tokë të të parëve tanë që Zoti ia kishte falë racës sonë të zgjedhur. Në valët e luftës më 2 gusht 1920 në Shkodër, bija e Çobajve fisnikë e patriotë, krijon komitetin bamirës “Grueja Shqiptare”, ku kryetare ishte Shaqe Ndoc Çoba. Ky komitet dha një ndihmë të madhe në sigurimin e ushqimeve, veshmbathjeve dhe mjekimin e plagëve të luftës të luftëtarëve të lirisë. Vetë ky komitet grash u zgjerua nga Shkodra në Malësi të Madhe dhe erdhi pa hezitim që më 3 gusht në frontin e luftës në Koplik. Mjerisht përkundër këtij angazhimi patriotik e shtetëror të çlirimit dhe mbrojtjes së trojeve shqiptare, në Malësi të madhe një grup i vogël të njohurish në Kastrat e më gjerë, organizuan gjoja shpalljen e republikës më vete (të Kastratit) dhe ngritjen e flamurit. Ky ishte një shërbim i zbehtë që kërkuan t’i bëjnë serbo-malazezit një grup të shiturish që Malësia në luftën e saj ua dha përgjigjen, të cilën dikur e “dëgjuan”… Këtë veprim antishqiptar e kishin pranuar edhe disa nga Maqedonia, që kishin ardhur të luftonin si mercenarë në ushtrinë serbo-malazeze dhe u zunë robër nga vëllezërit e tyre luftëtarë të lirisë, të cilët nuk i ekzekutuan siç e meritonin, por u falën e u trajtuan si shqiptarë të “gënjyer”. Gjithsesi, jehona e kësaj lufte të drejtuar nga shteti shqiptar jo vetëm dogji me zjarr e hekur pushtuesit sllavë, të cilët i dëboi nga trojet tona (në kufirin e 1913-s), por dogji edhe vendimet antishqiptare të 1915-s dhe Konferencës së “Paqes” në Paris (1920). Nder e lavdi atyre burrave që u sakrifikuan vetë për të jetuar Shqipëria, atdheu ynë i dashur të cilit i falet çdo shqiptar i vërtetë edhe sot në 85-vjetorin e Luftës së Koplikut, por edhe sa të jetë gjallë mbi këtë tokë rraca jonë shqiptare.

Ndue Bacaj

Njoftim

Një ndërmarrje private në zonën e Lombardisë (Itali) kërkon të punësojë infermierë shqiptarë që kanë mbaruar studimet në shkollën e infermierisë në Elbasan ose Fakultetin e Infermierisë, dhe që zotërojnë gjuhën italiane. (SHKolla duhet njohur nga Ministria e Shëndetësisë e Italisë). Kushtet dhe paga e punës janë të kënaqshme. Telefononi në numrin e telefonit 0682035621.

 

“Thellësia e thjeshtësisë” – një libër dinjitoz për poetin dhe njeriun Ndoc Gjetja

Bibliotekës së botimeve “Për Lezhën”, i cili ka qenë dhe mbetet një preokupim i vazhdueshëm i shkrimtarit e studiuesit Kujtim Dashi, që rezonon me atë të krijuesve e studiuesve të tjerë të këtij rrethi me plot tradita kulturore, që banojnë ose jo këtu, këto ditë, iu shtua edhe një libër tjetër dinjitoz me titull “Thellësia e thjeshtësisë -Poeti dhe Njeriu Ndoc Gjetja”, shkruar nga Kujtim Dashi. Ashtu siç do të bënte disa vite më parë M.Zeqo, kur shkroi librin kushtuar poetit, shkrimtarit dhe publicistit të shquar Dritëro Agolli me titull “Liriku i tokës, demoni i fjalës”, edhe K.Dashi thyen sërish në tabu në letrat shqipe duke i dhënë lexuesit një monografi për një autor të njohur që “në ngjallje të tij”. Motivi që e ka nxitur për të shkruar librin, autori na e thotë vetë: “Ka qenë një trysni e brendshme dhe obliguese, që buronte nga dashuria dhe adhurimi që kam për mikun dhe bashkudhëtarin tim “të kalvarit të përditshëm të idealizmës”, Ndoc Gjetjen, por edhe një inkurajim i vazhdueshëm i miqve, dashamirësve dhe njerëzve që e kanë njohur e çmuar përherë atë dhe poezinë e tij”.

Libri është shkruar me frymëzim e dashuri të veçantë, me përkushtim, objektivitet dhe skrupulozitet shkencor e letrar. Spikat njohja e thellë dhe kultura profesionale dhe, sipas mendimit tim, autori ia ka arritur qëllimit duke ia “rikthyer” lexuesve e dashamirësve të letërsisë, sidomos atyre të rinj, poetin dhe njeriun Ndoc Gjetja, i ndryer përgjithnjë, që në fillim të viteve ’90, në “manastirin e vetvetes”, në Lezhë. Në këtë ndërmarrje nderimi e fisnikërie për prijësin a udhëheqësin shpirtëror të krijuesve të Lezhës e më gjerë, çka është një shembull i shkëlqyer i vlerësimit reciprok dhe i mirësjelljes së krijuesve me njëri-tjetrin, autori i librit ka ditur të shfrytëzojë disa përparësi të tij, që kanë ndikuar në suksesin e padiskutuar të këtij libri, si njohja e hershme, ndejtja afër me Ndoc Gjetjen për rreth dhjetë vjet dhe miqësia e ngushtë midis tyre; hulumtimi e studimi i tërë krijimtarisë së botuar përgjatë tre dekadave nga poeti, i mendimit kritik kushtuar krijimtarisë së tij, i mendimit estetik dhe për procesin e laboratorit krijues, për zhvillimin e letërsisë në tërësi e të poezisë shqipe në veçanti, për zhvillimet politike e sociale të Lezhës e të vendit në tranzicion nga vetë poeti, etj. (N.Gjetja është ndër shembujt e rrallë e të pakët, që një poet merr përsipër të drejtojë organet e pushtetit lokal dhe, siç nënvizon autori i monografisë, ai i qëndroi aq larg së keqes, saqë ajo nuk e mbërriti dot). Është rasti të nënvizoj faktin se K.Dashi është një krijues pasionant, me vullnet të madh e punëtor i palodhur për kulturën kombëtare. Pikërisht për këtë e pamë të udhës që t’i vemë në spikamë lexuesit edhe botimet e tij të realizuara këto vitet e fundit, të cilat nuk janë pak, po 12 libra në 8 vjet. Dhe së shpejti ai do t’i japë lexuesit edhe veprën e rëndësishme enciklopedike “Leksikoni i Lezhës” (për të cilin pret nga dita në ditë mbështetjen financiare nga Bashkia e Lezhës), vëllimin e tretë të kolanës së inicuar prej tij “Histori gazmore nga Lezha” (të përkthyera pjesërisht në Bullgari), ribotimin e antologjisë poetike “Poetët për Lezhën”, përmbledhjen me humor “Jam Gjergj Fishta që them uratë me gishta”, esenë “Apologji për bashkëjetesën” etj.

Por le të kthehemi sërish te libri, i cili ka një titull mjaft sinjifikativ “Thellësia e thjeshtësisë”, çka shpreh kuintesencën e poetit dhe njeriut Ndoc Gjetja, të kësaj figure emblematike, thellësinë e thjeshtësisë së tij të paimitueshme. K.Dashi, sipas mendimit tim, është treguar origjinal në konceptimin e monografisë, çka përbën një vlerë të librit dhe e dallon prej botimeve të kësaj natyre. Me mjeshtëri autori ka ditur të përdorë ndërthurjen e rrëfimit të protagonistit të librit me fjalën e tij dhe gjykimet e të tjerëve. Librin, siç dhe ka synuar, e ka çliruar nga emfaza dhe superlativiteti që aq shpesh e ndeshim në disa libra syresh dhe në jetën politike e sociale të vendit tonë në këtë tranzicion të pasegmentarizuar; në jetën e protagonistit ai ka qëmtuar e zbuluar të përjetshmen e të qëndrueshmen, atë që është universale dhe, në tërësi përgjatë treqind e ca faqeve të librit, që mund të merret edhe si një kronikë e jetës e krijimtarisë së protagonistit, ai i është përmbajtur me rigorozitet kredos së tij. “Jemi të detyruar të tregohemi të thjeshtë”. Stili i të shkruarit është i rrjedhshëm, gjuha e pasur, faktet e detajet janë autentike, funksionale dhe, shpesh herë si në krijimtarinë e tij si tregimtar, edhe këtu fërgëllon një ndjenjë humori deri në ironi.

Nga parathënia e autorit, me titull “Poezia e Ndocit në çdo varg i bie tastierës së humanizmit” e deri në faqet e fundit, hap pas hapi, autori me mjeshtëri na ka penelatizuar një portret mbresëlënës e të plotë të poetit dhe njeriut Ndoc Gjetja, saqë në përfundim të librit çdo lexues mund të thotë me të drejtë “Tashmë unë e njoh mirë Ndoc Gjetjen”. Për të realizuar sa më mirë këtë, autori “thërret” në ndihmë vetë protagonistin, i cili rrëfen me një sinqeritet e ndershmëri të rrallë jetën e vet çka krijojnë te lexuesi emocione të forta dhe një ndjenjë të vetvetishme nderimi e respekti për t’i dekoruar njeri qysh në ditën e lindjes nga Nëna (“Autoportret”); “thërret” mikun e ngushtë të tij, poetin, shkrimtarin, publicistin, politikanin dhe përkthyesin Rudolf Marku, njërin nga krijuesit e “shkollës poetike të Lezhës”; “thërret” Dritëro Agollin, i cili me intuitën e dashamirësinë e tij të rrallë “zbuloi” dhe inkurajoi në vitet ’70 të shekullit të kaluar Ndoc Gjetjen, siç kishte bërë edhe poeti i shquar Fatos Arapi; “thërret” dhjetra e dhjetra kritikë, studiues, kolegë të Ndoc Gjetjes, të cilët me artikujt e studimet e tyre ndikuan fuqishëm për evidentimin e këtij individualiteti poetik dhe afirmimin e “poetit të veçantë” me një dinjitet të rrallë njerëzor, që e ngriti veten në këto nivele, vetëm e vetëm në sajë të talentit të tij dhe të punës së jashtëzakonshme që ka bërë e bën, duke iu imponuar vetvetiu të tjerëve; “thërret” poetët, të cilët shkruajnë me dashuri të rrallë poezi të ndjera për të dhe lënë autografe për “dekanin” e mikun në librat e tyre, që i dhurojnë, “thërret” të gjithë njerëzit që poeti “i ka dashur si krisht”.

Në suazën e këtij shkrimi promovues e kam të vështirë të ndalem më gjatë në veçoritë e kësaj vepre të rëndësishme, natyrisht jo vetëm për Lezhën, por për letërsinë e kulturën tonë në tërësi, por do desha të evidentoj kapitujt që më kanë bërë më tepër përshtypje, si “Unë poezinë nuk e kam shkrimtarësi, por shpirtësi”, “Portrete miqsh” (edhe me sythin e paparashikuar “-Ishët ose gjendje e shterrtë që nuk mund të rigjenerojnë më miqësi”), “Detaje”, “Një kujtim që nuk do të më shlyhet nga kujtesa”, “Thelbi i poezisë sime është Lezha” (E, cili vallë nga poetët tanë është shprehur në këtë mënyrë për qytetin e tij?!), “Në fillim qe Fjala”, “3 intervista me poetin Ndoc Gjetja dhe e 4-ta që s’u realizua kurrë”, “Dhjata e një poeti”, etj.

“Thellësia e thjeshtësisë”, sipas mendimit tim, në njëfarë mënyre në miniaturë, ose për aq vend që i lë autori, është edhe historia e zhvillimit të letërsisë së re në trevën e Lezhës përgjatë 5-6 dekadave të fundit. Këtu kam parasysh jo vetëm vështrimet panoramike që bën autori për këto zhvillime, pas shkëputjes nga epoka rapsodike, por edhe kontributin e vyer të Ndoc Gjetjes për krijimin e asaj që kritika letrare e kohës e ka quajtur “shkolla poetike e Lezhës”, të “Klubit letrar të Lezhës”, të drejtimit të gazetës kulturore e letrare “Në fillim qe Fjala”, për profilet e pëvijuara për disa autorë, si Rudolf Marku, Agim Isaku, Preç Zogaj, Shpresa Kapisyzi, Tonin Çobani, për zhvillimin e arteve të tjera etj. Në këtë kontekst më duket i drejtë apelimi i herëpashershëm i Kujtim Dashit që iu bën forcave krijuese në Lezhë si dhe botuesve, që të ruajnë dhe të zhvillojnë më tej e në një nivel më të lartë cilësor traditat kulturore të trevës, si një përgjegjësi e lartë qytetare e artistike.

Duke përmendur dashamirësinë që treguan firmat e njohura “Milis” dhe “Boga”, si dhe përkujdesjen e veçantë të z.Pashk Smaçi, mik i ngushtë i autorit, të cilët me mbështetjen financiare të tyre bënë të mundur botimin e monografisë “Thellësia e thjeshtësisë” (botim i Entit Botues “Lisitan” të T.Çobanit), së fundi dua të ngre edhe një problem, se sponsorizime të tilla e justifikojnë plotësisht veten, pasi autorë të njohur me punën e tyre plot përkushtim e pasurojnë atë që e kemi quajtur biblioteka e botimeve “Për Lezhën” dhe janë një pasuri vlerash, sidomos për brezin e ri, nxënësit e shkollave për “Të njohur më mirë veten”, domethënë vendin e njerëzit e shquar që ka nxjerrë ai.

Fran Gjoka

 

Botime të autorit:

“Edhe një gotë Filipit”, tregime, SH.B. “Toena”, Tiranë 1998

“Viktima-hyjni”, tregime, SH.B. “Toena”, Tiranë 1999

“Aktori i pafat”, tregime, SH.B. “Lisitan”, Tiranë 2002

“Jetë e tymosur”, tregime, SH.B. “Globus R”, Tiranë 2003

“Ritual”, tregime, SH.B. “Lisitan”, Tiranë 2004

“Histori gazmore nga Lezha etj.”, vëll.I, përmbledhje humori, SH.B. “Toena”, Tiranë 2000

“Histori gazmore nga Lezha etj.”, vëll.II, përmbledhje humori, SH.B. “Naim Frashëri”, Tiranë 2002

“45 poetë për Lezhën”, antologji poetike, SH.B. “Gjergj Fishta”, Lezhë 1996

“Baladë për Fran Ivanaj”, antologji poetike, SH.B. “Globus R”, Tiranë 2000

“Pas Migjenit”, antologji poetike, SH.B. “Mësonjëtorja e parë”, Tiranë 2001

“Gjuha e zjarrtë…”, antologji poetike, SH.B. “Gobus R”, Tiranë 2004

“Thellësia e thjeshtësisë-Poeti dhe Njeriu Ndoc Gjetja”, monografi, SH.B. “Lisitan”, Tiranë 2004

 

A kishte të drejtë Kolec Pepa?

(Refleksion)

I vetmi “mëkat” i të ndjerit Kolec Pepa dhe që u përgojua aq shumë në atë vjeshtë të vitit 1996 ishte “denoncimi” me shkrim që i pati bërë sistemit që lamë pas, për diskriminimin që i bëri komunitetit katolik në qytetin e tij. Koleci, me një guxim të admirueshëm qytetar, i dërgoi një “promemorje” (nëse mund ta quajmë të tillë) ish-kryetarit të sapozgjedhur të Bashkisë, z. Bahri Boriçi, ku e këshillonte që të kishte kujdes në përfaqësimin e punonjësve të Bashkisë, me një respektim sa më rigoroz të raporteve fetare. Ai theksonte në letrën e tij se në sektorin ku ai kishte punuar (në arsim), gjatë një harku kohor prej 45 vjetësh ishin ndërruar 31 shefa arsimi. Shqetësimi qytetar i intelektualit dhe shkrimtarit të humorit Kolec Pepa, ishte shqetësim realisht i shumë intelektualëve dhe qytetarëve të Shkodrës, por që asnjëri nuk kishte guxuar ta thotë: Nga 31 shefat që kishin drejtuar arsimin në Rrethin e Shkodrës, 30 kishin qenë të besimit mysliman dhe vetëm 1 katolik! Madje autori vërente se edhe ai i vetëm katolik ishte emëruar nga një sekretar i Komitetit të Partisë (ortodoks nga jugu)! Letra e Kolecit, u bë objekt bisedash në të gjithë qytetin e në veçanti nëpër kafetë dhe tavernat ku “thashethemet” nën “trysninë” e alkoolit bëhen akoma më intensive dhe interesante.

Unë personalisht kam qenë “partizan” i flaktë dhe e kam përkrahur këtë veprim të Kolecit ashtu siç do ta kisha përkrahur edhe po të kishe ndodhur me vëllezërit myslimanë, sepse padrejtësia prish ekuivalencën e bashkëjetesës qytetare dhe tensionon situatën.

Dua të sqaroj se as që do t’më kishte shkuar ndërmend për ta kujtuar këtë ngjarje, por ajo që u bë shkak do të mundohem ta trajtoj me një sinqeritet dhe besnikëri të pakontestueshme, si obligim moral ndaj atyre burrave të nderuar të Shkodrës që sot nuk jetojnë dhe që janë personazhe të këtij tregimi.

Ishte vjeshtë e vitit 1963, në shoqëri me të ndjerët Gaspër Gurashi dhe Ibrahim Dizdari. Gaspri, ndonëse me një arsim të kënaqshëm për kohën dhe me një moshë, afër pensionit, e kishin larguar nga puna në dyqanin “me komision” dhe e kishin sjellë në Komunale-Banesa, ku punonte xhamaxhi. Ndërsa me të ndjerin Dizdari njihesha që në vitin 1954-55, kur ai na bënte praktikë në një kurs njëmujor për trajnerë futbolli, i cili ishte në shkallë kombëtare dhe bëhej në Shkodër. Të dy zotërinjtë e lartpërmendur ishin shokë dhe maturantët e parë të Gjimnazit të Shkodrës. Ndërsa po pinim kafe, Gaspri na thotë: Kur kanë ikur turqit prej Shkodre, kam qenë 10 ose 11-vjeç dhe e mbaj mend mirë një fjalë të tyre: “Po ikim ne turqit e mirë dhe po lëmë “turqit” e këqinj”.

Këtë episod ma solli në “ekranin” e kujtesës ky pasazh i cituar në librin “Historia e Shqipërisë” e Tajar Zavalanit, fq.293, ku citohet shprehimisht: “Komandanti i forcës ndërkombëtare, vice Admirali britanik Burney, mori Shkodrën në dorëzim më 14 maj 1913. Administrata e qytetit iu ngarkua një komisioni ndërkombëtar. Flamuri i Malit të Zi u zëvendësua me flamurin e fuqive europiane në Kalanë e Rozafës. U formua një këshill bashkiak me 6 anëtarë muhamedanë dhe 6 katolikë”. Duke pasë parasysh raportet fetare që padyshim ishin të paktën mbi dy herë më shumë të besimit mysliman, dhe që “avulli” i atmosferës turke ishte akoma i ngrohtë, mbas pushtimit pesëshekullor osman, respekti ndërfetar “kulmonte” në kryeqytetin e kulturës dhe të atdhedashurisë. Ndaj dhe miqësia mes dy qytetarëve dhe intelektualëve të dy besimeve është më shumë se normale. Krejtësisht anormale dhe e papranueshme është ajo që me të drejtë shqetësonte të ndjerin Kolec Pepa, (pastë dritë). Ishte pikërisht ky moral që e bënte Shkodrën të pathyeshme në rrethimin e saj prej malazezëve. Është detyrë emergjente evokimi i këtij morali dhe i kësaj qytetarie të pakundshoqe. Le të jetë ky një mesazh për t’iu rikthyer vlerave dhe për t’u thënë “Ndal!” diskriminimeve mes religjioneve fetare.

Kolec Pepa kishte shumë të drejtë dhe vërejtjet e tij duhet të “arkivohen” në ndërgjegjen e çdo drejtuesi që nga Presidenca, Qeveria, prefekturat, bashkitë dhe komunat. Arti i drejtimit nuk është pronë e një religjioni apo e një krahine të caktuar. Qeverisja e viteve të shkuara tregoi se ky “sindrom” vazhdon të “pushtojë” mendjet e drejtuesve dhe që nuk i shërben aspak komunitetit por shkakton “plasaritje” të tilla që do të jetë e vështirë të “saldohen”. Fakti që veriu shqiptar në përgjithësi dhe komuniteti katolik në veçanti nuk përfaqësohen denjësisht në qeverisjen e vendit, krijon pakënaqësi që “flenë” një “gjumë” të pakëndshëm. Me sa duket edhe qeveria e ardhshme po e përsërit këtë “ritual” aspak fisnik, por diskriminues. Shkodra ka shumë kualitete dhe shumë kontribute për demokracinë të cilat nuk duhen neglizhuar nga asnjë parti që vjen në pushtet.

Mark Bregu

Trim sa trimëria, i urtë sa urtësia

Malet e Veriut kanë nxjerrë gjithmonë burra trima dhe të urtë. Fshati Iballë ndodhet në rrethin e Pukës, por po të shkosh pak orë më larg këtij fshati, shkon në një fshat që quhet Mertur Guri. Këtu është me të vërtetë fshat gur, por edhe njerëzit e tij janë të fortë si guri. Ky fshat ka nxjerrë burra të mençur dhe trima dhe një më të përmendurit është Gjok Dod Merturi, burrë i përmendur për urtësi e trimëri. Regjimet qeveritare që me regjimin e Zogut e ndoqën këmba-këmbës. Atë e thirri qeveria disa herë. Shokët e ngushtë të Gjokës i vari në litar Zogu dhe tani po i vinte radha këtij burri të aftë e të zot. Mirëpo ky kishte shumë shokë e miq në Pukë, Dukagjin e Tropojë dhe shpëtonte. Meqë ishte kundër regjimit të Zogut, ky kishte patur kontakte disa herë me Bajram Currin, të cilin e kishte shoqëruar deri në Krumë të Hasit dhe kishte komunikim të fortë. Pra, siç thamë zotësia e tij e shpëtoi nga qeveria zogiste, mirëpo kur erdhi Italia fashiste në Shqipëri, Gjoka rrinte indiferent dhe nuk përzihej në punët e qeverisë. Sado që Kol Biba i bëri thirrje për t’u mobilizuar në milicinë fashiste, ai nuk pranoi por tha: “Unë nuk dua asnjë detyrë, unë vëllanë tënd e kam shok, ky ishte Pal Biba, por dua të rri në punën time”, dhe kështu ai gëzonte një respekt të veçantë në krahinë. Me ardhjen e komunizmit në Shqipëri, Gjok Dodën e kërkojnë për ta pushkatuar si njeri i rrezikshëm për komunizmin, por ai kishte shumë miq e shokë, siç thamë më sipër dhe përsëri shpëtoi për një periudhë të shkurtë dhe më vonë u ndoq nga Sigurimi Shqiptar dhe u fut në burg. Ai u torturua barbarisht, u akuzua për shumë gjëra e njerëz të rrezikshëm nacionalistë të zotë që kishin lidhje me të, por ai nuk hapi gojë dhe mbas shumë vuajtjesh e torturash del nga burgu dhe shkon në shtëpi. Ai përsëri ishte i lidhur me nacionalistët e shumë rretheve duke i ndihmuar me bukë e ushqime. Sigurimi famëkeq nuk i ndahej por ky si i zgjuar dinte të manovronte. Me ndihmën e tij shumë familje e nacionalistë mundën t’i shpëtonin burgosjes e pushkatimin dhe u larguan në Jugosllavi, siç ishin Mark Zogu i Arstit, Kol Nazi, Zef Nazi -Bugjon, Pjetër Çup Qafa Fush-Arrëz, Pjetër Gjon Marku – Mëzi, Uk Tush Halili – Mëzi, e shumë e shumë të tjerë nga Pukë deri në Dukagjin. Në kuvende nëpër oda burrash kur fliste ai, të tjerët merrnin vesh, ndonjëherë ai shkonte në Iballë dhe takohej me miqtë e tij e dashamirë, siç ishin Mus Biba, Stak Pjetra, Jak Pjetra, Prend Martini. Ai bisedonte me ta, ata rrinin duke e dëgjuar këtë burrë të mençur dhe pasi largohej ai përcillej me dashamirësi nga shokët e miqtë e tij. Familja e tij ishte ndër familjet më të mira në Mërtur e zonën por diktatura komuniste shpesh herë nuk i linte. Spiunët e sigurimit i gjurmonin papushim. Djali i tij, Zefi u largua nga fshati dhe iku larg në jug. Ai ishte kopje e të atit prandaj deshën ta burgosnin me çdo kusht. Një herë Gjok Dod Merturi niset me shkop në dorë e del në Pukë për vizitë shëndetësore, por në këtë qytet malor kishte ardhur kryeministri i asaj kohe, Mehmet Shehu dhe e pa këtë plak të mbajtur e të veshur me rroba malësore, me kësulë të bardhë dhe pyet ata që e shoqëronin, kryesinë e rrethit, more ç’është ai plak, më thoni, ata i përgjigjen se ky është një njeri i burgosur politik shumë trim, por dhe aq i rrezikshëm. Atëherë kryeministri e thirri: ej, plak, ç’kemi, si ju quajnë? Gjoka pa aspak ndrojtje iu përgjigj: Unë shoku Mehmet Shehu jam Gjok Doda prej Merturi afër Iballës. Qenke i mbajtur ore Gjokë, iu drejtua kryeministri. Po shyqyr, mirë jam, por pleqëria bën punën e saj, këto kohët e fundit kanë qenë plak, i sëmurë. Po, i tha kryeministri, më kanë thënë se ke qenë trim. Jo, tha Gjoka, kanë qenë kohëra budallallëku asokohe. Po, po, ashtu është, tha Mehmet Shehu dhe pa u zgjatur i tha Gjokës, sot është e fortë Partia. E di mirë, tha plaku dhe i dhanë dorën njëri-tjetrit dhe kështu u ndanë, por ai i madhi disi la porosi se ky është i rrezikshëm dhe duhet patur shumë kujdes. Plaku iku në shtëpi dhe bisedat me kryeministrin nuk i pëlqyen aspak sepse i shtuan shumë ndjekje këtij dhe familjes së tij dhe kështu ai u dha porosi djemve të kenë kujdes nga bisha komuniste dhe ata u larguan nga vendlindja duke shkuar për të punuar e jetuar në një fermë në afërsi të qytetit të Pukës, në Luf ku kishte edhe të internuar. Por Frani, djali i tij, bashkë me dy familje të tjera punuan dhe sado që vendi këtu në fermë ishte i vështirë, ata jetuan mirë, por gjithmonë nën mbikqyrjen e Degës së Brendshme Pukë.

Gjok Dod Merturi vdiq para se të vinte demokracia. Ai u përcoll me ceremoni nga burra dhe popull, ku populli i fshatit Mertur humbi burrin, trimin e tyre më të përmendur në këtë fshat për shumë vite të kaluara. Emri i tij mbetet i paharruar përjetë. I shkruajmë këto plak rreshta në gazetën “Shqipëria Etnike” për të kujtuar e nderuar këtë burrë malësor të pamposhtur nga asnjë regjim e sidomos nga ai i egri komunist. Emri i tij mbetet i paharruar përjetë.

Shan Sokoli

 

7 gushti 1871, dita më tragjike e malësorëve kryengritës ndër shekuj

Shqiptarëve në përgjithësi dhe ne malësorëve në veçanti na është bërë zakon të përkujtojmë, shkruajmë apo trashëgojmë vetëm ngjarje e data historike me të cilat krenohemi se kemi dalë fitues. Shpesh në historinë tonë kemi bërë bilance të betejave që kemi zhvilluar me pushtues apo armiq të ndryshëm dhe kemi konkluduar se fitoret tona kanë pasur kosto të ulët në krahasim me humbjet katastrofike të armiqve të tanë, që kishin humbur dhjetë apo njëqind herë më shumë luftëtarë se ne. Duke u bazuar në këto bilance ne na është bërë zakon deri në ditët e sotme të themi se gjithnjë jemi të përgatitur të luftojmë përballë dhjetë apo njëqind armiqve për çdo një shqiptar, madje po kaq bëjmë bilancin e shpagimit në raste nevoje. Mjerisht me këtë “logjikë” ne shpesh në kapërcyejt e historisë kemi lënë në harresë ngjarje dhe data tragjike, që në fakt duhet të kujtohen, se janë pjesë e historisë sonë, edhe pse të dhimbshme. Pikërisht për një nga këto data unë mendova të përgatis këtë material përkujtimor, dhe kjo datë tragjike për malësorët kryengritës është 7 gushti i vitit 1871, që në histori njihet fare pak si “Lufta tek Mullinjtë e Vrakës”. Mjerisht, duke qenë një betejë tragjike për këtë luftë sot kemi të shënuar se është zhvilluar në dy vite të ndryshme, ku njëri shënim e paraqet në vitin 1870, ndërsa tjetri që është më i besuar dhe i kohës e shënon në vitin 1871, gjithsesi ky vit duhet të jetë viti i vërtetë i betejës, pasi vetë shkaku i kryengritjes thuhet se është kthimi i dytë i Valiut të Shkodrës, famëkeqit Ismail Pasha më 3.09.1870. Në kthimin e dytë të këtij valiu në Vilajetin e Shkodrës, si herën e parë erdhi me shpatë të zhveshur për të nënshtruar vilajetin në përgjithësi e Malësinë e Madhe në veçanti. Për të realizuar këtë, Ismail Pasha dekretoi disa taksa dhe rregulla të reja për Vilajetin. Taksat më të rëndësishme që do të aplikoheshin ishin ato që kishin të bënin me eksportin dhe tregtinë e duhanit, dhe importin e tregtinë e kripës etj. Kjo do të zbatohej kryesisht nëpërmjet doganave të kohës. Gjithashtu ndër rregullat më të rëndësishme ishte ndalimi i mbajtjes së armëve nëpër qytet dhe qendra urbane. Të dyja këto masa në fakt preknin në radhë të parë malësorët, që ndër shekuj kishin fituar një autonomi substanciale ndaj Perandorisë Otomane, si dhe vetë qytetarët dhe tregtarët e Shkodrës. Për të kundërshtur këto dekrete u mendua që nga Malësia dhe Shkodra të organizohej një protestë masive, që malësorët krenarë menduan ta kthejnë në një kryengritje të fuqishme. Më 7 gusht 1871 rreth 2000 malësorë nga Hoti, Kastrati, Shkreli, Grizha, Gruemira, Rrjolli etj., u nisën për të shkuar në drejtim të Shkodrës në qendër të Vilajetit, ku së bashku me shkodranët do të protestonin, madje po të ishte nevoja edhe të luftonin. Gjithsesi përgatitja për kryengritje luftarake nuk kishte qenë si herët e tjera, pasi armët që kishin me vete malësorët ishin të vjetëruara dhe nuk i kishin gjithë kryengritësit. Fatkeqësisht kur ky udhëtim sapo ishte nisur, hafijet e turkut kishin njoftuar Ismail Pashën, i cili me 6 taborrë (reth 5000 ushtarë turq) u kishte zënë pritë tek Mullinjtë e Vrakës të asaj kohe. Sapo malësorët arritën këtu u gjendën përballë një zjarri të tmerrshëm, i cili duke i zënë kryengritësit e shkujdesur dhe afër njëri-tjetrit u mori jetën rreth 400 malësorëve vetëm për dy orë luftë. Në një kronikë tjetër kjo shifër thuhet se është vetëm 170 malësorë të vrarë. Gjithsesi kjo humbje tragjike malësorëve nuk u kishte ndodhur kurrë në luftëra me pushtuesit turq apo armiqtë sllavë. Pas kësaj malësorët u thyen dhe u kthyen në shtëpitë e tyre. Por pa vonuar vetë perandoria e shkarkoi me turp nga detyra e valiut të Shkodrës Ismail Pashën, i cili u “përcoll” me të shara e të qara nga Shkodra, nga ku mori dishezën përfundimtare për të mos u ngjitur kurrë më. Në ndonjë kronikë të zbehtë të kohës thuhet se malësorëve u prini prijësit e tyre me në krye Bajraktarin e Hotit Çun Mulën. Ne kemi siguruar disa emra dëshmorësh dhe të plagosurish të kësaj lufte kryengritëse, por që mbasi lista nuk është e plotë nuk po i shkruajmë për të mos trazuar shpirtërat e pasardhësve të tyre që janë gjallë në këto ditë të reja e me vizion të ri. Sidoqoftë 7 gushti 1871 është një ditë për t’u kujtuar e nderuar edhe pse përfaqëson një ditë tragjike për të parët tanë.

Përgatiti Ndue Bacaj, 7 gusht 2005

 

LETËR DREJTUAR DR. SALI BERISHA!

Nga Shinasi A.Rama!

Ne pergjigjie te deklaratave te Dr.Sali Berishes me rolin e tij ne Levizjen Studentore te 1990-1991.

Zoti President i PD-së:

Më lejoni t?ju siguroj se e ndjek me vëmendjen që meriton çdo veprim politik tuajin dhe të Partisë të cilën ju e drejtoni. Si studjues i problemeve shqiptare këtë e kam të nevojshme për kuptimin sa më të saktë të gjendjes në Shqipëri. Në një nivel personal, si shqiptar që e vret fort mendjen për fatet e vendit ku ka lindur, edhe unë jam i interesuar për politikën shqiptare, në këtë kontekst, edhe për ju e për PD-në. Më në fund por jo më e fundit, unë jam i interesuar për PD-në edhe pse në fillimet e trancizionit kam pasur fatin të jem pjestar e drejtues i Lëvizjes Studentore Shqiptare dhe po ashtu, në kuadër të kësaj veprimtarie, kam qënë një nga themeluesit e PD-së në cilësinë e Anëtarit të Komisionit Nismëtar të saj. Më saktë, dhe pa dashtë me u duke por thjesht sa me ju kujtue, mundem me thanë se jam njëri nga ato studentë që, pa i ditur mirë mendimet e planet e ish-Presidentit Alia, ju bëri ju dhe disa ?krijues? të tjerë të mëvonshëm të PD-së të mblidheshit të gjithëve bashkë në mëngjezin e 11 Dhjetorit 1990 para Mencës Tre të Qytetit Studenti për të gjetur gjuhën e përbashkët midis jush anipse qëllimi i jonë ishte me ju shkulë prej fakulteteve ku kishit filluar të arrinit. Në një farë mënyre, zoti president i PD-së, si unë ashtu edhe shokët e mi ish-studentë ndjehemi si ato ish-pronarët që shihnin shtëpitë e grabitura me forcë prej tyre apo të shtetëzuara. Ndryshimi, zoti president i PD-së, është se nën drejtimin tuaj PD është katandisur në një karrocë Nastradini dhe për më tepër ka një të shkuar jo të pastër qeverisëse që nuk din njeriu si të fillojë e ku ta qajë më parë.

Arësyeja pse po ju shkruaj tashti, zoti President, ka të bëjë me disa deklarata që, këto ditë, po përsëriten ad nauseam në shtypin shqiptar në lidhje me Lëvizjen Studentore, me qëllimet që ajo pat, me kontributin që dha ajo Lëvizje dhe, mbi të gjitha, në lidhje me PD-në e me rolin tuaj në atë Lëvizje Studentore. Këto ditë, zoti President, unë dhe shokët e mi kemi vënë re se ju dhe ndjekësit tuaj keni filluar të deklaroni, pa hezitimin e dikurshëm që ju ka karakterizuar sa herë keni folur për Lëvizjen Studentore Shqiptare, se keni qënë frymëzues, organizues, e drejtues, me një fjalë, e thënë shkurt, simbas jush ju keni qënë ati shpirtnor i saj. Bile, këto dy-tre ditë ju edhe keni organizuar një simpozium në lidhje me Lëvizjen Studentore e pluralizmin ku ju kishit mbajtur një fjalim programatik në lidhje me vendosjen e pluralizmit në shtetin shqiptar. Kjo, zoti President i PD-së, është pak më shumë se lejon kandari i ndershmërisë e i durimit njerëzor dhe, gjithnjë në emër të miqve të mi duam të të themi se ne mendojmë që kjo sjellje e juaj e meriton një përgjigje publike nga ne që e kemi qënë pjesëmarrës në atë Lëvizje dhe që ruajmë kujtimin e asaj Lëvizje si gjënë më të çmuar të jetës sonë. Jam i kënaqur që të gjithë ne, aq sa jemi, kemi rënë dakord në këtë pikë. Unë jua di shumë për nder shokëve të mi të cilët më sugjeruan që përgjigjen dhe mendimin tonë në lidhje me këto të pavërteta për të cilat shpreheni ju dhe ndjekësit tuaj t?jua jap unë.

Kështu, doktor Berisha, në organizimin e përgjigjes sime (për të cilën kërkoj ndjesë se është shkruar shpejt e shpejt) une vendosa që fillimisht mos të paraqes serinë e pozicionimeve e deklarimeve tuajat publike në të cilat ju insistoni se keni qënë ai që e ka frymëzuar, drejtuar, e bile, ideuar atë Lëvizje. Këto qëndrime tuajat janë shumë të njohura për publikun e gjerë, dhe janë të pasqyruara gjerësisht në shtypin shqiptar. Megjithatë, e gjej të vyeshme që fillimisht të shqyrtoj disa aspekte thelbësore të Lëvizjes Studentore dhe këtu do të dalloj rrymat që ishin brenda saj. Më pas, do të analizoj disa qëndrime tuajat gjatë veprimtarisë së asaj Lëvizjeje dhe do të mundohem të argumentoj se roli i juaj dhe i PD-së ka qënë thellësisht negativ e armiqësor karshi Lëvizjes e karshi nesh që e organizuam e drejtuam atë Lëvizje. Në fund, pa dashtë me u dukë si këshilladhënës do t?ju sugjeroja diçka që do t?ju bënte dobi si ju ashtu edhe ne të tjerëve që ju na keni shkaktuar kaq shumë dhimbje qoftë edhe me këto deklarata të rreme që përhapni sa herë vijnë përvjetorët e ndryshëm dhe sa herë ju duhen vota e mbështetja e shqiptarëve.

Më lejoni, Zoti President, t?ju rifreskoj disa nga elementet që duhet të shërbejnë si faktorë qëndrorë të çdo analize lidhur me rolin tuaj në Lëvizjen Studentore.

Pika e fillimit natyrisht duhet të jetë se çfarë ka qënë kjo Lëvizje dhe si ka qënë e kompozuar dhe e drejtuar, sa kohë ka zgjatur dhe cilat kanë qënë arritjet e saj. Tash, si fillim, zoti President i PD-së, nuk është se në disa pika ju nuk keni të drejtë kur thoni se kjo Lëvizje ka pasur shumë drejtues dhe se ju e keni parë të arësyeshme t?i bëni të gjithë çka keni mundur me gjetë në rrugët e Qytetit Studenti ose që ju kanë shërbyer ju Pishtarë të Demokracisë. Është e vërtetë që në fillimet e saj në Lëvizje morën pjesë studentë e studente që kishin bindje politike të papajtueshme me njeri-tjetrin. Por, me kohë, rrymat u ndanë nga njëra tjetra dhe hynë në hulli të papajtueshme me njëra-tjetrën.

Fillimi natyrisht është tek përpjekja e ethshme e PPSH për të gjetur një rrugëzgjidhje dhe për t?ja lënë dikujt që ato i besonin pushtetin në dorë. Mbasi ato dështuan me intelektualët e me taktika të tjera që unë i kam analizuar tjerakah, nga Shtatori i 1990?s filluan t?i drejtohen seriozisht Qytetit Studenti. Paradoksi është, zoti president, se Partia e Punës edhe pse donte që të kishte një shtysë për trazira, ajo nuk donte që të kishte një Lëvizje të formësuar e të vërtetë studentore së cilës i druhej fort. Megjithatë, përvojat e jashtëzakonshme të asaj kohe dhe vetëdija e momentit historik mbas 8 Dhjetorit 1990 krijuan një ndjesi të jashtëzakonshme solidariteti që shërbeu si bazë e mirë për krijimin e shpejtë të një Lëvizjeje ndër studentët. Më duhet të them, zoti President, se elita sunduese kërkonte studentë të bindur që të udhëhiqeshin nga një kohortë e zgjedhur prej tyre e intelektualëve të kryeqytetit, përfshirë edhe ju zoti president i PD-së, të cilët ishin e mbetën anëtarë të PPSH-së deri në Janar 1991. E megjithatë, zoti President i PD-së, me një shpejtësi marramendëse, masa studentore fitoi elemente të organizimit e struktura autoritative, shpesh të mishëruara në individë të veçantë, vlerat e të cilëve më vonë morën përparësi në formësimin e korrenteve politike në rradhët e saj. Shumica e studentëve ishin tejet të fyer nga trajtimi i dhunshëm i policisë natën e 8 Dhjetorit, por që gjithsesi kishte qënë mjaft i rezervuar, sa për të cytur e jo për të egërsuar më shumë se duhet. Në atë pikë, ato ishin kundër sistemit por nuk e dinin mirë se çka donin.

Zoti President, si intelektual jam i detyruar që të sjell një përkufizim në mënyrë që të shpjegoj se si i transformua masa studentore në Lëvizje Studentore. Një lëvizje shoqërore ka katër elementë. Së pari, duhet të këtë një mospajtim kolektiv të individëve me sistemin politik. Së dyti, këto individë duhet të kenë qëllime të përbashkëta politike. Së treti, ato duhet të veprojnë në solidaritet me njëri tjetrin në një kontekst shoqëror të përcaktuar. E katërta është se ato duhet të jenë në marrëdhënie (me disa faktorë, edhe kundërshtare) me ?litat (paritë) me kundërshtarët e regjimit dhe me autoritetet shtetërore.

Besoj se pajtoheni me mua se deri në mbasdreken e 9 Dhjetorit, Lëvizja Studentore nuk i kishte këto elemente thelbësore të një Lëvizjeje Shoqërore. Veprimet e masës studentore ishin një reaksion i individëve të ardhur nga rrugë të ndryshme, me qëllime dhe me vlera të ndryshme që ende nuk e njihnin mirë njëri tjetrin. E vetmja gjë që në fillim i bëri këto invidë bashkë ishte për disa shtysa që morën nga strukturat, e për disa të tjerë kundërvënia ndaj sistemit ekzistues. Me e thënë qartë, zoti President i PD-së, veçanërisht studentët, si ato që vinin prej rretheve ashtu edhe ato nga Tirana e Durrësi, nuk kishin ndonjë dashuri për sistemin ekzistues. Është e vërtetë edhe që studentët po bashkëvepronin me njëri tjetrin çdo orë e më tepër. Mirëpo asokohet masa studentore nuk kishte një qëllim të qartë dhe nuk kishte marrëdhënie sistematike me paritë, elitat, kundërshtarët e regjimit, çka ju deklaroheni se keni qënë, dhe po të lëmë mënjanë takimin e parë me Ramiz Alinë, as me autoritetet shtetërore. Puna është, zoti President, se këto dy elemente ? qëllimi i qartë politik dhe marrëdhëniet me paritë, kundërshtarët e regjimit dhe autoritetet shtetërore – kërkojnë një ideologji të qartë e koherente si dhe një platformë politike të cilën masa studentore deri në atë pikë nuk e kishte. Pra, studentët që dolën në demonstratën e 8 Dhjetorit nuk ishin pak por nuk e dinin se çfarë kërkonin mirëfilli. Për shembull, në takimin me Presidentin Alia ato kërkuan kushte më të mira jetese, por ky nuk ishte qëllimi i regjimit dhe as duhej të ishte qëllimi i tyre. Kështu që regjimi vendosi që do të ishte më mirë t?i kthente pas në mënyrë që rradhët e tyre të shtoheshin paksa dhe të kontrolloheshin më mirë. Megjithëse policia nuk i pengonte qytetarët të ngjiteshin në Qytetin Studenti, shumë pak qytetarë të Tiranës e morën rrugën vetë për t?u bashkuar me studentët.

Paradoksi, zoti president, ishte se regjimi nuk donte që të kishte një lëvizje studentore; megjithatë, eksperiencat e përbashkëta dhe përballja reale me regjimin krijuan një ndjesi shumë të fortë solidariteti që shërbeu si një themel i vërtetë për lindjen e një lëvizjeje të konsoliduar shoqërore. Me një shpejtësi të pabesueshme, studentët ishin në rrugën e transformimit në një lëvizje shoqërore, e para e këtij lloji gjatë 45 viteve të sundimit komunist në Shqipëri. Shumica dërmuese e studentëve që morën pjesë në këto ngjarje ishin jashtëzakonisht të sinqertë dhe po ashtu thellësisht të fyer nga trajtimi që ju kishte bërë policia dhe forcat speciale, trajtim i cili, më duhet të them, ishte mjaft i përmbajtur. Mbas atij momenti të rrahjes me 8 Dhjetor, jeta e tyre u ndrrue një herë e përgjithmonë. Ajo ditë përcaktoi se çka prisnin ato nga jeta dhe me kë do të ishin të lidhur në veprimtarinë e tyre. Urrejtja për regjimin që i kishte rrahur, si dhe mundësia e një vale të mundshme dënimesh u bënë vatra e solidaritetit në rritje dhe elementi themelor i sistemit të vlerave dhe të besimit të tyre që ishte i shndrruar një herë e përgjithmonë anipse studentët ende nuk ishin transformuar në një lëvizje shoqërore të mirëfilltë.

Deri në mbasditen e 9 Dhjetorit, studentët ishin një masë e pakënaqur por edhe pa struktura të konsoliduara e qëllime të qarta. Në të gjitha demonstratat nuk kishte kundërvënie të mirëfilltë të regjimit, struktura të udhëheqjes e me rradhë. Problemi është se transformimi në Lëvizje kërkon një udhëheqësi të qartë e qëllim politik. Nuk ka një lëvizje e cila nuk ka një udhëheqësi të qartë që i mbështet veprimet e saj në një sistem koherent vlerash dhe studentët që u takuan me Presidentin Alia në natën e 8 Dhjetorit nuk e dinin se çka donin. Nevoja për këtë drejtim që vetëm bartësit e një sistemi koherent vlerash mund ta japin, u pa qartë gjatë procesit të shpërthimit revolucionar dhe të radikalizimit të studentëve dhe të situatës të nesërmen.

Situatat revolucionare janë revolucionare, zoti president, pikërisht për shkak të ndryshimeve radikale në sistemin e vlerave të individëve që marrin pjesë në këto evenimente, të identifikimit të përbashkët me një sistem besimi dhe të rolit shumë të ndjeshëm që luajnë udhëheqësit si në përmbushjen e qëllimeve të masës ashtu edhe në influencimin dhe formësimin e tyre. Megjithatë, testi i përhershëm i veprimit është pajtueshmëria e veprimeve me vlerat themelore të masës.

Në këtë kontekst duhet thënë se mekanizmat e sistemit kishin nënvlerësuar disa elemente shumë të rëndësishme; së pari ato kishin nënvlerësuar thellësinë e lidhjeve personale, familjare, kulturore e rajonale si dhe miqësitë e bazuara në besimin reciprok të cilat nuk mund të kontrolloheshin prej regjimit por që edhe në të njëjtën kohë kishin ekzistuar paralel me të. Së dyti, ato nënvlerësuan rëndësinë e sistemeve të tjera të vlerave që ekzistonin asokohet por që ishin si nënshtrat e të mugullta nën sistemin sundues të vlerave. Kështu, përveç studentëve që ishin e mbetën mbështetës të sistemit, shumë prej studentëve përqafuan sisteme të gatshme vlerash; këtu dallohen ideologjia e gatshme e nacionalizmit shqiptar si dhe sistemi i vlerave të kundërta të regjimit, nemesis e tij, sistemi kapitalist ashtu si po pasqyrohej në televizionet e huaja, në revolucionet e Europës Lindore dhe ashtu si na ishte mësuar në shkollë. Njerëzit, zoti president i PD-së, kanë nevojë për sisteme besimi që janë të thjeshta dhe koherente. Kështu, nga 9 Dhjetori 1990, studentët kishin nevojë për një qëllim dhe për një mission të qartë. Për të pasur një mision ato duhej të kishin një sistem të patundshëm vlerash dhe modele se si duhej të silleshin. Pothuajse menjëherë mbas demonstratës e si ndodh gjithmonë, në mënyrë thuajse të pavetëdijshme por thelbësisht racionale, ato ishin vënë në kërkim të atij sistemi e të modelit në bazë të të cilit duhej të organizonin sjelljen e tyre si masë por jo ende si Lëvizje.

Kështu ndodhi, zoti president që në Qytetin Studenti, në fillim të paqarta, por më pas shumë të kthjellta, u kristalizuan tre pikëpamje që sunduan sjelljen e studentëve prej asaj pike e më pas. Kristalizimi i tre sistemeve të ndryshme dhe të papajtueshme të vlerave ishte jo vetëm i dallueshëm në çka studentët kërkonin por ai kishte filluar të polarizonte dhe masën e studentëve. Këto tre ideologji ishin bazuar pikërisht në prezencën e tre platformave të ndryshme politike të mbështetura në ideologjinë e klasës sunduese të atëhershme (në thelb këto kërkonin ndryshime socialdemokratike), në vlerat e nacionalizmit shqiptar të Rilindjes Kombëtare (këto kërkonin kombin-shtet të shqiptarëve), dhe në ideologjinë e sistemit kapitalist, që në mendësinë e tyre ishte e identifkueshme me tregun e lirë dhe me konsumerizmin europianoperëndimor (ashtu si po zbatoheshin ato ndryshime në Europën Qëndrore e Lindore).

Natyrshëm, zoti president, këto tre sisteme vlerash dhe individët që i propagandonin ato sisteme po luftonin që të fitonin besimin e studentëve. Çka e bënte gjendjen më të komplikuar ishte se këto sisteme vlerash nuk janë në thelb të papajtueshme. Studentët që vazhdonin të besonin se sistemi mund të reformohej, besonin shumë se Alia do të bëhej ?Reformatori i Madh,? Gorbaçovi shqiptar, dhe se ndryshimi do të ishte në të mirë të të gjithëve me demokratizimin e mëtejshëm të sistemit që nuk duhej ndrruar krejtësisht. Grupi i dytë, synonte ndryshime, të cilat do të ishin radikale në ekonomi, në hapjen karshi botës dhe në vendosjen e një sistemi demokratik dhe të mbështetur në liritë e njeriut, që me thanë të drejtën as ato vetë nuk e dinin se çka ishin. Grupi i tretë kërkonte të ndryshonte sistemin në një sistem demokratik, por jo se ?duhej të shkonim te Europa? por sepse ?ishte në natyrën e shqiptarëve? që të ishin një popull i lirë dhe demokratik sepse shqiptarët gjithnjë kishin qënë pluralistë e me rradhë. Kombi është forma e organizmit shoqëror që është natyrshëm e mbështetur në do të vërteta që janë të qarta dhe të lidhura me të nga përkufizimi si drejtësia shoqërore, barazia, dhe vëllazëria. Si në çdo periudhë tranzicioni, ishte shumë e lehtë për studentët të identifikoheshin me kombin e popullin e tyre. Kështu, qysh prej fillimit, disa studentë i mbështetën veprimet e tyre në vlerat themelore të nacionalizmit shqiptar, disa të tjerë i pranuan ato si të natyrshme dhe të tjerët po ndiqnin modele të cilat i njihnin teorikisht si kapitalizmi por që gjithsesi edhe qëndrimet e tyre ishin të mbështetura në këto vlera kombëtare.

Kristalizimi i peshës së ideologjive dhe rrugëzgjidhjeve që ato e propozonin natyrshëm u duk tek rritja e përgjegjësisë historike që filloj të ndjehej edhe në debatet e proceset e vendimmarrjes në nivel grupi edhe të ngushtë shoqëror. Kështu erdhi puna që në momente kyçe duhej marrë vendim dhe shpejt dallimet midis grupeve u bënë të papajtueshme. Çka u pa qartë ishte edhe paaftësia e sistemit ekzistues për të kontrolluar studentët në nivel të botëkuptimit.

Përplasja që ndodhi midis grupimeve të ndryshme të studentëve në lidhje me organizimin e demonstratës politike në Sheshin Skanderbeg me 9 Dhjetor vetëm sa e ilustron këtë tension ideologjik e vlerash. Kjo edhe u acarua kur ju dhe disa intelektualë ?pragmatikë? dhe ?të mençur,? kërkuan të orientonin studentët që ju besonin qorrazi këtyre individëve ?me përvojë.? Përplasja më e parë dhe e çara e madhe, zoti president, ndodhi midis studentëve që po ju ndiqnin ju nga njëra anë dhe studentëve që gjykonin çdo veprim se sa mirë i shërbente kombit të tyre në anën tjetër. Kjo përplasje u bë shumë intensive dhe e papajtueshme. Paaftësia e elitave sunduese për të kontrolluar studentët nëpërmjet ?dueteve? dhe ?trojkave? të zgjedhura me kujdes, përfshirë edhe ju, zoti president, u pa qartë në mbasditen e 9 Dhjetorit 1990 kur ne ju kundërvumë si juve ashtu edhe atyre që ju mbështesnin ju. Kështu vjen puna që 9 Dhjetori, zoti president, është ditë e shenjtë për mua dhe për shokët e mi, sepse edhe përkundër insistimit tuaj e rolit tejet negativ të Hajdarit, ne arritëm të organizonim demonstratën e parë politike në Sheshin Skandërbeg. Kjo ndodhi në të njëjtën kohë, kur ju, me mision nga Presidenti Alia, i mbajtët 5,000 studentë duke diskutuar në mensë ndërsa ne ishim duke zhvilluar demonstratën e parë politike në 45 vjet në sheshin kryesor të Tiranës.

Nga ai moment e tutje, zoti president, Lëvizja Studentore ishte e ndarë në tre rryma. Grupi i parë përfundoj duke u identifikuar me mbeturinat e sistemit ose duke ju bashkëngjitur përkohësisht PD-së e partive të tjera të opozitës. Shpejt, e veçanërisht mbas takimit të Përfaqësisë Studentore me presidentin Alia me 11 Dhjetor, ato filluan të largoheshin nga ne dhe të kërkonin zgjidhje që ishin në sinkroni me sistemin e tyre social-demokrat të vlerave por mbi të gjitha të shqetësuar nga mundësia e Luftës së Klasave spektri i së cilës na vërtitej gjithnjë përmbi krye. Edhe pse vinin në Qytetin Studenti dhe në aktivitetet e tjera, ato filluan të shihnin me mosbesim sjelljen e grupeve të tjera derisa u shkëputën plotësisht duke themeluar më vonë FRESH.

Në grupin e dytë filluan të bënin pjesë studentët që u lidhën me kohortën e intelektualëve që filluan të zvarriten drejt Qytetit Studenti dhe që gjetën strehë në partitë e opozitës. Këto intelektualë me biçikleta me mbështetjen e regjimit arritën që të fitojnë e ruajnë edhe pozitat kryesore në këto parti. Shpejt këto parti që u fuqizuan dukshëm nuk hezituan që t?i shfrytëzonin e përdoronin këto studentë që ju ngjitën këtyre intelektualëve si mashë për qëllimet e tyre. Këtu ne lidhje me ato studentë që ju bashkëngjitën PD-së dhe ju zoti president i PD-së, luajti një rol shumë negativ edhe Azem Hajdari, i cili përveç nja dy momenteve delikate u kthye në veglën tuaj të bindur dhe që ju, zoti president, e keqpërdoruat në mënyrë sistematike e të pamëshirshme. Kështu Hajdari luajti një rol vendimtar në fillimet e Lëvizjes për t?i bindur një masë të mirë të studentëve që t?ju mbështesin ju dhe PD-në duke i bërë një dëm të pafalshëm Lëvizjes Studentore dhe duke u shkëputur përfundimisht prej nesh që bënim pjesë në grupin e tretë.

Në grupin e tretë bënin pjesë ato studentë që besonin se zgjidhja e vetme e krizës ku gjendje Shqipëria ishte një kthim në vlerat kombëtare të Rilindjes dhe krijimi i një shteti kombëtar që do të shmangte Luftën Civile e ndasitë e mprehta që e kishin thërmuar popullin keqazi nën sundimin e Enver Hoxhës e klaneve jeniçere e martalloze të Tiranës. Kjo rryma kombëtare, të cilës me krenari them se i kam takuar unë dhe shokët e mi që më mbështesin në këtë përpjekje për të vënë në vend të vërtetën, ju është kundërvënë pa ndërprerje e në çdo kohë dy grupimeve të tjera e ju në veçanti, zoti president. Ç?ështe e vërteta edhe ju na jeni kundërvënë hapur e pa hezitim dhe na keni luftuar si keni ditë e si keni mundë derisa na detyruat që të lëmë vendin tonë.

Në këtë luftë për shpirtin e Lëvizjes Studentore, demonstrata e 9 Dhjetorit dhe mosveprimi i Hajdarit e të tjerëve, nën shtysën tuaj zoti president i PD-së, luajti një rol të madh.

Radikalizimi i studentëve ishte i prekshëm dhe qartësisht politik për ne. Për më tepër, demonstrata e 9 Dhjetorit kontribuoi shumë për të drejtuar masën studentore të shmangej nga probleme mediokre si ushqimi, dritat dhe pluralizmi i mendimit, dhe të orientohej në kërkimin e çështjeve thelbësore në një nivel më të thellë politik. Çka është e rëndësishme për të përcaktuar atë hap cilësor në transformimin e masës në lëvizje shoqërore është çasti kur pjesëmarrësit në verime politike shkëputen nga kontrolli i regjimit dhe elitave, d.m.th. ai moment kur as regjimi, as kohorta e intelektualëve, as familjet dhe të afërmit e tyre, dhe as frika nuk kishte më pushtet përmbi to. Simbas gjykimit tim, 9 Dhjetori, zoti president i PD-së, është ky moment kthese vendimtare në fatet e Lëvizjes Studentore. Tash, zoti president, ky ndryshim nga masa në lëvizje shoqërore ndodh kur pjesëmarrësit e gjejnë një qëllim, kur ato i vënë vetes një mision politik.

Në demonstratën e 9 dhjetorit qëllimi ishte fitimi i lirisë së mbarë popullit shqiptar dhe studentët që morën pjesë u bënë gati që të sakrifikojnë gjithçka për përmbushjen e jetësimin e atij qëllimi. Armiqësia midis studentëve dhe regjimit totalitar ishte forcuar deri në atë pikë sa që regjimi nuk e kishte më në dorë ta kontrollonte as përmes përdorimit të intelektualëve si ju, zoti president i PD-së. Largimi i shpejtë i studentëve që besonin se regjimi mund të reformohej dhe shtysa e madhe nga ideja kombëtare kishin sjellë një radikalizim që nuk ishte parashikuar. Por mbetej ende që qëllimi politik të definohej qartë sepse prioritetet e studentëve ishin mjaft të mugullta. Pse duhej t?ju kërkohej studentëve që të luftonin, e ndoshta edhe të vdisnin e në emër të çkaje duhej t?jua kërkonim këtë?

Kështu, zoti president, me përjashtim të përkrahësve të sistemit që edhe u mënjanuan nga ngritja e shpejtë e influencës së dy grupimeve të tjera, dy ideologjitë e përshkruara më lart dhe individët që ishin në gjendje ti shprehnin dhe ti mbronin vlerat e tyre si dhe të shihnin qartë në efektet e veprimeve të tyre hynë në një luftë të pamëshirë me njëra-tjetrën. Në njërën anë qëndronin elitat sunduese, kohortat e intelektualëve dhe studentët e përzgjedhur nga regjimi si liderë dhe ju, zoti president i PD-së, si ?këshilltar? i tyre, dhe nga ana tjetër ishin një grup që mbahej vetëm me prestigj personal, me karakter dhe me një dashuri të madhe për popullin tonë të cilit i përkisnim unë dhe shokët e mi studentë e disa pedagogë.

Në parantezë, duhet thënë se duke qënë për shumë vjet në pushtet, ky grup jokombëtar i drejtuar prej jush, zoti president i PD-së, ja arriti që të përkufizonte, të shpikte dhe të luante me historinë me qëllimin e vetëm që të keqparaqiste Levizjen Studentore Shqiptare të organizuar e drejtuar nga ne si dhe arritjet e saj. Paradoksi është se pikërisht ju që luftuat intensivisht për të zhdukur Lëvizjen Studentore Shqiptare, e cila ishte e frymëzuar nga vlera e ideale kombëtare e demokratike që nga çasti që u krijua, më vonë kërkuat kredit politik për gjithë ato çka kishte arritur ajo Lëvizje. Për këtë, zoti president, duhet ta ndjeni veten keq. Për t?u ngritur në kambë u desh që ju të përvetësoni punën e kundërshtarëve tuaj personalë që qysh prej atij momenti ishin edhe armiqtë tuaj të betuar, ashtu siç ishit edhe ju armiku i jonë i betuar.

Ndërsa kundërshtia e juaj ndaj demonstratës së 9 Dhjetorit është një rast flagrant, të cilin unë nuk mund ta marr me mend se si mund ta justifikoni, sepse është i përshkruar gjerësisht nga bashkëpunëtori i juaj i ngushtë Besnik Mustafaj, rastet e mëpastajme vetëm sa e forcojnë përshtypjen e patundur se në atë kohë ju po punonit sistematikisht kundër nesh e kundër çështjes kombëtare.

Kështu, pa hyrë në detaje të hollësishme dëshëroj, zoti president i PD-së, t?ju kujtoj se të nesërmen, me 10 Dhjetor 1990, në praninë e shumë prej atyre që ju sillen sot rrotull, keni ardhur si përfaqësues i presidentit Alia për t?u takuar me Komisionin Drejtues të Lëvizjes Studentore dhe për të përcjellë mesazhet e tij disa herë gjatë ditës. Si edhe besoj e kujtoni, jeni trajtuar si e keni merituar, si një shërbëtor besnik i presidentit Alia. Nuk më jep fare kënaqësi për me kujtue se si ju kemi pasë trajtue atëherë, se helbete kemi qënë pak të rinj, gjaknxehtë, e gojëlëshuar, por më duhet me ju kujtue se edhe përkundër mbështetjes që ju dha Hajdari e ndonjë tjetër, plani i juaj i përbashkët dështoi dhe nuk u pranua se studentët, përsëri ishin me ne dhe me planin tonë që u sprovua të ishte realist dhe që çoi ujë ku donim ne. U ba ashtu si deshëm ne dhe ne shkuam tek presidenti Ramiz Alia me kushtet tona.
Tash një nga argumentet që ju përdorni është se na keni thënë që të kërkojmë pluralizmin, na keni këshilluar dhe na i keni future këto ide në krye. Në lidhje me vendosjen e pluralizmit, zoti president, më duhet të them se shumë prej nesh ishin duke bërë universitetin e dytë dhe se punonim me literaturë të huaj në shumë gjuhë për të cilat edhe po studjonim. Ne e dinim mirë se çka ishte pluralizmi dhe në asnjë moment nuk kemi pritë me marrë mendjen tuaj. Dua vetëm t?ju kujtoj se me 11 Dhjetor në mëngjez rreth orës 10:00, për shembull, unë ju thirra disave prej jush, ?intelektualëve,? në takim dhe ju pyeta se a donit të vinit tek Presidenti Alia e t?ia kërkonit pluralizmin me gojën tuaj. Ju refuzuat dhe thatë se na mjafton vendimi i KQ PPSH që ishte marrë një natë më pare dhe që ju e kishit sjellë me vete. Në ju thamë se nuk pajtoheshim me këtë por që edhe loja kishte rregulla dhe ne do t?i respektonim rregullat e lojës. Kështu, duke ju sugjeruar që të njiheshit me njëri tjetrin dhe të vepronit në mënyrë autonome e të shkëputur prej nesh (sepse ç?është e vërteta kishim filluar të ndjenim influencën tejet negative të intelektualëve që nën mbulesën e të qënit pedagog filluan të ndikonin mbi studentë me influencë), ne, studentët, vendosëm dhe i bëmë zgjedhjet e para demokratike në Shqipëri, një proces i shkëlqyer e shembullor për zgjedhjet e Përfaqësisë që do të shkonte tek Presidenti Ramiz Alia. Më duhet të them që, bile edhe sot, mbas kaq vjetësh në lëmshin e politikës shqiptare, ajo zgjedhje duket si një shembull i pamundshëm dhe i papërsëritshëm i sjelljes demokratike e shpirtit qytetar të shqiptarit sepse në të u zgjodhën përfaqësues nga të gjitha rrymat politike present në Qytetin Studenti pa diskriminim por thjesht në bazë të respektit që gëzonin në masën studentore.

E ju çfarë bëtë? Mbasi i rrahët mendimet me Pashkon e të tjerët, mbasdreke u përpoqët të hynit në mbledhjen e Komisionit së bashku, por studentët tonë ju nxorën jashtë me turp e nuk ju lanë të hynit as në sallë. Për çfarë pluralizmi e keni fjalën që na keni sugjeruar e frymëzuar, zoti president?

Në lidhje me takimin e Përfaqësisë Studentore tek Ramiz Alia, zoti president i PD-së, ju mund ta keni instruktuar dikënd, dhe kë këni instruktuar është puna e juaj por, ju siguroj që ai apo ajo studente nuk ka qënë nga krahu i jonë nacionalist. Edhe kur e lexojmë tash transkriptimin e plotë të takimit të Përfaqësisë Studentore me presidentin Alia nuk gjejmë asnjë ide me vlerë që të vijë nga mbështetësit tuaj të njohur të atëhershëm e më vonë, përveç kërkesës që Presidenti Alia të përfitonte nga ndihma e studentëve. Përkundër kësaj, zoti president i PD-së, duke ju bërë thirrje vlerave kombëtare dhe traditës së pluralizmit ndër shqiptarët, krahu nacionalist kërkoi dhe ja arriti që t?ja shkulte pluralizmin e vërtetë presidentit Alia. Studentët e sinqertë e patriotë e vunë në pozitë shumë të vështirë Presidentin Alia dhe ishin ato që ja bënë dhuratë Shqipërisë pluralizmin e jo ju, zoti president i PD-së. Ju, zoti president i PD-së, as keni qënë pjesë e këtij procesi, as keni dhënë mendime për këtë punë, dhe as ju ka pyetë kush. E vërteta është që ne nuk ju kemi besuar aspak, për arësye që ju i dini vetë, as ju e as do tjerëve që sot kanë filluar të tregojnë përralla me kulshedra e dragoj.

Për të ardhur tek formimi i Partisë Demokratike, zoti president i PD-së, ti e din se unë kam qënë kundër formimit të asaj partie në Qytetin Studenti. Krahu nacionalist ku bëja pjesë kërkonte që të ruante Lëvizjen Studentore, si dhe kapitalin e prestigjin e jashtëzakonshëm që kishte fituar ajo Lëvizje, për të ndërtuar një garnizon demokratik e kombëtar në Tiranë të pavarur nga partitë politike që do të lindnin dhe nga handraku i intelektualëve arrivistë e pragmatikë që ndjenin ndryshime dhe që donin të përvetësonin kapital politik. Partitë le të kishin punën e tyre dhe ne të ishim, si të thuash, rojtarët e interesave kombëtare.

Por, interesi i përbashkët i presidentit Alia dhe i bashkëpunëtorëve tuaj ishte që ta mbyste atë Lëvizje dhe të ngrinit përmendoret tuaja si sjellës të pluralizmit sepse, përjashta Qytetit Studenti, asnjë prej jush nuk kishit kurrfarë legjitimiteti në popull. Me çfarë donit të dukeshit legjitim, zoti president? Me artikujt e botuar në ?Zëri i Popullit,? ?Drita,? e ?Bashkimi?? Kështu, duke përdorur mashat tuaja si dhe duke përfituar nga mungesa e strukturave të konsoliduara në Lëvizjen Studentore ju u përpoqët që të shpallnit partinë në Qytetin Studenti me 12 Dhjetor por ne ju penguam dhe fillimisht u tërhoqët. Vetëm mbasi u bindëm se edhe përkundër çdo veprimi tonin, masa e popullit do të drejtohej vetëm e vetëm tek Qyteti Studenti ne ju lejuam që ta shpallnit atë parti me kushtin që ju e mbani mend mire që në Komisonin Nismëtar të kishte një numër të mirë studentësh dhe jo një student, Azem Hajdarin, siç ju interesonte ju e intelektualëve të tjerë të Tiranës. Kompromisi që u arrit ishte vetëm çështje kohe. Ju llogarisnit se do të mund të na hiqnit qafe shpejt, e ne llogarisnim që të mos humbnim kontrollin tonë mbi masën e studentëve, të fitonim kohë dhe të riorganizoheshim duke e përdorur autoritetin e fituar prej nesh me ndershmëri e në shërbim kombëtar për të ndikuar në përbërjen e strukturave lokale të kësaj partie thjesht të formuar në zyrën e Ramiz Alisë a të Zërit të Popullit. Me këtë synim, ne i dërguam shokët tonë në të gjitha rrethet e vendit bashkë me mbështetësit e Hajdarit, por natyrisht, nuk i kishim bërë mirë llogaritë. Strukturat shtetërore ishin kaq të fuqishme sa ato jo vetëm ju mbështetën ju por edhe ju vunë në pjatë lista me individë e individë që mbinë si nga dheu gjithkah. Dhe me keqardhje e them se shumë nga ato individët që ke mbledhur sot në PD na është dashur ti nxjerrim nga vrimat e miut e ti bëjmë kryetarë degësh të PD-së me përdhunë duke besuar se po ja hiqnim kontrollin Sigurimit e se po krijonim baza për pajtim kombëtar e barazi. Kujt ja merrte mendja se ato ?të përvuajtun? kishin qënë spiunë me nga 30 vjet burg e të etur për të parë vendin të shkatërruar e për të filluar një luftë të re klasash nën drejtimin tuaj? Besoj e kupton zoti president i PD-së, se unë e shokët e mi nuk kemi hyrë në Lëvizje për të dënuar prindërit tanë me vdekje por për t?ju dhënë edhe atyre që kishin vuajtur politikisht e padrejtësisht të njëjtat të drejta e liri si gjithkush në një shtet demokratik që të ishte shteti i gjithe shqiptarëve e jo i një kaste a klase.

Megjithatë, në çdo hap ne e shihnim dhe e ndjenim se ju ishit i orientuar dikah tjetër. Kështu, pa zhurmë dhe në mes të këtij procesi të shtrirjes së PD-së në nivel shteti, i cili mori shumë energji dhe kohë nga studentët e shokët tanë, ne ja arritëm të bënim seleksionin e strukturave tona vetëm në një javë dhe me 17 Dhjetor i mblodhëm edhe një herë studentët të shkëputur nga PD-ja dhe filluam të shtronim kërkesat tona. Keshtu beme edhe demonstraten e pare ne Qytetin Studenti mbas fitimit te pluralizmit, dhe kjo ndodhi me 17 Dhjetor 1990. Nga 20 Dhjetori, ne ishim në gjendje të mblidhnim pa bujë e shpejt disa qindra studentë dhe asokohe i vumë vetes tre detyra kryesore imediate: lirimin e të gjithë të burgosurve politikë, shkëputjen e organeve shtetërore nga kontrolli i Komiteteve të Partisë së Punës dhe heqjen e statujës së Stalinit në Tiranë; si dhe si detyre afatgjate, heqjen e kultit te Enver Hoxhes.

Hemoragjia në mbështetje që ne pësuam nga prania e PD, influenca e saj dhe e kryesisë së saj, si dhe vala e jashtëzakonshme e masës popullore gjithnjë të pranishme në Qytetin Studenti na detyroi që gjate kesaj kohe të mbajmë një profil të ulët por qartësisht të dallueshëm nga PD-ja. E megjithatë, ishit ju që sa e patë se ne po i organizonim studentët të shkëputur nga kontrolli i PD-së, sollët Zekeria Canën, një historian nga Kosova, mu në mes të mbledhjes sonë në Godinën 15 për t?ju premtuar mua dhe shokëve të mi batanije e kushte më të mira.

Ne e kuptuam mirë qëndrimin tuaj, zoti president, por ende nuk kishte ardhur koha për i nda hesapet dhe prandaj heshtëm por e nxorëm mesimin se ku qëndronit ju. Për ne, edhe në atë moment, ju ishit e mbetët armiku më i betuar i Lëvizjes Studentore e interesave të vërteta kombëtare që ajo synonte që të mbronte. Gjithsesi ne ja arritëm të bënim të ditur edhe platformën tonë me të cilën ti nuk je pajtuar asnjëherë. Nuk ka asnjë miting themelues të PD-së ku kemi qënë unë e shokët e mi ku nuk është ngritur flamuri kombëtar e bile ku nuk është kënduar edhe himni i flamurit si b.f. në Shkodër e Elbasan. Ne kemi kërkuar e luftuar që PD të ishte një parti e shqiptarëve, zoti president i PD-së; ju keni dashur një parti personale.

Dua t?ju kujtoj, një moment tjetër delikat, zoti president i PD-së, konfrontimin në shtëpinë tuaj me rastin e dhënies nga ana e juaj të një interviste agjensisë jugosllave, Nova Makedonia me 25 Dhjetor 1990, më duket. Në atë intervistë, ju mbajtët të njëjtin pozicion që kishte marrë edhe Ramiz Alia duke devijuar nga pozitat kombëtare dhe duke i dhënë shumë kredibilitet informacioneve që thonin se ishit në lidhje të dyfishtë me organet e Sigurimit e me UDB-në. Si edhe besoj, ju kujtohet, takimi i jonë me ty ishte aspak i këndshëm por nga autokritika e juaj tepër e sinqertë ne menduam se kishit nxjerrë mësim dhe se do të ndryshonit sadopak. Jo se ju besuam, por më vonë do ta kuptonim qartësisht se praktika si komunist ju kishte rrahur me vaj e me uthull për me dalë nga çdo situatë dhe për me përdorë çdo mjet për me arritë këtë gjë. Megjithatë, ne e pranuam autokritikën tuaj dhe askush nuk e rrezikonte jetën tuaj, zoti president, jo ashtu si e ke rrezikuar ti jetën time e të shokëve të mi gjatë periudhës që ke qënë në pushtet si president i shtetit e jo vetëm i PD-së.

Përplasja e hapur por e paevitueshme që ndodhi midis meje e teje në Komisionin Nismëtar të PD ishte diçka që pritej prej meje e prej teje. Shumë prej shokëve të grupit të cilit edhe i përkisja, zoti president i PD-së, nuk e kuptonin se çfarë po bënim ende në atë strukturë që ishte PD-ja dhe që ishte kthyer në një karnaval politik por që unë e do tjerë mendonim se duhej sepse, të gjendur në mes të pushimeve të dimrit, ne na nevojitej një mburojë politike. Kështu që kur erdhi koha e përplasjes midis meje e teje, një Mbledhje e Komisionit Nismëtar në të cilën unë të akuzova si vegël të Ramiz Alisë, si figurë autoritare, që i kishe tradhëtuar idealet e Lëvizjes Studentore, si dhe të kërkova të jepje sqarime për lidhjet familjare e të tjera me Jugosllavinë e atëhershme, ju u mbështetët nga një pjesë e mirë e Komisionit Nismëtar. Duke e parë veten pa mbështetje në atë Komision, unë dhashë dorëheqjen e parevokueshme nga PD. Më vjen keq që kam qënë i pari që e kam bërë këtë gjë, por duke e parë trajtimin që ju ke rezervuar ?bashkëpunëtorëve tuaj? besnikë që ishin atëherë anëtarë të atij Komisioni, jam i kënaqur se kam ikur në termat e mia dhe duke luftuar për vlerat e Lëvizjes Studentore e jo si limon e shtrydhur e pa dinjitet si do tjerë që sot po zvarriten për t?u kthyer në lojë e në PD. Sinqerisht që më dhimbsen e më vjen keq për to.

Nga ai moment e mbrapa, zoti president, si pjestar i një grupi studentësh me influencë në Universitetin e Tiranës, unë u angazhova krejtësisht me organizimin e Lëvizjes Studentore dhe me organizimin e një greve urie që do të hiqte emrin e Enver Hoxhës nga Universiteti. Nga java e fundit e Janarit, shoqata e jonë, ?Shoqata Studentore Fan S. Noli?, me një kryesi autoritative e me respekt të madh në Universitet, ishte mjaft e konsoliduar për të filluar që të bënte antarësimin në fakultete. Ju kujtoj se ne kishim arritur që ta dobësonim influencën e PD-së në atë pikë sa studentët as nuk shkonin në aktivitetet e degës së PD-së atje por filluan të vinin tek veprimtaritë tona. Mbështetja që ne gezonim e që ishte në rritje u bë problem për partinë tuaj, zoti president, dhe nuk ishte për t?u habitur që kur ju morët vesh planet tona, bashkëpunëtorët tuaj mblodhën në shtëpinë e Gramoz Pashkos një tufë studentësh të ashtuquajtur gazetarë e piktorë dhe ju sugjeruan që të krijonin një Shoqatë Studentore Shqiptare.

Kjo Shoqatë e drejtuar nga do aspirantë të plehrave elitare të Tiranës jo vetëm imitoi fjalë për fjalë programin tonë, por edhe premtoi që të fillonte Grevën e Urisë që të rrëzonim Enver Hoxhën, për të cilën ne kishim punuar e po punonim me intensitet prej një muaji e më tepër. Nuk ka dyshim, zoti President, se në këtë përpjekje për të mbytur Lëvizjen Studentore, ju luajtët një rol të dorës së parë. E megjithatë duke e parë rrezikun e madh me të cilin do të përballej vendi po të përçahej PD-ja si ishte gati të ndodhte me 13 Shkurt, ne dolëm mbi veten tonë dhe bëmë ç?ishte e mundur për me ruejtë Partinë Demokratike dhe për të ndihmuar që ju të zgjidheshit kryetar i saj. Për ne ishte e rëndësishme që ajo parti të ishte një shtëpi e madhe sepse vetëm me atë shpresë do të shmangej Lufta Civile.

Ne as ju kemi respektuar, as ju kemi dashtë por në këtë moment ju kemi parë si një njeri me shumë fytyra që ju tregonte të gjithëve atë fytyrë që donin të shihnin. E kjo na duhej edhe ne, pse për ne ishte më e rëndësishme që të shmangej përplasja ndërshqëiptare se sa të të hiqnim ty qafe.

Dhe kështu, në një fjalim që çuditi shumë njerëz që i dinin mirë marrëdhëniet tona të acaruara, unë refuzova që të flas për përplasjen tonë por, në emër të shokëve të mi fola për nevojën e unitetit e bashkimit të PD-së dhe të njëjtën gjë e bëra edhe herën tjetër and Aktivin Kombëtar të PD-së.

Duke vazhduar me përpjekjet tuaja të pandërprera për të mbytur Lëvizjen Studentore, nuk ka dyshim, zoti president, se Lëvizja Studentore triumfoi përmbi makinacionet tuaja dhe të veglave tuaja, si Azem Hajdari apo do të tjerë që sot kullosin në stane të tjera qofshin parti politike apo institute kërkimore, deri në atë pikë sa ne e mbyllëm me sukses edhe Grevën e Urisë që solli rrëzimin e Enver Hoxhës ashtu si deshëm ne. Nuk dua te hyj ne lojen e veshtire politike qe i parapriu organizimit te asaj Greve Urie, por, besoj se ju kujtohen shkëmbimet e fjalëve që kemi patur bashkë asokohe para e gjate zhvillimit te saj. [/b]Ende duhet ta ndjeni turpin që duhej të përjetonit kur studentët filluan t?ju tallin kur delnit nga ajo sallë ku ju propozuat ta mbyllinon greven pa hequr emrin e Enver Hoxhes,[/b] si dhe kur deshët të mbanit fjalimin e mbylljes së Grevës së Urisë por kur erdhëm ne që mbyllëm grevën e Urisë, të ikën edhe fjalët e ta morëm mikrofonin prej doret e s?ishe i zoti as me folë. Edhe pse ne nuk kishim kurrfarë respekti për ju, ne e kishim dhe e ruejmë respektin më të thellë për shoqen tonë, Argentën, bijën tuaj dhe një vajzë e mrekullueshme e fjalëpakë që e kishim në kujdes të veçantë gjatë Grevës së Urisë.

Por, në fund të fundit, zoti president i PD-së, ne fituam mbi ju e të keqen që ju përfaqësonit. Vetëdija që ju dhe PD e kishit humbur kontrollin mbi ne, dhe se ne kishim arritur në gjendje të realizonim planin tonë të fillimit ju shtyu ti thonit Presidentit Ramiz Alia se nuk e kontrollonit dot Grevën e Urisë dhe se ai duhej qe të mbyllte universitetin po të mos donte turbullira të mëtejshme prej nesh. Përdorimi i shtetit ishte shenja më e ulët e dobësisë dhe njohja e padyshimtë e fuqisë sonë si Lëvizje e pavarur dhe e pakontrolluar nga askush.

Kështu, ajo vetëdije ju shtyu të ndërmerrnit aktin kriminal e të mbështesnit mbylljen pa kushte të Universitetit, një ndër krimet e mëdha që ju keni bërë kundër shqiptarëve. Ju, zoti president i PD-së, kishit rënë aq poshtë sa pranuat realisht të nënshkruanit dënimin me vdekje të Universitetit sepse nuk kishit kurrfarë kontrolli mbi të e mbi ne. Ju në bashkëpunim me presidentin Alia i përzutë mbi 6,000 studentë në tre ditë rrugëve të botës. Ju vendosët pa pikë respekti për me i përdorë si mish për top shumë të tjerë që sakrifikuan rininë duke besuar tek ti e tek disa si Azem Hajdari duke i kthyer në një masë të zvetënueme njerëzish që sot kërkojnë vetëm me hangër dhe kanë harrue vlerat për të cilat dikur janë nisë me vdekë me gëzim.

Shembulli i Azemit, që ti njëherë e leje të dehur me orë në paradhomën tënde që ta shihnin të tjerët ku ishte katandisur, dhe mandej ja bëre një listë me 27 krime është emblematik për lidhjen që ti ke patur edhe me atë krah të studentëve që u shkëput nga Lëvizja Studentore e që të mbështeti pa kushte. Shumë prej tyre u bënë veglat tuaja dhe ti, mbasi i shtrydhe, i hodhe në plehra. Edhe pse as unë e as shokët e mi nuk jemi pajtuar kurrë me Azemin, ne na ka ardhur shumë keq për vrasjen e tij pse ka qënë njëri nga shokët tonë të fillimit që ti e shtyre në atë rrugë që e çoi edhe të vritej, në fund të fundit, ashtu si do shokë tjerë tonët si Ben Broci e Fred Gemi.

Në një notë tjetër, ashtu si besoj e dini, zoti president, ne as nuk ikëm e as nuk u zhdukëm nga loja politike por, të sakatuar nga ikja e shokëve e shoqeve tona filluam të riorganizoheshim edhe një herë nga fillimi, dhe jo pa sukses.

Në një kohë në Mars të viti 1991 ne filluam të kërkonim të krijonim një Front të Bashkimit Kombëtar, duke ju sugjeruar politikanëve të atëhershëm me platforme te pwrgatitur prej nesh se zgjidhja ishte tek ideja e kombit. Por edhe këtë plan ti së bashku me do të tjerë në krye të partive të opozitës arrite ta minosh me sukses. Kjo ka qënë një periudhë kur, duke u ndjerë i fortë, fillove edhe sulmin e shfrenuar kundër shumë prej nesh që të ishin bërë pengesë si ty ashtu edhe ujdive e pazarllëqëve tuaja. Që ne atëherë vumë interesat e kombit mbi mbrojtjen e vetes flet më shumë për ne se sa për ty, zoti president.

Por që ta mbyllim, përplasja e jonë e fundit, zoti president, erdhi, kur të vënë në dijeni nga shokët tanë në Shkodër, ne erdhëm në mëngjez herët në zyrën tuaj për t?ju paralajmëruar se në Shkodër do të kishte turbullira dhe se sistemi ishte i vendosur të mos lëshonte pe. Përgjigja e juaj ?nuk kam se çka baj? e mori edhe përgjigjen tonë të merituar që unë e kujtoj mirë dhe besoj as ti se ke harruar, por ajo sjellje duhej të mbetej edhe një njolla e errët turpi në ndërgjegjen tuaj.

Është e vërtetë që ne e mobilizuam praninë ndërkombëtare në Tiranë dhe i nisëm në Shkodër për të ndalur gjakderdhjen por ju, zoti president i PD-së, nuk e lëvizët as gishtin. Unë e di mirë se si e keni mbajtur fjalimin e lamtumirës për ato që u vranë atë ditë, sepse aty kemi qënë edhe ne, por prapë, ne kaluam mbi veten tonë dhe nuk thamë asgjë, jo pse kishim respekt për ju, por pse në sytë e një populli mjeran ju ishit shndrruar në një shpresë dhe një instrument për shmangjen e Luftës Civile që shpesh na dukej iminente.

Ndalimi i Luftës Civile ka qënë qëllimi ynë kryesor, zoti president, dhe ne ju kemi parë e vlerësuar vetëm e vetëm nga kontributi që mund të jepnit në atë gjë. [Megjithatë vitet e mëpastajme provuan se ju jo vetëm nuk mund ta ndalnit atë Luftë por se e futët vendin në një Luftë të Ftohtë Klasash që çoi në skandalet e papara ndokund në botë dhe përfundimisht në revolucionin Leninist-Enverist të vitit 1997.

Besoj, zoti president, se në këtë letër të shkurtër ju kam kujtuar disa ndodhi e ngjarje që vënë në dukje se për ne ju keni qënë ndoshta personi më negativ në lidhje me Lëvizjen Studentore Shqiptare. Megjithatë, mitologjia e krijuar tash sa vjet prej jush e prej kalemxhijve tuaj, zoti president, është e vështirë që të demaskohet sepse nganjëherë është më e vështirë që të tregohet bindshëm e vërteta se sa të manipulohet e vërteta.

Por faktet janë kokëfortë dhe kurdo që krijohet mundësia ato duhen nxjerrë në dritë një e nga një. Në fund të fundit, për ato që e dinë të vërtetën është mirë ta thonë; kështu të paktën një faqe e historisë shqiptare do të jetë e shkruar ndershmërisht. Për këtë, në emër të shokëve të mi, unë ju bëj thirrje të gjithë ish-studentëve, shokëve e shoqeve të mia kudo që të jenë që të zgjohen dhe të kuptojnë se është edhe një detyrim njerëzor karshi vetes, shokëve të tjerë studentë dhe kontributit të pastër të lëvizjes së tyre që ja ndrroi fytyrën vendit. Përkundër të gjitha pengesave që ndeshën në rrugën e tyre, studentët që dolën në krye të fraksionit kombëtar (dhe eventualisht në krye të lëvizje studentore) dhe që në thelb besonin se ndryshimi i regjimit duhej të drejtohej në një mënyrë të tillë që të përfitonte i gjithë kombi shqiptar arriti disa fitore të jashtëzakonshme në këtë periudhë tejet të rëndësishme të trancizionit shqiptar. Gjithkund ne ishim të mbështetur nga studentë që ishin mbështetës të së majtës ashtu edhe mbështetës tuaj, zoti president, se mbi të gjitha ato studentë ishin e ndjeheshin shqiptarë, dhe pavarësisht nga dallimet politike, ne ishim të gjithë vëllezër të një gjaku.

Në mbyllje, mendoj se nuk ka pikë dyshimi, zoti president i PD-së, që Lëvizja Studentore Shqiptare e viteve 1990-1991 konsiderohet si faktori vendimtar për kthesën politike e daljen prej sundimit të partisë-shtet në Shqipëri. Ndërmjet arritjeve më të spikatuna të kësaj Lëvizje të shtrirë nga Dhjetori 1990 e deri në Prill të vitit 1991 dhe e cila përfshiu shumicën e institucioneve të arsimit të lartë në shtetin shqiptar janë organizimi i zgjedhjeve të para demokratike në nivel universitar në shtetin shqiptar, demonstrata e parë politike në Sheshin Skanderbeg, kundërvënia politike ndaj partisë-shtet, shkulja e të drejtës së pluralizmit politik, mobilizimi i shtresave të gjëra të popullit në mbështetje të vlerave të pastra kombëtare e demokratike në fillimet e proceseve të tranzicionit dallueshëm prej forcave politike të atëhershme, ruajtja e plotë e pavarësisë politike të udhëheqjes së kësaj Lëvizjeje prej forcave politike të djathta apo të majta, futja e vendit në një shteg që e shmangu Luftën Civile, shembja e kultit të Enver Hoxhës, ndihma për organizimin e zgjedhjeve të para demokratike, dhe ndonëse fakt pak i njohur, ndihma vendimtare në ndalimin e gjakderdhjes së 2 Prillit, të orkestruar e të toleruar me konsensusin e gjithë forcave politike të atëhershme përfshirë këtu edhe ju.

Një akt që ja vlen të vihet në dukje është edhe vetësakrifimi sublim i Lëvizjes dhe i shumë prej pjesëmarrësve për shpëtimin e kombit e shtetit në një periudhë kritike duke lëshuar rrugë e për të mirën e të gjithëve, duke toleruar edhe marrëveshje e skema nga më të dyshimtat midis forcave politike e individëve që dolën në krye të partive politike. Për këto e për çka është thënë më lart, zoti president i PD-së, ky kontribut i veçantë i saj e bën këtë Lëvizje një shembull të papërsëritshëm në historinë shqiptare dhe një faktor me peshë në historinë moderne të Shqipërisë e që duhet vlerësuar seriozisht. Por kundërshtarët e Lëvizjes Studentore Shqiptare të strehuar në Partinë Demokratike e në Partinë e Punës, e përdorën pa hezitim aparatin shtetëror për të shkatërruar Lëvizjen dhe për të përvetësuar arritjet e saj, si keni bërë e po bëni edhe ju, zoti president. E prapë, edhe përkundër të pavërtetave që keni thënë e thoni, kontributi i atyre studentëve e studenteve, i heronjve të heshtur e të vërtetë të trancizionit shqiptar, është e mbetet faqja më e ndritur e historisë mbas-komuniste shqiptare.

Kalvar mundimesh

Një ndër të rinjtë e shumtë shqiptarë, i cili u detyrua të lërë atdheun e tij është edhe Berti Bame (Demaj), lindur në Shkodër më 6.03.1975. Ndonëse i punësuar si truprojë në truprojat e y.Gëzim Kalaja, President i Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë nga nëntori i vitit 2001 deri më 21.03.2005, e gruaja e tij punonte mësuese, kishin ndërtuar jetën e tyre të re. Kalvari i mundimeve të tij arrin kulmin. Persona të panjohur të mafias politike shqiptare i bëjnë presion që të mos jetë shoqërues i Presidentit të Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë. Me çdo kusht kërkonin që presidenti Kalaja të mos mbrohej nga askush që t’i bëhen presione për deklarata të ndryshme e prona që gëzonin Sindikatat e Pavarura Shqiptare. Në këto rrethana mungonin çdo ditë presione, me përplasje me makinë, telefonata, kërcënime nga më të ndryshmet. Në fillim qarqet politike i heqin gruan nga puna. Më pas e detyruan të ndërronte mbiemrin nga Demaj në Bame për t’iu shmangur identifikimit. Në shkurt 2005 persona me maska e kanë marrë peng, ndonëse me një fizik të fuqishëm, e kanë lidhur këmbë e duar duke e izoluar për rreth dy javë. Më pas e kanë lëshuar duke e kërcënuar se qëndrimi në këtë detyrë dë t’i kushtojë jetën dhe do i vrasin gruan, Enkeleidën e vajzën 1-vjeçare, Klea. Në këto rrethana, gruan e vajzën i largon nga Shkodra dhe i strehon larg qytetit në një vend të panjohur, ndërsa vetë largohet nga vendi, pavarësisht se disa herë kishte denoncuar në polici, ku këto të fundit nuk marrin përsipër sigurinë e jetës e familjes. Në këto kushte kthimi në Shqipëri nuk i garanton jetën e sigurtë kësaj familjeje.

Zef Nika

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu