Kreu Blog Faqe 61

Denoncimi tronditës i ish-oficerit të Policisë: “U mbajta peng brenda Komisariatit Nr. 2”

0

Një denoncim i rëndë për trajtim çnjerëzor dhe ndalim arbitrar brenda ambienteve të Policisë së Shtetit u bë publik në emisionin “Off the Record” me Andrea Dangllin në A2 CNN. Kastriot Çako, ish-oficer i lartë i Policisë së Shtetit, rrëfeu se si një thirrje për “sqarim” në Komisariatin e Policisë Nr. 2 në Tiranë përfundoi, sipas tij, në një “marrje peng” dhe rrezik serioz për jetën.

Sipas Çakos, më datë 10, rreth orës 10:33, ai u telefonua nga policia dhe u ftua të paraqitej për një sqarim lidhur me një çështje pronësie. Duke qenë se komisariati ndodhej pranë vendit ku po punonte, ai u paraqit menjëherë, pa asnjë kundërshtim. Por ajo që pritej të ishte një procedurë rutinë, u shndërrua në një ndalim të pajustifikuar.

Pas një kontrolli personal dhe sekuestrimit të telefonit, Çako u fut në një dhomë izolimi, e mbyllur me shul dhe dry. Ai tregon se veprimi u krye pa asnjë shpjegim dhe pa rezistencë nga ana e tij. “Jam futur në dhomën e izolimit pa bërë asnjë lloj kundërshtie dhe kam qëndruar rreth 10–15 minuta. Derën e kishin mbyllur me shul dhe me dry”, rrëfeu ai përballë gazetarit Igli Çelmeta.

Gjatë kohës që ndodhej i mbyllur, gjendja shëndetësore e ish-oficerit u përkeqësua ndjeshëm. Ai shpjegon se filloi të ndihej keq, i merreshin mendtë dhe më pas humbi ndjenjat. “Bërtita për ndihmë dhe më pas nuk mbaj mend më asgjë. U përmenda fillimisht në dhomën e ndalimit dhe më pas në urgjencën e Spitalit ‘Nënë Tereza’”, deklaroi Çako.

Ai theksoi se para se të futej në dhomën e izolimit kishte kërkuar të njoftonte familjen, kërkesë që iu lejua për pak çaste. Gjatë telefonatës, ai arriti të paralajmëronte bashkëshorten dhe t’i kërkonte të njoftonte avokatët, pasi ndjente se po ndalohej në mënyrë të padrejtë.

Në studio dëshmoi edhe bashkëshortja e tij, Rezarta Çako, mjeke me profesion, e cila tregoi se kishte shkuar menjëherë në komisariat dhe kishte paralajmëruar policinë për gjendjen serioze shëndetësore të bashkëshortit të saj. Sipas saj, Çako vuan nga hipertension i rëndë dhe takikardi, probleme të lidhura me stresin e vazhdueshëm nga procese të gjata gjyqësore.

“Unë u paraqita në tagrin e mjekes dhe i paralajmërova disa herë se gjendja e tij ishte alarmante. Hasëm në një indiferencë totale”, tha ajo. Vetëm kur situata u bë kritike dhe Çako humbi ndjenjat, policia u vu në lëvizje për të kërkuar ndihmë mjekësore.

Rezarta Çako rrëfeu gjithashtu momentet e tensionuara kur policia, sipas saj, u përpoq ta menaxhonte situatën brenda mureve të komisariatit, për të mos e bërë publike ngjarjen. “Më kërkuan ilaçet, sikur unë të isha urgjenca. I kërkova prerë të njoftonin ambulancën. Kur hyra bashkë me ekipin e urgjencës, pashë një gjendje që edhe sot më shkakton rrëqethje”, deklaroi ajo.

Çifti Çako e cilësoi ngjarjen si thellësisht tronditëse, jo vetëm në aspektin shëndetësor, por edhe psikologjik. “Kjo që na ndodhi është një përjetim që do të trondiste çdo qytetar. Policia duhet të jetë në mbrojtje të qytetarit, jo të kthehet në dhunuese”, u shpreh Rezarta Çako.

Rasti i denoncuar publikisht ngre pikëpyetje serioze mbi respektimin e të drejtave të njeriut, procedurat e shoqërimit dhe trajtimin e personave me probleme shëndetësore në ambientet e Policisë së Shtetit. Deri më tani, nuk ka një reagim zyrtar nga autoritetet policore lidhur me akuzat e bëra publike në emisionin “Off the Record”.

Arrestimi i Belinda Ballukut, dosja rreth 10 mijë faqe. Avokati kërkon 3 javë kohë, SPAK: Maksimumi 5 ditë

0

Dosja që SPAK ka përgatitur për të mbështetur kërkesën për heqjen e imunitetit të deputetes Belinda Ballukut mësohet se është 10 mijë faqe. Për këtë arsye, avokati i saj ka kërkuar që të marrë 3 javë kohë për t’u njohur me të, por SPAK thotë se 5 ditë është koha maksimale.

A2 CNN mëson se Partia Socialiste është dakord me avokatin e Ballukut kërkon që mbledhja të shtyhet për në datë 19 janar, propozim që kundërshtohet nga PD.

Deputeti i Partisë Demokratike, Gent Strazimiri mësohet të ketë pyetur prokurorin e çështjes, Prençi: “Duke pasur parasysh që e pandehura nuk bashkëpunon sepse nuk jep dorëheqjen madje intimidon dëshmitarët, që qeveria e mbron publikisht, a keni ju personalisht një urgjencë, një afat të arsyeshëm brenda të cilit edhe avokati të njihet me provat, edhe hetimi të mos zvarritet?”.

Ndërsa Prençi është përgjigjur: “Afati mendoj të jetë 3-5 ditë”. I të njëjtit mendim ka qenë edhe prokurorja tjetër Dorina Bejko.

“Kur u bë kjo drejtësia e SPAK-ut, e donit ju ndërsa ne kishim frikë… Ne ende sot kemi problemet tona me SPAK, që janë publike. Ju, me gojën e Edi Ramës vazhdoni thoni ça të kërkojë SPAK, do ia japim pa kushte… Mos më detyroni të njoftoj Edi Ramën që po i shkelni urdhrin duke vonuar SPAK, se e dini ju ç’ju gjen.

Andi Bushati: PS të dalë jashtë ligjit si bandë kriminale që ka nen të parë të statutit vjedhjen

0

Analisti Andi Bushati ka folur për kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut, në mënyrë që të kërkojë një masë arresti ndaj saj. Bushati tha se nuk ka gjasa që Rama ta dorëzojë imunitetin e Ballukut, ndërsa shtoi se në PS mendojnë vetëm si të vjedhin.
“Çfarë lexova unë? Gjithë buritë e propagandës së Ramës thoshin veprim inatçor i SPAK. Edhe sikur të jetë, bravo i qoftë, nuk është as i pari dhe as i fundit. Kjo nuk është çështje juridike, por politike.
Cfarë bëjnë këta? Në fillim vjedhin zgjedhjet, hyjnë në zyrë, vejdhin me tendera dhe koncesione, po i kape, thonë nuk më ndalon dot se më ka zgjedhur populli. Nga kjo buron kurthi juridik. Rama do ta mbajë Ballukun në detyrë si hajduten kryesore, thotë është puç shteti. Mbaron punë me kushtetuesen.
SPAK i gjendur në këtë presion, me metodat që di vetë, fillon nxjerr letrat.
Këta vjedhin Shqiperinë për të vjedhur zgjedhjet, dhe vjedhin zgjedhjet për të vjedhur Shqipërinë. Kryeministri del çdo ditë të vjedhë bashkë me Ballukun dhe ne themi mos po i vjedhin kompetencat Ramës?
Njerëzit thonë pse ankohen këta se po i vidhka një pushtet Ramës.
Do ta shihni, ose ka për ta shtyrë në kalendat greke, ose nuk ia heq imunitetin. Ky pushtet qëndron mbi vjedhjen. Ata të opozitë nuk kanë pse hedhin më, duhet të ngrihet opozita, një grup qytetar më i besueshëm, të kërkojë në GJK, nxjerrjen jashtë ligji të PS, si bandë kriminale që ka nen të parë të statutit grabitjen”, tha Bushati.

Falje, mirkuptim dhe heshtje pa mllef!

0

Shkruan Zef Ndreka

Kështu mund ta përmbledh me pak fjalë librin që sapo lexova. Atë libër që në morinë e librave që përzgjodha në Panairin e librit në Tiranë, ishte edhe “Në meshën e ullinjëve” të autorit Arben Iliazi.
Për miqt e mi, ndërmjet rreth 130 poezive, përgjodha dy poezi prej tyre më domethënëset dhe shumë koherente në frymë.
Këto dy poezi, konkretisht “Testamenti im i thjeshtë” dhe “Në meshën e ullinjve”, më ngjajnë se dialogojnë natyrshëm mes tyre, si dy akte të së njëjtës lutje poetike nga poeti.
TESTAMENTI IM I THJESHTË
Në këtë.botë të mbushur plot me zogj
parajse, që formojnë kurora në qiej
me ëndërra të tejdukshmë trëndafilash,
kundërmime errësire,
mezi pres të fryjë
një fllad i lehtë mëshire
për fantazmat e njerëzve dhe të detit.
Mirënjohës ndaj gjithçkaje
duke mbyllur gjithë mundimet pikëlluese
të ekzistencës sime
në fshehtësitë e padukshme,
lë pas mëkate, pendime
të digjen si korrniza të heshtura
midis nesh,
për t’u kujtuar njerëzve
sa të vonuar janë në meshë…
Tek kjo poezi, “Testamenti im i thjeshtë”, poeti Arben Iliazi ndërton një testament jo material, por etik dhe shpirtëror. Iliazi nuk lë pas pasuri, por falje, lë mirëkuptim dhe heshtje të pastruar nga mllefet.
Metaforat e zogjve parajse, e ëndrrave të tejdukshme dhe “flladit të lehtë mëshire” krijojnë atë botë ku njeriu përpiqet të çlirohet nga pesha e errësirës dhe të pranojë brishtësinë e vet.
Kjo është një poezi e pjekurisë së thellë, ku pajtimi me jetën vjen përmes mbylljes së plagëve, jo përmes mohimit të tyre.
NË MESHËN E ULLINJËVE
Shkëlqimet e Iperionit nderen mbi rrugën ku shkelin
tingujt që zbresin së larti në prehje dadhurie.
Kurorat e dasmave, luke që vyshkën
e heshtin
në mesin e ullinjëve…
E di… ata më dlgjojnë
me përshpirtje Perëndie,
përtej ankthit të Odiseut
diku, në tokat pjellore të thesprotëve.
Luten përvfatin tim
për të mallkuarin fatin tonë-
I vetmi atdhe ku besojnë
Rrufenë dhe lotin.
Copat e zërit të tyre mes gjelbërimesh
si flakëza të vogla ndizën
duke mbyllur mes nesh dritare të vogla drite.
Kështu, poeti në “Në meshën e ullinjve” e zhvendos poezinë nga intimiteti individual në një rit kolektiv dhe arketipal. Ulliri, ky simbol biblik, mesdhetar dhe shqiptar njëherësh, shndërrohet në altar të përbashkët, ku dashuria, fati dhe besimi bashkohen në një liturgji tokësore. Referencat mitologjike dhe biblike, pra Perënditë, Odiseu, fati etj, nuk janë zbukurime, por shtresa kuptimore që e bëjnë poezinë universale, pa e shkëputur nga toka pjellore e përvojës njerëzore.
Në të dy poezitë, Arben Iliazi shkruan me një qetësi të thellë, pa patetizëm, duke i besuar fuqisë së fjalës së matur. Janë poezi që nuk kërkojnë të trondisin me zë të lartë, por të mbetet gjatë në mendje, si një dritë e vogël që ndizet mes njerëzve.
Në këtë kuptim, libri “Në meshën e ullinjëve” dëshmon një poet në kulmin e pjekurisë së tij krijuese, një poet i përulur ndaj jetës, por i patundur në kërkimin e së vërtetës njerëzore.
Urime më tej miku im!

Drejtoriti Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ilir Proda drejt burgut/ SPAK i sekuestron telefonin

0

Oficerët e Byrosë Kombëtare të Hetimit, me urdhër të SPAK, kanë sekuestruar telefonin celular të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Proda. Veprimi procedural mësohet se është kryer në kuadër të një hetimi penal në zhvillim, pa dhënë ende detaje zyrtare mbi akuzat konkrete apo statusin e tij në këtë çështje.
Zhvillimi vjen vetëm pak ditë pas pezullimit nga detyra të nën/drejtorit të Policisë së Tiranës, Erion Ismailaj, i cili dyshohet se ka qenë i përfshirë në veprime të paligjshme, përfshirë ndihmën ndaj personave të tjerë në një rast pengmarrjeje. Hetimet kanë ngritur dyshime për lidhje mes zyrtarëve të policisë dhe individëve të përfshirë në aktivitete kriminale dhe korrupsion.
Burime pranë hetimit bëjnë me dije se SPAK po heton një skemë më të gjerë, ku struktura të caktuara të Policisë së Shtetit dyshohet se janë implikuar në bashkëpunim me grupe kriminale, përfshirë ryshfete, aktivitete të paligjshme dhe abuzime me pushtetin. Sekuestrimi i telefonit të kreut të Policisë shihet si një hap i rëndësishëm në thellimin e hetimeve që, sipas burimeve, mund të prekin nivele të larta drejtuese.

Belinda Balluku kërcënon dëshmitaren që ka dëshmuar në SPAK kundër saj

0

Sipas burimeve për gazetaren, Belinda Balluku ka intimiduar dhe frikësuar një nga dëshmitarët që ka folur kundër saj para SPAK gjatë kohës së hetimit.

Ajo theksoi se dëshmitarja e frikësuar nga zv.kryeministrja është vartëse e Ballukut dhe se është marrë e pandehur në Tunelin e Llogarasë.

Ndërkohë zhvillohet seanca në Apelin e GJKKO-së ku ministrja e Infrastrukturës dhe dy vartësit e saj, drejtori i ARRSH-së, Gentian Gjyli dhe ai i KESH, Erald Elezi, kanë kërkuar heqjen e masave të sigurisë të caktuara ndaj tyre.

“Belinda Balluku nuk është e pranishme, përfaqësohet nga avokatët. Seanca është me dyer të mbyllura. Balluku është e pandehur për tenderin e ndërtimit të Tunelit të Llogarasë, gjithashtu është nën hetim për lotin 4 të Unazës së Tiranës, si edhe për 7 procedura të tjera tenderuese. Ajo akuzohet se ka ndikuar direkt në paracaktimin e kompanive fituese.

Prokurorët pretendojnë se Balluku, për shkak se ushtorin funksioneve të rëndësishme, mund të prishë provat dhe të intimidojë dëshmitarët. Madje në dokumentet që kanë rrjedhur, rezulton se SPAK shkruan “se nga përgjimet telefonike e ambientale, ka siguruar prova e të dhëna që Balluku ka intimiduar ose frikësuar një nga dëshmitarët që ka folur kundër saj para SPAK gjatë kohës së hetimet. Gruaja dyshohet dhe mendohet të jetë frikësuar dhe iu është kërkuar të tërheqë dëshminë para prokurorëve është një nga vartëset e Ballukut dhe po ashtu e pandehur në lidhje me tenderin për Tunelin e Llogarasë”, raportoi Klodiana Lala.

Shpallet në kërkim Sekretari i Përgjithshëm i Ramës

0

Shkruan Genc Pollo

1-Pse nuk dorëhiqet/ shkarkohet Balluku?
2-Pse nuk jep Rama shpjegime për rolin e tij në tendera mbasi sms-të dosjes Balluku e implikojnë në “shkelje të barazisë në tendera”.
3-Pse nuk jep sqarime Rama për këshilltarin e tij Agaçi i shpallur person në kërkim nga SPAK/GjyKKO?

Pa normalizuar shtetin me sa më lart nuk lispet të ketë normalitet në sallë e në shesh!

Galeri e Përhershme e Pashk Përvathit në Lezhë

0

Shkruan Zef Ndreka

Sot, këtu në Lezhë, hapet një derë e veçantë e shpirtit shqiptar. Hapet galeria e parë e përhershme private e Mjeshtrit të Madh, Pashk Përvathi, një hapësirë ku koha nuk matet më me vite, por me ngjyra, me dritë dhe me ndjesi të thella njerëzore.

Kjo galeri, e vendosur në një nga mjediset e banesës së tij, nuk është vetëm një ekspozitë pikturash. Ajo është më shumë, është një rrëfim 40-vjeçar, një udhëtim artistik ku shohim Shqipërinë e më tej, shohim njeriun, shohim natyrën dhe shpirtin e këtij vendi të pasqyruar me ndershmëri, me qetësi dhe me madhështi krijuese.
Pashk Përvathi nuk ka pikturuar asnjëherë për zhurmën e momentit, por për kujtesën. Ai ka ndërtuar një gjuhë artistike të vetën, ku peizazhet e tij bëhen ndjenja, figurat njerëzore bëhet histori dhe dritat bëhet shpresë.
Nga sot, këto vepra nuk i përkasin më vetëm autorit, por gjithë Lezhës dhe Shqipërisë, artit shqiptar dhe brezave që do të vijnë.

Por për Lezhën, kjo galeri është një ngjarje kulmore kulturore, është një dëshmi se qytetet jetojnë vërtet kur ruajnë, kur nderojnë dhe kur hapin dyert për artin e madh.
Për gjithë artin mbarëshqiptar, kjo galeri është një pasuri e qëndrueshme. Ndërsa për ne të gjithë, kjo galeri është një ftesë për të parë më thellë, për tu ndaluar pak dhe për të reflektuar thellë.
Për të gjithë që e duan artin dhe kulturën, i urojmë Mjeshtrit Pashk Përvathi shëndet, frymëzim dhe mirënjohjen që vjen jo vetëm nga duartrokitjet, por nga respekti i heshtur i publikut përballë veprës së vërtetë.
Nga sot jemi në këtë shtëpi arti, që sapo u bë një shtëpi e përbashkët e shpirtit kulturor shqiptar.
Urime Mjeshtër!

POSTIMET E FUNDIT