Kreu Blog Faqe 64

Ermira Ymeraj, zëshmëria e një ngulmimi për të shpërfaqur thelbin e miteve, strukturën e baladave dhe shpirtin e letërsisë shqiptare

0

Shkruan Albert Vataj

Në horizontin e studimeve shqiptare, ku letërsia shpesh endet midis traditës gojore dhe fjalës së shkruar, figura e Prof. Asoc. Dr. Ermira Ymerajt ngrihet si një zë që kërkon thelbin e gjërave. Ajo nuk është thjesht një studiuse e letërsisë, por një përkthyese e botëve të lashta në gjuhën bashkëkohore të mendimit kritik; një hulumtuese që beson se miti nuk është një rrëfim i vjetër, por një puls që vijon të rrahë në nëntokën e kulturës, duke ushqyer ndërgjegjen kolektive.
Formimi i saj akademik, ndërtuar në boshtin e gjuhës e letërsisë shqipe dhe i thelluar me studime krahasuese, mitopoetike dhe antropologjike, e ka bërë Ymerajn një nga ato figura të rralla që e shohin letërsinë si një organizëm të gjallë, ku çdo tekst është një pikë takimi e traditave, kujtesave, simboleve dhe kodeve të trashëgura. Studimet pasuniversitare dhe doktoratura mbi baladën si paratekst, një temë e vështirë e njëkohësisht vendimtare për kuptimin e strukturave të rrëfimit shqiptar, dëshmojnë për ambicien e saj intelektuale, të lexojë letërsinë përtej kufijve të saj dukshëm, të zbulojë fijen që lidh eposin me modernitetin, të rindërtojë urën e padukshme midis gojës së popullit dhe penës së shkrimtarit.
Në kërkimet e saj, balada nuk është një monument i ngrirë në kohë, por një entitet i gjallë, që lëviz, transformohet, migron. Ymeraj i lexon këto tekste si struktura arketipale që riprodhojnë mitin, si rrëfime që mbajnë peshën e fatit tragjik dhe të ringjalljes, si forma të një mendësie që jeton përmes shekujsh. Ajo e njeh thelbin e folklorit jo si ornament, por si organ vital, që ushqen formën, motivin, konfliktin, simbolin. Pikërisht për këtë arsye studimet e saj i janë afruar teorisë së Propp-it, intertekstualitetit të Barthes-it, konstruksioneve të Frye-t, ritmeve të Parry-Lord, dhe kozmogonive të Eliade-s. Në këtë ndërthurje, letërsia shqipe del më e gjerë, më e hapur, më e lidhur me modelin ballkanik, me rrugëtimin indoevropian, me universin e mitit të përbashkët.
Por kërkimet e Ymerajt nuk mbeten të ngërthyera vetëm në studimin e mitit. Ajo ka zgjeruar horizontin e saj drejt letërsisë moderne, drejt raporteve ndërkulturore, drejt rolit të identitetit në shoqëritë e sotme të lëvizshme. Ka reflektuar mbi diasporën shqiptare, mbi sfidat e dygjuhësisë, mbi përpjekjen për të ruajtur gjuhën e nënës kur vendlindja është e largët. Në punimet e saj për arsimin ndërkulturor, mësuesi shihet si një urë, si një kujdestar i fjalës dhe si një ndërmjetësues i përkatësive, një figurë e heshtur që mban të gjallë lidhjen midis origjinës dhe botës së re.
Në qasjen e saj kritike, letërsia shqiptare lexon veten përmes strukturave të saj të thella, përmes miteve që i japin formë, përmes simboleve që përsëriten si një kujtesë gjenetike. Përmes shkrimeve të Ymerajt, shfaqet një Shqipëri e rrëfyer jo thjesht nëpërmjet personazheve të saj letrarë, por nëpërmjet kodeve të trashëgimisë, gruaja që sakrifikohet, heroi që udhëton, vëllazëria që thyhet, fati që ndjek njeriun si hije, thelbi i dashurisë dhe i humbjes që s’ka kohë. Ajo e trajton letërsinë shqiptare si një hartë ku shfaqen shtresime të shumta, ndërkësisoj; arkaike, pagane, kristiane, moderne, profane, poetike.
Pedagogjia e saj është po aq e ndërlidhur me kërkimin, ajo nuk jep mësim, por e hap tekstin si një laborator ku studentët mësojnë të shohin përtej rreshtave, të lexojnë strukturën e padukshme, të kuptojnë se letërsia nuk është një objekt i mbyllur, por një proces i pandërprerë i krijimit të kuptimeve. Në këtë kuptim, Ymeraj ka ndërtuar ndikim të qëndrueshëm në brezat e rinj, duke i udhëhequr drejt një leximi profesional, teorik, metodologjik të letërsisë, drejt një kërkimi që kërkon themelin e gjërave.
Vepra e saj është një thirrje për të rikthyer vëmendjen te tradita, jo si muze, por si energji krijuese; te miti, jo si legjendë, por si kod kulturor; te balada, jo si kujtim, por si formë që vijon të na përkufizojë. Dhe mbi të gjitha te letërsia, si hapësira ku Shqipëria gjen mënyrat e saj më të thella për të rrëfyer veten.
Në fund të kësaj panorame, Prof. Asoc. Dr. Ermira Ymeraj shfaqet si një studiuse që ecën midis dy botëve, të lashtës dhe të modernes, të gojës dhe të shkrimit, të mitit dhe të kritikës. Ajo ndërton ura, lexon shtresa, rihap kode, rizbulon rrënjë, dhe me një durim të heshtur ka kontribuar që studimet shqiptare të gjejnë një dimension më të gjerë, më të ndërlidhur, më evropian.
Një zë i tillë nuk është vetëm i rëndësishëm për akademinë; është i nevojshëm për kulturën.
Sepse është zëri që i jep formë kujtesës, e cila, pa studiues si ajo, do të mbetej vetëm një hije e vetvetes. Urime mike! Alberti.

Shqipëria post-komuniste dhe kultura e pand֝ëshkueshmërisë së krimit dhe korrupsionit

0

Shkruan Halil Teodori

Rënia e komunizmit në Shqipëri 35 vite më parë nuk prodhoi një rend të ri institucional, por një shpërbërje të beftë të aparatit të vjetër shtetëror pa ndërtuar një arkitekturë funksionale në vend të tij. Në këtë vakum historik, pushteti nuk u transferua drejt institucioneve të reja të pavarura, por u zhvendos në mënyrë kaotike nga Partia-Shtet drejt grupeve të interesit, klaneve partiake, familjeve politike dhe oligarkive të sapoformuara të tranzicionit. Ky proces nuk ishte një tranzicion demokratik, por një formë mutacioni politik, ku strukturat e frakturës komuniste u ribën në forma të tjera kontrolli dhe përfitimi.
Ky tranzicion i deformuar prodhoi tre plagë strukturore që e shënjuan përfundimisht historinë e tridhjetë viteve të mëvonshme.
Së pari, kapja e shtetit.
Segmentet politike të lidhura me ish-Sigurimin e Shtetit, së bashku me elita të improvizuara ekonomike të dalë nga proceset e privatizimit të rrëmbyer, arritën të vendosin kontroll të qëndrueshëm mbi administratën publike, policinë, gjyqësorin dhe burimet ekonomike strategjike. Shteti u shndërrua nga garant i të drejtave në një mekanizëm shërbimi për klientelën, duke zhdukur kufirin midis pushtetit politik dhe interesit privat. Kjo kapje nuk ishte episodike, por organe e funksionimit të shtetit shqiptar pas 1990-s.

Së dyti, mosndëshkimi i krimeve të periudhës komuniste.
Mungesa e drejtësisë tranzicionale dërgoi tek shoqëria një mesazh fatal: dhuna shtetërore, abuzimi, terrori dhe persekutimi politik nuk kanë kosto. Në këtë klimë, krimi jo vetëm që nuk u dënua, por në mënyrë simbolike u shpërblye. Shumë prej aktorëve të djeshëm u rikthyen në poste të reja, duke krijuar një vazhdimësi të pushtetit përmes formave të reja, ndërkohë që viktimat e diktaturës mbetën të pambrojtura dhe të padëgjuara. Ky mosndëshkim solli një kulturë të re politike: ai që ka pushtet nuk mban përgjegjësi.
Së treti, demokratizimi i simuluar.
Institucionet formalisht u ngritën, parlamenti, partitë, mediat, sistemi shumëpartiak, por ato kurrë nuk u lejuan të funksiononin si entitete të pavarura. Në vend të demokracisë funksionale, ndërtohet një fasadë demokratike. Brenda saj, vendimmarrja dhe burimet vazhdonin të kontrolloheshin nga struktura të centralizuara partiake dhe rrjete informale klienteliste. Kjo gjendje e simulimit demokratik krijoi një dualitet shkatërrues: ligje moderne në letër dhe praktikë autoritare në realitet.
Këto tre plagë, kapja e shtetit, mosndëshkimi dhe simulimi institucional, prodhuan një terren pjellor për korrupsion kapilar dhe për kriminalizimin e hapësirës publike. Ato e rrënuan besimin e qytetarëve, e asifikuan elitën politike, e deformuan ekonominë dhe e shndërruan tranzicionin shqiptar në një cikël të mbyllur ku korrupsioni nuk është devijim, por mënyrë funksionimi. Në këtë kuadër, krimi nuk mbeti fenomen paralel me shtetin, por u bë partner i tij.

Kriminalizimi i sistemit, faktet që e përligjin perceptimin e një vendi të zhytur në kriminalitet
Kriminalizimi i sistemit në Shqipërinë post-komuniste është sot një kategori analitike e mbështetur nga evidencë e gjerë, jo një hiperbolë e debatit publik. Të dhënat mbi trafikun, korrupsionin dhe infiltrimin e krimit të organizuar brenda institucioneve e përligjin perceptimin e një vendi ku kriminaliteti nuk është periferi, por infrastrukturë e jetës politike dhe ekonomike.

Rrënjët e kësaj gjendjeje gjenden në dobësinë strukturore të shtetit, mungesën e kontrollit institucional dhe tolerimin sistematik të ekonomisë së zezë që nga vitet e para të tranzicionit. Faktorët që pasojnë e përshkruajnë me aktualitet këtë realitet.
Që nga vitet 1990, Shqipëria u shndërrua në një nyje tranziti për trafikun e qenieve njerëzore dhe narkotikëve. Në dekadat pas rënies së komunizmit, dhjetëra raporte ndërkombëtare kanë konstatuar se rrjetet kriminale shqiptare krijuan kapacitetet për të operuar ndërkufitarisht, duke shtrirë ndikimin nga Ballkani në Europën Perëndimore dhe Amerikën Latine. Kjo fuqizim global lidhet drejtpërdrejt me brishtësinë institucionale në vend: mungesa e kontrollit mbi territorin, fragmentarizimi i policisë, dhe bashkëpunimet informale midis zyrtarëve publikë dhe klaneve kriminale krijuan një simbiozë ku krimi gjen mbrojtje, ndërsa politika përfitime financiare dhe elektorale.
Edhe pse operacionet shtetërore reduktuan kultivimin masiv, trafiku nuk u zhduk. Përkundrazi, struktura kriminale u diversifikua duke kaluar nga kanabisi te kokaina dhe heroina, me linja të kontrolluara nga grupe shqiptare.
Para reformës në drejtësi, sistemi shqiptar ishte një prej më të korruptuarve në Europë. Indeksi i korrupsionit i BE-së dhe i institucioneve të tjera ndërkombëtare tregonte se më shumë se 80 për qind e gjyqtarëve dhe prokurorëve perceptoheshin si të korruptuar ose të kapur. Në 25 vitet e para të tranzicionit, pothuajse asnjë zyrtar i nivelit të lartë nuk u dënua me burg për korrupsion, pavarësisht dhjetëra skandaleve që përfshinin miliona euro dhe abuzime të dëmshme për interesin publik.
Vetë fakti që drejtësia nuk funksiononte e legjitimoi perceptimin e pandëshkueshmërisë, një nga motorët kryesorë të kriminalizimit të shtetit. Edhe sot, pavarësisht reformës, drejtësia e re përballet me boshllëqe strukturore që grupet kriminale dhe politika vazhdojnë t’i shfrytëzojnë.
Situata aktuale tregon se kriminaliteti nuk është thjesht produkt i tranzicionit të tejzgjatur, por një fenomen i gjallë që përshtatet dhe rigjenerohet. Investime të dyshimta kapitale vazhdojnë të depërtojnë në qendrat urbane, shpesh pa kapacitet hetimor për të ndjekur burimin e tyre. Çdo raport i fundit i BE-së për negociatat e anëtarësimit ngre alarmin për korrupsion, presion politik dhe ndërhyrje të aktorëve kriminalë.
Në një klimë ku krimi operon me më shumë efikasitet se shteti, perceptimi i një Shqipërie të kriminalizuar nuk është gjykim moral, por përshkrim empirik i një realiteti që kërkon reagim institucional, presion shoqëror dhe përmbysje të logjikës së pandëshkueshmërisë.

Kur korrupsioni bëhet mënyrë jetese
Në Shqipëri korrupsioni nuk është thjesht fenomen, por kulturë funksionale. Vetë sociologjia e tranzicionit e shpjegon këtë përmes disa mekanizmave.
Patronazhi partiak.
Punësimet, kontratat, lejet apo licencat shpërndahen jo sipas meritës, por sipas besnikërisë politike.
Korrupsioni i vogël.
Rryshfeti në shërbime publike u institucionalizua në mjekësi, arsim, polici, administratë.
Korrupsioni i madh.
PPP-të, tenderat, investimet strategjike dhe kullat urbane përbëjnë mekanizmat kryesorë të transferimit të burimeve publike tek interesat private.
Korrupsioni elektoral.
Këmbimi i votës për vende pune, para, ose shërbime është një realitet periodik.
Kjo krijoi një rend social ku integriteti shihet si dëm ekonomik dhe ku qytetari ndjehet i pambrojtur ndaj shtetit.

Politika ka dështuar në detyrat themelore
Ndalimin e kapjes së shtetit.
Me mungesën e vullnetit për të çliruar institucionet nga ndikimi partiak, partitë politike i kanë kthyer ato në shtojca të pushtetit.
Gjithashtu garantimi i drejtësisë funksionale.
Është fakt i pamohueshëm dhe shqetësues që për 30 vjet klasa politike ka prodhuar ligje të cilat nuk synojnë pavarësinë, por kontrollin e institucioneve të drejtësisë.
Ka qenë e dukshme dhe degraduese e shtetit, transparenca në përdorimin e fondeve publike. Tenderit, koncesionet dhe PPP-të u shndërruan në instrumente të përvetësimit, jo në mekanizma zhvillimi.

Shqipëria vuan nga një fenomen social, apatia civile

Shumica e qytetarëve e ndjejnë se zëri i tyre nuk sjell ndryshim.
Mosbesimi tek institucionet prodhon mosreagim.
Ky është terreni ideal për korrupsion.
Megjithatë ekziston një detyrim moral dhe qytetar, media e pavarur duhet të shërbejë si mekanizëm kontrolli publik, të paktën ky mision u takon atyre që kanë shpëtuar nga kthetrat e kontrollit të pushtetit dhe ndëshkimi ekonomik.
Shoqëria civile duhet të mos jetë bisht i partive, por të reformohet në organizata profesionale të qëndrueshme. Akademia duhet të dalë nga heshtja dhe të mendojë si autoritet moral i kombit.
Reagim nuk është një fjalë e mirëqëlluar.
Është një politikë e qartë veprimi. Pa një kontratë morale të përbashkët, çdo reformë mbetet kozmetike.
Instalimi i mekanizmave reale të llogaridhënies, është jo vetëm i domozdoshëm por edhe përcaktues për fatin e perspektivës së vendit.
Jo vetëm reforma në letër, por dënime konkrete për zyrtarë të lartë, dhe jo presion ndaj drejtësisë dhe thjeshtëzim të përgjegjësisë reale, të shtetarëve, të cilët kanë shpërdoruar në mënyrë kriminale paratë e shqiptarëve.

Imperative, dekriminalizim i vërtetë i politikës

Imperativi i dekriminalizimit të vërtetë të politikës kërkon shumë më tepër sesa një listë formale personash të ndaluar për kandidim. Ai nënkupton një proces të thellë pastrimi të sistemit politik duke goditur tre burime reale të kriminalizimit:
financimin e fushatave, ndërthurjen e interesave ekonomike me vendimmarrjen publike dhe ndikimin e rrjeteve kriminale në administratë. Në qendër të tij qëndron transparenca radikale e parasë që hyn në politikë, kontrolli i konfliktit të interesit dhe ç’rrënjosja e mekanizmave përmes të cilëve krimi blen mbrojtje institucionale. Kjo nënkupton jo vetëm ligj, por kulturë politike të re, shtet që funksionon dhe shoqëri që monitoron pa kompromis.

Edukim qytetar i ndëshkueshmërisë së korrupsionit

Edukimi qytetar i ndëshkueshmërisë së korrupsionit është një prej shtyllave që garanton transformim të qëndrueshëm institucional. Lufta ndaj korrupsionit nuk është vetëm çështje ligji, por proces formimi kulturor që duhet të fillojë herët, në shkolla e universitete, ku fëmijët dhe të rinjtë mësojnë parimet e meritokracisë, transparencës dhe përgjegjshmërisë publike. Në administratë, kjo kulturë duhet të përkthehet në standarde profesionale të detyrueshme, në trajnime të vazhdueshme dhe në mekanizma monitorimi që e bëjnë abuzimin jo vetëm të rrezikshëm, por moralisht të papranueshëm.
Në nivel qytetar, edukimi i ndëshkueshmërisë krijon një shoqëri që nuk pranon kompromis me të keqen publike: që denoncon, që kërkon llogari, që voton mbi bazën e integritetit dhe jo patronazhit. Kur qytetarët e shohin korrupsionin si dëm kolektiv dhe jo si instrument për përfitim personal, atëherë korrupsioni humb terrenin social që e ushqen. Krijimi i kësaj kulture është themeli mbi të cilin ngrihet çdo shtet funksional.

Shqipëria në kërkim të një morali të ri politik

Shqipëria në kërkim të një morali të ri politik nuk ka nevojë për një retorikë tjetër, por për një përmbysje të mënyrës si konceptohet pushteti. Tridhjetë vitet e tranzicionit nuk dëshmojnë për një vend të paaftë, por për një klasë politike që ka preferuar stabilitetin e korrupsionit ndaj rrezikut të reformës së vërtetë. Ajo që ka munguar nuk ka qenë kapaciteti shoqëror për ndryshim, por një arkitekturë përgjegjësie që e detyron pushtetin të shërbejë e jo të sundojë.
Krimi dhe korrupsioni nuk janë fatalitet kulturor.
Janë produkt i institucioneve të dobëta, i mungesës së transparencës, i pandëshkueshmërisë dhe i një etike publike të shkelur për dekada. Kjo gjendje mund të ndryshojë vetëm kur politika ndalet së funksionuari si menaxhim privat i shtetit dhe kur qytetari rikthehet në qendër si arbitër i ligjshëm i interesit publik.
Morali i ri politik presupozon integritet, meritokraci dhe vullnet për të thyer rrethoren e vjetër të varësisë midis pushtetit dhe parasë. Ai kërkon një klasë udhëheqëse që kupton se legjitimiteti nuk fitohet me propagandë, por me rezultate, standarde dhe transparencë. Shqipëria ka burime njerëzore të jashtëzakonshme, energji krijuese dhe një shoqëri civile që po maturohet. Çfarë i duhet është një horizont i ri normativ, ku politika matet me moral publik dhe jo me fuqinë e patronazhit.
Kjo analizë synon t’i japë emër sëmundjes, jo për të dekurajuar, por për të ndërtuar kurën. Nëse ka një recetë që ka probabilitet të funksionojë, ajo fillon me shkëputjen e plotë të politikës nga pronësia klienteliste e shtetit dhe me rikthimin e qytetarit si sovran real, pjesëmarrës, i informuar dhe i paanshëm. Ky është themeli mbi të cilin ngrihet çdo republikë funksionale.

Ironia e madhe Shqiptare

0

Shkruan Zef Ndreka

“Une mendoj se ështe arrit më shum se është imagjinu. Ja bije fjala kemi 113 vite pamvarsi 50 % e shqiptarve i pagzojne femitë me emra
Turko- Arab. Kemi 35 vjet demokraci dhe festojme 29 nëtorin. Ku 50% e femive te komunistave kan nenshtetsi te armiqve te tyre
Italo – Gjermon.
Arritja ështe e madhe edhe pse 5O%
E keqja nuk vjen as nga islami as nga komunistat po nga idjotet.
Qe do jene perjetsisht mazhorancë.
Dhe per festat e nendorit erdhen 2 miljon flamuj nga Kina.
Para.. ore vlla… para … e jo shaka.
Edhe 72 gjini nê
(xhamadanin vija vija)
E të besosh se ka zhgenjim”?
(F. Kovaçi)
Gjithnjë ka momente kur Shqipëria të dhemb jo si plagë, por si një gjemb i vogël që e ndjen sa herë merr frymë. Dhe shënimi i poetit Frrok Kovaçi një ditë më parë në artikullin tim, është pikërisht ajo goditje e vogël, e mprehtë, që të kujton se sa shumë jemi lodhur duke u përpjekur të kuptojmë veten në këtë mozaik të çuditshëm çerek-perëndimor, çerek-lindor, gjysmë-modern e gjysmë-absurd që quhet shoqëria jonë shqiptare.
Vëndi ynë i vogël, ka plot 113 vite pavarësi, por duket sikur nuk e kemi vendosur ende se nga ç’rrënjë e drejtim duam të rrojmë. Gjysma e fëmijëve marrin emra turko–arabë, jo se populli është fetar, por sepse gjithçka tek ne bëhet me modë. Modë e një epoke, modë e një seriali të imponuar, modë e një bote që e kemi importuar si mall tregu, por jo si kulturë. Jemi një popull që nuk po din çfarë të ruajë dhe çfarë të lërë pas, një popull gjithmonë i mbetur në udhëkryq.
Ne kemi 35 vite demokraci, por ende vazhdojmë të festojmë 29 Nëntorin si triumf të një ideologjie që na çoi në varfëri, në izolim dhe në ndarje.
Ironi e madhe kjo! Kur sot, bijtë e atyre që mallkonin Perëndimin kanë pasaportat e Italisë, Gjermanisë, Francës, pra të atyre “armiqve imperialistë”.
Historia jonë politike është kthyer në një komedi ku aktorët ndërrojnë maskat, por skena mbetet e njëjtë.
Dhe poeti thotë me plot të drejtë:
“E keqja s’vjen as nga islami, as nga komunistat, por nga idiotët që janë përjetësisht mazhorancë.”
Kjo mbetet ndoshta fraza më e saktë për politikën, për kulturën dhe opinionin publik shqiptar. Në Shqipëri, ekstremet nuk triumfojnë sepse janë të fortë, por sepse shumica shqiptare nuk pyet, nuk mendon, nuk analizon. Shumica shkon me rrymën e çfarëdo llojë rryme qoftë.
E ndërsa flasim për rryma, poeti na sjell absurdin tjetër: 2 milion flamuj për festat e nëntorit. Dy milion! Më shumë se popullsia aktive në vend. Ky është patriotizëm i paketuar, i bërë mall konsumi. Flamuri, që duhet të jetë ndjenjë, kthehet në faturë. Dhe kur poeti thotë: “para… ore vlla… para”, aty e ke të gjithë realitetin tonë të filtruar në vetëm tre fjalë, ku idealizmi fle, ndërsa tregtia feston!
Ndërkohë, që bota na ofron kaos kulturor, gjini pa numër e identitete të fabrikuara, ne shqiptarët i marrim siç marrim çdo gjë pa e kuptuar, pa reflektuar, pa ditur çfarë përfaqësojnë. Shpesh i përziejmë me xhamadanin “vija-vija”, e më pas lind ajo përzierja groteske tipike shqiptare, modernizëm sipërfaqësor mbi një mentalitet të pazgjidhur.
Kemi arritur në një moment ku nuk ka vend për zhgënjim, por për vetëdije.
Sepse shënimi i poetit nuk është fyerje për shqiptarët, por një britmë si e kujtdo që e do këtë vend dhe e sheh se si shpesh e shesim, e shkatërrojmë, e banalizojmë me duart tona. E gjitha kjo është dhimbje e mbështjellë me ironi, sepse ironia është arma e fundit kur nuk të dëgjon kush.
Poeti vazhdon më tej:
“Dhe është e vërtetë:
ne kemi arritur më shumë se ç’mund të imagjinohej”, por jo gjithmonë në drejtimin e duhur”.

Konservatorët të ashpër me doktrinën Soros

0

Akademia Kombëtare Konservatore” ALBANIA
Vendim.
Heqje promovimi dhe anëtarësimi, akademik Nderi zotit Erald KAPRI deputeti PM
Deputeti Erald Kapri është elaburuar si anëtar nderi i Akademisë Konservatore Albania në Korrik 2018
Deputet Erald Kapri ka shkelur paritetet e doktrinës Konservatore Albania. Ai mbështeti me firmën e tij të majtën Soriste duke thyer rregullat si akademik konservator sikur përshkruhet më poshtë.
Deputeti Erald Kapri i ka dhënë mbështetje zotit Endri SHABANI i cili është ish kryetar i një subjekti ekstremist Majtist i njohur publikisht si personazh i suportu nga Fondacioni Aleksandër George Soros.
Në dokumentin e Kuvendit Republika e Shqipërisë Erald Kapri ka mbështetur Soristin Endri Shabani. Numuri 10 i listës mbështetëse për Endri Shabanin figuron emri dhe firma e zotit Prof.As.D Erald Kapri.
Për këtë arsye :
Akademia Kombëtare Konservatore Albania i heq të drejtën zotit Erald Kapri të elaburohet më tej e në vazhdim, të jetë pjestar si anëtar nderi “AKDKA”
“AKDKA”
Zv. Presidente.
Av. Klarita Marku.
Tiranë – Shqipëri.
Datë 10/12/2025

Edi Rama sulmon drejtësinë, pasi gjykatësin Engert Pellumbi e shikon si njeriun që do i thyejë dhëmbët korrupsionit kryeministror

0

Gazetarja Klodiana Lala ka reaguar në lidhje me sulmet Edi Rama ndaj drejtësisë, teksa shkruan se përplasja është mes kryeministrit dhe gjyqtarit Engert Pellumbit.

Gazetarja shkruan se gjyqtari Pllumbi i thyen “dhëmbët” kryeministrit me vendimin e tij.

Ndërsa Lala thekson se bëhet fjalë për vendimet e gjyqtarit që si pëlqejnë politikës.

“Me pelqen shume përplasja mes Edi Rames dhe Engert Pellumbit, se ky i fundit ju thyen dhembet me vendime:)

Nenkuptoj vendime te bazuara qe si pelqejne politikes!”, shkruan Lala në Facebook.

Ditën e sotme kryeministri Edi Rama publikoi disa statuse që sulmonin gjyqtarët.

Edhe Ermal Mamaqi drejt burgut, Piranjat e zënë mat si sheik që nuk din nga i kanë ardhur milionat

0

Emisioni investigativ “Piranjat” ka publikuar pamje që kanë hapur një debat të gjerë, duke hedhur dyshime mbi rregullsinë fiskale në aktivitetet e organizuara nga Ermal Mamaqi.

Ky denoncim vjen në një kohë kur qeveria ka ashpërsuar masat kundër informalitetit, duke kërkuar me forcë lëshimin e kuponit tatimor nga çdo biznes.

Në videon e publikuar nga eventi në Pallatin e Kongreseve, ku hyrja kushton mbi 100 euro, shihet se si pagesat kryhen “cash” dhe futen në zarfa, pa u shoqëruar me faturë tatimore.

Gjatë bisedës me gazetaren e infiltruar, punonjësja në sportel pohon se kjo është një praktikë e zakonshme dhe tregon zarfat e mbushur me para të dorëzuara nga pjesëmarrësit.

Mbetet për t’u parë nëse institucionet përkatëse do të ndërmarrin verifikime pas këtyre pamjeve që tregojnë shmangien e mundshme të detyrimeve në zemër të Tiranës.

SPAK lë në burg drejtorin e Belinda Ballukut, Evis Berberin

0

Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka dërguar për gjykim dosjen penale ndaj ish-drejtorit të ARRSH-së, Evis Berberi, i arrestuar në mars 2024 për dyshime të forta për korrupsion dhe pastrim parash në tenderat publikë të autoritetit rrugor.

Berberi, dikur një prej vartësve më të afërt të ish-zv.kryeministres dhe ministres Belinda Balluku, akuzohet për përfitim të paligjshëm të milionave euro nga fondet e shtetit nëpërmjet një skeme të strukturuar me bashkëpunëtorë.

Kush janë të pandehurit dhe çfarë akuzash rëndojnë mbi ta

SPAK njofton se çështja i kalon gjykatës me këta të pandehur:

  • Evis Berberi – akuzohet për korrupsion pasiv dhe pastrim parash.
  • Valter Begaj, biznesmen – akuzohet për korrupsion aktiv, mashtrim me pasoja të rënda dhe pastrim parash.
  • Gentian Gjyli – akuzohet për shkelje të barazisë në tendera, dy herë në bashkëpunim.
  • Erald Elezi, drejtori i KESH – akuzohet gjithashtu për shkelje të barazisë në tendera, dy herë në bashkëpunim.

Pesë ditë më parë, Berberi kërkoi gjykim të shkurtuar dhe kërkoi që disa prova të konsiderohen të pavlefshme, duke pretenduar:

  • kthimin e sendeve të sekuestruara,
  • fshirjen e korrespondencës,
  • mos-përdorimin e të dhënave të marra nga celulari i tij.

Si u arrestua Berberi

Berberi u arrestua më 13 mars 2024 me urdhër të Gjykatës së Posaçme, pasi SPAK ngriti dyshime se ai kishte manipuluar tendera publikë në favor të kompanive të lidhura me të.

Skema e dyshuar: kompania “Daam” si fasadë, miliona euro të ricikluara në prona

SPAK ka zbuluar një skemë të strukturuar korrupsioni dhe pastrimi parash, ku përfshiheshin entitete publike dhe kompani private:

1. Tenderat e parë – 1.2 milionë euro

Kur Berberi ishte Drejtor i Efiçencës së Energjisë, janë zhvilluar tre procedura prokurimi me vlerë afërsisht 1.2 milionë euro, të fituara nga kompania DAAM, e administruar nga biznesmeni Valter Begaj, por që sipas SPAK kontrollohej në mënyrë indirekte nga vetë Berberi.

2. Tenderat në ARRSH – rreth 1 milionë euro të tjera

Kur Berberi mori drejtimin e ARRSH-së, e njëjta kompani fitoi sërish tre tendera të tjerë me vlerë rreth 1 milion euro, duke ngritur dyshime për konflikt të qartë interesi.

3. Transaksionet e dyshimta: “Net Group” → “Daam”

Hetimet zbuluan se:

  • kompania “Net Group” e Begajt kryente pagesa të mëdha drejt kompanisë “Daam”,
  • këto para më pas përdoreshin për të blerë prona të patundshme në emër të “Daam”,
  • kohët e këtyre transaksioneve përputhen me periudhat kur “Net Group” fitonte tendera të shpallur nga institucionet e drejtuara nga Berberi.

SPAK dyshon se bëhet fjalë për një veprimtari tipike të pastrimit të parave, ku fondet e përfituara nga abuzimet në tendera kanalizoheshin për blerje pasurish me qëllim fshehjen e origjinës së tyre.

Në total, vlera e tenderave publikë të lidhur me kompanitë e skemës arrin në mbi 2.7 milionë euro.

Krimi shtetëror i 21 Janarit, ish-presidenti Bamir Topi paraqitet në SPAK

0

Ish-presidenti Bamir Topi është paraqitur këtë të martë (9 dhjetor) në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).

Topi do të pyetet për çështjen e 21 Janarit, ku katër protestues mbetën të vrarë gjatë protestës në 2011-ës, periudhë në të cilën ai mbante detyrën e Presidentit të vendit.

Edhe ish-kryeministri Sali Berisha ka dëshmuar në SPAK për krimin shtetëror të 21 Janarit, pas thirrjes së tij dy herë nga kjo prokurori për t’a pyetur atë si person në dijeni.

Hetimet për 21 janarit 2011 nisën pas kërkesës së familjarëve të Aleks Nikës, që prej më shumë se një dekadë kërkojnë drejtësi për vrasjen e djalit të tyre, ndërkohë që është e vetmja vrasje pa autor në ngjarjen e 21 janarit. Në vitin 2020, Prokuroria e Tiranës i pezulloi hetimet edhe vrasjen e Aleks Nikës që kishte mbetur pa autorë për t’i rihapur sërish në 2021. Familja e Aleks Nikës ka kërkuar vazhdimisht që kjo çështje ti kalonte për hetim SPAK por ky i fundit nuk pranonte të hetonte një çështje e cila po hetohej njëkohësisht edhe nga Prokuroria e Tiranës.

Në 14 nëntorit 2023, Gjykata e Strasburgut doli në përfundimin se 21 janari ishte krim shtetëror dhe duhet të hetohet si i tillë nga drejtësia shqiptare. Strasburgu vendosi që për çështjen e Aleks Nikës t’i hapej rrugë hetimit të munguar. Me anë të këtij vendim familja Nika ju drejtua Gjykatës së Lartë.

Pas një viti, Gjykata e lartë doli më një vendim ku urdhëroi SPAK të regjistronte kallëzimin e familjes Nika dhe të niste hetimet për 21 Janarin.

E dashur une…

0

Shkruan Mira Ukcenaj Vataj

Po te shkruaj sepse ndonjëherë nuk mjafton guximi që ke. Mos u dorëzo, e di që mund të mbështetesh vetëm në forcën tënde.
Per çfarë je akoma e habitur?
Ti ke mësuar të ecesh vetëm, të ngrihesh vetë dhe prej kohësh nuk ke besuar tek të tjerët.
Pavarësisht gabimeve që ke bërë, nuk je tërhequr kurrë, nuk je penduar, nuk ke kërkuar kurrë justifikime dhe tani mos i kërko falje askujt!
Ti di te buzeqeshesh si pak te tjere, sepse ajo buzeqeshje nuk ka asnjehere qellime te fshehta, ajo gjithmone nis nga zemra jote edhe kur ajo zemer te shperthen ne gjoks.
Më dëgjo të paktën këtë herë, mos lejo askënd ta fikë dhe as të të fikë.
Jeto sepse keqardhjet janë më të këqija se vdekja.
Jeto dhe harro sepse nuk ke nevojë për askënd që të ndihesh e qetë.
Jeto, harro dhe mëso: shumica e njerëzve e dinë vlerën e gjërave dhe i trajtojnë njerëzit si objekte, si palosje, sikur të ishin asgjë… ti nuk e di… ti e di vlerën e emocioneve, edhe ata qe kanë frikë prej teje. bëj sikur nuk jane.
Mos ndrysho për askënd!
Jeto dhe vazhdo të emocionohesh për gjërat e vogla, për gjestet e papritura, për të gjitha ato detaje që bëjnë dallimin mes asaj që ka kaluar dhe që nuk do të kthehet më, dhe një të ardhme që te pret dhe që ti meritoni të jetosh duke buzëqeshur si ndoshta kurre me pare. Paç fat, luftëtare dhe mos harro, mos u dorëzo…

POSTIMET E FUNDIT