Detaje të reja janë zbuluar nga Prokurori i Posaçëm Vladimir Mara në lidhje me operacionin ndërkombëtar “Ura”, i zhvilluar në bashkëpunim mes SPAK dhe Prokurorisë së Barit në Itali.
Në një deklaratë për mediat, Mara konfirmoi se janë lëshuar gjithsej 52 urdhërarreste në Shqipëri dhe Itali, nga të cilat 40 janë ekzekutuar deri më tani. Mes personave të ndaluar ka edhe organizatorë të grupit kriminal, i cili dyshohet se është përfshirë në aktivitet të gjerë të trafikut ndërkombëtar të narkotikëve.
Veçanërisht shqetësuese është përfshirja e dy punonjësve të Policisë së Shtetit, nga të cilët njëri mbante një pozicion të rëndësishëm brenda strukturave të rendit.
Sipas prokurorit Mara, që po raportonte në të njëjtën tavolinë me Drejtorin e Policisë, Ilir Proda, në një nga rastet është zbuluar bashkëpunim dhe korrupsion në Policinë e Portit të Durrësit, që ka lehtësuar veprimtarinë e grupit kriminal.
“Kemi pasur dy punonjës të policisë së shtetit, njëri në pozicion të rëndësishëm. Në njërin rast kemi pasur bashkëpunim dhe korrupsion në Policinë e Portit të Durrësit,” – u shpreh Mara.
Operacioni “Ura” konsiderohet si një nga goditjet më të mëdha të muajve të fundit ndaj grupeve të krimit të organizuar që operojnë në Shqipëri dhe jashtë saj.
Operacioni u krye me mbështetjen e Interpolit, Zyrës së Ekspertëve të Sigurisë në Tiranë, Policisë Shqiptare, nën koordinimin e Drejtorisë së Qarkut Antimafia të Barit dhe SPAK të Tiranës.
Sipas hetimeve, organizata kriminale shqiptare vepronte në shkallë të gjerë përgjatë rrugëve ballkanike, me degë drejt Evropës Veriore dhe vende të konsoliduara zbarkimi për drogën në Puglia, e konsideruar një qendër strategjike për shpërndarjen e narkotikëve.
Kokaina dhe lëndë të tjera narkotike transportoheshin kryesisht nëpërmjet rrugëve detare, me mbështetjen logjistike të qelizave operative të pranishme në Itali, të përfshira gjithashtu në menaxhimin e të ardhurave të paligjshme përmes aktiviteteve të pastrimit të parave dhe pronësisë fiktive të aseteve.
Masat paraprake, u lëshuan në kuadër të operacionit “URA” pas hetimeve të kryera nga DIA e Barit midis shtatorit 2021 dhe qershorit 2022, që bënë të mundur mbledhjen e provave serioze kundër të dyshuarve, shqiptarë dhe italianë, që i përkasin në Itali dy grupeve kriminale me seli në Puglia dhe një tjetër grupi kriminal në Shqipëri, me seli në Durrës.
Operacioni në Shqipëri është shtrirë në qytetet e Durrësit, Shkodrës, Tiranës, Fierit e Vlorës, ndërsa në Itali në Bari dhe provincat e saj, por edhe në Oria Br, Matera, Frosinone, Torino, Kozenca, Trento, Komo, Kremona dhe Pomezia Rm, si dhe në Belgjikë.
DIA, në lidhje me sasitë e mëdha të heroinës dhe kokainës të lëvizura, duke filluar nga viti 2016, midis Ballkanit, Evropës Veriore, Amerikës së Jugut dhe Pulias, ka dokumentuar ekzistencën e një bashkësie interesash midis grupit kriminal në Shqipëri, përgjegjës – në nivel transnacional – për tregtimin dhe transferimin e drogës, dhe dy shoqatave kriminale që vepronin në Bari, të cilat, nga ana tjetër, kryenin operacionet e “prerjes” dhe paketimit në blloqe, furnizonin me shumicë organizatat në Bari, Brindisi dhe Leçe të interesuara për të marrë heroinë dhe kokainë me cilësi.
Lënda narkotike vinte nga Turqia dhe Amerika Latine dhe transportohej në Itali nga shqiptarët. Hetimet komplekse, të kryera me përgjime telefonike, përgjime mjedisore, regjistrime video dhe shërbime vëzhgimi dhe kontrolli, të mbështetura nga analiza e bisedave të koduara të marra nga platforma SKYECC, si dhe nga deklaratat e tre bashkëpunëtorëve të drejtësisë (besueshmëria e të cilëve është vërtetuar), kanë lejuar, ndër të tjera, të dokumentojnë, në lidhje me substancën narkotike të dërguar në Bari kryesisht nga Shqipëria dhe Evropa Veriore, furnizime me 255 kilogramë heroinë dhe kokainë të pastër) të kryera nëpërmjet korrierëve ndërkombëtarë. Në të njëjtin kontekst, u rindërtua një “rrjedhë” e pandërprerë parash nga Puglia në Shqipëri, për të paguar drogën e shitur “me shumicë”, e cila zhvillohej nëpërmjet shoferëve të autobusëve ndërkombëtarë, transaksionet e paligjshme të të cilëve kapën shifrën prej 4.5 milionë eurosh.
U zbuluan disa dërgesa parash për të paguar drogën, të cilat u kryen në Bari, për shuma që tejkalonin gjysmë milioni euro. Po ashtu u provua transferimi i mbi 500 mijë dollarëve nga Shqipëria në Amerikën Latine , të paguara si paradhënie për blerjen e një dërgese prej 500 kilogramësh kokainë të nisur nga Guayaquil i Ekuadorit.
Provat e përdorura për të demonstruar funksionimin e tre shoqatave kriminale transnacionale kishin të bënin me një sekuestrim të mëparshëm prej 3 milionë eurosh në para cash në Durrës, si dhe sekuestrimin e drogës, kryer në rrethana të ndryshme: të mbi 30 kilogramëve heroinë dhe disa laboratorëve artizanalë të përdorur në Bari dhe në provincë, për prerjen dhe paketimin e drogës në blloqe. Një ngarkese me 2 ton kokainë në portin e Roterdamit Holandë si dhe 932 kilogramë kokainë në portin e Gioia Tauro, në Reggio Calabria. Po ashtu një ngarkesë pprej 400 kilogramësh kanabis në Noicattaro Bari.