Mbështetësit e Partisë Demokratike dhe aleatëve të saj janë mbledhur para Kryeministrisë, në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në një protestë masive pas akuzave të ish-zv/kryeministrit Arben Ahmetaj, i cili akuzoi Edi Ramën dhe qeverinë për abuzime me fondet publike.
Protesta vjen teksa vendi ndodhet rreth 100 ditë larg zgjedhjeve të 11 majit. Sot organizatorët kanë ndryshuar agjendën e protestës, ndryshe nga tubimet e kaluara të cilat janë zhvilluar me bllokime rrugësh dhe mosbindje civile.
Në protestën e kësaj të shtune para Kryeministrisë do të ketë fjalime nga kryetari i PD, Sali Berisha dhe përfaqësues të tjerë demokratë. Gjithashtu, do të ketë një mesazh edhe nga Ilir Meta i cili ndodhet në burg.
Ora 17.25 Berisha del nga selia e PD, niset drejt Kryeministrisë
Kryetari i PD, Sali Berisha i shoqëruar nga deputetët e grupit parlamentar dhe simpatizantët i është drejtuar Kryeministrisë. Berisha do t’i bashkohet protestuesve të opozitës.
Ora 17.20 Agron Duka: Opozita ka bërë gafa të jashtëzakonshme, shumë e vështirë të riparohen
Kryetari i PAA, Agron Duka u shpreh se opozita ka bërë gafa të rënda në të kalurën siç ishte djegia e mandateve, braktisja e zgjedhjeve dhe bojkoti i komisionit të ndarjes territoriale.
“Fryma që ekziston është pozitive dhe ka një shpresë për rotacion. Qëllimi i kësaj proteste përveçse për të demaskuar korrupsionin e denoncuar nga ish-zv/kryeministri, është edhe për të krijuar frymën opozitare”, tha Duka.
Ora 17.05 “Sot është dita e opozitës”, Luan Baçi për News24: Do të tregojmë fuqinë tonë, jemi mazhorancë, jo minorancë!
Deputeti i Partisë Demokratike, Luan Baçi, ka deklaruar se protesta e sotme e opozitës para Kryeministrisë nuk do të jetë e fundit. Në një prononcim për News24, Baçi theksoi se opozita do të vazhdojë qëndresën e saj, pavarësisht sfidave dhe angazhimeve të deputetëve jashtë vendit.
Ora 17.02 “Vjedhja 50 mln euro e Ballukut me tunelin e Llogarasë”/ Këlliçi: Shqipëria sot e plakur dhe mpakur, shqiptarët në situatën më të rëndë ekonomike
Drejtuesi politik i Partisë Demokratike për Tiranën Belind Këlliçi, ka folur për News 24 pak përpara nisjes së protestës së PD.
Këlliçi tha se Shqipëria është “plakur” edhe “mpakur”, duke nënkuptuar se nga vendi janë larguar masivisht të rinjtë. Ai shtoi se ekonomia është në situatë tepër të rëndë. Këlliçi ndër të tjera tha se Belinda Balluku ka vjedhur 50 milionë euro te Tuneli i Llogarasë, ndërsa shtoi se mega vjedhjet e qeverisë nuk kanë fund.
Ora 17.00 Nis grumbullimi i protestuesve të opozitës në Bulevardin Dëshmorët e Kombit
Mbështetësit e Partisë Demokratike dhe aleatëve të saj janë mbledhur para Kryeministrisë, në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në një protestë masive pas akuzave të ish-zv/kryeministrit Arben Ahmetaj, i cili akuzoi Edi Ramën dhe qeverinë për abuzime me fondet publike.